×
Hyrja
Profili

Llambes elektrike po i vjen fundi

Llambes elektrike po i vjen fundi

· 3 · 2684

  • Postime: 26634
  • Gjinia: Mashkull
M A X
ne: 26-12-2008, 12:38:59


Thomas Edisoni do të rrotullohej në varr. Në vitin 1880 ky shkencëtar amerikan mori patentën për një zbulim të rëndësishëm: poçin elektrik. Për 130 vjet kjo mrekulli teknike në formë të dardhës ka ndriçuar kur ka qenë e domosdoshme, por shpesh edhe pa qenë nevoja. Tani poçit elektrik po i vjen fundi. Deri në vitin 2016 ky burim tradicional i dritës do të hiqet nga tregu. Kështu ka vendosur Bashkimi Evropian këto ditë. Në vend të poçit në treg do të ketë mjaft llamba energjikursyese, të cilat deri në vitin 2020 në territorin e BE do të kursejnë 39 miliardë kilovatorë rrymë. Arsyeja e ndalimit të “dardhës elektrike” është se ajo më shumë harxhon rrymë duke nxehur se sa duke bërë dritë. Vetëm tre për qind e energjisë shndërrohet në dritë, pjesa tjetër “avullohet” në ngrohtësi. Po ashtu peri, i cili përçon rrymën, bën dritë vetëm rreth një mijë orë, derisa llambat energjikursyese shndrisin deri në dhjetë mijë orë.

A ka dëgjuar ndokush në ministrinë përkatëse të Kosovës për këtë vendim të BE? A nuk do të ishte mirë që një vendim i tillë i BE të mirëpritej edhe nga Kosova dhe menjëherë të fillonte zëvendësimi i poçeve elektrike me llamba energjikursyese? Në një vend që kryesisht jeton në terr tashmë 10 vjet kjo ide nuk është për t’u përqeshur. Nga ana tjetër, herët apo vonë Kosova duhet të implementojë pjesën më të madhe të kornizës ligjore të BE, natyrisht, nëse politikanët nuk heqin dorë nga anëtarësimi në BE. Pra, nëse pas disa vitesh në Prishtinë nuk shfaqen parulla “Më mirë në terr dhe me poç sesa në BE dhe në dritë”!

Nëse eventualisht vendet e BE brenda afatit të caktuar (deri në vitin 2016), i thonë lamtumirë poçit elektrik, atëherë do të përfundojë një epokë. Në fakt, fundi i saj shihet që tani. Vende si Zvicra, Australia dhe Zelanda e Re tashmë e kanë ndaluar përdorimin e poçit elektrik. Tani është momenti të shkëputemi nga një simbol i jetës moderne. Asgjë më pak dhe asgjë më shumë nuk ka qenë poçi i zbuluar nga Thomas Edisoni. Të entuziazmuar nga drita njerëzit për një kohë të gjatë e kanë parë poçin elektrik si premtim për një jetë pa brenga. Madje, siç shkruan gazeta “Süddeutsche Zeitung”, kishte edhe persona të dalldisur nga entuziazmi, të cilët thoshin se energjia është me prejardhje femërore. Disa e përshkruanin energjinë si pasardhëse të Venusit dhe poçin si diçka erotike.

Sidoqoftë, dardha prej xhami dhe disa telave si peri na kujton estetikën dhe historinë e shekullit të 20. Kur u zbulua poçi në fund të shekullit 19, bota perëndimore ishte nisur si lokomotivë drejt zhvillimit ekonomik, përparimit, mirëqenies. Ajo po ecte drejt shekullit të 20, drejt utopisë. Askush nuk parandiente katastrofat, dy luftëra botërore, disa gjenocide dhe shumë përpjekje për gjenocid, të cilat shpeshherë u projektuan dhe u kryen nën dritën e poçit elektrik. Ndoshta bota do të ishte më paqësore, sikur në çastet vendimtare të rrezikut të ishin ndalur të gjitha poçet elektrike.

Por, ka njerëz që, me gjithë zhvillimin e hovshëm teknik dhe ekonomik, këto ditë përloten publikisht dhe i thurin elozhe poçit elektrik. Një politikane gjermane madje ka shkruar një pledoaje për shpëtimin e poçit. Ajo thotë: “Kush jeton, ai e dëmton ambientin”. Ose: “Save the planet, kill yourself” (Vrit veten, shpëto planetin). Zemërimi i politikanes drejtohet edhe kundër tërbimit të burokratëve të Bashkimit Evropian, të cilët dëshirojnë të rregullojnë çdo gjë dhe për çdo veprimtari, për çdo artikull ushqimor synojnë të imponojnë dispozita të reja ligjore. Para disa vitesh BE kishte përcaktuar çfarë proporcionesh duhet të ketë një banane për t’u shitur në tregun evropian. Një dispozitë ekziston edhe për trangujt.

Tash i erdhi radha edhe poçit. Zonja e zemëruar gjermane akuzon Brukselin për kufizimin e lirisë dhe pyet: “Pse konsumatori të mos vendosë vetë se çfarë poçi do të blejë?” Natyrisht që kjo mënyrë argumentimi është populizëm. Vendimi i BE për ndalimin e poçit është i qëlluar. Nëse pas disa vitesh llambat energjikursyese do të harxhojnë gati 40 miliardë kilovatorë rrymë më pak se aktualisht poçet elektrike, atëherë kjo i përgjigjet prodhimit të dhjetë centraleve elektrike 500-vatëshe. Përmes këtij kursimi në atmosferë do të grumbullohen 15 milionë tonelata më pak dyoksid karboni. Ky vëllim nuk është aq i madh përballë papërgjegjësisë së superfuqive të reja ekonomike (Kinës, Indisë, Rusisë etj.), dhe sjelljes skandaloze të SHBA ndaj ambientit. SHBA mbesin mëkatari më i madh i ambientit. Edhe në këtë drejtim priten intervenime përmirësuese nga presidenti i zgjedhur, Barack Hussein Obama. Ndoshta Thomas Edisoni vetë do të varroste poçin, sikur të shihte problemet e sotme klimatike.
Nga Enver Robelli
Marrë nga Gazeta TemA

  • Postime: 18285
  • Gjinia: Femer
ßåßy ღ
#1 ne: 30-12-2008, 23:44:11
.. Edhe ketu kane hedh ne treg llamba me KW te ulet .. mezi i gjen ato si te meparshmet ..  :S ..Se shpejti do ti heqin besoj..

  • Postime: 2
Mentor Kusho
#2 ne: 25-02-2009, 13:25:47
edhe pse duket sikur po ju vjen fundi, une po ju siguroj se drites burimi i se ciles eshte nxehtesia nuk ka per ti ardhur fundi kurre, pasi larmia e ngjyrave te saje eshte e pazevendesueshme. provoni te shikoni nje llambe te ashtuquajtur "ekonomike' dhe do te shikoni bezdine e drites se tyre...