Vitet ikin me hapa galopante, por mentaliteti ynë duket se e ka shumë të vështirë evoluimin. Nga sondazhi i “GT”së, rezultoi se prindërit “ndershmërinë” e kanë tabu. Por gruaja, a nuk është në fillim një e dashur, e më vonë të bëhet nuse?!
Një sondazh i kryer nga Gazeta e Tiranës nxjerr përfundimin se shumica e djemve të kryeqytetit e duan bashkëshorten të virgjër. Jo vetëm prindërit e tyre, por edhe meshkujt preferojnë vajzë për nuse “të paprekur”, ashtu siç e quajnë vetë ata në gjuhën e përditshme, pra të virgjër. “Unë do të doja që të ishte e virgjër. Nuk do më vinte mirë që nëna e fëmijëve të mi të kishte shkuar më parë më meshkuj të tjerë,” jep mendimin e tij Dorian Kolobani, student në Fakultetin Histori- Filologji. Ky i fundit e vazhdon diskutimin, duke thënë shpeshherë se femra është si një gotë kristali, e bukur, por, po u thye njëherë nuk bën më! Edhe djem të tjerë kishin të njëjtit mendim. Këta do të donin të ishin mashkulli i parë për gruan e tyre, por duket se shumica i kanë humbur shpresat se do të ndodhë ashtu siç ata vetë duan. Edhe prindër, të pyetur nga “GT”-ja, thonë se “patjetër që gruan e djalit apo të nipit e duam të virgjër. Në kohën tonë shumë rrallë ndodhte që nusja të ishte “e pandershme”. Për to, nëse femra fejohet dhe për të nuk është mashkulli i pari, atëherë ajo nuk është e ndershme. Vetëm një nënë tha se për të nuk kishte rëndësi, nëse nusja e djalit do të ishte e virgjër apo jo. Ajo do të ishte e lumtur, nëse nusja do ta donte dhe ta respektonte të birin. “Unë jam 27-vjeçar dhe kam dy vjet i lidhur me një vajzë. Së shpejti mendoj të fejohem me të. Ajo nuk ishte e virgjër, por kjo nuk do të thotë asgjë. Është njeri shumë i mirë, ne duhemi dhe mendoj se kjo është e rëndësishme. Por është tjetër gjë mendimi që kam për femrat me shumë partnerë. Unë nuk do ta pranoja të kisha lidhje me të tilla femra,” tregon Idliri Mullai. Edhe për Ervis Myrtën nuk kishte rëndësi të madhe, nëse gruaja e tij nuk do të ishte “e ndershme”. Për të rëndësi të madhe ka t’i kalojë mirë vitet dhe dashuria të jetë sa më e madhe.
“Mëshirë” për paragjykuesit!
Të gjithë ata që thanë se gruan e duan të virgjër ndryshojnë shumë kur bie fjala për të dashurën. Ata thonë se e dashura nuk ka rëndësim nëse është apo jo e virgjër. Por gruaja, a nuk është në fillim një e dashur, e më vonë të bëhet nuse?! Megjithatë, Besmiri tregon rastin e tij personal. “Unë po ju rrëfej historinë time. U lidha me një vajzë para një viti, me mendimin se nuk do të rrija gjatë me të, dhe nuk më interesonte se nuk ishte e virgjër. Unë u dashurova me të dhe mendoj të fejohem. Më parë edhe unë, si shumë të tjerë, thosha se gruaja merret e ndershme, ndërsa e dashura jo. Por tani mendoj ndryshe, dhe më vjen keq për paragjykimet që bëja më parë”.
Femrat, “të kërcënuara”
U fol për femrat, por ato vetë deri tani nuk dhanë një mendim të vetin rreth kësaj teme. Epo kot, nuk thonë që ëmbëlsira lihet për në fund! “Më vjen shumë inat që meshkujt na paragjykojnë. Po pse duan të jenë të parët për ne, kur vetë ne nuk jemi të parat për ta?! Ata gabojnë me nofkat që u venë femrave. Një femër nuk quhet e pandershme, kur nuk është e virgjër, por kur ka shumë partnerë njëkohësisht,” jep mendimin e saj 21-vjeçarja Joniada Pasha.
Mblesëria, jashtë mode
Emigrantët që vijnë në Shqipëri sjellin edhe mentalitete të reja, moderne. Një frazë shumë e përdorur prej tyre është që “vetëm në Shqipëri virgjëria quhet vlerë”. “Para viteve 1990, vajza martohej, por, nëse nuk ishte e ndershme, bashkëshorti kishte të drejtën morale ta linte dhe e kthente te shtëpia e prindërve,” thotë 60 vjeçarja Fatime Sulaj. Megjithëse të paktë ka edhe nga ata që, si kusht të parë për femrën të jetë që ajo ta dojë. “Unë nuk do të pranoja kurrë të martohesha me shkesë; rëndësi ka nëse femra më do, më respekton, si dhe ia kalojmë mirë,” thotë Ervis Myrta. Ky i fundit nuk do të pranonte, për asnjë arsye, që nusen ta njihte me shkesë. Për të nuk ka rëndësi nëse s’është e virgjër. Edhe femrat këtë përgjigje dhanë. Ato ishin kundër martesës me shkesë. Për to rëndësi të madhe ka dashuria. “Dashuria ka rëndësi, e jo të tjerat,” këmbëngul Ajgena.
Kini Kujdes!
Djemtë e kryeqytetit preferojnë më tepër që nusja e tyre të jetë e “paprekur”. Jo vetëm ata, por edhe shumica e prindërve duan që nusja e djemve ose e nipërve të jetë e virgjër.
“Femra është si një gotë kristali. Po u thye, nuk bën më!” Kjo ishte fjalia që, të pyeturit nga Gazeta e Tiranës e kishin refrenin e përditshëm.
Valbona Ndreka