×
Hyrja
Profili

Një llampë fluoreshente për të shpëtuar planetin

Një llampë fluoreshente për të shpëtuar planetin

· 2 · 2155

  • Postime: 27104
  • Gjinia: Mashkull
Berni
ne: 03-03-2008, 11:31:50
Qeveria detyron administratën të zëvendësojë llampat e vjetra me llampa fluoreshente. Specialistët e KESH që e kanë propozuar këtë vendim, shpjegojnë se kjo jo vetëm kursen energjinë, por kursen edhe planetin nga efekti serë… Por qeveria duket e vendosur të zëvendësojë jo vetëm llampat, por edhe elektroshtëpiaket…

Një pensioniste, e cila po kërkonte një llampë të re për ambazhurin e kuzhinës hyri në supermarketin poshtë shtëpisë në çastin kur në televizorin e ndezur në atë supermarket, një gazetare po fliste për llampat fluoreshente. “Eshtë mirë”, fliste gazetarja, “që këto llampa të reja të zëvendësojnë llampat e vjetra inkandeshente, pra që ndriçojnë nga inkandeshenca e filamentit”. “Edhe unë llampë kërkoj, po ne përdorim nga ato llampat e zakonshme, si quhen ato floreshete, apo ikadeshete?”, pyeti e moshuara shitësen e supermarketit...

Si neonët e komunizmit
Llampat e reja fluoreshente që të kujtojnë neonët vertikalë të vendosura në paretet e anekseve të shtëpive shqiptare në kohën e komunizmit, i promovon aktualisht Koorporata Elektroenergjitike Shqiptare dhe disa shoqata ambientaliste. KESH tenton të edukojë konsumatorët si të kursejnë energjinë, e në të njëjtën kohë po lobon pranë qeverisë për të miratuar vendime që ndikojnë deri në politikat fiskale
Në nëntor të vitit 2007, falë një pakete të propozuar pikerisht nga KESH, qeveria shqiptare miratoi një vendim që ka rritur akcizën e llampave të zakonshme, në mënyrë që të orientojë tregun dhe konsumatorët drejt përdorimit të llampave të reja fluoreshente. Ky vendim, nuk është publikuar në Fletoren Zyrtare dhe nuk figuron as në arkivën elektronike të Qendrës së Publikimeve Zyrtare. Mungesa e kësaj transparence e bën të vështirë të gjykosh nëse falë këtij vendimi ka përfituar apo jo ndonjë importues konkret i këtyre llampave dhe nëse ka humbur apo jo, ndonjë tjetër. Nderkohe qe qeveria mendon se fitojne konsumatoret dhe tregu nuk corientohet.
Në paketën e propozuar nga KESH pranë qeverisë parashikohen edhe nisma të tjera ligjore, të cilat brenda pak ditëve, sipas informacionit që MAPO ka siguruar pranë burimeve të qeverisë do të miratohen. Më e rëndësishmja prej tyre është që krahas llampave, qeveria, përmes politikave fiskale, do të orientojë tregun edhe drejt shitjes së produkteve elektroshtëpiake që kanë një liçencë energjie të kategorisë A ose B, që do të thotë se shpenzojnë më pak energji.

Pra llampat, janë vetëm fillimi…
Romeo Hanxhari, këshilltar për Mjedisin dhe Efiçencën e Energjisë në KESH, tha për MAPO se qeveria shqiptare ka miratuar jo vetëm vendimin e mësipërm, por edhe propozimin e bërë nga kjo koorporatë për të detyruar të gjithë administratën shqiptare që t’i zëvendësojnë deri në fund të muajit mars të gjitha llampat inkandeshente me llampat e reja fluoreshente. “Vendimi detyron këdo institucion buxhetor që të zëvendësojë deri në fund të muajit mars të gjitha llampat e vjetra, me llampat të reja”, tha ai.
Këto llampa fluoreshente, për të cilat qytetarët po dëgjojnë gjithnjë e më shpesh së fundi, janë llampa që ofrojnë të njëjtin shërbim si llampat e vjetra, në mos edhe më të mirë, por që shpenzojnë më pak energji. Ato kushtojnë deri në 800 lek, pra dyfish më shumë se llampat e zakonshme, por që sipas specialistëve, nëse janë llampa origjinale të pajisura me çertifikatën A ose B të energjisë kanë më shumë jetëgjatësi. “Ato kanë një jetëgjatësi deri në 10 herë më të madhe se llampat e tjera”, thotë këshilltari i KESH, Hanxhari.
Po kush prej importuesve përfiton nga vendimi i qeverisë për rritjen e akcizës së llampave të vjetra, e kush humbet? Kush prej përfituesve do të përfitojë nga favorizimi i elektroshtëpiakeve të çërtifikuara si “kursimtare” të energjisë e kush do të humbasë?
Në çdo kënd, megjithatë, duket se kjo nismë është pozitive, dhe brenda një politike më të gjerë të ngjashme me atë të vendeve perëndimore për të siguruar një mjedis edhe më të mirë për globin. Sepse, e çuditshme apo jo, kursimi i energjisë ndikon direkt edhe në emetimet e efektit serë në planetin tokë…

Kur qytetërimi  ridimensionohet edhe përmes një llampe…
Ndonëse as pensionistja që kërkoi llampë në supermarket, dhe as shitësja nuk mundën në atë moment të kuptonin shumë nga ajo kronikë televizive, debati llampë inkandeshente apo fluoreshente, është një debat që bëhet në fundin e epokës së karburanteve organike (fossil fuels) që ndosin mjedisin, fund që duket se do të jetë pjesë e ridimensionimit të krejt qytetërimit perëndimor, e me siguri edhe e shtëpive shqiptare…
Pjesë e këtij debati, që lidhet direkt edhe me këtë produkt të pazëvendësueshëm për të gjithë siç është llampa, janë edhe strategjitë që sot shumë vende perëndimore po hartojnë për të ulur koston e energjisë dhe për të përmirësuar cilësinë e saj, duke përdorur burime alternative.
Ndërsa në Shqipëri është e pamundur për momentin që një konsumator të ketë energji elektrike për 24 orë, ka disa specialistë të energjisë dhe të mjedisit, madje brenda vetë Koorporatës Elektroenergjitike Shqiptare, që kanë nisur nje fushatë informuese dhe sensibilizuese për të promovuar alternativa të ndryshme të kursimit të energjisë elektrike. Fushata titullohet: “ENERGJIA ËSHTË ÇËSHTJE E TË GJITHËVE”, dhe eshte po kjo fushate ne kuader te se ciles po promovohen pikërisht këto llampa të reja fluoreshente qe kursejne energji, te cilat, sipas vizionit të vendeve të zhvilluara perëndimore janë edhe produkte shumë miqësore me mjedisin.
Problemi energji-mjedis trajtohet me përparësi nga të gjitha kompanitë e prodhimit të energjisë, pasi tashmë IPÇ (Paneli Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike) ka përllogaritur se 1 Kwh i konsumuar shkakton emetimin në atmosferë të 620 gr CO2, pra nëse kursejmë 1 Kwh ne e shpëtojmë atmosferën nga 620 gr CO2 .
Sipas Romeo Hanxharit, “llampat fluoreshente ndriçojnë po aq mirë, në mos edhe më mirë se llampat e zakonshme, por në të njëjtën kohë harxhojnë shumë më pak energji elektrike se llampat e zakonshme. Ne kapaket e amballazhimit, tregohet se keto llampa kursejne deri ne 80 perqind te energjise. Ndricojne sa nje llampe 100 vateshe por harxhojne vetem 30 vate. Të quajtura “saving energy” (Të kursesh energjinë), këto lloj llampash kontribuojnë kështu direkt në mjedisin global”, ndonëse mund të duket krejt e çuditshme. “Sepse është përllogaritur”, si edhe më lart, “se rreth 70 përqind e emetimit serë në planetin tokë vjen si pasojë e energjisë. Kështuqë, duke harxhuar më pak energji, këto llampa, nëse zëvendësohen me ato të zakonshmet, automatikisht kontribuojnë edhe në uljen e emetimit sere”.
“Në këtë kuadër Bashkimi Europian synon që deri në vitin 2020 të konsumojë 20% më pak energji se ç’konsumon tani për të njëjtat nevoja, pra të kursejë 20% të energjisë që konsumohet sot”, thotë me tej këshilltari i KESH, për MAPO.

A po abuzohet me llampat?
Në tregun shqiptar, mund të gjesh llampa të vjetra inkandeshente dhe llampa fluoreshente në pothuajse çdo supermarket. Të parat, kushtojnë fare lirë, ndërsa të dytat kushtojnë disa fish më shumë, nga 300 lekë, deri në 800 lekë. Por kujdes: mes tyre ka shumë llampa të prodhuara në mënyrë anonime, të cilat duke mos qenë origjinale dhe të pajisura me një çërtifikatë ndërkombëtare për energjinë, mund të jenë edhe difektoze. Origjinalet, sigurisht kushtojnë më shumë, por sipas specialistëve, dhe qeverisë e cila për to ka nxjerrë dhe një V.K.M., duhet të jetojnë 10 herë më shumë se llampat e zakonshme me të cilat shqiptarët ndriçojnë sot veten atëherë kur nuk ka kufizim të energjisë elektrike…

Kristi Pinderi Revista Mapo
Ermal Hakani
#1 ne: 10-06-2008, 10:03:17
NE SHQIPERI DUHET TE NDERMERRET ME DOMOSDOSMERI NJE POLITIKE E IMPONIMIT TE EFICENCES ENERGJITKE.ESHTE DETYRE E POLITIKES QE TE EDUKOJE,MESOJE DHE TE NDIMOJE FAMILJET E VARFERA SHQIPTARE QE TE KONSUMOJNE SA ME PAK ENERGJI. NE VENDIN RRITJA E KERKESES PER ENERGJI I DETYROHET ME TEPER SHPERDORIMIT TE SAJ SESA RRITJES EKONOMIKE.
JO VETEM NJE TEC POR AS DISA TE TILLE NUK MUND TE ZGJIDHIN KRIZEN, POR DO TE SHTOJNE KOSTON SOCIALE,EKONOMIKE, MJEDISORE DHE SHENDETESORE. PRA ENERGJIA ESHTE NJE SFIDE KOMBETARE.
DISA NGA MASAT QE MUND TE MERREN JANE :
1-PAISJET ELEKTROSHTEPIAKE TE MOS LIHEN AS NE STAND-BY
2-PERDORIMI NE MASE I LLAMBAVE "SAVING ENERGY "
3-PERDORIMI I PAISJEVE ELEKTROSHTEPIAKE TE KATEGORISE A
4-TE BEHET TERMOIZOLIMI I BANESAVE TE VJETRA.