Eksplorimet gjeografike të shek XV-XVII nxitën fantazinë e shkrimtarëve për të krijuar vepra si "Robinson Kruzo, sot udhëtimet në hapësirë e kanë shpënë imagjinatën përtej çdo kufiri të menduar ndonjëherë
Lufta e Apollove për të sunduar hapësirën
Ndërkohë që mjetet e sotme të udhëtimit as që mund të krahasohen me ato të Kristofor Kolombit, edhe eksplorimet në hapësirë kanë zgjuar të tjera përmasa të kureshtjes njerëzore. Eksplorimet gjeografike të shek XV-XVII nxitën fantazinë e shkrimtarëve për të krijuar vepra si "Robinson Kruzo", "Aventurat e Guliverit", "20 mijë lega nën det" a "Rreth tokës në 80 ditë", ndërsa sot udhëtimet në hapësirë e kanë shpënë imagjinatën përtej çdo kufiri të menduar ndonjëherë.
Jashtëtokësorët, UFO-t, udhëtimi në të kaluarën a në të ardhmen, janë ide po aq nxitëse sa ç'ishin dikur ëndrrat për të shkuar në zonat e pashkelura ekzotike të rruzullit tokësor.
Në dhjetor të vitit 1972, astronautët amerikanë lanë në Hënë një pllakë metalike me këtë mbishkrim: "Këtu njeriu përfundoi eksplorimin e parë të Hënës…" . Kështu, eksplorimet në Hënë, që kishin filluar më 1969 me anijen Apollo 11, përfunduan me anijen Apollo 17 në vitin 1972.
Vera e vitit 1969 ishte një kohë e veçantë në histori. Kjo ndodhi kur njerëz nga Toka, astronautë amerikanë, shkuan me Apollo 11 në Hënë, zbritën dhe u kthyen në Tokë pa problem. Bota i nderoi këta astronautë si heronj.
Neil Armstrong dhe Edvin Aldrin ishin të parët që zbritën atje. Por ata nuk ishin të fundit. Agjencia amerikane për fluturime në hapësirë, e njohur me akronimin NASA, ndërmori edhe gjashtë misione të tjera në Hënë me anijen Apollo.
Apollo 12 u nis vetëm 4 muaj pas kthimit të Apollo 11. Një natë më parë kishte rënë shi. Retë ishin shpërndarë, por shira të tjerë parashikoheshin. Zyrtarët e NASA-s arritën në përfundimin se moti ishte i përshtatshëm dhe kështu, Apollo 12 u nis nga Toka për në Hënë.
Vetëm 36 sekonda pas nisjes një rrufe goditi raketën Saturn 5, që shtynte anijen. Anija Apollo humbi rrymën elektrike në sistemin e kontrollit. Aparaturat e ndërprenë funksionimin. Astronautët punuan me gjakftohtësi dhe e kthyen rrymën. Por një tjetër rrufe ra dhe rryma elektrike u ndërpre përsëri.
Rrufeja e dytë nuk e preku raketën Saturn 5. Kështu, ajo vazhdoi ta shtynte anijen në udhën e saj. Astronautët shumë shpejt ndreqën defektin. Gjendja u normalizua dhe Apollo 12 mundi të vazhdonte fluturimin drejt Hënës...
Përgatiti: KLARITA BAJRAKTARI