×
Hyrja
Profili

Përse lëvizin gjërat?

Përse lëvizin gjërat?

· 1 · 2556

  • Postime: 27104
  • Gjinia: Mashkull
Berni
ne: 02-05-2008, 17:00:53
Pavarësisht faktit se janë shekullorë dhe janë hartuar pa u mbështetur në ndonjë fakt eksperimental, ligjet e Njutonit për lëvizjen dhe gravitetin janë të vlefshme sot e gjithë ditën

Pavarësisht faktit se janë shekullorë dhe janë hartuar pa u mbështetur në ndonjë fakt eksperimental, ligjet e Njutonit për lëvizjen dhe gravitetin janë të vlefshme sot e gjithë ditën. Sipas legjendës, në vitin 1590 Galileo Galilei u ngjit deri në katin e epërm të kullës së Pizës, në Itali dhe prej lartësisë hodhi dy objekte me pesha të ndryshme poshtë. Ky eksperiment rrëzoi bindjet shekullore në lidhje me mësimet e deriatëhershme se cilat janë forcat që i vënë gjërat në lëvizje. Legjenda e kullës së pjerrët të Pizës, ka gjasa që të mos jetë e vërtetë, por pa dyshim që ka një domethënie shumë të qartë metaforike. Në atë kohë, dogma shekullore e bazuar te mësimet e Aristotelit dhe besimin e përgjithshëm, ngulmonte se një trup me peshë më të rëndë është i pari që bie në tokë. Por siç e tregoi edhe Galileu përmes eksperimentesh reale dhe të dokumentuara ndodh ndonjëherë që besimet e përgjithshme e madje edhe filozofët grekë jo gjithmonë janë të saktë dhe kanë të drejtë. Në rastrin e peshave që hidhen në tokë nuk është ajo që është trupi me peshën më të rëndë ai që prek i pari tokën. Pavarësisht zemërimit që shkaktoi te rivalët akademikë të kohës, sfida e Galileos ndaj dijeve të deriatëhershme, deklarata e tij se i ashtuquajturi "Libri i natyrës" është një libër i shkruar në gjuhën e matematikës nuk mund të injoroheshin. Në vitin 1687, një shkencëtar i Universitetit të Kembrixhit botoi një libër që konsiderohet edhe sot si apoteoza e vlerësimeve të Galileos. Libri titullohet: "Philosophia Naturalis Principia Mathematica" (Parimet Matematikore të Filozofisë së Natyrës). Autori i këtij libri është i famshmi Isak Njuton, gjenialiteti i të cilit i artikuloi ligjet e natyrës përmes gjuhës së matematikës. Arritja më e madhe e Njutonit janë deklaratat e tij në lidhje me ligjet e lëvizjes. Ato nuk janë bazuar në përfundime eksperimentale, por në mendjemprehtësinë e Njutonit ndaj numrit të vogël të aksiomave të duhura për të përftuar gjithë fizikën e lëvizjes. Ligjet e tij fiksojnë konceptin e forcës me shumë saktësi. Në vend të shpjegimit të mjegullt të deriatëhershëm në lidhje me shkaqet që shkaktojnë lëvizjen, Njutoni theksoi me bindje se është forca ajo që shkakton ndryshimin në një fraksion të lëndës që ai e quajti moment: masa e një objekti shumëzuar me shpejtësinë e tij. Sa më e madhe të jetë forca, aq më e shpejtë do të jetë shkalla e ndryshueshmërisë së momentit. Kjo shkallë ndryshimi mund të shfaqet si një ndryshim shpejtësie ose me fjalë të tjera kemi të bëjmë me një nxitim, një koncept të cilin Aristoteli e kishte shmangur plotësisht duke qenë se nuk kishte aftësitë dhe njohjet e duhura matematikore për ta njohur. Për sa i përket Njutonit, gjithë sa thamë më sipër u përmblodh në njërin prej ekuacioneve më të famshëm që njeh shkenca: F=ma në të cilën shprehet lidhja mes forcës F që ushtrohet ndaj masës m dhe që prodhon nxitimin a.

Ligji i gravitetit

I kombinuar me ligjin e rinovuar të gravitetit të Njutonit, formula e mësipërme shpjegon përfundimin e eksperimentit të Kullës së Pjerrët të Pizës. Ajo tregon se sa më e madhe të jetë vlera e m, aq më e madhe duhet të jetë forca që do të duhet për të ushtruar e shkaktuar nxitimin. Por le ta themi në mënyrë më të thjeshtë: masat e mëdha janë më "ngurruese" për t‘iu përgjigjur forcave. Nëse kjo forcë do të ishte graviteti, sipas Njutonit, sa më e madhe të jetë masa aq më e madhe është forcat e gravitetit ndaj saj. Pra, çdo objekt në rënie ka të njëjtën shkallë nxitimi nën forcën e gravitetit. Testamenti i Njutonit në lidhje me ligjet e lëvizjes dhe gravitetin, edhe pas 300 vitesh, mbetet aktual dhe i pandryshueshëm dhe sigurisht një pikë referimi për gjithçka. Këto ligje ende gjejnë përdorim në ndërtimin urave, projektimin e makinave sportive dhe dërgimin e sondave të ndryshme në hapësirë apo në planetët e të tjerë. Por edhe ato kanë kufizimet e tyre. Në fillim të shekullit të 19-të, astronomët zbuluan disa anomali të vogla në lëvizjen e planetëve të cilat ligji njutonian i gravitetit nuk kishte shumë fuqi që t‘i shpjegonte siç duhet. Më pas u shfaqën sfida edhe në lidhje me ide më thelbësore në lidhje me lëvizjen. Eksperimentet e ndërmarra nga fizikanët amerikanë në fund të shekullit të 19-të shfaqën mospërputhje me rregullat e deriatëhershme që kishin të bënin me lëvizjen relative. Kështu, nëse një makinë parakalon një makinë tjetër, sipas matematikës së thjeshtë shpejtësia relative e tyre është diferenca mes dy shpejtësive. Por, megjithatë, eksperimentet nxorën në pah se rrezet e dritës nuk e respektojnë këtë rregull, pasi ato kanë një shpejtësi të pandryshueshme: 299 792 458 m/s. Ky konstatim ndodhet pikërisht në qendër të teorisë së Ajnshtajnit, asaj të relativitetit të veçantë. Sipas Ajnshtajnit "sjellja" e çuditshme e dritës reflekton faktin se shpejtësia e saj është pasojë e një ligji universal. Shkencëtari tregoi se kjo kishte pasoja jo të vogla për ligjet e lëvizjes së Njutonit. Nga ana konceptuale do të duhej bërë një rivlerësim thelbësor i ideve bazë në lidhje me hapësirën dhe kohën. Ndërsa për Njutonin disa ligje janë absolute dhe të pandryshueshme, për Ajnshtajnin nuk është tamam kështu. I ashtuquajturi efekt relativist e shfaq veten, megjithatë, vetëm në rastin kur objektet lëvizin me shpejtësinë e dritës. Për sa i përket shpejtësive në jetën e përditshme, për to ligji i Njutonit është i vlefshëm pa diskutim. Megjithatë, ka një pasojë të teorisë së Ajnshtajnit që ka një ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e përditshme: Kur aplikohet te ligjet e famshme të ruajtjes së energjisë, relativiteti i veçantë të çon në një ekuacion edhe më të famshëm e ai i Njutonit F=ma. Ky ekuacion tregon se lënda mund të jetë një burim i fuqishëm energjie. Ekuacioni është ndër më të famshmit e të gjitha kohërave dhe ai është E=mc2 ku c është shpejtësia e dritës. Pikërisht në këtë ekuacion ngërthehen shpjegimet në lidhje me burimin e energjisë diellore dhe asaj të yjeve, si dhe shpjegohet fuqia shkatërrimtare e armëve bërthamore.

Gazeta Shqip