×

Post reply

Emri:
Email:
Titulli:
Ikona e mesazhit:

Verifikimi:
Cfare gjuhe flasin shqiptaret?:

shtyp alt+s per te postuar ose alt+p per ta kontrolluar


Permbledhje

Postuar nga: M A X
« ne: 05-09-2019, 23:24:37 »

Liri individuale, apo interesa kolektive? Lidhje sociale apo anonimat? Jared Diamond, për kompromiset e jetës në qytete.
Për një pjesë të mirë të 6 milion viteve të evolucionit të specieve tona, njerëz dhe proto-njerëz kanë jetuar në klane ose në grupe të vogla, të shpërndara nëpër territore të gjera, si majmunë pak më të evoluar. Vetëm në 6,000 vitet e fundit, që është thjesht një moment në aspektin e historisë njerëzore, disa prej nesh janë organizuar në qytete. Sot më shumë se gjysma e popullsisë së botës jeton në këto kontekste të reja, dhe disa metropole kanë dhjetëra miliona banorë.

Jeta në qytet kërkon kompromise: avantazhe të mëdha, në këmbim të lshimeve të mëdha. Le të analizojmë dy prej tyre: kompromisin mes lirisë individuale dhe interesave kolektive, dhe atë mes lidhjeve shoqërore dhe anonimatit.

Për të kuptuar konceptin e lirisë individuale, fillojmë nga Singapori, një nga mikro-kombet me popullsi më të dendur në botë. Singapori ka gjashtë milion banorë të ngjeshur në 720 kilometra katrorë, ose 230 herë më shumë se dendësia mesatare e popullsisë amerikane. Eshtë një qendër e rëndësishme financiare, një nga portet kryesore të një prej rrugëve më të rrahura në botë, dhe një pullë toke me një pasuri të patundshme me shumë vlerë, në mes të dy gjigandëve të fuqishëm: Indonezisë dhe Malajzisë. Singapori ishte pjesë e Malajzisë deri në vitin 1965, kur tensionet socio-ekonomike çuan në ndarje. Por Singapori varet kryesisht nga Malajzia për ujin dhe ushqimin, dhe për këtë arsye duhet të shmangë gabimet dhe të ruajë marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë.

Si pasojë e kësaj, qeveria e Singaporit kontrollon qytetarët e vet, për t’u siguruar që askush nuk dëmton komunitetin. Inspektorët kontrollojnë nëse ka ujë të ndenjur në shtëpi, ku mund të bien vezët e mushkonjave që mbartin sëmundje. Sensorët e teknologjisë së lartë matin (ose do të matin) trafikun e secilës rrugë, lëvizjet e çdo makine dhe temperaturën e çdo ndërtese, apo hijen që ajo projekton. Jo vetëm kaq: konsumi i ujit dhe energjisë elektrike të secilës banesë monitorohet, dhe regjistrohet madje edhe koha kur i hedhin ujë tualetit. Një amerikan do të tmerrohej nga këto rregulla; është makthi i George Orëellit, i bërë realitet. Por ky është pakti që qytetarët e Singaporit kanë bërë me qeverinë e tyre: më pak liri individuale, në këmbim të një standardi më të lartë të jetesës, shëndetit dhe sigurisë.

Tani le të marrim qytetet gjermane, të cilat kanë gjithashtu popullsi me dendësi të lartë. Ligjet lokale rregullojnë formën dhe ngjyrën e pllakave që do të përdoren në çatitë e shtëpive, ose përcaktojnë madhësinë dhe moshën e pemëve që lejohen të priten në tokën e qytetarëve. Për të marrë një licencë peshkimi, një qytetar gjerman duhet të marrë pjesë në disa orë kurs, dhe të kalojë një kuiz me 60 pyetje. Amerikanët do të refuzonin t’i zbatonin këto rregulla. Por avantazhet për gjermanët përfshijnë një arkitekturë të njëtrajtshme, hapësirat e gjelbërta në qytete dhe një faunë e shëndetshme.

Në ekstremin tjetër unë do të vendosja qytetin tim të lindjes, Los Angeles, ku prona private është një e drejtë e pacënueshme. Rezultati është “të gjithë të lirë”, gjë e cila që dëmton njerëzit dhe komunitetet. Shtëpitë mund të kenë pothuajse çdo formë, nuk ka harmoni arkitektonike. Hapësirat e gjelbërta po zhduken, temperaturat po rriten dhe mbeturinat ose pesticidet e fqinjëve po përfundojnë në tokën tënde. Për të peshkuar mjafton të blesh një licencë, askush nuk bën pyetje, me pasojën e vetëkuptueshme, që ka gjithnjë e më pak peshq.

Rezultatet e kompromiseve të jetës së qytetit janë shumë të ndryshme në Singapor, Gjermani dhe Los Angeles, sepse gjeografitë dhe historitë e ndryshme kanë çuar në zakone dhe tradita të ndryshme. Dendësia e popullsisë është më e larta në Singapor, mesatare në Gjermani dhe shumë e ulët në Shtetet e Bashkuara. Në Kinë, nga vjen popullsia e Singaporit, njerëzit kanë jetuar në qytete prej 5,000 vjetësh, në Gjermani prej 2,000 vjetësh dhe në Shtetet e Bashkuara (përfshirë Kaliforninë) vetëm prej disa shekujsh. Bujqësia tradicionale kineze është komunitare, në Gjermani ka rajone bujqësore me ferma të drejtuara nga familjet, ndërsa në vendbanimet kufitare të Shteteve të Bashkuara jetonin familje në gjendje të mbanin veten, dhe të izoluara. Trashëgimia kulturore pasqyron ende sot, këto ndryshime.

Një tjetër kompromis i jetës në qytet është ai mes lidhjeve sociale dhe anonimatit. Në zonat rurale të Guinesë së Re, ku punoj që nga vitet 1960, njerëzit vazhdojnë të jetojnë si në shoqëritë periferike perëndimore. Fshatarët në Guinenë e Re e kalojnë tërë jetën në vendin ku kanë lindur, të rrethuar nga miqtë dhe një rrjet shoqëror që i mbështet.

Amerikanët që e njohin mirë vetminë e qytetit mund të ndjejnë zili. Kur një Papuan lëviz në qytet, ai është në mesin e njerëzve të panjohur dhe miqtë e tij janë të paktë, të saponjohur ose të largët. Shpesh pasoja është që ekziston një ndjenjë e trishtë izolimi, humbjes së rrjetit social dhe përhapjes së krimit urban.

E megjithatë nuk duhet të krijojmë një ide shumë romantike për jetën tradicionale Papuane. Shumë miq më thonë se sa shtypëse është kjo mënyrë jetese dhe sa i kufizon mundësitë e individit për të realizuar potencialin e vet. Në fshatrat e Guinesë së Re të gjithë dinë gjithçka për të gjithë, nuk ka intimitet dhe gjithçka që bën komentohet nga pjesa tjetër e popullsisë së fshatit.

Një shoqja ime Papuane jetoi për vite me radhë në një qytet amerikan dhe u ndje mirë, sepse (sipas fjalëve të saj) ajo mund të lexonte me lehtësi gazetën e ulur në një tavolinë në bar, pa ndonjë anëtar të klanit që e shqetësonte me kërkesa për para ose ta mbushte me ankesa ankesa. Ata kanë mësuar të vlerësojnë shpikjet e jetës moderne, siç janë çantat ose xhepat, të cilat lejojnë që objektet të fshihen nga sytë e të tjerëve, dhe për këtë arsye i lejojnë vetes pak luks, pa u bërë objekt kritikash. Papuanët pranojnë se jeta e vendit të tyre ka të meta, por edhe avantazhe të pamohueshme. Por ata gjithashtu kuptojnë avantazhet dhe jo vetëm të këqijat e anonimitetit urban.

Eshtë e gjitha një çështje kompromisesh. Në një botë gjithnjë e më të urbanizuar, duhet të msohemi të gjithë të jetojmë siç bëjnë në Singapor? Nëse do ju kërkonin që të regjistronit të gjitha herët që lani tualetin, si çmim që duhet paguar për të patur siguri, shëndet, mirëqenia dhe lagje të bukura, ju çfarë do të zgjidhnit?

Jared Diamond është profesor i Gjeografisë në Universitetin e Kalifornisë, Los Angeles dhe ka fituar Çmimin Pulitzer me librin e tij “Armë, çelik dhe sëmundje”. Ky artikull është shkëputur nga libri i tij i fundit “Upheaval: Turning points for nations in crisis”

National Geographic – Bota.al