×
Hyrja
Profili

Sondazh

A vetecensurohen vertete mediat shqiptare

Po, plotesisht
0 (0%)
Jo, aspak
0 (0%)
Nuk e di
0 (0%)
Pa koment
0 (0%)

Numri i anetareve qe votuan: 0

Vetëcensura si kulturë mediatike

Vetëcensura si kulturë mediatike

· 8 · 1030

  • Postime: 26688
  • Gjinia: Mashkull

ne: 23-11-2010, 12:02:50
Kultura e gazetarisë në Shqipëri nuk mund të shihet e shkëputur nga kultura politike e shoqërore në vend, si dhe nga zhvillimi i mediave në Europën Lindore. Implementimi i strukturave demokratike dhe zhvillimeve në ekonomi, shoqëri dhe sistemin mediatik në këto vende u bazua fillimisht te kopjimi apo imitimi i praktikave të vendeve të Perëndimit, ose siç do të argumentonte Habermas më 1990, "revolucionet demokratike rikuperuese" në vendet e Europës Lindore karakterizohen nga një mungesë totale e ideve, nuk janë as inovative dhe as të orientuara drejt së ardhmes. Kështu edhe në Shqipëri, imitimi (jo kritik) i strukturave perëndimore u kthye në burim të vetëm gjenerimi në të gjitha fushat, por pa pasur një reflektim të brendshëm për risitë dhe të metat e modelit të imituar. Pasojat e këtij "moderimi me telekomandë" duken qartë në problemet e medias tonë me gjithë progresin e padiskutuar drejt një modeli pluralist dhe liberal. Një ndër arsyet se përse aplikimi i këtij modeli mbeti formal dhe dështoi në përmbajtje ishte edhe mungesa e një kulture të ngjashme të gazetarisë, që nuk kishte mundur të formësohej gjatë regjimit komunist, me shtyp të pazhvilluar pluralist.


Koncepti teorik i kulturave gazetareske është relativisht i ri, nëse krahasohet me moshën e vërtetë të gazetarisë dhe përmbledh praktikat gazetareske, standardet profesionale dhe aspektet etike që ekzistojnë në vende të ndryshme me kushte historike po të ndryshme. Gazetaria paraqitet si "një proces pune i individëve profesionistë" apo si "një institucion i pavarur, si një profesion dhe diskurs brenda një konteksti konkret politik, ekonomik apo kulturor". Kështu, po të përkufizojmë paradigmën e kulturës së gazetarisë sot, kjo do ta vinte theksin te identiteti i gazetarit dhe te marrëdhëniet e gazetarisë me kontekstet e tjera shoqëruese. Për të analizuar shkallën e zhvillimit mediatik dhe profesionalizmin e gazetarëve në Europën Perëndimore dhe Amerikën Veriore, autorët Hallin dhe Mancini identifikuan tri modele të sistemeve mediatike: modelin mesdhetar, pluralist dhe të polarizuar, (Italia, Spanja); modelin demokratik (korporatist) të Europës Perëndimore dhe modelin liberal të Atlantikut Verior.


Ndërsa dy modelet e fundit përmbushnin pak a shumë kriteret e një gazetarie cilësore, duke respektuar standardet universale të gazetarisë, modeli i parë paraqiste një tipologji gazetarie dhe medie, jo aq e panjohur për ne. Gazetarët sipas studimit në fjalë dalloheshin si: a) më pak profesionistë, b) të identifikuar më shumë me institucionin mediatik ku punojnë se sa me profesionin e tyre, c) gazetaria merret për zgjatim të letërsisë dhe politikës, d) lidhje e fortë e gazetarëve me elitat dhe partitë politike, e) mungesa e autonomisë së tyre, dhe ku f) shoqatat apo sindikatat e gazetarëve kanë pak ose aspak ndikim në jetën shoqërore dhe atë politike. Modeli i kulturës gazetareske apo të sistemit mediatik në një vend varej sipas tyre nga të paktën katër dimensione, si p.sh. zhvillimi i tregjeve mediatike që reflekton te tirazhi, korniza politike e marrëdhënies politikë-media, zhvillimi i gazetarisë profesionale si dhe niveli i ndërhyrjes së shtetit në sistemin mediatik.
Duke u mbështetur në etapat e procesit transformues në vendet postkomuniste, zhvillimin e sistemit mediatik në Shqipëri mund ta specifikojmë kështu:
Faza e parë, "inkubacioni" përkon me fillimet e demonopolizimit dhe decentralizimit të medias së dikurshme shtetërore. Ajo karakterizohet nga një shtyp partizan, revolucionar që operon në vakum, një model hibrid mes shtypit privat dhe atij "kooperativ", shpesh me vetë stafin si pronar (gazeta "Indipendent" si nënprodukt i stafit të gazetës "Koha Jonë", në një raport të caktuar forcash, e tillë ishte edhe vetë kjo e fundit) - ku mungonin edhe kushtet më minimale për të qenë një shtyp profesionist. Por që me gjithë mangësitë, gazetarët e kësaj faze, në botëkuptimin e tyre disi romantik, idealist, për kredon e profesionit të gazetarit i afrohen tepër modelit universal të gazetarit me frymë kritike kundrejt elitave politike dhe ekonomike. Kjo fazë e parë karakterizohet nga një marrëdhënie armiqësore mes Politikës dhe Medias. Politika që ende kërkonte modelin e vjetër, të një shtypi bindës ndaj pushtetit dhe shtypi i ri që mëtonte zhvillimin dhe ndikimin në hapësirën publike sipas modeleve të vendeve demokratike. Kësisoj, në këtë fazë ndeshemi me një kulturë gazetareske agresive dhe kundërshtare.


Në fazën e dytë, forcohet legjislacioni i mediave dhe profesionalizmi i gazetarëve, rol këtu do të luajnë trajnimet dhe edukimi i mëtejshëm i gazetarëve (dhe studentëve të gazetarisë), veçanërisht sipas modelit anglo-amerikan. Kemi lindjen e mediave të reja private elektronike, kalimin tërësisht të shtypit në duart e biznesmenëve të rinj, ose thënë ndryshe, fillesat e fenomenit të "italianizimit" të sistemit mediatik (jo vetëm të programacionit të TV) si kudo në vendet postkomuniste, "në kuptimin e filozofisë së një korporate: ku nuk ka ndryshim të madh mes menaxhimit të një partie politike, një kompanie biznesi, apo një shoqërie mediatike" sipas modelit të Berluskonit. Nga ana tjetër, në këtë fazë kemi ndërgjegjësimin e politikës për rolin e medias si aktor i rëndësishëm në hapësirën e komunikuar publike.


Karakteristikë e fazës së dytë është superimi që media i bën politikës dhe përpjekjet e kësaj të fundit për të pasur ndikim dhe rol mbi të, siç ishte rasti i debatit mbi projektligjin për median më 2001, ku politika synoi të marrë përsipër rolin e një Urdhri të Gazetarit, si rregullator i komunitetit gazetaresk. Me gjithë përplasjet, kjo fazë e dytë dallohet për një politikë bashkëvepruese mes dy aktorëve: medias dhe politikës, një periudhë afrimi dhe flirtimi që zgjati pak kohë, 1998-2002.


Në fazën e tretë përsoset më tej korniza ligjore dhe zhvillimi teknologjik i medias, si dhe rritet numri i kompanive mediatike, por njëkohësisht dobësohet roli i medias. Studimet në këtë fushë evidentojnë si efekt kryesor, ndikimin e pronësisë mbi politikën editoriale dhe stafin e gazetarëve që sjell mungesë pavarësie në ushtrimin cilësor të profesionit (si p.sh. mungesa e kontratave të punës, ku deri në vitin 2005, 95% e gazetarëve në vend punonin pa kontrata dhe sigurime shoqërore). Me këtë status të pazgjidhur, gazetaria nuk mund të bëhet cilësore, e besueshme dhe as nuk mund të ushtrojë funksionin e saj kontrollues ndaj aktorëve të ekonomisë dhe politikës. Ndryshe nga Hallin dhe Mancini që argumentojnë se sistemi politik ndikon më shumë se tiparet e tjera në perceptimin e gazetarëve brenda një sistemi mediatik, në Shqipëri faktori ndikues mbeten pronarët e medias, interesat e tyre ekonomike dhe politike. Ky model vazhdon të mbetet aktual. Dominimi (sado i lehtë) i medias mbi politikën në fazën e dytë, shndërrohet tashmë në kah të kundërt: Politika (përmes pronarëve të medias) dominon median!


Kështu, po t'i kthehemi sërish modelit të polarizuar dhe ta krahasojmë atë me sistemin mediatik shqiptar, bien në sy disa pikëtakime: përputhja e tirazheve të ulëta, ku një përqindje e vogël e popullsisë ka akses në organet e shtypit, mungesa e profesionalizmit të gazetarëve, ndërhyrja e shtetit me anë të formave të ndryshme, strukturat e dobëta në mbrojtje të gazetarëve e të tjera aspekte që reflektojnë një demokratizim të papërmbushur. Me gjithë ngjashmëritë, nuk duhet të lihet jashtë vëmendjes se "cilësia" e këtyre mangësive është e ndryshme: Panorama mediatike në Shqipëri është shumë më pak pluraliste dhe e padiferencuar se në Itali p.sh. Ky model, rasti italian ose "italianizmi" më tepër, gati u kopjua me shumë zell nga të gjitha vendet e Evropës Lindore, ku as Shqipëria nuk bën dallim. "Italianizimi" si koncept për të shpjeguar fenomenin e një gazetarie të opinionit dhe me theks të lartë politik, ku mediat janë të përqendruara në duart e pak pronarëve që duan t'i përdorin ato për qëllime komerciale, ekonomike dhe politike, duke bërë që politizimi të ecë përkrah komercializimit. "Italianizimi" jashtë strukturave organizative mediatike u imitua në Shqipëri kryesisht në modelet televizive, ndërsa shtypi i shkruar vazhdoi të ruajë një balancë mes modelit italian dhe atij anglosakson. Tendenca e medias për të imituar modele perëndimore, "italianizimin" apo "amerikanizimin" nuk është veçse prirje për t'iu afruar një modeli global, një kulture dominuese të gazetarisë. Nëse me këtë kulturë do të nënkuptonim ato vlera dhe ideale të gazetarit bazuar te objektiviteti, ndarja e faktit nga komenti dhe te roli i gazetarit si një vëzhgues i distancuar, atëherë kultura dominuese do të ishte modeli amerikan (anglo-amerikan) i gazetarisë. Por nga kjo, kultura e gazetarisë shqiptare ka imituar formën vetëm, prioriteti qëndron te kënaqja e tregut dhe e nevojave komerciale të pronarëve, në vend të shërbimit ndaj publikut. Nga kjo tablo të krijohet përshtypja se "kultura dominuese e gazetarisë" në Shqipëri ka trajtën e një modeli hibrid: me tipare nga media e polarizuar edhe nga ajo komerciale (tabloide) anglosaksone. Ky model hibrid është ende larg gazetarisë cilësore dhe karakterizohet nga: ekzistenca e ideologjizimit, si mbetje e ndërgjegjshme ose jo, nga koha e komunizmit; imitimi sipërfaqësor i formateve dhe modeleve perëndimore pa i përshtatur vërtet ato, ekzistenca e një fryme konfliktuale dhe emocionale në raportimin mbi çështje të ndryshme politike dhe sociale; orientimi lokal, si aspekt tipik i kulturave territoriale (që sjell ngushtim të tematikave me raportimin vetëm brenda kufijve kulturorë), mosklasifikimi i qartë i mediave cilësore nga ato jocilësore, si dhe nga një mbështetje e fortë e strukturave politike dhe gatishmëri e theksuar për të bashkëvepruar me partitë politike në periudha zgjedhore. Por, nga krahasimi me studime të ngjashme mbi kulturën e gazetarisë në vendet e Europës Lindore, vëren se këto tipare janë gati universale edhe për sistemet e tyre mediatike, ngjashmëri që i gjejmë edhe në sistemin politik.


Kush është pra, specifika e kulturës së gazetarisë shqiptare? Kriza e identifikimit të gazetarëve me kredon dhe profesionin e gazetarit si një institucion i pavarur, si dhe me rolin e funksionin në shoqëri, është një tipar dallues i kulturës së gazetarisë shqiptare. Meqë vetëpërkufizimi i gazetarëve lidhet ngushtë me kontekstin kombëtar të një vendi, është i kuptueshëm fakti se mungesa e një tradite të mirëfilltë të gazetarisë cilësore dhe e një mendësie të orientuar drejt vlerave të pranuara si universale të gazetarisë ndikon që parime elementare si objektiviteti apo paanshmëria, të merren jo si vlera konstante, por të ndryshueshme. Nga ana tjetër, teoria normative e manualeve të gazetarisë bie ndesh me paradigmën globale sot, ku gazetaria europiane dhe ajo amerikane, sado cilësore, po orientohen përherë e më shumë drejt atyre lajmeve apo informacioneve që duhet të mbështeten mbi fakte, por të jenë njëkohësisht sa interesante, aq edhe të shitshme.


Në këtë udhëkryq të vlerave, gazetari shqiptar i largohet identifikimit me profesionin e tij, (që kudo ndodhet në një lloj "krize identiteti") duke u lidhur përherë e më shumë pas pronarit të mediumit ku punon, i cili në sytë e tij paraqet një shtyllë të qëndrueshme për karrierën e tij. Për ta ruajtur këtë gjendje, vetëkontrolli, si kusht i domosdoshëm për gazetarin vëzhgues, kthehet ngadalë në një vetëcensurë, në emër të së cilës, opinionet përzihen me lajmet dhe angazhimi profesional ngatërrohet shpesh me atë politik; PR-i politik merret dhe aprovohet pa kurrfarë verifikimi dhe kritike, duke i kthyer gazetarët në zëdhënës të partive politike; raportimi bëhet i njëanshëm, si në rastin e zgjedhjeve të fundit qershor 2009. Detyrimisht edhe ndërhyrja e politikës apo e biznesit në kredon e profesionit merret e mirëqenë. Për ta ilustruar me thënien e një aktori në media: "Gazetari që u nënshtrohet politikave të gazetës nis të mbajë përbrenda dhe t'i duken të natyrshme presionet, të cilave u nënshtrohet, duke zhvilluar atë që quhet "vetëcensurë", ose ndryshe, procesi me anë të të cilit, gazetarët marrin me mend atë që pronari i medias dëshiron të dëgjojë..."


Për të bërë një analogji: Nëse thembra e Akilit për politikën shqiptare këto njëzet vjet ka qenë kontestimi i përhershëm i zgjedhjeve, për sistemin mediatik duket është vetëcensura, që ka një traditë të gjatë në gjithë etapat e zhvillimit historik dhe ushtrimit të gazetarisë në Shqipëri.

Panorama

  • Postime: 12347
  • Gjinia: Femer

#1 ne: 23-11-2010, 17:13:19
Dke ky artikull i Artan Fuges mu duk interesant ne lidhje me mediat ne Shqiperi.

Pengesat në informimin publik

Mediat në shoqërinë e sotme të komunikimit konsiderohen në një shkallë të lartë si burime informacioni për publikun. Ato, në fakt, janë të tilla edhe në rastin e vendit tonë, aq më tepër, pra, në një shoqëri që vetëm prej dy dekadash ka dalë nga një gjendje censure ndaj shprehjes së lirë të ideve dhe opinioneve. Të trajtuara shpesh si një sistem kibernetik që shkëmben informacione me botën e jashtme, mediat thuhet se e realizojnë këtë në tri rrafshe:
            Së pari, duke i transmetuar informacione publikut; së dyti, duke marrë informacione nga mjedisi rrethues për t’ia përcjellë publikut, dhe së treti, duke mbledhur informacione për reagimin e publikut ndaj informacionit të marrë prej mediave.Në këtë mënyrë, thuhet se një pjesë e fluksit informativ kthehet përsëri pas dhe shërben si element njohës për t’i ndihmuar mediat të vetëkorrigjohen në strategjitë e tyre informative duke realizuar ekuilibrin dhe mbijetesën e tyre e tyre si një sistem homeostatik (që kërkon ekuilibër).Nëse këto tri funksione informative shprishen, sipas teoricienëve të shkollës së Paolo Altos, atëherë midis sistemit të informimit publik dhe dinamikave të rrjedhave shoqërore ndodh ajo që quhet “çarje”, pra mediat në këto kushte funksionojnë si sistem kibernetik që riprodhon edhe defekte sistematike informimi, mbyllen brenda universit të tyre sipas një koherence përputhjesh artificiale që krijon iluzionin e verifikimit të fakteve, të cilët, në fakt, veçse akomodohen artificialisht në mes tyre. Duke humbur sensin e realitetit, vjen radha që mediat të ndodhen herë pas here para detyrës të raportimit të skandaleve, katastrofave, ngjarjeve të jashtëzakonshme, krizave politike dhe ekonomike të papritura, pikërisht sepse ardhjen e tyre nuk kanë mundur ta parandiejnë. Pra, në këto raste mediat raportojnë për lajme, të cilat informojnë për ngjarje të ndodhura pikërisht sepse sistemi i informimit publik dhe agjencitë e administrimit social nuk kanë mundur ose nuk kanë dashur t’i parashikojnë e parandalojnë. Shqetësimi është që kapacitetet informative të mediave të lira, sado të pakrahasueshme me më parë nga vëllimi dhe cilësia e informacionit që stokojnë dhe transmetojnë, kufizohen përsëri nga vetë mënyrat e funksionimit të tyre. Nuk është çështje thjesht mungesash teknologjike, por problem funksionimi. Është në interesin e publikut dhe të vetë mediave që këta kufij t’i shtyjnë sa të jetë e mundur më shumë drejt horizonteve sa më të gjera. Ideja është që mediat të zgjerojnë rolin e tyre si burime autonome informimi të publikut dhe të kenë mundësi gjithnjë e më të mira për të transmetuar një informacion të rëndësishëm, të rinovuar dhe përditësuar, por edhe thelbësor për publikun.Këtë problematikë, sikurse mediat e huaja, duhet ta përballojnë në koniunkturën e tyre specifike edhe mediat shqiptare.
Richard Hoggart flet se edhe procesi i “demokratizimit të lajmit”, pra i transmetimit të lajmeve që publiku dëshiron të marrë, pra ka, veç anës së vet promovuese për një informacion sa më cilësor për publikun, edhe pasojën negative që sistemi kibernetik i mediave ndodh që bie në një proces ciklik të mbyllur. I drejton publikut thjesht ato mesazhe që vetë pjesa e publikut që shërben si audiencë për atë media dëshiron të dëgjojë. Kështu ndodh edhe me elektoratin e partive politike gjatë fushatave promovuese elektorale. Ato shpesh i drejtohen vetëm një elektorati tashmë të ndikuar prej tyre duke rënë në autizëm dhe duke ulur rendimentin informativ të tyre.
Ndodh, pra, një proces entropie, çstrukturimi informativ, sipas Umberto Ekos, ku media transmeton vetëm atë që dëshiron publiku i saj dhe publiku ndjek thjesht atë media që vetëm e përforcon në qëndrimet e veta politike apo në rrafshin e vlerave të veta morale.  Informacioni ka prirje të kthehet gjithmonë e më shumë në “Publicitet”, do të shkruajë Jurgen Habermas, pra në një informacion që ka si synim parësor përcjelljen në opinionin publik të një imazhi të përmirësuar të agjencive që i kontrollojnë mediat për veten e tyre, realizuar sipas teknikave promocionale, me qëllim bindjen e publikut dhe administrimin e sjelljes së tij. Krijohen kështu, ata, që sipas Dominik Wolton, quhen “intelektualët e mediave”, të cilët, në rastin tonë “analistë” dhe “opinionistë”, sipas ligjeve të “mendimit të shpejtë”, janë mësuar të akumulojnë të gjitha ato funksione interpretimi të informacionit mediatik duke shmangur prej andej elitat e tjera universitare dhe akademike apo shkencore. Format e interpretimit të informacionit nga ana e mediave ndodh kështu që rutinizohen, sepse gazetarët jo rrallë krijojnë stereotipa të ngurtësuar, të cilët, sikurse thotë Pierre Burdie, kthehen në “syze me anë të të cilave ata shohin disa gjëra dhe injorojnë të tjera”. Në këtë mënyrë, vazhdon ai, “konkurrenca, larg së qeni një faktor që automatikisht është prodhuese e një informacioni origjinal, tenton në një shkallë të lartë të favorizojë edhe uniformizmin e mallit informacion”.
Ndodh edhe një proces që quhet i “vasalizimit të publikut”, pra i somnabulizimit të tij, në kuptimin që publiku humb aftësinë për të qarkulluar çdo lloj informacioni tjetër veç atij mediatik, të marrë në mbrëmje nga stacionet televizive. Të nesërmen, gjendja e opinionit publik, raportuar nga media, nuk është veçse një produkt i vetë medias së një dite më parë. Qerthulli rrezikon të mbyllet brenda një sistemi autist ku opinioni publik riprodhon influencat e mediave, ndërsa mediat raportojnë atë gjendje të opinionit publik, të cilën në fakt e kanë krijuar ato vetë.
 Kjo konstatohet shpesh.
Bie fjala, mediat nxjerrin njeriun e vitit, influencën e të cilit e masin sipas sondazheve të bëra te publiku, por harrohet që publiku shpesh konsideron si të tillë, pikërisht, duke u nisur në bazë të mediatizimit më shumë ose më pak të suksesshëm nga ana e mediave, atë apo këtë personazh politik apo kulturor.
 Po të shohim me kujdes funksionimin e mediave shqiptare në ditët tona, vëmë re se krahas misionit të tyre të vështirë dhe të nderuar të informimit të publikut, vihen re edhe një sërë barrierash të shumëllojta strukturore, të cilat i vënë kufij cilësisë dhe vëllimit të informacionit të transmetuar. Nëse në mediat e huaja mbetet problem i diskutueshëm fakti që në orët që përfaqësojnë pikun e ndjekjes nga audienca të mediave mbisundojnë elementët argëtues si spektaklet, lojërat televizive, varietet muzikore, lojërat sportive etj., në dëm të informacionit kulturor, social, ekonomik etj., te ne, veç kësaj, shtohet se është debati politik dhe lajmi politik që gati përzë në këto orë piku çdo informacion tjetër për shoqërinë.
Mediat strukturohen fort sipas influencave politike dhe linja e tyre editoriale nis e bëhet gjithnjë e më tepër selektive ndaj fakteve, jo nga kriteri i rëndësisë së tyre për publikun, por nga vështrimi i influencave politike apo financiare të agjencive të informacionit në fjalë. Sidomos përgjatë fushatave elektorale ka ndodhur pikë për pikë ajo që thuhet se mediat kanë prirje të kthehen thjesht në promovuese të promocioneve publicitare të partive politike dhe jo në agjentë të shqyrtimit kritik të peizazhit politik të vendit.
 Mbi të gjitha, axhenda e mediave, pra seleksionimi i lajmeve të rëndësishme për t’iu transmetuar publikut, ndjek logjikën e uniformizimit dhe përcaktohet, në fakt, nga mediat me audiencë më të madhe. Është televizioni shpeshherë që përcakton audiencën e shtypit të shkruar, janë gazetat e mëdha që përcaktojnë axhendën e informacionit edhe për mediat e tjera të shkruara.
Mbi të gjitha, sikurse thekson Hoggart, humbet ajo që quhet natyrë e lajmit, pra e informacionit. Ndarja në lajme të rëndësishme apo jo të rëndësishme nuk ka më vlerë si më parë, sepse kriteret e përcaktueshmërisë së hierarkisë të informacioneve janë bërë jashtëzakonisht shumë të diskutueshme.
 Mbi të gjitha, mbisundon informacioni i lehtë, sikurse shkruan Jacques Ellul, i sipërfaqshëm, sepse edhe publiku dhe logjikat e zgjerimit të audiencës kërkojnë që ai të konsumojë një mall informativ sa më lehtë të tretshëm, sipas një kodi shumë të reduktuar fjalësh. Statistikisht, mediat gjeneralizuese nuk përdorin, në rastin më të mirë, më shumë se 500 fjalë.
 Në kushtet e kufizimit drastik të punës që vjen nga reporterët e terrenit, ndodh shpesh që lajmi i jashtëm dhe ai i brendshëm të merret nga interneti, si burim kryesor informacioni. Problemi është se këtu ndodh që gazetarët të kujtojnë se kanë të bëjnë me një burim informacioni të dorës së parë, ndërsa në fakt informacioni i qarkulluar atje është edhe ai i seleksionuar, interpretuar, kategorizuar sipas strategjive publicitare individuale, kolektive apo institucionale. Në këtë mënyrë, mediat ushqehen në mënyrë të tepruar nga interneti dhe janë gjithnjë e më pak burime të pavarura lajmesh.
             Zgjerimi i kapaciteteve të tyre informative bëhet një nga detyrat parësore për mediat tona. Mbi të gjitha kërkohet të mbahet parasysh shmangia nga një model pak a shumë autist ku politika u referohet informacioneve të medias, ndërsa mediat ndikohen duke u përcaktuar nga politika dhe axhenda e kësaj të fundit. Në këtë mënyrë krijohet edhe një rreth tjetër i mbyllur, ku mediat transmetojnë gjithnjë e më shumë atë që ato gjykojnë se dëshiron një publik i sipërfaqshëm, kurse vetë publiku mbahet në këtë nivel të sipërfaqshëm informimi dhe shkallë minimale receptimi të informacionit nga vetë mediat. Fjala është për të ikur nga ai model ku mediat ushqehen me lajme të para, kryesisht nga konferencat e shtypit, kurse konferencat e shtypit ushqehen nga mediat. Bëhet fjalë gjithashtu që mediat t’i drejtohen sa më shumë realitetit dhe investigimit të tij, si burim parësor lajmesh, sepse përndryshe mediat do të rrethqarkullojnë vetëm një sasi shumë të madhe lajmesh të marra nga burime brendamediatike. Interneti ushqen me lajme shtypin e shkruar dhe televizionin dhe këto të fundit ushqejnë si burime informative internetin.
            Këto prirje çojnë pastaj drejt një sistemi të mbyllur, autist, informacioni, çka ndikon që e gjithë shoqëria të mos gjejë kapacitete të mjaftueshme për t’u vetadaptuar nëpërmjet informimit të saktë dhe thelbësor në lidhje me koniunkturat e reja historike para të cilave mund të ndodhet.
 Në vend t’i ngjajë një sistemi kibernetik që vetërregullohet nëpërmjet korrigjimit të informacionit duke shkëmbyer informacione me botën përreth, ajo rrezikon të bjerë në një koherencë autiste me veten e vet, të humbasë aftësitë për të korrektuar devijancat e veta informative, duke shkuar drejt nja “çarjeje” mes informacionit për realitetin dhe vetë realitetit.
 

  • Postime: 3258
  • Gjinia: Mashkull

#2 ne: 23-11-2010, 17:36:56
Shej, ky artikull ishte shkas qe te kerkova librin e Fuges :)

Ja vlen te lexosh artikujt e Artan Fuges, ka nje kendveshtrim te mire, dhe i analizon gjerat nga nje kend krejt ndryshe nga te tjeret.

  • Postime: 12347
  • Gjinia: Femer

#3 ne: 23-11-2010, 18:41:29
Kur e ke ditelindjen ti :)

  • Postime: 26688
  • Gjinia: Mashkull

#4 ne: 25-11-2010, 23:36:15
Fakti qe keto probleme diskutohen goxha shpesh le shprese per ndryshim. Jane disa gjera qe kalojne neper procese per t'u pjekur dhe shtypi nuk perben perjashtim. Uroj qe brenda disa viteve dhe te ne do te kete media relativisht te lira dhe jo kaq te censuruara, qofte me force apo dhe me "vetepelqim". Por nuk duhet harruar se media totalisht te pacensuruara gati s'mund te kete. Plus dhe media partizane gjithmone ka pasur e do te kete, pa marre parasysh se sa e pjekur eshte nje demokraci. Shihni Fox News ne SHBA apo Mediaset ne Itali psh.

  • Postime: 3258
  • Gjinia: Mashkull

#5 ne: 25-11-2010, 23:41:07
MAX, po shikoje tani ate cfare ka ndodhur ne Shkup, me nje media Maqedonase, A1(a1.com.mk).
Pasi quhet media e opozites, eshte tensionuar gjenjda aq shume, sa ne kohen kur Sali Berisha kerkoje pagesen e taksave nga Top Channel, dhe u be gjithe ajo zhurm per hic gje, dhe ne fund, prap fitoje shteti, kurse ketu tek ne, eshte veshtir, te behet dicka e till, pasi kemi ne nje kryeminister qe deshiron te behet diktator ne vitin 2010.

Shpresoje qe mos kete ndonje anashkalim te situates, por te kete nje qetesim, dhe te vazhdoje jeta normale neser.

  • Postime: 26688
  • Gjinia: Mashkull

#6 ne: 25-11-2010, 23:41:33
Citim
Ky model, rasti italian ose "italianizmi" më tepër, gati u kopjua me shumë zell nga të gjitha vendet e Evropës Lindore, ku as Shqipëria nuk bën dallim.

Autori ketu ia fut kot dhe me top madje. Shqiptaret, ose me mire mediaberesit ne Shqiperi duhet te clirohen nga parja e botes nga dritarja italiane. Nuk eshte fare e vertete se "italianizimi" i mediave eshte nje fenomen i ndjekur ne te gjithe Europen. Italia kudo ne Europe shihet si shembulli nje vendi pertac, joeficient ku jetojne njerez mashtrues. Keshtu qe askush s'ka pse merr ndonje gje shembull nga Italia. Vetem ne e shohim ndryshe, sepse sic thashe shikimin tone e kalojme neper Itali perpara, pa marre mundimin te shohim vete drejteperdrejte boten.
Por qe mediat shqiptare kane kopjuar ato italiane, ketu s'mund te them se e ka gabim. Te lexosh nje gazete italiane eshte identike sikur te lexosh nje shqiptare. Politike partizane ne kulm. Objektiviteti eshte koncept alien e i pazbuluar akoma per boten shqiptare e italiane te medias.

  • Postime: 26688
  • Gjinia: Mashkull

#7 ne: 25-11-2010, 23:46:53
MAX, po shikoje tani ate cfare ka ndodhur ne Shkup, me nje media Maqedonase, A1(a1.com.mk).
Pasi quhet media e opozites, eshte tensionuar gjenjda aq shume, sa ne kohen kur Sali Berisha kerkoje pagesen e taksave nga Top Channel, dhe u be gjithe ajo zhurm per hic gje, dhe ne fund, prap fitoje shteti, kurse ketu tek ne, eshte veshtir, te behet dicka e till, pasi kemi ne nje kryeminister qe deshiron te behet diktator ne vitin 2010.

Shpresoje qe mos kete ndonje anashkalim te situates, por te kete nje qetesim, dhe te vazhdoje jeta normale neser.



Po mire, le te vazhdojne keshtu. Shteti i ngjitur me peshtyme, i quajtur IRJM, duhet ta marre nga diku shqelmin. Te shpresojme t'ia fusin vetes pra kete shqelm :)

Temat e fundit