Gjithësia e ka tërhequr kurdoherë njeriun. Qysh nga lashtësia, të gjitha qytetërimet i kanë pasur yjet pika referimi, atyre u drejtoheshin për t’u orientuar dhe për t’u dhënë përgjigje pyetjeve që u lindnin.

Por studimi i mirëfilltë i hapësirës kishte nisur qysh në shekullin XVII me shpikjen e teleskopit: pak nga pak, njohuritë astronomike u bënë më të sakta dhe hodhën bazat për zbulimet e ardhshme. Gara për pushtimin e hapësirës ka shënuar dhe lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë botërore të këtyre gjashtëdhjetë viteve të fundit.
Për një kohë të gjatë të dy fuqitë e mëdha ekonomike e ushtarake, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Sovjetik kanë financuar projekte hapësinore, nëpërmjet të cilave është dëshmuar epërsia teknologjike. Sateliti i parë artificial, “Sputnik 1”, u lëshua në hapësirë nga rusët në tetor të vitit 1957, peshonte diçka më pak se 85 kilogramë dhe transportonte aparatura radioje dhe instrumente shkencore.
Katër vite më pas, Juri Gagarin u zgjodh për të përshkruar orbitën rreth tokës me anijen “Vostok”, duke u bërë kështu i pari njeri që fluturoi në hapësirë. Shëtitja e parë në truallin e Hënës u transmetua drejtpërdrejt nga televizioni më 21 korrik 1959.
Ai që shkeli i pari në truallin hënor, ishte astronauti amerikan, Neil Armstrong, i cili, së bashku me dy shokët e tij, Majkëll Kollins dhe Eduin Aldrin, eksploroi dhe fotografoi sipërfaqen e satelitit dhe mblodhi gurë për t’i analizuar në Tokë.
“Hapi i madh” i hedhur nga Armstrongu u pasua nga shumë ekspedita të tjera të amerikanëve dhe rusëve, veçanërisht në vitet e fundit interesi i inxhinierëve hapësinorë është kthyer për kah studimi i planetëve të sistemit diellor, si dhe nga ndërtimi i një stacioni të përhershëm në orbitë.