×
Hyrja
Profili

Nga anijet hapësinore te Da Vinçi

Nga anijet hapësinore te Da Vinçi

· 1 · 958

  • Postime: 27104
  • Gjinia: Mashkull
Berni
ne: 29-02-2008, 11:07:37
Rrezet T bëjnë të mundur të shohin brenda pikturave e njerëzve

Skanerët teraherc kanë gjetur prej kohësh vend në pajisjet e teknologjisë së lartë të përdorur nga NASA, Agjencia Hapësinore Evropiane, si nga aeroportet për të parë nën petkat e njerëzve për armë apo materiale eksplozive. Tani shkencëtarët po i kthejnë rrezet T drejt mureve të kishave, me shpresë revolucionarizimin e historisë së artit

Nuk ka dyshim se shkencëtari i përhershëm i filmave të Xheims Bondit në seritë e ardhshme do t‘i tregojë superagjentit një pajisje të re me përmasa mjaft të vogla. Agjenti 007 do ta vërejë për një çast me pak mosbesim dhe do ngrejë vetullat në kërkim të shpjegimeve. "Është një skaner teraherc", do t‘i përgjigjet shkencëtari. "Është në gjendje të zbulojë gjithçka, edhe antraksin brenda një zarfi. Po ashtu, është në gjendje të bëjë të dukshme çdo lloj arme të fshehur nën veshje". Pas këtyre fjalëve, Bondi do ta marrë skanerin në dorë dhe do ta drejtojë nga asistentja e bukur e laboratorit, e cila në monitorin e pajisjes do të shfaqet krejt e zhveshur. "Hej ti!" - do ta qortojë shkencëtari, duke e detyruar ta ulë skanerin.

Ç‘është e vërteta rrezet teraherc nuk mund të manovrohen me kaq lehtësi, megjithëse po bëhen gjithnjë e më të zakonshme mes autoriteteve të doganave dhe agjentëve të sigurisë. Megjithëse në spektrin elektromagnetik shtrihen diku mes rrezatimit infrared dhe mikrovalëve, është herët që këto rreze të përdoren për qëllime komerciale. Pajisjet dedektuese ekzistuese zor se arrijnë t‘i njohin, ndërkohë që zhvillimi i emituesve terahercë mbetet ende shumë i kushtueshëm për aplikime në shkallë të gjerë.

Nga aeroportet, te NASA e te historia e artit

Në vitin 2005, pajisja e parë e këtij lloji u përdor për qëllime testimi në disa aeroporte të përzgjedhura për të kontrolluar pasagjerët e dyshimtë. Në të kundërt të rrezeve X, rrezet teraherc janë të padëmshme nga pikëpamja shëndetësore. Janë "të pajonizuara", që do të thotë se nuk përmbajnë aq energji sa duhet për të zhvendosur atomet dhe për të dëmtuar qelizat e organizmave të gjallë, siç ndodh në rastin e rrezeve X. Janë përdorur tashmë nga Agjencia Hapësinore Evropiane në një projekt të shkallës së gjerë, falë të cilit bëhet e mundur matja e temperaturës së sipërfaqes së tokës. Edhe NASA i përdor rregullisht rrezet T për kontrollin e depozitave të karburanteve të anijeve hapësinore, pasi muret e depozitave janë veshur me një shtresë të hollë shkume izoluese.

Një skuadër nga Universiteti i Miçiganit po punon prej kohësh për t‘i aplikuar në fusha të reja këto rreze. Studiuesit e kanë përqendruar vëmendjen në një fushë që është paqësore, e pastër, e bukur dhe me vlera të vyera kulturore: pikturat e vjetra murale. Përgjatë rrjedhës së shekujve, një pafundësi kuadresh të mrekullueshme mbi muret e kishave apo të pallateve aristokratike janë zëvendësuar me piktura të reja, që u janë mbivendosur të mëparshmeve. Deri tani ka qenë e pamundur të zbuloheshin imazhe të tilla që flinin nën sipërfaqe.

Por testet fillestare kanë treguar se rrezet T janë në gjendje të zbulojnë skicat e bëra me lapsa plumbi, që shtrihen si nën piktura, ashtu edhe nën sipërfaqet e lyera me bojëra të ndryshme. Me ardhjen e marsit, skuadra e Universitetit të Miçiganit do t‘i shpalosë këto mrekulli të fshehta për sytë e të gjithëve. Në bashkëpunim me një skuadër nga Luvri i Francës, shkencëtarët amerikanë kanë ndër mend të vizitojnë Kishën e Shën Gjon Pagëzorit në Vif të Francës. Në muret e kishës së ndërtuar në shekullin XIII, të fshehura nën pesë shtresa boje, janë zbuluar piktura të bëra pak pas ndërtimit të objektit. Pas përpjekjeve të para për të zbuluar afresket, specialistët kishin hequr dorë. Tani po presin ndihmë nga shkencëtarët e Miçiganit.

"Teraherci është një gamë e çuditshme e spektrit elektromagnetik, pasi është thuajse optik. Është një lloj drite, por edhe nuk është", u tha gazetarëve Bianka Xhonson, një shkencëtare që po mbron doktoraturën mbi teknologjinë teraherc.

Pas një Da Vinçi të humbur

Sistemi i rrezeve T të skuadrës universitare është zhvilluar në "Picometrix", një kompani me bazë në An Arbor të Miçiganit. Dërgon impulse laser ultra të shpejta drejt një antene gjysmëpërçuese, e cila, nga ana e saj, prodhon rrezet X. Pas kësaj, rrezet përshkojnë shtresën sipërfaqësore dhe një pjesë e tyre reflektohen nga shtresat që gjenden nën të. Lloji i materialit që gjendet në sipërfaqe përcaktohet nga shpejtësia me të cilën rrezet reflektohen dhe nga sasia e energjisë që absorbon. Pikturat me ngjyra të ndryshme kanë sinjalet e tyre karakteristike. Energjia e reflektuar matet nga një marrës dhe të dhënat shfrytëzohen për të përcaktuar trajtat e imazhit nën sipërfaqe.

Sigurisht, gjatë eksperimenteve të fillimit fizikanët nuk kishin në dispozicion piktura. Kështu që iu desh të vizatonin me laps një flutur, të cilën e mbuluan me shtresa të njëpasnjëshme bojërash të ndryshme. Pavarësisht se ngjyra e sipërfaqes ishte e kuqe, blu, e bardhë apo e zezë, sistemi i rrezeve T ishte në gjendje që në të gjitha rastet të zbulonte flutura nën shtresat e bojës.

Pajisja nuk ka asnjë lloj problemi, edhe kur bëhet fjalë për shtresa boje katër milimetra të trasha. Falë kësaj aftësie lë pas çdo lloj metode të mëparshme të përdorur për qëllime të ngjashme. Në rast se sistemi i rrezeve T e kalon testin në Vif të Francës, ka shumë mundësi të jetë në gjendje të revolucionarizojë historinë e artit. "Vetëm në Francë numërohen 100 mijë kisha", tha Zherard Moro, një prej njerëzve të përfshirë në projekt.

Flutura e vogël ishte veç fillimi. Ëndrra e Xhekson është të ndihmojë në kërkimet për veprën e humbur të Leonardo Da Vinçit "Beteja e Angiarit". Breza të tërë studiuesish e kanë kërkuar me ngulm këtë vepër të papërfunduar. Mendojnë se ndoshta gjendet nën një pikturë murale të Xhorxho Vasarit në Pallatin e Vjetër të Firences.

G.Shqip