×
Hyrja
Profili

Robotët tanë të përditshëm

Robotët tanë të përditshëm

· 1 · 582

  • Postime: 27104
  • Gjinia: Mashkull
Berni
ne: 11-09-2010, 16:22:10
Mësues, doktorë, menaxherë dhe infermierë. Dikur të përdorur vetëm për misione hapësinore dhe luftarake, robotët tanimë kanë hyrë me shumë lehtësi në jetën tonë të përditshme. Modelet e reja shiten në treg me një çmim prej 15 mijë dollarësh, por nuk është çudi që në të ardhmen të kushtojnë sa një pajisje elektroshtëpiake.



Sot shkenca i ka kaluar të gjithë kufijtë, aq sa në të ardhmen njerëzit nuk do të jenë më aq të rëndësishëm, sepse punën e tyre mund ta kryejë tërësisht një robot. Vitet e fundit, vendet e industrializuara, sidomos Japonia, kanë krijuar prototipa për çdo lloj shijeje dhe problemi. Ka nga ata që të ndihmojnë në bërjen e punëve të shtëpisë, ka infermierë që kujdesen për të moshuarit e mbetur vetëm në shtëpi, ka nga ata që lëvizin komandën e televizorit, e shumë të tjerë. Robotët e parë luftarakë janë përdorur në operacionet ushtarake në Irak, ndërkohë që Forcat e Armatosura Amerikane kanë në plan të zëvendësojnë me robotë një të tretën e mjeteve të blinduara brenda vitit 2015. Këto makina vrasëse një ditë mund të pajisen edhe me ndërgjegje artificiale, të arrijnë edhe deri në atë pikë sa të kundërshtojnë urdhra që i vlerësojnë si të pamoralshëm. Me pak fjalë ka ardhur koha ta harroni Goldrake: tani roboti nuk është më një UFO. Kapiteni Verne Chestunt pak ditë më parë po nxitonte, siç bën prej një jete sa herë që bie alarmi në kazermën e zjarrfikësve në Mountain View. Siç dihet, Mountain View është e ardhmja që avancon: kryeqyteti i Silicon Valley-t, ku mes të tjerave gjendet selia e “Google”, “Mozillas” dhe markave të tjera të famshme të internetit. Por Mountain View është edhe burimi më i madh i asaj industrie të veçantë që ndjek hapa pas hapi internetin dhe botën e teknologjisë së lartë, sigurisht duke përfshirë edhe pak fantashkencë. “Nuk mund ta besoja: u gjendëm pikërisht në adresën e duhur dhe përpara portës së shtëpisë?”. Asistenti simpatik, i përbërë nga dy rrota të lidhura me një telekamerë dhe një ekran të montuar sipër, priti në heshtje zjarrfikësit dhe i ndoqi teksa inspektonin vilën. Në fund i falënderoi gjithë edukatë. Vetëm atëherë plakushi Verne, që rastësisht na kujton emrin e Jules Verne, babait të filmave fantastiko-shkencorë, njohu zërin që dilte nga ajo pajisje: ishte Trevor Blackwell, themeluesi i “Anybots”, që nga “parajsa e tij” në Hawaii e falënderonte që i ishte përgjigjur kaq shpejt alarmit. “Anybots” është një nga kompanitë që po udhëheqin revolucionin e robotëve. Prandaj kronika e pazakontë në “Portland Press Herald” do të jetë gjithmonë e më shumë e zakonshme në muajt që do të vijnë: kjo, sepse robotët janë mes nesh dhe po na ndryshojnë jetën. Kësaj here nuk bëhet fjalë për çmendurinë e radhës të shkencëtarëve apo kapriçiot e pazakonta të ndonjë miliarderi. Roboti që pak ditë më parë priti skuadrën e zjarrfikësve të Chesnut, e ka emrin QB dhe i përket atij brezi që po fillojnë të kenë një çmim më se të arsyeshëm. Sepse 15 mijë dollarë sigurisht që nuk do të jetë çmimi i një pajisjeje elektroshtëpiake. Por lind pyetja, a nuk do të ishit të gatshëm të paguanit për një robot që bën gjithçka, aq sa paguani për të blerë një pajisje shtëpiake të domosdoshme? Inxhinieri Blackwell, një kanadez i datëlindjes 1969, beson se po, ndaj për këtë arsye nëntë vjet më parë themeloi këtë industri me të ardhme të shkëlqyer, duke hequr dorë nga vendi i drejtuesit të “Yahoo”-së. Ndoshta mendoi se kështu ishte më mirë. Edhe vetë NASA u dashurua me QB-në e tij dhe tashmë po studion aplikacionet e mundshme. Por risia e vërtetë e këtyre makinerive është se janë konceptuar t’i kryejnë funksionet e tyre më mirë në Tokë se në hapësirë. Industria e robotikës ka hyrë në një fazë të re. Më parë ishte pikërisht hapësira, ambienti ku ishte zhvilluar kërkimi. Por nëse nuk do të kishte qenë madhështori “Viking” nuk do të kishim marrë kurrë vesh gjithë të vërtetën për Marsin. Për të mos folur pastaj për të “gjorin” Spirit, që për hir të së vërtetës, ashtu siç thonë në Hudson, duhet të ketë pasur ndonjë problem, duke qenë se kontaktet e tij kanë humbur që prej një viti. Pastaj robotët u zbuluan nga zotërinjtë e luftës. Skena e robotit që shkon në kërkim të bombave në Irakun e pushtuar nga terroristët u bë e famshme falë reportazheve në televizor dhe një filmi që fitoi një numër të madh çmimesh “Oskar”, si “The Hurt Locker”. Robotët e luftës të modelit Qinetig u bënë kaq të zotët sa islamikët kanë nisur të organizojnë atentate edhe kundër tyre. Një luftë që e shtyu Pentagonin të marrë në konsideratë mundësinë për t’i bërë akoma më inteligjentë me një sensor të aftë të kapë frekuencat e radios të përdorura nga terroristët për t’i hedhur në erë në distancë. Por tani robotët i pret sfida e fundit: ajo e të integruarit në jetën e përditshme. Si do t’i thërrasim? Shumë kanë menduar se emri më i përshtatshëm është robotët socialë: një brez pajisjesh teknologjike të konceptuara për një përdorim më social e të përditshëm. Janë “telepresence robot”, siç i quajnë teknikisht, duke nisur nga përdorimi i tyre i menjëhershëm, d.m.th. ai që mundëson prezencën e një personi në një vend ku nuk është. Nuk është aspak një lojë fjalësh. “Bukuria e teleprezencës është pikërisht kjo”, thotë për “New York Times”, administratori i deleguar i kompanisë “iRobot”. “Teleprezenca sfidon perceptimin tonë, e asaj që do të thotë të gjendesh në një vend të veçantë në një moment të veçantë”. Ashtu si themeluesi i “Anybots” dha alarmin e zjarrit në Kaliforni, ndërsa vetë ishte duke shijuar pushimet në Hawaii.



Megjithatë, koncepti i teleprezencës është i dykuptimtë dhe pikërisht mbi këtë pikë insistojnë skeptikët që nuk duan të bien në duart e robotëve. Janë të shumtë ata që mendojnë: nuk ekzistonte më parë teleprezenca? Po, diferenca është ajo mes asistimit në një ndeshje futbolli në televizor dhe të shohësh futbollistët që lëvizin në sallonin e shtëpisë. Me robot, për shembull, personi në telekonferencë mund të lëvizë në sallën ku janë mbledhur bashkëpunëtorët. Ky nuk është një rast që këto lloj tipash robotësh të përdoren në agjencitë e specializuara për sigurinë. Është e qartë se kalimi nga robot bashkëpunëtor në robot “vëzhgues” rrezikon të jetë i shkurtër. Sipas Stanford Dickert të “Willow Garage”: “Do të vijë një moment në të cilin robotët do të jenë të padallueshëm nga qeniet njerëzore, por shumë herë më të bukur dhe pa asnjë defekt. Një robot që ka një ekran të madh të imponohet si prezencë: në një farë mënyre deklarohet. Themeluesi i “Mozillas”, Mike Betzner, kalon më shumë kohë me macen e tij në shtëpinë që ka në Toronto se sa në zyrën e Mountain View. “New york Times” siguron se vartësit e tij janë lidhur shumë me atë që ata e quajnë “Robo-Beltzner” dhe që menaxherët e tjerë e përdorin këtë teknikë për të qenë të pranishëm në mbledhjet që bëhen në cepa të ndryshëm të planetit. Por këto lloj aplikacionesh duket se e kanë gjetur plotësisht veten në fushën e mjekësisë. Telemedicina është tashmë një realitet dhe gjithmonë e më shumë profesionistë në SHBA përdorin një robot të vendosur në dhomën e pacientëve në gjendjen më të keqe shëndetësore për të kontrolluar ecurinë e tyre në distancë. Edhe në këtë rast roboti është një ekran, ndërsa motori përbëhet nga dy rrota të vogla dhe një dorezë. Por rezultatet janë të jashtëzakonshme. Përcaktimi i shkencëtares Jeane-Dietsch duket vërtet gjeniale: “Kompjuterët kanë nisur të lëvizin nëpër ambiente të ndryshme”. Është ky lloj kompjuteri që herët apo vonë mund të bëhet një shok i çmuar jo vetëm për të sëmurët, por edhe për të moshuarit. “Alize-E” quhet projekti prej më shumë se 100 milionë dollarësh i zhvilluar nga komuniteti europian që do të përdoret për rehabilitimin e pacientëve. E vetmja gjë që u mungon për momentin është ndjenja, por edhe për atë po punohet. Vetëm një muaj më parë në “Ars Elettronica” në Linz, një nga panairet më të rëndësishme të teknologjisë në botë, stenda më e vizituar ishte ajo e Asimo-s, robotit që provon “dashuri”. Roboti i “Hondas”, i pagëzuar me këtë emër për nder të Isaac Asimov, autor i librit “Unë, robot”, është shumë i ngjashëm me njerëzit. Por tani eksperimenti konsistonte për ta bërë të reagonte me vizitorët, në mënyrë që të studiohej, sipas asaj që thotë përgjegjësi për këtë proces, Satoshi Shigemi, ndryshimet në reagime mes një kompjuteri dhe një njeriu.

Nuset robot

"Jam i sigurt se shumë shpejt robotët do të bëhen partnerë, jo vetëm seksualë për një numër shumë të madh personash. E për të krijuar një ide mjafton të shohësh se sa të përdorshëm janë bërë vibratorët ose kukullat dhe të imagjinosh se sa argëtuese mund të jetë për një person të posedojë një robot, që përveç të tjerave është në gjendje edhe ta shtrëngojë, ta përqafojë, puthë, madje edhe t’i thotë ndonjë frazë romantike ose erotike", thotë njëri prej krijuesve. Një ide e çuditshme? Me sa duket jo. Sipas shkencëtarit Henrik Christensen, docenti i robotikës në Universitetin e Stokholmit, "maksimumi brenda pesë vjetëve njerëzit do të fillojnë të bëjnë edhe dashuri me një robot" dhe kjo eksperiencë do të bëhet gjithmonë e më e kënaqshme. Kështu, pak nga pak do të zhvillohet edhe inteligjenca artificiale. Edhe këto makina do të mësojnë nga eksperienca e tyre personale. "Do të vijë një moment në të cilin robotët do të jenë të padallueshëm nga qeniet njerëzore, por shumë herë më të bukur dhe pa asnjë defekt. Në këtë pikë, përdorimi i tyre edhe për nevoja seksuale do të jetë i pashmangshëm". Dhe me perfeksionimin e mëtejshëm të robotëve, përveç funksioneve që tashmë ekzistojnë, si lëvizja e syve, duarve dhe këmbëve, "kukullat" meshkuj apo femra do të reagojnë edhe ndaj lëvizjeve dhe emocioneve tona.

Roboti-mjek

E ardhmja e mjekësisë ngjan me një robot në të cilin janë lidhur katër krahë mekanikë: një për fibrat optike që përcjellin vizionin tredimensional dhe tre të tjerë për të vënë në lëvizje veglat e punës që operojnë brenda trupit të të sëmurit. Sot ka shumë emra që rikujtojnë mendje gjeniale të së shkuarës, të tilla si Da Vinçi, Zeusi, Ezopi, Hermesi e të tjerë, që për momentin nuk përmenden, pasi rruga e gjatë drejt kirurgjisë robotike sapo ka filluar dhe po ecën me një shpejtësi marramendëse, aq sa shumë shpejt ofertat do të shumëfishohen dhe do të përmbushin të gjitha nevojat klinike. Sot, kirurgjia e kryer nga robotët përfaqëson evolucionin natyror të një disipline, që deri më sot është bazuar më tepër në shkathtësinë e duarve të kirurgut, mbi eksperiencën, por që më në fund po bëhet një shkencë. Roboti kirurg më i njohur dhe më i eksperimentuar në botë quhet Da Vinçi dhe operon në shumë klinika të botës dhe Europës.

Robotët luftëtarë

Rekrutët më të rinj të Ushtrisë Amerikane janë rreth 1 metër të gjatë, janë veshur me kamuflazh shkretëtire dhe të pajisur me mitraloza M249. Ata lëvizin falë zinxhirëve dhe falë kamerave që përbëjnë sytë e tyre; mund të shohin fare mirë edhe në errësirë.

Këta luftëtarë të patrembur janë tre ushtarë robotë, të cilët, pa rënë në sy të publikut të gjerë, janë vënë në përdorim në Irak që nga gjysma e qershorit, me detyrë gjuetinë e armiqve. Si të udhëhequr nga një dorë e padukshme, u afrohen shënjestrave për të qëlluar më pas me mitraloza. Është e ardhmja e luftës dhe tashmë ka mbërritur.

Gazeta Shqip