×

Estetitsja, trajtimet e duhura për fytyrën në pranverë-verë

· 1 · 1038

Estetitsja, trajtimet e duhura për fytyrën në pranverë-verë

· 1 · 1038

  • Postime: 22563
  • Gjinia: Mashkull
M A X
ne: 04-05-2011, 00:54:23
Blerta Mrishaj

Në këto ditë pranverore ku duket se dielli mezi na ngroh, stina e luleve ka mbërritur me gjithë forcën e saj. Madje për pak kohë, vjen stina e ngrohtë e verës, ku dielli më shumë se kurrë jo vetëm të ngroh, por mund të jetë edhe i rrezikshëm për lëkurën tonë, veçanërisht për fytyrën. Për këtë Iliada Brahimaj, estetiste pranë sallonit “Beauty Image” në një intervistë për “standard” shpjegon kujdesin që duhet treguar në këtë periudhë, si dhe produktet kozmetike që duhen përdorur dhe shmangur. Veçanërisht për femrat, estetistja Brahimaj apelon për më shumë kujdes ndaj rrezeve të diellit, pasi siç shprehet edhe ajo ”Dielli mund të prishë strukturën e lëkurës, ndikon në krijimin e njollave e deri te kanceri i lëkurës”. “Për këto arsye, - këshillon estetistja - përdorimi i kremit të diellit është mëse i domosdoshëm si dhe produkteve cilësore kozmetike me filtra mbrojtëse”.

 

Me ndërrimin e stinëve dhe konkretisht në pranverë, cilat produkte kozmetike duhen përdorur dhe cilat hequr?

Mënyra se si duhet ta trajtojmë lëkurën tonë në këtë periudhë ka shumë rëndësi, pasi produktet me bazë ushqyese që kemi përdorur gjatë dimrit zëvendësohen me produkte më të lehta hidratuese. Kjo, për t’i dhënë një hidratim të pranueshëm nga stina, që fillon e ngrohet, pasi lëkura nuk mund t’i “mbajë” produktet e rënduara në masa vajore.

 

Përsa i përket tipave të lëkurës, si mund të kuptojmë ne vetë llojin, apo duhet të këshillohemi me estetisten?

Tipi i lëkurës varet nga faktorë të ndryshëm, që luajnë një rol të rëndësishëm, si p.sh, trashëgimia, mënyra e ushqyerjes, përdorimi i produkteve kozmetike, procesi hormonal, ndryshimi i klimës, vendndodhja gjeografike, ankthi dhe mosha. Gjatë procesit të plakjes lëkura fillon dhe hollohet, ndaj një përqindje e lartë e personave në moshë kanë lëkurë të thatë. Për ta njohur më mirë tipin e lëkurës që kemi, po ju shpjegoj si më poshtë:

 

Lëkura normale

Lëkura normale është e pastër, e qetë dhe ka një qarkullim normal të gjakut. Personat që kanë këtë lloj lëkure, karakterizohen nga pore të vogla në fytyrë, ndërkohë që nuk kanë zona të thata ose të yndyrshme, sikurse llojet e tjera të lëkurave.

 

Lëkura e thatë

Në këto tipa lëkurash, gjëndrat e yndyrës nuk prodhojnë sasi të mjaftueshme mukoze, në mënyrë që lëkura të ketë hidratimin dhe mbrojtjen e duhur. Kësisoj, lëkura bëhet më e ndjeshme ndaj faktorëve të jashtëm. Për këtë arsye lëkura e thatë kërkon një kujdes të veçantë në trajtimin e saj.

 

Lëkura delikate

Lëkura delikate ka tendencë të reagojë lehtësisht ndaj ndryshimeve të brendshme të organizmit, por edhe atyre të jashtëm. Gjithashtu, mund të reagojë edhe gjatë përdorimit të papërshtatshëm të produkteve kozmetike. Kjo tip lëkure mund të jetë e yndyrshme ose e thatë, skuqet shpejt dhe shpesh karakterizohet edhe nga kapilarët e theksuar të gjakut në sipërfaqe të saj.

 

Lëkura e yndyrshme

Lëkura e yndyrshme ka si karakteristikë të saj yndyrën dhe shkëlqimin, për shkak të prodhimit të tepërt të sekrecioneve sebumoze. Kjo lloj lëkure haset shpesh në moshën e adoleshencës. Karakteristikë e saj janë poret e zmadhuara, fytyra me një shtresë të dukshme yndyre, kryesisht në zonat e mjekrës, hundës e ballit. Aknet janë një nga problemet kryesore, që vuajnë personat me këtë lloj lëkure. Një dietë e përshtatshme, aktiviteti fizik si dhe higjiena e mirë, janë faktorë kyç për ta ndihmuar mbajtjen e yndyrës nën kontroll.

 

Lëkura mikse

Është një nga tipat më të zakonshëm të lëkurës, e karakterizuar nga lëkura e yndyrshme, normale dhe ajo e thatë, pasi jo më kot është cilësuar me termin”mikse”. Zonat e yndyrshme në këtë tip lëkure janë të lokalizuara në zonën e ballit, hundës dhe mjekrës, që ndryshe quhet edhe zona “T”. Po kështu, shpesh shfaqen akne të dukshme në zonën, ku poret janë më të ngarkuara me yndyrë, ndërkohë që zonat e mollëzave, faqeve dhe rreth syve janë më të thata.

 

A është e nevojshme që në ndërrimin e stinëve, të bëhen trajtime shtesë, p.sh maska apo piling?

Po, ka shumë rëndësi parapërgatitja e lëkurës për stinën e verës, ndaj edhe pranvera është thelbësore në këtë proces, pasi me mbarimin e dimrit, lëkura për shkak të kushteve atmosferike reflekton tharje, ka krijuar një tërheqje dhe ka humbur dritën (shkëlqimin) e saj. Pra duket më e zymtë edhe e parë me sy të lirë. Për këtë arsye, duhet ta “çlirojmë” atë nga qelizat e vdekura dhe ta hidratojmë, duke bërë fillimisht një pastrim të thellë të saj, që normalisht është mirë të kryhet në qendra estetike, nga persona të specializuar në këtë fushë. Pastrimi sigurisht që përfshin pilingun (pëling), serumet, kremrat e maskat përgatesë sipas tipit të lëkurës. Ajo që duhet të vlerësojmë, është fakti se përveç pastrimeve të thella ka shumë rëndësi edhe produktet personale, me të cilat trajtojmë lëkurën në të përditshmen tonë. Përdorimi i produkteve korrekte në përputhje me tipin e lëkurës, mundëson që lëkura të mos thahet; e jo vetëm të hidratohet, por edhe të mbrohet e ushqehet në mënyrë të rregullt.

 

Çfarë këshilloni ju qoftë për mbrojtjen e lëkurës nga dielli, por edhe për produktet ushqyese?

Ajo që duhet të kemi kujdes është, se përveç produkteve hidratuese, rigjeneruese që duhet të përdorim- siç përmendëm edhe më lart; në varësi të tipit të lëkurës dhe problemeve që kemi, duhet edhe ta ruajmë atë nga rrezet e dëmshme të diellit, sidomos tani në pranverë kur dielli është me “dhëmbë”, për arsye se rrezet janë shumë të forta, ndërkohë që shumica e femrave nuk e marrin seriozisht këtë faktor, duke harruar sesa i dëmshëm është ai për lëkurën. Dielli mund të prishë strukturën e lëkurës, ndikon në krijimin e njollave e deri te kanceri i lëkurës. Për këto arsye, përdorimi i kremit të diellit është mëse i domosdoshëm. Produktet cilësore kozmetike me filtra mbrojtëse që na ofrohen sot, janë të shumta. Përveç aftësisë së tyre për të ndërhyrë në lëkurën tonë si një mburojë kundra rrezeve ultraviolet të diellit, këto produkte janë të pasuruara edhe me përbërës antioksidantë, hidratues dhe anti inflamatorë. Por mos harroni, se nuk mjafton vetëm një krem antidiell për t’u mbrojtur, ajo që nuk duhet të neglizhojmë është ruajtja nga rrezet e dëmshme të diellit, pra mos ekspozimi i gjatë midis orëve 11:00-15:00.

Standard