Ka mahnitur jurinë e “The voice” në Itali dhe publikun, këngëtarja shqiptare, 19 vjeçarja Elhaida Dani.
Me interpretimin e këngës “Mama knows best” Elhaida ngriti në këmbë jo vetëm publikun italian, por edhe anëtarët e jurisë së “The Voice”.
Të mahnitur e të ekzaltuar nga fuqia dhe bukuria e zërit të këngëtares shqiptare, të mëdhenjtë e muzikës italiane, Raffaella Carra, Ricardo Cocciante dhe anëtarët e tjerë të jurisë nuk i kursyen fjalët për 19 vjeçaren nga Shqipëria duke e cilësuar atë një “uragan”, “shkatërruese”, "të madhe", “fantastike”, “një fuqi të natyrës” dhe më pas “luftuan” me njëri-tjetrin për ta marrë atë nën “kujdestarinë” e tyre.
Tepër e emocionuar dhe shumë modeste, Elhaida zgjodhi Ricardo Coccianten, për të vazhduar rrugën e bukur në këtë spektakël, të pëlqyer shumë tashmë edhe në Shqipëri. Raffaella, pas zgjedhjes së trajnerit nga Elhaida, tha: Mister Cocciante, keni marrë në skuadër një bombë!
Elhada na bëri krenarë të gjithëve, jo vetëm me interpretimin e mahnitshëm, por edhe kur shqiptoi me zë të brishtë “Jam Elhaida dhe vij nga Shqipëria”.
I urojmë sukses në rrugën e saj këngëtares sonë Elhaida Dani, e cila është tashmë shumë e njohur në Shqipëri nga interpretimi i këngës, me të cilën mori çmimin e parë në "Top Fest 9".
(an.jo/Balkanweb)