×
Hyrja
Profili

Kërkimi shkencor si shkencë e kërkimit

Kërkimi shkencor si shkencë e kërkimit

· 1 · 2347

  • Postime: 26634
  • Gjinia: Mashkull
M A X
ne: 27-08-2011, 01:30:36
Kërkimi shkencor si shkencë e kërkimit
Artan Fuga dhe unë shqetësohemi njëlloj, por mendojmë ndryshe

Fatos Tarifa
 

Në një nga numrat e fundit të gazetës MAPO, miku dhe kolegu im i nderuar, Artan Fuga, botoi një analizë mbi kërkimin shkencor si “rutinë”. Është ndër të rrallat analiza që i kushtohet (vitet e fundit) një problemi të rëndësishëm siç është ai i kërkimit shkencor në universitetet dhe në institucionet e tjera akademike të vendit tonë. Gjithnjë sensitiv, i vëmendshëm dhe konstruktiv në trajtimin e problemeve të arsimit të lartë dhe të shkencës në kushtet e vendit tonë, Fuga shtron për diskutim disa çështje me rëndësi, duke ofruar me modesti pikëpamjet e tij për to. Jam dakord me një pjesë të madhe të mendimeve që shpreh dhe të sugjerimeve që bën kolegu im, siç edhe jam i bindur se, nëse hapësira do ta lejonte, në një analizë më të gjerë se ajo që botoi, ai do të ngrinte dhe trajtonte edhe shumë probleme të tjera të rëndësishme që preokupojnë sistemin e arsimit të lartë dhe jetën shkencore në vendin tonë.

Unë dëshiroj të vijoj diskutimin që nisi ai, duke ngritur shqetësime të njëjta si edhe shqetësime të tjera nga ato që shqetësojnë atë. Po, natyrisht, ka edhe çështje për të cilat unë mendoj ndryshe. Të tilla janë:

 

A mund të matet, të promovohet dhe të vlerësohet puna shkencore kryesisht dhe automatikisht me botimet shkencore?

Nëse flasim në përgjithësi, e shtruar në këtë mënyrë kjo pyetje nuk mund të marrë një përgjigje të saktë. Vetë koncepti “botime shkencore” kërkon të definohet. Një monografi, pavarësisht subjektit që ajo trajton, mund të jetë produkt shkencor, por edhe mund të mos jetë i tillë. Një artikull i botuar në një revistë shkencore, ose një kumtesë e mbajtur në një seminar apo në një konferencë shkencore (brenda ose jashtë vendit) mund të jenë produkte shkencore, por mund edhe të mos jenë të tilla. Me shumë të drejtë, Fuga vë në dukje se, shpesh herë, një artikull i dërguar për botim në një revistë të huaj, edhe nëse ai nuk përbën një produkt të mirëfilltë shkencor, mund të botohet për shkak se subjekti i tij apo vendi që zgjidhet si një “case study”, ose në të cilin trajtohet dukuria, janë pak të njohura, si për botuesit (këtu kam parasysh jo redaksitë e revistave shkencore, por recensentët që e vlerësojnë një dorëshkrim në kushtet e anonimatit të plotë), ashtu edhe për komunitetin akademik të një vendi apo më gjerë.

Një kolegu im amerikan, i cili kishte mbrojtur PhD-në e tij në fushën e gjeografisë humane, më thoshte se arsyeja përse ai zgjodhi Mongolinë për të shkruar disertacionin e tij, si edhe arsyeja përse pothuajse çdo artikull që ai dërgonte në revista të ndryshme në fushën e tij botohej, kishin të bënin me faktin se Mongolia mbetet një vend thuajse krejt i panjohur për komunitetin akademik në SHBA dhe, ipso facto, ekspertiza për të vlerësuar rigorozitetin shkencor të një disertacioni apo të një artikulli mbi këtë vend mungon thuajse krejtësisht. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për një pjesë të madhe të tezave të Masterit, madje edhe për ndonjë disertacion doktorature që mbrohen nga studiues shqiptarë në universitete perëndimore, të cilat trajtojnë subjekte shqiptare, si sistemi i partive politike në Shqipëri, procesi i integrimit të Shqipërisë në BE, transformimi i bujqësisë në Shqipërinë postkomuniste etj. Edhe pse disa prej tyre mund të kenë vërtet vlerë shkencore, unë mendoj se shumë nga këto punime nuk do të mund t’i bënin ballë rigorozitetit të një procesi vlerësues nga ekspertë të problemeve që trajtohen, ose nëse analizat në fjalë nuk do të kishin të bënin me rastin e Shqipërisë. Ndonjë prej tyre, madje, mund edhe të mos e kalonte dot testin e komisioneve në universitetet shqiptare.

Fuga ka të drejtë kur tërheq vëmendjen në një aspekt të tillë, edhe pse unë nuk mendoj se revistat akademike rigoroze bëjnë “politikë botimi” dhe mund të botojnë edhe artikuj që nuk përmbushin kriteret e tyre. Në fund të fundit, vlerësimi i dorëshkrimeve që përcillen për botim në revista të tilla nuk bëhet nga “redaksitë”, në kuptimin siç jemi mësuar t’i konceptojmë ne redaksitë e revistave akademike në Shqipëri në të kaluarën, por, siç përmenda edhe më lart, nga shqyrtimi i tyre (në kushte të plota anonimati) nga bashkëpunëtorë akademikë të revistave apo nga ekspertë të fushave të caktuara.

 

A mund të jetë botimi i një artikulli në një revistë shkencore të huaj një kriter absolut matjeje dhe promovimi për punën shkencore?

Po edhe jo. Në kohën tonë botohen mijëra revista, të cilat quhen ose mund të quhen revista akademike. Disa prej tyre s’dihet se cilit entiteti akademik i përkasin, ose kanë kritere formale, por krejt minimale botimi. Revistat shkencore më prestigjioze botohen nga shoqatat profesionale më të mëdha amerikane, perëndimore dhe ndërkombëtare, si edhe nga universitetet dhe institutet kërkimore më të mira dhe, si rregull, prodhohen ose nga shtëpi botuese të mëdha, si shtëpitë botuese universitare (Harvard University Press, Duke University Press, Cambridge University Press, Oxford University Press, MIT Press, Stanford University Press, Cornell University Press, Yale University, Johns Hopkins University Press, University of Chicago Press, University of California Press), ose nga botues të tjerë të mëdhenj, të specializuar në botimin e revistave akademike (si Sage, Routledge, Elsevier, Brill, Blackwell, Transactions etj.).

Unë nuk mund të them se artikujt e botuar nga studiues shqiptarë në revista të tilla nuk janë punë shkencore, edhe nëse ato trajtojnë “problematikë” shqiptare. Të botuara në revista të tilla, artikujt e cilitdo studiuesi shqiptar kanë kaluar një test shumë të rëndësishëm: rigorozitetin e vlerësimit akademik, gjykuar si nga formulimi i hipotezës kërkimore, nga qartësia e argumentimit të saj, nga metodologjia e përdorur, ashtu edhe nga perspektiva teorike prej së cilës i qasemi problemit. Këto kritere nuk i nënshtrohen gjithnjë vlerësimit skrupuloz akademik nga revista më pak rigoroze, edhe pse ato, gjithashtu, mund të konsiderohen shkencore.

Duke parashtruar sa më sipër, unë nuk them se vetëm artikujt e botuar në revista të huaja të indeksuara kanë vlerë shkencore. Mund të ndodhë që një produkt i mirë shkencor, veçanërisht në shkencat sociale apo në disiplinat humanitare, të shohë dritën e botimit edhe në revista, ose nga shtëpi botuese shqiptare, edhe pse të parat, fatkeqësisht, janë shumë të pakta, jo rigoroze dhe jo të specializuara, ndërsa shtëpitë tona botuese orientohen thjesht nga kërkesat e tregut dhe botojnë këdo që paguan. Fuga ka plotësisht të drejtë që shqetësohet për faktin se shoqëria shqiptare, ekonomia e vendit, agjencitë e biznesit (dhe unë do të shtoja institucionet politikëbërëse) nuk i ndjejnë sa duhet “peshën dhe avantazhet” e kërkimit shkencor, edhe pse çdo vit fitohen apo jepen dhjetra e qindra grada dhe tituj shkencorë. Por ai nuk thotë se shumë nga këto grada dhe tituj shkencorë u jepen disave jo për aftësitë, jo për punën shkencore apo për meritat e tyre, por për dosjet e tyre, në të cilat ata kanë punët e të tjerëve, ose për shkak të njohjeve dhe të lidhjeve që ata kanë.

 

Çfarë do kuptojmë me kërkim shkencor universitar?

Ndonëse e lidhur me dy të parat, kjo çështje është shumë më e komplikar dhe kërkon një trajtim më të gjerë, të cilën hapësira e këtij shkrimi nuk e lejon. Edhe pse Fuga dhe unë vijmë nga e njëjta traditë universitare, ajo e Universitetit të Tiranës, trajektoret tona akademike u ndanë në rrugë shumë të ndryshme, me një oqean në mes. Tradita e re universitare, dhe përgjithësisht kultura e re akademike që kemi marrë (ai në Francën “filozofike” dhe unë në Amerikën “sociologjike”, vende në të cilat kemi jetuar dhe punuar përkatësisht për një kohë të gjatë), na bën padyshim që shumë dukuri të jetës akademike shqiptare t’i shohim sot jo vetëm ndryshe nga 20 vjet më parë, por edhe ndryshe nga njëri-tjetri. Natyrisht Tomas Kuhn është për të dy ne një figurë e shquar e filozofisë së shkencës dhe e teorisë së njohjes, siç janë, padyshim, edhe Karl Popper, Michael Polanyi etj., dhe unë e pranoj pa rezervë konceptin e tij mbi “kërkimin shkencor rutinë”. Por, po në frymën e Kuhn-it, i cili e çmonte debatin në shkencë, edhe pse ky mund të jetë (dhe, në fakt, gjithmonë është një debat jopërfundimtar), më duhet të them se mua do më pëlqente që, para së gjithash, në analizën e kolegut Fuga të lexoja gjykimin e tij mbi dy elemente qenësore të veprimtarisë shkencore, siç janë: (1) perspektiva teorike e qasjes ndaj dukurive (shoqërore) që studiohen dhe (2) metodologjia e përdorur në hulumtimin e tyre.

 

Teoria

Këtu unë bëj fjalë vetëm për studiuesit shqiptarë të shkencave sociale dhe për veprimtarinë kërkimore të tyre. Dhe unë besoj se Fuga, ashtu si edhe unë, e di mjaft mirë se studimet tona shoqërore janë shumë të varfra nga pikëpamja teorike. Thënë fare thjesht, në universitetet shqiptare mësohet fare pak teori sociale (madje mësohen kryesisht konceptet bazë të teorive klasike dhe jo ato bashkëkohore); akoma më pak “përdoret” teori sociale për të analizuar dukuritë shoqërore, ekonomike dhe politike të realitetit shqiptar dhe thuajse aspak teori sociale nuk “prodhohet” nga studiuesit tanë. Edhe ata pak studiues të shkencave sociale që tentojnë të merren me teori, s’bëjnë gjë tjetër veçse “interpretojnë” (shumë herë, madje, përciptas dhe në mënyrë të pasaktë) pikëpamjet e teoricienëve të tjerë. Në këtë pikë më vijnë ndërmend fjalët e profesorit, kolegut dhe mikut tim sociolog Craig Calhoun, i cili, kur ishte kryeredaktor i revistës Sociological Theory (një ndër revistat zyrtare të Shoqatës Sociologjike Amerikane), thoshte se artikujt që dërgoheshin për botim në këtë revistë shpesh herë s’ishin gjë tjetër veçse “përmbledhje të atyre çfarë kanë thënë njerëz të vdekur (pa argumentuar përse të gjallët duhet të preokupohen për ta, apo se si konkretisht vepra e një autori të nderuar të së kaluarës do të zhvillonte më tej projektet analitike bashkëkohore)”, si edhe “kritika ndaj asaj se ç’kanë thënë të tjerët për ato që kanë thënë autorë të vdekur (pa argumentuar përse janë të famshëm ata që kritikohen)”.

Unë nuk jam dakord me pikëpamjen që shpreh Fuga se “redaktimi shkencor i [përkthimit të] një vepre bazike, e cila ka hyrë në universin e dijeve fondamentale të njerëzimit është patjetër një punë e vështirë shkencore”. Madje as përkthimi i veprave të tilla dhe jo më redaktimi i tyre, nuk mund të konsiderohen punë të mirëfillta shkencore. Në vitet 1930 dhe 1940, Talcott Parsons përktheu në anglisht veprat klasike të Max Weber-it Etika protestante dhe shpirti i kapitalizmit dhe Teoria e organizimit social dhe ekonomik. Po kështu, vepra të tjera të Weber-it janë përkthyer në anglisht edhe nga sociologët e shquar amerikanë C. Wright Mills dhe H. H. Gerth në vitet 1950, por unë nuk besoj se Parsons, Mills apo Gerth, sado njohuri dhe punë të kenë kërkuar përkthimi dhe redaktimi i veprës së Weber-it, ta kenë konsideruar këtë një punë të mirëfilltë shkencore. Meritave dhe kontributeve të tyre të pamohueshme në këtë drejtim do t’u shkonte më shumë për shtat të quheshin një “sakrificë e intelektit”, shprehje e përdorur nga vetë Weber-i, edhe pse në një kontekst krejt tjetër. Sepse vërtet, përkthimi dhe redaktimi i veprave të klasikëve të mendimit në cilëndo fushë të shkencës nga mendimtarë të tjerë të shquar është një sakrificë intelektuale për ta, e cila bëhet në emër të një misioni iluminues.

Në kushtet e Shqipërisë, për shkak të prapambetjes së theksuar arsimore dhe kulturore në periudhën midis dy luftrave botërore, si edhe të izolimit e të regjimentimit ideologjik e politik gjatë gjysmëshekullit komunist, shkencat sociale kanë qenë thuajse inekzistente. Për këtë arsye, përkthimi dhe redaktimi shkencor i veprave të klasikëve të vjetër dhe të rinj në këto shkenca është një punë sa e domosdoshme, aq edhe e admirueshme dhe, po ashtu, një “sakrificë intelektuale” për cilindo studiues që e bën këtë. Por jo një punë e mirëfilltë shkencore. Përkthimi dhe redaktimi i veprave klasike dhe i studimeve të tjera të rëndësishme nga autorë të shquar kërkon domosdo njohuri shkencore të sakta dhe të thelluara në atë fushë dhe, pa dyshim, një njohje shumë të mirë të gjuhës nga përkthehet vepra. Por, përsëri, këtu nuk bëhet fjalë për punë shkencore. Këtu bëhet fjalë për punë të kualifikuar. Që të bësh redaktimin shkencor të një vepre klasike në një fushë të dhënë duhet të jesh marrë me punë shkencore në atë fushë, por redaktimi i saj nuk të bën shkencëtar. Filozofi i mirënjohur amerikan Thomas McCarthy ka përkthyer në anglisht pothuaj të gjitha veprat e Jürgen Habermas-it, por, përpos meritës së padiskutueshme (dhe sakrificës së tij intelektuale në një karrierë të gjatë akademike në Northwestern, në Yale dhe gjetkë), si përkthyesi më i mirë i Habermas-it në tërë botën anglofone, ai njihet si studiues në fushën e tij, si një ndër përfaqësuesit më vokalë të gjeneratës së tretë të shkollës së Teorisë kritike dhe si një ndër themeluesit e kësaj shkolle në Shtetet e Bashkuara. E keqja tek ne është se (dhe unë besoj se Fuga pajtohet me këtë vëzhgim), në shumicën e rasteve, përkthimet e veprave klasike apo të autorëve më të njohur në shkencat sociale bëhen nga njerëz, të cilët nuk njohin mirë as shkencën përkatëse, as gjuhën nga përkthejnë, madje, në ndonjë rast, as gjuhën shqipe.

As hartimi i teksteve universitare (të cilat, tek ne, në më të shumtën e rasteve, janë kompilime, përshtatje apo, edhe më keq, plagjiarizim i teksteve të huaja), as hartimi i një programi të ri mësimor dhe as hartimi i një kursi të ri leksionesh në një disiplinë të caktuar nuk janë, në vetvete, punë të mirëfillta shkencore. Ato janë shumë të rëndësishme. Ato kërkojnë vërtet shumë mundim, shumë lexime, shumë njohuri dhe, patjetër, shumë kohë, por këto nuk plotësojnë kriteret bazë të kërkimit shkencor. Unë jam i sigurt se, në këtë pikë, shumë njerëz do të më kundërshtojnë, por kjo është bindja ime. Veçse këtu, natyrisht, nuk e kam fjalën për monografi, të cilat, në kurse të caktuara mund edhe të adaptohen si tekste bazë (fjala vjen, veprat Njeriu politik nga Seymour Martin Lipset, Bazat e teorisë sociale nga James Coleman, Shteti dhe revolucionet sociale nga Theda Skocpol, apo libri i fundit nga Francis Fukuyama Origjina e rendit politik), por për tekste të mirëfillta shkollore si, fjala vjen: Hyrje në psikologji, Hyrje në marrëdhëniet ndërkombëtare, Teoritë e komunikimit, apo E Drejta kushtetuese. Edhe pse botime të tilla mund të karakterizohen nga një mendim dhe shtjellim i qartë i subjekteve që trajtojnë, nga rigoroziteti intelektual i analizave dhe nga rëndësia që i kushtojnë evidencës empirike, ajo që e dallon kërkimin e vërtetë shkencor nga hartimi i teksteve shkollore është mundësia që një studiues i një fushe të caktuar u krijon studiuesve të tjerë në atë fushë që të përsërisin (dhe të verifikojnë) gjetjet e punës së tij. Jo të shkruajnë një tekst të ngjashëm Hyrje në psikologji. Përmes botimit të teksteve të rëndomta (dhe herë-herë krejtësisht mediokre) në disiplina të caktuara nga cilido pedagog që ligjëron në një auditor universitar shqiptar, në Shqipëri po ngrihet në sistem “pseudoshkencorësia”. Të vjen keq kur sheh se, shpesh herë, edhe studiot televizive dhe faqet e gazetave të përditshme mbushen pikërisht me pedagogë “pseudofilo-socio-op(t)inionistë”, të cilët nuk kanë një aparat konceptual koherent, por thjesht i përshtaten logjikës konsumeriste të medias, madje ndonjëherë edhe në dëm të seriozitetit dhe të dinjitetit që imponojnë statusi i një punonjësi akademik. Ky subjekt, sidoqoftë, është më i komplikuar se kaq dhe mbetet një çështje e hapur për diskutim.

Me pak fjalë, as redaktimi i veprave klasike në një fushë të dhënë të shkencës dhe as hartimi i teksteve shkollore nuk mbështeten në ndonjë perspektivë teorike të caktuar dhe as kërkojnë përdorimin e ndonjë metodologjie shkencore. Por a mund të ketë punë shkencore që nuk mbështetet në teori dhe në metodë?

 

Metoda

Unë mendoj se një ndër dobësitë më të mëdha në shkencat sociale që mësohen në universitetet shqiptare ka të bëjë me mungesën thuajse të plotë të njohurive që duhet t’u jepen studentëve mbi metodat e kërkimit shkencor. Mungesa e njohurive mbi këto metoda dhe, për këtë arsye, mospërdorimi i tyre në studimet tona është një shkak themelor i prapambetjes së theksuar disa dhjetravjeçare në këtë fushë. Pa mohuar aspak rëndësinë që ka formimi i shëndoshë teorik i studiuesve dhe i studentëve tanë në shkencat shoqërore, unë mendoj se është metodologjia pikërisht ajo që përbën “zemrën” e shkencave shoqërore, si indikator i maturisë  dhe i “shëndetit” të tyre. Në fund të fundit, është kryesisht metodologjia që përdorin shkencat shoqërore ajo që i dallon ato nga gazetaria, nga kronika shoqërore, nga disiplinat humanitare dhe, pa dyshim, edhe nga shkencat natyrore.

Zgjerimi që ka marë informacioni shkencor në kohën e sotme dhe shpejtësia me të cilën përhapet ai përmes medias dhe hapësirës kibernetike kanë vënë në diskutim shumë nga format e institucionalizuara të arsimimit të të rinjve dhe të përhapjes së kulturës. Në një kuptim real të fjalës, mund të thuhet se qysh në momentin kur një student diplomohet si specialist në një fushë të caktuar, pas përfundimit të studimeve, njohuritë që ai ka fituar në shkollë janë bërë tashmë të vjetëruara. Pas mbarimit të universitetit, madje edhe të një programi Master, jo vetëm në shkencat natyrore dhe në ato që huhen “life sciences” (si biologjia, mjekësia, inxhinieria gjenetike apo bioteknologjia), por edhe në shkencat shoqërore, i riu i sotëm ndeshet me një realitet të ri, përballë të cilit, sado i përgatitur teorikisht që të jetë, ai do të ndjehet në mos krejt “i paaftë”, të paktën në një masë të konsiderueshme i tillë, për të përballuar trysninë e informacionit të ri shkencor dhe kërkesat e veprimtarisë së kualifikuar profesionale e shkencore. Rrethana të tilla, të cilat janë krejt të ndryshme nga ato të dyzetë apo tridhjetë vjetëve më parë, nxjerrin edhe më shumë në pah vlerën që ka njohja dhe përvetësimi i metodologjisë shkencore dhe rolin që luan ajo në fushën e studimeve shoqërore. Në qoftë se njohuritë mbi shoqërinë, të cilat fitohen në shkollën e lartë, dalin sot shpejt “jashtë mode” dhe kanë nevojë, për shkak të zhvillimeve të reja shoqërore, të rivlerësohen e të “rinovohen” të paktën në çdo katër-pesë vjet, njohja dhe përdorimi i metodologjisë shkencore të kërkimit e bën të mundur dhe relativisht të lehtë këtë detyrë. Sa më mirë të njihen e të aplikohen metodat cilësore dhe sasiore të kërkimit shkencor, aq më lehtë dhe më shpejt mund të ndiqet progresi shkencor dhe t’i shërbehet atij.

Në ditët e sotme, roli dhe rëndësia e arsimit universitar vlerësohen jo aq nga njohuritë teorike dhe nga dija enciklopedike që u ofrohen studentëve, por nga investimi që bën shkolla e lartë në veprimtarinë e ardhshme profesionale e shkencore të tyre përmes dhënies së bazave të metodologjisë shkencore të studimit dhe të aplikimit të saj në veprimtari me karakter të mirëfilltë shkencor e profesional. Pikërisht ky është edhe një nga tiparet kryesore që i dallon universitetet e mira dhe shumë të mira amerikane nga shumica e universiteteve europiano-perëndimore, veçanërisht programet e tyre doktorale në disiplinat shoqërore, në radhë të parë, në sociologji dhe në shkencën politike. Kjo është, ndër të tjera, edhe një arsye pse universitetet amerikane, veçanërisht programet e tyre doktorale, tërheqin një numër shumë më të madh studentësh të huaj sesa të gjitha universitetet e botës, të marra së bashku. /mapo.al