Jetojmë
në shekullin e shkencës dhe teknologjisë;
dija jonë mbi botën rritet me hapa marramendase. Edhe
gjatë 2010 arritjet e shkencës ishin të
panumërta. Por cilat ishin midis gjithë
këtyre arritjeve ato më të
rëndësishmet, që kontribuan dhe do i
kontribuojnë shkencës, dhe jo vetëm asaj,
të kuptojë më mirë jetën
dhe botën që na rrethon? Blogshkenca sjell
për Peshkun Pa Ujë, në seksionin
"Përmbledhje 2010", një seleksion të
këtyre zbulimeve.
Shkurt
2010 - Gjeni i mplakjes

Për shekuj me
rradhë alkimistët kanë kërkuar
gurin filozofal që do të lejonte të kthente
metalin në ar dhe do të mundësonte
rininë e përjetshme. Edhe pse sekreti i kthimit
të metalit në ar është arritur,
të paktën teorikisht nga fizika bërthamore,
tani gjenetika mund të jetë më
pranë se kurrë sekretit të rinisë
së përjetshme. Gjithcka mund të
jetë e shkruar në një gjen të
quajtur TERC. Si funksionon?
TERC-i njihet si
përgjegjës për prodhimin e një
enzime të quajtur telomerase, e cila rregullon
gjatësinë e telomereve. Cfarë janë
telomeret? Telomeret janë tip kapakësh të
vendosur në fund të kromozoneve, të ngjashme
me tapat plastike që ndodhen në fund të
lidhëseve të këpucëve.
Gjatë jetës së njeriut, sa herë
që një qelizë riprodhohet
nëpërmjet mitozës, telomeret shkurtohen nga
pak, duke sjellë ndryshime në kromozome që
në pamjen e jashtme përkthehen në mplakje.
Në një studim
britanik shkencëtarët zbuluan se njerëzit
që përmbanin gjenin TERC, kishin telomere më
të shkurtër se personat që nuk e kishin
gjenin por që ishin 3-4 vjet më të
mëdhenj. Në fjalë të tjera,
personat që mbanin gjenin po mplakeshin 3-4 vjet më
shpejt. Ne një studim tjetër, kerkuesit e Harvard
Medical School qenë të aftë të
nxisnin prodhimin e telomerazës tek disa minj në
mënyrë që të rregullonte
gjatesinë e telomereve, duke ndaluar kështu procesin
e mplakjes. Rezultati: organet e minjve rigjeneroheshin shumë
më shpejt se ato të
bashkëmoshatarëve të tyre, truri u rrit
në madhësi, kurse minjve të mplakur ju
rikthye fertiliteti.
Duke manipuluar gjenet
për telomerazën do të mundeshim, të
paktën në teori, të ngadalësonim
zhvillimin e problemeve të lidhura me moshen tek
njerëzit, ashtu sic u bë e mundur me minjtë.
Megjithatë duhet
të jemi shumë të kujdesshëm!
Qelizat që ndahen në mënyrë
të shpejtë, dhe janë gjysëm
të pavdekshme njihen edhe si qeliza kanceroze. Kjo do
të thotë, se nëqoftëse vendosim
të manipulojmë jetën e qelizave në
kërkim të rinisë së
përjetshme, mund të shkaktojmë efekte
anësore fort të pakëndshme.
Mars
2010 - Uji në Henë

Para ca kohësh Nasa
vendosi të bombardonte Hënën për
të analizuar pluhurin që lëshohej nga
shpërthimet dhe të mund të
përcaktonte me saktësi përbërjen e
sipërfaqes së satelitit. Missioni LCROSS (Lunar
Crater Observation and Sensing Satellite), pas analizave të
kujdesshme, zbuloi se pranë polit jugor të
Hënës gjendet edhe ujë në gjendje
të akullt. Gjetja e avujve të ujit në
renë e krijuar nga shpërthimi për sa e
cuditshme mund të duket, nuk përbën
një suprizë. Astronomët gjithnjë e
kanë ditur se sipërfaqja e Hënës
fshihte hapësira permafrosti (nëntokë e
ngrirë për një periudhë më
të gjatë se 2 vjet). Risia qëndron
në sasinë e ujit të ndodhur në
sipërfaqen e ngrirë. Sipas vlerësimeve
të fundit, mendohet se gjendet 50% më shumë
ujë se sa ishte parashikuar më parë. Kjo e
bën Hënën dy herë më
të pasur me ujë se shkretëtira e
Saharasë. Një sasi mëse e mjaftueshme
për ti lejuar kolonive njerëzore që do
të vendosen atje të prodhojnë vetë
ujin e pijshëm, pa pasur nevojë ta
transportojnë atë që nga planeti
Tokë.
Maj
2010 - Materie vs. Antimaterie

Në bazë
të rregullave të fizikës klasike,
gjatë Big Bangut materia dhe antimateria duhet të
ishin prodhuar në sasi të njëjtë
gjatë krijimit të universit. Problemi i
vetëm është se materia dhe antimateria
nëse bien në kontakt me njëra tjetren
anihilohen (zhdukin njëra tjetrën) duke cliruar
energji. Në këtë rast materia nuk do
të ekzistonte sepse do të ishte asgjesuar nga
antimateria dhe në univers do të kishte
vetëm energji. Por ... "Materia ekziston!". Një
thërmijë mund të ketë
bërë gjithë diferencën.
Gjatë
përplasjeve të thërmijave në
Fermilab, shkencëtarët kanë zbuluar se numri
i muoneve (thërmija me ngarkesë negative si
elektroni, por me një masë 207 herë
më të madhe se e tij), është rreth
1% më i madh se numri i anti-muoneve. Edhe pse nuk
është shumë, me sa duket ka mjaftuar
për të krijuar kozmosin material sic e njohim ne.
Teoria e prirjes së
natyrës për materien më shumë se
për antimaterien ka kohë që qarkullon
në qarqet shkencore, por kjo është prova e
parë e kësaj prirjeje. Mbetet për
të kuptuar Pse? Zbulimi i nëntorit në CERN
mund të na ndihmojë ti përgjigjemi edhe
kësaj pyetjeje
Qershor
2010 - Nga 1 në 5
thërmija
të
Zotit

Bozoni i Higgs-it ose
thërmija e Zotit, sic është quajtur
për nga rëndësia kjo
thërmijë e hipotezuar nga shkencëtari Peter
Higgs më 1964, mund të jetë nje grup prej 5
thërmijash.
Cfarë
është bozoni i Higgs-it? Për ata që
nuk janë shumë të informuar mbi
teoritë e fizikës, për momentin jemi
në gjendje të parashikojmë lëvizjen
e planetëve dhe galaktikave dhe të studiojmë
karakteristikat e tyre falë fizikës kozmike. Nga ana
tjetër jemi në gjendje po ashtu të
studiojmë botën e atomeve dhe subatomike,
falë fizikës së thërmijave.
Problemi i vetëm qëndron në faktin se ligjet
e fizikës hapësinore nuk mund të
përdoren dhe janë të papërshtatshme
për të modelizuar botën subatomike, dhe
anasjelltas. Psh. forca e gravitetit për sa e
rëndësishme që është
në botën reale, shpjegon shumë pak elemente
të botës së atomeve. Duke qenë se
materia është një dhe e vetme, si mund
të harmonizohen keto teori në
mënyrë që të aplikohen në
të dy botët? Bozoni i Higsit është
ai që mund të bëjë lidhjen midis
tyre dhe të na lejojë të kemi një
teori universale. Një pyetje e vjetër të
cilës mund ti jepet përgjigje falë
këtij bozoni është: Cfarë formon
masën e thërmijave?
Sipas studimit të
fundit të Fermilab, laborator i specializuar në
studimin dhe eksperimentet në fushën e
thërmijave me energji të lartë, në
realitet mund të ekzistojnë jo 1 por 5
thërmija, kombinimi i të cilave në raste
të caktuara sillet si bozon i Higgsit, tre me
ngarkesë neutrale, i katërti me energji pozitive dhe
i pesti me energji negative.
Korrik 2010 - Jeta para 2
miliard vitesh

Eshte një zbulim
thelbësor ai që është
bërë nga kërkuesit e CNRS francez ( Centre
national de la recherche scientifique-Qendra kombetare e kerkimit
shkencor) në Gabon. Fosilet e zbuluara mbajnë shenja
të jetës të para 2 miliard viteve. Jeta
mendohet se është shfaqur mbi Tokë
në formën mono qelizore para 3,5 miliard vitesh dhe
provat e jetës shumë qelizore të gjendura
deri tani ishin të para 600 milion viteve.

Zbulimi i fundit e shtyn
shumë para në kohë shfaqjen e jetës
shumëqelizore në planetin tonë dhe e
qartëson së tepërmi panoramën e
evolucionit.
Tetor
2010: Toka, një
planet midis shumë
të
tjerëve

Ekzoplanetët, planete
që ndodhen në sisteme të tjerë
planetore të ndryshëm nga i yni, nuk
përbejnë më një risi. Toka
tanimë është vetëm një nga
planetet e shumtë që ndodhen në univers dhe
për momentin i vetmi në të cilin
është vërtetuar prania e jetës.
Gjatë 2010 janë zbuluar më shumë se
100 ekzoplanetë të tjerë që i
shtohen listës prej 400 ekzoplanetësh të
zbuluar më parë. Midis tyre vecohen HIP 13044b,
një planet që rrotullohet rreth një ylli
që më parë nuk ishte pjesë e
Udhës së Qumeshtit, por që
është tërhequr nga forca e saj
gravitacionale. Akoma më interesant mbetet zbulimi i Gliese
581g, planeti i parë jashtë sistemit diellor
që ndodhet në një largësi nga ylli
i vet shumë të përshtatshme për
krijimin e jetës, pra nën kushte ku nuk bën
as shumë nxehtë as shumë ftohtë.
Eshtë interesante
të vihet re se na u deshën disa shekuj, disa
martirë të djegur në turën e druve,
dhe disa mendje gjeniale, për të pranuar
idenë se Toka është një planet
midis shumë të tjerëve, ide filozofike
që grekëve të lashtë u dukej
mëse normale.
Nentor
2010 - CERN izolon antimaterien

Sipas “modelit
standard” të fizikës kuantike,
çdo grimcë elementare e materies (proton, neutron,
elektron) ka të bashkëvlefshmen e saj në
botën e antimateries me ngarkesë dhe spin të
anasjelltë. Për shembull, elektronit i korrespondon
pozitroni (thërmijë që rrotullohet rreth
atomit por me ngarkesë pozitive). E njëjta
gjë ndodh për antiprotonin (të anasjelltin e
protonit) që ka një ngarkesë negative dhe
që është i vendosur në
bërthamën e antiatomit.
Krijimi i antimateries në laborator ose përdorim i
saj në teknologji nuk është më
një risi. Problemi qëndron në studimin e
karakteristikave të saj. Antimateria është
tmerrësisht e paqëndrueshme në
botën e materies. Sapo një thërmijë
antimaterieje prek një thërmijë materieje
anihilohet (zhduket) duke cliruar kështu energji. Duke
qenë se në botën që na rrethon
materia është kudo e pranishme, nuk ka shumë
vend për të pritur antimaterien…
përvec CERN-it. Duke qenë se boshllëku total
nuk ekziston në praktikë (sado të
arrijmë të krijojmë boshllek do të
mbetet një sasi e vogël atomesh),
shkencëtarët e CERN-it përvec krijimit
të një boshllëku maksimal të
lejueshem nga teknologjitë e sotme, kanë gjetur edhe
një zgjidhje tjetër për të ndaluar
takimin e antimateries me materien. Falë fushave të
forta magnetike ata kanë arritur të ulin në
minimum energjinë e thërrmijave të
antimateries në mënyrë që
të lëviznin sa më pak të ishte e
mundur. Duke lëvizur fare pak për normat e
botës atomike, antithërmijat kishin më pak
mundësi të takonin thërmijat e materies
që gjendeshin në boshllëkun e krijuar.
Kështu, 38 antiatomet e hidrogjenit të krijuar
kanë mundur të qëndrojnë
në “jetë” për 2/10 e
sekondës. Një kohë e mjaftueshme
për të arritur të regjistroheshin
të dhëna mbi sjelljen dhe karakteristikat e tyre.
Të dhëna që pas studimit do të mund
të na lejojnë të njohim më
mirë këtë botë të
cuditshme që mendohet se mund të ketë
krijuar edhe universe antimaterieje.
Dhjetor
2010 - Zbulohet një
formë
e re e jetës.

Zbulimi i fundit i
Nasës mund të ndryshojë
përgjithnjë mënyrën se si e
dallojmë jetën në Tokë, dhe nga se
ndryshon një organizëm i gjallë nga
një objekt pa jetë. Për më
tepër zbulimi i hap rrugë një
kërkimi të ri të jetës
jashtëtokësore, dhe mund të jetë
ndoshta hapi i fundit në zbulimin e saj.
Jeta sic e njohim ne sot, që nga amebat më
të vogla tek elefantët, është e
përbërë nga një kombinim i
vetëm i 6 elementëve: karbon, hidrogjen, azot,
oksigjen, squfur dhe fosfor. Nëse një planet nuk
permbante të paktën një nga keto elemente
në sasi të mjaftueshme nuk mund as të
dyshohej se ishte i banuar nga cfarëdo forme jete.
Buzë liqenit vullkanik
Mono, në Kaliforni kanë gjetur një bakterie
të quajtur GFAJ-1. E vecanta e saj është se
në vend që të vdesë nëse i
mungon fosfori, vazhdon të jetojë duke
përdorur arsenik për të ndërtuar
qelizat e saj. Kjo ndryshon cdo përkufizim që i kemi
bërë jetës deri më tani dhe
nënkupton se nuk e njohim ende plotësisht as
jetën dhe as cfarë e bën një planet
të banueshëm.
Nëse në Tokë, dhe për më
tepër, në një ambient aq të
studiuar sa Kaliornia, mundet ende të gjenden forma jete
që revolucionojnë gjithë
botëkuptimin tonë mbi jetën, kushedi se
cfarë surprizash na ruan universi.
Një gjë
është e sigurt, pavaresisht nga sa të
cuditshme mund të jenë surprizat e universit, shkenca
dhe metoda shkencore janë e vetmja menyrë
për ti zbuluar.
/Blogshkenca