Post reply

×

Post reply

Emri:
Email:

Verifikimi:
Flamuri yne ka ngjyre?:

Permbledhje

Postuar nga: 1dhe1
« ne: 14-03-2021, 21:15:22 »

Postuar nga: M A X
« ne: 03-03-2021, 00:19:22 »

Agim Krajka kompozitori i shquar shqiptar, që ndërroi jetë në moshën 83-vjeçare mbrëmjen e 1 Marsit, la pas një krijimtari të gjërë artistike.Ai kompozoi për të gjithë, shkroi këngë, muzikë filmash, vepra instrumentale dhe për orkestër. Ai i shkroi gjyshes, por dhe rinisë e prandaj brezat unifikohen në pentagramet e tij.


Kënga “Lemza” ishte e para në skenën e Festivalit të RTSH e kompozuar prej Agim Krajkës në vitin 1961. Kënga e dytë “Djaloshi dhe shiu”, por më pas vjen dhe “Kënga e Gjyshes”.

Prej tri dekadash, Agim Krajka zhvilloi veprimtarinë e tij muzikore, duke shkruar muzikë të lehtë, popullore, duke kompozuar pjesë orkestrale dhe firzamonike. Të shumta kanë qënë pjesëmarrjet e tij në festivale të muzikës. Ka fituar gjatë karrierës së tij afro njëzet çmime festivalesh dhe ka shkruar muzikën e shtatë filmave artistikë.

“Njësiti Guerril”
“Në pyjet me dëborë ka jetë”
“Një shoqe nga fshati”
“Lundrimi i parë”
“Zëvendësi i grave”
“Gjyshes Sime”
“Lemza”
“Nuk e Harroj”
“Zonja nga Qyteti”
“Çifti i Lumtur”
“Kafe Flora”
Postuar nga: erlehta
« ne: 07-06-2009, 14:54:46 »

Kujtimin e vetëm të bukur nga fëmijëria e ka të lidhur me fizarmonikën, të cilën, një ditë prej ditësh, babai i pasionuar pas muzikës e solli në shtëpi. Fanatik për instrumentin, rrallë ia besonte të birit, prej frikës mos dëmtohej. Ende nuk e kishte kuptuar se djali ishte rrëmbyer tashmë pas muzikës, se fizarmonika ishte lidhja e tij me botën ndryshe, me emocionet dhe dëshirat, që kohë më pas do të mësonte t‘i hidhte edhe në pentagram. "Sa mirë i bie ky i vogli fizarmonikës!", një e nga një zërat nisën e shtoheshin. Talenti i tij filloi të binte në sy pak e nga pak. Agim Krajka e kalonte kështu pjesën më të madhe të kohës: ushtrohej gjatë gjithë kohës, më shumë akoma kur i ati shkoi për dy muaj ushtar. I kishte dhënë vetes lirinë ta përdorte fizarmonikën sa të donte... Babai u kthye e bashkë me të edhe frika se nuk "do ta përqafonte" kaq shpesh instrumentin e dashur. Por mjaftoi një fjalë e gjyshes për t‘i kthyer mendjen të birit: "Lërja mor bir, jepja djalit fizarmonikën, ç‘e do ti atë?"... Që nga ajo ditë, e dashura fizarmonikë u bë e Agimit përgjithnjë. Me këtë, por edhe me shumë episode, është e lidhur edhe dashuria për gjyshen, për të cilën akoma edhe sot, 72-vjeçar, sytë i përloten e mbushet gjithë emocion. "‘Kënga e gjyshes‘ është më e dashura për mua. Atë e kam kompozuar me mjaft dashuri. Ndoshta kam më tepër lidhje emocionale, por ajo i kushtohet një njeriu shumë të dashur për mua", tregon kompozitori, që mban edhe titullin "Mjeshtër i Madh" dhe nuk përton të këndojë dy vargje prej saj. "Mjerë ajo fëmijëria jonë, por nga njëra anë edhe lum fëmijëria jonë, sepse ndoshta ajo varfëri, ajo jetë e mjerë, na nxiti për të kërkuar një jetë shumë herë më të mirë", thotë ai. Kështu u rrit Agim Krajka, deri në kohën kur nisi ushtrinë edhe ai. Në 40 muaj krijoi një grup muzikor me të cilin ushtrohej përditë. "Mund të them se ajo ishte shkolla e parë dhe e vërtetë për mua. "Punoja thuajse gjithë ditën në fizarmonikë dhe kur u ktheva më vlerësuan menjëherë në Tiranë. Më punësuan në ansamblin e ushtrisë e pas një viti u hap orkestra e Radiotelevizionit. Më ftuan menjëherë. U bëra dirigjent artistik i Kompleksit Ritmik e në ato vite ende isha i pashkolluar. Isha një autodidakt i dhënë pas muzikës", kujton Agim Krajka.

Nisi për të një rrugë që kohë pas kohe po e shtynte drejt suksesit. Miqësia me këngëtaren e madhe, Vaçe Zela, e shtyu të shkruante një këngë për të. Kështu, në vitin 1962 kompozoi të famshmen "Lemza", e cila, thotë kompozitori, u prit në mënyrë fantastike nga publiku. Megjithatë, pavarësisht suksesit, ajo u ndalua për një periudhë, për t‘u ritransmetuar në një emision radiofonik, kushtuar kompozitorëve amatorë. Vrulli për të krijuar ishte i madh. Në vitin 1963 vjen një tjetër bashkëpunim me këngëtaren Vaçe Zela. "Djaloshi dhe shiu" ishte një tjetër sukses i Krajkës, por edhe kjo këngë u ndalua. Pak më vonë e larguan edhe prej radios. Por edhe një herë qëlloi me fat. Tish Daija e bëri pjesë të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve. Ishte një vit i vështirë për të riun Agim Krajka. Punonte shumë, deri edhe tre punë në ditë. I duhej të mbante familjen. Punës në ansambël i shtohej mësimdhënia në Pallatin e Pionierëve e darkave punonte në lulishte. Ndodhi pikërisht në një prej këtyre mbrëmjeve në lulishte që iu afrua shefi i Kulturës në Komitetin Qendror. "Shoku Krajka, ti do të hysh në Konservator", i thotë. Ishte viti 1963. Atij iu duk e pabesueshme, edhe pse jeta e tij ishte e lidhur ngushtë me muzikën, aq sa edhe sot nuk mund ta imagjinojë veten në ndonjë profesion tjetër. Kështu, një muaj më pas, e njoftojnë se i kishte dalë emri për t‘u paraqitur në konkurs. "Shkova vetëm për të qenë korrekt. Interpretova me fizarmonikë një pjesë shqiptare, një klasike, një krijimtari timen. Unë nuk e prisja, por ndodhi që u pranova në degën kompozicion, ku studiova me të ndjerin dhe të nderuarin Çesk Zadeja", thotë ai. Pas kësaj, në vitin 1964 kalon pranë Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore, në fillim si instrumentist e më pas si kompozitor e drejtues orkestre. Veprimtaria muzikore e Agim Krajkës përfshin disa dekada, ku krijoi dhe dha kontribut jo vetëm në muzikën e lehtë, por edhe në atë popullore, të përpunuar dhe orkestrale, ndërsa ka kompozuar edhe muzikë për filma. Në gjithë këto vite krijimtari ka bashkëpunuar me emra të mëdhenj, me këngëtarë që sot janë legjenda të muzikës shqiptare. E para vjen Vaçe Zela, pastaj motrat Libohova, Luan Zhegu, Parashqevi Simaku si dhe shumë të tjerë. Ai thuri këngë që ende edhe sot këndohen me të njëjtën dashuri. "Gjerdani" i vyer i muzikës së lehtë shqiptare nuk mund të kuptohet pa kompozimet ritmike të Agim Krajkës, pa ato nota ndryshe, të cilat edhe padashur të shtynin në kërcim të tepruar (edhe pse i ndaluar gjithsesi). "Për të gjithë këngëtarët që kam bashkëpunuar, kam kujtime dhe përshtypje shumë të mira. Por do të veçoja Parashqevi Simakun për zërin e saj të mrekullueshëm. Ajo ishte një përjashtim ndër këngëtaret e tjera. Ishte e jashtëzakonshme në të gjitha gjinitë që këndonte, por në atë kohë ishte më e pavetëdijshmja se çdo këngëtare tjetër për zërin dhe talentin që i kishte dhënë Zoti". Por për një gjë ndihet mirë, i kënaqur dhe i privilegjuar: këngët e tij vazhdojnë të këndohen ende edhe sot. "Por të rinjtë e sotëm nuk e dinë se ne, për çdo krijim, mbështeteshim te kultura popullore. Unë isha i sigurt që këngët e mia dhe të gjeneratës sime do të pëlqeheshin, sepse ndodhte që çdo njeri do të gjente një element të vetin në atë këngë, do të gjente veten. Kështu ne i jepnim një pasaportë shqiptare këngës", shfryn kompozitori, që nuk e fsheh mllefin për devijimet që i kanë bërë muzikës së lehtë shqiptare. Këtë e ndjeu kur u kthye për herë të parë nga Amerika, pasi ishte larguar në fillim të viteve ‘90 së bashku me familje, bashkëshorten dhe dy djemtë e tij, por vazhdon ta ndjejë akoma edhe sot dhe kjo e bën të ndihet vërtet keq. "Sot është dhunuar në mënyrë barbare muzika shqiptare. Edhe sikur të kishte investuar ndonjë njeri për ta përdhosur kaq shumë, nuk do t‘ia kishte arritur dot". Dhe kujton se si djali i tij i vogël, Fatrini (ka studiuar kompozicion), një ditë i pat thënë: "Krijimet tuaja nuk janë këngë, por simfoni. Sa herë i dëgjoj, ndiej aromë Shqipërie". Dhe ai, Agim Krajka, nuk e merr për kompliment, vetëm se dëshiron pafundësisht që të ruhet identiteti shqiptar edhe në muzikë. "Ne jemi një muzeum i bërë nga Zoti, por kemi filluar të mos jemi të vetëdijshëm për atë çfarë kemi", shprehet ai. Agim Krajka tani i është kthyer Shqipërisë. Amerika tashmë është vetëm vendi i vizitave të herëpashershme. Zgjedh ende talente të reja, zëra "të virgjër", siç i quan ai, të papërpunuar, njësoj siç ka bërë me Irma Libohovën a Parashqevi Simakun. Kështu mund t‘i përpunojë për të nxjerrë më të mirën e mundshme prej talentit që i beson dhuntinë e falur prej Zotit. Vazhdon të krijojë, të japë mësim, të studiojë literaturë dhe të ushtrohet në fizarmonikë. "Me fizarmonikën e kam nisur dhe me atë dua ta mbyll jetën", thotë Agim Krajka, mjeshtri që ka kompozuar edhe mjaft pjesë orkestrale për fizarmonikë. Që nga kënga e famshme "Lemza", ai është nderuar në festivale me mbi 15 çmime të dyta, 3 çmime të treta dhe vetëm një çmim të parë në festivalin e vitit 1987, me këngën "Nuk e harroj", të kënduar nga motrat Libohova.

Gazeta Shqip