×

Karl Marks dhe Teoria e Konfliktit

Karl Marks dhe Teoria e Konfliktit

· 4 · 188

  • Postime: 26403
  • Gjinia: Mashkull
M A X
ne: 19-06-2019, 21:42:02
Teoria e konfliktit e Karl Marx, dhe çfarë zbulon ajo mbi shoqëritë e sotme
 

Brexit, ka shkaktuar një përçarje të madhe në Britani. Në Francë, “jelekët e verdhë” po kërcënojnë të zhysin vendin në kaos, për shkak të rritjes së çmimit të karburantit. A mund të na ndihmojë kjo të kuptojmë arsyen e tyre, duke u bazuar tek teoria e konfliktit e filozofit gjerman Karls Marks.

Kjo teori sugjeron se shoqëria ekziston në një gjendje të vazhdueshme konflikti, dhe aspak në harmoni. Kjo, për shkak se ne të gjithë jemi duke konkurruar për të njëjtat burime, që një ditë mbarojnë. Me fjalë të tjera, për çdo burim social ka një potencial për konflikt.

Pikat Kryesore të Teorisë së Konfliktit:

Burimet e kufizuara, çojnë në rivalitet midis grupeve të ndryshme në shoqëri.

Këto grupe janë klasa e pasur në pushtet, ose klasa e varfër punëtore.

Gara është zakonisht e natyrës ekonomike ose sociale, me klasën sunduese që sundon mbi atë punëtore.

Konkurrenca për burime

Ekzistojnë tri lloje burimesh që shkaktojnë konflikte:

Burimet ekonomike

Burimet energjitike

Burimet e statusit

Burimi më i dukshëm në shoqëri është paraja. Pasuria të çliron nga stresi, shqetësimet, dhe të siguron një jetë më të mirë, më shumë zgjedhje. Ne të gjithë e dimë se çfarë mund të na japin paratë. Paraja blen një shtëpi të madhe, dhe siguron mundësinë për të jetuar në një zonë të këndshme, apo për të shkuar në një shkollë të mirë.

Sigurisht, burimet nuk përfshijnë vetëm paratë. Këtu futen edhe gjëra të paprekshme, si koha dhe statusi social. Për shembull, një grua e varfër e klasës punëtore në një marrëdhënie shtrënguese, nuk do të ketë të njëjtat mundësi si një burrë beqar me prindër të pasur. Prandaj është e rëndësishme të kuptohet, se ekzistojnë lloje të ndryshme të luftës për burime

Karl Marksi sugjeronte dy lloje grupimesh të përfshira në garën për burime.

Të pasurit, klasën sunduese ose borgjezinë.

Dhe të varfërit, klasë punëtore ose proletariatin.

Borgjezia, përbën një përqindje shumë të vogël të popullsisë, por ajo zotëron pushtetin financiar dhe burimet. Dhe e përdorin atë fuqi për të ndikuar dhe dominuar shumicën më të madhe të proletariatit. Kjo është teoria e piramidës, në të cilën një grupim i vogël në krye, kontrollon fuqinë e të gjithë pjesëtarëve të tjerë të shoqërisë poshtë tyre. Ata e arrijnë këtë në disa mënyra. Vënë nën kontroll mediat, e përqendrojnë vëmendjen larg prej tyre, dhe shënjestrojnë pakicat për problemet e shoqërisë.

Llojet e rivalitetit: Ekonomik dhe social

Konfliktet ndërpersonale

Marrim marrëdhëniet midis një punëdhënësi dhe një punëtori. Punëdhënësi mund të mbajë të njëjtin nivel pagash për vite me radhë, të ulë përfitimet e punëtorëve, t’i mbajë ata jashtë orarit të punës, dhe ndalojnë rritjen e pagave. Tek e fundit, pronarët duan të marrin maksimumin nga punëtorët e tyre, duke paguar për ta koston më të vogël. E kundërta vlen për punëtorin. Prandaj do të ketë gjithmonë konflikte.

Konflikti në botën e sotme

Sociologu gjerman Maks Veber, e zgjeroi më tej teorinë e Marksit. Ai sugjeroi që njerëzit do të preken nga konflikti në shumë nivele të tjera, të cilat përfshinin gjininë, racën, arsimin, klasën dhe lëvizshmërinë sociale. Ai theksoi se disa semgente mund të mos preken fare. Të tjerët mund të ndikohen nga njerëzit që i qeverisin.

Për shembull, nëse një udhëheqës popullor mer vendime jo popullore, si reagojnë masat? Ka gjasa që ato të reagojnë pozitivisht. Pra, është e sigurt të thuhet se kjo teori është shumë-shtresore dhe e varur nga shumë faktorë, jo vetëm nga klasa dhe pasuria.

Konflikti dhe Jelekët e Verdhë

Nëse interesat e një grupi kundërshtar nëpërkëmben, atëherë ky grupim do të mobilizohet. Ata, ndajnë bashkë ndjenjën e përkatësisë, dhe anëtarësisë në një komunitet. Ata, do krijojnë një kufi ndarës, midis atyre që i përkasin këtij komuniteti dhe të tjerëve që nuk janë pjesë e tij. Disa do të ndihen shumë të zemëruar, që ata do të ndërmarrin veprime të caktuara.

Në fakt, konflikti në vetvete tenton të krijojë një ndjenjë solidariteti, dhe të tërheqë edhe të tjerët që në kushte normale nuk mund t’i bashkohen një përplasje. Këtë mund ta shohim me Jelekët e Verdhë në Francë. Ajo që nisi si një protestë paqësore, kundër rritjes së taksës së karburantit, tashmë është shndërruar në diçka krejtësisht tjetër. Jo vetëm kaq, por është shndërruar në një lëvizje shumë më të madhe anti-qeveritare. Protestuesit besojnë se ju jeni, ose me ta ose kundër tyre.

Konflikti dhe Brexit

Sa i përket Brexit-it, rezultati i referendumit në Mbretërinë e Bashkuar, është ende objekt i debateve të forta në Britani. Njerëzit janë emocionalisht shumë të ngarkuar. Mbi këtë çështje, ka shumë mendime të zeza apo të bardha sipas rastit. Ata që votuan për të qëndruatr në BE, besojnë se kishin të drejtë, dhe po kështu edhe ata që votuar pro daljes nga BE.

Për më tepër, asnjëra palë nuk do që të dëgjojnë pikëpamjet e kundërta. Ne zakonisht i forcojmë ideologjitë tona, duke demonizuar kundërshtarët tanë. Ne ndihemi plotësisht të justifikuar në veprimet tona. Por ajo që nuk e kuptojmë, është se bëhemi po aq të këqinj sa kundërshtarët tanë.

Si ta përdorim Teorinë e Konfliktit për të zgjidhur mosmarrëveshjet

Le ta zbatojmë teorinë tek marrëdhëniet dhe problemet njerëzore. Të gjithë biem dakord se në konflikte, faktori më i rëndësishëm është ndjenja e pabarazisë . Mos harroni se pabarazia mund të jetë e vërtetë apo e imagjinuar, mund të ketë ndodhur 1 minutë më parë apo të jetë edhe shekullore.

Konflikti nuk është një garë. Nëse shkoni në një debat me synimin për ta fituar me çdo kusht atë, nuk do të arrini ta zgjidhni konfliktin.

Shiheni problemin nga perspektiva e tjetrit. Kjo do të thotë, të vësh veten në vendin e tyre.

Gjeni rrënjën e pabarazisë. A është financiare, një çështje kohe, arsimimi, pasigurie?

Jini mendje-hapur rreth zgjidhjeve që ofrohen. Partneri apo kolegu juaj, mund të ketë një ide se si zgjidhet konflikti.

Dëgjoje personin tjetër. Kur njerëzit ndihen të dëgjueshëm dhe të vlefshëm, ata kanë më shumë gjasa të hapen, dhe niveli i besimit rritet.

Lërini mënjanë emocionet. Konflikti rritet, kur shtohen emocionet.

Përqendrohuni te problemi, dhe jo tek personi.

Mos kritikoni, por respektoni. Asgjë nuk e mbyll më shumë një bisedë se sa kritikat. Respekti ka treguar të kundërtën.

Ne, s’mund të eliminojmë dot të gjitha konfliktet sot në botë. Por, mund të ndryshojmë mënyrën se si të merremi me to.

“Learning Mind” – Bota.al

  • Postime: 26403
  • Gjinia: Mashkull
M A X
#1 ne: 23-10-2019, 11:40:50
Tek fillimi i veprës së tij më të famshme, “Manifesti i Partisë Komuniste” në vitin 1848, Karl Marksi shkruante një profeci shqetësuese: “Një hie po bie mbi Evropë. Eshtë spektri i komunizmit”. Në të vërtetë, bëhej fjalë për një ekzagjerim: komunistët në atë kohë ishin pak, kudo që t’i kërkoje dhe nuk ishin ata që udhëhiqnin revolucionet që, atë vit shpërthyen në Francë, Gjermani, në Perandorinë Austro-Hungareze dhe gjetkë. Vetëm në vitin 1917, me rënien e Carit Nikolla II dhe marrjen e pushtetit nga ana e bolshevikëve në Rusi, komunizmi marksist u bë një forcë me të cilën bota duhej të bënte hesapet. Dhe pas revolucionit të Maos në Kinë në vitin 1949, për një farë periudhe më shumë se gjysma e racës njerëzore u udhëhoq nga parimet që të paktën formalisht, buronin prej Marksit.

Fytyra e tij krenare mjekërroshe, e ka parë botën nga piktura të pafundme, postera dhe statuja, sikur të dojë të thotë: “Unë kam qenë sebepi i gjithë sa ka ndodhur… ose të paktën unë kam shpjeguar përse ishte historikisht e pashmangshme që të ndodhte. Shkoni dhe ndiqni shembullin tim”. Dhe masa të mëdha ndjekësish e kanë bërë vërtetë. Si dhe përse Marksi u bë një prej mendimtarëve më me ndikim të istorisë, ky është një argument që meriton një reflektim.

Që në rini, Marksi dallohej për vendosmërinë, ambicien dhe dëshirën e fortë për ta bërë më të mirë jetën e të gjitha qenieve njerëzore. Në vitin 1869, teksa ndodhej në Hanover, gjatë një loje të shoqërisë viktoriane që quhej “Rrëfime”, ai përshkroi se karakteristika e tij kryesore ishte “përqëndrimi në një qëllim të vetëm”. Studio fillimisht juridik në Bon, më pas filozofi në Berlin, dhe vizioni i tij mbi botën u ndikua thellësisht prej filozofit më të famshëm të kohës, Hegelit.

Në vitin 1843 e gjejmë si gazetar radikal në Këln. Në 1844-1845, pjesërisht për shkak të ndikimit të Friedrich Engelsit – një tjetër hegelian, i destinuar të shndërrohej në partnerin intelektual të jetës së tij – aderoi në komunizëm, duke e konsideruar atë si të vetmen zgjidhje të mundshme ndaj të këqiave të proletariatit industrial, që po shfaqej në Britaninë e Madhe dhe në vende të tjera. Pak më vonë, ai dhe Engelsi parashtruan “konceptin materialist të historisë”, që shpjegonte se si kishte lindur kapitalizmi dhe përse sistemi i pronës private dhe përqëndrimit të pasurisë, ishte çelësi për të kuptuar të gjitha shoqëritë njerëzore.

Megjithatë, në vitin 1848, jetët e të dyve u tronditën nga vala e revolucioneve që ndau të gjithë kontinentin. Marksi u arrestua (me akuzën se kishte financuar lëvizjen revolucionare) dhe fillimisht mërgoi në Bruksel e Paris, ndërsa më pas u vendos në Londër, ku mbërriti në qershor 1849 dhe qëndroi deri kur vdiq. Në mërgim, jetoi për shumë vite në lagjen e Sohos në varfëri ekstreme, aq sa shpesh i duhej të mbështetej në ndihmën e mikut Engels, i cili jetonte në fabrikën e pambukut të babait të tij në Manchester.

Bashkëshortja e tij tejet besnike, Jenny von Westphalen i “dhuroi” shtatë fëmijë, katër prej të cilëve nuk i mbijetuan fëmijërisë. Mendohet se ka patur edhe një fëmijë të paligjshëm me Helene Demuth: vogëlushi, i quajtur Frederick Demuth, u dha për adoptim dhe ishte Engelsi që pretendoi atësinë, në përpjekje për të shpëtuar reputacionin e Marksit nga shumë kritikë që e sulmonin.

Punëtorët e vdekur nga lodhja

Marksi kaloi pjesën më të madhe të 34 viteve që jetoi në Londër, për të bërë kërkime dhe shkruar tekstin e tij më të rëndësishëm “Kapitali” (në gjermanisht Das Kapital), i shkruaj pothuaj i gjithi nën kupolën e madhe të sallës së leximit të British Museum, i cili kish hapur dyert në vitin 1857.

Pjesa më e madhe e përmbajtjes së librit, botuar në vitin 1867, nuk vinte nga përvoja personale e Marksit, por nga “Librat blu”, të cilët përfshinin rezultatet e inspektimeve në fabrika të ndryshme në Mbretërinë e Bashkuar. Aty përshkruhej përparimi i sektorëve industrialë dhe minierave, tregtisë dhe bujqësisë, shpesh me detaje që vinin në pah gjatësinë e orarit të punës dhe kushtet e tmerrshme të punëtorëve.

Marksi përdori gjithashtu gazetat – në një moment të caktuar ai transkriptoi historinë tragjike të Mary Anne Walkley, një banore e Londrës, e cila vdiq nga rraskapitja në moshën 20-vjeçare, pasi kish punuar për tridhjetë orë pa pushim – dhe raportet mjekësore, duke përfshirë një të vitit 1875, sipas të cilit jetëgjatësia mesatare e klasës së mesme e të lartë të Mançesterit ishte tridhjetë e tetë vjet, ndërsa ajo e klasës punëtore ishte shtatëmbëdhjetë. Ai gjithashtu luajti një rol aktiv në komunitetin e punëtorëve emigrantë gjermanë në Londër dhe një rol gjithnjë e më dominues në Shoqatën Ndërkombëtare të Punëtorëve, një institucion i themeluar në vitin 1864, i cili do të numëronte qindra-mijëra aderues në të gjithë Evropën. Kur në fund të Luftës Franko-Prusiane (1870-1871), një revoltë e klasës punëtore i dha jetë Komunës së Parisit, emri i Marksit u shoqërua nga shumë njerëz me këtë të fundit dhe me gjakderdhjen që pasoi, aq shumë sa, për një kohë të shkurtër ai u bë – sipas fjalëve të Engelsit – “njeriu më i urryer dhe më i neveritur i kësaj epoke”.

Megjithë kritikat, Marksi nuk u ndal kurrë së besuari në veten e tij, edhe pse besimi i tij i jashtëzakonshëm kishte një tjetër anë: impulsin për të ditur absolutisht gjithçka për një temë para se të mund të shkruante për të. Vepra e tij zvarritej mes kllapave boshe edhe për vite të tëra, të domosdoshme për të mësuar gjuhë të reja (veçanërisht rusisht) dhe për të mbajtur një sasi të pafund shënimesh. Për më tepër, në moshë të thyer Marksi vuante nga hemorroidet, reumatizma, mëlçia dhe çrregullime të lëkurës e pagjumësi: të gjitha probleme që e mbajtën larg nga tryeza e punës, edhe për periudha të zgjatura. Ishte pa dyshim për këtë arsye që ai nuk e arriti famën botërore sa ishte gjallë: kur vdiq, në vitin 1883, emri i tij nuk ishte veçanërisht i njohur.

Socializmi i shfrenuar

Sidoqoftë, menjëherë pas vdekjes së tij, me Evropën nën kthetrat e krizës ekonomike dhe përhapjes në shkallë të gjerë të socializmit, u formua një kult i vërtetë rreth figurës së tij, dhe brenda njëzet vjetësh vizionin e tij për një një botë në të cilën forcat e reja të prodhimit mund të ushqeheshin, të visheshin dhe të kishin një shtëpi dhe një standard jetese më të mirë, nga shumica e klasës punëtore mori një mbështetje të fortë ndërkombëtare. Tashmë mendimi i tij ishte vendosur mbi atë të çdo teoricieni tjetër socialist, përfshirë Robert Oëen, Charles Fourier dhe Henri de Saint-Simon. Marksi është varrosur në Londër në varrezat e Highgate, në një varr mbi të cilin, nën një skulpturë të kokës së tij është gdhendur: “Punëtorë të të gjitha vendeve, bashkohuni!” dhe “Filozofët vetëm e kanë interpretuar botën në mënyra të ndryshme, por detyra e vërtetë e filozofisë është ta ndryshojë atë ”(citim nga një nga veprat e tij të para, “Tezat mbi Feuerbach”).

Bëhet fjalë sigurisht për epitafe, që i shkojnë për shtat: Marksi kishte qenë gjithmonë një njeri i veprimit, me objektivin kryesor të shpëtonte proletariatin – domethënë në një shoqëri industriale, pjesën dërrmuese të racës njerëzore – nga lakmia dhe efektet çnjerëzore të kapitalizmit. Ideja themelore, për të cilën Marksi ishte thelluar në 1848, ishte në vetvete mjaft e thjeshtë: kapitalizmi prodhon kriza periodike, në të cilat më të pasurit arrijnë të mbijetojnë dhe madje të pasurohen më tej – duke shitur me koston e prodhimit ose edhe më pak se ajo, nëse është e nevojshme – ndërsa më të varfërit detyrohen të fundosen.



Pra, pasuria ka prirjen të përqëndrohet duke ndjekur këtë skemë, ndërkohë që klasa punëtore zbret në nivele mbijetese, apo edhe më poshtë.

Në fund të fundit, sipas mendimit të Marksit, do të vinte domosdoshmërisht një krizë në të cilën klasa punëtore, më në fund e vetëdijshme për alternativën e ofruar nga socializmi dhe e bashkuar nga solidariteti i vetëdijes së klasës (pjesërisht falë edhe natyrës gjithnjë e më sociale dhe bashkëpunuese të prodhimit në shkallë të gjerë në fabrika), do ta përmbyste sistemin me iniciativën e vet.

Pas rënies së borgjezisë – apo klasës së mesme kapitaliste – klasa punëtore do i jepte formë një shoqërie të re në një fazë tranzicioni, që Marksi ndonjëherë e quante “diktatura e proletariatit”, në të cilën punëtorët e krahut (që më epokën e vonë viktoriane përbënin 85% të popullsisë), do të merrnin kontrollin e demokracisë. Prodhimi për fitim do të zëvendësohej nga prodhimi për nevojë, organizuar nga forma të planifikimit qendror, dhe të gjithë punëtorët do të marrnin atë që kishin hak, në bazë të parimit: “Secilit sipas aftësisë dhe nevojave!”

Shteti pushon së ekzistuari

Sipas filozofisë marksiste, faza e fundit e shoqërisë komuniste do të shihte rënien përfundimtare të çdo forme të autoritetit shtrëngues. Prodhimi dhe arsimi do të integroheshin me njëri-tjetrin dhe punën e të tjerëve do ta mbikëqyrnin drejtorë të zgjedhur e të zëvendësueshëm, të cilët do të merrnin pagë mesatare. Sapo të shfaroseshin plotësisht klasat sociale, shteti do të pushonte së ekzistuari. Për më tepër, futja e makinerive të reja do të garantonte më shumë kohë të lirë për të gjithë, duke bërë të mundur zhvillimin njerëzor të çdo individi dhe jo vetëm më të pasurve.

Në moshë të thyer, Marksi tërhoqi pohimet e tij më të forta të bëra në rini, mbi idenë e “tjetërsimit” të procesit të prodhimit, duke preferuar të vinte më shumë theksin në rritjen e kohës së lirë dhe mundësinë e arsimimit të cilitdo, por ai kurrë nuk vuri në dyshim as virtytet e as arritshmërinë e qëllimit final: fundit të shfrytëzimit njerëzor.

Kishin kaluar tridhjetë vjet nga vdekja e tij, përpara se teoritë e Marksit të testoheshin në botën e vërtetë, dhe kur kjo ndodhi – në Revolucionin Bolshevik që përfshiu Rusinë në vitin 1917 – ndikimi ishte më i madh nga sa mendohej. Në fund të jetës së tij, Marksi pranoi se revolucioni mund të kishte ndodhur në një vend të pazhvilluar, veçanërisht në Rusi. Ky pohim, megjithatë, përbënte një problem, pasi Marksi kishte zhvilluar teoritë e tij duke marrë si model një vend me standarde jetese shumë më të larta.

Sidoqoftë, ai që e shkëputi realisht revolucionin bolshevik nga parashikimet Marksiste ishte fakti që drejtohej nga një parti pakice, e cila më pas u ndie e detyruar të mbante frenat e pushtetit. Nuk ka dyshim se Marksi as nuk e kishte parashikuar dhe as shpresuar diktaturën që u shfaq në Rusi me Leninin, Stalinin dhe policinë e fshehtë famëkeqe, aq më pak të paramendonte shpejtësinë me të cilën bolshevizmi do të shtynte zbatimin e ideve të tij, në të gjithë planetin.

Në librin “Imperializmi: forma supreme e kapitalizmit” (1916), Lenini e çoi në një nivel krejt të ri teorinë marksiste të shfrytëzimit, duke lënë të kuptohej se ajo mund të zbatohej në cilëndo zonë të botës, që ishte e pushtuar. Pas vitit 1945, duke shfrytëzuar shansin që ofroi falimentimi i pothuaj të gjitha fuqive të mëdha evropiane, miliona njerëz filluan të asociojnë emrin e Marksit me vetëvendosjen politike, pavarësinë kombëtare dhe rikthimin e tokës atyre që e kultivonin. Marksi u shndërrua në një far të barazisë, dinjitetit dhe mirëqenies potenciale për të gjithë racën njerëzore: objektiva që duheshin arritur jo me konkurrencë dhe antagonizëm, por në një klimë solidariteti, harmonie dhe mbështetjeje reciproke.

Në fillim, regjimet që u reshtuan nën emrin e Marksit arritën vërtetë shumë në këtë drejtim: në Kinë, miliona qytetarë u çliruan nga varfëria, varësia nga opiumi dhe dominimi i egër i pronarëve të tokave; Bashkimi Sovjetik arriti të industrializojë vendin brenda vetëm dy gjeneratave (edhe pse me një kosto të tmerrshme), kontribuoi jo pak për mposhtjen e Hitlerit, dhe pavarësisht shkatërrimeve të pësuara gjatë Luftës së Dytë Botërore, arriti një standart më të lartë jetese, duke kaluar madje për pak kohë edhe SHBA në garën hapësinore, kur Juri Gagarini u bë njeriu i parë që erdhi rrotull në orbitë, në prill të vitit 1961.

Zhgënjim masiv

Gjatë Luftës së Ftohtë, një pjesë e madhe e racës njerëzore u gjet e ndarë, midis tërheqjes nga demokracitë e pasura kapitaliste perëndimore të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara dhe kritikës Marksiste-Leniniste dhe Maoiste, që shpallte se duke pasur parasysh fuqinë e tepruar të klasave dhe korporatave më të pasura, kapitalizmi thjesht nuk mund të jetë demokratik. Njerëzit në mbarë botën duartrokitën përpjekje të ndryshme për të fituar lirinë nga zinxhirët e sundimit kapitalist ndërkombëtar, veçanërisht në Kubë, ku Che Guevara u bë simbol i i epokës së revoltave të studentëve, dhe në Vietnam, ku Shtetet e Bashkuara dukej se u reshtuan në mbështetje të një regjimi të korruptuar dhe reaksionar.

Në vitet gjashtëdhjetë, ndodhi rizbulimi i shkrimeve të rinisë së Marksit dhe në veçanti teoria e “tjetërsimit” në Letrat Pariziane të 1844 ndihmoi në formësimin e të menduarit për “Të Majtën e Re”, dhe për ta bërë vetë Marksin një anti-Stalinist. Por, shtetet komuniste nuk arritën të zbatojnë një kontroll efektiv të popullit mbi elitat e pushtetit, gjithnjë e më të privilegjuara dhe të fosilizuara, dhe shpesh u reduktuan në persekutimin e çdo forme të disidencës.

Kur përpjekjet për të çliruar veten nga modeli sovjetik në Hungari në 1956 dhe Çekosllovaki në 1968 ndeshën në një shtypje të ashpër, ajo që ndodhi ishte një zhgënjim i vërtetë masiv: komunizmi tani dukej, sipas fjalëve të udhëheqësit studentor francez, Daniel Cohn-Bendit, “Diçka e vjetëruar”.

Në Kinë, Revolucioni Kulturor vuri në shënjestër njerëzit më të arsimuar, duke vrarë mijëra dhe dëbuar edhe më shumë nga vendi, për plot një dekadë. Pastaj, me rënien e Bashkimit Sovjetik në 1991, kryesisht e motivuar nga pamundësia e mbajtjes së ritmit në garën e armatimit me Shtetet e Bashkuara, dështimi i modelit Marksist dukej i plotë: në luftën midis ideologjive të botës moderne, kishte fituar qartësisht kapitalizmi, dhe Marksi dukej i destinuar të bëhej një shënim anomal në katalogun e sipërmarrjeve njerëzore. Megjithatë, dhjetë vjet pas krizës financiare të vitit 2008, rinovimi i interesit për Marksin është i dukshëm.

Rritja e përqëndrimit të pasurisë nga njëra anë, dhe rritja eksponenciale e varfërisë nga ana tjetër, po i bën sërish të ndjekura analizat e tij, mbi të gjitha për një brez që është rritur mes masave të kursimit dhe që gjendet përballë një perspektivë jo dhe aq rozë, se sa ajo e brezit të mëparshëm.

Ky artikull i Gregory Claeys, Docent i Historisë në Royal Holloëay është marrë nga History today dhe sjellë në shqip nga bota.al

  • Postime: 26403
  • Gjinia: Mashkull
M A X
#2 ne: 09-01-2020, 13:50:53


Marrja fund e marksizmit do të përbënte lajm të mirë për marksistët ngado. Ata do të fusnin në çantë marshimet dhe piketat, do të ktheheshin në gjirin e halleve familjare dhe do të shijonin një mbrëmje në shtëpi në vend që të merrnin pjesë në ndonjë tjetër mbledhje të mërzitshme komiteti. Marksistët nuk duan asgjë më shumë sesa të rreshtin së qeni marksistë. Në këtë kuptim, të qenët marksist nuk është fare si të qenët budist apo miliarder. Më shumë ngjan me të qenët mjek. Mjekët janë krijesa perverse, të vetëfrustruara, të cilat i heqin vetes punën nga dora duke kuruar pacientë, të cilët më pas nuk kanë nevojë për ta. Ngjashëm, detyra e radikalëve politikë është të arrijnë pikën ku ata nuk do të ishin më të nevojshëm ngaqë synimet e tyre do të ishin realizuar. Atëherë do të ishin të lirë të tërhiqeshin, të digjnin posterat e Çe Gevarës, t’i ktheheshin sërish me violonçelit të tyre të braktisur prej kohësh dhe të flisnin për gjëra më intriguese se mënyra aziatike e prodhimit. Nëse ka ende marksistë ose feministë vërdallë në shekullin e njëzetenjëtë, kjo është shenjë e keqe. Marksizmi duhet të ishte punë rreptësisht provizore, çka përbën arsyen se pse gjithkush që investon krejt identitetin e vet në të e ka humbur fillin. Gjithë kuptimi i marksizmit është se ka jetë pas marksizmit.

Ka vetëm një problem me këtë vizion, përndryshe tërheqës. Marksizmi është një kritikë e kapitalizmit – kritika më kërkuese, rigoroze dhe gjithëpërfshirëse e kësaj natyre që është parashtruar ndonjëherë. Gjithashtu marksizmi përbën të vetmen kritikë të tillë që ka transformuar sektorë të gjerë të globit. Nga kjo rrjedh se për aq kohë sa vazhdon kapitalizmi, aq do të vazhdojë edhe marksizmi. Ai mund të dalë në pension vetëm duke nxjerrë jashtë loje kundërshtarin e vet. Dhe në shikim të mbramë, kapitalizmi duket po aq energjik sa kurdoherë.

Shumica e kritikëve të marksizmit sot nuk e vënë në dyshim këtë pikë. Përkundrazi, pretendimi i tyre është se sistemi ka ndryshuar më mënyrë pothuajse të panjohshme që prej ditëve të Marksit, dhe prandaj idetë e tij nuk janë më të përshtatshme. Përpara se ta shqyrtojmë këtë pretendim, ka vlerë të vihet re se Marksi dora vetë ishte krejt i vetëdijshëm për natyrën gjithnjë-në ndryshim të sistemit që po sfidonte. Pikërisht marksizmit ia kemi borxh konceptin e formave të ndryshme historike të kapitalit: tregtar, agrar, industrial, monopolist, financiar, imperialist etj. Kësisoj, përse fakti që kapitalizmi e ka ndryshuar formën e vet në dekadat e fundit duhet ta diskreditojë një teori që e sheh ndryshimin si thelbin e vetë sistemit?! Për më tepër që vetë Marksi e parashikonte rënien e klasës punëtore dhe rritjen e formave jofizike të punës. Ai parashikoi gjithashtu të ashtuquajturin globalizim – diçka e çuditshme për një njeri mendimi i të cilit hamendësohet si arkaik. Megjithatë, ndoshta cilësia ‘arkaike’ e Marksit është ajo çka e bën atë ende të rëndësishëm sot. Ai akuzohet se është i vjetruar nga kampionët e një kapitalizmi që po kthehet furishëm në nivelet viktoriane të pabarazisë.

Më 1976-n mjaft njerëz në Perëndim mendonin se marksizmi kishte argumente serioze. Më 1986-n, shumë prej tyre nuk mendonin më të njëjtën gjë. Çfarë kishte ndodhur tamam ndërkaq? Mos vallë këta njerëz thjesht e humbën arsyen? Mos vallë teoria marksiste u demaskua si e rreme nga ndonjë hulumtim i ri botëtronditës? Mos zbuluam ndonjë dorëshkrim të humbur prej kohësh të Marksit në të cilin ai rrëfente se gjithçka e kishte pasur me shaka? Arsyeja nuk qëndronte në zbulimin zhgënjyes se Marksi paguhej nga kapitalizmi. Diçka të tillë e dinim prej kohësh. Pa fabrikën Emren&Engels në Salford, pronar i të cilës ishte babai fabrikant tekstilesh i Engelsit, Marksi, në varfërim kronik, mund të mos mbijetonte për të shkruar polemika kundër fabrikantëve të tekstileve.

Diçka kishte ndodhur vërtet në periudhën në fjalë. Prej mesit të viteve 70 sistemi perëndimor kishte pësuar disa ndryshime jetike. Pati një zhvendosje nga fabrikimi industrial tradicional në kulturën ‘pasindustriale’ të konsumerizmit, komunikimit, teknologjisë së informacionit dhe industrisë së shërbimeve. Në rend të ditës ishin sipërmarrjet në shkallë të vogël, të shpërqendruara, të shumanshme e johierarkike. Tregjet u çrregulluan dhe lëvizja e klasës punëtore pësoi një sulm të egër ligjor dhe politik. Përkatësitë tradicionale klasore u dobësuan, ndërkohë që identitetet lokale, gjinore dhe etnike u bënë edhe më ngulmuese. Politika u bë gjithnjë e më e menaxhuar dhe e manipuluar.

Teknologjitë e reja të informacionit luajtën një rol kyç në globalizimin në rritje të sistemit, ndërsa një grusht korporatash tejkombëtare e shpërndanë prodhimin dhe investimin nëpër planet në kërkim të fitimeve më të lehta. Një pjesë e mirë e fabrikave u zhvendos në vende me pagë të ulët të botës së ‘nënzhvilluar’, çka e shtynte një pjesë të perëndimorëve mendjelehtë të arrinin në përfundimin se industria e rëndë ishte zhdukur nga planeti. Gjatë kësaj periudhe lëvizshmërie globale ndodhën migrime masive ndërkombëtare të punës, dhe bashkë me to u ringjallën racizmi dhe fashizmi kundër imigrantëve të varfër që derdheshin në ekonomitë më të përparuara. Ndërkohë që vendet ‘periferike’ u nënshtroheshin punës së rëndë, shërbimeve shoqërore të privatizuara, shkatërrimit të përfitimeve shoqërore dhe kushteve të pabarabarta të tregtisë, administratorët e parruar të vendeve metropolitane hoqën kollaret, zbërthyen kopsat e kamishave dhe nisën të shqetësoheshin për mirëqenien shpirtërore të punonjësve të tyre.

Asnjëra prej këtyre nuk ndodhi ngaqë sistemi kapitalist ishte në një fazë të gjallë dhe të gëzueshme. Përkundrazi, pozicioni i tij luftarak, si shumica e formave të sulmit, buronte nga ankthi i thellë. Sistemi u bë maniak për shkak të faktit se ishte në depresion të nënzëshëm. Ajo çka e ndikoi më së shumti këtë riorganizim ishte shuarja e papritur e bumit të pasluftës. Konkurrenca e intensifikuar ndërkombëtare po ulte normat e fitimeve, po thante burimet e investimeve dhe po ngadalësonte ritmin e rritjes. Edhe socialdemokracia po dukej një opsion politik mjaft radikal dhe i kushtueshëm. Kësisoj, skena ishte bërë gati për Reganin dhe Theçerin, të cilët do të ndihmonin në çmontimin e industrisë tradicionale, do të atrofizonin lëvizjen punëtore, do të lulëzonin tregun, do të fuqizonin krahun shtypës të shtetit dhe do të përkrahnin një filozofi të re shoqërore, të njohur si grykësi e pacipë. Zhvendosja e investimeve nga fabrikat te industritë e shërbimeve, financiare dhe të komunikimit ishte reagim ndaj një krize ekonomike të zgjatur, dhe jo një kërcim nga një botë e vjetër e keqe në një të re të përsosur.

Megjithatë, dyshoj se shumica e radikalëve që ndërruan mendje rreth sistemit midis viteve 70 dhe 80 e bënë këtë thjesht për shkak se kishte më pak fabrika pambuku vërdallë. Nuk ishte kjo arsyeja që i shtyu ta groposnin marksizmin bashkë me basetat dhe rripat e kokës, por bindja në rritje se regjimi që kishin përballë thjesht ishte shumë i vështirë për t’u përmbysur. Rolin vendimtar nuk e patën iluzionet mbi kapitalizmin e ri, por zhgënjimet rreth mundësisë për ta ndryshuar atë. Sigurisht që kishte plot ish-socialistë që e racionalizonin zymtësinë e tyre duke pretenduar se në qoftë se sistemi nuk mund të ndryshohej, atëherë as që duhej të ndryshohej. Mirëpo rol parësor luajti mungesa e besimit tek alternativa. Meqenëse lëvizja e klasës punëtore ishte goditur dhe gjakosur aq fort, dhe e majta politike ishte tërhequr aq shumë, e ardhmja dukej se ishte zhdukur pa lënë gjurmë. Për disa të majtë, rënia e bllokut sovjetik në fund të viteve 80 shërbeu për ta thelluar çmagjepsjen. Ndikim negativ pati edhe fakti që lëvizja radikale më e suksesshme në kohët moderne – nacionalizmi revolucionar – në atë kohë i kishte shpenzuar energjitë e veta. Ajo çka e ushqeu kulturën e pasmodernizmit, me heqjen dorë nga rrëfimet e mëdha dhe shpalljet triumfuese të Fundit të Historisë, ishte mbi të gjitha bindja se e ardhmja tashmë do të ishte thjesht njëlloj si e tashmja. Apo, siç thoshte një pasmodernist i harlisur: ‘E tashmja, plus më shumë opsione.’

Kësisoj, ajo që ndikoi mbi të gjitha në diskreditimin e marksizmit ishte ndjenja zvarritëse e pafuqisë politike. Është e vështirë ta mbash besimin te ndryshimi kur ndryshimi duket jashtë agjende, edhe pse pikërisht atëherë duhet ta ushqesh edhe më fort. Fundja, nëse nuk i kundërvihesh asaj që duket e pashmangshme, kurrë nuk ke për ta ditur se sa e pashmangshme ka qenë e pashmangshmja. Nëse zemërpulat do të kapeshin pas ideve të tyre të mëparshme edhe për dy dekada, do të shihnin një kapitalizëm aq të ngazëllyer e të pathyeshëm, saqë më 2008-n arriti vetëm të mbante hapur bankomatët në autostrada. Po ashtu do të kishin parë se një kontinent i tërë në jug të Kanalit të Panamasë u zhvendos dukshëm kah e majta politike. Fundit të Historisë tashmë i kishte ardhur fundi. Sidoqoftë, marksistët duhet të jenë të mësuar me humbjet. Ata kishin njohur katastrofa më të mëdha nga kjo. Fati politik do të jetë gjithmonë me sistemin në fuqi, qoftë edhe ngaqë ai ka më shumë tanke se ti. Mirëpo, vizionet marramendëse dhe shpresat plot gjallëri të fundviteve 1960 e bënë këtë kthesë një pilulë veçanërisht të hidhur për të mbijetuarit e asaj epoke.

Kësisoj, ajo çka e bënte marksizmin të papranueshëm nuk gjendej në faktin se kapitalizmi kishte ndryshuar tiparet e tij. Në fakt kishte ndodhur e kundërta; fakti se sa më shumë ecte sistemi, aq më tepër dukej se punët do të shkonin njëlloj si zakonisht. Ironikisht atëherë, ajo që ndikoi më shumë në mundjen e marksizmit u fali gjithashtu besueshmëri pretendimeve të tij. Ai u degdis në skaje sepse rendi shoqëror të cilit i kundërvihej, në vend që të bëhej më i durueshëm dhe i moderuar, u bë edhe më i pashpirt dhe ekstrem nga ç’kishte qenë më parë. Dhe kjo e bëri kritikën marksiste edhe më të vlefshme. Në shkallë globale, kapitali po përqendrohej dhe po bëhej gjithnjë e më grabitqar, dhe klasa punëtore në të vërtetë ishte rritur në numër. Po bëhej e mundur imagjinimi i një të ardhmeje ku të stërpasurit do të banonin në bashkësi të izoluara dhe të ruajtura me armë, ndërkohë që pothuajse një miliard banorë periferish të varfra do të rrethoheshin në kolibet e tyre të qelbura nga roje dhe tela me gjemba. Në këto rrethana, të pretendosh se marksizmi ka marrë fund do të ishte sikur të pretendoje se zjarrfikja ka dalë jashtë mode përderisa zjarrvënësit po bëhen më të zotë dhe të fuqishëm se kurrë më parë.

Ashtu siç e parashikonte Marksi, në kohën tonë pabarazitë pasurore janë thelluar në mënyrë dramatike. Të ardhurat e një miliarderi të vetëm meksikan janë sot të barabarta me ato të shtatëmbëdhjetë milionë bashkëqytetarëve të tij më të varfër. Kapitalizmi ka krijuar më shumë begati se kurrë më parë në histori, por çmimi – ai i thuajse shkatërrimit të miliarda njerëzve – ka qenë astronomik. Sipas Bankës Botërore, 2.74 miliard njerëz jetonin në vitin 2001 me më pak se dy dollarë në ditë. Ne gjendemi përballë një të ardhmeje të mundshme ku shtetet me armë bërthamore do të luftojnë mbi burime të rralla; dhe kjo rrallësi është në një masë mjaft të madhe produkt i vetë kapitalizmit. Për herë të parë në histori, kjo mënyrë mbizotëruese jetese nuk ka thjesht fuqinë për të ushqyer racizmin dhe kretinizmin kulturor, për të na shpënë në luftëra apo për të na gardhuar në kampe pune, por edhe për të na zhdukur krejt nga faqja e dheut. Kapitalizmi do të sillet në mënyrë antishoqërore përderisa t’i duket fitimprurëse diçka e tillë, dhe kjo tashmë nënkupton shkatërrim njerëzor në përmasa të paimagjinueshme. Ajo që dikur ishte fantazi apokaliptike, tashmë është realizëm me këmbë në tokë. Parulla tradicionale majtiste ‘Socializëm ose barbari’ nuk ka qenë kurrë më e përshtatshme, kurrë më pak retorike. Në këto rrethana të tmerrshme, siç shkruan Fredric Jameson, ‘marksizmi duhet të bëhet medoemos i vërtetë sërish’.

Pabarazitë spektakolare të pasurisë dhe pushtetit, luftërat imperialiste, shfrytëzimi i intensifikuar, një shtet gjithnjë e më shtypës: nëse këto janë tipare të botës së sotme, ato përbëjnë gjithashtu çështje me të cilat marksizmi është marrë dhe ka reflektuar për pothuajse dy shekuj. Prandaj duhet pritur që marksizmi të ketë ca mësime për të na dhënë në të tashmen. Vetë Marksit i kishte bërë shumë përshtypje procesi jashtëzakonisht i dhunshëm i farkëtimit të klasës punëtore prej fshatarësisë së dëbuar në vendin e tij të adoptimit, Angli – një proces të cilin po e përjetojnë tani Brazili, Kina, Rusia dhe India. Tristram Hunt-i vëren se libri i Mike Davis-it Planet of Slums, i cili dokumenton ‘malet që vijnë era mut’ të njohura si lagje të varfra barakash, që gjenden në Lagosin apo Dhakën e sotme, mund të konsiderohet si një version i përditësuar i Gjendjes së klasës punëtore në Angli të Engelsit. Ndërsa Kina bëhet punishtja e botës, – komenton Hunt-i, ‘zonat ekonomike speciale të Guangdongut dhe Shangait të kujtojnë Mançesterin dhe Glasgoun e 1840-s.’

Po sikur të mos ishte marksizmi i vjetruar, por vetë kapitalizmi?! Në epokën e Anglisë viktoriane, Marksi vërejti se sistemit i kishte mbaruar karburanti. Në ditët e veta më të mira ai kishte sjellë përparim shoqëror, ndërkohë që tashmë po e pengonte atë. Ai e shikonte shoqërinë kapitaliste si të mbuluar me fantazi e fetishizëm, mit e idhujtari, pavarësisht se sa mburrej për modernitetin e vet. Vetë iluminizmi i tij – besimi i vetëkënaqur te racionaliteti i vet sipëror – ishte një farë supersticioni. Pavarësisht se kishte mundur të sillte përparim shtangës në disa fusha, në një tjetër kuptim ishte përpjekur mjaft vetëm e vetëm për të ndenjur në të njëjtin vend. Caku i mbramë i kapitalizmit – shkruante dikur Marksi – ishte vetë kapitali, riprodhimi konstant i të cilit është kufiri që nuk mund ta kapërcejë dot. Ka diçka statike dhe përsëritëse në mënyrë kureshtare për sa i përket këtij regjimi, i cili është më dinamiku i të gjitha regjimeve historike. Fakti që logjika e tij bazike mbetet pak a shumë konstante është një nga arsyet se pse kritika marksiste mbetet e vlefshme gjerësisht. Kjo do të rreshtte së qeni e vërtetë vetëm nëse sistemi do të ishte vërtet i aftë t’i kapërcente kufijtë e tij, duke përuruar ndonjë të re të paimagjinueshme. Mirëpo kapitalizmi e ka të pamundur të shpikë një të ardhme e cila nuk e riprodhon ritualisht të tashmen e tij. Sigurisht me disa opsione më shumë…

Kapitalizmi ka sjellë përparime të mëdha materiale. Mirëpo, megjithëse një mënyrë e tillë e organizimit të punëve ka pasur gjithë atë kohë për të treguar se është e aftë për t’i plotësuar kërkesat njerëzore gjithkund, sot duket edhe më larg këtij synimi se kurdoherë. Edhe për sa kohë jemi të gatshëm të presim që ai të sjellë të mirat e veta?! Pse vazhdojmë ta ushqejmë mitin se pasuria përrallore e krijuar nga kjo mënyrë prodhimi në fund fare do të jetë në duart e të gjithëve?! A do t’i trajtonte bota me të njëjtën vetëpërmbajtje të-shohim-si-do-të-venë-punët pretendimet e ngjashme të të majtës radikale?! Djathtistët që pranojnë se do të ketë gjithmonë padrejtësi kolosale në sistem, por se alternativat ndaj sistemit janë edhe më të këqija, janë të paktën më të ndershëm në mënyrën e tyre të vrazhdë sesa ata që predikojnë se në fund fare gjithçka do të shkojë siç duhet. Nëse ndodh që të ketë të pasur dhe të varfër, ashtu siç ndodh të ketë të zinj dhe të bardhë, atëherë përparësitë e të privilegjuarve mund të shpërndahen me kalimin e kohës tek ata në vështirësi. Mirëpo të pretendosh se disa janë varfanjakë, ndërsa të tjerët të begatë, është njëlloj si të pretendosh se në botë ka edhe policë, edhe kriminelë. Kështu është; veçse kjo mbulon të vërtetën se ka policë për shkak se ka kriminelë…

Marrë nga: Terry Eagleton – Why Marx Was Right

Përktheu: Arlind Qori

  • Postime: 304
Alban
#3 ne: 09-01-2020, 15:23:06
Vetem ata me bindje komuniste shohin te mira ne teorite e Karl Marx.