×
Hyrja
Profili

Shkencëtarët, në prag të një eksperimenti që do të thellojë njohjen për universi

Shkencëtarët, në prag të një eksperimenti që do të thellojë njohjen për universi

· 1 · 1950

  • Postime: 27104
  • Gjinia: Mashkull
Berni
ne: 12-04-2008, 11:00:30
Endrra që mund të shndërrohet në një realitet

Momenti ka ardhur. Përshpejtuesi më i fuqishëm i grimcave në botë (LHC), pritet me ditë të hyjë në funksionim dhe më në fund fizika e grimcave do të nisë të mbledhë frytet e para të një pune të gjatë. Megjithatë, nëse parashikimet e dy matematikanëve rusë do të dalin të vërteta, çdo arritje në këtë fushë do të vendoset në hije nga një tjetër ngjarje me të vërtetë e jashtëzakonshme. Sipas Irina Arefevës dhe Igor Voloviçit, LHC mund të shndërrohet në makinën e parë të kohës. Sigurisht që bëhet fjalë për një hipotezë, por nëse dy shkencëtarët e mësipërm kanë të drejtë debutimi i LHC-së në Qendrën Bërthamore Evropiane për Kërkimet Bërthamore në Gjenevë (CERN), me siguri që do të hyjë në histori. Shkaku është i thjeshtë: ndoshta mund të kryhet udhëtimi pas në kohë, çfarë do të thotë se ndoshta viti 2008 do të shënojë edhe stacionin e parë të këtij rrugëtimi jashtë të imagjinueshmes. Sipas shkencëtarëve rusë, që punojnë në Institutin e Matematikës "Steklov" të Moskës, në fazën e parë nuk do të kemi vizita të menjëhershme nga "banorët" e së shkuarës, por që nga momenti që shkaku (ideja e një efekti gjithmonë varet nga ajo e shkakut) është një nga parimet themelore të fizikës, mundësia e vënies në provë përmes LHC-së nuk duhet të mos merret në konsideratë. Sigurisht që puna e këtyre dy shkencëtarëve ende nuk është botuar në ndonjë revistë shkencore autoritare e me emër, por disa fizikanë kanë shfaqur interes për parashikimin e dy rusëve.

Hipotezat e para

Prej vitesh studiuesit kanë kërkuar një mekanizëm të përshtatshëm për të udhëtuar në kohë. Deri më sot përshkrimi më i mirë i vetive të kohës dhe hapësirës është ai i teorisë së relativitetit të Ajnshtajnit. Për këtë arsye, fizikanët vazhdojnë kërkimet për gjetjen e pikave të dobëta të teorisë, ose kërkojnë të zbulojnë ndonjë aspekt të saj ende të pazbuluar. Prototipat e makinës së kohës, që kanë dalë nga kërkimet e tyre, nuk ka shkuar kurrë përtej tryezës së projektimit, por ndoshta LHC mund ta zgjidhë problemin. Kur të jetë në funksionim të plotë, mekanizmi do të fusë në secilën prej grimcave që do të ndërmarrin një udhëtim prej një perimetri rrethor prej 27 kilometrash, një energji 7 teraelektro///nvolt (TeV). Në termat e jetës së përditshme nuk është ndonjë energji kushedi se çfarë, pasi një TeV është i barabartë me energjinë kinetike të një mushkonje në fluturim, por kur kjo energji përqendrohet në një grimcë subatomike (dimensionet e së cilës janë sa një e trilionta pjesë e mushkonjës), atëherë efektet që mund të përftohen në "rrobën" e universit janë të jashtëzakonshme. Sipas teorisë së relativitetit të përgjithshëm, gjithçka që ekziston në univers ka tri përmasa hapësinore dhe një përmasë kohore. E çuditshmja e kësaj lidhjeje kohë-hapësirë, është ndikimi që ka nga masa e energjisë që ndodhet në univers. Ky është edhe shkaku kryesor i tërheqjes gravitacionale. Masa e Tokës, për shembull, e përkul hapësirën që e rrethon, duke tërhequr drejt vetes gjithçka që ndodhet rreth saj. Ndërkohë, të imagjinosh shtrembërimet e kohës është shumë më e vështirë se në rastin e hapësirës, por një fakt i tillë mund të vihet re në rastet kur kemi ndërhyrje të tipit lëndë, apo energji. Madje, një përqendrim i mjaftueshëm mase, apo energjie mund ta shtrembërojë kohën në atë farë mase sa ta bëjë atë të rrethohet brenda vetes sikur të ishte një cilindër gome. Ky lloj ndryshimi, që shkencëtarët e quajnë "kthesë kohore e mbyllur" duhet të mundësojë, të paktën në teori, ripërjetimin dhe "prekjen" e momenteve të së shkuarës. Matematikani austriak, Kurt Godel, ishte i pari që demonstroi formimin e një kthese kohore të mbyllur. Në vitin 1949 ai tha se nëse universi rrotullohet, atëherë relativiteti do t‘i lejonte rrotullimit krijimin e kushteve për përkulshmërinë e kohës mbi vetveten. Cilido që do të mund të hynte në atë unazë, do të vazhdonte të rivizitonte të njëjtin moment, deri sa të vendoste të dilte sërish. Godel ia tregoi rezultatet e llogaritjeve të tij Ajnshtajnit, i cili u turbullua nga ideja që relativiteti mund të krijonte kushtet e një udhëtimi në kohë. Por deri në një farë mase ama: në bazë të njohurive tona, universi nuk rrotullohet, ndaj nuk mund të kryejmë dot kurrë një udhëtim në kohë, duke pasur si bazë nisjeje udhëtimin e universit. Sigurisht që nuk pati shumë entuziazëm edhe kur në vitin 1976 Frank Tipler i Universitetit "Tulane" të Nju Orleansit, demonstroi faktin se nëse një cilindër i madh do të rrotullohej me një shpejtësi shumë të madhe, atëherë do të krijoheshin kushtet për udhëtimin në kohë. Por kjo do të donte një makinë me mekanizma shumë të veçantë dhe në atë kohë ndërtimi i kësaj makine ishte një ëndërr e parealizueshme.

Në vitin 1988 gjërat nisën të bëhen interesante. Kip Thorne dhe kolegët e tij të Institutit kalifornian të Teknologjisë në Pasadena demonstruan se të ashtuquajturat "wormholes" (vrima krimbash) ose tunelet hapësirë-kohë, krijojnë mundësinë e të zhvendosurit në kohë. Në një rast të tillë, një "vrimë krimbi" do të mbyllte unazën kohore. Udhëtimi përmes këtij tuneli do të ishte pak a shumë sikur të ndërmerrje një kalim nën një kodër: mund të kaloje në anën tjetër edhe po t‘i ngjiteshe kodrës, por duke zgjedhur rrugën e tunelit do të mund të mbërrije më parë.

Energjia e errët

Në këtë pikë hyn në lojë LHC. Sipas shkencëtarëve rusë, ky aparat, që përshpejton lëvizjen e mikrogrimcave, mund të prodhojë "vrimat e krimbit" dhe kështu të mundësojë ndonjë lloj udhëtimi në kohë. Çdo grimcë që udhëton përmes LHC-së mund të prodhojë një lloj përthyerje të kohë-hapësirës, një tërheqje gravitacionale, që e shtrembëron hapësirën dhe kohën në formë cilindrike rreth vetes. Nëse do të takoheshin së bashku dy realitete të tilla, atëherë rezultatet ka shumë mundësi që të ishin me të vërtetë spektakolare. Në praninë e disa kushteve të caktuara, përplasja e këtyre përthyerjeve gravitacionale mund të krijonte një vrimë në hapësirë e në kohë. Se cilat mund të jenë këto kushte, kjo varet nga vetë natyra e hapësirë-kohës, për të cilën kemi shumë pak informacion të qartë. Edhe nëse teoria e relativitetit të përgjithshëm të Ajnshtajnit na jep një përshkrim të hapësirës dhe kohës, gjithmonë bëhet fjalë për një hipotezë. Për të ditur saktësisht sasinë e duhur të energjisë për krijimin e një vrime në "rrobën" e universit, duhet njohuri të plota në lidhje me gravitetin kuantik, pra me përshkrimin mikroskopik të hapësirë-kohës, çka është jashtë mundësisë sonë të deritanishme. Megjithatë, ka një hipotezë, sipas së cilës LHC është në gjendje që të ofrojë kushtet e përshtatshme për krijimin e një vrime në hapësirë-kohë. Pjesa më e madhe e fizikanëve mendon se graviteti kuantik nuk është i rëndësishëm, deri në momentin kur ka të bëjë me fenomene që verifikohen në nivele të energjisë 10 në fuqi të 16 TeV. Ndërkohë, një ekip shkencëtarësh kalifornianë kanë demonstruar se relativiteti kuantik mund të ndërhyjë edhe në nivele të një energjie prej vetëm 1 TeV. Shkencëtarët rusë kanë nisur që të reflektojnë në lidhje me efektet e çuditshme të hapësirë-kohës, kur u ndërgjegjësuan që LHC mund të kishte fuqinë e duhur për të krijuar vrimat e vogla të zeza. Përplasja mes dy protonesh me një energji të kombinuar prej 14 TeV mund të prodhojë vrima të zeza me një diametër të përmasave 10 në fuqi të 18. Kjo ide është jashtëzakonisht joshëse, por, gjithsesi, mbetet vetëm një hipotezë. Një vit më parë, shkencëtarët rusë ripanë ekuacionet e Ajnshtajnit për të kuptuar më mirë mënyrat e formimit të "kthesave të kohës" të mbyllura. Pikërisht, ndërsa merreshin me këto lloj ekzaminimesh, menduan se ndoshta LHC mund të krijonte makinën e kohës.

Ka fizikanë që e kanë marrë seriozisht mundësinë e një hipoteze të tillë. Sipas tyre, vendosja e thërrmijave, grimcave te një përshpejtues me fuqi të madhe, të çon direkt në udhëtimin në kohë. Sipas llogaritjes së shkencëtarëve, që mbështesin një teori të tillë, nuk dihet mirë se cili është rezultati përfundimtar. Ka mundësi të ndodhë edhe hipoteza tjetër, pra që në vend të krijimit të një makine të kohës të krijohet një vrimë e zezë. Sipas tyre, shtrembërimi, ose përthyerja e hapësirës dhe e kohës, e cila duhet për të krijuar makinën e kohës, vlen edhe për krijimin e një vrime të zezë. Me pak fjalë, sipas llogarive të rusëve del se brenda këtij viti, pra deri për Krishtlindje, do të bëhet i mundur udhëtimi në kohë. Sigurisht që ende ka shumë pengesa për t‘u kapërcyer para se të mund të hapin një "derë" në kohë e të shohim pas. Një nga vështirësitë kryesore ka të bëjë me faktin që, duke qenë se kemi të bëjmë me tunele të vogla, atëherë në hapësirat e tyre do të mund të kalonin vetëm thërrmijat subatomike. Shkencëtarët më optimistë shpresojnë që vënia në punë e LHC-së, të paktën të mund të japë prova për ekzistencën e "vrimave krimb". Vështirësia e tyre ka të bëjë me përmasat e tuneleve. Hapja e tyre është e njëjtë me atë të një topi llastiku, për sa i përket tendencës së njëjtë që kanë për t‘u mbyllur. E vetmja mënyrë shmangieje për këtë veti është mbajtja hapur e tyre me anë të një materieje, që në vend të tërheqjes emeton shtytje. Por, a ekziston ndonjë materie e tillë? Në këtë pikë shkencëtarët rusë "thërrasin në lojë" energjinë misterioze, që quhet "energji e errët", e cila duket se ndihmon në zgjerimin e universit. Energjia e errët mund të jetë ajo e duhura për mbajtjen hapur të hyrjes së "vrimave të krimbit". Por, për të vërtetuar mundësinë e një materie të tillë duhet që më parë të gjesh përgjigjen e një tjetër pyetjeje kyçe: me shtrirjen e kohë-hapësirës çfarë ndodh me densitetin e energjisë së errët? A qëndron ajo konstante, pakësohet apo zmadhohet? Sipas pjesës më të madhe të fizikanëve që studiojnë përmasat dhe vetitë e hapësirë-kohës, nga vëzhgimet del se energjia e errët që ndodhet në çdo centimetër kub të hapësirë-kohës, mbetet konstante dhe është e përhershme; nuk ndryshon në rastin kur ndryshimi prek vetë universin. Por ka edhe një grup shkencëtarësh që janë të mendimit se me zgjerimin e hapësirë-kohës çdo centimetër kub i saj merr më shumë energji. Nëse energjia e errët ka një natyrë të tillë, atëherë hapësirë-koha do të kishte edhe vetinë e mbajtjes hapur të "vrimave të krimbave" të LHC-së, e ndoshta do t‘i rriste në atë shkallë, saqë të mundësonte edhe kalimin e një njeriu përmes tyre.

Të vrasësh gjyshin

Për momentin asnjë nga informacionet që kanë të bëjnë qoftë me ekzistencën, qoftë me vetitë e energjisë së errët nuk është i vërtetuar. Ka një grup shkencëtarësh, që janë të bindur në ekzistencën e një energjie misterioze, një energjie fantazmë, që është e njëjta energji që, sipas dy shkencëtarëve rusë, do të mundësonte mbajtjen hapur për një kohë relativisht të gjatë të "vrimave të krimbave". Për shkencëtarët më skeptikë, edhe nëse përmes vënies në funksionim të LHC-së do të mundësohej vërtetimi i ekzistencës së "vrimave të krimbit", kjo nuk do të mjaftonte garantimin e ekzistencës së një makine të kohës. Krijimi i një "porte" në të shkuarën është shumë i pamundur. Një "vrimë krimbi" është një "portë" në hapësirë-kohën. Për ta shndërruar atë në një makinë kohe duhet që në radhë të parë të sigurohesh jo vetëm për anën këtej të "portës", por edhe për atë përtej saj. Studiuesit kanë propozuar mënyra të ndryshme për një gjë të tillë, të cilat pak a shumë kanë më shumë lidhje me fantashkencën sesa me një realitet të bazuar në fakte konkrete e të prekshme. Një sistem është, për shembull, kapja e njërit skaj të "vrimës së krimbit" me një yll neutronesh. Fusha e fuqishme gravitacionale që do të krijohej si pasojë e kësaj, do të ngadalësonte shumë kohën. Në një moment të tillë, nëse një udhëtar i kohës do të futej brenda "vrimës së krimbit", do të gjendej në një moment të caktuar të së shkuarës dhe mund të udhëtonte në kohë. Por, sigurisht, kjo nuk është përvoja që pritet të ndodhë në të ardhmen e afërt. Kushedi, ndoshta civilizimet e ardhshme do të mund të gjejnë mënyrën e stabilizimit dhe rritjes së një "vrime të krimbit" për të krijuar një tunel në hapësirë-kohën, përmes së cilit udhëtari do të shkonte në të shkuarën. Nëse këtë vit, eksperimenti i LHC-së do të arrijë që të krijojë një "vrimë krimbi", ndoshta një civilizim më i avancuar do ta gjente këtë fakt në librat e historisë dhe ndonjë ditë të bukur do të vinte për të na bërë vizitë. Kjo mundësi na detyron që të hedhim një vështrim te disa nga paradokset e një udhëtimi të mundshëm në kohë. Më klasiku është ai i udhëtarit që kthehet në të shkuarën për të vrarë gjyshin, para se i ati të vinte në jetë, për t‘u siguruar kështu që ai vetë nuk do të vijë kurrë në këtë jetë. Pikërisht kjo hipotezë në vitin 1992 shtyu shkencëtarin e famshëm britanik, Stephen Hawking, që të afirmonte se ligjet e fizikës komplotojnë kundër udhëtimeve në kohë. Sipas teorisë së tij, që ka të bëjë me mbrojtjen kronologjike, krijimi i portave të përkohshme për të udhëtuar në kohë do të çonte në lindjen e fenomeneve fizikë, që do të bllokonin vetë portat. Është sikur të ekzistonte në univers një lloj "policie e rastit", e cila bllokon lëvizjet kontradiktore. Por, shkencëtarët rusë nuk kanë frikë nga "policë" të tillë. Sipas tyre, në sferën e relativitetit të përgjithshëm nuk mund të thuhet se kronologjia duhet që të ruhet e njëjtë me çdo kusht. Në lidhje me ekuacionet e Ajnshtajnit ka shumë zgjidhje, të cilat verifikojnë paradokse të tilla. Ndoshta vetë paradokset janë një përgjigje për pyetjet tona të pafund në lidhje me rregullat e çuditshme të universit. Në rastin e gjyshit mund të mos jemi në gjendje që ta vrasim paraardhësin tonë, ose mund të mos duam ta bëjmë një gjë të tillë, ose mund edhe të përfundojmë në një univers paralel, në të cilin vetë vrasja është një gjë e pakuptimtë dhe nuk ka ndikim mbi rrjedhën e gjërave, apo ndoshta veprimet e atij universi mund të mos ndikojnë në universin tonë. Megjithatë, këto paradokse e hamendësime nuk do t‘i mësojmë deri kur të shpiket makina e kohës dhe të vihet në funksionim. Për momentin, e vetmja shpresë që kemi për të zbuluar kufijtë e vendosura nga ligjet e kohës është që t‘i lëmë fizikanët të përfundojnë përgatitjet për vënien në punë të LHC-së. Megjithatë, ka ende dyshime në lidhje me disa probleme të pazgjidhura: nuk dimë se në çfarë momenti ndërhyn graviteti kuantik, ndërkohë që po diskutohet ende ekzistenca e energjisë fantazmë të universit. Në gjithë këto pikëpyetje që na rrethojnë ekziston gjithsesi një mundësi e vogël, që vitin e ardhshëm të shohim mbërritjen e një vizitori nga e ardhmja. A nuk do të ishte pra më mirë që të përgatisnim veten për një vizitë të tillë, pavarësisht sa irracionale mund të duket një gjë e tillë? A nuk dukeshin të tilla edhe shpikjet më të mëdha të njerëzimit para se të dilnin në dritë?

Gazeta Shqip