Biologjia e integrimit - PsiSoc

×
Albanian Forums, Zerion Zeri yt Zeri Info, Forumi Shqiptar Al Virtual, Diskutime, Biseda, Chat Njofje, Informatika, Teknologjia, Gazeta Tema, Gazetat Shqiptare, Bota Sot, www Channel Albania, Telegrafi Kosovo, Ballkani Web, Gazeta Lajme shqip, Lajmet e Fundit Shqiperia Kosova, Dita, Panorama, Kryeartikull, Faqja Kryesore, Video Shqip, Muzike Shqipe, Njoftime, Lajmerime, Temat Online, Gazetat, Kosovare, Shtypi Ditor, Sporti Shqiptar, Dashuria, Pyetje Pergjigje, Keshilla, Ndihme, Webmaster Shqiptar, Familja, Shqiptaria, Muzika, Receta Gatimi, Imazhe, Vipat-shqiptar, Aktualiteti
Media Sociale
Mesazhe Private
Shqiptaret duke lexuar tema interesante dhe te ndryshme
Tema re

Biologjia e integrimit

Biologjia e integrimit

· 1 · 1469

  • Postime: 12285
  • Karma: +336/-221
  • Gjinia: Femer

ne: 22-01-2010, 11:37:28
Nëse flasim për integrim, në kuadrin e një diskutimi për sociologjinë e emigracionit në Evropën Perëndimore, atëherë duhet medoemos të mbajmë parasysh se ky integrim nuk mund të jetë veçse i dyanshëm: të ardhurit integrohen në komunitetin mikpritës dhe ky i fundit integrohet në të ardhurit. Kjo thjesht ngaqë emigracioni, në atë masë që ndodh, sjell ndryshime rrënjësore në të paktën tri struktura sociale: komunitetin prej të cilit emigrohet; komunitetin drejt të cilit emigrohet si dhe komunitetin e vetë emigrantëve. Koncepti se ardhësit duhet të integrohen në komunitetet e vendeve mikpritëse është i pamjaftueshëm dhe deri diku naiv.

Një komunitet, si ai tipik i një vendi evropianoperëndimor, e pranon emigracionin jo për hir të ndonjë zemërgjerësie ose përdëllimi moralo-intelektual, por në radhë të parë sepse ka nevojë për krah pune, përgjithësisht të pakualifikuar. Nevoja për emigracion është hallkë e përkufizimit të tij, jo një “optional”, për sa kohë që vendasit lindin gjithnjë e më pak fëmijë dhe këtyre fëmijëve u përgatitin një të ardhme shumë të kujdesshme, çka parakupton që një pjesë e vlerave të konsumuara në këtë të ardhme të jenë krijuar prej punës dhe mundit të “tjetrit”. Edhe rritja e vetëdijes sociale të gruas në Perëndim, në ballafaqim shpesh të ashpër me rolin e saj tradicional si nënë dhe bashkëshorte, nuk do të kishte pasur ndonjë pasojë sociale të denjë për vëmendje, sikur këto gra ekzekutive, të emancipuara dhe konkurrimtare të mos kishin nga pas, bie fjala, aradhet e baby-sitterve filipinase apo polake. Evropa sot nuk jeton dot pa atë pjesë të vetën që ende ngurron ta njohë botërisht si të tillë: gruaja kosovare shumë-fëmijëshe në Zvicër (qoftë e brezit të parë, apo të dytë, apo të tretë të emigracionit) është tashmë një fenomen i shoqërisë zvicerane, jo kosovaro-shqiptare.

Presioni për integrim njëkahësh, i ushtruar nga ideologët konservatorë-tradicionalistë të komuniteteve mikpritëse, mbështetet mbi një teorizim të dyshimtë rreth superioritetit të kulturave të ngulitura në raport me kulturat shtegtuese, të cilin teorizim unë nuk do ta quaja asgjë më tepër sesa një mit. Në rast se argumentojmë se kultura e ngulitur është superiore, ngaqë është e ngulitur, këtu nuk kemi bërë gjë tjetër veçse kemi arsyetuar në mënyrë qarkore. Historia ka provuar se kulturat e ngulitura, të cilat si rregull janë shquar nga një koeficient shumë më i lartë i akumulimit të pasurive materiale, gjithnjë kanë përfunduar të shkatërruara nga valët e kulturave shtegtuese, rregullisht të konsideruara si inferiore – sidoqë edhe kjo nuk do marrë për ndonjë farë argumenti.

Superioriteti dhe inferioriteti, në raste të tilla, nuk mund të kenë veçse një vlerë relative, ekzistojnë në raport me një etalon vlerash që nuk mund të jetë universal. Nga ana tjetër, instinktet vetëmbrojtëse të një komuniteti dhe nxitja e reflekseve të përjashtimit të elementit të perceptuar si “tjetërlloj” nuk mund të mos çojnë herët a vonë në vendosjen e diktaturave të djathta, të cilat e denatyrojnë sistemin e demokracive evropiano-perëndimore edhe më shumë sesa dyndjet e imigrantëve. Problemi i madh i Evropës Perëndimore është se kjo u kristalizua si sistem në kushtet e Luftës së Ftohtë, si “kopsht me lule” i demokracisë përballë “perandorisë sovjetike të së keqes”. Ishte një sistem i hapur, që gjithsesi mund të funksiononte, ngaqë ishte rrethuar nga sisteme të mbyllura.

Implozioni i strukturave shtetërore dhe sociale në Lindje e shndërroi vetë Perëndimin në një relike, në një gërdallë anakronike. Ajo kulturë në të cilën të gjithë duam të identifikohemi: të drejtat e njeriut, toleranca, liria individuale, iniciativa private – nuk ekziston më veçse në një formë shumë fragmentare dhe që po fragmentarizohet çdo ditë e më tepër, sepse nuk mund të aplikohet dot në mënyrë jodallimtare. Evropa, për të cilën të gjithë mendojmë kur dëgjojmë fjalën “Evropa”, po shndërrohet çdo ditë e më tepër në një “park tematik”, në një muzeum të hatashëm, në një dinamo ëndrrash, iluzionesh dhe mitesh për të gjithë ne që refuzojmë t’ia pranojmë vetes se Lufta e Ftohtë, prodhime të së cilës jemi, tashmë ka përfunduar. Me fitoren e Lindjes.

Kur flasim për komunikim, zakonisht kemi parasysh telefonin celular, internetin, lajmet e CNN-it, njoftimet e trafikut në autostradë, ekspozitën e artit malgash, Koncertin e Vjenës, Festivalin Folkloristik të Transkaukazit, një ping-pong buzëqeshjesh midis dy frekuentuesish të njëkohshëm të Bibliotekës së Shoqatës së Arkeologëve Gjermanë në Romë. Kjo sepse imagjinata është gjithnjë selektive dhe përmbajtja e imazheve që na pluskojnë në cipë të trurit është e përcaktuar nga mitet me të cilat rrojmë. Dhe jo vetëm kaq: edhe përmbajtja e imazheve të dëbuara prej çfarëdo përfaqësimi ose ambasade në vetëdije, është njëlloj e përcaktuar nga miti. Për shembull, cili prej nesh do ta mbante shkëmbimin reciprok të florës bakteriale vetjake në një tram urban të mbushur udhëtarësh në Berlin për formë të natyrshme komunikimi?

Mundet, gjithsesi, ta pezullojë perceptimin e këtij integrimi qelizor – në nivel viral, bakterial dhe spermatozoik – duke u tërhequr në opiumin e filozofisë majtiste të integrimit nëpërmjet multikulturalizmit. Kjo filozofi e ka gjithnjë një element shelbues, evangjelizues, pagëzues; niset nga një qëllim i mirë shtëpijakëzues, përvetësues, zbutës; është fund e krye e ngritur mbi konceptin e karrotës, por nuk funksionon. Nuk funksionon sepse të ardhurit janë refraktarë, nuk mund të joshen me sublimacionet që u ofrojnë kulturat pritëse, as shampot kundër zbokthit ose kurset e teknikave për higjienë vaginale; pa përmendur metodat e mësimit të gjuhës, ku tregohet se si një grup refugjatësh nga ultësira e Dnieprit vizitojnë shtëpinë muze të Schiller-it në Marbach. Berlinezi i superkulturuar, me siguri i mëkuar me doktrinat e majta, dalë nga ngjarjet e ‘68-ës, duke përfshirë këtu edhe ambientalizmin, vegjetarianizmin, anti-Helmut Kohl-izmin, anti-amerikanizmin dhe, doemos, një interes pothuajse pervers për ekzotikën e Botës së Tretë (duke filluar nga Pyjet e Amazonës e deri te problemi ngutësisht shqetësues i eskimezëve që duan të vrasin tek-tuk ndonjë kashalot të plogët), është i papërgatitur për të komunikuar në mënyrë racionale me një tufë kurdësh që orvaten t’i shesin një orë xhepi gjeorgjiane, në Pazarin e Pleshtave, një të diel. Është i papërgatitur, sepse e gjithë e majta evropiane – tek e cila falen, në thelb, elitat e kontinentit – nuk ka asnjë program të arsyeshëm për të zgjidhur atë që popullsia vendase e percepton si problem të emigracionit.

Në të vërtetë, nuk ka problem të emigracionit, por ka një problem të Evropës, në të cilën emigracioni ka pjesën e vet, së bashku me rënien e lindshmërisë së fëmijëve, krizën e familjes, krizën e ideologjive dhe të motivacionit dhe fosilizimin e pasurive materiale. Si i përgjigjet kësaj sfide e majta e Evropës? Me programet sentimentale-ekumenike të integrimit multikulturor? Është shumë pak, në mos asgjë fare. Në të vërtetë, e majta evropiane është ajo vetë pjesë e problemit, duke qenë fund e krye krijim i asaj Evrope e cila refuzon t’ia pranojë vetes se është duke e shkëmbyer florën bakteriale me gjithfarë magrebinësh, ballkanikësh, kaukazianësh; ukrainasish me bagazh gjenetik ende të dëmtuar nga Çernobyli; kinezësh të palodhur që ndërrojnë vazhdimisht emrat; zezakësh afrikanë nga Bregu i Fildishtë, Senegali, Nigeria; somalezësh, afganësh, rumunësh, ciganësh, peruvianësh… Kjo e majtë evropiane, sa herë që ka vepruar, ka vepruar në mënyrë konservative, difensive, difensiviste, për të shpëtuar bazën e vet elektorale, duke iu trembur së djathtës dhe fantazmës së diktaturës…

Ishte gjithashtu një qeveri italiane e majtë që i ngujoi shqiptarët refugjatë të 1991-shit në stadiumin e Barit. Prandaj berlinezi i kulturuar nuk ka asnjë lloj arme ideologjike që ta ndihmojë për t’i dhënë dum problemit të kurdëve ose të atyre procesioneve religjioze letone, që mund t’ia prishin pak gjumin e mëngjesit të dielën. Të kuptohemi: ai vetë është i tëri kozmopolit deri në palcë e ndoshta koleksionon në shtëpi instrumente muzikore atonale kurde; por pikërisht në ballafaqimin fatal me kryematrapazët po kurdë në pazarin e Pleshtave, e zbulon më në fund që është gjerman dhe i kujtohet krenarisht ndonjë varg i vakët nga Goethe-ja – ndoshta në të njëjtën kohë kur kurdët po bëjnë çmos ta heqin nga koka atë vjershën e Schiller-it, që ua mësuan në kursin intensiv të gjermanishtes për refugjatë gjysmëpolitikë të parregullt. Me fjalë të tjera, e zbulon që është gjerman, pikërisht në një kohë që flora e zorrëve po i shkombëtarizohet çdo ditë e më tepër (falë edhe higjienës jo perfekte të restorantit turko-tatar ku e ka bërë zakon të drekohet).

Në Evropën e sotme, më e shumta e imigrantëve janë të vendosur aty ku kalon kufiri midis rendit publik dhe kaosit, etikës dhe kriminalitetit, fesë dhe shamanizmit, zbavitjes dhe drogimit, erotizmit dhe prostitucionit, demokracisë dhe kërbaçit të policit, hierarkisë dhe dhunës. Kultura e këtyre imigrantëve harliset përtej horizontit perceptues të syrit publik tradicional e ndoshta për këtë arsye edhe ekumenizmi i së majtës evropiane gabohet sa herë që e gjen këtë kulturë të të ardhurve si të mangët, deficiente, asimetrike, disfunksionale. I parë si transfuzion kulture në kushtet e një ndihme të shpejtë social-komunitare, integrimi është i destinuar të dështojë, për arsye të papajtueshmërisë gjenike.

Në të vërtetë, imigrantët e kanë kurdoherë kulturën e tyre, e cila u lejon ta perceptojnë e ta kultivojnë identitetin e grupit dhe të individit si gjymtyrë të grupit; kjo në mënyrë krejt të pavarur nga prejardhja ose nga përmbajtja e elementëve të kësaj kulture.


Kultura e imigrantëve është difuze, e shpërndarë, egalitare, e pa specializuar dhe përfshirëse, sepse nuk para kupton ndonjë diferencim elitash brenda komunitetit. Si e tillë, paraqitet tipologjikisht e kundërt me kulturën establishmentare, eurokratike, të Palazzo Pitti-t, Da Vinci-t, katedrales së Reims-it, Davidit të Michelangelo-s, kanaleve të Venezia-s e të Amsterdam-it dhe kasafortave bankare të Zyrih-ut. Kjo e dyta ekziston para së gjithash në emër të konservimit të historisë nëpërmjet një përpjekjeje muzeifikuese titanike, objektivi i së cilës është, në fund të fundit, asgjësimi i reales.

Sipas një perspektive tepër distopike, por jo fare të pagjasë, shtetet e Evropës Perëndimore, të privuara nga efektet tonizuese të horizontit sovjetik në Lindje, janë të destinuara të pësojnë një varg shndërrimesh sociale rrënjësore, të cilat gradualisht do të shpien në shndërrimin e kombeve të dikurshme në titullarë dhe trashëgues të pushtetit politik, ekonomik dhe kulturor. Ky shndërrim ndoshta do të shoqërohet dhe do të kompletohet nga zëvendësimi i riprodhimit seksual me një proces fekondimi dhe gjestacioni artificial laboratorik, gjenetikisht të kontrolluar e madje të garantuar. Ëndrra mesjetare naziste e përftimit të një race krenare mbinjerëzish do të mund të bëhet kështu realitet pa qenë nevoja të ndizen edhe një herë krematoriumet. Pse kështu? Sepse paralelisht me këtë sublimim të kombeve “të vjetra” vetë masa e imigrantëve do të shndërrohet në një klasë qytetare të dorës së dytë, e cila të ketë në ngarkim (ri)prodhimin e reales, si depozitare e punës, në atë masë që puna konsiston në transformimin e objekteve të botës materiale, për t’u dhënë a shtuar vlera përdorimi. Përkundrazi, aristokracia e re e kombeve të defertilizuara, do të përqendrohet në ruajtjen dhe riprodhimin e strukturave të pushtetit dhe të komunikimit, si instrument bazë i ushtrimit të këtij pushteti brenda një universi në thelb virtual, sepse digital.

Mbetet megjithatë e vërtetë se Evropa e Bashkuar – e cila si projekt i përket epokës së Luftës së Ftohtë – mund të shërbejë farë mirë si një kundërmasë ndaj atrofisë së shteteve-kombe të Evropës Perëndimore, në rrethanat e plakjes së popullsisë dhe mbushjes me imigrantë të intersticeve sociale. Kjo Evropë e Bashkuar, e cila na shfaqet ende si përmbajtje në kërkim të dhimbshëm të një forme, tashmë është e shtrënguar të gjejë identitetin e vet jo vetëm në ballafaqim më të vetmen hiperfuqi të planetit (Shtetet e Bashkuara), por edhe e sidomos në kundërvënie më masën herë amorfe, herë të dëshpëruar, herë agresive, të të gjithë atyre që kërkojnë e do të kërkojnë të depërtojnë në fortesë: Lindja evropiane, Lindja e Mesme, Azia Qendrore, Mesdheu, Afrika e Zezë… Dhe e gjithë kjo, në rrethanat kur elitat e reja politike të Evropës Perëndimore janë mbrujtur fund e krye me idenë se Evropës i bie barra e shenjtë e ruajtjes së një thesari, një kulture, një ideje, një qytetërimi të zënë fill me Athinën e Perikliut; por edhe misioni i shenjtë i riprodhimit të këtij thesari, kësaj kulture, kësaj ideje, këtij qytetërimi, madje deri në atë pikë absurde sa edhe vetë Evropa si realitet historik të sublimohet e tëra në riprodhimin e pandërprerë të simboleve të veta të paçmuara, të cilat simbole masa amorfe poshtë mureve të fortesës gjithsesi nuk ia lakmon aspak. Sa vendimtar ky konflikt dhe çfarë mospërputhjeje objektivash!

Temat e fundit