×
Hyrja
Profili

Misteri i ushtarit të ardhur nga viti 2036

Misteri i ushtarit të ardhur nga viti 2036

· 1 · 963

  • Postime: 26634
  • Gjinia: Mashkull
M A X
ne: 09-09-2009, 15:43:30
  Kush ishte Titori? I lindur në Florida, SHBA në vitin 1998, është një ushtar që në vitin 2036 (në moshë 38-vjeçare, pra) do të dërgohet nga qeveria amerikane mbrapa në kohw, në vitin 1975

Misteri i ushtarit të ardhur nga viti 2036

Xhon Titor, në një mision për llogari të qeverisë amerikanë, kthehet mbrapa në kohë për të rekuperuar një kompjuter të vjetër. Në vitin 2000 u bë i gjallë në një forum interneti dhe ka treguar se si do të jetë e ardhmja jonë. Hero apo afarist? Kushedi…

"Përshëndetje. Unë jam një udhëtues në kohë. Vij nga viti 2036. Po kthehem në shtëpi, pasi rekuperova një kompjuter Ibm 5100 nga viti 1975". Nënshkruar: Timetravel_0 (Udhëtim në kohë_0). Ky mesazh lakonik është shfaqur në 2 nëntor 2000, në forumin e sitit ëëë.timetravelinsti tute.com. Dhe askush nuk e besoi. Por pastaj, udhëtari, duke u prezantuar me emrin e vërtetë, Xhon Titor, ka dhënë të tjera detaje mbi historinë e tij, duke stimuluar kuriozitetin e njerëzve që e kanë vënë në rreth me pyetje provokuese, pastaj me të tjera gjithnjë e më kurioze mbi të ardhmen që na pret. Por përgjigjet e tij dinake në lidhje me fituesit e radhës së kampionateve të futbollit, por të detajuara mbi skenarët politikë planetarë- kanë bindur shumë njerëz mbi arsyeshmërinë e historisë së tij, e cila diskutohet ende dhe sot. Po kush ishte (ose thoshte se ishte) Titori? I lindur në Tampa (Florida, SHBA) në vitin 1998, është një ushtar që në vitin 2036 (në moshën 38-vjeçare, pra) do të dërgohet nga qeveria amerikane mbrapa në kohë, në vitin 1975. Objektivi: Të merrte një model funksionues të një kompjuteri të vjetër të zhdukur prej dekadash (Ibm 5100), i cili kishte një të veçantë unike dhe sekrete: mund të përkthente njëherësh gjuhët informatike të kompjuterave me sistem Unix, Apl dhe Basic. Një kërkesë themelore, meqenëse në vitin 2038 është parashikuar një difekt i kompjuterave të bazuar mbi sistemin operativ Unix (është e vërtetë: nëse nuk ndërhyhet, ata do të llogarisin si datë vitin 1901).

Përse atëherë Titor është shfaqur edhe në vitin 2000? Përse, pasi arriti të gjejë kompjuterin, në vend që të rikthehej në vitin 2036, bëri një ndalesë të shkurtër në epokën tonë?

Një vizitë vetvetes

Mbi të gjitha, për të qenë i pranishëm në "Millenium Bug" (difektin e mijëvjeçarit) në vitin 2000 (shumë njerëz duhet ta mbajnë mend), nga i cili priteshin katastrofa të mëdha. Madje, ka dhe nga ata që hipotezojnë se ishte pikërisht Titori ai që arriti ta ndalonte këtë katastrofë informatike në kalimin e datave nga i pari tek mijëvjeçari i dytë. Për të marrë pjesë në këtë ngjarje epokale, Titor vendosi të shkonte në Florida, ku jetonin prindërit e tij dhe… ai ishte në moshën 2-vjeçare.

Fantashkenca në fakt, thotë se nuk është kurrë një ide e mirë të kesh kontakte direkte me vetveten ose familjarët në të kaluarën, sepse mund të sjellë pasoja të paimagjinueshme në të ardhmen: përse atëherë, Titor ndërrmori këtë rrezik? Titor mundi të shmangë të gjithë problemet që lidheshin me paradokset e udhëtimit në kohë falë bazave të parashikuara nga teoria e universeve paralele.

Besueshmëria e tij shkencore është ende objekt debati, por në themel të kësaj teorie ekzistojnë universe të pafund, në të cilët ndodhin njëkohësisht të gjitha gjërat e mundshme.

Universet paralele

Sipas Titorit, duke udhëtuar mbrapa në kohë, nuk përshkohet e kundërta e rrugës kohore si të ishte një binar treni, por kalon në mënyrë të pashmangshme në një tjetër, (kështu, në një tjetër univers), që është më i ngjashëm me të parin dhe pse madhësia e udhëtimit është më e reduktuar. Makina e kohës humbet pak nga pak me zgjatjen e udhëtimit.

Në themel të një logjike të tillë, Titor duhet të ketë ardhur në një "linjë të universit" (sipas Ajnashtajnit, bashkësia e ngjarjeve (gjërave) që i përkasin çdo qenieje që jeton në kohë dhe hapësirë), të cilit nuk i përket, ku teorikisht mund të bëjë çfarë të dojë, madje edhe të vrasë veten tjetër, pa pasur pasojë në të ardhmen. Ky shpjegim është në favor të udhëtarit të supozuar: E ardhmja jonë mund të evoluojë ndryshe nga e tija, meqenëse gjendemi në një linjë tjetër universi dhe Titori nuk mund të sulmohet kollaj në rast se parashikimet e tij nuk dalin…

2015: Lufta atomike

Por, le t'i rikthehemi historisë së tij. Përpara se të shkonte në vitin 2000, jeta e Titorit nuk kish qenë e lehtë: Lufta e Tretë Botërore, që shpërtheu në 12 mars 2015, vrau 3 miliard njerëz dhe kishte shuar shumë qytete.

Tregimet e Titorit mbi të ardhmen që na pret, janë katastrofike. Shpërthimet atomike do të errësojnë Diellin në një lloj "ferri nuklear"; uji do të ndotet dhe të mbijetuarit do të transferohen në fshatra. Shoqëria e konsumit do të fshihet. Për të mbijetuar, pasardhësit tanë duhet të bashkëpunojnë. Një pjesë e mirë e ushqimit do të prodhohet nga çdo korrje në tokat e pandotura nga radiaktiviteti. Jetëgjatësia e njerëzve do të zbresë në 60 vjeç: asistenca sanitare do të jetë nga Far East, mjekët do të shqetësohen mbi të gjitha të kurojnë plagë dhe fraktura dhe të lindin fëmijë; kush do të sëmuret rëndë do të zhduket.

Trena dhe biçikleta

Megjithatë, në këtë panoramë të shkretuar, progresi teknologjik nuk do të ndalet: edhe pse kompanitë e mëdha informatike do të zhduken, Interneti do të ekzistojë dhe do të bëhet i vetmi mjet komunikimi: nuk do të ketë më kinema dhe televizioni nuk do të transmetohet më nëpërmjet eterit. Transportet lokale, në fund, do të bazohen mbi kuajt dhe biçikletat, por do të ekzistojnë prapë rrugë dhe automobilë dhe një sistem trenash super të shpejtë do të lidhë qytetet e mëdha. Por, çfarë do ta ndezë Luftën e Tretë Botërore? Nga një luftë civile që do të plasë në SHBA mes viteve 2004 dhe 2005… dhe këtu nis pjesa e profecisë së Titorit, që nuk i përmbahet provave dhe fakteve.

Origjina e halleve

Sipas atyre që ka thënë Titor, në SHBA do të shtohej kontrolli shtetëror në drejtim të të drejtave civile të banorëve. Për t'i shpëtuar kësaj zgjedhe policeske, shumë amerikanë do të transferoheshin në fshatra, duke formuar një milici civile spontane që do t'i kundërvihej qeverisë, duke shkaktuar një konflikt me qytetet. Sipas Titorit, viti 2008 do të ishte viti kur qytetërimi kështu siç e njohim ne sot, do të pushonte së ekzistuari.

Në mars të vitit 2015 Federata Ruse, duke përfituar nga rrëmuja e përgjithshme, do të nisë një sulm nuklear në metropolet kryesore amerikane. SHBA do të reagojë, pa mëshiruar Evropën, për të cilën Titor nuk jep detaje, ndërsa limitohet ta përshkruajë situatën si një "katastrofë". Ndërkohë, Kina do të pushtojë Taivanin, Korenë dhe Japoninë: do të ndalet veç nga Australia. Për fat, lufta civile e parashikuar nga Titor nuk u realizua. Dy vjet nga nisja e rrëmujës së hipotezuar, Amerika nuk shfaqet aspak drejt një konflikti të brendshëm, edhe pse shumë e cilësojnë "Aktin Patriotik" (Patriot Act) të vitit 2003, ligji që redukton të drejtat civile të amerikanëve për t'i bërë ballë terrorizmit, si fillimin e tendencës së sinjalizuar nga Titor.

Përtej skeptikëve, ndonjë parashikim Titor e ka goditur. Për shembull parashikoi luftën në Irak dhe mos gjetjen e armëve të shkatërrimit në masë. Ka thënë gjithashtu se, brenda vitit 2002 Cern do të hidhte bazat për udhëtimet në kohë: Në fakt, në fund të vitit 2001, laboratori i famshëm ndërkombëtar i Fizikës ka komunikuar se në të ardhmen mund të krijohen "vrima të zeza" në përmasa mikroskopike: një prej kushteve të nevojshme për të bërë të funksionojë një makinë të hipotetizuar kohë.

Por ka edhe më shumë: Titor jep alarmin edhe për lopën e çmendur që në të ardhmen do të marrë mijëra jetë njerëzish; ai lë të kuptohet se Presidenti i ardhshëm i SHBA do të jetë një grua, ndërsa zbulon se në epokën e tij ne do të konsiderohemi "një tufë delesh injorante, dembele dhe egocentrike".

Kthimi në të ardhmen

Xhon Titor u kthye në vitin 2036, në 24 marsin e vitit 2001 pa lënë asnjë gjurmë. Askush deri më sot nuk ka rrëmuar mbi "Xhon Titorin" banues në Florida dhe që sot duhet të jetë 11 vjeç dhe debati mbi arsyeshmërinë e kësaj historie është në vazhdim.

C'të themi? Fotot e makinës së tij të kohës nuk janë shumë të qarta për t'u studiuar. Ilustrimet teknike të makinës dhe bazat shkencore janë dhënë në mënyrë të vagullt. Mbetet vetëm t'i referohemi teorive të konsoliduara mbi vrimat e zeza që mund të profetizojnë gjithçka ose të kundërtën e gjithçkaje mbi të ardhmet e mundshme.

Përgatiti:

KLARITA BAJRAKTARI

RD