Ish-të përndjekurit politikë - Forumi Politik

×
Albanian Forums, Zerion Zeri yt Zeri Info, Forumi Shqiptar Al Virtual, Diskutime, Biseda, Chat Njofje, Informatika, Teknologjia, Gazeta Tema, Gazetat Shqiptare, Bota Sot, www Channel Albania, Telegrafi Kosovo, Ballkani Web, Gazeta Lajme shqip, Lajmet e Fundit Shqiperia Kosova, Dita, Panorama, Kryeartikull, Faqja Kryesore, Video Shqip, Muzike Shqipe, Njoftime, Lajmerime, Temat Online, Gazetat, Kosovare, Shtypi Ditor, Sporti Shqiptar, Dashuria, Pyetje Pergjigje, Keshilla, Ndihme, Webmaster Shqiptar, Familja, Shqiptaria, Muzika, Receta Gatimi, Imazhe, Vipat-shqiptar, Aktualiteti
Media Sociale
Mesazhe Private
Shqiptaret duke lexuar tema interesante dhe te ndryshme
Tema re

Ish-të përndjekurit politikë

Ish-të përndjekurit politikë

· 1 · 832

  • Postime: 28589
  • Karma: +48/-5
  • Gjinia: Mashkull

ne: 25-11-2011, 23:47:08
Ish-të përndjekurit: Të dëmshpërblehen edhe të pushkatuarit para vitit 1944
SHKRUAN: Jonida Tashi  25-11-2011 15:47
Nis shqyrtimi i ankimimit në Kushtetuese. Kërkesa e shoqatave dhe familjarëve: Shfuqizoni ndryshimet për dëmshpërblimin tonë, të rritet rrethi i subjekteve të përfshira

Ish-të përndjekurit kërkojnë që të marrin dëmshpërblim edhe të pushkatuarit gjatë Luftës Nacional-Çlirimtare. Vetëm pak kohë pasi qeveria miratoi disa ndryshime në ligjin për dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve politikë, falë të cilave u spostua edhe data e nisjes së dëmshpërblimit, nga 30 nëntor 1944 në 25 tetor 1944, shoqata e ish-të burgosurve politikë të Shqipërisë dhe shoqata e trashëgimtarëve të të pushkatuarve politikë kërkojnë që rrethi i përfituesve të shtrihet edhe para ‘44, duke pretenduar se të njëjtin status duhet të marrin edhe të pushkatuarit gjatë viteve të Luftës Nacional-Çlirimtare. Për këtë arsye, ata i janë drejtuar nëpërmjet një kërkese Gjykatës Kushtetuese, e cila ka zhvilluar dje seancën e parë, duke kërkuar shfuqizimin si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë të shkronjës “d” të nenit 4 të ligjit nr.9831, datë 12.11.2007 “Për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë të regjimit komunist”, ndryshuar me nenin 3 të ligjit nr.10111, datë 02.04.2009 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.9831, datë 12.11.2007 “Për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë të regjimit komunist””. Në thelb të kërkesës së të përndjekurve është që rrethi i përfituesve nuk duhet fokusuar vetëm gjatë periudhës 1944-1991, por edhe më parë, pasi sipas argumentimit të shoqatave, duhet të marrin dëmshpërblim edhe të pushkatuarit gjatë viteve të Luftës Nacional-Çlirimtare.

Baza ligjore

Ish-të përndjekurit kërkojnë nga Kushtetuesja si shpalljen antikushtetues të shtesës në nenin 4/d të ligjit nr.9831, datë 12.11.2007, në të cilën janë përcaktuar edhe kategoritë përfituese të dëmshpërblimit. Kështu, si kusht në këtë ligj është që të jenë dënuar për veprime politike gjatë periudhës 30.11.1944 deri më 1.10.1991, kohë kjo e ekzistencës së regjimit komunist. Familjarët dhe shoqata njëherazi kërkojnë që të hiqet kjo shtesë, duke e rritur rrethin e përfituesve edhe ndaj atyre të pushkatuarve gjatë Luftës Antifashiste, Nacional-Çlirimtare. Duke e fituar këtë status, ato kanë të drejtë që të nisin procedurat për marrjen e parave të dëmshpërblimit. Më konkretisht, në pikën që kërkohet të shfuqizohet në ligj thuhet: “Sipas vendimit gjyqësor të formës së prerë, të mos ketë kryer veprime të dëmshme, me pasoja për jetën e shtetasve të tjerë gjatë periudhës 30.11.1944 deri më 01.10.1991”. Në muajin gusht të këtij viti, qeveria miratoi ndryshimin e kohës së nisjes së dëmshpërblimit, duke e shtyrë nga data 30 nëntor 1944, më 25 tetor 1944, dhe kjo jo pa domethënie. Në këtë kohë, Këshilli Antifashist Nacional-Çlirimtar i Partisë Komuniste, jo vetëm e kishte shpallur veten si pushtetin e vetëm në vend dhe ekzekutonte të gjithë kundërshtarët politikë, të përfshirë ose jo në luftë, por në Berat, më 23 tetor 1944, ky këshill u vetëshpall qeveri dhe Enver Hoxhën, kryeministër. Ndaj, ndryshimet që iu bënë ligjit për dëmshpërblimin e të përndjekurve politikë të regjimit komunist, për kryeministrin Sali Berisha ishin vendosje në vend e së drejtës historike.

Neni 4

Kriteret për të përfituar dëmshpërblim

(ndryshuar me ligjin nr. 10 111, datë 2.4.2009)

I dënuari ose familjarët e viktimave të dënuara, të ekzekutuara apo të pushkatuara, për

të përfituar dëmshpërblim duhet të plotësojnë kriteret e mëposhtme:

a) të jetë dënuar me dënim kapital, heqje lirie, internim dhe dëbim apo të jetë izoluar

në hetuesi ose në një institucion mjekësor psikiatrik, për shkak të një vendimi gjykate të

formës së prerë, të një akti administrativ apo të urdhrave të hetuesisë, të dhëna gjatë periudhës 30.11.1944 deri më 1.10.1991;

b) heqja e lirisë, izolimi në hetuesi apo në një institucion mjekësor psikiatrik, me

vendim gjyqësor të formës së prerë apo me urdhër të hetuesisë, të jetë për shkak të një vepre penale politike, siç përcaktohet në nenin 5 të këtij ligji;

c) të ketë kryer ose të ketë vuajtur dënim penal të padrejtë plotësisht ose pjesërisht;

ç) të kenë fituar pafajësinë, sipas ligjit nr. 7541, datë 30.09.1991 “Për pafajësinë, amnistinë dhe rehabilitimin e ish-të dënuarve dhe të përndjekurve politikë”, të ndryshuar;

d) sipas vendimit gjyqësor të formës së prerë, të mos ketë kryer veprime të dëmshme, me pasoja për jetën e shtetasve të tjerë gjatë periudhës 30.11.1944 deri më 01.10.1991.

Të dënuarit mbi 85 vjeç, dëmshpërblim me një këst

Një nga ndryshimet më të rëndësishme të ligjit për dëmshpërblimet është se, brenda vitit 2012, ish-të përndjekurit që janë gjallë do të përfitojnë të gjithë shumën e mbetur nga këstet që ishin parashikuar të shpërndaheshin në një afat kohor prej 8 vitesh. për rrjedhojë, me ndryshimet më të fundit në ligj, kjo kategori do të përfitojë totalin e shumës së mbetur brenda një kësti, ndërkohë që edhe për kategorinë tjetër është kërkuar një afat më i shkurtër për dëmshpërblimet. Por, veç kësaj pike, ndryshimet thelbësore, të diskutuara në projektligjin për dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve kanë të bëjnë me zgjerimin e skemës së përfituesve. Kështu, sipas ndryshimeve të bëra në ligj, do të zgjerohet afati i kohor i cilësimit të veprës që dëmshpërblehet, nga 30 nëntor 1944 më 25 tetor 1944. Po ashtu, do të njihet e drejta e aplikimit deri më 31 dhjetor 2011. Kjo do të thotë që subjektet apo trashëgimtarët e tyre, të cilët nuk kanë munduar të aplikojnë për të përfituar dëmshpërblimin deri në datën 1 korrik 2009, mund ta bëjnë këtë gjë deri më 31 dhjetor 2011. Një tjetër amendim i rëndësishëm i bërë në ligj është edhe njohja e vendimmarrjes së Komisionit Trepalësh (që ka vepruar në vitet 1992–1994), për të internuarit deri më 31 dhjetor 1954. Ky internim shpërblehet me 1000 lekë për çdo ditë të vuajtur. Por, në këtë pikë duhet bërë kujdes, pasi vendimmarrja e komisionit (që ka vepruar si gjykatë fakti në mungesë të dokumenteve), nuk do të njihet për vdekjen në hetuesi apo për vrasjet pa gjyq. Një pikë e re në ligjin për dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve është se do të njihen në listën e veprave penale, ato të parashikuara nga neni 65 i Kodit Penal të vitit 1952 dhe neni 50 i Kodit në fjalë i vitit 1977. Këto përfshijnë veprat e terrorizmit kundër pushtetit dhe të përfaqësuesve të tij. Për këto raste, kërkuesi duhet të bëjë një kërkesë me shkrim pranë Ministrisë së Drejtësisë. Ndërkaq, sipas ndryshimeve të fundit, njihet e drejta e fëmijëve biologjikë që ishin birësuar apo kishin humbur lidhjet me prindërit e tyre si pasojë e persekutimit.

Ndryshimet në ligj

Zgjerohet afati kohor i cilësimit të veprës që dëmshpërblehet, nga 30 nëntor 1944 në 25 tetor 1944.

Njihet e drejta e aplikimit deri më 31 dhjetor 2011. Kjo do të thotë që subjektet apo trashëgimtarët e tyre të cilët nuk kanë munduar të aplikojnë për të përfituar dëmshpërblimin deri në datën 1 korrik 2009, mund ta bëjnë këtë gjë deri më 31 dhjetor 2011.

Njihet vendimmarrja e Komisionit Trepalësh (që ka vepruar në vitet 1992 – 1994), për të internuarit deri më 31 dhjetor 1954. Ky internim shpërblehet me 1.000 lekë për çdo ditë të vuajtur. Duhet bërë kujdes në kuptimin e këtij, pasi vendimmarrja e komisionit (që ka vepruar si gjykatë fakti në mungesë të dokumenteve), nuk njihet për vdekjen në hetuesi apo për vrasjet pa gjyq.

Njihen në listën e veprave penale, ato të parashikuara nga neni 65 i Kodit Penal të vitit 1952 dhe neni 50 i Kodit në fjalë i vitit 1977. Këto përfshijnë veprat e terrorizmit kundër pushtetit dhe të përfaqësuesve të tij. Për këto raste, kërkuesi duhet të bëjë një kërkesë me shkrim pranë Ministrisë së Drejtësisë.

Njihet e drejta e fëmijëve biologjikë që ishin birësuar apo kishin humbur lidhjet me prindërit e tyre si pasojë e persekutimit.

Të dënuarit mbi 85 vjeç, e marrin dëmshpërblinin në një këst të vetëm. /mapo.al

Temat e fundit