×
Hyrja
Profili

Objektet e komunikimit, sa antike, aq edhe moderne

Objektet e komunikimit, sa antike, aq edhe moderne

· 1 · 1571

  • Postime: 27104
  • Gjinia: Mashkull
Berni
ne: 27-03-2008, 10:38:16
Komunikimi, kjo është fjala e duhur që i korrespondon të tashmes sonë. Asnjëherë më parë njeriu nuk ka pasur në dispozicion kaq shumë objekte për të komunikuar me njerëzit. Një revolucion kopernikan që ka ndryshuar jo vetëm jetën tonë, por edhe vetë njerëzimin, aq sa "homo sapiens" është shndërruar në "homo medians" dhe akti i të komunikuarit është bërë substanca e njëkohësisë. Kohët e fundit ky fenomen është bërë një eksperiencë mjaft e zakonshme, tërheqëse dhe pa një trup konkret. Në fakt, kështu na duke ne, sepse komunikimi ka një "trup", edhe pse ne shpesh e harrojmë këtë fakt, pasi tërhiqemi më tepër nga iluzioni i botës virtuale.

Ajo që na bën të reflektojmë mbi harresën tonë është ekspozita "Estéthique médiatique", e cila është hapur në Paris. Një shekull i mbushur plot me objekte për të prodhuar, regjistruar dhe zhvilluar imazhe, muzikë dhe shkrime. Janë plot treqind objekte që kuratori Jean-Bernard Hebey ka zgjedhur mes tetëmijë të tillave, sende të cilat përbëjnë koleksionin e tij privat madhështor si: gramafona, mikrofona, radio, telefona, makina shkrimi, amplifikatorë, gramafona elektrikë, aparate fotografike, projektorë, antena, televizorë, telekamera, kompjuterë dhe të tjera pajisje moderne teknologjike të përdorimit të përditshëm.

Pajisjet e ekspozuara, të gjitha shumë të bukura, na tregojnë gjenealogjinë e një aventure të madhe, historinë e një maturimi antropologjik, para se teknologjia të evoluonte. Format, ngjyrat, materialet, janë bërë gjithmonë me të njëjtën lëndë, a thua se dizajnuesit e parë kishin si detyrë të realizonin prodhimin industrial duke u rikthyer çdo herë në të njëjtën hije. Një përzierje estetike dhe risish, ekonomike dhe fantazie, magjie dhe idesh, bukurie dhe teknologjike. Vizionarët e vërtetë si Oscar Schlemmer, John Vassos, Giò Ponti, Philippe Charbonneau, krijuan pazgjidhshmërisht objektin dhe paraqitjen, materialin dhe objektin imagjinar. Kështu bukuria bëhet premtimi i funksionit. Një funksion i lidhur gjithnjë e më shumë me idenë progresive të një shoqërie të ndryshueshme, të gjallë, të lirë, hedoniste, duke rritur në këtë mënyrë kohën e lirë në dispozicion të njerëzve. Në fakt, shpirti i progresit preket vazhdimisht në dizajnin modern dhe fantashkencor të shoqërisë industriale. Shpesh bëhet fjalë për të ardhme të mbushur plot me të shkuarën, baroke si anija kozmike e Flash Gordon, apo nëndetësja e kapitenit Nemo. Çdo gjë i ngjan diçkaje tjetër, ka në vetvete kujtimin e një forme paraardhëse dhe avancimin e asaj që do të vijë, a thua se teknologjitë e reja nuk kanë zhvilluar një formë të tyren, për shembull si televizorët e parë të viteve ‘40-‘50, që ishin të ngjashëm me radiot me ekran. Apo si disa altoparlantë të viteve ‘30, të cilët u ngjanin jashtëzakonisht atyre maskave ekzotike afrikane, që në atë kohë përmbysnin artin dhe dizajnin perëndimor.

Një valixhe e vogël me gramafon elektrik "Rca" të viteve ‘30 ngjan si një shportë pikniku në stilin "Art déco". Antena, që u ngjajnë dy krahëve të një dirigjenti të moshuar orkestre. Diadema të komunikimit, ushtrime imagjinare të pavëna në funksion, që sugjerohen zakonisht nga fantazia. Pajisje për njerëz të parrahur ende me botën e medias, por që ishin në hapat e parë të kërkimeve të reja. Pajisje "për shëtitje" (që njerëzit mund t‘i marrin me vete) për një shoqëri që kishte në çdo dhomë një televizor. Jo rastësisht teknologjia ka hedhur në treg pajisje komunikimi të cilat mund të merren me vete. Si në fillim të viteve 1900, ashtu edhe sot, lëvizshmëria është esenca e komunikimit. Në fakt, në mediat fillestare lëvizja ishte diçka fizike, që mund të lëvizej me dorë. Televizorët e parë të lëvizshëm, "Sharp" në 1950-ën, "Brion Vega" në vitet ‘70, piramida "Sony", vezaku i "Panasonic", që duket sikur ka dalë nga "Star Trek", janë një monument i lëvizshmërisë. E gjithë kjo që ne na duket antikuariat, në realitet ishte mishërimi i një karakteri modern triumfues, i teknologjisë që na bën të lirë e të pavarur.

Pra, ekspozita paraqet atë shirit të kuq, i cili nga makina e shkrimit arriti te kompjuteri, nga kinokamera te videokamera dixhitale, nga gramafoni te Mp3 dhe iPod.

Janë pikërisht ngjyrat, materialet, format që na sjellin sërish ndërmend atë "familje", të cilën e keni lënë në harresë prej shumë kohësh, duke i hequr kështu shpirtin dhe historinë. E në fakt është "trupi" i medias që na tregon gjenealogjinë e komunikimit, sepse ruan gjurmët fizike të këtij udhëtimi, që të çon sa nga njëra formë në tjetrën dhe nga një risi në tjetrën. Falë rrjetit komunikimi është bërë Zoti i fshehur, fryma jetësore e gjithë globit.

Televizor i rrumbullakët

I parë pas 30 vitesh, ky televizor japonez "Panasonic", i vitit 1975, të kujton paksa pamjen e filmave amerikanë të animuar të William Hanna dhe Joseph Barbera

Pa ekran

Një pajise diapozitive, e prodhuar në Francë në 1940-ën. Dizajnuesi është W.B. Gruber

Autor i panjohur

Televizor i lëvizshëm japonez në fillim të viteve ‘50. Mban firmën "Sharp", ndërsa emri i dizajnuesit nuk njihet

Videokamer

Një videokamer amerikane e vitit 1948. Prodhuar në Çikago për të xhiruar filma nga "Revere", modeli i saj i atribuohet Jack Briskin

Si model flokësh

Një gramafon elektrik i lëvizshëm gjerman, i vitit 1928. Mban markën "Odeon" dhe të jep përshtypjen e një modeli flokësh. Dizajnuar nga Oscar Schlemmer

I rrumbullakët

Ky televizor, që arrinte 1,83 metra lartësi, ishte një tentativë për të zgjidhur problemin e televizorit të lëvizshëm. Televizori mban markën "Teleavia"

Ekspozita

Ekspozita "Esthétique Médiatique" është çelur këto ditë në Paris e do të qëndrojë hapur deri më 20 prill. Janë ekspozuar pothuajse 350 objekte të shekullit XX. Fotot e publikuara në këto dy faqe janë pjesë e një koleksioni madhështor

Ndryshime

Një magnetofon i cili gjendet kryesisht në lokalet publike. Ky objekt është francez dhe daton në 1961-in. Mban markën "Eden Ami"

E përshtatshme

Videokamer gjermane e vitit 1981. Është e markës "Agfa", ndërsa dizajnues është Norbert Schlagheck

Në një trup

"Ericophon 600" (Suedi 1954) që ka bërë epokë. Dizajnuesi i tij bashkonte në një trup të vetëm telefonin dhe dorezën

Në valixhe

Gramafon elektronik "Rca Victor" i vitit 1937, dizajnuar nga John Vassos. Ky do të ishte një model mjaft i imituar për vitet pasardhëse

G.Shqip