×
Hyrja
Profili

Gjendet “nyja-lidhëse” mes njeriut dhe majmunit

Gjendet “nyja-lidhëse” mes njeriut dhe majmunit

· 1 · 1303

  • Postime: 27104
  • Gjinia: Mashkull
Berni
ne: 06-04-2010, 18:54:00
Një “nyje lidhëse” mes njerëzve dhe paraardhësve të tyre me formë majmunësh është zbuluar

Speciet e reja të hominideve, degës evolucionare të primatëve që përfshijnë edhe njerëzit, është zbuluar këtë javë nga një skelet të një fëmije që ka jetuar dy milionë vjet më parë. Shkencëtarët besojnë se fosilja thuajse e plotë e skeletit i përket një lloji të panjohur më parë të paraardhësve të afërt të njerëzve, që mund të jenë pjesa e ndërmjetme e evoluimit ndërmjet njerëzve-majmun në llojet e parë të njerëzve të zhvilluar, Homo Habilis. Specialistët që kanë parë skeletin thonë se ajo ka karakteristika të përbashkëta me Homo Habilisin, që u krijua 2.5 milionë vjet më parë dhe që shihet si një periudhë e rëndësishme e evoluimit të species sonë.  Zbulimi i ri mund të ndihmojë në rishkrimin e historisë së evolucionit njerëzor, duke mbushur këto hapësira kritike boshe në njohurinë shkencore. Fosilet e shumicës së hominidëve të gjetura kanë qenë vetëm fragmente të shpërndara të ndonjë kocke, kështu që zbulimi i një skeleti thuajse të plotë do të lejojë shkencëtarët që t’u përgjigjen pyetjeve kyçe për sa i përket pamjes së paraardhësve tanë dhe periudhës se kur ata nisën të ecin me dy këmbë.

Paleontologët dhe specialistët e evolucionit njerëzor që janë përgjegjës për zbulimin kanë qëndruar të heshtur për detajet ekzakte të asaj që ata kanë zbuluar, por komuniteti shkencor është në zhurmë pas fjalëve të para mbi zbulimin e kryer të ditën e martë.  Skeleti u zbulua nga Profesori Li Berger i Universitetit të Uituotersrand, teksa eksploronte sisteme tunelesh në rajonin e quajtur Sterkfontein të Afrikës së Jugut, afër Johanesburgut, në një zonë të njohur si “Zemra e Njerëzimit”. Zbulimi duket se ishte aq i rëndësishëm sa Jakob Zuma, presidenti i Afrikës së Jugut, ka vizituar universitetin për të parë fosilet dhe një kampanjë madhore mediatike me dokumentarë televizivë është planifikuar.  Profesori Filip Tobias, një anatomist i njohur i njerëzve dhe antropolog i këtij universiteti, që ishte ndër tre ekspertët e parë që identifikuan Homo Habilisin, si një specie të re njerëzore në vitin 1964, e përshkroi zbulimin e fundit si “fantastik” dhe “ekzaltues”.

Edhe pse i papërfshirë drejtpërdrejt në gërmime dhe në kërkimet e mëvonshme mbi fosilet, ai është një ndër shkencëtarët e paktë të përzgjedhur jashtë grupit kërkimor, që është lejuar të shohë skeletet. Ai tha se “të gjesh një skelet dhe jo thjesht një grumbull dhëmbësh apo një kockë krahu është e rrallë. Është tjetër gjë të zbulosh një nofull të poshtme me disa dhëmbë, e është krejtësisht tjetër gjë të zbulosh se si kjo nofull bashkohej me kafkën e nga të gjitha këto bashkohen më poshtë me shtyllën kurrizore, kockat etj. Zbulimet e bëra nga Dr. Berger dhe skuadra e tij janë fantastike”.  Fosilja e re e skeletit u zbulua krahas një numri tjetër të fosileve gjysmë të plotësuara, të ngjeshura brenda një guri në brendësi të shpellës së njohur si Shpella Malapa. Mbrojtja nga elementet e tjera kimike që ekziston brenda kësaj shpelle mendohet se ka luajtur një rol të rëndësishëm në ruajtjen e fosileve kaq mirë të mirëmbajtura.

Të dhënat e fosileve të njerëzve të parë deri tani janë shumë të pakta dhe shkencëtarët tashmë shpresojnë se me fosilet e reja do të mund të gjejnë të dhëna të reja për mënyrën se si ka evoluar specia jonë. Shkencëtarët mendojnë se një grup hominidësh të ngjashëm me majmunët të njohur si Australopitekus, që u zhvilluan për herë të parë në Afrikë 3.9 milionë vjet më parë, evoluuan gradualisht në speciet e para homo. Me kalimin e kohës, australopitekët humbën shumicën e karakteristikave të tyre të ngjashme me majmunët teksa nisën të qëndronin në dy këmbë dhe kapaciteti i trurit të tyre u rrit. Përafërsisht 2.5 milionë vjet më parë Homo Habilis, lloji i parë i specieve që përshkruhet si një formë njerëzore, nisi të shfaqej, edhe pse shumë pak specie të këtij lloji janë gjetur deri më sot. Mendohet se fosilet e reja që do të bëhen publike këtë javë do të identifikohen si një specie e re që hyn diku ndërmjet Australopitekëve dhe Homo Habilisit.

Është konfirmuar se një nyje e munguar ndërmjet këtyre dy grupeve, do të ishte e një rëndësie shkencore të paimagjinueshme, duke mundësuar mbushjen e një zbrazëtire në historinë evolucionare të njeriut modern. Dr. Simon Andërdaun, një specialist i evolucionit njerëzor në Universitetin Oksford Bruks, tha se zbulimet e reja mund të ndihmojnë shkencëtarët që të arrijnë në njohuri të reja të pemës sonë evolucionare. Ai tha se “një zbulim si ky mund të rrisë realisht njohuritë tona mbi paraardhësit tanë në kohën kur ata për herë të parë filluan të dalloheshin si njerëz”. Zbulimi është më i rëndësishmi nga Sterkfontein, që nga një fosil thuajse i plotë i një Australopiteku 3.3-milionëvjeçar, me nofkën Këmba e Vogël, që u zbulua më 1994. Një tjetër zbulim i rëndësishëm i një kafke të mirëmbajtur të një Australopiteku Afrikanus, të quajtur Zonja Ples, që daton 2.15 milionë vjet më parë, ka ndodhur aty në vitin 1947.

Richard Gray, “Telegraf”