×
Hyrja
Profili

Gjithnjë e më pak femra në fushën e teknologjisë

Gjithnjë e më pak femra në fushën e teknologjisë

· 1 · 821

  • Postime: 26634
  • Gjinia: Mashkull
M A X
ne: 22-04-2010, 02:05:46
 Një vit më parë Universiteti i Derby-t në Britaninë e Madhe prezantoi një kurs të ri studimesh në "Computer Games". Vetëm për pak ditë u regjistruan plot 106 studentë. Por, problemi ishte ky: ishin të gjithë meshkuj

Gjithnjë e më pak femra në fushën e teknologjisë


Një nga debatet më të nxehta dhe problematike në fushën e shkencës dhe teknologjisë është pikërisht mungesa e femrave. Duket se femrat janë gjithnjë e më pak të interesuara, ndoshta edhe gjithnjë e më pak të prirura, për të patur sukses në këto fusha që tashmë janë bërë themelore në rritjen e cilësisë së jetës për të gjithë njerëzit. Teknologjia është tasgmë, fusha më fitimprurëse dhe më e kërkuar nga gjenitë e sotëm për të krijuar karrierë solide dhe gjithashtu për të punuar në një sektor të prirur për të shpikur gjëra të mëdha dhe të vlefshme.

Për pjesën më të madhe të njerëzve, industria kompjuterike dhe kompjuterat në përgjithësi duket si një fushë ku "djemtë e rritur" kënaqen duke luajtur me lojëra të teknologjisë së lartë. Por, përveç shifrave shqetësuese të pjesëmarrjes së seksit femëror në këtë fushë mjaft të rëndësishme të jetës, problemi qëndron edhe tek arsyeja përse gjërat kanë rrjedhur në këtë mënyrë pa u vënë re. Cila është arsyeja që femrat kanë hequr dorë ose ndoshta nuk kanë tentuar të ndriçojnë në industrinë kompjuterike?

Një vit më parë Universiteti i Derby-t në Britaninë e Madhe prezantoi një kurs të ri studimesh në "Computer Games", që pati një sukses përtej parashikimeve. Vetëm për pak ditë u regjistruan plot 106 studentë. Por, problemi ishte ky: ishin të gjithë meshkuj. Në universitetet amerikane, rasti i Derby-t përmendet si një shembull ekstrem për të shpjeguar pikën e dobët të botës hightech: mungesën e grave. Në të vërtetë, e gjithë kjo nis nga themelimi dhe drejtimi i kompanive më të mëdha dhe më të suksesshme në vitet e fundit në SHBA. Le ta nisim nga "You Tube", themeluar në vitin 2005 nga Chad Hurley, Steve Chen dhe Jawed Karim, tre meshkuj jo më shumë se 20 vjeç. Pastaj kalojmë te "Facebook", krijuar ne vitin 2004 në Harvard falë këmbënguljes dhe punës së një studenti, Mark Zuckerberg. Po "My space"? U krijua në vitin 2003 nga Tom Anderson, një kërkues shkencor në Universitetin e Kalifornisë. Duke e kthyer kohën pas, le të ndalemi te "Google", prezantuar në vitin 1996 nga dy djemtë nga Standford, Larry Page dhe Sergey Brin, sot dy supermiliarderë. Edhe "eBay", sajti i ankandeve online që ka ndryshuar botën e tregtisë, u shpik në vitin 1995 nga hakeri Pierre Omidyar. Mund të shkojmë më tej me "Apple" te Steven Jobs (1976), apo me "Microsoft"-in e Bill Gates (1975), duke arritur në fund te "Hewlett Packard", një ndërmarrje e rëndësishme e "Silicon Valley", krijuar në vitin 1934 nga Bill Hewlett dhe Dave Packard. Kështu, në rolin e drejtuesve, themeluesve dhe këshilltarëve më të rëndësishëm, takon gjithmonë vetëm meshkuj. Me sa duket, hi-tech është një aktivitet që u kushtohet vetëm meshkujve dhe ku femrat ose mungojnë ose mund të numërohen me gishta. Argumenti është aq shumë i ndjeshëm në Amerikë, sa Larry Summers, ish-ministër i Thesarit në kohën e Bill Clinton-it dhe një nga ekonomistët më të mirë amerikanë, një vit më parë hoqi dorë nga karrigia e Presidentit të Harvardit, për shkak të diskutimit që hapi mbi këtë çështje. Summers ishte në qendër të një polemike të dhunshme, që kur në janar të vitit 2005 kishte sugjeruar se numri i ulët i femrave në komunitetin shkencor mund të shpjegohej me aftësitë e pakta të tyre për shkencën. Në të vërtetë, faljet dhe justifikimet nuk i mjaftuan që ta shpëtonin. Pasi humbi mbështetjen nga pjesa më e madhe e pedagogëve, u detyrua të jepte dorëheqjen në shkurt të vitit 2006. Por pyetja e shtruar nga Summers vazhdon të tingëllojë akoma në ndërmarrjet dhe universitetet amerikane. Përse gratë po arrijnë gjithmonë e më rrallë nivele të larta drejtuese në postet shkencore, madje edhe prania e tyre në këtë sektor po ulet në mënyrë drastike? Kështu, sipas një raporti të sapo publikuar nga "Federal Bureau of Labour Statistics", prej më shumë se dhjetë vjetësh gratë janë duke e braktisur teknologjinë e informacionit. Në vitin 1996 ato përfaqësonin 41 përqind të teknikëve të këtij sektori, ndërsa sot vetëm 32 përqind. Statistikat e bëra publike nga "Center for Woman's Business research" në Washington thonë se në vitin 2004 vetëm katër përqind e shoqërive të teknologjisë së lartë drejtoheshin nga femrat, një shifër në rënie duke e krahasuar me pesë përqindëshin nga viti '96 deri në 2000. Kërkime të tjera konfirmojnë se gratë që laureohen dhe marrin nota më të mira se meshkujt, zgjedhin gjithmonë e më pak fakultetet që priren drejt shkencave. Madje edhe ato që pranohen në kompani të tilla, largohen shumë shpejt nga puna. Në të vërtetë nuk është vetëm problemi etik i diferencës mes llojeve ai që të shqetëson më shumë. Problemi qëndron tek aftësia konkurruese e sistemit amerikan. Studimet në lëndët shkencore tërheqin gjithmonë e më shumë të rinj amerikanë dhe brenda kësaj, numri i femrave është konsideruar shumë, shumë i ulët. Madje, sipas parashikimeve për vitin 2010, numri i femrave në lëndët shkencore do të jetë sa gjysma e vitit të kaluar. Bob Cohen, zëvendëspresident i IIAA (International Associaton for Technology in America), duke reflektuar rreth krizës së përfaqësimit të femrave, thotë: "është njëlloj sikur në nivel ndërkombëtar po veprojmë vetëm me një dorë, pasi tjetrën e kemi të lidhur pas shpine". Kompani si "Google", "Hp" dhe "Microsoft" tregojnë për rëndësinë e këtij problemi, edhe pse nuk pranojnë të tregojnë përqindjen e femrave programuese në brendësi të tyre. Nga ana tjetër, nuk bëhet fjalë vetëm për një tendencë amerikane. Në Britaninë e Madhe, sipas një kërkimi, numri i grave që punojnë në sektorët e teknologjisë së lartë ka rënë nga 21 përqind në vitin 2000 në 16 përqind në vitin 2007. Arsyeja? Mungesë fleksibiliteti në punë, prania vetëm e meshkujve në ndërmarrje, orë të tejzgjatura dhe një ambient ku punohet 80 orë në javë, nuk ka pushime dhe ku flitet vetëm për biznes, sukses dhe pasuri. Në fakt, ekzistojnë pak fjalë kyçe për të përshkruar djemtë që ua kushtojnë jetës së tyre softwareve, veshin xhinse dhe bluza të pista, nuk kanë raporte sociale, nuk lahen. Atëherë përse një vajzë duhet të zhytet në një ambient të tillë? Po ashtu, në emisionin amerikan "Beaty and geek", Shirin Deghan, fituesja e "Black Barry Women&Tecnology Award", shpjegon se duhet fleksibilitet për të tërhequr dhe mbajtur gratë në ndërmarrjet high tech: "Suksesi im u dedikohet pesë vëllezërve të mi, të gjithë më të mëdhenj se unë, që më kanë rritur si një mashkull".

Përballë këtij problemi, në botën e "Silicon Valley" ka bërë që të jenë sërish në qendër të debatit "diskutimet e rrezikshme", të sugjeruara një vit më parë nga Larry Summers. Në fund të marsit, një shoqëri e rëndësishme për administrim ndërmarrjesh ka publikuar një kërkim të pavarur që ka një titull provokues (të ndalojnë stereotipat seksuale) me të dhëna shumë të rëndësishme për t'u analizuar. Tre autorët: Kathy Harris, Diane Merello dhe Mark Raskino, mbështesin se "ka ardhur momenti të bëhen eksplicit mitet dhe realiteti i diferencave biologjike dhe sjelljeve mes burrave dhe grave dhe të hapet diskutimi se si trajtimi i meshkujve dhe femrave influencon në botën e ndërmarrjeve". Tre autorët sugjerojnë se "gratë dhe burrat kanë mënyra të ndryshme për të përballuar impenjimet, njerëzi dhe vendet e punës". Sipas tyre, tentativa për të futur një numër më të madh grash në "lojë" është e dështuar, ndaj duhet ndryshuar loja, duke riprojektuar organizimet e industrisë së teknologjisë për t'i dhënë atyre shtysë së mëtejshme. Duke ngelur te kërkimi i Gaartner, gratë janë më të dhëna për të dëgjuar të tjerët, për shkak të kapacitetit të trurit të tyre dhe kanë aftësi më të mira gjuhësore, ndaj kjo i pengon ato që të jenë lidere të një grupi apo shoqërie, ndërsa burrat mendojnë më thellë dhe rrezikojnë, e pikërisht kjo i bën ata më të përshtatshëm në punët shkencore. Në fund, autorët e mbyllin: "Gratë janë gati të bëjnë gjithçka për të fituar punën, familjen dhe interesat personale, e nëse për të arritur këtë rezultat u duhet të largohen nga ndërmarrjet, atëherë e bëjnë". Sugjerime? Duhet braktisur modeli mashkullor dhe u duhet dhënë më shumë besim dhe hapësirë femrave?

Përgatiti

KLARITA BAJRAKTARI