×

Nanogrimcat

Nanogrimcat

· 1 · 383

  • Postime: 22764
  • Gjinia: Mashkull
M A X
ne: 30-01-2012, 12:35:39
 Nga vijnë grimcat e vogla? Në Universitetin Duisburg - Essen studiuesit kanë zhvilluar disa metoda për të prodhuar grimcëzat nga gazet.
Nanogrimcat gjenden sot në llak, sipërfaqe, katalizatorë dhe goma të makinave, në qeliza fotovoltaike dhe pjesë të ndërtimit në mikroelektronikë. Ato janë tashmë të pazëvendësueshme edhe në mjekësinë moderne. Pra industrisë i nevojiten sasi të mëdha nanogrimcash.

Por ato nuk mund të prodhohen duke marrë një çekiç të madh e duke goditur me të një copë materiali derisa ai të shpërbëhet në nanogrimca.
Ekzistojnë disa mullinj të vegjël me sfera të cilët veprojnë sipas këtij parimi, por kjo metodë prodhimi është e shtrenjtë dhe sasia e përftuar nuk është e madhe.

Për të prodhuar nanogrimca si produkt në masë, duhen gjetur rrugë të tjera, thotë Christof Schulz, profesor për djegien dhe dinamikën e gazeve në Universitetin Duisburg-Essen: "Kur kërkohen sasi të mëdha, ka metoda të cilat nuk fillojnë me copëtimin e një pjese të madhe materiali, po që prodhojnë direkt grimca të vogla."

Gazi si material pikënisjeje
Studiuesit fillojnë punën me gaze. Ata kanë zhvilluar tri rrugë të ndryshme. Të tri metodat kanë një gjë të përbashkët: lëndët fillestare në gjendje gazi ftohen në mënyrë të menjëhershme dhe kondensojnë:
"Kjo mund të përfytyrohet kështu: një avull i tejngopur uji që përmban aq shumë ujë sa bëhet papritur i paqëndrueshëm dhe krijon mjegull. Në të njëjtën mënyrë një gaz metali mund të kondensojë në pikëza fare të vogla apo grimca, të cilat pasi ftohen mbeten në gjendjen e grimcave të vogla të forta."

Metodë tjetër për prodhimin e nanogrimcave funksionon me ndihmën e një të ashtuquajturi reaktori plazme me mikrovalë. Hartmut Wiggers shpjegon: "Në thelb kjo është një mikrovalë fare normale si ato që përdoren në shtëpi. Ka të njëjtën fuqi dhe punon me të njëjtën frekuencë. Dallimi është se furra e mikrovalës është tek ne shumë më e vogël. Pikërisht në mes të kësaj dhome në arrijmë fuqinë maksimale të fushës. Aty fusim një tub kuarci të shkrirë dhe përmes tij mund të ndezim plazmën."

Së shpejti nanogrimcat do të jenë disponibël jo vetëm si pluhur, po edhe në formë të lëngshme për përdorime industriale, shpjegon Tim Hülser. Fizikanti e përdor aparaturën e madhe të Institutit për Energji dhe Teknikë Mjedisore: "Tani jemi duke instaluar një sistem i cili na lejon që grimcat e prodhuara të dalin nëpërmjet një lëngu. Ne sprucojmë një lëng ndihmës direkt në sistem dhe përftojmë përmes tij grimcat direkt nga gazi."

Për industrinë është shpesh më e lehtë t'i përpunojë në formë të lëngshme nanogrimcat. Kjo është më e sigurt se nanogrimcat në formë pluhuri të cilat mund të jenë të dëmshme për shëndetin.

(er.nu/DeutscheWelle/BalkanWeb)