Pesë nga shtatë anëtarët e jurisë i dhanë pikët maksimale, derisa e renditën fituesen absolute të Festivalit të 50-të të RTSH-së, duke i dhënë vizën për në Festivalin Evropian të Këngës, i cili këtë vit mbahet në Baku të Azerbajxhanit. Rona Nishliu, kosovarja e vetme pjesëmarrëse, la pas 20 këngë të tjera, duke rrëmbyer trofeun me këngën "Suus", me tekst nga vetë ajo dhe kompozim të Florent Boshnjakut. "Suus", me më shumë se 100 mijë klikime në internet, pas marrjes së çmimit ka trazuar diskutime të ndryshme në gjithë Evropën. Disa nga eurovizionistët e quajnë si "këngë funerali me britma që vrasin veshin", ndërsa të tjerët kanë shkruar edhe editoriale për këngën, që sipas tyre është ndër më të realizuarat artistikisht që Festivali Evropian mund të sjellë brenda tij.
Lufta e portaleve dhe adhuruesve e të kundërtve, ka vënë këngën shqiptare në qendër të vëmendjes së Festivalit të Eurovizionit. Vetë Boshnjaku thotë se kënga nuk është krijuar për t'i pëlqyer gustos së tërë botës.
"Asnjë këngë nuk i përmbush të gjitha stilet. Ne jemi munduar që kënga para së gjithash të dalë profesionale dhe nuk e ka pasur që nga fillimi si destinacion festivalin", - ka thënë kompozitori Florent Boshnjaku për gazetën kosovare "Zëri". Në diskutimet rreth këngës ai thotë se nëse publiku është ai që vlerëson, atëherë kënga ka marrë miratimin e padiskutuar.
"Rrallë ndodh që publiku ta dojë vendimin e jurisë dhe kur Rona e këndoi këngën për herë të fundit salla nuk u zbraz. Nëse janë thyer apo jo tabutë e ankesat se kosovarët s`mund ta fitojnë këtë festival nuk ka rëndësi, ajo ka ndodhur dhe një komplet ekip kosovar fitoi", - ka shtuar Boshnjaku.
Për kompozitorin Andin Randobrava, kënga mund edhe të mos jetë stil i Eurovizionit, por është e punuar artistikisht. "Kënga është punuar në mënyrë profesionale dhe çdo aspekt muzikor ka pëlqimin tim. Përderisa qëndron e tillë, gjithçka mund të ketë sukses për Ronën, së cilës i dëshiroj suksese", - është shprehur Randobrava.
Këngëtarja Rosela Gjylbegu flet në superlativa për këngën që shteti shqiptar e dërgoi këtë vit në Baku. Sipas saj, nuk ka "britma" brenda këngës. "Një këngë kryevepër e cila më ka rrëqethur mishin. Muzika, fjalët, interpretimi dhe vokali i jashtëzakonshëm i Ronës. Jam pa fjalë nga niveli i lartë i këngës", ka deklaruar këngëtarja shqiptare Rosela Gjylbegu.
Dy prej portaleve serbe, performimin e "Suus" e kanë vlerësuar si ideal për Eurovizion, duke vijuar me cilësimet e tyre të larta për performancën shqiptare në Eurovizion, pas asaj të Aurela Gaçes të cilën, gazeta serbe "Danas" e kishte radhitur në mesin e pesë favoriteve.
Vetë Rona, krenare që është kosovarja e parë që shkon në Eurovizion dhe pretendente qysh në konkurrimet e para në festivalin shqiptar, shtoi se fitorja në këtë festival prestigjioz është sukses.
"Suus' është rezultat i një gjendje shpirtërorë, habisë së akumuluar nga tjetërsimi i qenies njëri dhe jo nacionalitetit të ambicieve të çuditshme të po këtij njeriu në raport me potencialin e tij. Problemi nuk është antivlera, problemi jemi ne, që nuk arritëm ta parandalojmë dhe krijuam kushte optimale për zhvillimin e saj. Uroj që njerëzit të kuptojnë mesazhin e tekstit të 'Suus', optimizmin", - ka thënë vetë Nishliu.
Kur pyetet për mendimin e njerëzve rreth këngës, ajo rri shumë e qetë. "Kënga pati sukses dhe u vlerësua pozitivisht nga publiku i gjerë dhe fitoi besimin e jurisë duke u kualifikuar për Eurovision. Unë do të jap maksimumin tim për një prezantim sa më dinjitoz", - përfundoi ajo - e para kosovare që fiton Festivalin e RTSH-së dhe shkon në Eurosong Contest 2012.
Marrë nga gazeta "Zëri", Prishtinë
(er.nu/Balkanweb)