×
Hyrja
Profili

Si po përgatitet NASA për të prekur sërish Hënën

Si po përgatitet NASA për të prekur sërish Hënën

· 1 · 538

  • Postime: 26634
  • Gjinia: Mashkull
M A X
ne: 09-10-2009, 14:40:09
Të premten, qindra shkencëtarë, inxhinierë dhe astronomë do t‘i kenë sytë drejt qiellit, drejt Hënës. Të gjithë do të jenë ankthshëm në pritje të zbritjes në satelitin tonë të sondës me peshë 2 tonë e me shpejtësi 5600 kilometra në orë.

Si po përgatitet NASA për të prekur sërish Hënën

Nga hapi gjigant te Big Bang.

Kjo sepse përplasja në vetvete e ka një qëllim dhe ai është objektivi i parë i këtij sateliti LCROSS (Sateliti për Observimin e Kratereve Lunarë. Ideja në bazë të këtij projekti është gjetja e mundshme e ujit në zonat e errëta të polit jugor të Hënës. Mënyra më e mirë për arritjen e një rezultati të tillë është përplasja e sondës me sipërfaqen e satelitit dhe analizimi i copëzave që përftohen nga kjo përplasje. Më konkretisht, LCROSS shpreson që të përplaset në një zonë të Hënës që mendohet se ka shumë gjasa që të jetë e pajisur me rezerva ujore. Reja e pluhurit që do të krijohet nga kjo përplasje do t‘u japë mundësinë shkencëtarëve që ta fotografojnë e analizojnë për të bërë të mundur gjetjen e ujit, apo substancave të tjera. "Përplasja shoqërohet nga një ndriçim i shkurtër, shumë i shkurtër rreth 100 milisekonda. Pas këtij pluhuri të ngritur në tokë nis të bjerë sërish dhe ky është momenti i fotove që na duhen për analiza", thotë një nga shkencëtarët e projektit të NASA-s. Për ata që nuk e kanë idenë e funksionimit të gjërave, situata është shumë e thjeshtë, pra një përplasje e sondës, ngritje e pluhurit, fotografim dhe kaq.

Në fakt, momenti i përplasjes është vetëm një pjesë e rëndësishme e një planifikimi që ka marrë 2 vjet nga koha e shkencëtarëve të NASA-s. Momenti i përplasjes është shumë i rëndësishëm. Pas saj sonda do të ndahet në dy pjesë. Karburatori do të shkëputet nga trupi i sondës, ose pjesa e pajisur me kamera dhe materiale të tjera optike. Nuk është hera e parë që një sondë e tillë ka edhe misionin e një rakete, pra atë goditës. 4 vite të shkuara një tjetër mision i NASA-s "Deep Impact" është përplasur qëllimisht me kometën "Tempel 1" në përpjekje për të dhënë shpjegime për lëndët përbërëse të saj. Edhe në fillim të këtij viti një satelit japonez, që kishte thuajse një vit që orbitonte Hënën më në fund vendosi që të përplasej në sipërfaqen e saj. Megjithatë, misioni i LCROSS është i ndryshëm nga ai i sondave të sipërpërmendura dhe ai nuk është thjesht mision kamikaz. Bëhet fjalë për një mision shumë më të ndërlikuar dhe më të madh dhe ndoshta më të rëndësishmin deri më tani të këtyre lloj misioneve eksploruese. Në fund të fundit, ai po synon që të sjellë prova të ekzistencës së ujit në Hënë, që ka qenë një ëndërr e vjetër e shkencëtarëve. Këta mendojnë se ka ardhur momenti që të dinë më shumë për historinë e satelitit tonë natyror dhe sigurisht për ndikimin që ai ka në planetin tonë dhe te vetë njerëzit. Ndërkaq, sonda do të ketë një aplikim më praktik, nëse misioni do të dalë me sukses. Objektivi i përcaktuar nga grupi i punës është një vrimë 88 kilometra e gjerë e quajtur Cabeus, që ndodhet në afërsi të kraterit "Shackleton", vendi i zgjedhur nga NASA për zbarkimin e misionit me njerëz që mund të realizohet në vitin 2024. Zbulimi i depozitave të ujit në këtë zonë do të lehtësonte shumë planin e ardhshëm dhe do t‘i pajiste astronautët me një rezervuar shumë të vyer për të gjitha operacionet e tyre, si dhe do t‘i bënte të pavarur nga dërgesat e Tokës.

E ndërsa ekzistenca e ujit është ende një hipotezë në brendësinë e Cabeusit, vendimi për të pasur si objektiv kraterin e sipërpërmendur është i bazuar në një informacion të detajuar. Disa javë më parë, sateliti indian "Chandrayaan" konfirmoi ekzistencën e ujit në këtë zonë. Ky ishte shkaku që kjo zonë u shndërrua në objektivin e studimit të shkencëtarëve. Gjetja e ujit në Hënë do të përbënte një zbulim shumë të madh dhe të rëndësishëm. Uji në Hënë, por edhe në planetë të tjerë, sipas shefit të NASA-s është "burimi bazë i eksplorimeve të hapësirës". Për shumë shkencëtarë, uji është zbulimi më i madh pas vajtjes së njeriut në Hënë. Me gjithë këto pritshmëri, stafi i astronautëve dhe inxhinierëve shpreson që të gjejë vërtet ujë. Por edhe sikur një gjë e tillë të mos ndodhë, misioni në vetvete përbën një hap shumë të madh përpara jo vetëm për shkak të objektivit të tij, por edhe të mënyrës se si gjithçka filloi dhe u organizua. Ky mision e mori "OK" në vitin 2006 dhe shënoi fillimin e misioneve të shpejta dhe jo aq të shtrenjta hapësinore. Edhe pse shifra për realizimin e tij nuk është e vogël, 79 milionë dollarë dhe të mendosh se me të janë marrë për plot 2 vjet rresht 50 specialistë të fushave të ndryshme, ajo është një "pikë në oqean" krahasuar me buxhetin e që ka agjencia për një vit dhe që është 18 miliardë dollarë. Një shpejtësi e tillë dhe një kosto relativisht e ulët e misioneve, është një gjë me të vërtetë e rrallë për misionet hapësinore, deri më tani dhe për më tepër sateliti është ndërtuar në mënyrë shumë novative. Sipas drejtuesve të misionit, bëhet fjalë për një epokë të re në ndërtimin e sondave hapësinore brenda një kohe të shkurtër.

Tashmë është hedhur poshtë njëherë e mirë ideja se për të ndërmarrë një mision të caktuar do të duhet shumë kohë dhe mbi të gjitha shumë para. Projekti i fundit ka përmbysur shumë mënyra të vjetra funksionimi brenda agjencisë, shumë rregulla të ngurta, të cilat deri më tani askush nuk kishte guxuar që t‘i sfidonte. Kështu puna është bërë shumë më fleksibël dhe më elastike dhe vendimet nuk është e nevojshme që të jenë të marra një herë e mirë. Ky në vetvete përbën një mesazh tepër të rëndësishëm për NASA-n në një kohë kur Amerika dhe bota e kanë çuar sërish vëmendjen drejt eksplorimit të hapësirës. Kanë kaluar mbi 50 vjet qëkur Presidenti Kenedy bëri thirrje për eksplorimin e hapësirës. "Ne zgjodhëm që të shkojmë në Hënë këtë dhjetëvjeçar dhe të bëjmë gjithashtu dhe gjëra të tjera dhe kjo jo sepse ato janë të lehta, por përkundrazi, sepse janë të vështira", tha ai para studentëve të Universitetit të Hustonit. Me sondën e re dhe mbi të gjitha me mënyrën e re të të konceptuarit të misioneve të hapësirës jepet më shumë shpresë për misione të tjera të afërta dhe të suksesshme të eksplorimit të botës përtej planetit tonë. Kësisoj, sot kur të ndodhë përplasja e sondës në Hënë ajo nuk do të shënojë vetëm fillimin e një zbulimi të madh, por edhe atë të lindjes së shpresës se gjërat e vështira do të zgjidhen tashmë me mënyra më të thjeshta.

Gazeta Shqip