×

Mbi gjuhën, ligjërimin dhe gjuhësinë

Mbi gjuhën, ligjërimin dhe gjuhësinë

· 1 · 764

  • Postime: 22595
  • Gjinia: Mashkull
M A X
ne: 15-02-2012, 01:10:25
Mbi gjuhën, ligjërimin dhe gjuhësinë
Ilir Yzeiri

Para disa ditësh në faqet e “Shekullit” u shfaqën mendime e opinione për problemet e gjuhës shqipe prej kolegëve të mi Ardian Vehbiu dhe Ardian Klosi. Do të doja të përfshihesha në këtë diskutim jo aq për të shtuar ndonjë zhurmë të panevojshme, sesa për ta zgjeruar debatin dhe, me këtë rast, do të doja të shpresoja se në këtë debat mund të përfshihen edhe të tjerë, veçanërisht filozofë, sociologë, historianë të gjuhës, shkurt, profesionistë të shkencave humane e social-psikologjike.

Duke u rikthyer edhe njëherë të argumenti, pra te problemet që paraqit sot gjuha shqipe, do të doja të konstatoja që në krye të herës se debati për probleme të gjuhës shqipe mund edhe të mbante në vështrim tri fusha apo tri anë që lidhen me gjuhën, e përkatësisht gjuhën si sistem shenjash apo si kod, apo më tej akoma gjuhën si fakt shoqëror e cila, ashtu siç thoshte Sosyri, qëndron në trutë e njerëzve e përzier me mendimin mu sikur retë që kanë brenda ujin dhe masën e bardhë të reve. Pra, gjuha në këtë formë, pra si masë amorfe e ngjizur në koncepte e në modele mendore, gjendet në serverin e memories të secilit prej nesh. Këtë formë ne, me anë të aktit të të folurit, e zbresim prej truve tona dhe e përdorim për të komunikuar në kuptimin më të gjerë të kësaj fjale. Kam parasysh këtu, për të mos u zgjatur, gjithë veprimtaritë që njeriu kryen duke përdorur gjuhën si bartëse të qëllimeve të tij. Sosyri u bë i famshëm, gjithashtu, pse ai në fillim të shekullit XX u përpoq të përcaktonte objektin e gjuhësisë. Pra, vijmë në një anë tjetër që lidhet me gjuhën dhe që është gjuhësia. Kjo disiplinë e rëndësishme e dijes, sipas Sosyrit, deri në fillim të shekullit XX nuk kishte pasur ose nuk ishte marrë me gjuhën, por me një ose disa nga realizimet e saj dhe ai dallonte pastaj gramatikën, nocionet e së cilës u përpunuan në antikitet, filologjinë dhe gjuhësinë historike, të cilat, gjithnjë sipas tij, nuk kishin rrokur në themel gjuhën si objekt studimi. Sosyri u përpoq të sanksiononte objektin e gjuhësisë duke shpallur se gjuha si sistem shenjash me lidhje të qëndrueshme, pra si kod, duhet të jetë objekt i gjuhësisë. Dihet gjithashtu vendi që i dha ai semiologjisë duke e përcaktuar atë si disiplinën më të gjerë të studimit të shenjave në gji të jetës shoqërore, disiplinë që përfshinte brenda saj edhe vetë gjuhësinë.

Mirëpo debatet që lindën më pas mbi këtë argument, e sidomos kundërshtitë e Barthes-it, nuk mund të trajtohen në kufijtë e një shkrimi si ky. Dhe vijmë te ana e tretë që lidhet me realizimin praktik të gjuhës. E kam fjalën për ligjërimin, pra për aktet e të folurit, të studiuara sidomos nga Searle e Austin, si dhe modelet e mëdha të komunikimit, të cilat janë shpallur në mënyrë shteruese, sidomos nga Jakobson. Po të kemi në sy këtë tablo, unë mendoj se mund ta kemi më të lehtë të shtrojmë pyetjen se cila prej këtyre anëve të gjuhës apo të problemeve që lidhen me të është në krizë. Pra, është në krizë gjuha vetë, është në krizë gjuhësia si shkencë, apo është deformuar dhe po rrëgjohet ligjërimi gjuhësor. Në mjaft raste debati për problemet e gjuhës në Shqipëri është rrudhur e është përqendruar te norma dhe standardi. Në këtë pikë më duhet të hap një parantezë. Regjimi monist në Shqipëri i kushtonte një vëmendje të posaçme gjuhës si formë të shfaqjes së kulturës dhe identitetit socialist. Kam përshtypjen se kjo mendësi duhet parë e lidhur me kuptimin që kishin komunistët për artin e kulturën në tërësi. Sipas konceptit zhdanovian që u vu më pas në themel të kuptimit për socrealizmin, arti e letërsia, madje kultura në tërësi, duhet të ishin socialiste nga përmbajtja dhe nacionaliste nga forma. Me formë nacionaliste ata kishin në vështrim sidomos gjuhën. Nga kjo pikëpamje, komunistët dhe sistemi politik e shoqëror që ata ndërtuan, kishte nevojë për një formë të qartë e hijerëndë. Ndaj areali ku realizohej gjuha, më saktë ligjërimi, ishte rreptësisht i kontrolluar prej etikës socialiste. Në ushtri, në televizion, në media, në administratë, në shkolla e në universitet, në letërsi e art gjuha u specializua dhe përdorej sipas stileve funksionale të përcaktuara (Bahtin). Mirëpo, veçanërisht në shkrim, gjuhësia shqiptare u përpoq të përcaktonte e të përzgjidhte prej shqipes modelin e gjuhës letrare të përbashkët duke përcaktuar normën gjuhësore në të gjithë trupin e gjuhës, përkatësisht në morfologji, sintaksë e fonetikë. Të mos harrojmë se më këtë punë u morën gjuhëtarët shqiptarë më në zë. Ata shkencëtarë të gjuhës që morën pjesë në Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, ishin ndër më të mirët e të gjitha kohërave. Mirëpo ky areal i madh ku do të përdorej gjuha, kishte shmangur një nga anët qenësore të veprimtarisë së njeriut që ishte veprimtaria fetare. Ligjërimi i gjuhës shqipe u ndalua që të shfaqej e të përdorej në këtë sferë të veprimtarisë së njeriut që, për paradoks, ishte sfera nga e cila në mos ishte ngjizur, të paktën ishte ruajtur e konservuar për shekuj me radhë gjuha shqipe.

Por ky është një diskutim tjetër. Sipas mendimit tim, gjuha shqipe është një mundësi e pamasë për të shkruar bukur, për të folur gjithashtu bukur, për të medituar thellë, për të arsyetuar hollë. Pra, sipas mendimit tim, gjuha shqipe si entitet abstrakt i folësve shqiptarë nuk është në krizë. Jemi në krizë ne, bartësit e saj dhe institucionet tona gjithashtu. Më vjen ndërmend në këtë rast jo vetëm Buzuku e Budi apo Bardhi, më vjen ndërmend sidomos Bogdani dhe vepra e tij “Çeta e Profetënve”. Jemi në shekullin XVII dhe kur e lexon sot atë vepër të duket sikur ushtojnë zërat e akademikëve, shkencëtarëve, filozofëve, poetëve. Pse? Sepse Bogdani ishte një gjeni i paarritshëm dhe e zbriti shqipen nga nënvetëdija apo vetëdija e tij e plagosur dhe ndërtoi me të një vepër universale. Shqipja e Bogdanit u tregua e aftë që të përballonte nocionet e Dhjatës së Vjetër e të Re, të filozofisë e të Kozmogonisë, të poezisë e të narracionit total në përgjithësi. Mirëpo, gjenitë e formatit të Bogdanit kanë gjithmonë, më shumë se të tjerët, ndjeshmërinë për të diktuar shëndetin e gjuhës. Dhe Bogdani, i tmerruar nga gjendja në të cilën po zhytej dheu i tij, ndërmori atë nismë gjigante, sepse dheu i Arbënit ishte “mbëluar me dy palë niegulla në sy qi janë mbëkati e padija”. Mëkati në kuptimin e largimit nga feja e krishterë. Nuk është rasti këtu që të përshkruajmë rrugën që ndoqi pastaj lëvrimi i shqipes, por më duhet të theksoj edhe njëherë se gjuha si një entitet abstrakt bëhet e prekshme dhe ne të gjithë jemi në gjendje ta shijojmë bukurinë apo madhështinë e saj, kur ajo lërohet prej gjenive të formatit të Bogdanit, fjala vjen. Për paradoks të pashpjegueshëm, shqipja e kohës së komunizmit ndeshi me një tjetër gjeni që ishte Ismail Kadare dhe kështu ajo arriti nën pendën e tij që të shfaqte të tillë magjepsje e forcë saqë edhe frëngjishtja, kur u gjend përballë shqipes së Kadaresë, u detyrua të rivitalizohej. Të mos harrojmë se njeriu që kishte përqasur këto dy entitete të mëdha, ishte përkthyesi me famë botërore Jusuf Vrioni. Mirëpo diktatura ra dhe bashkë me të të gjithë patën ndjesinë se do të shembej edhe ngrehina e ligjërimit gjuhësor shqip, në kuptimin që shqipja do të shpërthente kështu kavot e standardit e të normës që në vështrim të parë dukej se e kishin mbërthyer atë dhe po i zinin frymën. Është e vërtetë se gjuha shqipe u thirr përsëri që të vepronte edhe në sferën e veprimtarisë religjioze dhe rizgjimi i institucioneve fetare si dhe bartësit e shqipes kishtare, kryesisht ata të variantit letrar të gegërishtes veriore, zbritën nga hone apo shpella të harruara konstrukte apo lidhje shenjash që riaktualizonin një realitet të ndërprerë fatalisht për pesëdhjetë vjet. At Zef Pllumi e përtëriu sidomos këtë traditë me dy veprat e tij “Rrno vetëm për me tregue” dhe “Histori kurr e shkrueme” sidomos.

U duk se shqipja tashmë nuk kishte asnjë kufizim për të zbritur e për t’u përdorur në veprimtaritë humane të subjekteve shqiptare. Problemi që u ngrit përsëri, ishte se cilën shqipe duhet të përdornim. Megjithëse vendimet e Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe nuk janë hedhur poshtë, përdorimi i shqipes u trondit. Çdo bartës i shqipes, kur atij i duhet qoftë të flasë, apo qoftë të shkruajë, ndodhet në këtë çast përballë dilemës së përzgjedhjes. Në kokën e tij gjenden të shtresuara imazhe akustike të disallojshme për të njëjtin koncept dhe për t’i zbritur ato, konceptet, në kanalin e aktit të të folurit, folësi ka nevojë që të gjejë për to një imazh tingullor të përshtatshëm. Kur ai është nën presionin e një gjuhe të standardizuar ose të lëvruar mirë, ai nuk heziton, por zgjedh atë variant që është pranuar nga të gjithë si variant zyrtar. Ndërsa kur ai ndien se shoqëria i ka shpërthyer këta kufij dhe askush nuk pyet më se me çfarë imazhi tingullor do ta veshë konceptin, ai zgjedh një grumbull tingujsh kuturu mjaft që tjetri ta kuptojë atë që ai po i dërgon në formë të konceptit.

E kështu interesi për të folur drejt e saktë, për të shkruar sipas një norme nis e zbehet dhe bartësit e një gjuhe, në këtë rast bartësit e shqipes, e humbasin ndjeshmërinë e shqipes dhe kthehen në ca transportues të rëndomtë e ngjajnë me ata kontrabandistët që çojnë maleve mall pa kontroll, sepse fjalët janë si ato trajlerat që mbajnë brenda lloj –lloj nuancash e hiresh. Ndërkaq, fjalët ashtu të paraqitura, pra pa asnjë lloj kontrolli të brendshëm, ngjajnë si ato skodat me turinj të viteve ‘60. Meqenëse askush nuk ka më as edhe një fre në mendje e në shpirt për të kontrolluar përdorimin e gjuhës, pra për të qenë i matur në ligjërim, atëherë ndodh ajo që ne shohim përditë në imazh apo në tinguj radiosh. Këngë pa fund që nuk kanë as edhe një kujdes për gjuhën, për magjinë e emocioneve që mund të vijnë prej saj. Gjuha e këngëve shqiptare mund të përmblidhet në apelativin fatal e grotesk që është “Rina-Rina”. Mjaft të thuash këtë fjalë të përsëritur dy herë dhe melodia është gati. Ndërsa një tekst i tillë, që të shijohet deri në fund, ka nevojë që në sfond të ketë imazhin e dy apo tri vajzave gjysmë cullak që hidhen e përdridhen rrotull një benzi apo në ndonjë pishinë te ndonjë vile ndërtuar në një vend N. Vendi ku më së shumti është e shtrënguar të shfaqet e të përdoret gjuha shqipe, unë do të thosha të masakrohet ajo, është, pra, përdorimi i saj në arealin publik. Kopshti, shkolla, universiteti, ushtria, policia, shëndetësia, arti, letërsia, pra, gjithë ngrehina e jetës ideale shqiptare përdor gjuhën shqipe. Ne të gjithë kemi mundësi ta kontrollojmë këtë përdorim me anë të mediave që, sidomos në këtë shekull, edhe këtu te ne kanë njohur një zhvillim të paimagjinueshëm. Në një ekran të TV-së apo në një ekran kompjuteri ne mund të verifikojmë gjuhën shqipe dhe nivelin e realizimit të saj duke vështruar ligjërimin publik në tërësi. Ne po ashtu kemi mundësi të lexojmë botime pafund që bëhen pa asnjë kontroll, në të shumtën e rasteve, ashtu siç kemi mundësi të shijojmë botime të një klasi të lartë ku shqipja paraqitet me një nur të mrekullueshëm në ato botime që janë pronë e disa shtëpive botuese mjaft serioze në Shqipëri, të cilat unë, për të mos krijuar asnjë keqkuptim, nuk po i cek këtu. Gjithë kjo panoramë e gjerë e fushës ku përdoret shqipja, të krijon në përgjithësi një përshtypje të mjegullt për nivelin me të cilin ajo shfaqet sot. Është e vërtetë se shkollat nuk kanë më kujdesin e dikurshëm për gjuhën, se universitet janë kthyer në magazina me xhama të errët e luksozë ku flitet shumë pak për dijen e më së shumti për zgjedhje rektorësh e dekanësh. Edhe këtu shqipja ngjan si një njerkë.

Mendoni për të marrë vetëm një shembull se si mund të jetë sot një fakultet filologjie po të kemi parasysh se ai fakultet dikur ishte pronë e ligjërimit të Çabejt, Demirajt, Budës, Domit, se literatura e rekomanduar, sidomos ajo e autorëve të vjetër, ishte prej përkthimeve të Injac Zamputit. Hidhni një sy sot në atë fakultet dhe dëshpërimi do të ishte e vetmja mundësi që ju ta harronit atë realitet. Ndërsa ajo që ndodh me mësimin e gjuhës e të letërsisë në shkollat e mesme është një dëshpërim i thellë. Sipas kurikulave të reja janë ndërtuar programe për mësimin e gjuhës e të letërsisë në shkollat e mesme që kanë shkatërruar traditën e mëparshme të të nxënit. Ndoshta qëllimi ka qenë dhe është që në këtë fazë, nxënësi të mësojë realizimin praktik të gjuhës, pra të studiojë shfaqjen e gjuhës në ligjërim. Mirëpo këtu lind edhe ngatërrimi dhe korkolepsja pas nocionesh aspak të qarta. Komunikimi mbështetet mbi aktin e të folurit. Në këtë instancë të folurit është veprim që ka një sërë karakteristikash të tjera. Kur gjuha përdoret në ligjërimin e shkruar, e sidomos në letërsi përdorimi i saj është parazitar. Në kuptimin se gjuha aty i nënshtrohet fiksionit. Mirëpo, jo vetëm që ky thelb nuk është mbajtur parasysh në këto tekste, por lëmshi dhe ngatërresa teorike është përzier edhe me injorancën e thellë në fushë të komunikimit nga pjesa më e madhe e atyre që janë përgjegjës për kurikulat dhe programet. Për rrjedhojë edhe tekstet reflektojnë këtë mishmash të pakuptueshëm. Natyrisht, edhe në këtë rast diskutimi nuk mbaron këtu. Ndërkaq, diskutimi mbi gjuhën mund të rrokë edhe një anë tjetër. Në pesëdhjetë vjet të diktaturës, shqipja nuk u thirr asnjëherë që të ballafaqohej me rrymat e filozofisë moderne që zunë fill me strukturalizmin apo formalizmin. Filozofët si Lakan apo Deleuze, Çomski apo shumë të tjerë nuk erdhën në Shqipëri dhe ligjërimi i kësaj ane të rëndësishme të jetës publike mbeti pronë e koncepteve të sociologjizmit vulgar. Shqipja e kohës së diktaturës në fushë të filozofisë e të shkencave humane në tërësi u stërvit për të qenë agresive dhe për të diskredituar nocionet dekadente, borgjeze të mendimit formalist e idealist.

Kjo aftësi e shqipes përdoret edhe sot kur me lehtësinë më të madhe lloj-lloj sharlatanësh thonë si fjalë të fundit të dijes injorancën e tyre të dëlirë me një gjuhë fshati. Po të vini re me kujdes median televizive e sidomos debatet në TV që paraqiten si vitrina të shfaqjes së shqipes së përpunuar, do të shihni se në shumë raste debatuesit nuk e kapërcejnë ligjërimin politik që bëhet me metafora të luftës. Kjo vjen pse ligjërimi politik është ligjërimi zotërues në Shqipëri. Po ashtu, në këtë vend nuk janë përpunuar asnjëherë nocionet e psikanalizës, të sociolinguistikës, apo të strukturalizmit, të hermeneutikës apo të fenomenologjisë e kështu interpretimi i dukurive shoqërore apo kulturore të jetës shqiptare të bëhej me këtë arsenal nocionesh e konceptesh.

Përkundrazi, në nënvetëdijen e panelistëve të ndryshëm është ende shqipja e përpunuar në socializëm me të majtë e të djathtë, me gjarpërinj që i pinë gjakun kundërshtarit, me ndeshje e asgjësim, me shkatërrim e aleanca. Unë po përmend vetëm pak nocione që janë bazë në interpretime të dukurive sociale si fjala vjen “projektim-identifikimi”, “pjesëmarrja” apo “narcizizmi fillestar, “ të vrasësh babanë” etj. Kam vënë re se në ligjërimin e zakonshëm ne nuk përdorim kurrë në formë pyetëse atëherë kur nuk kuptojmë diçka shprehjen “çfarë shënjon kjo?”. Meqenëse italishten e kemi më të mbarë për ta marrë si shembull, atje në atë gjuhë dhe në gjuhë të tjera perëndimore, shprehja “che cosa significa…” është shprehja normale që përdoret nga të gjithë, nga fëmijë e të rritur, pra, është një normë stilistike e gjuhës që vjen prej edukatës gjuhësore të atij vendi dhe të vendeve perëndimore, sepse në themel të kuptimit dhe të njohjes së botës është shenja dhe procesi i njohjes e kuptimit të botës thirret shenjueshmëri. Ky konceptim është në strukturën e të nxënit të atyre vendeve. Ndaj një italian apo një francez nuk ankohet kurrë se italishtja apo frëngjishtja po “vdaret” apo se ajo po shkërmoqet në copa pa lidhje, pse gjuha e atyre vendeve është specializuar në mënyrë të kënaqshme për të përballuar sfidat e ligjërimit.

Ndërsa shqipja, për fat të keq, sot është në dorë të bartësve të çoroditur që kanë një shtet të mahisur me lloj-lloj plagësh. Kjo gjuhë gjëllon në një vend ku artistët e shkrimtarët, doktorët e filozofisë apo njerëzit e tjerë që kanë pasion gjuhën, janë mërguar nga sfera publike dhe vendin e tyre e kanë zënë sharlatanët mediatikë, të cilët e përdorin shqipen si një mantenutë për t’i shoqëruar ata në ballo e në pritje meskine provinciale. Bartësit e shqipes nuk kanë sot libra apo kuvende nëpër universitete që të shijojnë lojën e hollë me gjuhën, përdorimin e saj në sfera të larta të dijes. Sot kultura dhe dija janë në zgrip dhe vendi, ashtu siç thoshte Bogdani dikur, “është i mbëluar jo me një palë, por më shumë palë njegulla në sy”. Ndaj edhe debati për gjuhën shqipe mua më ngjan se mund të zgjerohet më tej dhe mund të kthehet në një debat për fatin e formës sonë si komb, formë që po fillojmë ta tretim në padije e në sharlatanizëm apo në egërsinë primitive të ligjërimit politik. Sipas meje, gjuha shqipe është rrudhur e tërhequr në skutat e errëta të nënvetëdijes sonë, ndërsa ajo që shfaqet, është kriza e thellë e ligjërimit që vjen për ato arsye që u mundova t’i rendis më sipër. Është në krizë edhe gjuhësia që nuk po arrin të rrokë gjuhën si akt i të folurit dhe komunikimit, ashtu siç thoshte Sosyri. /gazeta shekulli