"... U benë tetë ditë që kam ikur e s'të kam shkruar akoma. Kjo, jo për gjë tjetër, por nga që prisja një moment prehje. Doja të shkruaja me nge, qetësisht, në një mëngjes të bukur e të falënderoja për letrën që më ke dërguar. Shpirti i dashur, ti ke një zemër engjëlli, Ti je kaq e mirë, kaq e ndejshme, kaq e ëmbël e unë dua të shkruaj vetëm për dashurinë time... Oh, George, ç'farë dashurie! Kurrë, asnjë s'ka dashuruar, si te dua unë ty. E di ?... Unë jam i humbur. Pa frymë, i mbytur nga dashuria. E s'arrij të kuptoj nëse rroj, ushqehem, marr frymë apo flas... Di vetëm që të dua... S'e di, në se ti e ke provuar ndonjëherë një ndjenjë të tillë po, them se kjo është vetë lumturia. Lumturia të ndjehesh i dashuruar, lumturia që lutemi të na japë Zoti...Unë të dua e, këtë, dua ta dëgjoj të ma thuash edhe ti... Të dua, e ndjej që po vdes nga dashuria, nga një dashuri pa fund, pa emër, dëshpërueshëm, i përhumbur. E ti, George, dije!.. .Ti je e dashura, e adhuruara, je ikona ime së cilës do t'i falem gjer në vdekje. E, nga kjo sëmundje që më ka zënë, s'dua të shërohem. Për më tepër, s'më duhet më as jeta. Më mirë të vdes duke të dashuruar ty. Kjo vlen më tepër se vetë jeta. Por, vetëm për një gjë do të më vijë keq, që do thonë se ti doje një tjetër njeri. E di, por unë do vdes duke dashuruar ty... Të dua, të dua, askush s'më ndalon dot të dua ty... "