×

Përrallë nga e ardhmja

Përrallë nga e ardhmja

· 1 · 495

  • Postime: 12151
  • Gjinia: Femer
dreamm
ne: 12-01-2012, 15:29:35
Përrallë nga e ardhmja

Alienët erdhën. Tri anijet kozmike që projekti SETI i kish shquar fillimisht tej orbitës së Plutonit ishin parë vërtet me teleskopët optik sapo kaluan Marsin. Zbritja e tyre në tokë u bë në dhjetor në shkretëtirën e Nascas. U mor vesh më në fund edhe qëllimi i atyre vijave të flamosura.
 
Nuk vranë njeri. Komunikimin me njerëzit e bënë në ebraishten e re, pasi ishte gjuhë shumë e thjeshtë. Thanë pak a shumë që do bashkëekzistonin. Por që projektet e tyre kishin përparësi.
 
E gjithë kjo ishte kaq e pritshme, saqë befas çdo gjë u duk pothuaj e mërzitshme.
 
Kaluan tre muaj. Befas erdhi lajmërimi i parë: duhej prishur Parisi. Në fillim nuk qe e qartë pse, por u mor vesh që Parisi ndërpriste valët që merrte një klub argëtimi alien, i cili zgjoi kureshtjen e të gjithëve. Ishin dy stola të gjatë ku alienët uleshin, si në mencë, dhe absorbonin ca valë argëtuese për ta, dmth një sinusoidë e përsëritur pa fund, që vinin nga një qendër në afërsi të Lisbonës. Lajmëruan që popullsinë e Parisit do e strehonin në një qytet të ndërtuar rishtaz brenda dy javëve rreth 350 km në lindje të Parisit. Ishte marrë parasysh që lartësia mesatare e qytetit të ishte e barabartë me atë të qytetit që do prishej. Si dhe përafrime të tjera statistikore, rrezja e ponderuar e rrethinave dhe moti.
 
Lajmi i prishjes së Romës për ti bërë vend një ure gjigande që nuk i shërbente dukshëm asnjë qëllimi sipas mendjes së tokësorëve erdhi pas një viti. Askush s’e priste, plaga e Parisit nuk ishte mbyllur akoma, parisienet e zhvendosur në Rasip – ishte bërë kujdes që edhe emri i qytetit zëvendësues të ishte statistikisht i afërt dhe i përzgjedhur me ndihmën e një gjeneratori numrash të rastësishëm me shpërndarje të njëtrajtshme – pra parisienët e zhvendosur nuk pranonin kurrësesi të quheshin rasipienë, dhe kafet e reja të çelura në Rasip i bojkotonin me kokëderrësi. Mirëpo çdo gjë ishte e qartë. Qyteti zëvendësues për Romën, Amor, u ndërtua 200 km më tutje, u tha që emri i ri ishte edhe më i përshtatshëm për ta quajtur qytet të dashurisë, sipas algoritmit gjuhësor që merrte parasysh çfarë flitej e lexohej e bëhej konkretisht nga tokësorët. Ndërtimet antike u quajtën jofunksionale, u pa me arsyen aliene të mos rindërtoheshin, dhe të ardhurat prej tyre u barazuan me një subvencionim alien me kohëzgjatje 5000 vjecare, e përllogaritur si koha që ato monumente do ishin në gjendje të qëndronin si objekte biznesi dhe të mos konsumoheshin moralisht. Kundërshtimit të kesaj ideje alienët iu përgjigjën me qetësi. Sipas kalendarit tuaj, thanë ata, në vitin 7000 objektet antike do jenë 7000 vjet të vjetra, por edhe objektet aktuale do jenë 5000 vjeçare, kuptimi i antikes zhduket në të ardhmen, si nuk e paski menduar këtë? Alienët deklaruan se cdo zëvendësim i ri bëhej me qëllim për të ruajtur entropinë e planetit të pandryshuar. Jo për tjetër gjë. Drejtësia në kuptimin human ishte e panjohur për ta. E çuditshmja ishte se vetë e deklaronin këtë: drejtësia njerëzore është një ndryshore jo domethënëse, shkruhej në çdo raport dygjuhësh, në aliençe dhe në ebraishten e re. Përvoja në ndërtimin e Parisit zëvendësues shërbeu që Roma e re vërtet të ndërtohej për një ditë. Në akademinë aliene të shkencave një pinjoll i lindur në tokë dhe që e quante veten “tokësor”, mbrojti një disertacion mbi “çmitizimin e urtësisë tokësore” me nëntitull: kohëzgjatjet relative të ndërtimeve të metropoleve në Tokë: rasti “Roma”. Ishte grada e parë shkencore që një alien merrte për çështje të Tokës, dhe në vazhdën e “trendit” tokësor, pinjolli vuri shall, syze dhe mbante llullë; kërkoi të quhej professor doctor, ç’ka iu dha menjëherë dhe pa asnjë mëdyshje, pasi këta tituj për alienët nuk kishin asnjë domethënie.
 
Shkatërrimi i Manhattanit ishte çështje kohe. Lajmi erdhi pas 3 vjetësh. Pa asnjë arsye të qartë. Thjesht alienëve nuk u pëlqente ai ishull dhe vendosën ta rindërtonin në “kontinent”. E bënë vërtet diku në Pennsylvania, mes fushash të gjelbra. E quajtën New New York. Kjo pas dështimit të opsionit të zhvendosjes horizontale të emrave, sipas së cilës New Yorku i shkatërruar quhej Old York, dhe ai i rindërtuari vazhdonte të quhej New York. Studimi që pasoi, nga një tjetër pinjoll i ri alien nga shtresa e re e “tokësorëve”, kishte të bënte me ndryshimet në atë që tokësorët e quajnë “ekonomi” dhe përfundonte: mbetet ende shumë për të qendërzuar algoritmet mbi sjelljen e ish-vendasve (tokësorëve aborigjinë), të cilët megjithëse në New New York faktorin bazë të ankesave të tyre, qeranë për hapsirën e banimit, e kanë shumë më të ulët, prapë nivelin e ankesave dhe të mospëlqimit të qytetit fringo nuk e kanë ulur.
 
Pas Manhattanit e kishte radhën Berlini. Kjo ish parashikuar edhe në një këngë vendase. Kampet e teorive të përbetimit dhe të rastësisë ishin të ndarë në mënyrë të barabartë. Arsyeja: duheshin sjellë në një vijë të drejtë Amori, Berlini dhe Tokio. Kurrë nuk u mor vesh qartësisht pse duhej ajo vijë e drejtë. Megjithatë, një gazetë tokësore që ishte shumë pranë alienëve, dhe që shihej me neveri nga shumica e tokësorëve të tjerë, gazeta “121212” që shënonte datën e mbrritjes së tri anijeve në shkretëtirën e Nascas në Amerikën e Jugut, hapej me titullin gërmëmadh: “Si kanë mundur të jetonin jashtë vijës së drejtë”, me nëntitull “Vale të nxehta lumturie në Berlin; më në fund vërtet në një bosht” ! Qyteti i ri i quajtur Nilber e pati më të lehtë përshtatjen, çka solli disertacionin e tretë pinjolls të radhës “Për një Tokë ndryshe: tokësorët mundin”. Disertacioni u promovua në selinë e Qendrës aliene, tek piramida e Keopsit. Aty u kumtua edhe lajmi tjetër me atë rast: piramidat qenë ndërtuar nga pararojat aliene për këtë qëllim – si seli të ardhshme, ja, për këtë ditë. Por me gjithë pritshmëritë aliene, ky lajm shkoi pa bërë asnjë përshtypje tek tokësorët. Ose pa u marrë seriozisht.
 
Dy të rejat e fundit janë projekti për zhdukjen e Australisë, atij ishulli pa kuptim që prish vijimësinë ujore dhe rrafshimin e Himalajave me rruspat fluturuese të stacionuara në Mars, askione që do mbarojnë brenda javës. Prishja e murit të madh kinez kaloi pa e marrë vesh njeri. Në fakt njerzit e dëgjuan, por përshtypja ishte zero, ata u mësuan me shembjet si me drogën, ata kishin nevojë për shembjen e radhës, ata do ndiheshin keq nëqoftëse nuk do kish një tjetër shkatërrim, filluan të donin dhembjen e tyre, ata ngadalë, por vendosmërisht po shndrroheshin në një specie të re post sapiens. Çka ishte vërtetim i teorisë së tyre të çuditshme dhe aq të debatuar të evolucionit.


Emigrant

http://www.peshkupauje.com/2012/01/perralle-nga-e-ardhmja