Prof. Neritan Ceka - Forumi Politik

×
Albanian Forums, Zerion Zeri yt Zeri Info, Forumi Shqiptar Al Virtual, Diskutime, Biseda, Chat Njofje, Informatika, Teknologjia, Gazeta Tema, Gazetat Shqiptare, Bota Sot, www Channel Albania, Telegrafi Kosovo, Ballkani Web, Gazeta Lajme shqip, Lajmet e Fundit Shqiperia Kosova, Dita, Panorama, Kryeartikull, Faqja Kryesore, Video Shqip, Muzike Shqipe, Njoftime, Lajmerime, Temat Online, Gazetat, Kosovare, Shtypi Ditor, Sporti Shqiptar, Dashuria, Pyetje Pergjigje, Keshilla, Ndihme, Webmaster Shqiptar, Familja, Shqiptaria, Muzika, Receta Gatimi, Imazhe, Vipat-shqiptar, Aktualiteti
Media Sociale
Mesazhe Private
Shqiptaret duke lexuar tema interesante dhe te ndryshme
Tema re

Prof. Neritan Ceka

Prof. Neritan Ceka

· 2 · 2713

  • Postime: 28589
  • Karma: +48/-5
  • Gjinia: Mashkull

ne: 22-04-2010, 02:04:30
Prof. Neritan Ceka

Citim
Krenar për arkeologjinë dhe origjinën aristokrate

Nga Agron SEJAMINI

E pasur harta e zbulimeve arkeologjike që mban autorësinë: Ceka. Një histori qytetërimi e lashtë që na bën të ndjehemi krenar para botës, për të parët tanë. Gati gjysmën e këtij qytetërimi të nëndheshëm e kanë "ndërtuar" profesorët, Hasan dhe Neritan Ceka. I ati ka hedhur themelin e arkeologjisë shqiptare, ndërsa i biri ka merita të padiskutueshme për lartësinë dhe hijeshinë e saj. Menduam se edhe qytetërimi i familjes së tyre do të niste me Hasanin, ku studioi 13 vjet në Vjenë të Austrisë. Por edhe këtu, e vërteta i përket lashtësisë...

Kujtesa e viteve, garanton saktësi informacioni të plotë, për gjyshin e Neritanit, Hysenin. I lindur në një familje elbasanase, pronare e dhjetëra dynymëve tokë në Kodër Bujaras, ka mundësinë që të studioj për drejtësi, në Stamboll. Diplomohet me rezultate të shkëlqyera, pa mundur t'i ftohin dashurinë për atdheun, ofertat e majme të punësimit, në universitetin turk. Nuk kishte nevojë të sillte gjë për familjen, ndaj bagazhet i mbushi me libra dhe revista të botuara nga shoqëritë shqiptare. Pa ndjerë pendesë për qytetërimin e braktisur, madje, duke mos u ndjerë i qetë as në qytetin e Elbasanit, nis të punojë si mësues shëtitës në krahinën e Shpatit. Një qytetar fisnik i mirëpritur nga ata fshatarë, që më shumë se sa në sofër ishin të etur për dije dhe kulturë. Disa vjet shtëpi më shtëpi dhe fshat më fshat, duke u mësuar shqipen djemve dhe vajzave shpatarake. Në vitin 1908, kur ishte drejtor i shkollës shtatë vjeçare të Elbasanit, lajmëron shumicën e tyre për të ardhur në qytet. I teston për ato çka u kishte mësuar dhe u jep diplomë, duke i nxitur dhe mbështetur edhe më shumë në përhapjen e dijes dhe mësimit shqip. Ky motivim atdhetar i kishte dhënë jo vetëm nder, por dhe emër. Në një nga këto ditë, e takon miku i njohur gjatë viteve të studimit, Xheladin Pasha. Jo thjesht takim përshëndetës. Atdhetari matjan e fton elbasanlliun, në sarajet e tij në Burgajet. Si mysafir, por me vete duhej të merrte edhe bagazhin e Stambollit... Me ato libra dhe atë pasion që e kishte bërë të shquar në trevën e Elbasanit, tani do ishte mësues i djalit të tij pesë vjeçar, Ahmetit. I mësoi të shkruarit shqip, por edhe dituri të tjera, mbretit të ardhshëm të shqiptarëve. U bëmë shumë kurioz, për të mësuar se kush ia shpërbleu më shumë mësuesinë Hysenit, babai apo i biri, por më kot. Nga i nipi Hysenit, nuk dëgjuam gjë...

Tjetër kund, e priste shpërblimi i karrierës Hysenin. Një nga pasanikët më të mëdhenj elbasanlli të kohës, Mehmet Çelerama, që kishte mbi 1000 hektarë tokë pronësi në Xherije, e thërret në vilën e tij, që e kishte brenda kalasë së qytetit, për misionin e radhës. Hysen Efendi Ceka, duhej t'i mësonte shqipen, vajzës së tij. Kalonin ditët dhe bijës së Mehmet beut, më shumë se sa mësimi, po i pëlqente mësuesi. E ndërsa i ati, priste t'i kërkonte e bija libra për të lexuar, ajo i kërkon mësuesin për burrë.

-Baba! Mua më pëlqën shumë zoti mësues...

Jo vetëm dhëndërr, por edhe djalë e bëri Mehmet beu, Hysenë, ngaqë kishte vetëm vajza. Kështu, la periferinë mësuesi dhe hyri në Kala për të jetuar, aty ku ishin vendosur familjet e shquara, jo vetëm për pasuri, por edhe për atdhetarizëm, dije dhe kulturë. Aty ishin, Daklët, Nosët, Budat, Shuteriqët, Popat... Ishte mbarësi Hyseni për atë derë, sepse nga martesa me Fatimenë, lindën katër djem. Të katër u shkolluan në Perëndim. Njëri prej tyre, Hasani, ngjalli çudi te bashkëqytetarët e tyre me degën e studimit.

- E kam çuar në Vjenë që të mësojë për të lexuar gurët, - u thoshte nënë Fatimeja, shoqeve të lagjes kur e pyesnin për të birin.

Në fakt, ishte Lef Nosi, mik i familjes së tyre, dikur edhe ministër i Postave, ai që propozoi për të studiuar në Degën e Arkeologjisë. Deri në atë kohë në Shqipëri, në mënyrë diletante kishin kontribuar për arkeologjinë disa intelektualë të njohur si Eqerem Bej Vlora, Gjeçovi, por edhe Lef Nosi, duke krijuar koleksione private. Dhe vërtetë, Hasan Ceka në ato 13 vjet studime fitoi shumë nga shkolla dhe përvoja austriake. Edhe ky si i ati, nuk u josh nga Perëndimi. Sapo u kthye në atdhe filloi punë në Ministrinë e Arsimit. Po shpejt i gjetën edhe nusen. Miqtë e familjes së tyre, e ftuan një ditë, në ambjentet piktoreske dhe turistike të Llixhave, për t'u takuar me disa të njohurit e tyre që banonin në Selanik, por ishin me origjinë nga Leskoviku. Mes tyre dhe një bukuroshe, elegancën dhe hijeshinë e së cilës nuk e kishte hasur as në bulevardet e Vjenës... E rritur mes bollëkut dhe rehatit edhe ajo e harroi Selanikun, kur shkëmbeu vështrimet me djaloshin elbasanlli. Pas dy vjetësh, Hasani martohet me Mimikën, duke ndjerë shumë shpejt gëzimin e lindjes së fëmijëve. Pas dy djemve, lindën edhe të tretin, Neritanin. Të dëshiruar për të bërë vajzë, të tre vëllezërit ngjanin si të ishin binjakë. Edhe flokët ia lanë të gjatë Neritanit, deri sa lindën fëmijën e radhës që ishte vajzë. Me katër fëmijë të lindur njëri pas tjetrit, i ishte gjetur puna edhe Mimikës. Një jetë në shërbim të tyre, me mençuri dhe dhimbshuri. E lindur dhe e rritur në një familje aristokrate leskoviqare, me prona të shumta në Selanik të Greqisë, diti të përshtatej shumë shpejt, në ambjentin dhe familjen shqiptare. Gjatë gjithë ditës, atë grua do e shikoje duke punuar ose duke lexuar... Në atë shtëpi kishte libra për të lexuar një qytet i tërë. E vetmja pasuri që solli Hasani kur u kthye nga Vjena, ishte biblioteka që bleu në Laipcig me 1000 vëllime albanologjike dhe arkeologjike. Rreth kësaj bukurie dhe pasurie u mëkëmb edhe Neritani. Fillimisht, duke u mbajtur për t'u çuar më këmbë dhe më pas, duke u lodhur aq shumë, për të shkëputur ndonjë libër... Shfletonte e shfletonte me kuriozitetin e një fëmije, duke ndeshur gati në çdo faqe, tempuj antikë, skulptura dhe vizatime nëpër vazo... Thënë ndryshe, me këto vështrime e ka nisur dashurinë me... arkeologjinë. Më vonë, shtoi pyetjet drejtuar të atit për ato fotografi e libra... Ndërkohë, te Neritani u shfaq pasioni për letërsinë. Që në klasën e dytë, filloi të bënte vjersha. Më shumë se përmbajtja, vlera e tyre qëndronte te kurajoja dhe rima e sajuar. U përgëzua dhe u vlerësua më pas, për hartimet e bëra në klasat e tetëvjeçares dhe gjimnazit. Nuk është rastësi, kjo prirje. Gjatë shekullit të XIX, është diskutuar shumë nëse arkeologjia do të ishte pjesë e artit apo e shkencës. Sepse i përket një fushe ku sundon prirja poetike e zbulimit, interpretimit, imagjinatës, kuriozitetit... Kur shokët e tij nuk kishin parë abetaren, ai kishte filluar të lexonte. Po të mos kishte babanë, një nga drejtuesit e Bibliotekës Kombëtare, do ishte më emocionues fakti që anëtar i kësaj biblioteke, është bërë në moshën gjashtë vjeçare. Etja në të lexuar çuditi edhe të rriturit. U gëzua shumë kur gjeti "Aventurat e Marko Polos". Një libër i vogël, me rreth 20 faqe. Pas dy orësh, u zgjat përsëri te banaku dhe iu lut asaj tetës, për një libër tjetër. Pas pak minutash, i dhanë "Gjahu i malësorëve" të Kostandin Kristoforidhit. Që në faqet e para, u përhumb. Rresht pas rreshti, po e ndjente veten si në pyllin e Xherijes... Tashmë, i dukej sikur po shikonte film dhe jo lexonte libër. Pushimet e asaj vere, i kishte kaluar në fshatin Xherije, ku kishin shtëpinë e tyre verore. Aty afër, shtrihej një pyll i dëndur, ku dëgjoheshin ulërimat e ujqërve dhe flitej se kishte arinj. Hynte 10-15 metra mes atij gjelbërimi det dhe pastaj nga frika, kthehej përsëri.... Duke e çuar këtë gjueti, në pyllin e Xherijes, ky libër e magjepsi. I mjegulluar nga emocionet dhe skuqur nga sytë, lëshon librin mbi banak dhe lutet për të tretin. Përgjigjia i erdhi si për një të rritur:

- E kemi të ndaluar të japim më shumë se dy libra brenda një dite...

Në moshën 6-vjeçare, bashkë me familjen nisen drejt Apolonisë. Sapo kishte dalë udhëzimi për fillimin e punimeve në këtë qendër të rëndësishme arkeologjike. Ka qenë korriku i vitit 1947. Nga Fieri për në Apoloni, e bënë me qere, pasi nuk kishte rrugë makine. Ishte errësirë kur shkuan te ajo ndërtesë ku do të qëndronin gjatë kohës së ekspeditës. Gjithçka e shkatërruar. Zunë dritaret me batanije dhe të lodhur nga udhëtimi, i zuri gjumi mbi rrogozë, më shpejt se në shtëpinë e tyre. I pari, që iu gëzua zbardhjes së dritës, ishte Neritani. Doli jashtë dhe gati nuk po u besonte syve për çka po shikonte. Një pjesë të atyre ai i kishte parë nëpër faqet e librave të babait... Filloi të mblidhte copa qeramike dhe me vrap ikte për te i ati. E pyeste dhe pushtohej nga emocionet e përgjigjeve. Edhe më magjike ishte vijimi i asaj dite. Një grup prej 20 vetësh, u vu në dispozicion të Hasanit, për të filluar gërmimet. Një prej tyre, i quajtur Pilo Samarxhi, iu lut Hasanit për të gërmuar fillimisht, diku pranë një kanali. Pas disa minutash, ai nxorri nga dheu tre statuja. Të gjithë ngelën të shtangur. Bashkë me ta edhe studenti i Vjenës. Por, kjo pasuri e çmuar për kulturën kombëtare, e fituar me një çerek buke misri, ka historinë e vet. Gjatë Luftës e Dytë Botërore, nazistët gjermanë urdhëruan robërit e tyre italianë, që të hapnin llogoret për pozicion luftimi. Në punë e sipër ata zbulojnë tre statujat. I ndodhur rastësisht pranë tyre, Piloja u lutet, që t'i groposin pak më tutje për të mos i dëmtuar. Në këmbim të këtij nderi, italianët kërkuan diçka për të ngrënë. Iu solli nga shtëpia një misërnike që ata e ndanë në disa pjesë, duke thyer urinë....

Kalonin ditët dhe ajo shtëpi u shndërrua në një muze arkeologjik nga objektet që u zbuluan gjatë atyre tre muajve. Vështirë të flasësh pastaj, për mbresat dhe emocionet që ka përjetuar, Neritani gjashtë vjeçar.

Punimet në Apoloni, kanë zgjatur shumë vjet. Dhe pas moshës 13-vjeçare Neritani, nuk ishte më pushues, por pjesë e brigadës së Pilos. Punonte me kazëm e lopatë, i pasionuar pas zbulimeve të objekteve, por edhe atyre 4000 lekëve që fitonte nga kjo punë. Shumë e mjaftueshme, për të blerë një xhaketë, një palë pantallona e këpucë. Kjo gjë u përsërit gjatë gjithë viteve që vazhdonte gjimnazin. Mbaroi me rezultate të shkëlqyera gjimnazin "Qemal Stafa", por nuk mundi të realizonte dëshirën e madhe për të vazhduar studimet jashtë shtetit, si i ati. Ndër arsyet kryesore, biografia e njollosur nga xhaxhai i tij. Një njeri i nderuar dhe shumë i aftë, por i konsideruar armik, pse kishte mbaruar shkollën teknike të Fulcit (?!).

Natyrisht, këtë ndodhi veç zhgënjimit të rastit, Neritani asnjëherë nuk e ka përdorur si dëshmi persekutimi. Sepse, nuk u lejua të studionte jashtë, por edhe nuk u pengua të vazhdojë Fakultetin Histori-Filologji, ku dhe u diplomua për Arkeologji. Qetësia dhe përkushtimi për t'u përgatitur në degën që kishte pasion, iu rikthye që në muajt e parë. Universiteti i Tiranës, kishte një ambjent pedagogjik krejt perëndimor ku në leksione, flitej gjerësisht për autorë të huaj. Mjafton, të kujtosh disa emra të shquar që të ushqejnë mirënjohje dhe të bëjnë të çohesh më këmbë, në shenjë respekti. Kështu, lëndën e Arkeologjisë e jepnin Selim Islami, Skënder Animali, Hasan Ceka, Frano Prendi, gjuhësinë, Eqerem Çabej, Letërsinë, Skënder Luarasi, Historinë, Aleks Buda, Latinishten, Enrik Laca... Një universitet europian i mirëfilltë. Sa hyje në fakultet, ishte zyra ku rrinin Çabej, Aleksandër Xhuvani dhe Selman Riza. Më shumë se sa zyrë të ngjante sikur ndodheshe në një tempull... Tre tavolina të mëdha, rrethuar nga të gjitha anët me male librash dhe mes tyre, ata profesorë të shquar që ngjanin si Shenjtë. Si për të përforcuar këtë ndjesi, edhe dritarja e vetme e asaj zyre, ishte në formë harku, duke të imponuar imazhin e një kishe...

Mbaron universitetin dhe kur ndjehej më shumë se asnjëherë, i përgatitur dhe i dëshiruar për fushën e Arkeologjisë e emërojnë mësues në gjimnazin "Halim Xhelo" të Vlorës. Pedagogu 21 vjeç, ndërsa maturantët 19 vjeç. Bukur, shumë bukur, kalonte mësimi dhe sidomos pasditja, me këta bashkëmoshatarë, por tjetër kund i rinte mendja. Të dielat, i kishte taksur për dashurinë e vërtetë... I hipte herët në mëngjes "postës", një kamion i mbuluar që shpërndante shtypin e ditës, por çonte edhe fshatarët në zonat më të largëta të rrethit, për t'u kthyer në Vlorë, natën vonë. U ndje ky merak dhe pasion i Neritanit te shokët, por veçanërisht te drejtori. Ndaj, ai burrë i kulturuar dhe fisnik, i la pushim edhe ditën e shtunë. Në këtë lirshmëri të dëshiruar shijoi, duke parë nga afër Kalanë e Mavrovës, Cerrjes, Treportit, Tragjasit... Vende të lashta, por dhe magjike për pasionin e djaloshit që do bënin të harronte familjen dhe Tiranën. Më shumë se sa ai vetë, kishte humbje sektori i Arkeologjisë për një studiues të tillë brilant. Ndaj, pedagogu që e udhëhoqi në përgatitjen e temës së diplomës, Selim Islami, fillon ndërhyrjet për ta rikthyer Neritan Cekën pranë sektorit të Arkeologjisë, në Universitetin e Tiranës. Por nuk do ishte i fundit kthim. Në vitet që vijuan, ai u largua edhe dy herë të tjera nga Tirana. Por asnjëherë, nuk u nda me arkeologjinë! Me arkeologjinë shqiptare... ku emri i Neritan Cekës është skalitur krah profesorëve më të shquar të saj.

NERITAN CEKA

KARRIERA AKADEMIKE

1941. Lindur në Tiranë

1962. Diplomuar për Arkeologji, Fakulteti Histori-Filologji, Universiteti i Tiranës.

1962-1963. Mësues historie, gjimnazi "Halim Xhelo", Vlorë

1963-1966. Arkeolog në Institutin e Historisë.

1966-1967. Mësues historie. Shkolla "Pedagogjike", Elbasan

1967-1969. Drejtor i Muzeut të Elbasanit.

1969-1975. Arkeolog. Instituti i Monumenteve të Kulturës.

1975-1976. Arkeolog. Muzeu i qytetit të Fierit.

1976-1990. Arkeolog. Qendra e Kërkimeve Arkeologjike, Akademia e Shkencave.

1985 -1990. Shef i departamentit të antikitetit në QKA.

1991- 1993. Drejtor i Institutit Arkeologjik

1993-2009. Lektor i jashtëm për lëndën e Arkeologjisë klasike në Universitetin e Tiranës. Fakulteti Histori- Filologji.

 

KARRIERA POLITIKE

Dhjetor 1990. Pjesëmarrës në krijimin e PD

Shkurt 1991. Anëtar i Kryesisë së PD

Mars 1991. Deputet i PD për qytetin e Elbasanit dhe kryetar i Grupit parlamentar të PD

Shtator 1991. Nënkryetar i PD

1992. Bashkëthemelues dhe President i "Aleancës Demokratike"

1997-2009. Deputet i "Aleancës Demokratike"

1997-1998. Ministër i Brendshëm

1998-2005. Kryetar i Komisionit Parlamentar

për Sigurinë Kombëtare

2005-2009. Anëtar i Komisionit Parlamentar për

Politikën e Jashtme

2008-2009. Nënkryetar i Parlamentit

2009. Këshilltar i Kryeministrit për Çështjet e Kulturës

BOTIME KRYESORE

o Apollonia e Ilirisë, Tiranë, 1981

o Qyteti ilir në Selcën e Poshtme, Tiranë, 1985

o Arkeologjia. Greqia, Roma, Iliria, Tiranë, 1994

(bashkëautor me Prof.M.Korkuti)

o Inscriptions d'Apollonie d'Illyrie, Lyon, 1997

(bashkëautor me Prof. P.cabanes)

o Ilirët, Tiranë, 2001, 2005

o Buthrotum, Tirana 2001.

o Apollonia, Tirana, 2003

o Byllis, Tirana, 2005 (bashkëautor me S.Muçaj)

o Illyrians to the albanians, Tirana, 2005

o Udhëtim në kështjellat ilire, Tirana, 2005

o Harta Arkeologjike e Shqipërisë, Tirana, 2008

(bashkëautor me M. Korkuti, A. Baçe, P. Cabanes).

o Antigoneia, Tiranë, 2009.

TITUJ, GRADA SHKENCORE, DEKORATA

1988. Anëtar korrespondent i Institutit Arkeologjik Gjerman

1994. "Profesor" në fushën e arkeologjisë

2001. Mjeshtër i Madh i Punës

GJUHËT E HUAJA

Anglisht, gjermanisht, frëngjisht, italisht, rusisht

  • Postime: 83
  • Karma: +0/-0

#1 ne: 08-06-2010, 15:15:00
Si arkeolog me pelqen,por si politikan....hem... .s'me ka pelqyer asnjehere perzjerja e tij ne 1997-en,me ato te Komiteteve gjoja te shpetimit kombetar....e ku di une se ç'pati ky....s'me ka pelqyer jo.

Temat e fundit