Rexhep Qosja dhe Ismail Kadare - Libraria Islame

×
Albanian Forums, Zerion Zeri yt Zeri Info, Forumi Shqiptar Al Virtual, Diskutime, Biseda, Chat Njofje, Informatika, Teknologjia, Gazeta Tema, Gazetat Shqiptare, Bota Sot, www Channel Albania, Telegrafi Kosovo, Ballkani Web, Gazeta Lajme shqip, Lajmet e Fundit Shqiperia Kosova, Dita, Panorama, Kryeartikull, Faqja Kryesore, Video Shqip, Muzike Shqipe, Njoftime, Lajmerime, Temat Online, Gazetat, Kosovare, Shtypi Ditor, Sporti Shqiptar, Dashuria, Pyetje Pergjigje, Keshilla, Ndihme, Webmaster Shqiptar, Familja, Shqiptaria, Muzika, Receta Gatimi, Imazhe, Vipat-shqiptar, Aktualiteti
Media Sociale
Mesazhe Private
Shqiptaret duke lexuar tema interesante dhe te ndryshme
Tema re

Rexhep Qosja dhe Ismail Kadare

· 8 · 3562

Rexhep Qosja dhe Ismail Kadare

· 8 · 3562

  • Postime: 532
  • Karma: +1/-0
  • i identifikuar

    ne: 06-05-2006, 05:35:34
    REALITETI I SHPERFILLUR


    -Sprova e Ismail Kadaresë, Identiteti evropian i shqiptareve, është
    mbështetur ne premisa te gabuara
    -Ismail Kadare pandeh se i ka ardhur çasti i dëshiruar qe te
    dëgjohet për disa oktava me larte zëri i tij, me pare i peshperitur,
    kundër identitetit mysliman
    -Është shume e nevojshme qe këto ide dhe këto përfytyrime te Ismail
    Kadaresë te hidhen poshtë me kohe dhe hamendjesime
    -Kritiken e pikëpamjeve te mia mbi ndikimin e mundshëm çintegrues te
    vetëdijes se tejshquar fetare ne shoqërinë e sotme shqiptare prandaj
    edhe ne identitetin kombëtar,Ismail Kadare e fillon ashtu siç
    filloheshin shkrimet politike dhe ideologjike ne kohen e komunizmit.

    Shkruan: Rexhep Qosja


    Premisa te gabuara

    Siç e kam parapare ne parafjalën e saj, trajtesa mbi idetë
    çintegruese ne shoqërinë e sotme shqiptare e botuar ne vazhdime ne
    gazetën e Prishtinës "Epoka e re" dhe ne gazetën e
    Tiranës "Korrieri" e pastaj e botuar edhe si libër me titullin
    ideologjia e shpërbërjes nga Shtëpia botuese TOENA , ka shkaktuar
    një sere reagimesh si ne Shqipërinë shtetërore ashtu edhe ne Kosove.
    Nuk e di a është me i madh numri i reagimeve pajtuese a numri i
    reagimeve mospajtuese. Si te paret ashtu edhe te dytat dëshmojnë,
    ndërkaq se ceshtjet e ngritura ne atë trajtese ishte e nevojshme te
    ngriheshin. Shkrimtari i madh argjentinas., Horhe Luis Borhes, thotë
    se "Libri qe nuk e përmban kunderlibrin mund te konsiderohet i
    panevojshëm". çdo libër, pavarësisht a është letrar a shkencor, e
    përmbarojnë lexuesit,miq kundërshtar te autorit, qofte duke e
    pohuar, qofte duke e mohuar.

    Për t'iu përgjigjur te gjitha reagimeve do te duhej te shkruaja një
    libër me te madh se Ideologjia e shpërbërjes, i cili sigurisht do te
    shkaktonte reagime te reja te përshkuara edhe prej me shume
    ndjenjash se reagimet e deritashme.

    Ne vend se te gjithave, do t'i përgjigjem vetëm reagimit te Ismail
    Kadaresë, Identiteti evropian i shqiptareve. Kjo domethënë se mbesin
    pa përgjigje te gjithë reaguesit e tjerë ndaj trajtesës Ideologjia e
    shpërbërjes:

    1.predikuesit e identitetit kombëtar kosovar, si identitet kombëtar
    i ri ne Ballkan:

    2. predikuesit e gjuhës se dyte standarde për folësit me identitet
    kombëtar kosovar:

    3. thirrësit për kthimin e shqiptareve mysliman ne "fenë e te
    pareve", si gjoja kusht për pranimin me te shpejtuar te Shqipërisë
    shtetërore dhe te Kosovës ne Bashkimin Evropian!

    Ne reagimin e Ismail Kadaresë Identiteti evropian i shqiptareve do
    përgjigjem për këto arsye kryesore: e para , pse e ka shkruar një
    shkrimtar dhe publicist i njohur me popullorësi te veçante; e dyta
    pse ne ketë reagim është i përmbajtur një shpërdorim i disa
    pikëpamjeve te mia, sidomos te pikëpamjeve mbi ndikimin e mundshëm
    çintegrues te vetëdijeve te tejshquara fetare ne shoqërinë e sotme
    shqiptare; e treta, pse ky reagim ka shkaktuar jehone nder lexuesit
    shqiptare si ne Shqipërinë shtetërore ashtu edhe ne Kosove dhe , e
    katërta, dhe , me vendimtarja, pse ne ketë reagim janë shprehur ide
    dhe janë krijuar përfytyrime , qe nuk e nderojnë kulturën shqiptare.

    Sprova e Ismail Kadaresë, Identiteti evropian i shqiptareve, është e
    mbështetur ne premisa te gabuara: ne përpjekje për te dëshmuar, ne
    njërën ane kundërshtitë kulturore mes Evropës dhe Lindjes myslimane,
    kurse ne anën tjetër sipërinë e identitetit evropian ndaj
    identiteteve tjera, para se gjithash ndaj identitetit mysliman! Dhe,
    kjo sipëri është –te përdorë një togfjalësh te Zhan-Pol Sartrit-
    sipëri raciste.

    Gjykimet e këtilla te Ismail Kadaresë, gjithsesi shume befasuese,
    nuk mund te mos shikohen si rrjedhoje e disa dukurive dhe disa
    disponimeve te përshtatshme politike dhe fetare ne bote. Nuk mund te
    mos mendohet se tani kur , si pasoje e fundamentalizmit islamik, te
    tejshkallezuar mbas pushtimit amerikan te Irakut, është rritur
    disponimi kundermysliman ne disa vende perëndimore; kur kryetari
    Xhorxh Bush bën mobilizimin politik te krishterimit; kur emri i
    profetit Muhamed dhe fjalët islam,mysliman, xhami, shkaktojnë
    sëndisje ne mjedise te ndryshme perëndimore; kur si thonë studiues,
    po kthehet epoka e konflikteve mes krishterimit e islamit dhe e
    kryqëzatave; kur disa politikane shqiptare ne Kosove e quajnë
    politike te leverdishme për karrierën e vet te ndërrojnë fenë; kur,
    si pasoje e sjelljeve shpërfillëse te disa politikaneve shqiptare
    mysliman ne Kosove e ne Shqipëri ndihen te diskriminuar, ja , tani,
    Ismail Kadare pandeh se i ka ardhur çasti i dëshiruar qe te dëgjohet
    për disa oktava me larte zëri i tij, me pare i pëshpëritur, kundër
    identitetit mysliman,ne te vërtet kundër perbereseve mysliman ne
    identitetin e përbashkët, te përgjithshëm, historik, te shqiptareve!
    Për këtë arsye është shume e nevojshme qe këto ide dhe këto
    përfytyrime te Ismail Kadaresë te hidhen poshtë me koheshe pa
    hamendjesime.

    Do ta bej këtë vendosmërisht, edhe pse me shume keqardhje për shume
    arsye ne këtë përgjigje detyrimisht te gjate.
    Nuk e bej këtë pse e kam emrin mysliman Rexhep. Jo.
    Nuk e bej këtë pse shkoj ne Xhami a pse i fali pese vaktet e ditës!
    Jo. As nuk shkoj ne xhami për t'u lutur as nuk falem ne asnjë vakt
    te ditës. Jo

    E bej këtë për hir te perëndive te mi : te Vërtetës dhe te Drejtës.
    E bej këtë për te njëjtën arsye për te cilën kam shkruar mijëra faqe
    gjate shume viteve te kaluara : për te mbrojtur bashkëkombësit,
    bashkëqytetaret, prej padrejtësive te pushtetit, prej dhunës se
    shtetit serb dje, dhe prej diskriminimit pavarësisht kush e bën këtë
    diskriminim sot.
    E bej këtë për te njëjtën arsye për te cilën ne vitin 1994 kam
    mbrojtur krishterimin shqiptar prej disa shpjegimesh te disa
    bashkëqytetareve tepër te përkushtuar si mysliman, për c'gje kam
    shkruar ne librin Tronditja e shekullit.
    E bej këtë për te qene shpirtërisht i lire pavarësisht prej çmimit
    qe paguaj për këtë liri. E unë jam i lire sepse kam zgjedhur te
    Vërteten dhe te Drejtën.

    Sprova e Ismail Kadaresë, Identiteti evropian i shqiptareve, nuk
    është reagimi i tij i pare mospajtues ndaj pikëpamjeve te mia
    letrare dhe kulturore. Ne shkrimin Rreth ndikimeve te huaja dhe
    karakterit kombëtar te letërsisë, te botuar ne gazetën Zëri i
    popullit me 8.4.1973, me te cilën i përgjigjke shkrimit tim Letërsia
    kombëtare dhe letërsia botërore ose afrimi përmes ndryshimeve, te
    botuar ne përmbledhjen Panteoni i rralluar ne vitin 1972, ai me
    akuzonte si "tellall i kozmopolitizmit", qe , me gjuhen e atëhershme
    politike do te thoshte se po predikoja evropianizimin dhe
    amerikanizmin e letërsisë shqipe. Tani, 34 vjet me vone, ai me
    akuzon se kinse po e mohoj atë qe atëherë e predikoja!
    Unë, natyrisht, nuk po e akuzoj Ismail Kadarenë tani se, para 34
    vitesh, duke predikuar veçimin e Shqipërisë dhe identitetin
    Stalinist, ne te vërtet predikonte kunderevropianizimi n! Unë vetëm
    po ve ne dukje se perëndia i shndërrimeve Protej, i cili e ka
    dhuruar Ismail Kadarenë edhe me dhuntinë e nxitimshndrrimeve për te
    qene politikisht sa me i koniunkturshem, ia ka parathënë edhe këtë
    nxitimshndrrim, fryt i te cilit është sprova Identiteti evropian i
    shqiptareve.

    Po, t'i leme njëherë për njëherë këto dy shkrime te një kohe te
    kaluar dhe te merremi me reagimin e tanishëm te Ismail Kadaresë
    Identiteti evropian i shqiptareve ndaj trajtesës sime Ideologjia e
    shpërbërjes, ne te vërtet ndaj kreut te kësaj trajtese Identiteti
    kombëtar dhe vetëdija fetare, qe sigurisht nuk do te jete
    nxitimshnderrimi i tij i fundit. Dhe te shohim sa te vërteten dhe te
    drejtën do t'ia filloj qëllimit te tij: shpërfilljes se identitetit
    mysliman si njeri nga perversit fetare te IDENTITET KOMBETAR
    SHQIPTAR.

    Shprehitë e vjetra

    Kritiken e pikëpamjeve te mia mbi ndikimin e mundshëm çintegrues te
    vetëdijes se tejshquar fetare ne shoqërinë e sotme shqiptare,
    prandaj edhe ne identitetin kombëtar, Ismail Kadare e fillon ashtu
    siç filloheshin shkrimet politike dhe ideologjike ne kohen e
    komunizmit: duke zbatuar metodologji ideologjike- duke ia vene
    gishtin tregues komplotit te armiqve te brendshëm dhe te jashtëm
    politike e klasore dhe duke kërkuar likuidimin e tyre moral! Dy
    ngjarje politike i shërbejnë Ismail Kadaresë për te bere politikisht
    dhe ideologjikisht te dyshimta, ne te vërtetë kombetarisht te
    dënueshme, pikëpamjet e mia mbi ceshtjen e trajtuar: e para, ardhja
    e kryekomisionarit te Bashkimit Evropian, Baroso, ne Tirane ne
    lidhje me nënshkrimin e afërm te marrëveshjes se Shqipërisë me
    Evropën dhe, e dyta fillimi i bisedimeve për statusin e ardhshëm te
    Kosovës, qe sapo kishin filluar ne Vjene. Unë isha ai qe , ja me
    veprimtari mendore dhe politike po sabotoja fitoret qe sapo dukeshin
    ne horizontin shqiptar!
    Po,t'ia japim fjalën vete Ismail Kadaresë:
    " Sa me shume qe nënshkrimi i marrëveshjes se Shqipërisë shtetërore
    me Evropën afrohej, aq me fort ndiheshin murmurimat. Sa me shume qe
    afrohej caktimi i staturist te Kosovës,me fjalët tjera, besimi i
    Evropës e i Amerikës se Kosova mund te hynte si shtet i pavarur ne
    familjen kontinentale, aq me shume kembengulese behej krrokama se
    shqiptaret ishin si mish i huaj, pra i padashur, për Evropën".
    "S ishte mbushur as java e fillimit te bisedimeve te Vjenës për
    statusin e Kosovës, e s'kishin kaluar veç disa ore qe avioni i
    kryekomisionarit evropian Baroso, ishte ulur ne aeroportin e
    Tiranës, kur murmurimat disi kaotike u shtuan. Ato u shfaqen madje
    edhe atje ku priteshin me pak, si për shembull, ne ndonjë deklarim
    te akademikut nga Kosova, Rexhep Qosja".

    Meqenëse presjet i ve edhe ku s'duhet, nuk është e çuditshme pse
    Ismail Kadare nuk e ve pikëçuditjen ku duhet: ne fund te kësaj
    fjalie.

    Po te leme rregullat e pikësimit e te gramatikës e te shohim
    logjiken.

    Për te pare sa larghedhëse është kjo logjike politike po i kthejmë
    dy pasuset e cituara ne trajtën e bashkëbisedimit sepse, kështu, do
    te mësojmë me mire çka ne thelb mendon autori dhe si mund t'i
    përgjigjet ndonjë lexues.

    çka po ngjante nder shqiptaret ne çastet kur po afrohej nënshkrimi i
    marrëveshjes se Shqipërisë shtetërore me Bashkimin Evropian?

    Po ndiheshin murmurimat.
    ( Mungon pikëçuditja).

    çka po ngjante ne çastet kur po afrohej caktimi i statusit te
    Kosovës, me fjale te tjera besimi i Evropës e i Amerikës se Kosova
    mund te hynte si shtet i pavarur ne familjen kontinentale?

    Aq me kembengulese behej krrokama se shqiptaret ishin si mishi i
    huaj, pra i padashur, për Evropën!

    Cilit ishin këta krrokates?
    S'ka përgjigje!
    çka ngjau pak para se te mbushej java e fillimit te bisedimeve te
    Vjenës për statusin e Kosovës, e s'kishin kaluar veç disa ore qe
    avioni i kryekomisionarit evropian, Baroso, ishte ulur ne aeroportin
    e Tiranës?

    Murmurimat kaotike u shtuan edhe me shume.
    Prej nga erdhën ato murmurima kaotike?
    Prej nga priteshin me pak.
    Prej nga priteshin me pak?
    Nga ndonjë deklarim i akademikut nga Kosova, Rexhep Qosja.
    Akademiku nga Kosova? Pse e quan akademiku nga Kosova? A vetëm nga
    Kosova? Ai ne zemër s'e ndan Shqipërinë nga Kosova. Për ta larguar
    prej Shqipërisë shtetërore apo për te treguar se nuk njihet ne
    Shqipërinë shtetërore?
    S'ka përgjigje!
    Mos kur thua se priteshin me pak do te thuash se , megjithatë, nuk
    është qe nuk priteshin fare murmurima kaotike prej gojës se tij?
    Si mund te priteshin murmurima te tilla qe t'i pandeh kaotike prej
    tij kur ai ka shkruar mbi 3500 faqe për ceshtjen e Kosovës dhe
    ceshtjen shqiptare ne përgjithësi dhe te gjitha këto faqe janë
    dëshmi e përpjekjeve te tij për t'u çelur dyert e shtëpisë se madhe
    evropiane edhe për shqiptaret? Si mund te priteshin murmurima te
    tilla kaotike prej tij, qe ti i pandeh kunderevropiane kur aq
    përpjekje mendore dhe politike ka bere dhe bën ai për te sjelle
    vlerat dhe standardet evropiane ne jetën e popullit te vet?
    S'ka përgjigje.


    • Postime: 532
    • Karma: +1/-0
  • i identifikuar

    #1 ne: 06-05-2006, 05:43:27
    IDETE RACISTE TE ISMAIL KADARESE

    NGA REXHEP QOSJA

    OPINION - POLEMIKE

    E MERKURE, 3 MAJ 2006



    Përdorimi politik i Nënë Terezës

    Po cila është e vërteta për qëndrimin tim ndaj mbajtjes së portretit
    të Nënës Tereze në institucionet e Kosovës, në të vërtetë në një
    institucion partiak dhe në një institucion administrativ të Kosovës?
    Nuk është e vërtetë se jam ngritur me "nervozizëm" kundër mbajtjes
    së portretit të Shenjtores Nëna Tereze, në institucionet e Kosovës;
    e vërtetë është, vetëm se jam ngritur dhe ngrihem pa nervozizëm
    kundër përdorimit politik të emrit, të portretit dhe të veprimtarisë
    së misionares dhe humanistes, Nëna Tereze, prej disa
    fundamentalistëve fetarë dhe disa koniunkturistëve politikë gjithnjë
    për interesat e tyre fetare - në rastin e parë dhe kushtetore - në
    rastin e dytë. Të them se menjëherë pas vdekjes së saj, për Nënën
    Tereze kam botuar një sprovë dhe kam dhënë dy deklarata: njërën të
    kërkuar prej BBC-së e tjetrën prej mediave të Prishtinës. Qëndrimi
    im ndaj emrit dhe portretit të Nënës Tereze sot nuk mund të mos jetë
    i kushtëzuar nga përdorimi fundamentalist fetar dhe politik i atij
    emri dhe atij portreti. Mbas gjithë asaj që është bërë dhe po bëhet
    rreth Nënës Tereze, domethënë mbas gjithë këtij përdorimi e
    shpërdorimi politik të emrit, të portretit dhe të veprimtarisë së
    saj si misionare dhe humaniste, nuk e quaj kombëtarisht të mençur
    mbajtjen e portreteve të saj qoftë në institucionet politike e
    shtetërore të Kosovës, qoftë në institucione politike e shtetërore
    të Shqipërisë shtetërore. Jo. Është tejtheksuar se veprimtaria prej
    humanisteje e Nënës Tereze është e pandarë, madje, e kushtëzuar, nga
    veprimtaria e saj prej misionareje katolike. Papa Gjon Pali i Dytë
    ka shpallur disa qindra të shenjtë, gjithsesi, thonë njohës të tij,
    më shumë se të gjithë papët para tij. Ndër shenjtorët dhe shenjtoret
    që ka shpallur Ai dhe që kanë shpallur papët para tij, natyrisht se
    nuk ka ortodoks, hebre, hindus, mysliman. Të gjithë janë shpallur
    shenjtorë dhe shenjtore sepse ishin të jashtëzakonshëm si katolikë.
    Është e kuptueshme se prej të gjithë atyre që e shikojnë portretin e
    Nënës Tereze, kudo qoftë i vënë ai, që e shikojnë shtatoren e saj
    kudo qoftë e ngritur ajo, që e lexojnë emrin e saj kudo qoftë i
    shkruar ai, Nëna Tereze perceptohet si shenjtore katolike. Kot
    përpiqen të na e mbushin mendjen përdoruesit fetarë dhe politikë të
    emrit, të portretit dhe të veprimtarisë së saj humaniste, se Nëna
    Tereze meriton të jetë portreti, shtatorja, mbishkrimi mbizotërues
    në institucionet politike e shtetërore, në institucionet kulturore
    të qyteteve shqiptare, sepse është fituesja e vetme shqiptare e
    çmimit Nobel. çmimi Nobel i është dhënë edhe shkencëtarit dhe
    humanistit shqiptar, Ferid Murati, zbulimi shkencor i të cilit është
    i rëndësishëm për të gjithë njerëzit në të gjitha kontinentet dhe jo
    vetëm për të sëmurët, të varfrit e të braktisurit e botës, para së
    gjithash, të Indisë. Por, Ferid Muratit nuk i ngrihet kund një
    shtatore, nuk stoliset me emrin e tij ndonjë institucion kulturor,
    nuk vihet portreti i tij në ndonjë institucion politik e shtetëror.
    Pse? Sepse Ferid Murati nuk është i krishterë, prandaj emri dhe
    portreti i tij nuk mund të shpërdoren për nevojat e mobilizimit
    politik të krishterimit dhe për nevojat karrieriste të
    koniunkturistëve tanë politikë dhe kulturorë.
    Në fund të shtjellimit të sipërthënë është e kuptueshme të shtrohet
    pyetja: ku i çon shqiptarët përdorimi i tillë i tejshtrirë e i
    tejmadhëruar fetarisht i emrit, i portretit dhe i veprimtarisë së
    Nënës Tereze? çka u sjell shqiptarëve, të cilët u takojnë jo vetëm
    dy a tri, po pesë feve (katolike, ortodokse, myslimane, protestante
    dhe ateiste) përdorimi aq irracional i emrit, i figurës dhe i
    veprimtarisë së një shenjtoreje sa edhe emri i aeroportit të Tiranës
    pagëzohet me emrin e saj: NËNA TEREZE, edhe pse çdokush mund ta dijë
    se prej atij aeroporti, ashtu si edhe prej çdo aeroporti në këtë
    botë, mund të ngrihen nesër edhe aeroplanë luftarakë, që do të
    bombardojnë fshatra e qytete e të vrasin burra, gra, fëmijë, të
    varfër e të sëmurë, të cilëve ajo ua kishte kushtuar jetën? çka do
    të thotë ky mitologjizim në thelb fetar, për arsye fundamentaliste
    fetare dhe të koniunkturshme politike, i një shenjtoreje në një vend
    shumëfetar? Logjika e jep këtë përgjigje: do të thotë nxitje e
    pjesëtarëve të feve të tjera, para së gjithash, të fesë myslimane,
    që e njëjta gjë të bëhet me emrat dhe me portretet e figurave të
    shquara fetare të fesë së tyre. Për këtë arsye emri, portreti dhe
    shtatorja e Nënës Tereze duhet vënë në mjedise fetare, humanitare
    dhe shëndetësore e jo edhe në aeroportin e Tiranës, e jo edhe në
    institucione politike e shtetërore, e jo edhe në sheshe të qyteteve.
    Bashkëjetesa e harmonishme mes feve, të cilave u takojnë shqiptarët,
    baraspesha historike midis këtyre feve, interesat historike të
    popullit shqiptar e kërkojnë sot si dje, nesër si sot, që emrat,
    portretet dhe shtatoret e figurave të njohura, të shquara e të mëdha
    kombëtare, historike dhe kulturore, siç janë Gjergj Kastrioti-
    Skënderbeu, Gjon Buzuku, Marin Barleti, Pjetër Budi, Frang Bardhi,
    Konstandin Kristoforidhi, Vaso Pasha, Abdyl, Sami dhe Naim Frashëri,
    çajupi, Fan Noli, Faik Konica, Ismail Qemali, Hasan Prishtina,
    Gjergj Fishta, Ndre Mjedja, Eqrem çabej, Aleksandër Moisiu dhe të sa
    e sa piktorëve, skulptorëve, kompozitorëve, shkencëtarëve, krijuesve
    e artistëve të tjerë të mos zëvendësohen nga emra, portrete,
    shtatore klerikësh, shenjtoresh, që perceptohen para së gjithash si
    vetje fetare - katolike, myslimane, ortodokse. Të sipërpërmendurit
    janë emra vetjesh që mbahen mend për veprat kulturore që kanë lënë a
    për bëmat historike që kanë bërë, që kanë pasur, kanë dhe do të kenë
    funksion integrues në jetën e popullit shqiptar, sepse vepra e tyre,
    krijimtaria e tyre, veprimtaria e tyre kulturore, shoqërore,
    politike i shërbente Shqipërisë, u shërbente të gjithë shqiptarëve.
    Pavarësisht së cilës fe i takojnë, ata perceptohen ndryshe se
    ç'perceptohet Nëna Tereze: perceptohen kryekëput si krijues e
    veprimtarë atdhetarë e jo si fetarë.

    Identiteti dhe identitetet

    Përveç, si e pamë, për nervozizmin që "nuk lë pa prekur mbajtjen e
    portretit të Nënës Tereze në institucionet e Kosovës", Ismail Kadare
    më fajëson edhe se po e ndaj "identitetin evropian" të shqiptarëve
    në "identitet mysliman" dhe në "identitet të krishterë". Dhe, kjo
    ndarje, që bëkam unë, i ngjan atij si një muzikë e njohur, që e ka
    dëgjuar shumë herë. I shqetësuar prej tingujve të kësaj muzike të
    dëgjuar shumë herë, është e kuptueshme pse ai ua përkujton lexuesve
    shumë i sëndisur pasojat e një ndarjeje të tillë, domethënë të një
    muzike të tillë! Në vend të gjithë fjalive, në të cilat numërohen
    ato pasoja, po e citoj vetëm fjalinë përmbyllëse: "Përçartje të
    tilla, në prag të afrimit të portave të Evropës, përpara se të ishin
    komike, janë thellësisht tragjike. Si të tilla, ato kërkojnë një
    përgjigje të qartë, serioze dhe pse jo, të prerë. Në raste të tilla
    parimi kryesor është se një popull është ai që është dhe s'ka nevojë
    as për pudër zbukurimi e as për blozë përçmuese".
    Bukur apo jo!
    Një popull është ai që është.
    S'ka dyshim.
    Dhe, s'ka nevojë për pudër zbukurimi.
    Pa dyshim.
    As për blozë përçmuese.
    Pa dyshim.
    Kur e zbukurojmë një popull me pudër zbukurimi?
    Kur e quajmë evropian dhe të krishterë, pa dyshim.
    E kur e shëmtojmë me blozë përçmuese?
    Kur e quajmë joevropian dhe mysliman, pa dyshim!
    Domethënë: pudra zbukuruese mund të qitet vetëm në fytyrën evropiane
    dhe të krishterë, kurse bloza përçmuese vetëm në fytyrën joevropiane
    dhe myslimane! Kjo është përgjigjja e qartë, serioze dhe, pse jo e
    prerë e Ismail Kadaresë! Bukur apo jo! Muzika ngjan shumë e njohur
    apo jo!

    Po, t'i kalojmë njëherë për njëherë gjykimet e këtilla "serioze",
    serioze në mënyrë raciste,të Ismail Kadaresë dhe të merremi pak me
    katekizmin e tij të identitetit.
    Prej sprovës së tij Identiteti evropian i shqiptarëve shihet se
    Ismail Kadare e trajton identitetin si diçka të dhënë njëherë e
    përgjithmonë, që e përcaktojnë gjeografia, lidhja gjinore, ngjyra e
    lëkurës dhe... hajde gjeje çka më! "S'duhej ndonjë filozofi për të
    kuptuar se fetë mund të ishin të ndryshme, por identiteti, ashtu si
    lidhja gjinore, mbetej gjithmonë një"! Kultura materiale dhe
    shpirtërore, feja, tradita, zakonet, historia- si të mos ishin fare:
    ato nuk lënë kurrfarë shenjash në identitetin e vetjeve, grupeve
    etnike dhe popujve! Ku është dëgjuar kjo? Maturanti që do të
    gjykonte ashtu për identitetin në Bashkimin Evropian dhe në SHBA-të
    do të përsëriste klasën. Ndikimin e fesë në përbërjen e identitetit
    Ismail Kadare jo vetëm se e mohon, por edhe e përbuz! Thuajse nuk ka
    parë dhe thuajse nuk ka dëgjuar se fetë janë përbërës shumë i
    rëndësishëm i identitetit, aq të rëndësishëm sa shumë herë dhe
    shumëkund janë bërë përcaktues të tij. Po të mos ishte kështu, nuk
    do të flitej, për shembull, për qytetërimin e krishterë dhe për
    qytetërimin islamik. Dhe, po të mos ishte kështu, nuk do të
    shkruante Semjuel Hantingtoni veprën e tij Konflikti i qytetërimeve,
    në të cilën bazë të qytetërimeve që ai, fatkeqësisht, i pandeh në
    konflikt, quan fenë myslimane, në njërën anë dhe fenë e krishterë,
    në anën tjetër!
    Në sprovën e tij Ismail Kadare gjykon dhe bën përgjithësime për
    identitetin, duke mos pasur parasysh se kemi identitet të veçantë
    dhe identitet të përgjithshëm; identitet vetjak dhe identitet
    kolektiv; identitet konvencional dhe identitet të ri; identitet
    historik dhe identitet kulturor; identitet politik dhe identitet
    mendor; identitet fetar dhe identitet shtetëror. E të tjera. Të
    gjitha këto identitete, që janë identitete më pak a më shumë të
    veçanta, të një rrafshi më të ngushtë, bashkohen në një përgjithësi,
    në një të tërë, që do t'i themi identiteti kombëtar.
    Dhe, më konkretisht: kemi shqiptarë me identitet kosovar, shqiptarë
    me identitet lab, shqiptarë me identitet gegë, shqiptarë me
    identitet toskë, shqiptarë me identitet mirditas, shqiptarë me
    identitet malësor, por të gjitha këto identitete të veçanta
    bashkohen në atë përgjithësinë, të përgjithshmen, të tërën, që i
    themi identiteti kombëtar shqiptar.
    Dhe, më tej: kemi shqiptarë me identitet katolik, shqiptarë me
    identitet ortodoks, shqiptarë me identitet mysliman, shqiptarë me
    identitet protestant dhe shqiptarë me identitet ateist, por të
    gjitha këto identitete të veçanta, më të ngushta, më të vogla, në
    sajë të përbashkëtave të përmbajtura në secilin prej tyre bashkohen
    në atë përgjithësinë, në atë të përgjithshmen, në atë të tërën që i
    themi IDENTITETI KOMBËTAR SHQIPTAR.

    Ai që i ka të qarta këto, ai që ka kuptim për marrëdhënien e të
    veçantave me të përgjithshmen, nuk do të akuzojë kë se po ndan
    shqiptarët në të krishterë dhe në myslimanë vetëm pse konstaton se
    kemi shqiptarë me identitet të krishterë dhe shqiptarë me identitet
    mysliman - se ata si të krishterë (katolikë, ortodoksë, protestantë)
    dhe myslimanë janë të gjithë shqiptarë: janë shqiptarë në sajë të
    përbashkëtave shqiptare të përmbajtura në secilën prej feve të tyre.
    Pse, atëherë, Ismail Kadare çel derën e çelur prej meje para tij?!

    Evropa shumëkulturore

    Ashtu siç nuk do ta kuptojë drejt marrëdhënien e identiteteve fetare
    shqiptare me identitetin kombëtar shqiptar, po ashtu Ismail Kadare
    nuk do ta kuptojë drejt as marrëdhënien e identitetit kombëtar
    shqiptar me identitetin evropian! Nuk është e vështirë për të parë
    se togfjalëshin identitet evropian ai e njëjtëson me projektin
    politik evropian, domethënë me Bashkimin Evropian, si bashkësi e
    shteteve dhe popujve evropianë, në njërën anë dhe me krishterimin,
    në anën tjetër. Nuk ka dyshim se shtetet dhe popujt, që do të
    përbëjnë Evropën e Bashkuar, do të kenë një identitet politik-
    shtetëror, si një përgjithësi, si një e tërë, si një e përbashkët e
    të veçantave politike dhe shtetërore të shteteve që do ta përbëjnë.
    Evropës së Bashkuar të gjitha shtetet që do ta përbëjnë do t'ia
    dhurojnë, të mos thuhet do t'ia flijojnë, të veçantat e tyre
    politiko-shtetërore, por nuk do të mund të thuhet se Evropës së
    Bashkuar do t'ia flijojnë, së paku tani për tani, identitetet e tyre
    kombëtare, në të cilat janë të përmbajtura veçantitë që nënkuptojnë
    historia, gjuha, feja, tradita, kultura, zakonet e të tjera. Nuk e
    di si do të jetë sot pesëdhjetë a sot njëqind vjet, por sot për sot
    shihet se të gjithë popujt evropianë, që përbëjnë Bashkimin
    Evropian, kujdesen të ruajnë përbërësit e identitetit të tyre
    kombëtar: historinë, gjuhën, fenë, kulturën, traditën e përbërësit e
    tjerë. Bashkimi Evropian bëhet Evropë e kombeve.
    Përpos me projektin politik evropian, domethënë me Bashkimin
    Evropian, togfjalëshin identitet evropian Ismail Kadare e njëjtëson
    edhe me krishterimin. Ky njëjtësim, historikisht i shikuar, nuk
    është i saktë. Kontinenti evropian nuk ka prejardhje vetëm të
    krishterë. Është i madh numri i intelektualëve dhe i politikanëve
    evropianë të cilët vitin e kaluar e kanë kundërshtuar nismën për të
    futur në Kushtetutën e Bashkimit Evropian konceptin mbi prejardhjen
    e krishterë të kontinentit. Shkrimtari dhe teoriku i njohur italian,
    Umberto Eko, e kundërshton atë nismë për dy arsye:
    e para, për arsye politike, dhe,
    e dyta, për arsye historike.
    Arsyeja politike: nuk duhet të futet në Kushtetutën e Bashkimit
    Evropian koncepti mbi prejardhjen e krishterë të kontinentit, sepse
    Evropa e ardhshme duhet të jetë, thotë ai, projekt politik dhe
    vizion antropologjik e kjo, projekt politik dhe vizion
    antropologjik, për të e nënkupton Evropën shumëkulturore,
    shumëfetare dhe, gjithnjë e më dukshëm, shumëracore, shumëngjyrëshe -
    jo vetëm të bardhë.
    Arsyeja historike: nuk duhet të futet në Kushtetutën e Bashkimit
    Evropian koncepti mbi prejardhjen e krishterë të kontinentit sepse e
    kaluara e kontinentit, thotë ai, nuk është plotësisht e krishterë.
    Kulturën evropiane e kanë pasuruar: matematika e Indisë, mjekësia
    arabe, filozofia dhe shkenca greke, kur e kur e zbuluar në Evropë
    përmes arabëve, filozofia dhe shkenca romake, gjuha latine si gjuhë
    e ritualeve të shenjta, mitet dhe adetet pagane me trajtat e
    politeizmit, monoteizmi i hebrenjve. E të tjera.

    Ide raciste


    Nuk mund të them a është a s'është Ismail Kadare i një mendjeje me
    intelektualët dhe politikanët evropianë, që janë ngritur kundër
    futjes në Kushtetutën e Bashkimit Evropian të konceptit mbi
    prejardhjen e krishterë të kontinentit, por mund të them se disa ide
    dhe disa mendime të tij të përmbajtura në Identitetin evropian të
    shqiptarëve do të priteshin mirë prej publicistes së njohur
    italiane, Oriana Falaçi dhe prej kult-shkrimtarit francez, Mishel
    Uelbek, që në vendet e tyre janë akuzuar për ide raciste!
    Pse do të mund të priteshin mirë prej asaj publicisteje dhe prej
    atij shkrimtari disa ide dhe mendime të shkrimtarit tonë?
    Sepse janë ide raciste.
    "Letrat e Shqipërisë - shkruan Ismail Kadare në Identitetin evropian
    të shqiptarëve - janë të qarta. Populli shqiptar nuk ka identitet
    gjysmak, të shtirë apo të fshehur pas lajlelulesh mashtruese.
    Identiteti i tij është gjithashtu i qartë, pavarësisht se dikush nuk
    dëshiron ta shohë, e dikujt nuk i intereson ta shohë".
    Kush janë ata që nuk dëshirojnë ta shohin këtë identitet të qartë të
    shqiptarëve?
    S'ka përgjigje!
    Kush janë ata të cilëve nuk u intereson ta shohin identitetin
    shqiptar, që nuk është i "fshehur pas lajlelulesh mashtruese"?
    S'ka përgjigje!
    A ka identitete të fshehura pas "lajlelulesh mashtruese"?
    S'ka përgjigje!
    Pse s'thuhet se edhe letrat e Kosovës janë të qarta?
    S'ka përgjigje!
    çka thuhet më tutje?
    Thuhet: "Gjeografia, gjëja më kokëfortë në botë, dëshmon e para
    evropianitetin shqiptar. Zelli i atyre, që me çdo kusht duan ta
    zbehin disi edhe këtë fakt kokëfortë, arrin disa herë të krijojë
    përshtypjen se Shqipëria është në skaj të Evropës dhe fill pas saj
    nis Turqia, ose Azia. Ndërkaq, kur hedh sytë në hartë, vëren se gjer
    në atë kufi shtrihen së paku tri shtete të tjera: Maqedonia, Greqia
    dhe Bullgaria. Për të mos përmendur atë që quhet "Turqia evropiane".
    Popullsia shqiptare, ashtu si e gjithë kontinentit evropian, është e
    bardhë. Ashtu si gjuha, ajo quhet, në rastin më të favorshëm,
    pasardhëse e ilirëve, në më të pafavorshmet, e trako-ilirëve".
    A është e mundshme?
    Shkrimtari është bërë mësues i gjeografisë: po na tregon se
    Shqipëria është në Evropë. Nxënësit që do të përgjigjeshin saktë do
    të merrnin notë dhjetë!
    A është e mundshme! Muzika, vërtet, ngjan si e njohur! Tragjikisht e
    njohur.
    Shqipëria dhe Kosova, kur është fjala për identitetin, i paskan
    letrat e ndara! E mësuam prej gojës së Ismail Kadaresë se letrat e
    Shqipërisë janë të qarta, por çfarë janë letrat e Kosovës. çfarë
    janë letrat e shqiptarëve në Maqedoni? çfarë janë letrat e
    shqiptarëve në Mal të Zi? çfarë janë letrat e shqiptarëve në Luginën
    e Preshevës?
    Të paqarta!
    Pse nuk qenkan të qarta letrat e Kosovës? Pse nuk qenkan të qarta
    letrat e gjithë shqiptarëve të tjerë kudo qofshin ata? Përgjigjen na
    e jep, natyrisht, vetë Ismail Kadare: duke i ndarë letrat e Kosovës
    prej letrave të Shqipërisë shtetërore!
    Dhe, kjo përgjigje nuk është e bindshme për arsye se
    gjeografia, "gjëja më kokëfortë në botë", atë që e dëshmon për
    Shqipërinë shtetërore do të duhej ta dëshmonte edhe për Kosovën dhe
    shqiptarët e tjerë, së paku në Ballkan.
    Gjeografia është një "gjë" shumë e dashur nga shkrimtari ynë. Pse?
    Sigurisht për dy arsye: e para, për arsye se e dëshmon
    evropianitetin e shqiptarëve të Shqipërisë shtetërore dhe, e dyta,
    pse Evropën e ndan, në sajë të Gjirit të Bosforit, të Mesdheut dhe
    të Gjirit të Gjibraltarit, prej Azisë dhe prej Afrikës! Ismail
    Kadare është i gëzuar pse Shqipëria shtetërore është më larg prej
    Azisë se disa shtete të tjera evropiane me identitet evropian. Ai
    është i gëzuar pse midis Shqipërisë shtetërore dhe Azisë shtrihen
    tri shtete: Maqedonia, Greqia dhe Bullgaria. "Për të mos përmendur
    atë që quhet "Turqia evropiane"! Dhe, këtë çerekshtetin tjetër,
    Turqinë evropiane, ai e fut në thonjëza!
    Pas këtyre margaritarëve gjeografikë, me të cilët e stolis qafën e
    Shqipërisë, shkrimtari ynë na e dhuron kryemargaritarin gjeografik,
    me çmimin e të cilit shpreson të na bëjë të lumtur të
    gjithëve: "Popullsia shqiptare, ashtu si e gjithë kontinentit
    evropian, është e bardhë". Në qoftë se gjeografia u ka caktuar
    shqiptarëve dhe evropianëve të tjerë fatin që të jenë të bardhë, mos
    gjeografia ua ka caktuar fatkeqësinë aziatikëve dhe afrikanëve që të
    jenë të verdhë, të vrugët, të zinj? Mos ngjyra është arsyeja pse
    Ismail Kadare dëshiron të na mbajë sa më larg prej tyre?
    Nuk është gjeografia e vetmja frymëzuese e idesë raciste të Ismail
    Kadaresë: frymëzim të njëjtë mund t'i sjellin atij edhe historia e
    arkeologjia. Dëgjojeni: "Ashtu si gjuha, ajo quhet (popullsia
    shqiptare- R.Q) në rastin më të favorshëm, pasardhëse e ilirëve, në
    më të pafavorshmet, e trako-ilirëve"! Meqenëse, si e thonë
    studiuesit e tij, racizmi është "botëkuptim që s'pranon t'i çmojë
    dinjitetet të barabarta", atëherë na del se rumunët e shkretë, si
    pasardhës të dakëve, fis trakas, nuk mund të kenë dinjitet të
    barabartë me pasardhësit e ilirëve, madje, as të iliro-trakasve.
    Po, t'i lëmë për pakëz idetë raciste dhe të merremi me frymëzuesen e
    tyre kryesore: me gjeografinë.


    • Postime: 532
    • Karma: +1/-0
  • i identifikuar

    #2 ne: 06-05-2006, 05:48:56
    Gjeografia lëvizëse



    Është e çuditshme pse Ismail Kadare, megjithëse do të ketë
    qenë në kontinente të ndryshme, sigurisht, në Amerikë, në
    Azi dhe në Afrikë, nuk do të shohë se deri ku arrin roli i
    gjeografisë në përcaktimin e identitetit të popujve dhe të
    grupeve të ndryshme etnike. Nuk është shumë e vështirë,
    edhe në qoftë se nuk kemi pasur fatin që, përpos Evropës,
    të shohim edhe kontinente të tjera, të pranojmë se
    gjeografia, vërtet, flet shumë për identitetin e popujve e
    të grupeve etnike por, megjithatë, nuk i thotë të gjitha
    për të. Përpos gjeografisë, edhe një sërë faktorësh të
    tjerë marrin pjesë, cili më pak e cili më shumë, në
    përcaktimin e identitetit të tyre. Mund të thuhet se dikur,
    para, fjala vjen, katër-pesë shekujsh, gjeografia, vërtet,
    e përcaktonte plotësisht ose përafërsisht plotësisht,
    identitetin e popujve dhe të grupeve të ndryshme, por më
    vonë ky ndikim i saj do të vijë duke u pakësuar gjithnjë e
    më dukshëm. Zbuluesit e kontinenteve e të vendeve të reja,
    Kristofor Kolombo, Ferdinand Magelani, Amerigo Vespuçi dhe
    hulumtuesit e kontinenteve të zbuluara, mandej, posaçërisht
    të Afrikës, Azisë dhe Amerikës Jugore do të jenë të
    merituar – do të thoshin kozmopolitët apo do të jenë
    fajtorë - do të thoshin kundërshtarët e tyre - pse
    lartmadhëria e saj gjeografia pothuaj ka rënë prej fronit
    të lartë të identitetit.

    Pse mund të thuhet kështu?

    Mund të thuhet kështu sepse janë të shumtë shembujt që e
    dëshmojnë shfronësimin e gjeografisë në mbretërinë e
    identitetit.

    Nuk ka dyshim se dikur, para zbulimit të kontinenteve të
    reja, gjeografia e kontinentit të Australisë e përcaktonte
    identitetin (fizik, shoqëror dhe kulturor) e aborixhanëve;
    gjeografia e Amerikës e përcaktonte identitetin e majëve,
    inkëve, shoshonëve, çejenëve, apaçëve, komançëve e të
    fiseve të tjera indiane; gjeografia e kontinentit të
    Afrikës e përcaktonte identitetin e zezakëve, të arabëve
    dhe të popujve a grupeve të tjera që në atë kontinent
    jetonin; gjeografia e kontinentit të Azisë e përcaktonte
    identitetin e persianëve, tani të quajtur iranas, të
    afganëve, të kinezëve, të japonezëve, të vietnamezëve, të
    hindusve, të tajlandezëve e të tjerëve. Ajo kohë, ndërkaq,
    ka kaluar përgjithmonë dhe nuk do të kthehet më.
    Kontinentet e reja, Amerika dhe Australia, janë banuar me
    popullsi të kontinenteve të vjetra, para së gjithash, me
    popullsi të Evropës, të Afrikës dhe të Azisë. Prej gjysmës
    së dytë të shekullit njëzet, lëvizjet e njerëzve prej
    shteti në shtet, prej kontinenti në kontinent janë bërë më
    të shpeshta. Tani njerëzit sikur e marrin gjeografinë me
    vete: në shpinë dhe në shpirt.

    çka po shohim tani?

    Tani po shohim, natyrisht ata që duan të shohin, se
    anglezët, skocezët dhe irlandezët, fjala vjen, të cilëve
    dikur ua përcaktonin identitetin ishujt britanikë, e kanë
    ruajtur identitetin e tyre historikë edhe në Amerikë, në
    Kanada, në Australi dhe në Republikën Jugafrikane,
    natyrisht, të pasuruar me përbërës apo me ngjyresa
    përbërësish, që ka sjellë koha dhe që ka sjellë
    bashkëjetesa me popuj të tjerë në ato kontinente. Apo jo?
    Arabët jetojnë në dy kontinente, në kontinentin e Azisë dhe
    në kontinentin e Afrikës, prej të cilëve Ismail Kadare,
    pikërisht pse arabët jetojnë atje, përpiqet aq shumë ta
    largojë Evropën, sidomos, Shqipërinë, por arabët e
    kontinentit aziatik pothuajse nuk ndryshojnë prej arabëve
    të kontinentit afrikan: kanë të njëjtin identitet - arab,
    me prejardhje, me gjuhë, me fe, me kulturë, me qytetërim
    pothuaj të njëjtë.

    T'i afrohemi edhe më tepër Evropës.

    Turqit jetojnë në kontinentin e Azisë dhe në kontinentin e
    Evropës, që janë të ndarë nga Bosfori, por turqit e Turqisë
    evropiane nuk ndryshojnë me asnjë përbërës të identitetit
    prej turqve të Azisë.

    Rusët jetojnë edhe në Evropë edhe në Azi, por rusët e
    kontinentit evropian kanë të njëjtin identitet që kanë
    rusët aziatikë.

    Shqiptarët jetojnë në Ballkan, në këtë pjesë të skajshme të
    Evropës, e jetojnë edhe në SHBA-të, në Kanada dhe në
    Australi, por shqiptarët ballkanikë, që kanë pasur rastin
    të vizitojnë bashkëkombësit e tyre në ato kontinente, nuk
    thonë se e kanë ndryshuar identitetin, së paku jo ata që
    kanë lindur në Ballkan. Përkundrazi. Thonë se shqiptarët që
    jetojnë në kontinente të tjera nuk janë më pak shqiptarë se
    ne në Ballkan: e kanë tejçuar atje identitetin kombëtar dhe
    e ruajnë traditën kulturore me shumë dashuri.

    Se sa është bërë I paqëndrueshëm roli I gjeografisë në
    përcaktimin e identitetit të popujve e të grupeve të
    ndryshme etnike në këtë planet më së miri, ndoshta, e
    tregojnë hebrenjtë. Fati tragjik historik i ka shpërndarë
    në disa kontinente, në vende të ndryshme të kontinentit
    evropian, të kontinentit aziatik dhe të kontinentit
    amerikan, por, prapë, edhe nëse përpiqen shumë që t'u
    përshtaten kushteve politike, shoqërore, kulturore në
    vendet ku jetojnë, prapë e ruajnë identitetin historik të
    hebrenjve.

    Por, sa i paqëndrueshëm është bërë ndikimi i gjeografisë në
    identitetin e popujve e të grupeve të ndryshme na e thotë
    edhe deklarata e shkrimtares së njohur amerikane, Emili
    Dikinson. I takonte brezit të ashtuquajtur brezi i humbur i
    shkrimtarëve amerikanë; kishte vendosur të jetonte një kohë
    larg Atdheut të vet - në Evropë, në Paris. Kur, më një
    rast, miqtë evropianë e pyesin: a frikësohet se duke jetuar
    aq gjatë larg Atdheut, larg SHBA-ve, do të mbetet pa
    rrënjë, ajo do të përgjigjet: "çka më duhen rrënjët në
    qoftë se nuk janë rrënjë që mund t'i marr me vete". Kjo
    shkrimtare, me popullorësi, kryesisht, të paktë, por,
    megjithatë, shkrimtare gjeniale, para Luftës së Dytë
    Botërore e kishte vërejtur atë që ne as shtatëdhjetë vjet
    pas saj nuk po e vërejmë: se gjeografia nuk është më çka
    ishte. Kush ju beson të dhënave sendore mund të bindet se
    të njëjtën fjali të shkrimtares amerikane do të mund ta
    shqiptonin edhe Fani Noli, Faik Konica, Arshi Pipa, që kanë
    jetuar dhe kanë vdekur në SHBA-të, Naim Frashëri e Sami
    Frashëri, që kanë jetuar dhe kanë vdekur në Azi, në
    Stamboll; Vaso Pasha që ka vdekur në Azi, në Liban; Andon
    Zako çajupi që ka vdekur në Afrikë, në Egjipt; Filip
    Shiroka që ka jetuar dhe ka vdekur në Azi, në Liban, dhe,
    sot, Naum Prifti dhe Naim Balidemaj, që jetojnë e krijojnë
    në Nju-Jork.

    ç'duan të thonë të gjitha këto të dhëna?
    Duan të thonë, ndoshta, se gjeografinë mund ta shpallin
    edhe më tej faktor vendimtar në përcaktimin e identitetit
    të popujve e të grupeve të ndryshme etnike vetëm ata
    politikanë e intelektualë, të cilët, kur flasin për
    gjeografinë dhe identitetin, në thelb mendojnë për
    gjeografinë e kohës së Kristofor Kolombos. Harrojnë se,
    përpos lëvizjeve të njerëzve prej kontinenti në kontinent,
    edhe teknika e teknologjia, mediat elektronike, interneti
    dhe globalizimi i egër, ndikojnë në identitetin e popujve
    më shumë se gjeografia e shfronësuar.

    ç'duan të thonë të gjitha këto?

    Duan të thonë, ndoshta, se që nga zbulimet e Kristofor
    Kolombos e këndej e, sidomos, që nga Revolucioni i Madh
    Francez, më 1789 e këndej, shumëfish më tepër se gjeografia
    është gjeopolitika, pra, politika e të fuqishmëve dhe e të
    pasurve, ajo që luan rol të "perëndishëm" në identitetin e
    vartësve të të gjitha llojeve.

    Identiteti dhe kultura

    Përpos gjeografisë, Ismail Kadare do ta vërë edhe kulturën
    në shërbimin e përpjekjeve të tij për përgjithmonë me
    përbërësit myslimanë të identitetit të shqiptarëve. Është
    bindur, më në fund, se vetëm me gjeografinë nuk e ka kryer
    punën. Përpos nocioneve, më së shpeshti të pasqaruara a të
    keqkuptuara, do të përdorë ai edhe krahasime, metafora e
    simbole për t'imohuar e, kur nuk arrin t'i mohojë, për t'I
    zhvlerësuar ata përbërës. Si shkrimtar do ta quajë të
    arsyeshme apo, ndoshta, edhe të obligueshme që më së pari
    të qërojë hesape me letërsinë e bejtexhinjve, e cila, sipas
    tij, është fryt i luftës që bënte Perandoria otomane, "për
    zbehjen e identitetit shqiptar dhe zëvendësimin me atë
    otoman", edhe pse kjo letërsi nuk ka luajtur ndonjë rol të
    veçantë në krijimin a mbajtjen e identitetit të shqiptarëve
    myslimanë. Në këtë betejë fitoren e pandeh të paracaktuar,
    për ç'arsye edhe mund të shkruajë: "Letërsia e
    bejtexhinjve, për shembull, njëfarë brumi i përzier
    shqiptaro-turk, u thye përfundimisht, si një sajesë prej
    qerpiçi prej murit hijerëndë e monumental, ndonëse të
    ftohtë, të traditës së letërsisë dygjuhëshe
    shqiptaro-latine".

    Sa më kujtohet, as Osman Myderrizi, as studiuesit e tjerë
    të paktë para tij apo pas tij të letërsisë së bejtexhinjve,
    nuk kanë shkruar se autorët e saj ishin të detyruar prej
    pushtetit turk që të shkruanin ashtu siç shkruanin,
    domethënë se ajo letërsi ishte e tillë çfarë ishte sepse në
    Perandorinë Otomane kishte një doktrinë teorike-letrare
    dogmatike, së cilës, deshën s'deshën, ishin të detyruar t'i
    përmbaheshin shkrimtarët, në radhë të parë shkrimtarët
    shqiptarë. Sa dihet, në Perandorinë Otomane nuk kishte një
    formacion letrar, që do të quhej "realizmi otoman" apo,
    "realizmi despotik". Perandoria Otomane, si e thonë
    historianë të saj evropianë, që kanë jetuar në Stamboll si
    përfaqësues diplomatikë të vendeve të tyre evropiane, ishte
    një shtet kur më pak e kur më shumë despotik, si mbretëritë
    e asaj kohe në Evropë. Ka madje historianë evropianë që
    thonë se Perandoria Otomane, së paku deri në shekullin XIX,
    ishte shtet që e karakterizonte toleranca etnike. Mos të
    ishte kështu, thonë ata, nuk do të mbahej aq gjatë. Në këtë
    mbretëri ngjante, sigurisht, shpesh, që fatkëqijtë e
    shpallur fajtorë të nguleshin në hunj, por edhe në
    mbretëritë evropiane ngjante që fatkëqijtë e shpallur
    fajtorë të digjeshin në turrë të drurëve!

    Mund të besohet se ndonjëri nga të dënuarit më parë do të
    zgjidhte djegien në zjarr se nguljen në hu, por mund të
    kishte edhe të tillë që më parë do të zgjidhte nguljen në
    hu se djegien në zjarr! Barbaria politike ishte ligji i
    kohës edhe në Azi edhe në Evropë. Bejtexhinjtë shqiptarë
    shkruanin ashtu siç shkruanin jo pse ishin të detyruar t'i
    nënshtroheshin luftës së Perandorisë Otomane "për zbehjen e
    identitetit shqiptar" dhe për "gjymtimin e trurit të tyre",
    por pse vetë, vullnetarisht, kishin vendosur të shkruanin
    ashtu: përzieshëm!

    Letërsia e bejtexhinjve shkruhej prej vetjeve, që kishin
    kryer farë shkolle fetare në gjuhën turke, arabe a
    persiane, ashtu siç shkruhej letërsia e krishterë prej
    vetjeve që kishin kryer farë shkolle a fakulteti në gjuhën
    latine. Ajo shkruhej prej vetjeve, të cilët, si shumëherë
    dhe shumëkund gjatë historisë, e kishin pranuar pushtetin,
    gjuhën, kulturën, p o l i t i k ë n , ideologjinë,
    zakonësinë, rendin shoqëror të pushtuesit: të pushtuesit
    despotik, i cili, megjithatë, vëllezërit e tyre të besimit
    katolik dhe ortodoks i lejonte të shkruanin qoftë shqip,
    qoftë latinisht, qoftë greqisht apo italisht. E tillë çfarë
    ishte ajo përfaqësonte për ta dhe lexuesit e tyre shijen e
    kohës, besimin dhe iluzionin e kohës. Letërsia e
    bejtexhinjve ishte, pra, shprehje e vullnetshme e autorëve
    të saj, ashtu siç ishte letërsia katolike apo ortodokse
    shprehje e vullnetshme e autorëve të tyre, ashtu siç ishte
    letërsia e realizmit socialist shprehje e vullnetshme, edhe
    teorikisht e mbështetur, e Ismail Kadaresë në kohën e
    komunizmit. Letërsia e bejtexhinjve shkruhej mbi temat
    fetare, si edhe letërsia e krishterë. Letërsia e
    bejtexhinjve, ndërkaq, më shpesh se letërsia e krishterë,
    shkruhej edhe mbi tema laike dhe kjo do të thotë se
    tematikisht ishte më e pasur se ajo. Po t'i vlerësojmë
    artistikisht, pa paragjykime fetare, letërsinë e
    bejtexhinjve dhe letërsinë e krishterë do të mund të themi
    se nuk dallojnë shumë njëra prej tjetrës, me përjashtim të
    sibilave të Pjetër Bogdanit që shquhen me vlerë estetike:
    janë letërsi me vlera kryesisht modeste artistike. Por, aq
    sa e ul vlerën e letërsisë së bejtexhinjve leksiku i huaj -
    turk, arab dhe persian, po aq e shton vlerën historike
    gjuhësore të letërsisë së krishterë, në mënyrë të veçantë
    të letërsisë katolike, pikërisht gjuha shqipe e përdorur në
    të sado me shumë shtresa të huaja.

    Ismail Kadare na bën me dije, i gëzueshëm, se letërsia e
    bejtexhinjve na qenka thyer përfundimisht "si një sajesë
    prej qerpiçi" prej "murit hijerëndë e monumental, ndonëse
    të ftohtë, të traditës së letërsisë dygjuhëshe shqiptaro-
    latine". As historia e letërsisë shqipe, as historia
    politike e popullit shqiptar nuk e dëshmojnë këtë pohim
    poetik. Letërsia dygjuhëshe shqiptaro-latine asnjëherë,
    gjatë asnjë shekulli, nuk ia ka vënë përpara letërsisë së
    bejtexhinjve murin e saj "hijerëndë e monumental", prandaj
    edhe nuk e ka thyer, siç thuhet, "si një sajesë prej
    qerpiçi". Letërsitë nuk qërojnë hesape mes vetes as me
    mure, as me qerpiçë! Letërsitë dygjuhëshe shqiptarolatine,
    shqiptaro-greke dhe shqiptaro- turke, shqiptaro-arabe kanë
    bashkëjetuar, duke mos u takuar apo duke u takuar rrallë e
    tek, deri në gjysmën e dytë të shekullit nëntëmbëdhjetë. Jo
    ato njëra- tjetrën, po vetëm letërsia e Rilindjes
    Kombëtare, që në jetën e popullit shqiptar sjell idenë
    laike as katolike, as ortodokse, as myslimane, që kryetemë
    të saj bën Kombin në vend të Fesë, do t'i tregojë
    historikisht jo përkatëse, historikisht të tejkaluara ato
    letërsi. Shkrimtarët e Rilindjes do t'i pranojnë ato si
    traditë të vetën, pavarësisht prej ideologjive fetare në të
    cilat mbështeteshin jo për arsye artistike sa për arsye se,
    duke i pranuar që të tria, mund të ndërtohej ideologjia
    kombëtare shqiptare mbi sloganin: fe e shqiptarëve është
    shqiptaria. Ata I trajtonin ato letërsi të barasvlershme
    qoftë edhe pse ishin të vetëdijshëm se nuk kishte arsye as
    etnike, as shoqërore, as ideologjike që autorët e njërës
    prej tyre të shpalleshin më të aftë, më të talentuar se
    autorët e të tjerave.

    Mendja e shëndoshë nuk do t'I quante më të pa dhunti
    krijuese bejtexhinjtë se krijuesit e letërsisë së krishterë
    vetëm pse ishin myslimanë.

    Sado letërsia e Rilindjes kombëtare e bënte historikisht të
    tejkaluar, letërsia e bejtexhinjve, si edhe letërsia e
    krishterë, do të vazhdojë të shkruhet edhe më vonë, në
    Kosovë, madje, deri te Lufta e Dytë Botërore.

    Qëndrimi tepër subjektiv, nga pikëpamje historiko-letrare I
    paarsyeshëm, i Ismail Kadaresë ndaj letërsisë së
    bejtexhinjve nuk merr fund me kaq. Ai shkruan se "gjatë
    kohës së komunizmit u bënë shumë përpjekje për ta
    rehabilituar këtë letërsi, me qëllimin meskin për t'ia
    kundërvënë letërsisë tradicionale mesjetare, sidomos asaj
    katolike, që regjimit nuk i pëlqente kurrsesi". Dhe, këto
    përpjekje për "rehabilitimin" e saj bëheshin pavarësisht
    pse studiuesit, që "e morën nëpër duar, e panë se, përveç
    që ishte qesharake për nga niveli, ajo ishte thellësisht e
    pamoralshme".

    E pse ishte qesharake për nga niveli kjo letërsi?

    Ishte qesharake për nga niveli pse nuk përshkohej prej
    besimit të krishterë si letërsia e krishterë, sidomos ajo
    katolike, po prej besimit mysliman!

    E pse ishte thellësisht e pamoralshme kjo letërsi?

    Ishte thellësisht e pamoralshme jo aq për shkak se pjesa e
    saj erotike ishte e "mbushur me motive ashikësh e
    dylberësh", që Shqipëria mund t'ia paraqiste Evropës sot"
    si dëshmi të habitshme të vizionit të saj të emancipuar për
    homoseksualizmin, dy shekuj përpara Evropës së sotme", por
    pse "e ashtuquajtura letërsi erotike, në një pjesë të madhe
    të saj s'ishte gjë tjetër veçse bejte dhe lavde për
    pedofilinë. Ne - vazhdon Ismail Kadare - i dëgjojmë këto
    këngë edhe sot, por shtiremi sikur nuk i marrim vesh
    ç'thonë. Ato gjëmojnë disa herë nëpër lokalet e natës,
    madje, në programet televizive, e ne prapë shtiremi se nuk
    i kuptojmë".

    Kjo që thotë shkrimtari ynë është e vërtetë: në pjesën
    erotike të kësaj letërsie kishte, si të themi, pornografi,
    kishte homoseksualizëm, kishte ashikë e dylberë, kishte,
    ndoshta, edhe "bejte dhe lavde për pedofilinë"! Kishte
    shumë çka nga ato që mund të shihen e mund të dëgjohen edhe
    në një pjesë të nënkulturës së sotme masive. Por, lexuesit
    e sprovës së Ismail Kadaresë Identiteti evropian i
    shqiptarëve, që mund të kenë dëgjuar dhe lexuar se kush
    ishte kush në kohën e komunizmit, mund ta pyesin Ismail
    Kadarenë: ti që ishe gjatë deputet i Kuvendit të Republikës
    Popullore të Shqipërisë, që ishe, njëkohësisht, nënkryetar
    i Frontit Popullor të Shqipërisë, që edhe deputet, edhe
    nënkryetar i Frontit Popullor ishe përzgjedhur si
    përfaqësuesi më i shquar i letërsisë, një, si mund të
    thuhet, ideolog i krijimtarisë artistike komuniste, pse nuk
    e ngrije zërin kundër rehabilitimit të letërsisë së
    bejtexhinjve dhe kundër diskriminimit të letërsisë së
    krishterë, sidomos asaj katolike? Do të kishe argumente të
    fuqishme: ruajtjen e masave popullore prej atyre që
    këndoheshin në atë letërsi: prej homoseksualizmit, që aq
    fort e dënonte komunizmi dhe prej pedofilisë, që aq fort e
    dënonte edhe komunizmi dhe e gjithë bota? Pse i lejoje
    vetes të shkruaje në sprovën Mbi ndikimet e huaja dhe
    karakterin kombëtar të letërsisë, me të cilën i jepje
    përgjigje sprovës së Rexhep Qosjes Letërsia kombëtare dhe
    letërsia botërore ose afrimi përmes ndryshimeve: "Nuk ishte
    pak për letërsinë tonë (të realizmit socialist - R.Q) që në
    këta tridhjetë vjet të jetës së saj të ngrihet si një
    protestë kundër botës së vjetër, të ndante llogaritë një
    herë e përgjithmonë prej letërsisë reaksionare zyrtare,
    dekadente dhe klerikale të së kaluarës..."?

    Po mirë, të mos kërkojmë mikut kosovar me uar Ismail Kadare
    të gjeografisë në ntitetit të popujve ndryshme që ata in e
    kulturës në titetit të shqiptarëve shumë prej Ismail
    Kadaresë në atë kohë kur nuk ishte e lehtë të thoshe
    lirisht çka mendoje, sidomos çka mendoje në kundërshtim me
    mendimet zyrtare, sado në Shqipëri edhe në atë kohë kishte
    intelektualë dhe qytetarë të zakonshëm që e thoshin
    mendimin mospajtues pavarësisht prej pasojave. Por, hajde,
    ta kërkojmë të drejtën dhe të vërtetën prej Ismail Kadaresë
    sot! Në qoftë se me të drejtë ngre zërin kundër
    pornografisë tradicionale në letërsinë e bejtexhinjve e në
    këngët popullore, pse nuk ngre zërin edhe kundër
    pornografisë në nënkulturën tonë të sotme? Mos pse ajo e
    para shprehet në gjirin e ideologjisë fetare myslimane,
    kurse kjo e dyta nuk është në lidhje me këtë ideologji
    fetare? Në qoftë se Ismail Kadarenë e shqetësojnë lokalet
    dhe televizionet, në të cilat, ja, këndohen këngë për
    ashikët, dylberët, pedofilët, pse nuk e shqetësojnë po aq
    edhe filmat pornografikë, në të cilët vajza të reja
    përjetojnë përuljen më të shtazërishme që mund të
    imagjinohet e që jepen rregullisht në shumë televizione në
    botë, që i shohin të rinjtë dhe qytetarët tanë, që duan t'I
    shohin? Në qoftë se sinqerisht e shqetësojnë këngët për
    dylberët, ashikët dhe pedofilët, pse nuk e shqetësojnë edhe
    këngët e shfrenimet pornografike në klubet e natës, në të
    cilat për joshje ashikërie përdoren edhe lloje të ndryshme
    të drogës? Pse nuk e ngre zërin edhe kundër këtij
    zhgruanimi, "zhburrërimi e zvetënimi moral të pashembullt"?


    Mos pse ajo e para na qenka Lindje, kurse kjo e dyta
    Perëndim?

    Mos pse kjo e dyta është dëshmi e identitetit modern
    evropian, kurse ajo e para ishte dëshmi e identitetit
    "lëngaraq", si e quan Ismail Kadare identitetin mysliman,
    të cilin identiteti shqiptar, "si një luan i zgjidhur nga
    zinxhiri", bënte përpjekje ta hidhte "si leckë"! Bukur!
    Identiteti, si luan me zinxhirë në qafë! Ku është parë luan
    i tillë? Me zinxhirë në qafë!

    Betejës së pabarabartë mes identitetit mysliman dhe
    identitetit shqiptar pas çlirimit nga Perandoria Otomane i
    jep fund vetë Ismail Kadare kur thotë: "Kombet nuk
    ndryshohen as nga pushtimet e as nga konvertimet". Për të
    dëshmuar sa serioz, sa shkencor, sa i qëndrueshëm është ky
    pohim i Kadaresë po e japim një të dhënë. Në Enciklopedinë
    linguistike të Kembrixhit, të autorit Dejvid Kristal,
    shkruan se deri sot, në botë, janë shuar rreth njëzetmijë
    gjuhë, që ishin gjuhë të grupeve të vogla etnike, të fiseve
    dhe të popujve. Me to mund të besohet se janë shuar a janë
    përvetuar nga popuj të tjerë edhe folësit e tyre. Dhe, mund
    të besohet se numri më i madh i këtyre grupeve, fiseve dhe
    popujve janë shuar a janë përvetuar nga popuj të tjerë si
    pasojë e pushtimeve dhe e kolonializmit.

    Edhe historia shqiptare e përgënjeshtron përgjithësimin
    "teorik" të Ismail Kadaresë: pushtimi turk ka sjellë
    konvertimin e mbi dy të tretave të popullit shqiptar, kurse
    ky konvertim ka sjellë një identitet fetar, identitetin
    fetar mysliman, si përbërës I identitetit të përgjithshëm,
    historik shqiptar: i identitetit kombëtar shqiptar.
    Domethënë: kombet mund të ndryshohen shumë edhe nga
    pushtimet, edhe, sidomos, nga konvertimet.

    Thirrje për kthim në fenë e të parëve
    Përpos në Shqipërinë shtetërore, ku, thotë Ismail Kadare,
    përkraheshin prej komunizmit, bejteve, muzikës, këngëve,
    veshjeve, në përgjithësi, traditës myslimane, shqiptarët do
    t'ia shohin sherrin edhe në ish-Jugosllavinë. Dhe, do t'ia
    shohin sherrin jo vetëm në Jugosllavinë mbretërore, por
    edhe në Jugosllavinë komuniste.

    Duke filluar prej viteve të 50-ta të shekullit njëzet,
    shkruan ai, shqiptarët po treteshin: " I gjithë ngjyrimi
    kombëtar po zbehej me shpejtësi. Muzika po orientalizohej
    më fort se më parë, veshjet e famshme tradicionale, ato që
    edhe gjatë periudhës së gjatë otomane ishin ruajtur, po
    zëvendësoheshin, jo prej veshjeje të kohës si kudo, por me
    petka arabe, që nuk ishin njohur kurrë në këtë vend.
    Jugosllavia, kjo primadonë e "botës së tretë", po i ofronte
    kësaj bote popullsinë më të padëshiruar të saj, shqiptarët.
    Ajo përpiqej që këta të ngjanin sa më pak evropianë e aq më
    shumë afrikano-veriorë e aziatikë". Megjithëse në fund të
    kësaj fjalie do të duhej të vihej, së paku një pikëçuditje,
    Ismail Kadare e vë një pikë të zakonshme! Jugosllavia,
    "primadona" e botës së tretë, po i afronte asaj bote
    popullsinë më të padëshiruar: shqiptarët në ndryshorin
    (variantin) afrikano-verior dhe aziatik! Domethënë:
    popullsia më e padëshiruar e kësaj bote nuk ishin
    shqiptarët, po vetëm shqiptarët që ngjanin "më pak
    evropianë e aq më shumë afrikanoveriorë e aziatikë"!
    Përfundimi i gjykimit të këtillë të Ismail Kadaresë është
    ky: afrikano-veriori dhe aziatiku, për shkak se dallojnë
    prej evropianit, nuk kanë dinjitet të barasvlershëm me të.
    Ja edhe një shpërthim racist i shkrimtarit tonë - edhe një
    qërim hesapesh me turqit dhe me arabët!

    Nuk ka dyshim se si në Jugosllavinë mbretërore ashtu edhe
    në Jugosllavinë komuniste janë bërë përpjekje të ndryshme
    për shkombëzimin e shqiptarëve. Përpjekje për shkombëzimin
    e tyre, gjithsesi shumë djallëzore, ishte regjistrimi pa I
    pyetur, i një numri shqiptarësh si myslimanë apo si turq!
    Por, as në Jugosllavinë mbretërore, as në Jugosllavinë
    komuniste shqiptarët as nuk janë kandisur, as nuk janë
    detyruar që të orientalizojnë muzikën e tyre, veshjen e
    tyre, pamjen e tyre vetëm e vetëm që të ngjajnë sa më pak
    evropianë e sa më shumë aziatikë, domethënë turq dhe
    afrikano- veriorë, domethënë arabë. Jo. Përkundrazi: ka
    ngjarë që detyrueshëm të "çaziatizohen" dhe të
    "çafrikanizohen"! Kështu, për shembull; grave, në shumë
    raste, me dhunë u është hequr ferexheja. Aziatizim dhe
    afrikanizim folklorik i shqiptarëve në Kosovë, "duke
    filluar prej viteve të 50-ta të shekullit njëzet", nuk ka
    ngjarë. As në Jugosllavinë mbretërore, as në Jugosllavinë
    komuniste, turqit nuk janë përbuzur, përkundrazi: janë
    çmuar. Kudo ishin në Jugosllavi - në Kosovë, në Maqedoni,
    ata ishin një si shtresë e lartë; në Kosovë ata ishin
    qytetarët e qytetëruar të Kosovës, fisnikët e Kosovës. Ata
    trajtoheshin kështu qoftë edhe për shkak se si Jugosllavia
    mbretërore ashtu edhe Jugosllavia komuniste kishte
    marrëdhënie politike dhe shtetërore me Turqinë të mira, në
    situata të veçanta, jashtëzakonisht të mira, kurse babai i
    Turqisë moderne, Ataturku, kishte qenë mik i mbretit
    Aleksandër, ashtu siç kishte qenë kryetari i mëvonshëm,
    gjeneral Evreni, mik i Josip Broz Titos.

    Në Serbi dhe, në përgjithësi, në Jugosllavi nuk përbuzeshin
    siç i përbuz Ismail Kadare as veshja, as muzika turke apo
    arabe. Si muzika e veshja ashtu edhe veçori të tjera
    orientale të kulturës serbe shiheshin si një mbetje
    historike, që do të duhej të ruhej në muze, në teatër apo
    në festivale të këngës popullore. Të rinjtë shqiptarë, që
    kanë studiuar në universitetin e Beogradit, mbajnë mend se
    në dekanatin dhe sallat e Fakultetit të Gjuhës dhe të
    Letërsisë Serbe mbahej portreti I madh me fes në kokë i
    themeluesit të gjuhës letrare serbe, Vuk Stefanoviq
    Karaxhiqit, i cili njihet edhe si autor i sloganit ku jeton
    qoftë edhe një serb është tokë serbe, që do të bëhet
    slogani i nacionalizmit pushtues serb, duke filluar prej
    gjysmës së parë të shekullit nëntëmbëdhjetë. Në teatrot
    serbe, qoftë edhe në Beograd, më shpesh se asnjë shfaqje
    tjetër do të shihej shfaqja e punuar sipas dramës së
    shkrimtarit serb, Borisllav Stankoviq, Koshtana, në të
    cilën të gjithë personazhet janë të veshur siç ishin veshur
    në kohën e Perandorisë Otomane - allaturka dhe argëtoheshin
    siç ishin argëtuar atëherë - allaturka!

    Ata që urreheshin në Jugosllavi, ata që përbuzeshin në
    Jugosllavi, në Jugosllavinë mbretërore dhe në Jugosllavinë
    komuniste, mund të ishin vetëm shqiptarët. Ata ishin të
    paracaktuar për të bërë punët më të rënda dhe më të pista
    në Beograd e në qytete të tjera si më të mëdha në të dy
    Jugosllavitë: për të bartur qymyrin dhe për të fshirë
    rrugët.

    Dhe ata që ishin të paracaktuar për dajakun e policisë dhe
    për plumbat e ushtrisë serbe kudo e, sidomos, në kufirin me
    nënën Shqipëri, ishin kësulëbardhët - shqiptarët, që mbanin
    në kokë qylafin, që i binin fyellit dhe çiftelisë! Vetëm
    ata, thuhej në Klubin kulturor serb, ku përpunohej
    strategjia e zgjidhjes përfundimtare të çështjes shqiptare
    e ku ishte paraqitur edhe projekti i Vasa çubrilloviqit
    Shpërngulja e arnautëve - para Luftës së Dytë Botërore dhe
    në UDB-në e Rankoviqit – pas Luftës së Dytë Botërore, e
    mbajnë kombin sepse vetëm ata nuk e ndërrojnë qykën lehtë!
    Në kohën kur Sllobodan Millosheviqi e kishte filluar të
    ashtuquajturin jogurt - revolucionin, me qëllim që të
    përmbyste autonominë e Kosovës të njohur në vitin 1974 dhe,
    ashtu, mandej, t'I ndryshonte marrëdhëniet kushtetutore mes
    republikave të ish-Jugosllavisë, serbëve që prej Kosovës
    shkonin nëpër Serbi për ta shprehur zëshëm mosdurimin e
    tyre ndaj shqiptarëve, në Novi Sad të Vojvodinës, u thuhej:
    kthehuni atje prej nga keni ardhur dhe qërojini hesapet me
    ato kokat e gjipsuara! Vetëm ata ju vijnë haqesh ju! Jo
    shqiptarët që Ismail Kadare i pandeh të veshur në rroba
    turke (aziatike -thotë ai) dhe arabe (afrikanoveriore -
    thotë ai) po shqiptarët, me kokë "të gjipsuar", ishin ata
    që duhej të dëboheshin prej Kosovës, sepse prej tyre, prej
    vitalitetit të tyre, prej qykës së tyre, frikësoheshin
    serbomëdhenjtë. Do ta provojmë këtë në vitin 1998 dhe në
    gjysmën e parë të vitit 1999: fshati shqiptar ishte ai mbi
    të cilin u derdh gjithë tërbimi i shtazërishëm i
    paramilitarëve, I policive në uniforma të ndryshme dhe i
    ushtrisë serbe dhe I cili u "pastrua etnikisht", për fat,
    vetëm përkohësisht. E, këta, "primadona e botës së tretë",
    Jugosllavia, nuk do të denjonte t'i vishte në veshjet e
    miqve të atëhershëm politikë: të turqve dhe arabëve.

    Qëllimin e këtyre bredhjeve të tij fetare,
    politiko-historike, nëpër Jugosllavinë mbretërore dhe
    Jugosllavinë komuniste, Ismail Kadare do ta shpjegojë vetë
    kur shkruan: "Një shekull më pas - thotë ai - duke e
    zgjatur harkun kohor në një shekull edhe pse rrëfimin për
    orientalizimin e shqiptarëve në Jugosllavi e kishte filluar
    nga vitet e 50-ta të shekullit njëzet - kundër propagandës
    serbe që këmbëngulte t'i jepte shqiptarët si turq apo
    aziatikë të ardhur vonë në Ballkan, dhjetëra mijëra të rinj
    myslimanë shqiptarë më 1981-shin e 1991- shin, kërkuan
    rrënjët e krishterimit të hershëm shqiptar, aspak për arsye
    fetare, por thjesht për të treguar se populli I tyre kishte
    qenë ngulitur në Kosovë shumë shekuj përpara sllavëve".

    Sa shumë do të befasohen "të rinjtë myslimanë shqiptarë"
    kur ta lexojnë këtë pohim propagandistik të koniunkturshëm
    të Ismail Kadaresë. Rinia studentore dhe shkollore e
    Kosovës, as në vitin 1981, as në vitin 1989-1990, nuk është
    ngritur në demonstrata "për të kërkuar rrënjët e
    krishterimit të hershëm shqiptar". Demonstratat e vitit
    1981 dhe të vitit 1989-1990 nuk janë bërë as për të kërkuar
    rrënjët e paganizmit ilir, as të krishterimit të hershëm,
    as të krishterimit të vonshëm, as të myslimanizmit të
    hershëm a të vonshëm. Jo dhe jo. Kërkimi i rrënjëve të
    krishterimit të hershëm do të bëhet zbulim I komunistëve të
    kthyer shpejt e shpejt në gjoja demokratë pas viteve të
    '90-ta, të cilët do ta kuptojnë se duke i kërkuar ato
    rrënjë do të mundë të përfitojnë politikisht për karrierat
    e tyre! Dhe, disa prej tyre edhe do të përfitojnë: do të
    dëgjohet për ta dhe do të jenë të ndihmuar në përparimin e
    tyre. Të rinjtë e ngritur në demonstratat e vitit 1981 dhe
    1989-1990 nuk do të kërkojnë rrënjë, sepse ata rrënjët i
    kishin me vete si në shtëpi, në shkolla e në fakultete
    ashtu edhe në demonstrata. Në qoftë se, megjithatë, do të
    pranojmë se do farë rrënjësh i kërkonin, atëherë duhet të
    thuhet e vërteta: të vetmet rrënjë që disa prej tyre
    kërkonin më 1981, fatkeqësisht, ishin rrënjët
    marksiste-leniniste!

    Ata nuk ishin ngritur në demonstrata as "për të treguar se
    populli i tyre kishte qenë ngulitur në Kosovë shumë shekuj
    përpara sllavëve". Ata brohorisnin: jemi shqiptarë jo
    sllavë, jo për të thënë se shqiptarët janë rrënjës, banorë
    më të hershëm të Kosovës se serbët, po për të thënë se
    Kosova as etnikisht, as historikisht s'i takon
    Jugosllavisë. Ata nuk ishin ngritur në demonstrata as për
    arsye fetare, as për arsye arkeologjike, historike a
    linguistike. Për këtë as nuk kishin nevojë, as nuk kishin
    kohë. Ngulitjen e popullit të tyre në Kosovë përpara
    sllavëve e kishin dëshmuar arkeologët, historianët dhe
    gjuhëtarët e shquar shqiptarë: Hasan Ceka, Skënder Anamali,
    Muzafer Korkuti, Vangjel Toçi, Neritan Ceka, Aleks Buda,
    Arben Puto, Kristo Frashëri, Stefanaq Pollo, Kristaq
    Prifti, Ali Hadri, Gazmend Shpuza, Eqrem çabej, një varg
    shkencëtarësh të huaj - gjermanë, francezë, italianë,
    bullgarë, kroatë, boshnjakë, madje, edhe ndonjë serb. Ata
    nuk e lodhnin mendjen atëherë të shqiptojnë në demonstrata
    parullat fetare që Ismail Kadaresë do t'i duhen dhjetë a
    njëzetepesë vjet më vonë për koniunkturën e tij politike
    dhe letrare. Ata ishin ngritur në demonstrata për ta bërë
    botore një kërkesë shumë më të rëndësishme: kërkesën për
    Kosovën republikë e cila, mbasi të bëhej republikë, do të
    mundë të bashkohej me, si thuhej atëherë, shtetin amë -
    Shqipërinë.

    Cili s'është misioni I Shqipërisë

    Nxitimi për të qenë politikisht i koniunkturshëm atje ku ai
    shumë dëshiron të jetë i koniunkturshëm, do të bëjë që
    Ismail Kadare të predikojë një ide politike oh sa të
    palejueshme për Shqipërinë dhe një ide politike, oh sa të
    palejueshme për të si krijues!

    Ta dëgjojmë me ç'vetëbesim e predikon këtë ide ai.

    "Klisheja krejtësisht e gabuar e përftimit të Shqipërisë si
    vend ndërmjetës, një sanduiç midis Lindjes dhe Perëndimit,
    një qytetërim as ashtu, as kështu, thënë ndryshe një "vend
    i as-asit", s'na bën kurrfarë nderi. Së pari, sepse nuk
    është e vërtetë, së dyti, sepse të lakmosh një cilësim të
    tillë, është njëlloj si të vetëshpallesh "gjysmak", që në
    shqip midis të tjerash do të thotë "tarrallak". Ideja e
    përhapur andejkëndej, dhe fatkeqësisht e përkrahur nga
    Qosja, se "fati ynë historik është i paracaktuar për të
    sendërtuar zbutjen e kundërshtimeve midis Lindjes dhe
    Perëndimit", të kujton një nga njollat (e) historisë
    shqiptare, kapardisjen e Shqipërisë komuniste për kinse
    misionin e saj planetar për mbrojtjen e
    marksizëm-leninizmit.

    Ide të tilla delirante, ato me të cilat, Shqipëria, për një
    kohë të gjatë, u bë gazi i botës, u kanë ardhur në majë të
    hundës shqiptarëve".

    çfarë margaritari politik!

    çfarë margaritari diplomatik!

    çfarë margaritari historik!

    çfarë margaritari gjuhësorstilistik!

    Për ta kuptuar plotësisht, me të gjitha ngjyresat
    politiko-diplomatike, dhe tragjiko-komike këtë katekizëm
    politik të Ismail Kadaresë është e nevojshme ta kthejmë në
    trajtë të bashkëbisedimit.

    çka është pohimi i Rexhep Qosjes se fati historik i
    popullit shqiptar është i paracaktuar për të sendërtuar
    zbutjen e kundërshtimeve midis Lindjes e Perëndimit?

    Është një klishe krejtësisht e gabuar e përftimit të
    Shqipërisë si vend ndërmjetës, një sanduiç midis Lindjes e
    Perëndimit.

    Thënë ndryshe?

    Thënë ndryshe do të thotë një vend i as-as- it.

    çka s'na bën ky pohim i Rexhep Qosjes?

    S'na bën kurrfarë nderi.

    Pse s'na bën kurrfarë nderi pohimi për Shqipërinë si vend
    ndërmjetës, që mund të zbusë kundërshtitë midis Lindjes dhe
    Perëndimit?

    Sepse, kjo së pari nuk është e vërtetë.

    E së dyti?

    Së dyti, sepse të lakmosh një cilësim të tillë, të lakmosh
    të bëhesh ndërmjetës është njëlloj si të vetëshpallesh
    gjysmak.

    çka do të thotë gjysmak në shqip?

    Gjysmak në shqip, midis të tjerash, do të thotë
    "tarrallak".

    A është kjo ide që i pari e paraqet publikisht Rexhep
    Qosja?

    Kjo është ide e përhapur andej-këndej?

    Nuk më kujtohet që për këtë ide të kem lexuar në gazetat
    tona a të kem dëgjuar

    në mediat tona elektronike.

    S'ka përgjigje!

    Idetë e përhapura andej këndej kanë një shqiptues të parë.

    S'ka përgjigje!

    Duket, megjithatë, se shqiptues i parë publik I kësaj ideje
    djallëzore, kësaj klisheje, të jetë Rexhep Qosja.

    S'ka përgjigje!

    çka të kujton kjo ide e Rexhep Qosjes e përftimit të
    Shqipërisë si vend ndërmjetës, një sanduiç midis Lindjes
    dhe Perëndimit, një qytetërim as

    ashtu, as kështu?

    Më kujton një nga njollat e historisë shqiptare,
    kapardisjen e Shqipërisë komuniste për kinse misionin e saj
    planetar për mbrojtjen e marksizëm-leninizmit?

    Ëhë! Po cili është kontributi yt në kapardisjen e
    Shqipërisë komuniste për kinse misionin e saj planetar për
    mbrojtjen e marksizëm-leninizmit?

    S'ka përgjigje!

    Sa kap numri i vjershave, tregimeve, romaneve, sprovave,
    artikujve, referateve, intervistave me të cilat ti i ke
    shërbyer posaçërisht shumë asaj kapardisjeje të Shqipërisë
    në kohën e komunizmit për kinse misionin e saj planetar për
    mbrojtjen e marksizëm- leninizmit?

    S'ka përgjigje!

    A dëshiron t'i përkujtojmë titujt e tyre dhe të shënojmë
    ndonjë citat si më të gjatë? S'ka përgjigje!

    Si mund të cilësohet ideja e Rexhep Qosjes për përftimin e
    Shqipërisë si vend ndërmjetës, një sanduiç midis Lindjes
    dhe Perëndimit, një qytetërim as ashtu, as kështu?

    Mund të cilësohet si ide delirante?

    Deri ku ju kanë ardhur idetë e tilla delirante shqiptarëve?


    Idetë e tilla delirante, me të cilat për një kohë Shqipëria
    u bë gazi i botës, u kanë ardhur në majë të hundës
    shqiptarëve.

    E pse idetë e tilla delirante ju kanë ardhur në majë të
    hundës shqiptarëve? A vetëm pse i shqipton Rexhep Qosja?

    Sepse idetë e tilla po "shkaktojnë çoroditjen kryesore në
    politikën shqiptare. Një pjesë e madhe e politikanëve
    flasin gjithë ditën për Evropën dhe Perëndimin, por
    mendjen, me sa duket, e kanë nga Lindja. Nga Lindja në të
    gjithë gamën që ajo ngërthen: Lindja e Mesme, ish-lindja
    sovjetike, e po të mos mjaftojë kjo, edhe ajo kineze
    maoiste".

    E pabesueshme! Vërtet delirante! Lindjefobi! Myslimanofobi!
    Myslimanofobia e Ismail Kadaresë, vërtet, është delirante!
    Dhe, është e leverdishme!

    • Postime: 532
    • Karma: +1/-0
  • i identifikuar

    #3 ne: 07-05-2006, 06:06:24
    RRESHQITJE POLITIKE DHE INTELEKTUALE

    Bëni krahasim! Sa kundërhistorik e sa shkurtpamës është mendimi i Ismail Kadaresë, gabimisht i pandehur si i koniunkturshëm sot, me të cilin ia mohon Shqipërisë, me mbi dy të tretat e popullsisëmyslimane, misionin që ia kanë paracaktuar historia dhe gjeografia

    NGA REXHEP QOSJA



    Politika e kështjellëzimit

    Shkrimtari Ismail Kadare jo vetëm se kundërshton, dënon, zhvlerëson, duke e quajtur, madje, njollë në historinë e Shqipërisë, pohimin tim se "fati ynë historik është i paracaktuar për të sendërtuar zbutjen e kundërshtimeve mes Lindjes e Perëndimit", por njëkohësisht merr në thumb të gacatores së tij edhe atë pjesë të politikanëve shqiptarë, që bëjnë politikën e bashkëpunimit politik, diplomatik, ekonomik dhe, pse jo, kulturor të Shqipërisë me të gjitha vendet pa dallim race, kombësie, feje, ideologjie. Shihet qartë: Ismail Kadare e ngre zërin, zëshëm, vendosmërisht, kundër çdo kontakti të Shqipërisë me vendet e Lindjes së Afërme e të Lindjes së Mesme, domethënë me vendet islamike, duke përfshirë këtu, madje, edhe ish-republikat aziatike sovjetike, si vende me popullsi kryesisht myslimane. A është e mundshme? Dhe, përpos vendeve myslimane, Ismail Kadare e ngre zërin edhe kundër çdo bashkëpunimi të Shqipërisë me Kinën, e cila, për të, vazhdon të jetë maoiste, si në kohën kur e ka shkruar romanin Dasma - jehonën e revolucionit kulturor kinez në letërsinë shqipe! Siç e këshillonte dikur Shqipërinë komuniste që të mbahej larg, sa më larg, prej imperializmit perëndimor dhe sa më larg prej revizionizmit sovjetik, Ismail Kadare e këshillon tani Shqipërinë demokratike që të mbahet larg, sa më larg, prej vendeve islamike! A ka nevojë fare të shpjegohen burimet dhe frymëzimet e kësaj myslimanofobie në të vërtetë të këtij kështjellëzimi të ri në mënyrë të koniunkturshme të Ismail Kadaresë? Jo. Por ka nevojë të thuhen edhe disa fjalë për zhvlerësimin politik dhe historik që i bën ai mendimit tim mbi fatin e paracaktuar historik të Shqipërisë për zbutjen e kundërshtimeve midis Lindjes dhe Perëndimit. Për fatin e popujve të tyre, dhe për fatin e kulturave e të qytetërimeve të tyre është i madh numri i intelektualëve në Perëndim dhe në Lindje, të cilët as në kohën e Luftës së Ftohtë nuk janë pajtuar me kështjellëzimin e popujve e të shteteve të tyre, të cilët kanë predikuar dhe të cilët predikojnë lidhjet, bashkëpunimet, bashkëmarrëveshjet midis Perëndimit dhe Lindjes, midis qytetërimit të krishterë dhe qytetërimit mysliman. Dhe, fatmirësisht, numri i tyre tani është në rritje si pas Luftës së Dytë Botërore. Janë këta intelektualë, të cilët jo vetëm se nuk e kundërshtonin dhe nuk e kundërshtojnë, dhe jo vetëm se e predikonin dhe e predikojnë, por e quanin dhe e quajnë të fisëm misionin historik të vendit të tyre për zbutjen e kundërshtimeve midis Lindjes dhe Perëndimit. Dhe, për më tepër, këtë fat të rëndë, të vendit të tyre e quanin dhe e quajnë të shenjtë. Po e citoj njërin prej tyre: po e citoj shkrimtarin grek, Nikos Kazanxhakis, i cili në romanin e tij të lavdishëm, një kryevepër e letërsisë botërore, Letër El Grekos, përkthyer shqip nga Miço Gubera e të botuar nga Shtëpia Botuese Eugen, në vitin 2001, përpos të tjerash, shkruan: "Pozicioni i Greqisë është me të vërtetë tragjik; përgjegjësia e Greqisë së sotme është dërrmuese; ajo ngarkon mbi supet tona një detyrë të rrezikshme, të vështirë për t'u plotësuar. Forca të reja ngrihen nga Lindja, po ashtu forca të reja ngrihen nga Perëndimi dhe Greqia qëndron gjithmonë midis këtyre dy shtysave që përplasen e bëhet edhe më shumë vendi i vorbullave. Perëndimi ndjek traditën e logjikës e të kërkimit, turret për të pushtuar botën; Lindja, shtyrë nga forca të tmerrshme të subkoshiencës, përpiqet edhe ajo të pushtojë botë. Greqia, ndërmjet tyre, kryqëzimi gjeografik e shpirtëror i botës, ka detyrë sërishmi t'i pajtojë këta dy sulmues të mëdhenj, duke arritur sintezën e tyre. A do të mundet? Fat i shenjtë, tmerrësisht i hidhur". Bëni krahasim! Sa i thjeshtë është mendimi im për fatin e paracaktuar historik të Shqipërisë për të zbutur kundërshtitë midis Lindjes dhe Perëndimit në krahasim me mendimin e autorit grek, i cili nuk ishte njeri pa paragjykime politike dhe ideologjike, por, megjithatë, ishte humanist i vetëdijshëm për misionin që historia ia kishte caktuar vendit të tij: jo vetëm për të zbutur, si them unë për Shqipërinë, kundërshtimet mes Lindjes e Perëndimit, po për të bërë sintezën e tyre. Bëni krahasim! Sa kundërhistorik e sa shkurtpamës është mendimi i Ismail Kadaresë, gabimisht i pandehur si i koniunkturshëm sot, me të cilin ia mohon Shqipërisë, me mbi dy të tretat e popullsisëmyslimane, misionin që ia kanë paracaktuar historia dhe gjeografia, për të luajtur rol, vërtet, ndërmjetësues, për të qenë jo "sanduiç", po subjekt historik, qytetërues, moral në zbutjen e kundërshtimeve mes Lindjes e Perëndimit sot! Sa përjashtues dhe moralisht i mjerë është mendimi i Ismail Kadaresë në krahasim me mendimin e gjeniut grek, Nikos Kazanxhakis, i cili Greqinë, me fare, fare pak popullsi myslimane dhe jo greke, e sheh si ndërmjetësuese, madje si vend pajtimi, ku do të arrijnë sintezën e tyre Lindja e Perëndimi, i cili Greqinë e sheh çka ajo ishte e do të jetë: kryqëzimi gjeografik e shpirtëror i dy botëve. E kush e sheh njëmendësinë shqiptare të tillë çfarë është, kush e sheh njëmendësinë shqiptare pa paragjykime fetare e politike, kush e sheh njëmendësinë shqiptare pa e shpërnjohur për shkak të leverdive të veta të çastshme, do të thotë: më parë se Greqia - me fare pak popullsi myslimane dhe jogreke, është Shqipëria (me Kosovën dhe Maqedoninë Perëndimore)- me mbi dy të tretat popullsi të besimit mysliman, është, pra, Shqipëria ai kryqëzimi gjeografik dhe shpirtëror i dy botëve, i Lindjes dhe i Perëndimit, që ka misionin historikisht të paracaktuar për zbutjen e kundërshtive të tyre. E kuptueshme. Tokat shqiptare janë ato në të cilat, më dukshëm e më krijueshëm se kudo në Ballkan apo në botë, ka ngjarë takimi i Lindjes dhe i Perëndimit, është arritur bashkimi midis qytetërimit të krishterë dhe qytetërimit mysliman. Kultura dhe qytetërimi shqiptar, ashtu si i ka trashëguar brezi ynë - brezi që i afrohet fundit të jetës, është dëshmia e kësaj. Dhe, bashkëjetesa shumëshekullore e harmonishme fetare në tokat shqiptare është dëshmia e mrekullueshme e kësaj. Dhe, ky mision i paracaktuar i Shqipërisë nuk e nxjerr Shqipërinë sot as gjeografikisht, as shpirtërisht, as politikisht prej Evropës. Përkundrazi, pikërisht për shkak të këtij misioni, do të duhej ta bënte më të dëshiruar për Bashkimin Evropian. Mos mendojmë ne se Evropa dhe Amerika do të na çmojnë, vërtet, pse prodhojmë këso mendimesh përjashtuese, si të Ismail Kadaresë, që na kthejnë në kohën e Luftës së Ftohtë? Mos mendojmë ne se Amerika dhe Evropa do të na çmojnë, vërtet, më shumë pse ministrin spanjoll të Punëve të Jashtme e presim gojëkyçur vetëm pse kishte ardhur në Tiranë për të frymëzuar pikërisht rolin zbutës të Shqipërisë, me një pjesë të madhe të popullsisë së besimit mysliman, në marrëdhëniet e sotme midis Lindjes myslimane dhe Perëndimit të krishterë? Mos mendojmë ne se Amerika dhe Evropa duan të na konvertojnë në të krishterë për të na përdorur në "luftën" fetare midis qytetërimit të krishterë dhe qytetërimit islamik? Jo. Kjo nuk është ardhmëria jonë. Dhe, kjo nuk është ardhmëria e qytetërimeve. Dhe, kjo nuk është politika e Perëndimit. Kjo nuk duhet të jetë dhe historikisht nuk do të mund të jetë politika e Shqipërisë. Kjo mund të jetë vetëm rrëshqitje politike dhe intelektuale e Ismail Kadaresë. Identiteti i nënçmuar Prej hidhërimit mospajtues me të cilin reagon ndaj pohimit tim se në identitetin shqiptar janë të përmbajtur përbërës të krishterë dhe përbërës myslimanë, se identiteti kombëtar shqiptar në të vërtetë është një përgjithësi, një e përbashkët, një e tërë e gjerë, e identitetit fetar të krishterë dhe e identitetit fetar mysliman, në të cilët janë bashkuar edhe përbërës historikë, kulturorë, zakonorë, moralë e të tjerë edhe më të përparshëm; prej përzgjedhjes së njëanshme të disa të dhënave apo trillimit të disa të tjerave; prej analizës dhe shpjegimit të njëanshëm të tyre, kur e kur të cekët e të njëanshëm deri në naivitet dhe, më në fund, prej disa përgjithësimeve që bën, del qartë se Ismail Kadare mohon të vërtetën dhe të drejtën për identitetin shqiptar i tillë çfarë është dhe madhëron një identitet evropian shqiptar sot të mbajtur prej tij në shemërim të supozuar me identitetin mysliman të Lindjes. Qëndrimi shpërfillës ndaj identitetit mysliman në identitetin e gjithësishëm shqiptar nuk ka se si të përjetohet ndryshe, përpos si fyerje prej shqiptarëve myslimanë që si përbërës të identitetit të vet kombëtar e çmojnë edhe fenë myslimane me të gjitha të veçantat e saj shpirtërore, morale dhe qytetëruese. Mund të thuhet kështu sepse në gjykimet e tij janë shpërfillur: adetet që shoqërojnë ceremonitë e lindjes, të martesës dhe të varrimit; mënyra të jetës në shtëpi dhe në shoqëri; ceremonitë fetare në ndërtesat dhe në vendet e kultit; veshjet me të cilat shumë gra myslimane vishen në shtëpitë e tyre apo edhe dalin në qytete; muzika popullore me veçori të muzikës orientale; vallet popullore me veçori të valleve orientale; kuzhina popullore me veçori të kuzhinës orientale; arti popullor në të cilin janë të përmbajtura motive dhe veçori të tjera të artit popullor turk dhe arab; krijimtaria letrare, fetare, iluministe, pedagogjike, morale, dokumentare e shkruar me alfabetin arab; monumentet fetare kulturore siç janë xhamitë, teqetë dhe tyrbet, numri i të cilave, posaçërisht i xhamive, është i madh në Shqipëri, në Kosovë dhe në të gjitha trevat ku jetojnë shqiptarë në Ballkan; urat dhe kështjellat e ngritura në kohën e Perandorisë Otomane vlera kulturore historike e të cilave është e madhe; objektet e arkitekturës bashkëkohore, në të cilat shihen përbërës të arkitekturës tradicionale orientale; qytetet e njohura shqiptare si Shkodra, Berati, Vlora, Prizreni, Gjakova, Peja, Gjirokastra e të tjera, në të cilat arkitektura evropiane paraqitet vonë, kryesisht, gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe në kohën e komunizmit. Në turrin e tij shpërfillës të përbërësve myslimanë në të vërtetë të identitetit mysliman në identitetin e gjithësishëm shqiptar, Ismail Kadare ka shkuar aq larg sa ka shpërfillur edhe emrat e mbiemrat e disa milionë shqiptarëve e kjo do të thotë se ka shpërfillur qytetërimin që i ka krijuar ata! Dhe, jo vetëm kaq. Në këtë turr shpërfillës Ismail Kadare ka shkuar edhe më larg: ka shpërfillur edhe emrin e vet, Ismail, sigurisht duke mos dashur ta pranojë se edhe emri i tij e nënkupton një qytetërim - se është shprehja e tij dhe një identitet - se është dëshmia e tij. Domethënë: në këtë turr të myslimanofobisë së tij, të supozuar të leverdishme sot, ai ka shpërfillur një qytetërim - një sistem vlerash materiale e shpirtërore, zakonesh, rregullash, shprehish, virtytesh e vesesh, që karakterizojnë identitetin mysliman të shqiptarëve myslimanë e që, bashkë me identitetin e krishterë të shqiptarëve të krishterë, është i përmbajtur në identitetin e përbashkët: në identitetin kombëtar shqiptar. A është e mundshme? Mos ka dashur Ismail Kadare t'i bëjë të verbër dhe t'i bëjë të shurdhër evropianët që kanë qenë ndonjëherë në Shqipërinë shtetërore, në Kosovë dhe në Maqedoni? Dhe, mos ka dashur Ismail Kadare të na bëjë edhe ne të verbër dhe të shurdhër: të mos shohim çka shohim dhe të mos dëgjojmë çka dëgjojmë! Dhe, të mos jemi edhe çka jemi! Po, kjo është e drejta e tij: njeriu mund të bëjë me veten çka të dojë. Nuk mund të bëjë çka të dojë, ndërkaq, me të tjerët: me identitetin e tyre. Mbas përmbysjes së komunizmit kjo quhet shkelje e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.

    • Postime: 532
    • Karma: +1/-0
  • i identifikuar

    #4 ne: 07-05-2006, 11:21:15
    Kadare, Evropa dhe jeta jonë



    Si ta sjellim Evropën në jetën tonë Nuk ka dyshim se rruga që ka ndjekur Ismail Kadare për ta treguar evropian identitetin tonë, është e gabuar dhe është e gabuar për dy arsye: e para, pse prej identitetit tonë është përpjekur të heqë ato që nuk mund të hiqen, dhe e dyta, pse në jetën tonë nuk po i sheh ato që do të duhej të hiqeshin. Duke vrapuar nëpër histori, ai nuk u është afruar pothuaj fare çështjeve kryesore në jetën e sotme shqiptare. Pse Evropa po i afron shqiptarët më ngadalë se popujt e tjerë të Ballkanit? Sigurisht jo për shkak se në identitetin e tyre, në atë përgjithësinë, në atë të tërën, që i themiidentitet kombëtar i shqiptarëve, është i përmbajtur edhe identiteti mysliman i numrit më të madh të tyre. Siç shkruan Rexhep Meidani në artikullin "Eurobarometri dhe barometri shqiptar", të botuar në gazetën "Panorama", më 11 janar 2005, Agjencia e Komisionit Evropian për Hulumtimin e Opinionit dëshmon se vetëm 33 për qind e qytetarëve evropianë e përkrahin pranimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, kurse Bosnjën e Hercegovinën 40 për qind. Kjo e dhënë dëshmon mjaftueshëm se nuk është feja myslimane e shumicës së shqiptarëve arsyeja pse ata dëshirohen më pak se të tjerët në Bashkimin Evropian, se po të ishte feja arsyeja, atëherë më pak se shqiptarët do të ishin të dëshiruar boshnjakët. Arsyeja e vërtetë pse shqiptarët dëshirohen më pak se të tjerët në Bashkimin Evropian, në të vërtetë është joevropa e sotme në jetën e tyre të sotme politike dhe shtetërore, janë mentalitetet, shprehitë, sjelljet, veprimet, të bërat e palejueshme, jodemokratike, primitive në politikën e tyre të sotme, që po ua vrasin sytë evropianëve që na vizitojnë, a që janë në Kosovë, që u kanë ardhur në majë të hundës edhe shqiptarëve e për të cilat Ismail Kadare nuk e quan të nevojshme të bëjë fjalë në sprovën e tij "Identiteti evropian i shqiptarëve". Dhe, këto mentalitete, shprehi, sjellje, veprime, të bëra të palejueshme, jodemokratike, në thelb cenuese për identitetin tonë në sytë e të tjerëve, aq sa janë orientale janë edhe oksidentale, aq sa janë burimore janë edhe të mësuara prej botës së huaj të djeshme dhe të sotme. Në qoftë se kjo është e vërtetë, atëherë për një intelektual shqiptar, që do të merrej me çështjen e përbërë të identitetit, shumë më e arsyeshme se të shemërojë identitetin kombëtar shqiptar dhe identitetin mysliman, që të shemërojë Lindjen dhe Perëndimin në kulturën dhe në qytetërimin tonë, është të bëjë betejën mendore pikërisht kundër kësaj joevrope të sotme në politikën dhe në jetën tonë të sotme. Është e rëndësishme për të sotmen dhe për të nesërmen tonë evropiane, që të ngremë zërin e të mos lejojmë që në heshtje të bëhen përbërës tw identitetit tonë: kultura e kuptuar vetëm si e drejtë e jo, para së gjithash, si obligim; shteti i privatizuar që po ngjan në Shqipëri e në Kosovë; shteti i kuptuar kryekëput si pushtet mbi popullin e jo si servis i tij; politika e kuptuar si sundim urdhërdhëniesh e jo si qeverisje demokratike; tribalizmi dhe krahinorizmi të dëshmuar jo vetëm në zgjedhje, në organizimin partiak e në administratë, po edhe në gjykimet politike të njerëzve të politikës; konflikti i ideve moderne dhe i shoqërisë së mbyllur folklorike; trajtimi i pabarabartë i dinjitetit të feve, që mund të cenojë baraspeshën e tyre historike dhe të ndikojë në çintegrimin e shoqërisë; politika e njerëzve të papërgjegjshëm që ia mësojnë popullit papërgjegjësinë, shfrenimin, shumëfytyrësinë, paqëndrueshmërinë morale, shndërrimet servile; lidhja pushtet-medie që sjell uzurpimin dhe shpërdorimin e sovranitetit të popullit dhe shpërfilljen e të drejtave dhe të lirive të qytetarëve; vetitë e pushteteve despotike siç janë vrazhdësia, arroganca, hipokrizia, nënshtrimi para të fuqishmëve dhe përçmimi i të vegjëlve; tirania e vazhdueshme e gënjeshtrave; demokracia frikësuesepredikimi i demokracisë me britmë, me kërcënime, me gënjeshtra dhe me urrejtje; trajtimi i partive si firma tregtare më parë se si organizata që reformojnë shoqërinë; korrupsioni tmerrësisht i përfshirë si në Shqipërinë shtetërore ashtu edhe në Kosovë, në të cilin janë zhytur prijës politikë, familjarë, miq dhe të afërm të tyre të tjerë; plaçkitja marramendëse e pronës dikur të quajtur shoqërore në Kosovë nga ana e pushtetarëve dhe të afërmve të tyre; luksi tragjikomik i njerëzve të politikës në Kosovë ndërsa 67 për qind të kosovarëve janë të papunë, 38 për qind jetojnë në varfëri, kurse 17 për qind jetojnë në varfëri të skajshme; despotët qesharakë, të cilët krye më vete, pa pyetur Kuvend, qeveri a popull shpallin: ndërtimin e Shtëpisë së Bardhë, afër Prishtinës, si ajo në Uashington dhe Ditën e Presidentit, domethënë të vetvetes, si Dita e stafetës së rinisë e Marshall Titos; despotët qesharakë, të cilët pa pyetur Kuvend, qeveri a popull caktojnë flamur dhe himn të vendit ende të pabërë shtet, caktojnë urdhra, medalje e dekorata të folklorizuara me të cilat i bëjnë "figura kombëtare" miqtë, shokët dhe bashkëpunëtorët e vet; politikanët të cilët pjesë të teknikës nga kabinetet e veta çojnë në vilat vetjake, kurse pastruesit e zyrave në institucione i përdorin për pastrime në shtëpitë e tyre; administrata më e shtrenjtë partiake, politike dhe shtetërore në skajet më të varfra të Evropës; gropat e rrugëve në kryeqytetet shqiptare; telat e korrentit të rënë nëpër arat dhe livadhet e Shqipërisë shtetërore dhe të Kosovës; qërimhesapet foljore dhe trupore, tashmë të shpeshta, në Kuvendin e Shqipërisë; kthimi i Kuvendit të Kosovës në kuvend të familjarëve, miqve, shokëve, kushërinjve të kryetarëve, nënkryetarëve, sekretarëve të partive të përfaqësuara në Kuvend. E të tjera e të tjera. Të gjithë shembujt e sipërthënë të joevropës së sotme në politikën dhe në jetën tonë të sotme flasin mjaft për mbetjet e shumta: 1. të despotizmit oriental 2. të tribalizmit primitiv dhe 3. të totalitarizmit komunist në identitetin tonë të sotëm Do të duhej të shqetësoheshim: mos shembujt e sipërthënë dhe shumë të tjerë si ata, mund t'i nxisin institucionet evropiane të mendojnë se klasës politike, që prodhon aq të këqija në jetën e popullit të vet, i mungon përgjegjësia për jetë të përbashkët institucionale në një bashkësi demokratike, moderne, siç është Bashkimi Evropian! Për këtë arsye është e nevojshme që parullat e Ismail Kadaresë për identitetin tonë evropian t'i zëvendësojmë me përpjekje të sinqerta, këmbëngulëse, të vazhdueshme që të sjellim Evropën në jetën tonë: shtetin e së drejtës, demokracinë e vërtetë, kulturën politike, gjedhen kulturore kritike, standardet dhe vlerat evropiane. Vetëm kështu do ta shpejtojmë integrimin në Evropë. Një nga personazhet në romanin "Mbreti i xhindeve" të shkrimtarit bashkëkohor francez, Mishel Turnie, thotë se çdo popull i shquan si virtyte të vetat pikërisht ato që më së shumti i mungojnë. Ismail Kadare në sprovën e tij "Identiteti evropian i shqiptarëve" është përpjekur që t'i japë sa më shumë të drejtë këtij personazhi dhe ta bëjë përbërës të identitetit tonë pikërisht atë që më së shumti na mungon: identitetin evropian! Jo rastësisht këtë identitet edhe e ka rrëgjuar në gjeografinë. E kuptueshme! Popullorësia e Ismail Kadaresë, përpos në atë pjesë të çmuar të krijimtarisë së tij, që i ka shpëtuar realizmit socialist, në masë të madhe u detyrohet edhe iluzioneve, gjysmë të vërtetave dhe të pavërtetave historike dhe bashkëkohore me të cilat i ka ushqyer ai gjatë shumë viteve përkushtimet politike, ideologjike, kurse tani edhe anshëm fetare të lexuesve e me të cilat është bërë edhe frymëzuesi më përshtypjelënës i atdhetarizmit të rendit të tretë në jetën tonë kombëtare. Për këtë arsye, është shumë e nevojshme, është në interesin e shkencës letrare shqipe dhe të kulturës shqiptare në përgjithësi, që krijimtaria e tij, aq shumë politike dhe e politizuar, të shpjegohet dhe të paraqitet kritikisht, objektivisht, ndershëm. Kjo do të jetë e dobishme edhe për vetë Ismail Kadarenë sepse leximi, shpjegimi, vlerësimi glorifikues i krijimtarisë së tij e ka bërë të vetëkënaqur: i ka krijuar iluzionin se të gjithë lexuesit, paraqitësit dhe kritikët pajtohen edhe me koniunkturizmin e tij politik. Ky koniunkturizëm është edhe arsyeja kryesore pse Ismail Kadare, sado krijues me vepër letrare të rëndësishme, nuk është bërë pikë referimi në kulturën shqiptare. Dhe s'mund të bëhet. Mjerisht. Prirja e Ismail Kadaresë për të qenë me çdo kusht i koniunkturshëm politikisht, nuk është më vetëm çështje e tij: kjo është, tani, mëzirë e letërsisë dhe e kulturës sonë, sepse letërsia dhe kultura jonë prirjen e tillë po e shpërblejnë! Dhe, kjo ka një çmim moral që letërsia dhe kultura jonë e paguajnë në dëmin e vet! E kulturës dhe jetës sonë publike, për shkak të shtrirjes së jashtëzakonshme të korrupsionit mendor, moral dhe material në jetën kombëtare, sot më tepër se kurrë i nevojiten: - ndershmëria intelektuale; - intelektualë të qëndrueshëm, me karakter të fuqishëm, që nuk shikojnë si t'u përshtaten pushteteve dhe opinionit mbizotërues, që të vërtetën dhe të drejtën nuk pranojnë t'ua flijojnë leverdive vetjake: - intelektualë që në çdo kohë nuk ngurrojnë që- si thuhet për ta në botë- të tregojnë terrin që mund të pllakosë shoqërinë dhe, njëkohësisht, të ndezin qiriun që të shohim në atë terr.


    FUND

    * Teksti i plotë i kësaj polemike, të botuar
    për një javë rresht në gazetën tonë, së
    shpejti do të botohet si libër më vete, nga
    Shtëpia Botuese "Toena".

    • Postime: 532
    • Karma: +1/-0
  • i identifikuar

    #6 ne: 11-06-2006, 16:00:54
    Kadare nga Enveri tek Antimuslimanizmi

    R.Qosja


    SA ME LARG NGA E KALUARA KOMUNISTE Ata që i kanë lexuar veprat publicistike të Ismail Kadaresë pas daljes në Francë, dhe ata që i kanë lexuar a dëgjuar intervistat dhe deklaratat e tij të ndryshme në këtë kohë, dhe ata që sadopak i kanë përcjellë paraqitjet e tij botore në Atdhe, në Evropë e në SHBA, ata nuk e kanë pasur të vështirë të binden se ai po bënte shumë përpjekje për të krijuar përfytyrim të ri për veten: një përfytyrim që, vetëkuptohet, do të ndryshonte plotësisht prej përfytyrimit që për të ishte krijuar në kohën e komunizmit. Dhe, këto përpjekje as nuk ishin të papritura, as nuk ishin shumë, shumë të çuditshme. Një varg shkrimtarësh, nga vendet ish-komuniste, që kishin qenë pjesëtarë të nomenklaturave komuniste, që i kishin shërbyer përtokas komunizmit, që kishin qenë të privilegjuar si Ismail Kadare apo përafërsisht si Ismail Kadare nga udhëheqjet komuniste, do të bëjnë përpjekje që të lahen e të shpërlahen sa më fort prej të kaluarës së tyre! Por, përpjekjet e Ismail Kadaresë për të ikur sa më larg nga e kaluara e tij komuniste, do të jenë më origjinale dhe më të veçanta se të shumicës së bashkëmendimtarëve e ngjashëmvepruesve të dikurshëm, qoftë në vendet e tjera ish-komuniste, qoftë në Shqipëri. Ndryshe prej shumë shkrimtarëve të tjerë oborrtarë të komunizmit, që do të përpiqen të krijojnë përfytyrim të ri për veten duke e kritikuar komunizmin, në radhë të parë, si ideologji dhe praktikë shtypëse mbi liritë dhe të drejtat themelore të njeriut, mbi lirinë e krijimtarisë dhe lirinë e ndërgjegjes, Ismail Kadare do ta përqendrojë kritikën kundërkomuniste mbi njeriun që e kishte përkrahur, që e kishte mbrojtur, që e kishte afirmuar, që kishte bërë të mundshëm përkthimin e veprave të tij të para në gjuhën franceze: Enver Hoxhën. Nuk mund të thuhet se Ismail Kadare nuk e dinte, se nuk kishte lexuar, se diktatorët nuk lindin diktatorë, por diktatorë i bëjnë, kryesisht, të tjerët: çiftat e Ismail Kadaresë - ata që turren për t'u ngritur, për t'u shquar, për të përfituar sa më shpejt duke iu servilizuar sundimtarëve. "Nuk qëndron problemi te Qezari që triumfon mbi të tjerët - shkruante filozofi bask Ortega Y Gaset - por te të tjerët që ia bëjnë të mundshme Qezarit të triumfojë". Dhuna e diktaturës nuk është dhunë e bërë me duart e diktatorit, por dhunë e bërë me duart e atyre që në emrin e tij ushtrojnë dhunë: e vetjeve të etshëm për pushtet - e frikacakëve, e servilëve, e mashtruesve të ndryshëm, e demagogëve të ndryshëm, e dhunëtarëve të ndryshëm. Diktatori, vërtet, krijon sistemin e dhunës, ngrihet në sajë të dhunës, por falangat e dhunëtarëve e mbajnë dhe e zbatojnë atë sistem. Ismail Kadare e kishte kuptuar se kritika e tij e paskohshme kundërkomuniste, se kritika e tij e komunizmit pas varrosjes së komunizmit, mund të ishte e bindshme dhe, sidomos, përshtypjelënëse në qoftë se do të përqendrohej në Mitin e komunizmit shqiptar, në Zotin e komunizmit shqiptar - në Enver Hoxhën. Të kritikosh komunizmin pas varrimit të komunizmit - kjo ishte dukuri e përgjithshme, kjo ishte punë e thjeshtë, këtë e bënin të gjithë, madje edhe ata apo, sidomos, ata, që komunizmit i kishin shërbyer më së përkulshmi në institucione të ndryshme të pushtetit dhe në fusha të ndryshme të jetës shoqërore; por të kritikonte komunizmin një shkrimtar me popullorësi të jashtëzakonshme në kohën e komunizmit, të kritikonte Mitin e komunizmit, Zotin e komunizmit biri i tij shpirtëror, krenaria e tij letrare artistike dhe, pse jo, teorike ideologjike, siç konsiderohej atëherë Ismail Kadare- e kjo do të thoshte shumë më tepër se ç'mund të thoshin kritikat e të tjerëve, kjo kishte kuptim shumë më të madh, kjo kishte jehonë shumë më të gjerë, kjo ishte kritikë pambarimisht shumë përshtypjelënëse. Të kritikosh komunizmin, dhunën e tij, patologjinë e tij politike, ideologjike dhe, mbi të gjitha, praktike përmes kritikës së Zotit të komunizmit dhe ta kritikosh duke zbuluar edhe të këqijat e supozuara intime të tij - e këtë mund ta bënte vetëm ai që kishte qenë i afërt me të, që kishte shkruar roman-apoteozë dhe apoteoza për të, e të cilit s'ka se si të mos i besohej. Ikja e Ismail Kadaresë prej të kaluarës komuniste dhe prej Zotit të komunizmit shqiptar, babait shpirtëror, Enver Hoxhës, sado jehuese, sado përshtypjelënëse nuk do të jetë e mjaftueshme për rehabilitimin, prandaj as për popullorësinë atje ku Ismail Kadare ishte i interesuar të depërtonte, të ishte i pranuar dhe i popullarizuar. Për këtë arsye, Ismail Kadare do të kujdeset të gjejë edhe një temë tjetër për trajtim intelektual, për vetërrëfim të ndryshuar që do të jetë politikisht e koniunkturshme dhe që do të zgjojë kureshtjen për të dhe për krijimtarinë e tij, që do t'ia çelë dyert e depërtimit në tregun letrar. Dhe, kjo temë do të quhet: feja.

    QËNDRIMET KUNDËRMYSLIMANE

    Shihej qartë se bota, fatkeqësisht, po hynte gjithnjë e më dukshëm në kohën e fërkimeve fetare, të cilat studiues të dukurive globale do t'i quajnë konflikt i qytetërimeve: i qytetërimit islamik dhe i qytetërimit të krishterë. Natyrisht, shkrimtari Ismail Kadare nuk mund të qëndronte pa thënë mendimin e tij për çështje fetare sepse ai nuk kishte qëndruar kurrë asnjanës, eunuk, ndaj problemeve më të mprehta të përtashësisë. Interesat e tij letrare dhe politike e kërkonin që Ismail Kadare, kur drejtpërdrejt e kur ndërmjetueshëm, t'i shprehte pikëpamjet e tij fetare. Dhe, ai do ta bëjë këtë si gjatë disa retushimeve më sipërfaqësore a më rrënjësore të disa veprave letrare ashtu edhe në intervistat, në deklaratat dhe në veprat e ndryshme publicistike. Dhe, do ta bëjë këtë në fillim më kujdesshëm e me kalimin e kohës gjithnjë e më zëshëm. Nuk është e vështirë për të vërejtur se në ato retushime, shkrime publicistike, intervista e deklarata, ai nuk i trajton të barabarta dinjitetet e fesë myslimane dhe të fesë së krishterë. Në njërën anë duke folur shpërfillshëm apo, madje edhe fyeshëm ndaj fesë myslimane, ai do të bëhet propagandues gjithnjë e më i përkushtuar i fesë së krishterë në anën tjetër. Ndryshe prej shkrimtarit anglez me prejardhje pakistaneze, Salman Ruzhdi, i cili do të shkruajë romanin e shpallur kundërmysliman, Vargjet satanike, për ç'shkak, mandej, do të jetë i shtrënguar t'i kalojë disa vite në "ilegalitetet", Ismail Kadare do të jetë më i kujdesshëm dhe nuk do të shkruajë vepër të veçantë të tillë. Në qoftë se Salman Ruzhdiut nuk mund t'i afrohej me fuqinë krijuese, Ismail Kadare do t'ia kalojë atij me vigjilencën, e cila kohë pas kohe do t'i dobësohej deri në ditët tona. Qëndrimet e tij k u n d ë r m y s l i - mane, ndërkaq, të shprehura, sidomos, në shtypin e huaj, përpos atyre të cilëve Ismail Kadare donte t'u binin në sy, u kishin rënë në sy edhe lexuesve shqiptarë, prej të cilëve do të priten me keqardhje të veçantë. Do të bëhen edhe reagime. Një prej reagimeve të tilla do të botohet edhe në javoren e Prishtinës, Zëri, më 27 maj 1992. Në të, përpos të tjerash, thuhet: "Qendrat Islame Shqiptaro-Amerikane në Shtetet e Bashkueme të Amerikës, mbajtën një takim në Xhaminë e Qendrës Islame Shqiptaro-Amerikane në Nju- Jork-Nju Xhersi, për të shqyrtue dhe diskutue bashkarisht, disa qëndrime tejet negative, sa absurde aqë edhe indinjuese të shkrimtarit shqiptar Ismail Kadare, të shprehun kohëve të fundit, si në vepra të tija ashtu edhe përmes të intervistave të tija në shtypin e jashtëm, dhe të cilat janë drejtue REXHEP QOSJA direkt kundër myslimanizmit. Takimi i naltëpërmendun, nuk e kishte për qëllim, me i dalë në mbrojtje fesë islame, sepse atë e mbron kultura e vetë mijëravjeçare dhe themeli i saj që asht libri i shejtë: Kur'ani, meqë populli shqiptar i takon tri besimeve, ku ma se 70% i takojnë besimit islam, dhe këto tri besime, nuk i kanë sjellë ndonji të keqe, por përkundrazi, gjithmonë mirëkuptim, harmoni dhe vëllaznim, dhe si konseguencë e gjithë kësaj, vijmë në përfundim, se shprehjet e pakontrollueme të shkrimtarit kriptokomunist Ismail Kadare, i cili islamizmin, të cilin po ta zbërthejsh do të thotë PAQE, e krahason me ideologjinë komuniste, e cila nuk njef fe as Zot, familje as traditë; dhe me bindje të plotë themi: se ky akt asht i drejtuemë në radhë të parë kundër krejt kombit shqiptar... Tue qenë se, Ismail Kadare, në dukje i takon besimit islam, tubimi në fjalë, u distancua nga qëndrimet e padrejta dhe tejet të damshme për kombin shqiptar të Ismail Kadaresë, tue i kualifikue ato si të dëmshme, të padrejta, antinjerëzore dhe antihumane, dhe për antishqiptare - të mos flasim". Nuk ka dyshim se krijimtaria e Ismail Kadaresë në kohën e komunizmit dhe krijimtaria e veprimtaria e tij pas rënies së komunizmit dëshmojnë se ai e kishte mësuar me kohë mësimin: një shkrimtar bëhet i rëndësishëm varësisht sa është politikisht i përdorshëm. Ai do të dijë të jetë politikisht i përdorshëm sot jo më pak se dje! Lobi shqiptar tashmë i krijuar për Ismail Kadarenë në Nju-Jork, dëshmon qartë se retushimet fetare të disa veprave të tij, paraqitjet kundërmyslimane dhe, sidomos, propagandimi i kthimit në fenë e të parëve i premtojnë shkëlqime të reja emrit të tij: përkthime e çmime ndërkombëtare! çmimi i pamerituar i Këshillit Kombëtar Shqiptaro- Amerikan ishte njëri prej tyre!

    ESADIZMI

    Në përgjigjen e tij Pabesia e një polemisti, Ismail Kadare i shmanget plotësisht diskutimit për çështjet që kishte ngritur në sprovën Identiteti evropian i shqiptarëve. Nuk jam i sigurt për cilën arsye më shumë i shmanget diskutimit: për shkak se nuk do të heqë dorë nga qëndrimet raciste ndaj Lindjes myslimane, ndaj qytetërimit mysliman, prandaj edhe ndaj fesë myslimane, apo për shkak se nuk do që për qëndrimet e tilla të shkruhet edhe një herë në gazeta. Në qoftë se në përgjigjen Pabesia e një polemisti iu ka shmangur rrëshqitjes së sërishme në racizëm, nuk mund të thuhet se i ka shpëtuar rirrëshqitjes në myslimanofobi. Dëshmi për këtë është qëndrimi i tij ndaj Haxhi Qamilit- një figure fare skajore historike. Nuk ka dyshim se ideologjia e Haxhit Qamilit, në qoftë se mund të flitet fare për një ideologji të tij, ishte e jashtëkohshme, prandaj edhe në shpërputhje me të përtashmen dhe të ardhmen e Shqipërisë dhe të popullit shqiptar në përgjithësi. Por, gjithashtu, nuk ka dyshim se Ismail Kadare për arsye fetare e sheh qimen në syrin e Haxhi Qamilit, por nuk e sheh traun në sytë e disa figurave të tjera historike në të njëjtën kohë. Ai e tejzmadhon rebelimin e një njeriu, pa farë ndikimi të veçantë politik, kundër feudalëve, duke e njëjtësuar këtë rebelim me një ideologji pothuaj mosekzistuese filoturke. Nuk mund të besohet se prijësi i një kryengritje fshatare kundër feudalëve dhe kundër sundimit të të huajve, sidomos, serbëve e grekëve, në Shqipëri, nuk e dinte se në vitet 1914-1915 as nuk mund ta bënte Turqinë më sovrane të Shqipërisë dhe të shqiptarëve, as nuk do të mund ta çonte Shqipërinë përtej Adriatikut e Mesdheut dhe ta bashkonte me Perandorinë e dikurshme Otomane. Shqipëria ishte shtet me kufij të caktuar ndërkombëtarisht, të njohur që nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër dhe ajo ishte bërë shtet kur ishte çliruar nga Perandoria Otomane, që tani quhej e shkatërruar. Për këtë arsye mund të thuhet se shumë më e rrezikshme për Shqipërinë shtet dhe për shqiptarët komb ishte politika tradhtare e Esad Pashë Toptanit, i cili, në Luftën e Parë Ballkanike, ua kishte lëshuar Shkodrën malazezve, kurse pas luftërave ballkanike kishte hyrë në marrëdhënie politike dhe ushtarake me Serbinë. Esad Pashë Toptani kishte shkuar dy herë në Nish në takime me Kryeministrin e Serbisë, Nikolla Pashiq, dhe i kishte dërguar katërqind ushtarë shqiptarë, ithtarë të vet, në ushtrinë serbe, që po merrte pjesë në Luftën e Parë Botërore. Për shkak të politikës separatiste dhe për shkak të pajtimit me pushtimin serb, Esad Pasha do të quhet tradhtar dhe për tradhti do të jetë i vrarë në Francë. Esad Pashë Toptani dhe Nikolla Pashiqi do ta ekzekutojnë Haxhi Qamilin, jo për shkak të politikës së tij prej turkoshaku, po për shkak të mospajtimit të tij me politikën tradhtare të të parit dhe të mospajtimit me pushtimin e të dytit. E kjo domethënë se do ta ekzekutojnë si kryengritës shqiptar. Ta gjykosh tani një kryengritës, qoftë edhe të pajisur me ide turkomane, për ide që s'mund të sillnin pasoja e të h e s h t ë s h tradhtinë e një separatisti që bashkëpunonte me pushtuesin e tokave shqiptare dhe, madje, të Shqipërisë shtet, ky gjithsesi nuk mund të quhet atdhetarizëm shumë i kthjellët. Cila është më e durueshme: të trajtohesh tradhtar si Esad Toptani a kryengritës turkashak, por kundërserb, si Haxhi Qamili? Po të na dënonte Zoti të zgjidhnim dhunshëm, Ismail Kadare, pa dyshim, do të zgjidhte të parin. Dhe, le ta zgjedhë e le të jetë - esadist! Lindjefobia e kjo domethënë myslimanofobia mund të konsiderohet arsye pse, përpos tradhtisë së Esad pashë Toptanit, Ismail Kadare e hesht edhe politikën, po ashtu, kundërhistorike, të dy figurave të tjera të asaj kohe po ashtu skajore historike: e hesht politikën e Marka Gjonit e të Preng Bibë Dodës. Në qoftë se Haxhi Qamili na qenka lektisur kot pas një pushtuesi të dëbuar, që në Shqipëri kurrë më nuk do të mund të sundonte, Marka Gjoni dhe Preng Bibë Doda i bënin dëm të dyfishtë Shqipërisë: në njërën anë bënin politikën e përkrahjes së pushtimit italian, kurse, në anën tjetër, bënin politikën separatiste të shpalljes së Mirditës autonomi- njëri i ledhatuar nga Beogradi e tjetri nga Cetina. Gjykimi i një kryengritësi për një iluzion politik e lënia në heshtje e dy separatistëve, politikat e të cilëve mund të tregoheshin më të rrezikshme për Shqipërinë dhe për shqiptarët, gjithsesi nuk duket gjykim i drejtë historik. Pas gjykimit të tillë, në njërën anë, dhe pas heshtjes së tillë, në anën tjetër, nuk është e vështirë të shihen motive ideologjike fetare.


    REAGIMET NDAJ POLEMIKËS

    Në gazetat e Tiranës dhe në gazetat e Prishtinës deri sot kur po e shkruaj këtë përgjigje janë botuar shumë reagime ndaj polemikës midis Ismail Kadaresë dhe meje. Numri më i madh i reagimeve në gazetat e Prishtinës në të vërtetë janë reagime më parë të botuara në gazetat e Tiranës. Si historian i letërsisë shqipe nuk di shkrim që të ketë nxitur më shumë reagime se çka nxitur përgjigjja ime "Realiteti i shpërfillur" ndaj sprovës "Identiteti evropian i shqiptarëve", me të cilën Ismail Kadare i kishte kundërshtuar pikëpamjet e mia të paraqitura në kreun Identiteti kombëtar dhe vetëdija fetare të trajtesës Ideologjia e shpërbërjes. Le të thuhet se më i madh se numri i reaguesve që çështjet e ngritura në këtë polemikë kujdesen t'i trajtojnë objektivisht, pa paragjykime fetare, politike, partiake, ideologjike, pa anime miqësore e të tjera, është numri i reaguesve, të cilët nuk dëshmojnë se janë të liruar prej disa paragjykimeve të tilla apo prej animeve miqësore. Nuk është e vështirë për të vërejtur se paragjykimet dhe animet e tilla posaçërisht shprehen në shkrimet e disa gazetarëve, publicistëve dhe të disa miqve indigo të Ismail Kadaresë. Ndër mediat që mbajnë qëndrim objektiv, mjerisht, nuk do të mund të radhitej pa sadopak ngurrim as gazeta "Tirana Observer" dhe nuk do të mund të radhitej në radhë të parë për shkak të pyetjes që u bën të ftuarve për deklarata në lidhje me polemikën: A mendoni se polemika e dëmton imazhin e shkrimtarit tonë të madh Ismail Kadare? Me të njëjtën arsye do të mund të bëhej pyetja: A mendoni se polemika e dëmton imazhin e shkrimtarit, historianit të letërsisë dhe intelektualit tonë të madh Rexhep Qosja? Shumë më normale, më frytdhënëse për kulturën e diskutimeve intelektuale e politike do të ishte pyetja, që përjashton gara e hierarki sportive: Sa ndriçon çështjen e i kontribuon të vërtetës kjo polemikë? Inkuadrimi i Kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, në këtë polemikë në anën e Ismail Kadaresë, sikur i shpjegon këto paragjykime dhe anime të disa reaguesve. Partitë në pushtet, po e tregon edhe kjo polemikë, ende përcaktojnë politikën, etikën dhe estetikën e shumicës prej nesh, prandaj edhe të shumë gazetave dhe mediave elektronike. Disa nga miqtë e Ismail Kadaresë, si edhe miku i tyre, në reagimet e botuara bëjnë përpjekje që t'i zhvlerësojnë pikëpamjet e mia-duke i shtrembëruar e duke i falsifikuar dhe që të më zhvlerësojnë mua-duke më fyer kur më butë e kur më vrazhdë se ai! Bëjnë përpjekje të krijojnë përshtypjen në opinion se kjo polemikë në të vërtetë është polemikë, si e thotë njëri prej tyre, midis një shkrimtari të madh, botëror, dhe një shkrimtari normal, domethënë, thotë ai, lokal! U mbetet pa thënë, si e tha njëri që s'i duartroket Ismail Kadaresë, se kjo në thelb është polemikë midis Goliatit dhe Davidit. Gjedhet mitologjike përsëriten! Bariu i vetmuar, Davidi, me një shkop në dorë dhe me llastik në brez, ka marrë guximin t'i kundërvihet Goliatit. Për ta krijuar bindjen se kësaj radhe Goliati do të jetë ai që do ta mundë mendërisht dhe moralisht Davidin, miqtë e Ismail Kadaresë, bashkë me të, do të më bëjnë një portret të shëmtuar, që do të donin të shihej gjithmonë në galerinë kombëtare të portreteve. çka do të thonë ata për mua? Një portret për galeri Pavarësisht pse unë për ta kurrë s'kisha thënë fjalë portretizuese, ata do të thonë: se unë jam një enverist, që e mundon nostalgjia për Enverin, se unë jam Enver i Letrave, se më mundon nostalgjia edhe për Jugosllavinë; dhe, Serbinë, Se jam njeri që kam ngritur një flamur të ri, të quajtur flamuri myslimanizmit, se unë jam gardian i Lindores, se unë jam taliban, se jam blasfemues i religjionit, se po ndërtoj një politikë dhe një ideologji të re, së cilës do të shohin si do t'ia vënë emrin; se jam hiç më pak se një delirant, se kam ide fikse, se hidhem në ekstreme, sa jam njeri me karakter autarkik, se kam qejf të më quajnë baba i kombit dhe bacë i dijes në Kosovë, se të gjitha këto që i shkruaj, i shkruaj për arsye se dëshiroj të më trajtojnë numër një e jo numër dy në komb; se në duel me një ish-kryetar në Kosovë humba, se në zgjedhjet lokale në Kosovë në vitin 20 humba, se në zgjedhjet e 3 korrikut në Shqipëri humba, se jam halldup, se jam gërxho, se jam një nga mbytësit e një idiome (të gegërishtes), se jam ballabani i vonuar, se jam nacionalist fondamentalist (ndoshta fundamentalist), se jam një skriboman, se po dua të bëj perestrojkën tonë, se jam një shkrimtar lokal, domethënë i njohur vetëm në Bregun e Diellit, në Prishtinë! se jetoj me kompleks gjenerali, se jam gjeneral i pamundësuar, se jam kolos i lidhun! Se, se, se, se, se, se...! Portretizuesve të mi, të dhuruar me dhuntinë që të bëjnë portrete me epitete, që të fyejnë të tjerë, nuk do t'u përgjigjem në fyerjet dhe në falsifikimet e pikëpamjeve të mia. Do të merrem vetëm me çështjet, pavarësisht prej cilëve reagues janë të ngritura, diskutimin e të cilave e çmoj të nevojshëm. Kjo do të thotë se para se t'ia jap fjalën portretizuesit më të talentuar dhe, njëkohësisht, më të çmuar në artin tonë figurativ, Kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, do të flas edhe për disa shqetësime të reaguesve të tjerë ndaj polemikës.

    • Postime: 532
    • Karma: +1/-0
  • i identifikuar

    #7 ne: 11-06-2006, 16:01:45
    Kadare, Sovjetizmi dhe Evropianizmi

    R.QOSJA


    Vetëm e vërteta i bashkon njerëzit


    1. Disa nga reaguesit shprehin shqetësimin se polemika midis Ismail Kadaresë dhe meje do të shkaktojë ndasi mes intelektualëve shqiptarë, e ndoshta, edhe mes kosovarëve dhe shqiptarëve, si po na ndajnë ata që bëjnë përpjekje të kota të krijojnë identitetin kombëtar kosovar dhe një gjuhë tjetër, standarde për të. Edhe më i mprehtë është shqetësimi i atyre që thonë se kjo polemikë, në rastin më të keq, mund të shkaktojë ndasi fetare! Është për nderim shqetësimi i këtyre reaguesve, por, disa të tjerë mendojnë se një shqetësim i tillë është i paarsyeshëm. Një polemikë, sado e ashpër dhe sado e shtrirë, nuk mund të krijojë ndasi, sepse polemikat, që sqarojnë çështjet, në thelb synojnë mënjanimin e ndasive. Ato edhe s'mund të bëhen si duhet midis njerëzve që, megjithatë, s'do të mund të merreshin vesh. Përvoja historike, kudo dhe kurdo, ka dëshmuar se ndikim të padëshiruar mund të ushtrojnë, në radhë të parë, problemet e fshehura, problemet kulturore, politike, morale, shoqërore e të tjera që mbulohen me, ta themi, tepih politik. Nuk e thotë populli i urtë kot: Plaga që fshihet nuk shërohet. Sqarimi i problemeve më parë se ç'i ndan, i afron njerëzit. Nuk e them unë i pari se njerëzit përhershëm bashkohen vetëm rreth të Vërtetës dhe të Drejtës. Rreth mashtrimeve, gënjeshtrave, kodeve të rrejshme, njerëzit mund të bashkohen vetëm përkohësisht - derisa të mos i shohin e të mos i kuptojnë. Hapshmëria (transparenca) nuk është kot nocion aq i çmuar në vendet me tradita më të gjata demokratike. Meqenëse e kanë shijuar gjatë dobishmërinë e saj, ato vende jo rastësisht po kërkojnë që ta zbatojmë edhe ne.

    Ku e lamë Kosovën?

    2. Është e çuditshme dhe, njëkohësisht, treguese se si një numër i reaguesve, kur flasin për identitetin shqiptar, kanë parasysh vetëm Shqipërinë. Për këtë arsye emërvendi Shqipëri bëhet zëvendësim për emërnjeriun shqiptar. I pari që e bën këtë është Ismail Kadare kur, duke folur për identitetin e shqiptarëve në sprovën Identiteti evropian i shqiptarëve, e thotë atë fjalinë e papranueshme: "Letrat e Shqipërisë janë të qarta"! Nuk ka dyshim se kjo është një pikënisje e gabuar për çdo gjykim për identitetin e shqiptarëve. Nuk mund të gjykohet shkencërisht për çështje të identitetit shqiptar duke pasur parasysh vetëm Shqipërinë, domethënë duke mos pasur parasysh të gjithë shqiptarët në Ballkan dhe shqiptarët në diasporë. Gjykimi për pjesën nuk mund të zëvendësojë gjykimin për tërësinë. Pjesa, sado e madhe dhe sado e rëndësishme qoftë, nuk është tërësia. Ata që për identitetin e shqiptarëve do të gjykojnë duke pasur parasysh të gjitha trevat shqiptare e jo vetëm Shqipërinë shtetërore, të gjithë shqiptarët e jo vetëm ata që jetojnë në Shqipërinë shtetërore, nuk do t'i lejojnë vetes që të shpërfillin përbërësit e shumtë të kulturës e të qytetërimit mysliman në identitetin e gjithësishëm, të përbashkët, historik të shqiptarëve. Pikënisja metodologjike e Ismail Kadaresë, e formuluar në fjalinë përjashtuese ndaj Kosovës "Letrat e Shqipërisë janë të qarta" si edhe e miqve të tij reagues ndaj kësaj polemike, vetëm sa i frymëzon përpjekjet e disa vetjeve, disa grupeve dhe ndonjë institucioni në Kosovë për krijimin e identitetit kombëtar kosovar. E shqiptarët në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni, në Mal të Zi, në Luginën e Preshevës dhe kudo qofshin sot, vetëm së bashku përbëjnë identitetin e përbashkët, të përbërë, të gjithësishëm shqiptar. Për identitetin kombëtar shqiptar si për një identitet të përbashkët, të gjithësishëm, historik mund të flasim vetëm kur t'i marrim parasysh të veçantat e shqiptarëve të krahinave të ndryshme, të dialekteve të ndryshme, të feve të ndryshme dhe të politikave e të fateve të ndryshme historike shqiptare, sidomos prej copëtimit të trojeve shqiptare në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, në vitin 1912- 1913.

    Besimi dhe mosbesimi

    3. Ka nga reaguesit që e quajnë të papranueshëm konstatimin tim mbi rëndësinë e përbërësit fetar (mysliman) në identitetin e përgjithshëm, historik, shqiptar. Qëndrimin e tyre të tillë e mbështesin në konstatimin se qenkemi populli më mosbesimtar në Evropë, me ç'rast pohimi më mosbesimtar tingëllon këtu si vlerësim pozitiv. Në qoftë se, sipas konstatimit të këtyre reaguesve, ne, vërtet, qenkemi populli më mosbesimtar në Evropë - më mosbesimtar se popujt me tradita më të gjata shtetërore e demokratike dhe me tradita më të pasura kulturore, mos do të thotë kjo se ne qenkemi populli më i përparuar, më i zhvilluar, më i kulturuar i Evropës? Le ta japin ata vetë përgjigjen në këtë pyetje, kurse unë po shtoj: ndoshta në kohën e komunizmit edhe mund të radhiteshim ndër popujt, si i quajnë ata, më mosbesimtarë të Evropës, por nuk jam aspak i sigurt se sot jemi aq mosbesimtarë sa dje. Dëshmi për shtimin e përkushtimeve fetare të pjesëtarëve të të tri feve mund të shihen e mund të dëgjohen kudo: në familje, në kisha e në xhami, në hapësirat para tyre, në shkolla e në fakultete, në institucione të shkencës, të kulturës e, madje, të politikës. Ata që i shpallin shqiptarët popullin më mosbesimtar në Evropë sot, mund të mos besojnë, ndoshta, në qoftë se u thuhet: në institucione shkencore në Prishtinë, për shembull, para, ta themi, njëzet vjetësh nuk dihej nëse e agjëronte kush ramazanin, kurse sot këtë e bëjnë jo pak prej tyre, përpos të tjerësh, edhe këshilltarë shkencorë; në shkollat e mesme në Kosovë, para njëzet vjetësh, ta themi, nuk dihej nëse agjëronte ndonjë nxënës a ndonjë mësues, arsimtar a profesor, kurse sot dihet për shumë e shumë prej tyre; në xhamitë e Kosovës para njëzet vjetësh nuk dihej nëse shkonte të falej ndonjë profesor fakulteti, kurse sot është gjithnjë e më i dukshëm numri i tyre që të premteve shihen në xhami. Në Kosovë sot me rituale fetare varrosen edhe anëtarë të ndjerë të Akademisë së Shkencave e të Arteve të Kosovës; por, në Kosovë sot me rituale fetare ngjet të varrosen edhe ish-funksionarë të lartë, madje, edhe më të lartit, të Komitetit Krahinor të Lidhjes së Komunistëve të Kosovës. Si në Kosovë, përkushtimet fetare mbas rënies së komunizmit janë shtuar edhe ndër shqiptarët në Maqedoni, në Luginën e Preshevës dhe në Mal të Zi. Të mos i shohësh këto sot do të thotë të mos e shohësh njëmendësinë. Dhe, të shpërfillësh përbërësit e besimit mysliman - që në Kosovë e në Shqipëri kanë ardhur nga Lindja turko-arabe - e kjo do të thotë edhe të kulturës me bazë besimin mysliman në identitetin e gjithësishëm shqiptar, do të thotë të shpërfillësh njëmendësinë: të shpërfillësh njëmendësinë qoftë pse nuk je në gjendje ta shohësh, qoftë - çka, mjerisht, ngjet më shpesh - pse nuk dëshiron ta shohësh të tillë çfarë është ajo. E kur flitet për identitetin e shqiptarëve në përgjithësi e jo vetëm për identitetin e shqiptarëve në Shqipërinë shtetërore, do të duhej të dihej se në Kosovë, në Maqedoni, në Luginën e Preshevës dhe në Mal të Zi, jetojnë sot gati gjysma e shqiptarëve në Ballkan, kurse mbi 95 për qind e këtyre shqiptarëve i takojnë besimit mysliman. Besimin e autorëve të pohimit se shqiptarët na qenkan populli më mosbesimtar në Evropë e përgënjeshtrojnë edhe të dhëna të tjera, ndër të cilat mund të përmendet një emision i udhëhequr prej Alban Dudushit në Top Channel, në të cilin, përpos se u theksua racizmi i Ismail Kadaresë, u paraqitën të dhëna për rënien e numrit të martesave të përziera e për shtimin e numrit të konflikteve fetare dhe këto të dhëna flasin, ndoshta, për forcimin, apo, madje, për tejshquarjen e vetëdijes fetare në jetën tonë.

    Këshilla e reaguesit tjetër

    4. Njëri prej reaguesve ma merr për të keq se për njërën prej çështjeve për të cilën është folur në përgjigjen ndaj sprovës së Ismail Kadaresë paskam folur si myftiu i një qyteti tonë. Dhe, kjo - se paskam folur ashtu siç paska folur edhe myftiu, nuk e di nëse fola unë përpara tij apo ai përpara meje - qenka e palejueshme. Mos do të thotë kjo se një intelektual për asnjë çështje nuk do të duhej të fliste siç flet një myfti? Dhe, mos do të thotë kjo se çdo gjë që thotë një myfti që përpara qenka e papranueshme? Nuk e di nëse shqiptuesit të këtij pohimi i shkon mendja se vetëm në kohën e komunizmit ishte e padëshiruar, madje, e palejuar që të thuash diçka që do të pajtohej me atë që për atë diçka e paska thënë një myfti, një kardinal a një rabin! Nuk e di si mund të kuptohet më parë ky qortim: si paragjykim fetar, si myslimanofobi, apo si një klishe komuniste e strehuar në ndërdijen e qortuesit. Pak më e vrazhdë, ndoshta, do të mund të quhej këshilla e reaguesit tjetër, i cili shqiptarëve, që mund të mos mendojnë si ai, ua tregon udhën e pelegrinazhit, për të zgjidhur, si thotë, brengat e veta! A bash kështu duhet të flasë një shqiptar ortodoks për shqiptarin mysliman që për haxhillëk shkon në Qabe, apo një shqiptar mysliman për vëllain ortodoks që për pelegrinazh shkon në Patrikanën e Stambollit e për vëllain katolik që për pelegrinazh shkon në Vatikan?!

    Krahasime që s'bëhen

    5. Një reagues tjetër pa ndonjë ngurrim dhe pa ndonjë hamendësim shpërfill kritikën letrare, teorinë letrare dhe historinë letrare e kjo domethënë shkencën e letërsisë në krahasim me letërsinë. ç'më duhet mua, mendon ai, studimi i veprës së një shkrimtari kur e kam atë vepër? ç'më duhet mua, thotë ai pa ngurrim, monografia e Rexhep Qosjes për Naim Frashërin? Dhe, unë nuk e di a nuk i duhet kjo monografi e pse e paska shkruar Rexhep Qosja, apo pse qenka e shkruar mbi krijimtarinë e Naim Frashërit? Ky pohim shqiptohet për t'u dëshmuar pohimet e disa miqve të Ismail Kadaresë e, pastaj, edhe mendimi i Kryeministrit të Shqipërisë, se polemika ndaj së cilës reagojnë ata është polemikë midis dy autorëve me popullorësi të ndryshme: një shkrimtari, një poeti botëror dhe një kritiku, një historiani letrar-lokal! Ta lëmë krahasimin midis popullorësive e të merremi me krahasimin vlerësues midis fushave krijuese: midis poezisë dhe shkencës, midis poezisë dhe trajtave të tjera të veprimtarisë mendore të njeriut. Krahasimet vlerësuese midis arteve të veçanta dhe midis arteve e trajtave të tjera të veprimtarisë mendore të njeriut, siç janë shkenca dhe filozofia, quhen të tejkaluara, të papranuara, të gabuara, sepse të gjitha artet, të gjitha shkencat dhe filozofia i duhen njeriut, janë shprehje e mundësive të tij dhe i shërbejnë jetës së tij. I takon një kohe të shkuar koncepti romantik, sipas të cilit poezia dhe muzika përfaqësojnë dëshminë më të fuqishme të gjeniut, ashtu siç i takon një kohe të shkuar koncepti hegelian, sipas të cilit poezia (e kjo domethënë letërsia) i takon fëmijërisë, kurse filozofia dhe shkenca pjekurisë së njerëzimit. Për këtë arsye, në kulturat e zhvilluara nuk bëhen krahasime vlerësuese midis shkrimtarit dhe kritikut, midis shkrimtarit dhe shkencëtarit, midis shkrimtarit dhe filozofit. Studiuesi i njohur polak, Henrik Markieviq, thotë, fjala vjen, se sot "gjithnjë e më dukshëm po hiqen kufijtë midis letërsisë dhe filozofisë, shkencës, reportazhit ose publicistikës"; studiuesi francez, Robert Eskarpi, thotë se ka shumë vepra të shkruara me qëllim funksional që çmohen si vepra të vërteta letrare; teoriku i njohur i letërsisë, Cvetan Todorov, në trajtesën Nocioni i letërsisë, fjala vjen, thotë se "çdo tip i ligjërimit që zakonisht e quajmë letrar, e ka tipin e ngjashëm joletrar, me të cilin është më i afërt se me një tip tjetër të ligjërimit letrar". Krijuesit e ndryshëm të arteve, të shkencës dhe të filozofisë çmohen jo varësisht pse njëri është poet, tjetri shkencëtar e i treti filozof po varësisht prej vlerës, kuptimit, rëndësisë së veprave të tyre. Cili intelektual francez do të thoshte, fjala vjen, se Rasini, Kornej a Molieri janë më të çmuar në kulturën franceze se Dekarti? Asnjëri. Cili intelektual francez do të thoshte se Lamartini është më i çmuar e më i rëndësishëm për kulturën franceze sesa Rusoi? Asnjëri. Cili intelektual francez do të thoshte se Pol Valeri në kulturën franceze është më i çmuar e më i rëndësishëm se Henri Bergsoni apo Gustav Lansoni? Asnjëri. Cili intelektual gjerman do të thoshte se Gëte dhe Shileri për kulturën franceze janë më të rëndësishëm se Kanti dhe Hegeli? Asnjëri. Në letërsinë italiane të shekullit nëntëmbëdhjetë dhe të shekullit njëzet kanë krijuar me mijëra poetë, prozatorë e dramaturgë, por ndër, të themi, pesë shkrimtarët më të lavdishëm të shekullit nëntëmbëdhjetë hyn kritiku dhe historiani i letërsisë italiane, Francesko de Sanktis, kurse ndër më të lavdishmit e shekullit njëzet hyn kritiku dhe esteti Benedeto Kroçe. Albert Kamy dhe Zhan- Pol Sartri janë dy nga figurat më të mëdha të letërsisë franceze të shekullit njëzet, por janë aq të mëdhenj, aq të çmuar e aq të rëndësishëm në këtë letërsi dhe në letërsinë botërore në përgjithësi, jo vetëm si prozatorë, por edhe si filozofë, kritikë, eseistë, intelektualë me formim dhe ndikim universal - Sartri dhe jo vetëm si prozator e dramaturg po edhe si mendimtar, kritik, intelektual i gjithanshëm - Kamy. ç'përfaqësojnë mijëra e mijëra romancierë në krahasim me Herodotin, Plutarkun, Livin, Tacitin, Erazmon, Bekonin, Montenjin, Lesingun, Vikon, Volterin, Didronë, Renanin, Tenin, të cilët trajtohen shkrimtarë të mëdhenj sepse janë, para së gjithash shkencëtarë, mendimtarë, moralistë të mëdhenj? Krahasimet vlerësuese midis intelektualëve tanë, midis krijuesve tanë, varësisht prej fushës krijuese me të cilën merren, nuk e tregojnë të vërtetën për rëndësinë dhe për rolin e tyre të përgjithshëm në letërsinë dhe në kulturën kombëtare.

    Sovjetizimi dhe evropianizimi

    6. Disa prej reaguesve-ithtarë të Ismail Kadaresë, nuk ngurrojnë që në reagimet e tyre të më mbajnë ligjërata për evropianizimin e letërsisë shqipe, duke i treguar me gishtin tregues evropianizuesit dhe kundërevropianizues it e saj, duke e bërë Ismail Kadarenë europianizues e mua kundërshtar të këtij evropianizmi. Janë turrur të marrin një flamur që nuk iu takon, ndërsa Ismail Kadarenë si shumë herë dhe për shumëçka e vënë përpara! E ai, për t'u treguar çka s'ishte e pështyn edhe njërin nga mësuesit e tij të dikurshëm: çernishevskin. ç'mund të thuhet për këto pohime dhe për këto krahasime? Mund të thuhet: mbi tridhjetë e pesë vjet i ka kaluar Ismail Kadare, duke e sovjetizuar jo vetëm me poezi e me prozë, po edhe me shkrime kritike dhe "teorike" letërsinë dhe kulturën shqiptare. Përmasat e vërteta të kësaj dukurie në krijimtarinë e tij mund të shihen në gjithë shtrirjen e saj vetëm kur të studiohet ajo. E sovjetizimi dhe evropianizimi janë koncepte të papërputhshme, madje, të papajtueshme. E sovjetizimi dhe evropianizmi janë praktika letrare, artistike dhe kulturore në përgjithësi, të ndryshme, të papërputhshme dhe të papajtueshme. Shkrimin e fundit apo, ndoshta, të fundit teorik dhe historikoletrar, me të cilin i kontribuohej sovjetizimit të letërsisë shqipe, të shkencës letrare dhe të kulturës shqiptare, Ismail Kadare do ta shkruajë në çastet kur po dëgjoheshin grahmat e fundit politike, ideologjike dhe sistemore të komunizmit në Evropë dhe po fillonte çsovjetizimi i letërsisë dhe i kulturës shqiptare: në vitin kur po shënohej dyzet e pesë vjetori i çlirimit. Ishte kjo fjala teorike dhe historiko-letrare e Ismail Kadaresë mbi amshimin e realizmit socialist, e paraqitur në Konferencën Shkencore Koha jonë, letërsia, shkenca letrare në njërën nga sallat e Pallatit të Kongreseve më 13 nëntor 1989, që do të botohet mandej në numrin e janarit 1990 të revistës Nëntori. Ishte kjo fjala teorike dhe historikoletrare e Ismail Kadaresë, me të cilën ai zhvlerësonte të ashtuquajturën letërsi dekadente, mikroborgjeze, domethënë evropiane, me të cilën e shpallte të përjetshme letërsinë e realizmit socialist dhe me të cilën e madhëronte edhe një herë rëndësinë e vijës së Partisë për letërsinë dhe artet. Në Evropë nuk kishte krijues, nuk kishte intelektual, që nuk shihte se në arkivolin e komunizmit po nguleshin gozhdët e fundit, kurse Ismail Kadare i shkruante himn për pavdekësinë! Në letërsinë shqipe kurrë një poet s'ishte treguar më kundërprofet. Fatmirësisht, një numër i prozave dhe i poezive të Ismail Kadaresë nuk e dëshmojnë teorinë e tij, me të cilën propagandohej sovjetizimi i mëtejshëm i letërsisë dhe i kulturës shqiptare. Dhe, fatmirësisht, krijimtaria e tij letrare dhe publicistike, pas rënies së komunizmit, është krijuar në kundërshtim me atë teori. Por, pesëmbëdhjetë vjet vetëdije për nevojën e evropianizimit nuk janë shpagim i mjaftueshëm për mbi tridhjetë e pesë vjet teori dhe propagandë për sovjetizimin e letërsisë dhe të kulturës shqiptare në përgjithësi. Në vitet kur Ismail Kadare bënte sovjetizimin teorik dhe, në një pjesë të madhe, praktik të letërsisë shqipe, unë bëja evropianizimin e saj: evropianizimin e gjithanshëm të saj. Dhe, kjo dëshmohet në referencat e përdorura në veprat e mia për letërsinë shqipe. Dhe, kjo dëshmohet në indekset e emrave në veprat e mia për letërsinë shqipe dhe për kulturën shqiptare. Mbi 95 për qind e emrave të shkrimtarëve, të krijuesve të tjerë të arteve të tjera, të filozofëve, të shkencëtarëve në veprat e mia janë emra shkrimtarësh, krijuesish të arteve të tjera, filozofësh dhe shkencëtarësh evropianë- francezë, gjermanë, anglezë, italianë, spanjollë, holandezë dhe amerikanë. Dhe, kjo dëshmohet edhe me pikëpamje teorike në sprovën time Letërsia kombëtare dhe letërsia botërore ose afrimi përmes ndryshimeve, të botuar në vitin 1972. Dhe, kjo dëshmohet edhe me koncepte teorike në veprën Tri mënyra të shkrimit shqip, të shkruar në fund të viteve të shtatëdhjeta, në të cilën politizimi dhe ideologjizimi, domethënë sovjetizimi, që predikonte e zbatonte Ismail Kadare në njërën anë, kurse folklorizmi, në anën tjetër, trajtohen si pengesa për evropianizimin e letërsisë, të arteve, të dijeve, të kulturës sonë në përgjithësi e kjo domethënë si pengesë e evropianizimit të identitetit tonë. Të thuash, prandaj, ç'thotë Ismail Kadare për veten dhe ç'thonë magnetofonat e tij për rolin tim dhe rolin e tij në evropianizimin a çevropianizimin e letërsisë dhe të kulturës sonë, do të thotë të mos e shohësh të vërtetën dhe të mos e pranosh të vërtetën.

    Si po zgjidhet çështja kombëtare

    7. Një numër i reaguesve, megjithëse i vogël, i quajnë të jashtëkohshme e kjo domethënë anakronike diskutimet për çështje që po diskutohen në këtë polemikë e në reagimet ndaj saj dhe i quajnë kështu të jashtëkohshme, domethënë anakronike, sepse u tingëllojnë shumë kombëtare. Në kohën e globalizmit, që, mendojnë, u sjell vetëm të mira kombeve, preokupimet kombëtare, thonë, të largojnë prej qëllimit kryesor, që është zhvillimi ekonomik dhe ngritja e mirëqenies së qytetarëve. Nuk janë këto, natyrisht, deklarimet e para, as të vetmet në disa nga mediat tona në Prishtinë dhe në Tiranë, në të cilat ideja kombëtare quhet tashmë ide e tejkaluar. Harrohet se, siç po shihet në të gjitha anët e planetit, kombi është edhe më tej ajo forca e cila, si e thoshte De Goli, e lëviz historinë. Popujt e mëdhenj nuk janë më pak nacionalistë se popujt e vegjël, që ende s'kanë zgjidhur as çështjen kombëtare as çështjen demokratike. Dhe, harrohet se autorë perëndimorë, evropianë dhe amerikanë, në vendet e të cilëve globalizmi predikohet më së shumti, thonë se: 1. kapitalizmi me tregun e lirë; 2. të drejtat e njeriut me demokracinë liberale sekulare; dhe 3. shteti kombëtar përfaqësojnë tri parimet, mbi të cilat qëndrojnë e sotmja dhe e ardhmja e Perëndimit dhe e njerëzimit. Dhe, harrohet se ne, si komb, ende nuk e kemi zgjidhur çështjen kombëtare dhe, si duken punët, nuk do ta zgjidhim përfundimisht as në këtë cikël historik. Është e vërtetë se pozita e shqiptarëve në Maqedoni, në Serbinë Jugore dhe në Mal të Zi sadopak po përmirësohet dhe është e vërtetë se Kosovës do t'i njihet pavarësia me ose pa farë kufizimesh, por është e vërtetë se shqiptarët mbesin të ndarë, siç ishin, në pesë shtete! E ashtu i copëtuar si shqiptarët nuk është asnjë popull evropian. Bashkësia ndërkombëtare nuk ua ka paracaktuar disa kufizime bisedimeve mbi statusin e Kosovës për hir të shqiptarëve, po, në radhë të parë, për hir të serbëve. Vullneti i, të themi, 10 për qind të serbëve të Kosovës vihet kështu mbi vullnetin e 90 për qind të shqiptarëve dhe të tjerëve në Kosovë. Sikur të mos favorizohej vullneti i serbëve, shqiptarëve të Kosovës do t'u njihej e drejta e popullit të ndarë dhunshëm prej shumicës së tij: e drejta e bashkimit me Shqipërinë. E, sa rëndësi të madhe do të kishte bashkimi i Kosovës me Shqipërinë edhe për Kosovën, edhe për Shqipërinë, ndoshta, vetëm tani po shihet plotësisht. Përpara mendoja se duke u bashkuar me Shqipërinë do të shpëtonin njëherë e përgjithmonë prej Serbisë. Tani mendoj, ndërkaq, se duke u bashkuar me Shqipërinë, njëkohësisht, do të shpëtohej Kosova prej Kosovës dhe Shqipëria prej Shqipërisë. Domethënë: bashkimi do të kishte rëndësi jo vetëm ekzistenciale, ekonomike e politike, po edhe shoqërore, intelektuale dhe morale. Vetëm të bashkuar shqiptarët do të bëheshin çka mund të jenë, çka s'do të duhej të jenë dhe çka do të duhej të jenë edhe në pikëpamje shoqërore, edhe në pikëpamje të shëndetit moral. Për këtë arsye, jo diskutimet intelektuale për çështje kombëtare, prandaj edhe për identitetin, po mohimet e nevojës për diskutime të tilla mbi çështje kombëtare mund të quhen të jashtëkohshme dhe të jashtëvendshme.

    Temat e fundit