Sabri Godo - Urtësia dhe mënçuria - Forumi Politik

×
Albanian Forums, Zerion Zeri yt Zeri Info, Forumi Shqiptar Al Virtual, Diskutime, Biseda, Chat Njofje, Informatika, Teknologjia, Gazeta Tema, Gazetat Shqiptare, Bota Sot, www Channel Albania, Telegrafi Kosovo, Ballkani Web, Gazeta Lajme shqip, Lajmet e Fundit Shqiperia Kosova, Dita, Panorama, Kryeartikull, Faqja Kryesore, Video Shqip, Muzike Shqipe, Njoftime, Lajmerime, Temat Online, Gazetat, Kosovare, Shtypi Ditor, Sporti Shqiptar, Dashuria, Pyetje Pergjigje, Keshilla, Ndihme, Webmaster Shqiptar, Familja, Shqiptaria, Muzika, Receta Gatimi, Imazhe, Vipat-shqiptar, Aktualiteti
Media Sociale
Mesazhe Private
Shqiptaret duke lexuar tema interesante dhe te ndryshme
Tema re

Sabri Godo - Urtësia dhe mënçuria

Sabri Godo - Urtësia dhe mënçuria

· 2 · 1222

  • Postime: 28589
  • Karma: +48/-5
  • Gjinia: Mashkull

ne: 04-11-2010, 10:19:01
Sabri Godo/Urtësia dhe mënçuria

Nga Agron SEJAMINI

Po të ishte më i ri në moshë, ky suplement mund të na quhej si nder që i bënim Sabri Godos. Në fakt, ai nuk ia ka kërkuar këtë nder as vetes e jo më të tjerëve... As ka dëshiruar dhe as ka investuar për t'u bërë ndonjë herë president. Madje, në të tri herët që ia kanë afruar këtë post, ai është mënjanuar. Herën e parë, propozimi i erdhi nga Nano dhe Majko. Duke qenë i së djathtës, nuk mund të ndjehej mirë si President i Republikës, me llogarinë e së majtës. Herën e dytë, më shumë u morën të tjerët për ta vendosur në këtë post, pasi ai vet kishte mungesë të plotë vullneti. Ka qenë koha kur kishte kundërshti për disa pika me lidershipin e djathtë. Herën e tretë, ishte në krye të listës që propozoi Partia Demokratike. Konjukturat dhe rrethanat anonin nga zgjidhja tjetër...

E vërteta është se Sabri Godoja, ndjehet i lumtur dhe krenar në presidencën e suksesshme të letërsisë, politikës dhe jetës së tij.

Ndaj, nuk na u shfaq në asnjë çast të bashkëbisedimit tonë, pengu i mos të qenit President i Republikës. Po deshët të dini kush është pengu i vetëm i tij, po ua themi. Mosbërja për vëllezërit Frashëri, e asaj që bëri për Ali Pashë Tepelenën dhe Skënderbeun!

Gjithsesi, urtësia dhe mënçuria e Sabri Godos, nuk i ka munguar Shqipërisë. Veçanërisht në këto vite të demokracisë. Është munduar në të përditshmen e tij, që të mbajë një balancë mes të bërit politikë dhe letërsi. Ka qenë dhe është e shenjtë ruajtja e pavarësisë në gjykimin e tij. Ka dashur të jetë sa më i drejtë dhe sa më i vërtetë edhe pse politika ndonjë herë, të imponohet dhe nuk të lë të thuash atë që ndjen. Është e domosdoshme, të gjesh kohën se kur duhet thënë një gjë dhe kur një tjetër.

Falë ekuilibrit në angazhimin e tij politik edhe pse nuk ka krijuar gardh rreth vetvetes, nuk është atakuar prej dikujt. Nuk ka gjetur reaksion të hapur, sepse heshtur mbase edhe mund të ketë patur hatërmbetje. Parapëlqen që të qëndrojë brenda masës. Kjo ndjesi nuk buron nga nevoja pragmatiste e individit se sa nga edukata kulturore dhe politike që zotëron. Më shumë se sa të qenit aktiv në politik i pëlqen ajo e vrojtuesit. Ka dëshiruar dhe luftuar për një qeverisje sa më të mirë. Se sa ia ka arritur nuk është në gjendje ta përcaktojë, por di që nuk është kursyer për këtë përsosmëri. Për të, merak i ditës është që një orë e më parë, demokracia në Shqipëri, duhet të hyjë në funksionin e vet. Ajo që ka ndodhur kohët e fundit, mendon se nuk i ka shërbyer të mirës së vendit. Me bindje të plotë, sapo doli çështja e kutive të votimit, ka thënë se ato nuk duhen hapur. Kjo do të ishte në dobi të Shqipërisë, e kundërta do të ishte anarki.

Herë pas here, sipas zotit Godo, krijohen probleme të paqena që nuk kanë bazament të vërtetë. Kjo vjen nga mungesa e kulturës politike dhe pasionet e shfrenuara, për të patur me çdo kusht pushtet. Ja pse duhen gjetur mënyrat e të bërit politikë dhe të mësojmë sa më shumë nga Europa.

Pranon që politika është një art i vështirë dhe kujton se situata të tilla krijohen shpesh edhe gjetkë, por këto tonat kanë dimensione të tjera. Kjo për arsyen e vetme se këtu, gjërat personalizohen dhe bëhen pasionante. Në vend që politika të bëhet si art, në të shumtën e herëve ajo shfaq trajtat e një beteje lufte.

Disa prej krerëve të politikës shqiptare, e kanë humbur aftësinë dhe ndjeshmërinë, e të dëgjuarit dhe të kuptuarit të opinionit të jashtëm që vrojton në vazhdimësi. Vëren se ka një lodhje ndaj Shqipërisë si nga ana e SHBA-së edhe e strukturave të Europës së Bashkuar. Edhe pse deklarojnë që janë miqtë e tyre, në mënyrë të pavetëdijshme, u janë kundërvënë!

Për të zgjidhur një problem, duhet të ulen të dyja palët. Ndryshe nuk arrihet ujdia duke u bërë grindavece njëra me tjetrën. Kur nuk arrihet marrëveshja, kuptohet faj ka mazhoranca.

- Mirëpo, tani, pohon zoti Godo, kemi të bëjmë me një opozitë kapriçioze dhe të pakuptueshme. Në shumë raste, pa e kuptuar as ajo vet, ka punuar kundër vetvetes.

Është e pakuptueshme, mos votimi nga ana e tyre i ligjit për gjykatat. Është fëminore që të vihet kusht për marrëveshjen, prishja apo jo e piramidës (?!) Ose, po nuk u zbuluan vrasësit e një krimi nuk ulemi në Parlament. Akoma edhe më të gabuar, e parashikon hapin në vijim të opozitës, për fillimin e protestave. Nuk beson në zgjidhjen e problemeve, me manifestime publike dhe mosbindje civile. Ky veprim do e keqësonte edhe më shumë gjendjen e padëshiruar nga të gjithë shqiptarët. Nuk ka dëgjuar për ndonjë opozitë tjetër në botë që këto çështje t'i bëjë strumbullarë të politikës së saj.

Sinqerisht, ndër vite ka qenë i dëshiruar për një opozitë të fortë dhe konstruktive, sepse është i vetmi sistem, që mban në zap qeverisjen dhe mënjanon gabimet, të cilat në fund të fundit, rëndojnë mbi të gjithë ne.

Mençuria e të urtit Godo, piketon udhën nga ku mund të vijë progresi ynë. Pikësëpari, shqipton: votuesi! Problemet tona, do të zgjidhen kur populli të refuzojë votimin e një kandidati që nuk e bind për ta përfaqësuar. Duhet treguar pjekuri në ushtrimin e së drejtës që ai disponon. Vetëm kështu mund të ndryshojë politika në përgjithësi. Pikësëdyti, ata politikanë që nuk kanë se ç'të thonë dhe ç'të japin më tepër, të mendojnë për tërheqjen vullnetare, dorëheqjen. Por, menjëherë shton se këtu duhet shpresuar pak. Këmbëngul, se do të ishte vendimtare nëse ndodh vërtetë ajo që i thonë: demokratizimi i jetës së brendshme të partive. Kjo, sipas tij, do të jetë edhe më e dobishme për Shqipërinë se sa heqja e vizave. Vizat, janë komoditet dhe lehtësi, por nuk do të mund të zgjidhin hallet tona, paçka se atë ditë, do e mbushim qiellin me fishekzjarre...

Nëse e patëm të lehtë ta takonim zotin Godo, e patëm të vështirë që t'i hanim kohën. Gjithsesi, nuk na mbeti merak, pasi mundëm që t'i bënim edhe dy-tri pyetje.

- Na thuaj një rast kur, Sali Berisha ju ka thënë faleminderit?

- Berisha më ka falenderuar në shumë raste. Dhe me përjashtim të një ftohje tre vjeçare (1994-1997), ne kemi patur marrëdhënie të ngushta bashkëpunimi dhe miqësie. Unë e kam vlerësuar Berishën si një lider të padiskutueshëm të së Djathtës shqiptare. Një burrë shteti që ka grumbulluar një përvojë të madhe dhe ka energji të pashtershme.

- Të ka ardhur keq që nuk të ka dëgjuar në ndonjë këshillën tuaj?

Në bisedat e shpeshta që kam patur me të, ne pothuaj se kemi rënë gjithnjë në një mëndje. Pastaj, Berisha mund të ketë vepruar edhe ndryshe... Më kujtohet, se i thashë njëherë se ka nga ata që të shajnë se u mbive në sy, duke dalë për ditë në televizor. Ai më dha të drejtë. Megjithatë, po atë natë u shfaq në ekran tre herë...

- Mundesh të thuash sot, që Edi Rama, në zgjedhjet e ardhshme bëhet kryeministër?

Për mua, Edi Rama nuk ka konsekuencë dhe ideja se një ditë mund të bëhet kryeministër, më trishton. Ai nga natyra do që të ketë një pushtet absolut mbi njerëzit dhe po të përqendrohen fuqitë në duart e tij, do të bëhet i rrezikshëm.

- Përmendni një emër politikani të ri që i përket së ardhmes së Shqipërisë.

- Mbeten akoma për t'u identifikuar. E keqja është se politikanët në tërësi, ndjekin një mënyrë të foluri dhe kanë krijuar një fjalor steriotip që u është bërë njerëzve i mërzitshëm.

- Kosova sot?

Zhvillimet e fundit nuk janë normale. Praktikisht, vendi është pa qeverisje dhe kjo është e dëmshme. Veçanërisht për periudhën e tanishme kur shumë vende mund të kishin përgatitur letrat për njohjen e saj. Ndërkohë që edhe strukturat euroatlantike presin prej saj të hyjë në bisedime me Serbinë dhe të jetë faktor paqeje në rajon. Është e dëmshme edhe për faktin, se Kosova ka probleme të rënda të papunësisë dhe korrupsionit, problemin e Mitrovicës, etj. Të gjitha këto zgjidhen me një qeverisje të fortë. Shpresoj që kjo të arrihet në zgjedhjet e ardhshme.

- Diçka për Çamërinë?

Çështja çame do të zgjidhet në vështrim të njohjes së pronës. Por kjo do të zgjasë në kohë, për shkak të kundërshtimit të prerë dhe të padrejtë të palës greke. Ndërkohë, dy partitë çame duhet që të bashkohen për të mirën e Çamërisë.

E ndërsa po bëhesha gati ta falenderoja për kohën që më rezervoi, si pa dashje, i zgjat një gazetë të ditës, ku Dritëro Agolli kishte zaptuar faqen e parë me titullin: "Hiri im më mirë në lumë, sesa të dhjesin grekët mbi mua".

- Fjalët e pista në gojën e Dritëroit bëhen qelibar! Dritëroi është filozof. 12 vjet më parë, kur ishim të dy deputetë më tha në Kuvend:

- Do të vijë dita që t'i të më thuash: - Mirëmëngjes, o i korruptuar! Ndërsa unë do të përgjigjem:

- Si dole me tenderin, o qen bir qeni?!

Dhe do qeshim e do të jemi të kënaqur. Kjo ditë do të vijë... Siç duket Dritëroi e parashikoi mirë!

Ia rrëzuan muret e shtëpisë, por jo themelet e lirisë dhe demokracisë

Ju lutëm zotit Sabri, për të na dhënë ndonjë fotografi të fëmijërisë. Pa dashje, i lënduam plagë... Mësojmë se italianët në vitet e luftës, shtëpisë së tyre në Delvinë, i vunë zjarrin. Gjithçka që ishte brenda, u shkatërrua në atë ndërtesë dy katëshe. Pra, edhe fotografitë që u bë shkak, për të dëgjuar këto rrëfime. Gjysma e pjesëtarëve të asaj familje kishin dalë partizanë. Më parë vëllai, motra dhe në korrik të 1943 edhe vetë Sabriu. Pra, kjo zhurritje nuk ishte rastësi. Edhe më të pamëshirshëm, nazistët gjermanë që vijuan pushtimin e Shqipërinë. Këta, origjinalë në egërsinë e tyre, i vunë minat asaj shtëpie. Ndërkohë, që gjysma e njerëzve të asaj shtëpie, luftonte me të njëjtin armik për të fituar lirinë. Mirë që humbën shtëpinë, por nuk siguruan dot as lirinë. Sqarojmë, se në atë familje nuk dëshirohej dhe nuk shijohej ajo lloj lirie! Gjylsoja, nëna e Sabriut, ishte motra e vëllezërve Ismet, Tasim, Et'hem dhe Selaudin Toto. Të katër jetëprerë nga ata që nuk dëshironin lirinë dhe demokracinë e vërtetë. Tre të parët ishin në ballë të kryengritjes së Delvinës, kundër regjimit të kohës. Ishin përparimtarë dhe demokratë, më shumë se regjimi që sundonte realitetin shqiptar. Këtu, po spjegojmë diçiturën e kësaj fotografie që po botojmë. Është foto e vitit 1936. Ambasadori amerikan, bashkë me familjen e tij kanë ardhur në Delvinë, për të takuar Et'hem Toton. Toton, i cili pak muaj më parë ishte larguar nga kabineti qeveritar, ku ishte ministër dhe ishte degdisur në vendlindje. Hajde po deshe dhe quaje rastësi, vizitën e këtij ambasadori që përfaqësonte atë shtet, ku demokracia kishte djepin e vet. Fëmijë quhej në atë kohë Sabriu, kur vazhdonte shkollën fillore, por disa gjëra i ka bërë si të ishte i rritur. Kur e gjithë klasa këndonte hymnin e mbretit, ai jo vetëm që nuk lëshonte zë, por nuk lëvizte nga vendi. Ishte, nipi i dajave Toto... Detyrohej mësues Gjergji, t'i shkonte pranë, jo për t'i këputur veshin, por më shumë për ta kujtuar që të paktën, të çohej në këmbë si gjithë të tjerët. Të paktën, të dy ta kryenin përgjysëm atë punë... Ka qenë koha, kur protagonistin në atë fis të nderuar, duhej ta bënte ai fëmijë. Më pas, shpërthen daja tjetër Selaudini. Tendenca e tij ishte që shteti i ardhshëm t'i ngjante demokracisë perëndimore. Ka qenë viti 1946, kur bashkë me grupin e deputetëve, u pre edhe ky filiz i mbetur nga trungu i totajve. Për t'u gjallëruar vite më vonë, përsëri ai trung i përjetshëm nga i njëjti nip. Themelet e asaj shtëpie, nuk ishin hedhur gurë, por farë lirie dhe demokracie! RD

  • Postime: 28589
  • Karma: +48/-5
  • Gjinia: Mashkull

#1 ne: 22-11-2011, 16:23:52
Sabri Godo, President Nderi i Partise Republikane është shtruar sot me urgjencë në reanimacionin e Sanatoriumit të Tiranës.

Godo vuante prej 7 muajsh nga nje semundje e rende ne mushkri. Familjaret e tij e kane derguar ne spital ne oret e para te mengjesit pasi Godo kishte komplikacione te medha gjate oreve te darkes.

Sipas burimeve nga spitali mjeket thone se gjendja e 82-vjecarit nuk eshte e mire. /top channel

Temat e fundit