×

Kongresi i Manastirit

· 3 · 6468

Kongresi i Manastirit

· 3 · 6468

  • Postime: 6
harrypotter
ne: 07-11-2008, 18:27:39
Postoni ndonjë gjë te veçantë ose interesanate në lidhje me Kongresin e Manastirit.
« Editimi i fundit: 10-11-2008, 15:32:50 nga M A X »
  • M'pelqe
    Kot fare
    Super

  • Postime: 187
  • Gjinia: Mashkull
miku
#1 ne: 07-11-2008, 18:54:45

 
    Më 14 Nëntor 2008 mbushen 100 vjet nga Kongresi i Manastirit, ose siç thuhet, Kongresi i alfabetit të gjuhës shqipe Gjuha shqipe, një ndër gjuhët më të lashta në familjen e gjuhëve indoevropiane, është dëshmi e fuqishme e identitetit kombëtar dhe faktor kryesor në mbijetesën e vetë kombit.
Lashtësia e gjuhës shqipe, e pranuar nga autoritetet shkencore dhe akademike botërore, dëshmon njëkohësisht lashtësinë e kombit, popullit shqiptar, që e ka krijuar, e ka folur, e ka zhvilluar dhe e ka ruajtur deri në ditët tona. Gjuha shqipe zotëron cilësi të larta linguistike dhe është e aftë të japë shqip kryeveprat e letërsisë botërore; shqipja është gjuhë e një kulture qytetëruese. ABC-ja shqipe e rrjedhimisht edhe shkrimi i gjuhës sonë kanë historinë e tyre.

    Ato kanë ecur në një udhë të gjatë dhe të vështirë, kanë përshkruar shtigje të rrezikshme, kanë kapërcyer kurthe e pengesa të panumërta. Lëvizja për ABCnë dhe shkrimin shqip ka qenë pjesë përbërëse e përpjekjeve mbarëshekullore të kombit tonë, ka hasur në kundërshtime dhe qëndrime negative të armiqve tanë kombëtarë dhe ka çarë përpara duke pasur pishtarët e vet. Lufta për ABC-në dhe shkrimin shqip u ashpërsua sidomos gjatë Rilindjes Kombëtare dhe pas saj. Pas daljes në dritë të "Abetares" së Naum Bredhit, lëvizja për ABC-në dhe shkrimin shqip u sulmuan përherë e më rreptë nga oborri osman dhe athino-fanaritët jo më si një dukuri gjuhësore, por si një dukuri politike. Konstandin Kristoforidhi, gjuhëtari ynë i njohur, do të lëshonte alarmin: "Ndë mos u shkroftë gjuha shqipe nuk do të shkojnë shumë vjet dhe nuk do të ketë Shqipëri ndë faqe të dheut, as nuk do të shënohet më emri shqiptar ndë kartë të botës" ("Nëpër udhën e penës shqiptare", f.7).

    Përpjekjet e Rilindësve për gjuhën shqipe, për shkollën shqipe, kishin si hallkë zgjidhjeje krijimin e një ABC-je shqip. Kërkesa kryesore ishte që kjo ABC t‘u përgjigjej karakteristikave të vetë gjuhës shqipe, veçorive të saj fonetike dhe atyre të shqiptimit. Njihen 4 lloj shkrimesh të moçme, që kohë pas kohe kanë zëvendësuar njëritjetrin: vizatimori, kunjiformi, hieroglifiku dhe tingullori. Ishin fenikasit, 2 mijë vjet para erës sonë, që bënë hapin e madh të parë, të cilët ndërtuan shkronjat dhe shkrimin alfabetik, ku çdo tingull paraqitej me një shenjë të posaçme. Sipas dëshmive prehistorike, këto shkronja u sollën nga detarët fenikas në Ballkan. Jani Vretoja, i cili mbështetet te Herodoti dhe Diodori, thotë se të parët që morën shkronjat nga kolonët fenikas ishin "pellazgët jonikë", që mund të ketë ndodhur aty nga fillimi i qindvjeçarit XVI para erës së re.

    Shkenca gjuhësore shqiptare ka pranuar faktin historik se gjuha shqipe është shkruar qysh herët dhe se janë përdorur disa lloje ABC-sh. Marin Barleti, në librin "Rrethimi i Shkodrës" (1504), thotë se kishte përdorur burime historike që flisnin për krijimin e Shkodrës të shkruara "në gjuhën e popullit", pa përmendur se me ç‘lloj ABC-je ishin shkruar. Po të merret me mend se në ato burime ka qenë përdorur alfabeti latin, atëherë pohimi i dëshmitarit më të hershëm që njihet gjer sot për këtë çështje, francezit Gulielm Adae, i njohur me emrin Brokard Monaku, është një provë e fortë e shkrimit të shqipes me shkronja latine qysh në lashtësi. Gulielm Adae, në një kumtim latinisht të vitit 1332, shkruante se shqiptarët, sado që kishin "një gjuhë krejt të ndryshme nga ajo e latinëve…, në librat e tyre përdorin shkronjat latine". Por nuk thotë në cilën mënyrë përdoreshin dhe prej sa kohe ishin në përdorim ato shkronja. Gjurma e parë që haset mbi përdorimin e alfabetit latin në Shqipëri është e vitit 1462. Në këtë alfabet ka qenë shkruar e ashtuquajtura "Formulë e Pagëzimit".

    Mendohet se ky dorëshkrim shqip, me shkronja latine, është lënë prej dorës së Pal Ëngjëllit, kryepeshkopit të Ilirisë. Kryepeshkop Pal Ëngjëlli udhëzonte besnikët që t‘i pagëzonin vetë fëmijët e tyre, kur nuk kishin mundësi që t‘i shpinin nëpër kisha, duke përdorur shqip formulën që autori e shkruan kështu: "Unte‘ paghesont premenit Atit et birit et spertit senit" ("Unë të pagëzoj në emër të Atit e Birit e Shpirtit të Shenjtë".) Është dokumenti më i vjetër i gjuhës sonë, që dëshmon për përdorimin e alfabetit latin për shkrimin e shqipes. Këtë dokument e zbuloi historiani rumun, Nicolae Jorga. Burimi i dytë ku përdoret alfabeti latin në shkrimin e gjuhës shqipe është i vitit 1496 apo 1497. Ai ka qenë një fjalorth, në të cilin udhëtari Arnold von Harff, gjatë kalimit nëpër disa qytete bregdetare shqiptare, shënon numërorët themelorë nga njëshi deri në njëmijë; tetë fraza të ndryshme (përshëndetje, pyetje e zotime), si dhe njëzetegjashtë fjalë. Me "Mesharin" (1555) e Gjon Dedë Buzukut shpaloset një fazë e re dhe më e gjerë e ABC-së shqipe. Buzuku, edhe pse kryesisht përdori shkronjat e alfabetit latin, krijoi, përshtati apo huazoi edhe disa shenja a shkronja të një lloji tjetër, sepse shqipja ka më shumë tinguj e zëra se latinishtja.

    Ndërtimi dhe cilësitë e veçanta të ABC-së të përdorura nga Buzuku janë trajtuar shkencërisht nga profesor Eqrem Çabej në transliterimin dhe transkriptimin e "Mesharit". Shkrimtari i dytë që përdori gjerësisht shkronjat e alfabetit latin në një vepër të plotë në gjuhën shqipe ka qenë Lekë Matrënga, që besohet se jetoi midis viteve 1560-1619. Ishte nga fshati Hora e Arbëreshëve, siç e quajnë banorët e vet, apo Piana dei Greçi, siç e thërresin italianët. Ndryshe nga Gjon Buzuku, Lekë Matrënga përdori vetëm shkronjat e alfabetit latino-italian. Shkrimtarë të tjerë klerikë katolikë, si Pjetër Budi, Pjetër Bogdani, Frang Bardhi, e ndonjë tjetër, u përpoqën dhe e shkruan shqipen kryesisht me alfabetin latin, prandaj edhe ABC-të e tyre shëmbëllejnë ku më shumë e ku më pak më njëra-tjetrën. Atdhetarët tanë të dijes dhe të kulturës i panë të papërshtatshme ABC-të e gjertanishme të ndërthurura me huazime të pjesshme nga alfabetet e gjuhëve të huaja, prandaj iu përveshën punës për ndërtimin e një ABC-je të veçantë të shqipes.

    ABC-të e ndryshme për shkrimin e shqipes kanë qenë të shumta dhe të shumëllojshme. Ato u shtuan, sidomos gjatë gjysmës së dytë të shekullit XIX. Lidhja Shqiptare e Prizrenit, me programin politik e kulturor, u bë frymëzuesja e fuqishme për atdhetarët e ditur që të krijonin një ABC shqip, të përshtatshme dhe të lehtë për shqiptarët. Një vit e gjysmë pas themelimit të kësaj Lidhjeje, u ngrit në Stamboll "Shoqëria e të shtypurit shkronja shqip". Sipas një burimi të kohës përmenden si anëtarë të kësaj shoqërie Sami Frashëri, Hasan Tahsini, Pashko Vasa, Jani Vreto, Koto Nase Hoxhi; ndërsa një burim tjetër përmend edhe Zija dhe Ali Danishin nga Prishtina. Anastas Kulluriti shkruante: "Vetëm me anën e shkronjave shqipe dhe të gjuhës amtare kanë për t‘u përhapur dritat e shkencës, kanë për të ndritur ditë të lumturisë dhe idetë e qytetërimit e të përparimit dhe në atdheun e shqiptarëve" (Vep. cit. f.138). "Shoqëria e të shtypurit shkronja shqip", që njihet edhe si Komisioni i ABCsë, pranoi njëzëri ABC-në e Sami Frashërit. Rreth përkatësisë së shkronjave të kësaj ABC-je, burimet e ndryshme nuk janë të njëzëshme. Njëri prej tyre thotë se ajo ABC kishte 36 shkronja, ndër të cilat 26 ishin latine, 10 ishin të përbëra, të sendërzuara a të huajtura nga alfabeti grek, kurse një burim tjetër thotë se 25 prej shkronjave ishin latine, 6 sllave dhe 5 greke.

    Kjo ABC përbëhej pra nga 36 shkronja; nga këto 7 zanore dhe 29 bashkëtingëllore. Në gjysmën e dytë të vitit 1879, ajo ABC u përmblodh brenda një abetareje prej 136 faqesh, e cila u quajt "ALFABETARE E GJUHËS SHQIP". Kjo ABC u botua në 20000 kopje dhe u shpërnda në gjithë Shqipërinë dhe në kolonitë shqiptare brenda dhe jashtë sulltanatit osman. Me të u botuan fletoret "Drita" e "Dituria", librat e vëllezërve Frashëri dhe plot vepra e fletore të tjera. Kundër ABC-së së "Shoqërisë të të shtypurit të shkronjave shqip" u sulën në një front të përbashkët armiqësor që nga oborri osman, Patrikana e Fanarit dhe Papati i Romës, oborri carist rus, e deri te qeveritë frënge, greke, serbe, malazeze etj.

    Nuk mbetën pas tyre as krerët e "Shoqërisë biblike britanike dhe për vendet e huaja". Mirëpo përpjekjet e tyre dhe të gjithë armiqve të tjerë, dështuan. Shoqëria e shkronjave ishte shoqëria e parë kombëtare shqiptare në lëmin e penës shqiptare, "e para farë për një punë të tillë", siç i shkruante Sotir Kolesë, Jani Vretoja. Çështja e ABC-së, edhe pas shkatërrimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, mbeti e gjallë. Përpjekjet vazhduan tek arbëreshët e Italisë dhe arianitasit në Greqi. Në fund të shekullit XIX dhe fillim të shekullit XX u dallua një shtim i vrullshëm i veprimeve për hartimin e një ABC-je me një bazë të gjerë kombëtare.

    Kështu, më 1899, një grup atdhetarësh shkodranë, me Preng Doçin në krye, ngritën shoqërinë "Bashkimi" dhe krijuan një ABC të posaçme, të quajtur "ABC-ja e Bashkimit". ABC-ja u botua në librin "ABETARI". Një grup tjetër shkodranësh të penës, me Ndre Mjedën në krye, në vitin 1901 krijoi shoqërinë "Agimi"; po në këtë vit Mjeda ndërtoi dhe përhapi një ABC të ndryshme nga ajo e "Bashkimit". ABC-ja në fjalë, sipas Justin Rrotës, u vu menjëherë në përdorim dhe zuri vend të parë. "Kongresi i alfabetit të gjuhës shqipe" u mbajt në Manastir më nëntor 1908. Ai kurorëzoi përpjekjet e shumë brezave atdhetarësh dhe njerëzve të penës. Thirrja e kongresit u prit me gëzim nga të gjithë, siç dëshmon Mihal Gramenua në një reportazh të gjatë për këtë ngjarje historike: "Ah! Me sa gëzim dhe me sa padurim prisnim ditën e Kongresit të parë kombëtar, gëzimi dhe padurimi ishte në delegatët". "Tubimi historik i Manastirit nuk ishte thjesht një mbledhje gjuhëtarësh, por një kongres kombëtar për çështjet më të rëndësishme të lëvizjes sonë kombëtare", shkruan Uran Butka. Në kongres morën pjesë 32 delegatë, që përfaqësonin 22 klube dhe shoqëri të ndryshme atdhetare e kulturore, brenda dhe jashtë vendit.

    Mihal Gramenua përmend edhe Parashqevi Qirjazin, si e dërguara e shkollës së çupave të Korçës. Por Gramenua shton se ishte e pranishme edhe Filomena A. Bonati, mbesa e Pashko Vasës, e cila kishte shkuar me dëshirën e vet për të shoqëruar Parashqevi Qirjazin. Kryetar i Kongresit të Manastirit u zgjodh me vota të fshehta atdhetari i madh dhe erudit, Mit‘hat Frashëri, dhe si nënkryetarë Luigj Gurakuqi dhe Gjerasim Qirjazi. Mit‘hati atëherë ishte 28 vjeç dhe nuk kishte ardhur ende nga Selaniku kur u zgjodh në mungesë kryetar; u zgjodhën edhe tre shkrues: Hilë Mosi, Nyzet Vrioni e Thoma Avrami. Ditën e tretë të punimeve të kongresit i cili vazhdoi deri më 22 nëntor, u zgjodh komisioni i ABC-së. Kryetar i Komisionit të Alfabetit u zgjodh poeti i shquar Gjergj Fishta; ndërsa anëtarë Ndre Mjeda, Luigj Gurakuqi, Sotir Peci, Bajo Topulli etj. "Pikërisht se Mit‘hat Frashëri ishte kryetar i Kongresit të Manastirit dhe Gjergj Fishta kryetar i Komisionit të Unifikimit të Alfabetit të Gjuhës Shqipe -shkruan studiuesi i njohur Uran Butkahistoriografia komuniste e anashkaloi dhe e censuroi këtë kongres, vendimet dhe pjesëmarrësit". Komisioni i Alfabetit u nda në 4 grupe dhe gjatë 3 ditëve rresht punuan veçmas, në mënyrë të pavarur. Grupet patën diskutime të ashpra për zgjedhjen e alfabetit të përbashkët. Debatet zgjatën aq sa u rrezikua edhe kompromisi. Por, me këmbënguljen e Mjedës, u arrit kompromisi historik.

    Në procesverbalin e mbledhjes lexohet: "Te nesërmen nadje, para se të fillonim mbledhjen e komisionit, Dom Ndre Mjeda vajti te Mit‘hat Frashëri dhe i paraqiti këto dy alfabete. Zotnia, pas një diskutimi të shkurtër, mbeti i kënaqur dhe i tha t‘ia paraqiti vetë komisionit". Mjeda ia paraqiti alternativat komisionit, ndërkohë që Luigj Gurakuqi zbuloi dërrasën e zezë ku ishte shkruar ABC-ja. Fishta shkoqiti se ABC-ja e Stambollit është e mirë e mbi baza latine, por për të shtypurit e librave shqip ka vështirësi, ndaj duhet një ABC thjesht latine.

    Më në fund u vendos të përdoreshin të dyja ABC-të paralelisht dhe pas dy vjetësh të mbahej një kongres tjetër në Janinë, i cili do të vendoste përfundimisht për ABC-në dhe ortografinë e gjuhës shqipe. Në fund, pas diskutimesh dhe polemikash të shumta, shkruan studiuesi Ibrahim D. Hoxha, grupet u mblodhën së bashku dhe vendosën të mbahej ABC-ja e Shoqërisë së shkronjave "me nja dy ndryshime të vogla" dhe krahas saj një ABC "krejt me germa latine, duke bashkuar dy shkronja për ata tinguj që kemi nevojë për gjuhën shqipe".

    Poshtë nënshkrimeve të anëtarëve të komisionit të posaçëm shënohet: "Vendimin e Komisionit e pëlqyen të gjithë zotërinjtë delegatë, të cilët po e nënshkruajnë duke dhënë besën se kanë për ta mbajtur" ("Nëpër udhën e penës shqiptare", 1984, f.2007). "Kongresi i alfabetit të gjuhës shqipe" është ngjarja më e shënuar kombëtare në prag të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912. "Njësimi i ABC-ve, shkruante Mit‘hat Frashëri, është pema e parë e Kongresit. Por ka edhe një pemë tjatër, akoma më të madhe dhe më të bukur dhe kjo është bashkimi i shqiptarëve. Ish, pra, një ngjarje e re për ne kjo mbledhje, ku pamë shqiptarët të ardhur nga veriu dhe jugu, nga lindja dhe nga perëndimi, ku pamë krah për krah gegë dhe toskë, të krishterë dhe muslimanë, hoxhë dhe priftër. Qoftë ky themeli i një bashkimi të përjetshëm të shqiptarëve", përfundon Mit‘hat Frashëri.

  • M'pelqe
    Kot fare
    Super

  • Postime: 22189
  • Gjinia: Mashkull
M A X
#2 ne: 22-11-2011, 16:35:51
SHEZAI RROKAJ*

Kongresi i Manastirit është, pa dyshim, një monument në historinë e popullit shqiptar, të cilit i janë referuar dhe do t’i referohen shqiptarët sa herë është e nevojshme për t’iu qasur e për të analizuar çështje madhore që kanë vendosur fatin e tyre, siç janë ato që kanë të bëjnë me pavarësinë e me njësimin politik kombëtar të gjuhës dhe të shkrimit shqip.
Lidhur me këtë ngjarje madhore është folur shumë ndër studiues si gjuhëtarë, historianë, didaktë etj. Të shumta janë edhe burimet arkivore, si: Arkivi i Shtetit në Tiranë si dhe arkivat e disa vendeve me të cilat ishte lidhur fati i mëtejmë i vendit tonë apo në të cilat vepronin klube a shoqata intelektualësh shqiptarë.
Synimi i këtij shkrimi është të vërë në dukje se në Kongresin e Manastirit, çështja e njësimit të alfabetit dhe gjuhës nuk ishte qëllim në vetvete. Siç do të shihet më tej, me ndonjë përjashtim, kjo çështje ishte e lidhur ngushtë me kërkesën e njësimit kombëtar dhe të autonomisë. Pra, ajo (kërkesa) u bë program i një lëvizjeje kombëtare e lidhur me procesin e formimit të ndërgjegjes kombëtare dhe të unitetit kombëtar. I përmbahemi mendimit se uniteti i alfabetit, uniteti i gjuhës dhe uniteti i kulturës ishin kërkesa që buronin dhe do të viheshin në shërbim të unitetit të kombit. Vetëm kjo ide mund të mblidhte bashkë në Kongresin e Manastirit një përfaqësim kaq të larmishëm dhe të gjithanshëm.
Në funksion të kësaj ideje vlen të përmenden katër çështje:
Së pari, Romantizmi Eiropian pati një ndikim të drejtpërdrejtë në disa shkolla gjuhësore të shekullit XIX. Veçojmë në këtë rast konceptin e Humboldt-it mbi gjuhën si shprehëse e “shpirtit të popullit”, a konceptin e Whithney-it mbi funksionin shoqëror të gjuhës, ku do të mbështetej edhe Meillet-ja dhe, më pas, Shkolla sociologjike frënge. Idetë e iluminizmit dhe të romantizmit do të frymëzonin mjaft prej rilindësve tanë. Në të njëjtin këndvështrim vendoset E. Sapir-i, kur thotë se “kontributi i gjuhës në përgjithësi në përcaktimin, shprehjen dhe përcjelljen e kulturës është i pakundërshtueshëm”. Së bashku me antropologun B. L. Worf ata do të bëhen autorët e teorisë së relativizmit linguistik, sipas së cilës, gjuha luan një rol kryesor në mënyrën tonë të të parit të botës. Pra, vendosja e një alfabeti të njësuar, e një gjuhe të njësuar, e një kulture të njësuar, e një shkolle të njësuar ishte kusht për një ndërgjegje të njësuar, me një pikësynim që të konvergonte drejt çlirimit kombëtar dhe pavarësisë së vendit.
Së dyti, Lidhja e Prizrenit dhe më pas gjallërimi i lëvizjes patriotike për çlirimin kombëtar, shënoi një hap të rëndësishëm kundër politikës asimiluese dhe shkombëtarizuese të xhonturqve, nga njëra anë, Patriarkanës greke të Stambollit dhe synimeve të shteteve fqinje për copëzimin e Shqipërisë dhe të shqiptarëve, e bashkë me të edhe të gjuhës e të kulturës së tyre, nga ana tjetër. Politika asimiluese shprehej qartë edhe në politikën e tyre arsimore, në përdorimin e alfabeteve dhe gjuhëve të tjera si arabishtja, turqishtja, greqishtja e italishtja. Çështja e alfabetit dhe e gjuhës u bënë pjesë e programit të lëvizjes kombëtare. Përpjekjet për shkrimin e shqipes me një alfabet dhe mësimin e gjuhës në shkolla shqipe me një alfabet të njësuar kushtëzoheshin nga dy faktorë: njëri konservativ, që lidhej me rezistencën ndaj asimilimit, tjetri dinamik, për t’i përdorur këto mjete për formësimin e kombit dhe të unitetit kombëtar.
Së treti, alfabeti i autorëve të vjetër. Është provuar tashmë se ekzistonte një traditë shkrimi qysh para shekullit XVI e ndoshta edhe një gjuhë e përbashkët, të paktën në shkrimet e përdorimit praktik. Një normë shkrimi e gjejmë edhe te Matrënga (1592), ku studiuesit përjashtojnë të ketë pasur ndikim prej Buzukut. Siç dihet, kjo traditë shkrimi vazhdoi të ndiqej tek autorët e tjerë veriorë, si Budi, Bardhi e Bogdani. Në shekullin XVIII shkrimi u përhap edhe në Shqipërinë e Mesme dhe të Jugut (Elbasan, Voskopojë, Berat), ku dominojnë alfabete të gjuhës arabe e greke për shkrimin e shqipes. Pra, deri në shekullin XIX mund të thuhet se gjuha jonë shkruhej me alfabetin latin prej shkrimtarëve veriorë dhe arbëreshëve, duke mos arritur të shkruhej edhe në pjesën tjetër të territorit e duke pasur kështu një përdorim të kufizuar.
Së katërti, gjuha shqipe shkruhej asokohe me alfabetin latin, grek e arabo-turk. Përveç alfabetit të shkrimtarëve të vjetër të Veriut, i cili përdorej kryesisht nga priftërinjtë katolikë në veprat dhe shërbesat fetare, në shekullin XIX përdoreshin tri alfabete. Bejtexhinjtë si Muhamet Çami, Dalip e Shahin Frashëri, si dhe bejtexhinjtë e shekullit XVIII, disa shoqata myslimane të Stambollit, sillnin një traditë shkrimore në alfabetin arab. Th. Mitko, K. Kristoforidhi, J. Vreto etj., përdorën kryesisht alfabetin grek. Alfabeti latin i pastër a i përzier do të ishte edhe më i përdoruri. Siç do të shihet në vijim, një vend të rëndësishëm zënë në këtë drejtim tri alfabetet latine: ai i Stambollit, i shoqërisë “Bashkimi”, si dhe ai i shoqërisë “Agimi”. Kishte edhe prirje të tjera, siç është ajo e Hasan Tahsinit, sikundër më parë dhe N. Veqilharxhi, për krijimin e një alfabeti origjinal.
Kongresi i Manastirit u mbajt nga 14-22 nëntor 1908, me nismën e klubit “Bashkimi” të Manastirit. Është e rëndësishme të theksohet se vetë fakti i një pjesëmarrjeje nga të gjitha anët (26 qytete dhe shoqëri të ndryshme shqiptare brenda dhe jashtë vendit, 52 delegatë, nga të cilët 32 me të drejtë vote dhe 18 pa të drejtë vote) dhe mjaft heterogjene, dëshmonte njëherazi se çështja e unifikimit të alfabetit, e njësimit të gjuhës dhe kombit ishte një shqetësim dhe një dëshirë e thuajse të gjitha qarqeve. Ideja e bashkimit ngrihej mbi veçoritë dhe përplasjet që kishin klubet mes tyre.
Diskutimet u përqendruan rreth alfabetit të Stambollit, alfabetit të shoqërisë “Bashkimi” dhe atij të shoqërisë “Agimi”. Hil Mosi, delegat i shoqërisë “Gegëni”, propozoi të krijohej një alfabet i ri, i cili të bashkonte të tria alfabetet. I këtij mendimi ishte edhe Luigj Gurakuqi me mendimin “që të mos i thyhej zemra askujt”. Komisioni i ngritur ad hoc diskutoi lidhur me tri çështje: a) a do të merrej njëri prej tri alfabeteve; b) a do të kishte një kombinim të tri alfabeteve për të nxjerrë një alfabet përfaqësues; c) a do të liheshin mënjanë të tria alfabetet dhe do të dilej me një alfabet të ri. Debati u përqendrua rreth faktit për gjetjen e shkronjave latine që t’u përshtateshin tingujve të shqipes. Alfabeti i Stambollit dhe ai “Agimi” mbështeteshin në parimin “një tingull, një shkronjë”, duke i plotësuar tingujt e tjerë, që nuk kishin gjegjëset e tyre në alfabetin latin, me shenja diakritike. Alfabeti i “Bashkimit” përdorte tashmë dyshkronjëshin për të shprehur tingujt që nuk gjendeshin në alfabetin thjesht latin. Në përfundim, siç del nga raporti i Gjergj Qiriazit, u zgjodhën dy alfabete: ai i Stambollit i ndryshuar dhe një alfabet thjesht latin, që afronte me atë të shoqërisë “Bashkimi”. Në fakt, Komisioni bëri përpjekje t’i afrojë dy alfabetet e pranuara deri në 27 shkronja të përbashkëta, duke ndryshuar edhe alfabetin e Stambollit, edhe atë latin të thjeshtë. Një rol të rëndësishëm luajti edhe De Rada për shkronjën “ë”, por edhe “gj”-në e “nj”-në që u përdor përkohësisht.
Ky parashtrim na jep mundësinë për të nxjerrë disa përfundime:
Eliminimi nga diskutimi i alfabeteve arabo-turk e grek dhe zgjedhja e alfabeteve me bazë latinishten dëshmon për përhapjen më të madhe të këtij të fundit. Kjo zgjedhje ishte pa dyshim më pak një vazhdim tradite të autorëve të vjetër, sesa një shprehje vullneti për të qëndruar larg alfabeteve me të cilat lidheshin vendet që synonin të na asimilonin a të na copëzonin. Një alfabet larg fqinjësisë territoriale e larg alfabetit të pushtuesit ishte një garanci më shumë për një autonomi dhe një pavarësi kombëtare.
Zgjedhja e dy alfabeteve në Kongres tregonte se do të duhej ende kohë që klubet të hiqnin dorë nga ndasitë, copëzimet dhe kaosi grafik për t’u përfshirë gradualisht në një lëvizje unitare kombëtare në kuptimin e gjerë. Siç do të shihet më tej, edhe pse me dy alfabete, Kongresi jo vetëm i dha fund larmisë grafike të deriatëhershme, por edhe shërbeu, në vijim të Lidhjes së Prizrenit, si një fillesë për një funksionim të kombit në tërësinë e elementeve që e përbëjnë atë.
Është pak e besueshme që zgjedhja e dy alfabeteve të jetë bërë për të shprehur a respektuar bashkësinë Veri/Jug e ca më pak atë fetare në myslimanë/të krishterë. Sikur të ishte e vërtetë, kjo gjë do të shënonte një çarje kombëtare e një moment ndasie tepër të rrezikshëm për fatin e Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Faktori i jashtëm, i cili është përdorur si argument diskutimi nga studiuesit për të dhënë interpretime të ndryshme, lidhet më shumë me përdorimin praktik të shtypshkronjave, që asokohe mbështeteshin në karakteret latine.
Njësimi i alfabetit ishte një fillim për njësimin e gjuhës si mjet për të mbërritur te njësimi i kombit nëpërmjet shkollës, letërsisë e kulturës, që do të vinin më mirë në qarkullim dijen kombëtare si pronë e bashkësisë për rritjen e vetëdijes njësuese.
Në vijim të këtij parashtrimi mund të pohojmë paraprakisht se njësimi i alfabetit dhe më tej i gjuhës nuk ishte një qëllim sui generis i Kongresit të Manastirit, siç pretendonte Klubi Selanikut. Kongresi i Manastirit nuk ishte një tubim me synime të një reforme thjesht gjuhësore a kulturore. Jemi të mendimit se nëse çështja gjuhësore u bë qëllim në vetvete, ajo u bë për të shërbyer si mjet për një qëllim më të madh: arritjen e unitetit kombëtar dhe pavarësinë e vendit. Në funksion të këtij mendimi vlen të sillen argumente në dy drejtime, duke iu përmbajtur analizës brenda tri klubeve më të rëndësishme, alfabeti i të cilëve u bë edhe objekt diskutimi në Kongres: a) Veprimtaria e tri shoqërive deri në Kongres ishte shumë më tepër sesa thjesht një preokupim për një alfabet të njësuar, vetëm se mungesa e një alfabeti të tillë ishte bërë pengesë për të realizuar përhapjen e dijes, kulturës dhe unifikimin shpirtëror kombëtar; b) vetë Kongresi diskutoi dhe përpunoi një platformë që kapërcente përmasat e një reforme alfabetore.
Të ndalemi te çështja e parë, duke përmendur ndihmesën e disa prej figurave të rëndësishme të këtyre viteve:
Në vitet ’40 të shekullit XIX, N. Veqilharxhi, në letrën enciklike, i krahason me “skllevër” ata popuj dhe kombe që mbeten në padije, prandaj duhet të fillojnë të “lërojnë gjuhën e tyre kombëtare”. Përhapja e kulturës do të zgjonte kombin dhe do ta shpëtonte nga rreziku i shkombëtarizimit, “mirëpo kjo nuk fitohet ndryshe veçse me shkronja të posaçme kombëtare”.
Mendimi i Veqilharxhit do të ndiqej nga Shoqëria e Stambollit, ku një rol të rëndësishëm do të kenë S. Frashëri, J. Vreto, P. Vasa, H. Tahsini, të cilët janë edhe përpunuesit e alfabetit të Stambollit. S. Frashëri do të shprehej se: “Komb’ i shqipëtarëvet, nga të mos shkruarët e gjuhës së vet, ka humburë gjer më sot më të shumtët’ e njerëzet…, kohë e sotme nukë ngjan me kohërat e vjetra; sot kombetë piqen’ e përzjehenë fort çpejt, edhe ata që janë më të fortë e më të diturë mundinë kudoherë ata që janë të dobët’ e më të paditurë”. Duke qenë përpunues të ideve të Rilindjes sonë Kombëtare në Alfabetare e gjuhës shqipe do të trajtoheshin çështje politike, kulturore e gjuhësore që shqetësonin shqiptarët në këtë kohë. Alfabetarja e gjuhës shqipe nuk do të merrej thjesht me gjuhën dhe alfabetin e Stambollit, por para së gjithash për të mbështetur luftën politike që bënte populli ynë nën udhëheqjen e Lidhjes së Shqiptare të Prizrenit. “Kombetë mbahenë me gjuhët”, shkruante Samiu. Pra, përhapja e një alfabeti të vetëm shihej si një mjet i domosdoshëm për formimin e ndërgjegjes kombëtare. Ai thoshte se “xhdo shqipëtar, i madh e i vogël, të mësonjë këto shkronja e të munjë të shkruanj’ e të këndonjë gjuhën’ e ti, që ka mësuarë me qumështit e s’ëmësë”.  Edhe shoqëria gjuhësore-letrare “Bashkimi” pati emra të shquar që dhanë një ndihmesë të madhe në këtë drejtim. N. Nikaj, P. Doçi, Gj. Fishta, N. Mjeda, më vonë u bashkuan edhe L. Gurakuqi, F. Konica etj., nuk u mjaftuan vetëm tek alfabeti. U botuan gramatika, Fjalori dhe tekste të tjera për mësimin e shqipes në shkollë (rreth 32 vepra). Duke folur për këtë shoqërinë “Bashkimi”, Konica do të shprehej se ata “dhanë pemë të bukura: dhjetë libra të mira për shkollë, gjuhë e qëruar dhe e shtruar në Shqipëri të Sipërme, dashuria e mësimit kombëtar e ndezur ditë për ditë në zemrat…”. Qëllimet e saj të qarta kjo shoqëri i shpreh në deklaratën prej tri faqesh që u drejtoi vëllezërve shqiptarë: “Për me mujtun me livrue e me zhvillue gjuhën shqype, e me ndihmë të saj me i dhanë shkas e sulm nder ne përparimit e qytetërimit”. Ajo u kërkonte shqiptarëve të krijonin një bashkim të vërtetë “i unjishëm që të përfaqësojë gegë e toskë.. tue i dhamë dorë shoqi-shoqit”. Siç dihet, Fishta dhe Gurakuqi do të ishin përkatësisht kryetari dhe sekretari i Kongresit të Manastirit.
Shoqëria “Agimi”, sikundër ajo e Stambollit, zbatoi parimin “një tingull, një shkronjë”. Kjo ishte edhe arsyeja kryesore që detyroi Mjedën dhe mbështetësit e tij (vëllain e tij, Lazër, Xanonin, Logorecin etj.) të largoheshin prej “Bashkimit”, duke iu afruar më shumë traditës së çelur nga Zef Jubani, Pashko Vasa, K. Kristoforidhi etj. Për shoqërinë “Agimi”, R. Elsie shprehet se ajo “propagandonte përdorimin e shqipes në tekste shkollore e letërsi, e që ishte për një sistem shkronjash me kroatishten si model”. Këtë gjë e pohon edhe F. Raka, i cili sheh ngjashmëri me alfabetin kroat e polak. Koncepti i tyre për bashkimin e tri alfabeteve për të nxjerrë një të vetëm kishte si qëllim për t’i “shërbyer bashkimit të gegëve me toskët”, si dhe për t’i “dhënë një shtysë të fuqishme gjuhës dhe shkollës shqipe”.
Çështja e dytë lidhet me programin kombëtar që doli nga Kongresi i Manastirit. I parë në këtë drejtim, ky kongres mund të quhet një kongres gjuhësor në funksion të një synimi politik. Në të mirë të kësaj ideje shkon jo vetëm pjesëmarrja e larmishme e gjithëpërfshirëse, që pasqyronte vetë rrymat e ndryshme në lëvizjen kombëtare, por sidomos platforma që miratoi. Në fjalimet e shumta, që u mbajtën gjatë atyre ditëve, shprehej qartë thirrja për bashkimin e shqiptarëve, toskë e gegë, të krishterë e myslimanë, për zhvillimin kulturor e ekonomik të vendit. Në disa mbledhje u diskutua për qëndrimin që do të mbanin ndaj Turqisë, por edhe ndaj ndërhyrjes së disa shteteve europiane me fqinjësi territoriale, por edhe Austrisë e Italisë. Përfundimet e këtyre diskutimeve morën trajtën e një programi kombëtar, të cilin Shahin Kolonja, deputet i Korçës, do ta paraqiste në Parlament në emër të shqiptarëve. Në këtë program vendin kryesor e zënë kërkesat që lidheshin me njohjen zyrtare të kombësisë shqiptare dhe të gjuhës shqipe. Gjuha shqipe do të ishte gjuha e predikimit fetar dhe e mësimit në të gjitha shkollat shtetërore, kurse turqishtja vetëm në klasën e katërt si gjuhë e dytë. Shkollat shqipe duhej të shtoheshin dhe për këtë gjë shteti duhej të rriste fondet. Njohja e kombësisë shtroi kërkesën për vënien e nëpunësve shqiptarë në të gjitha vilajetet shqiptare, zgjedhjen e të gjitha organeve lokale dhe dhënien e së drejtës për vjeljen e taksave. Shërbimi ushtarak të kryhej në Shqipëri dhe nën komandën e ushtarakëve shqiptarë. Në program kishte kërkesa për zhvillimin ekonomik: shfrytëzimin e minierave, ekonomive bujqësore, përgatitjen e specialistëve për bujqësinë, hidrovoret, rregullimin i rrugëve, urave, transportit, kufizimin për ndërhyrjen e kapitalit të huaj etj. Megjithatë, ende nuk kemi një kërkesë të qartë për shkëputjen nga Turqia. Këto kërkesa ishin botuar edhe në gazetën “Kombi” të Bostonit më 21 dhe 28 gusht 1908.
Në përfundim mund të themi se Kongresi i Manastirit u dha shqiptarëve përfundimisht një alfabet latin, i cili ua ktheu përfundimisht syrin nga Perëndimi, i largoi ata prej kthetrave të turqve dhe lakmive territoriale të fqinjëve. Nga vetë natyra e saj, gjuha shërbeu si mjet për formësimin kombëtar. Gjuha dhe gjaku ky binom i ADN-së së kombit tonë.
*Dekan i Fakultetit Histori-Filologji, Universiteti i Tiranës
  • M'pelqe
    Kot fare
    Super