×

Erosi dje dhe sot si nëntekst dhe pornografi në letërsinë shqipe

Erosi dje dhe sot si nëntekst dhe pornografi në letërsinë shqipe

· 1 · 1393

  • Postime: 22595
  • Gjinia: Mashkull
M A X
ne: 02-12-2011, 15:06:02
Erosi dje dhe sot si nëntekst dhe pornografi në letërsinë shqipe
Sabri Hamiti: Letërsia shqipe nuk ka Figura të mëdha erotike

“Erotizmi në letërsinë shqipe është fenomen njerëzor i trajtuar më fort si ankth jetësor, brengë metafizike e sprovë e ekzistencës kolektive, se sa si dramatikë e zbulimit shpirtëror dhe lirisë individuale. Herat më të shpeshta trajtimi i fenomenit është bërë duke i lidhur këto dy nivele, ku liria individuale është e përcaktuar nga detyra (apo konvenca) fetare, nacionale, ideologjike, qytetare. Sado që letërsia shqipe nuk ka mundur të krijojë Figura të mëdha erotike e erotizuese, madje mite letrare si Helena, Beatriçja, Laura, Heloiza, Romeo, Zhulieta, Don Zhuani a Verteri... kjo ka arritur të nuancojë personazhe e figura erotike e erotizuese, duke bashkuar bukurinë me dashurinë, si Tanusha e Jerina, Bardha e Vita, Diloca, Dila, Tanushi e Kalia, Nita..”- shprehet akademiku Sabri Hamiti.

Por si i këndonin dashurisë në poezitë e tyre Nami, Çajupi, Poradeci dhe Migjeni, sipas këndvështrimit të akademikut Sabri Hamiti?

“Naim Frashëri në poezinë e famshme Bukuria, do ta këndojë Dashurinë si Bukuri, madje duke krijuar një hyrje gati solemne në mënyrë që duke njëjtësuar Bukurinë e Perëndinë e Dashurinë të mbarojë këngën e harmonisë e të adhurimit, të matshme me Përjetësinë... Ndërkohë Çajupi, vuan t’i ngjajë Naimit, jo vetëm në trajtën poetike, por nuk i ngjan atij, qoftë pse nuk i këndon Bukurisë, por i këndon Dashurisë, në poemën e vet me këtë emër.

Lirika e Lasgush Poradecit provon të njëmijë nuancat e diskursit të dashurisë, qoftë si metaforë e dashurisë së Trimit e Vashës, qoftë si eros, forcë e jetës dhe e bashkimit në jetë e në Kozmos. Edhe dy titujt e librave të tij poetikë të rinisë: Vallja e Yjve e Ylli i zemrës janë metafora erotike e erotizuese. Edhe poema e pjekurisë së tij Kamadeva është një poemë erotike. Cikli Kangët e Rinisë në librin Vargjet e lira të Migjenit mund të kuptohet si Kangët e Dashunisë. Ky është tregimi i Migjenit për dashurinë, duke shfaqur e fshehur trajta të dhembjes e të mungesës. Tregimi nis me ekstazën pranverore; bylbyli kangëtar plot magji në gemb të trandafiles... kanga e tij kumbuese, kang’ e tij pa fre, asht si kangë Orfeji ndër telat e lyres. Kjo figurë tradicionale e bilbilit e trëndafilit, në hapin tjetër bëhet konkrete me Dy buzë të kuqe që prodhojnë një puthje kaq të zjarrtë e kaq fatkobe: kur më vrau bukuria/kur më zu dashunia/e më dogji rinia.”- kumton akademik Sabri Hamiti.

E duke u ndalur te tregimet erotike, Sabri Hamiti klasifikon si kumte të erotizmit disa prej tregimeve ku, sipas tij, në të gjitha këto tregime të dashurisë vihet theksi në relacionin ndërmjet Mashkullit e Femrës... si Diloca e Ernest Koliqit; E madhe është gjëma e mëkatit, e Mitrush Kutelit; Pakë poezi, e Migjenit; dhe Nën qarr po rrinte vasha, Anton Pashku.

“Te poezia krijohet një lidhje apo një dialog ndërmjet Unë e Ti, me zotërim të Unë-it. Në këtë mënyrë krijohet figura e dashurisë nëpër imagjinime e fantazi. Te tregimi krijohet një rrëfim për një ndodhi ndërmjet Ai e Ajo... Ky tip tregimi i dashurisë më parë bën portretin e psikologjisë së shoqërisë shqiptare, e cila nuk e do shfaqjen e lirë të intimitetit.”- thotë Hamiti. Te Migjeni, ndër të tjera, ai shprehet: “Migjeni dhe tregimi i tij Pakë poezi, që në lexim të parë mund të shndërrohet në Pakë dashuni, duke marrë kjo formulë trajtën e lutjes apo trajtën e lypjes, sepse që në nismë shenjon një mungesë. Kërkesë e një çasti për t’u shkëputur nga bota, ku ndjenjat shiten për bukë e para. Të riun, Lilin, e ka përshkuar zjarri i dashurisë: buzët, sytë e kaltër, kofsha e lakuriqët e bardhë, të gjitha këto janë shenja të dashurisë për Lilushën. Po Lilushën e ka bijë të tezes, kështu që thelbi i tregimit është një grindje e djaloshit me ndërgjegjen e vet, dhe më thellë, një grindje e pasionit me moralitetin qytetar... Dhe kështu, edhe në këtë tregim të dashurisë, nisin e nxjerrin kokë alternativat e Migjenit, si kudo në veprën e tij. Lilusha është e dashura e Lilit, por është bija e tezes, pra është dashuri e ndaluar... Dashuni e ndalueme, temë e ndalueme, mollë e ndalueme, janë refrene që do t’i thotë apo do t’i imagjinojë Migjeni në valën e skandalizimeve poetike apo rrëfimeve te libri Novela të Qytetit të Veriut.”- shkruan Hamiti.

Kleri dhe Erosi

“Në letërsinë shqipe lirika erotike është pak e zhvilluar. Përveç arsyeve letrare e kulturore, duhet të shënojmë edhe një sociologjike; një pjesë e mirë e poetëve tanë kanë qenë klerikë”- kështu e nis kumtesën e saj pedagogia e Universitetit të Tiranës, Lili Sula. Më tej ajo thotë për tezën e saj se “Letërsia e Vjetër e shekujve 16-17, veçanërisht Qarku Katolik i Shqipërisë së Veriut, aty ku ngjizen librat e parë dhe me përbërje artistike (Budi, Bogdani, Bardhi) përbëhet prej misionarësh katolikë. Edhe pse paraletrare kjo fazë nuk e njohu lirikën erotike. Letërsia e bejtexhinjve u shkruajt nga klerikë dhe joklerikë.

“Tradita religjioze qe e fortë në pjesën katolike të Shqipërisë së Veriut, për një sërë arsyesh historiko-kulturore, që në thelb kanë të bëjnë me ruajtjen e besimit fetar kristian. Gjatë gjysmës së parë të shek. XX pati mjaft poetë të shquar klerikë, si Fishta, Mjeda, Prenushi, Shantoja, B. Palaj etj. Qe e kuptueshme që te këta poetë lirika e dashurisë të mos lëvrohej për shkak të urdhrit fetar ku bënin pjesë; dhe askush nuk priste prej tyre të vjershëronin në këtë hulli. Pikërisht ajo që s`pritej ndodhi. Nën pseudonimin Lilian, Lazër Shantoja botonte te Illyrija (6.5.1934) tufën e tingëllimave ‘Për nji puthje të vetme’, e cila që në titull e ka të shprehur sensualitetin… Ato i kushtohen vashës që shkoi në mërgim, si dhe një prej vuajtjeve më të rënda që mund të përjetonte një poet, pamundësinë për të shprehur veten deri në fund, për të treguar se nën veladon është njeriu, burri. Tjetër krijim i Shantojës i pa vënë re deri tani për ngjyrat erotike është ‘Bylbyli i cofun’. Parateksti i saj përmban titullin, tipologjinë Elegji (Këndon nji vashë) Kushtue F.Sh. Poezia është krijuar më 1920, është viti kur Dom Lazri kthehet nga studimet teologjike nga Austria dhe shugurohet prift…Duket se elegjia nuk i kushtohet bylbylit po mikut a mikes. S`është vështirë të identifikohet bylbyli me lirikun; jeta e rregulltarit Dom Lazër Shantosë me jetën e bylbylit n`kafaz.”

Heroi i parë narcisist i letërsisë shqipe

“Çuditshëm, në vitet ’35, por edhe pak më herët (1933) në letërsinë shqipe shfaqet një roman pa funksion social, pa mesazh, po të duam me një antimesazh, sjellje kjo atipike për letërsinë tonë, po të kujtojmë edhe se romani ‘Pse?!’ i Sterjo Spasses, është ndër të parët në shqip. Tipareve të një romani pa funksion shoqëror, nga pikëpamja e formës, i shtohet edhe mungesa e veprimit.”- thotë Prof. Dhurata Shehri.

Në këndvështrimin e kumtesës së saj Dhurata Shehri hedh tezën se romani Pse?! i Sterjo Spasses është roman i pohimit, i pohimit të erosit, i një erosi të estetizuar.

“Gjon Zaveri është i bukur dhe i vetmuar. Ai ka vetëm një qëllim, të jetojë si i bukur dhe të vdesë si i tillë, të vetë pohohet e të vetë realizohet si subjekt erotik. Akti i tij është diskurs i aktivizimit të një libidoje narcizike, erosi i tij është erosi që estetizohet duke u bërë diskurs fantazie. Si i tillë, ky akt estetizimi i erosit nuk merr përsipër të strukturojë, as mesazhe kulturalisht ndërtuese, as të jepet si model. Letërsia shqiptare e periudhës kur shkruan Spasse, por edhe në diakroni, kërkon nga letërsia heronjtë prometeianë të përparimit dhe lodhjes për shoqërinë. Gjon Zaveri i Spasses është krejt e kundërta, ai është ndoshta heroi i parë narcisist i letërsisë shqiptare.

Ky hero është imazh i një bote krejt ireale. Ai përfaqëson një sjellje dhe një prani krejt të pamundur në letërsinë shqiptare. Ai është një imazh poetik që nuk merr përsipër të përçojë mesazhe, përveç njërit, që vdekja nuk mund të shmanget, që ajo është bashkim i lumtur me bukurinë e me natyrën. Gjon Zaveri nuk vdes se është i palumtur, ai vdes për hir të lumturisë, së dashurisë estetike për të bukurën që e përfaqëson në vetë të parë. Ai vdes se nuk mund të harrojë, ai vdes për të mundur luftën me kohën, me të përkohshmen. Çasti i tij bëhet zgjatje e zgjatja jetë përtej vdekjes, përtej hiçit. Në këtë pikë, ditari është e vetmja formë e përshtatshme e erosit të tij estetik. Ditari i tij është ironia e së përditshmes, bota e hiçit, prej hiçit, … Duke e fituar luftën me kohën ai mbetet përherë i ri, e i bukur, përherë i dashuruar me natyrën...”

Oferta për seks te “A don qymyr zotni”

“Nuk është e vështirë që të konstatohet, qoftë edhe përmes një vështrimi sipërfaqësor, se në krijimtarinë e Migjenit, përveç tipareve të tjera, një element që bie mjaft në sy është edhe ajo erotike. Madje ky erotizëm është shumëpërmasor; nga një erotizëm infantil-platonik, në atë seksual, në atë të një seksualizmi blasfemik, në atë incestual e deri te homoseksualizmi”- thotë ndër të tjera pedagogu i Universitetit të Tiranës, Eljon Dode, teksa analizon erotizmin në veprën e Migjenit e sidomos në skicën“A don qymyr Zotni”, që sipas tij është një skicë me një nëntekst të theksuar erotik ose e thënë troç me nëntekst seksual. “Ka dy izotopi qartësisht të dallueshme (megjithëse të ndërshtëna në njëra-tjetrën): Izotopia e parë është ajo e Ofertës së shkëmbimit tregtar- pra historia e rrëfyer tregon se kemi një ofrues (malësorja e re), një produkt (qymyri), përpjekja për ta reklamuar produktin (kujtojmë togfjalëshin frazën “qymyri në konkurs”), një çmim, klientë, si dhe negocimi i çmimit me klientin e mundshëm. Izotopia e dytë është ajo e Ofertës së shkëmbimit “tregtar” seksual/ trupor - pra sërish kemi një produkt që në këtë rast përkthehet në një “shërbim”, që malësorja mund të ofrojë (kujtojmë që malësorja është e re dhe e bukur- sipas të gjitha gjasave jo pa qëllim, përpjekja për të tërhequr vëmendjen te ky shërbim një çmim, klientë, si dhe negocimi i çmimit me klientin e mundshëm.”- shpjegon Dode. Sipas tij, ligjërimi për seksin në këtë rast është mjaft i tërthortë: në asnjë çast insinuata se kemi të bëjmë me një ofertë seksuale nuk zbardhet, megjithëse nënteksti është qartësisht i kuptueshëm. “Migjeni e ka bërë këtë kamuflim jo në respekt të një ligjërimi me një gjuhë viktoriane për seksin nga shqetësimi për të mos cenuar ‘ligjërimin e moralshëm’.

Më shumë mendoj se kjo mund të jetë rezultat i një zgjedhjeje të vetëdijshme, që ka të bëjë me një qëllimshmëri autoriale të mirëpërcaktuar: të lexohen dy histori të ndryshme brenda të njëjtit tekst, të krijohen ekuivoke dhe të ngatërrohet lexuesi nëpër ambiguitetet semantike për të prodhuar dhe për të ligjëruar në fund të fundit po të njëjtën gjë për të cilën flitet edhe te “Historia e njenës nga ato”, Blasfemi, Pak poezi etj., veçse me terma të kriptuar nëpër tekst.” Thotë ndër të tjera Dode.

Erosi dhe letërsia bashkëkohore

“Erosi në poezinë bashkëkohore është eksperimentimi me shqisat nga “l’enfant terrible”, Mimoza Ahmeti, një plak ashik e qejfli, mik i tavolinave dhe i rrugëve që këndon jetën dhe seksin, Pano Taçi, për t’u ndalur tek “Gruaja që lyp burrë” tek Camaj: - vrulle epshore që ndizen, gulçojnë e shfrehen, përzierja e këmbëve ritmike trokaike, amfibrake dhe jambike tregon vijimësi papërmbajtshmëri, shpërthim viriliteti, aritmi dhe nxitim, belbëzim dhe përgjërim.” –shpjegon Vjola Isufaj, profesoreshë e departamentit të Letërsisë në Universitetin e Tiranës. Ndërsa kur analizon erosin në prozë Isufaj ka shumë më shumë për të thënë. “Te romanet e Petro Markos, erosi i kundërvihet vdekjes që pjell lufta. Nëntitulli “Një histori dashurie” e romanit Odin Mondvalsen të Trebeshinës e përjashton në mënyrë ironike, po njëherazi, gjithkaq e përfshin dashurinë. I gjithë romani mund të lexohet si një histori e vrasjes së dashurisë dhe kjo është një metonimi për humbjen e jetës në sistemet diktatoriale! Erosi në të tjera forma shfaqet te Kënga shqiptare... Tek Anton Pashku tema e dashurisë njeh dy artikulime ekstreme: nga e mrekullueshme, e ëndërrt, në të rëndomtë, groteske.” Por një nga romanet më atipike të botuar vitet e fundit me konotacion të theksuar erotik ajo cilëson librin e Aurel Plasarit Dhjetë ditë që nuk tronditën botën. “Në këtë arlekinadë, siç e quan vetë autori, i prirur për konotacionet e shumta etike e filozofike... e i prirur që erotizmi të pikëvështrohet si kundërpeshë e sterilitetit njerëzor, që pjellin lëvizjet politike revolucionare. Me gjithë këtë, mbetet një roman erotiko-pornografik në përmasa ekstravagante, deri dhe banale”. Ndërsa, sipas saj, te Dueli i Agron Tufës kalohet nga dashuria metafizike në seksualizëm vulgar. Dyluftimi bazë duket se është duke u zhvilluar midis ndjenjës dashurore për femrën si përfytyrim ideal nga njëra anë dhe realitetit fiziologjik me kufij të fortë e të pandryshueshëm nga ana tjetër. Seksualja problematizohet, nëpërmjet saj synohet të mundësohet njohja dhe të interpretohet një individ dhe një shoqëri. Edhe Kongoli rreket në këtë mënyrë të gjejë dhe të ndriçojë origjinën e së keqes brenda qenies dhe shoqërisë shqiptare. Metamorfozën dhe tjetërsimin për shkak të rrethanave shoqërore... Trauma seksuale të fëminisë... kthimi i disa eksperiencave traumatike, tipare të degjenerimit... apo deformimit... kërkojnë një model të ligjërimit në lidhje me seksualitetin... (por autori as nuk është çliruar nga fjalët tabu-ai shprehet në terma biologjikë anatomikë për organet seksuale-kjo është ikje nga gjuha natyrale! Arti dhe letërsia kërkojnë përpunimin e kodit të tyre të vetëshprehjes... Tregohet kështu në këto romane për ambiguitetin dhe dualizmin, për masturbimin mashkullor dhe femëror dhe ikonën e organit mashkullor të modifikuar sintetikisht, të cilit shkrimtari i ka vënë një emër biblik, ky nuk është në thelb, një mekanizëm estetizues i botës reale dhe i ekzistencës, sepse hendeku mund të kapërcehet veçse përmes estetizmit... Si është e mundur të detyrosh natyrën për të çliruar sekretet e veta? Këtë kapërcim imagjinar përtej së mundshme mund ta bëjë vetëm një letërsi e mbështetur te një gjuhë e cila duhet ta realizojë virtualisht “ekzagjerimin”. Nuk është çështje e thyerjeve të paradigmave dhe tabuve censuruese dhe autocensuruese... Duhet ruajtur... natyra estetike, si një nga thelbet e përjetshme të letërsisë!

Përmasat erotike të veprës së Kadaresë

Një nga analizat që bën Prof. Vjola Isufaj janë dhe përmasa erotike në veprën e shkrimtarit Ismail Kadare. “Ne vendosëm t’i futnim duart Violës-nis një tregim ku zhvillohet erosi infantil dhe ndjenja e fajit. Përsëri djali-tregimtar-fëmijë (këtë herë te Kronikë në gur dhe shoku i tij vërtiten rreth shtëpisë ku shfaqet një grua e re e bukur, burri i të cilës mendohet të jetë impotent. Kur një bombë shpërthen, njerëzit rrëzohen në vendstrehim dhe llambat e vajgurit shuhen. Me ndezjen e llambës ndriçohen dy dashnorë të përqafuar. Ndërsa kur Suzanës i rrëfehet historia e të dashuruarve ajo fton ta përsërisin këtë ngjarje në shpellë. Te Qyteti pa reklama -orgjitë dhe sëmundjet zbulojnë jetën vanitoze të margjinës; skenat e erosit me ngjyrë orientale përpunohen te Kasnecët e shiut; te Kush e solli Doruntinën, përveç hamendjeve për dashuri incestuale, një vektor e zhvendos akumulimin burrëror të Stresit për Doruntinën në një marrëdhënie të vrullshme epshore me të shoqen. Te Dimri i madh ka prostituta, studentë që tregojnë për këmbimin e të dashurave, gra të bukura që flirtojnë dhe thonë ”Vetëm kursim të mos ketë”... Tabutë morale, dashuria e penguar që shkalafit në shtet dhe lidhjet jashtëmartesore shfaqen te Pasardhësi ... te Shkaba e dashura shfaqet me dy pamje: së pari e së prapthi (me emrin e saj, anA) pasi personazhi ka rënë në botën “e poshtme” ku gjithçka është e përmbysur. Motivi antik dhe rimarrja e arketipit të bukuroshes së rrëmbyer organizojnë lëndën e romanit Përbindëshi, skena seksi e masturbimi shfaqen te Qorrfermani, marrëdhënia dashurore me gjarprin te Lulet e ftohta të marsit, fetishizimi te Dimri i madh (Marku shtrëngon të brendshmet e Zanës mbi makinën qepëse), homoseksualiteti te “Jeta, loja dhe vdekja e Lul Mazrekut”, marrëdhënia e një kineasti të pasuksesshëm me të dashurën e tij “stranger” në romanin “Hija” . Joshja e sëmurë e Besianit për zakonin e gjakmarrjes dhe joshja erotike e Dianës për Gjorg Berishën, një obsesion që e tërheq dhe e dërgon në një botë tjetër, shpien në ftohjen e tyre te “Prilli i thyer”.

Kur De Rada censuronte vargjet erotike

Poezia italo - shqiptare është lëndë ballkanike e derdhur në formë romane; autorët e saj janë të drejtuar në themel nga Perëndimi: dhe De Rada (le mos harrojmë ndikimet e kulturës klasike, orientale e të poezisë hinde) është i pari këngëtar i shpirtit të gruas në literaturë shqiptare. Milosao zbulon autorin dhe subjektivitetin e, në shkallën tjetër, edhe ligjërimin e dashuruar. Dashuria e penguar ndërmjet mashkullit dhe femrës, sidomos dashuria ndërmjet Milosaos dhe Rinës, e realizuar në kushtet e natyrës virgjine dhe e përfunduar në kushtet e luftës, është një fill që përshkon disa poema të poetëve arbëreshë. Por Prof. Elio Mirako, i Universitetit “La Sapienza” në Itali, zbulon në mbështetje të tezës së Prof. Viola Isufajt se do të ishte vetë Jeronin de Rada që do të censuronte vargjet erotike në poemat e tij lirike. Ai sjell shembullin e një vargu botuar për herë të parë në Itali, ku në ribotimet e mëvonshme vetë De Rada e ka ndryshuar. “Vajza futi njërën dorë në gji dhe nxori mollët”. Mollët janë metafora e sisëve- shpjegon Prof. Mirako. Ndërkohë që shton se në botimet e mëvonshme ky varg nuk do të gjendej më. “Në botimet e mëvonshme De Rada do ta ndryshonte të gjithë vargun. Gjirin do ta zëvendësonte me sëndukut, kështu në versionet që ne njohim vajza do ta fusë dorën në sënduk dhe do të marrë limona. Pra, vetë Jeronin de Rada censuron vargjet e tij erotike. Në përgjithësi krijimet e fillimeve poetike tek arbëreshët do ta përshkruajnë aktin e dashurisë duke përdorur metafora”- thotë Prof. Elio Mirako. /,mapo.al