Sabit IDRIZI u lind më 16 shtator 1955 në Cerajë, fshati më verior i Kosovës i banuar me shqiptarë. Ka studiuar gjuhën dhe letërsinë shqipe. Deri më tash ka botuar këta libra:
1. Pesha e fundshekullit, poezi, 1995
2. Përderisa është e martë, poezi, 1997
3. Diell me dhëmbë, poezi, 1998
4. Finalja e zhgënjimit..., ditar, 2000
5. Mbretëresha është gjallë, poezi, 2006
6. Zarfi, roman, 2008
Përveç çmimeve tjera letrare, Sabit Idrizi ka marrë edhe çmimin letrar në nivel gjithëkombëtar “Kostandin Kristoforidhi”, i cili jepet në Elbasan. Që nga mbarimi i luftës është shef i Sektorit të Kulturës në komunën e Mitrovicës, punë të cilën e kryen edhe tash. Tani e shtatë vjet me radhë është edhe kryeredaktor i revistës letrare Fjalë e valë, të cilën e financon Kuvendi i Komunës së Mitrovicës, e të cilën e nxjerr Shoqata e Shkrimtarëve të Mitrovicës “Jakup Ceraja”. Është redaktor, recensent apo redaktor gjuhësor i mbi 60 librave të autorëve të ndryshëm. Shkrimet e tij letrare janë botuar nëpër shumë revista dhe gazeta që dalin anekënd trojeve shqiptare. Që nga viti 1997 është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës. Jeton në Mitrovicë.
Adresa elektronike: sabit_r_idrizi@yahoo.com
Vlerësime të publikuara për krijimtarinë letrare të Sabit Idrizit:
“...Kjo tregon se Sabit Idrizi është një krijues jo lokal i Mitrovicës, por është një krijues kombëtar...” (Dr. Agim Vinca)
“... Poezia, kjo çfarë e shkruan Sabit Idrizi, është poezi që e ruan prestigjin e poezisë, sepse është poezi e një shprehjeje moderne e sugjestive, që kërkon përqendrim gjatë leximit dhe zbërthimit të shenjave të saj gjuhësore, figurave, metaforave, krahasimeve, antitezave, paradokseve, alegorisë, ironisë, aty-këtu edhe simboleve, nëpërmjet të cilave poeti i shqipton idetë, emocionet dhe botëkuptimin e vet...” (Dr. Agim Vinca)
“... Ai (Sabit Idrizi) është një autor që ka talent e dhunti krijuese, që e do krijimtarinë dhe gjuhën në të cilën shkruan. E dashuron doemos gjuhën e poezisë, gjuhën e artit poetik...” (Dr. Agim Vinca)
“... Sabit Idrizi (1955) është një zë i veçantë në mjedisin tonë krijues...” (Fazli Hajrizi, prof.)
“... Poeti Sabit Idrizi ka qëndrim aktiv ndaj jetës. Ai është poet me talent, poet i ndjenjës së disiplinuar, poet që mendon shumë, po që shkruan shkurt, poet i prirur për një ligjërim të figurshëm e metaforik. Poezia e tij, e thurur me një gjuhë mjaft bashkëkohore, imponon një ndjenjë vërtet të ngritur të nevojës për lexim të vëmendshëm, disa edhe për rilexim të thelluar e studioz. Pra, poezia e tij është e prirur për një elitë lexuesish...” (Fazli Hajrizi, prof.)
“...Poezitë e Sabit Idrizit, edhe pse të shkurta (miniaturale), shpesh janë poemë, një vepër e tërë që të provokon ta lexosh e ta rilexosh, t’i qasesh e të meditosh rreth nuancave kuptimore e artistike që i artikulon fuqishëm...” (Fazli Hajrizi, prof.)
“... Sabit Idrizi është, padyshim, një ndër zërat autentikë të poezisë shqipe që krijohet sot në Kosovë...” (Dr. Agim Vinca)
“... Tipar që e dallon poezinë e Sabitit është dendësia e fjalës, pra konciziteti i shprehjes, por edhe ironia. Sabit Idrizi është një autor që e zotëron mirë një nga mjetet më tipike të poezisë moderne dhe postmoderne, ironinë...” (Dr. Agim Vinca)
“... Sabit Idrizi, me një shije të hollë dhe me një varg jashtëzakonisht mirë të realizuar, përherë i ka qëndruar besnik poezisë – mbretëreshës së arteve...” (Riza Haziri, prof.)
“... Sabit Idrizi është një poet autentik në letërsinë shqiptare, që ka krijuar individualitet dhe mënyrë të veçantë të shprehjes...” (Dr. Agim Vinca)
“... Poeti Sabit Idrizi ka depërtuar mjaft thellë në psikologjinë e njeriut tonë të shqetësuar, në aspiratat shekullore, duke çmistifikuar rrethanat që dikur ishin të pazbërthyeshme, që të mos thuhet të paarritshme...” (Dr. Shyqri Galica)
“... Poezia e Sabit Idrizit karakterizohet, para së gjithash, nga shqiptimi i mendimit të thellë, figurat, shprehjet e lidhura dhe koncepti refleksiv...” (Dr. Shyqri Galica)
“... Sabit Idrizi është një poet i veçantë, me një vokacion të vetin poetik tërësisht origjinal...” (Ejup Ceraja, prof.)
“... Poezia e Sabit Idrizit ka mjaft antiteza të qëlluara me tonalitete të reja poetike, ku dëshmohet pjekuria e tij krijuese dhe ku shprehen të gjitha veçoritë e poezisë autentike, pikënisjet dhe venerimet e marrëdhënieve të tij ndaj jetës, ndaj vendlindjes dhe ndaj kohës e pakohës në përgjithësi...” (Vezir Ukaj)
“... Poezia e Sabit Idrizit është e një niveli të lakmueshëm ideoartistik...” (Mexhid Mehmeti)
“... Një lirizëm i veçantë, tërheqës, që mund ta krijojnë vetëm poetët e talentuar...” (Dr. Shyqri Galica)