Shfuqizohet arresti shtëpiak i Albinit që të mos shfuqizohet rasti kundër tij
Para tri ditëve gjykatësi që udhëheq me procesin kundër Albin Kurtit, italiani Maurizio Salustro, kishte kërkuar nga prokurori ndërkombëtar heqjen dorë nga arresti shtëpiak për Albinin. Dje, më 19 dhjetor 2007, Albini është njoftuar nga korrieri i gjykatës se ky i fundit kishte pranuar dhe se arresti shtëpiak nuk vlen më.
Janë disa arsye pse u kërkua dhe u miratua një gjë e tillë:
1. Gjykatësi Salustro përpiqet ta përmirësojë imazhin e tij tash kur edhe Amnesty International e gjykoi ashpër shkeljen që vetë ai i bën ligjit dhe standardeve për gjykim të paanshëm. Për më tepër, Amnesty International dha shpjegime të shumta që e mundësojnë cilësimin e akuzimit të Albinit si të motivuar politikisht.
2. Salustro si një zyrtar i lartë i administratës kolonialiste ka mundësi për pushime të gjata. Ai s’do që të kthehet para 11 janarit 2008 në Kosovë kur do të duhej të rishqyrtojë arrestin shtëpiak të Albinit andaj këtë gjë e bën qysh tash në kundërshtim me praktikën e tij të marrjes së vendimeve në momentet e fundit.
3. Salustro do që ta shmang vëmendjen nga padrejtësia që po i bëhet Albinit nga ky proces gjyqësor kryekëput politik dhe dëshiron që njerëzit të fokusohen në arrestin e tij shtëpiak. Salustro në vend se ta shfuqizojë këtë rast kundër Albinit vazhdon të merret me arrestin shtëpiak.
4. Tash kur u pa se ky proces kundër Albinit është shumë i dobët dhe gjithnjë e më i dobët dhe për shkak të presionit në rritje të publikut duan që përmes heqjes së arrestit shtëpiak ta amortizojnë ca pakënaqësinë e qytetarëve.
5. Salustro duke e ndier humbjen në këtë proces, në të cilin edhe polici i SHPK-së që ishte dëshmitar kryesor i prokurorisë dëshmoi në favor të Albinit, nuk i ka mbetur gjë tjetër pos të llogarisë që duke e liruar Albinin nga arresti shtëpiak ai të mos paraqitet në gjyq dhe asisoj të zgjatet procesi. Për më tepër, Salustro e di se sa vështirë do ta ketë të gjejë ndonjë avokat të ri pas Fazli Balajt në rast të prezentimit të dëshmive që tregojnë qartas se Balaj më 13 shkurt 2007, në një emision në TV21, e ka dënuar demonstratën e 10 shkurtit duke i mveshur asaj edhe qëllime të paqena.
Shfuqizimi i arrestit shtëpiak dëshmon qartë arbitraritetin e sistemit gjyqësor të Kosovës në përgjithësi dhe në rastin e Albinit në veçanti. Albini është mbajtur për 10 muaj të tërë i arrestuar – herë në burg e herë në shtëpi. Madje ai ishte klasifikuar si i burgosur i kategorisë A, që do të thotë i burgosur i rrezikshmërisë më të lartë. Tash, përnjëherë, Albinit iu shfuqizua arresti shtëpiak! Pyetja që duhet shtruar këtu është: çfarë u bë me rrezikshmërinë? Albini ka mbetur ai që ka qenë më 10 shkurt. Pra, ai nuk paska qenë as atëherë i rrezikshëm. Pse u mbajt i izoluar për 10 muaj? Pse ky proces i vazhdueshëm politiko-gjyqësor?
Departamenti i Drejtësisë së UNMIK-ut po vazhdon me padrejtësinë kundër Albin Kurtit duke e mirëmbajtur fajësimin e tij. Është po ky Departament i Drejtësisë që praktikisht i shfajësoi vrasësit rumunë të policisë së UNMIK-ut të cilët me 10 shkurt 2007 vranë Arben Xheladinin dhe Mon Balaj.
LËVIZJA VETËVENDOSJE