Shqiptarët marrin pasaportat e fqinjëve
Trafiku i pasaportave dhe ndryshimi i kombësive e nënshtetësive për shqiptarët brenda territorit tonë, apo edhe jashtë tij, në trojet e Maqedonisë dhe Kosovës, ka arritur përmasat e një skandali të vërtetë. Ende nuk zotërojmë shifra të sakta për kohët e fundit mbi atë që po ndodh, por, sipas parashikimeve dhe studimeve të shoqatave apo studiuesve të ndryshëm, pritet që të paktën shumë shpejt rreth 200 mijë shqiptarë, pasi të kenë marrë kartën e homogjenitetit grek, të humbin kombësinë e tyre dhe e njëjta gjë do të ndodhë me dhjetëra mijëra shqiptarë të tjerë, kryesisht nga zona e Prespës dhe Gollobordës, të cilët kanë aplikuar për pasaporta bullgare. I njëjti fenomen pak a shumë, pavarësisht se në këtë mes ato që bëjnë diferencën janë kushtet, ka ndodhur edhe me shqiptarët e Kosovës. Këta të fundit, duke mos i pasur të vlefshme për lëvizje brenda dhe jashtë rajonit pasaportat e tyre të lëshuara nga UNMIK-u, janë detyruar që të pajisen me pasaporta serbe. Madje, nëse do të flisnim me shifra zyrtare, vetë zyra e Ministrisë së Brendshme të Serbisë në qytetin e Nishit ka pajisur me pasaporta serbe, gjatë 8 viteve të pasluftës, rreth 50000 shqiptarë të Kosovës. Sipas deklaratës së bërë në një radio të huaj nga një nëpunës i administratës civile të qytetit të Nishit, shifra e aplikimeve të shqiptarëve të Kosovës për marrjen e pasaportave serbe në muajin korrik ka qenë mbi 10.000 të tilla, që do të thotë 500 kërkesa në ditë. Por le të kthehemi te ajo që po ndodh me shqiptarët e Shqipërisë. Skandali është vërtet i përmasave drastike, pasi në rast se 200.000 apo më shumë shqiptarë do të pajisen me kartën e homogjenëve grekë, do të thotë se kjo shifër individësh do të konsiderohet në dokumente me kombësi greke dhe do të marrë përfundimisht pasaporta helene. Ky është një vendim i deklaruar edhe gjatë njërës prej mbledhjeve të komisionit qeveritar grek në praninë e kryeministrit Kostas Karamanlis, ministres të Jashtme Dora Bakojanis dhe ministrit të Brendshëm Pavlopulos. Kështu, autoritetet më të larta qeveritare greke kanë pohuar publikisht se të gjithë ata minoritarë që janë pajisur me kartën e homogjenëve grekë do të marrin më pas nënshtetësinë. Praktika e dhënies së kartave të homogjenëve grekë e ka zanafillën diku aty nga fundi i viteve ’90 dhe nga ky proces kanë përfituar të gjithë ata shqiptarë që me dokumente të vërteta apo të falsifikuara kanë pretenduar se prejardhja e tyre është greke.
Fillimisht, këto karta kanë pasur një afat 3-vjeçar, i cili ndryshoi para dy vitesh duke u shtyrë edhe për 7 vite të tjera, pra 10-vjeçar. Problemi qëndron se karta e homogjenëve është fituar jo vetëm nga ata individë që kanë aplikuar deri tani për të, por pritet që dhjetëra mijëra të tjerë të pajisen me këtë kartë, rrjedhimisht të kthehen pas disa vitesh në nënshtetas grekë pa qenë realisht të tillë. Ndryshimi ka filluar që me transformimin e emrave nga myslimanë në ortodoksë e deri te kombësia dhe nënshtetësia. Veç kësaj, qeveria greke jep edhe pensione të posaçme për këta individë që konsiderohen si pjesë e minoritetit helen e mbetur në trojet shqiptare të të ashtuquajturit Vorio Epir. Për të arritur greqizimin e Vorio Epirit, qeveria greke ka shfrytëzuar edhe minoritetin vllah, të quajtur ndryshe si arumun, duke e konsideruar atë si të privilegjuar për pajisjen me viza dhe me karta të homogjenëve grekë. Por, dihet që qëllimet e shqiptarëve për t’u pajisur me këto karta me ato të qeverisë greke nuk janë aspak të njëjta, pasi njëra palë kërkon nëpërmjet marrjes së këtyre dokumenteve lëvizjen e lirë në Bashkimin Europian, kurse pala tjetër mishërimin e megaloidesë.
Shqiptarët me pasaporta bullgare
Ndonëse shumë më të paktë në numër nga shqiptarët që kanë marrë dhe që do të marrin nënshtetësinë greke, nuk mund të jetë e papërfillshme shifra e atyre shqiptarëve që janë pajisur dhe kanë aplikuar për t’u pajisur me pasaporta bullgare. Rreth dy vjet më parë, qindra shqiptarë, nëpërmjet shoqatës “Prosperitet Golloborda”, u paraqitën në Ambasadën e Bullgarisë në Tiranë për të marrë nënshtetësinë bullgare. Aplikantët kryesisht ishin nga zona e Gollobordës, por mes tyre kishte edhe të tjerë, të cilët, duke falsifikuar dokumentacionin përkatës, kërkonin të përfitonin pasaporta bullgare. Kjo lloj pasaporte në vitin 2007 do të ishte tepër e vlefshme pasi Bullgaria bëhet anëtare e Bashkimit Europian. Për të përfituar një pasaportë bullgare, ishin të nevojshme një certifikatë familjare, një certifikatë personale, si dhe një vërtetim nga shoqata “Prosperitet Golloborda” me qendër në Tiranë. Më pas, këto dokumente dorëzoheshin në Ambasadën e Bullgarisë, e cila brenda një periudhe tremujore u jepte nënshtetësinë pjesës dërrmuese të aplikantëve. Ky fenomen, asaj kohe preku jo vetëm vendin tonë, por edhe Maqedoninë. Në Shqipëri llogaritej që numri i aplikantëve, të cilët kishin kërkuar pajisjen me pasaporta bullgare, të arrinte deri në 6 mijë persona.
Madje, gjatë vitit 2005, Ambasada e Bullgarisë në Tiranë hapi edhe një qendër votimi me rastin e zgjedhjeve, ku do të votonin të gjithë shtetasit bullgarë që ndodheshin në vendin tonë. Ndërsa në Maqedoni ky numër ishte edhe më i madh. Të paktën 20 mijë maqedonas kishin kërkuar të bëheshin nënshtetas bullgarë deri në vitin 2005, numër që me kalimin e viteve ka pësuar rritje të mëtejshme.
Petrika GROSI