Një nga hitet më të mira të Tina Tarner-it, “Simply the Best”, edhe sot e kësaj dite mbetet kënga më e dëgjuar nga të gjitha moshat.
Tina Tarner e quajtur ndryshe Anna Mae Bullock, ka lindur më 26 nëntor 1939 në Nutbush, Tenesse. Falë karrierës së saj 50- vjeçare, fitoi titullin ‘Mbretëresha e rok n’ rollit”. Në moshën 18-vjeçare, pas një këmbënguljeje të gjatë ajo iu bashkua grupit, ‘Ike Turner’, ku dhe nisi karrierën e saj muzikore me burrin e saj të ardhshëm, Ike Turner. Në vitin 1960, një këngëtar që do të këndonte këngën “A fool in love”, nuk u shfaq dhe kënga u këndua nga Tina, e cila u shndërrua në një hit dhe arriti vendin e dytë në top-listat në SHBA. Ike i ndërroi emrin nga Anna Bullock në Tina Turner, dhe grupin e tij e quajti “Ike & Tina Turner Revue”. Ata u martuan në vitin 1962 në Tijuana të Meksikës. Çifti pati katër fëmijë, por vetëm një ishte i përbashkët, dy ishin nga lidhjet e mëparshme të Ike-s dhe një nga lidhja e Tinës me saksofonistin e grupit. Suksesi i ndoqi me disa hite si “It’s Gonna work Out Fine”, “I Idolize You”, “River Deep, “Mountain High” etj. Në mes të viteve ’70, jeta personale dhe martesa e Tina Turner filluan të bien si pasojë e përdorimit të drogës nga ana e burrit të saj, gjë që solli dhe dhunë fizike dhe psikologjike. Në vitin 1976, Tina lë Iken, duke ikur vetëm me 35 cent në xhep dhe për disa muaj u fsheh tek disa miqtë e saj. Në vitin 1977 finalizohet divorci pas 15 vjetësh martesë, e ndjekur nga libri autobiografik “Unë, Tina”, në të cilin Tina rrëfen dhunën e ushtruar nga Ike. Në 1978 publikon albumin e saj të ri të quajtur “Rough”, i cili niste me ritme blues dhe një sërë këngësh rok, duke treguar drejtimin, që dëshironte të merrte karriera e saj. Tina rindërton karrierën e saj me një sërë hitesh në 1983 dhe me publikimin e albumit të dytë të saj në vitin 1984 të quajtur Private Dancer. Po atë vit ajo publikoi hitin “What’s Love Got to Do with It”, i cili zuri vend të parë në play-listat amerikane dhe ishte këngëtarja më e moshuar, që renditej e para. Karriera e saj muzikore e çoi edhe në kinematografi, ku luajti një sërë rolesh përkrah aktorëve, si Mel Gibson e shumë të tjerë. Ajo ka realizuar kolonën zanore të filmit 007 dhe ka marrë pjesë në filmin autobiografik ku roli i burrit të saj luhej nga Laurence Fishburne. Një nga hitet më të mira të saj është cilësuar “Simply the Best”, i cili u lancua në 1991. Ka bërë një sërë bashkëpunimesh si Eros Ramazzotti, Cher apo Elton John. Pas shumë vitesh mungesë, ajo kthehet në shkurt të 2008-ës në skenë, në krah të Beyonce-s. Pavarësisht moshës 69- vjeçare, Tina nuk dukej më e vjetër se Beyonce dhe paraqitja e saj u prit me duartrokitje dhe ovacione të shumta. Në 1 tetor 2008, ajo nisi turin e koncerteve të saj të titulluar “Tina!: 50th Anniversary Tour”. Ajo është cilësuar nga revista prestigjioze Rolling Stone si këngëtarja më e mirë e të gjitha kohërave e rrymës rok. Tina Tarner vijon të ketë po të njëjtën energji, që ka pasur edhe ditën e parë, që është ngjitur në skenë. Këmbët e saj vijojnë të mbeten ëndrra e çdo vajze të famshme. Bota Sot