Nga Lavdrim Lita
Nga misteri vijmë në mister shkojmë, përplasemi nga pluhuri në pluhur, përmes një moloch-u terrorizues që sakrifikon shqisat njerëzore. Injoranca është “dada e madhe”, dafina e misterit, pikërisht si humusi i zi ku mbijnë mendimet, ku edhe dalin dallimet. Ndërsa me paturpësinë që e karakterizon, shkenca e patologjisë e ka internuar këtë “prekje të perëndive” në një emërtues sa të ftohtë, po aq edhe misterioz, fiks si një totem, si “epilepsi”, por konvulsionet neurotike që sjellin kaos në depërtimin drejt të panjohurës, përtej asaj që shohim fluturojnë përtej burgosjes së fjalëve. I prekuri sikur pajiset me forcë shpirtërore, me vullnet të fortë, dhe dridhjet ose tkurrje-lëshimet si purtekë kanë një diapazon mitopoietik që krijon panik në atë që shohin sytë e spektatorit. Më pas kërkohet një çelës që hap qetësinë nervore, edhe tërmeti sheshohet, kurse tensioni fokusohet normal në 12 me 8.
Historia e kësaj sëmundjeje tokësore me influenca qiellore ndërlidhet me ngjarjet ose njerëzit që i kanë bërë kronistët të ndalojnë për të regjistruar emrat në analet e tyre si gjeni: Dostojevski, Aleksandri i Madh, Jul Qezari, Napoleoni, Petrarka, Moliére, Bajroni, Rishelje, Karli i V, Alfred Nobel, Flaubert, Caravaggio, Van Gogh, Martin Luteri, edhe profeti arab Muhamed. Në kulturën oksidentale të shpullosurit nga kjo sëmundje ngjan të jenë të identifikuar biometrikisht si, “i zgjedhuri”, “i shënjuari”, “i papërlyemi”, “misionari”, “mesia” që qytetërimi i ka kërkuar dhe i ka pasur gjithmonë. Të marrim vetëm një rast, atë të parin, Fjodor Dostojevskin që ishte i prekur nga epilepsia në lobet kohore të trurit, me kriza te përkohshme dhe me vizione të çuditshme, nëse lexoni veprën “Idioti” ose dhe libra të tjerë të Dostojevskit, do të gjeni farë mirë shprehje ekzakte të vizatimeve të atyre mbresave që provokohen nga shkundja e sëmundjes së tokës.
Mirëpo sa për informacion, ndalesën e parë të diagnostikimit me sy të kësaj “morbo sacris” e kemi në një dokument të vjetër Akadik, përpara 4 mijë vjetëve. Më pas në Greqinë e lashtë filozofi Hipokrat shkroi “Mbi prekjen e zotave” e vijon më pas në shekuj me sprova të tjera akute, për t’i gjetur jo më rrënjët, por majat ndër-kohore këtij fenomeni.
Ndërkaq, simptomat përgjëruese shfaqen pa pritur, pa paralajmëruar tërmetin brenda damarëve blu më ndërhyrjen paranormale duke e katapultuar të përzgjedhurin në një dimension tjetër, paralel. Kapaciteti për të shkaktuar me dritë dhe tinguj furinë e sëmundjes ushqen dobësinë e njohurive që njerëzit kanë për kufijtë e trupit të tyre. Jul Qezari kishte frikë të teatralizonte sëmundjen në forumin romak, sepse shihej se shenjë dobësie. Patjetër që heronjtë vrastarë Bruti ose/dhe Kasi duhet të kenë parë live në një gjendje të tillë dobësie përpara se të ngulnin 23 thikat e mprehta. Lëkura qërohet paqshëm nga kufiri i shqisave dhe e bën veprim orakullar të një mijë risive. Ajo shfaqet papritur me një errësim para syve ose xixa, ke marramendje dhe të përziera me të vjella ose djersitje ose dhimbje në kraharor dhe mos mbajtje e ujit të hollë e të trashë. Rënia në tokë si lëkurë e porsarrjepur pason, pa mundësi shmangieje prej një kërcënimi të mundshëm nga jashtë. Me gjithë ontologjinë galaktike që ka nxjerrë në pah truri njerëzor, ka disa vrima në për-thellimin e marrëdhënies njeri-sëmundje. Në domosdoshmërinë e saj për të treguar të pakryerën e thjeshtë që është i përbërë njeriu, duke qenë së fundmi një imazh i tjetërsuar i perëndisë monolite. I kemi kushtuar një tempull spitalor sëmundjes vetëm për ta patur kinse në kontroll farmakologjik, por ajo bishton, lëviz dhe vallëzon e lirë duke luajtur shah me vdekjen. Ndërsa ne, panafakët e pambrojtur, të befasuar siç jemi prej “sëmundjes së tokës” e kemi lënë djerrë dhe pastaj qajmë se kapeni mat nga forca elektrike e shkaktuar nga shkreptimat pa zë qiellorë. Konotacionet magjike zhduken sapo drita e bisturi së bijve të zotit grek Asklepit ndërhyjnë duke forcuar një sënduk mishi të kyçur me mijëra vite më radhë. Doktrina fanatike ndaj tokës ka lindur qysh kur njeriu i parë i shkoi në mendje të vendosi një rrethim, të ngrejë një mur, një kufi, një karantinë, një bojkot, një vizë ndaj asaj që quhej natyrë për të lëvizur.. Anti-korpi i natyrës ishte natyrisht pjellja e një sëmundjes së tokës. Provojeni njëherë sëmundjen e tokës pastaj flasim prapa-kthehu.