×
Hyrja
Profili

Telepatia - Komunikimi me ane te mendjes

Telepatia - Komunikimi me ane te mendjes

· 2 · 2038

  • Postime: 26634
  • Gjinia: Mashkull
M A X
ne: 09-05-2009, 10:21:27
TELEPATIA, KOMUNIKIMI ME ANË TË MENDJES

Telepatia ose biokomunikimi është njëri nga fenomenet shumë të njohura të parapsikologjisë ose psikotronikës. Fjala "telepati" rrjedh nga gjuha e vjetër greke dhe do të thotë: "tele" - largësi dhe "pathe" - ndjeshmëri. Si themelues i saj njihet Fredrick Meiers, që është edhe njëri ndër themeluesit e shoqatës britanike për kërkime psikike, që në vitin 1882.

Ç'është në të vërtetë telepatia? Telepatia mund të përkufizohet si një manifestim psikotronik, gjatë të cilit vrojtohen mendimet, fotografitë psikike, dërgesa sensibël e një personi, respektivisht e dërguesit, nga ana e një personi tjetër, që në këtë rast është pranuesi. Këto mendime, kjo dërgesë sensibël, që emetohet vetëdijshëm apo pavetëdijshëm nga dërguesi, është e "shpërndarë" në hapësirë, ashtu që me pesë shqisat normale të komunikimit, të cilat ne si qenie njerëzore i posedojmë, nuk është e mundur të pranohen dhe me to të komunikojmë. Pra, mund të thuhet se telepatia është komunikim valor i dy qenieve pa kontakt fizik, pa fjalë, por vetëm me anë të mendimit, pavarësisht largësisë së tyre.

Aftësi të komunikimit telepatik kanë të gjitha qeniet e gjalla, por ato që e kanë më të zhvilluar aftësinë e emetimit të "neuro-rrezeve", e kanë më të theksuar këtë dukuri. Vetë jeta është e mbushur plot me raste telepatike, të cilat paraqiten në mënyrë spontane, midis personave që janë të lidhur ngushtë emocionalisht, siç është rasti i nënës dhe fëmijës, motrës e vëllait, burrit e gruas etj.

Komunikimi telepatik, emetimi dhe pranimi i rrezeve, paraqet fundamentin në formimin e marrëdhënieve midis prindërit dhe fëmijës. Dashuria në mes nënës dhe fëmijës është e formuar kryesisht në parimet telepatike. Komunikimet telepatike ekzistojnë më së shpeshti në vitin e parë të jetës, kur fëmija nuk mund të flasë e dashuria në mes të nënës dhe fëmijës nuk është e "vetëdijshme" ose funksion i dëshiruar. Ky është një fenomen, po e quaj "jashtëshqisor", i cili mund të shpjegohet vetëm si lidhje telepatike. Pa këto lloj lidhjesh nuk do të ekzistonte as dashuria e vërtetë.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore kemi rastin e një nëne të një luftëtari në front, e cila papritur ndien dhembje në gjoks dhe bërtet: "Biro, të vrau armiku!" Lajmi për vdekjen e të birit, të cilin e mori më vonë, përputhej plotësisht me atë ditë dhe atë moment kur edhe kishte ndjerë dhembjen në gjoks. Rasti i mësipërm është vetëm një, nga shumë raste të ngjashëm që na ndodhin në përditshmërinë tonë.

Gati në të gjitha vdekjet, të afërmit e familjes, në çastin kur ndërron jetë i dashuri i tyre, në mënyra të ndryshme e ndjejnë këtë. Këtë fenomene sqaron edhe psikologu i njohur K. Jungu, në teorinë e tij të sinkronicitetit, por edhe populli ynë i njeh shumë mirë kotë shenja, që zakonisht i quan "isharete" (arabisht, isara - shenjë).

Kërkimet e ndryshme për sqarimin e telepatisë në mënyrë shkencore, kanë filluar që nga koha e Mesmerit, Pjer Zhana-s, Sharl Rishe-es e vazhdojnë dhe në ditët tona. Tentativa e parë fillon me Mesmerin. Edhe telepatinë, sikurse të gjitha fenomenet e parapsikologjisë, ai e shpjegon si dërgim të informacioneve nëpërmjet energjisë magnetike universale, e cila i lidh të gjitha qeniet e gjalla. Telepatia e tërhiqte vëmendjen e Mesmerit, sepse edhe ajo, si shumë dukuri jashtëshqisore, paraqitej shpesh gjatë gjendjes hipnotike. Mesmeri edhe mendonte se telepatia paraqitet vetëm gjatë gjendjes hipnotike.

Më vonë, Sharl Rishe, shkencëtar francez, fitues i Çmimit Nobel për fiziologji, vërtetoi në mënyrë eksperimentale se telepatia është e ndarë nga hipnoza, por në gjendje hipnotike ajo është më e theksuar dhe veprimi i saj është më i suksesshëm.

Bashkëkohësi i tij, O. Zhana, gjatë eksperimenteve mjaft interesante arriti që të provokojë hipnozë në largësi, nëpërmjet sinjaleve telepatike. Për fat të keq, Zhane nuk tentoi që t'i komentojë këto eksperimente, sepse frikësohej se do të rrezikonte autoritetin e shkencëtarit serioz. Eksperimente të ngjashme bëri edhe Henri Didwick. I hipnotizuari i vizualizonte numrat e zgjedhur dyshifrorë dhe në mënyrë telepatike ia dërgonte subjektit tjetër. Deklarata e tij për këtë eksperiment hyri në histori të parapsikologjisë si deklaratë e parë shkencore e këtij lloji.

Eksperimente intensive në fillim të viteve '30 zhvilloi edhe shkrimtari Upton Sinkler me të shoqen, Meri K. Sinkler. Uptoni vizatonte figura të ndryshme, ndërsa e shoqja mundohej që t'i pranonte në mënyrë telepatike dhe t'i riprodhonte. Në serinë prej 290 provave, arriti në 23% të rasteve rezultate të sakta; 53% rezultate të pjesshme dhe 24% të gabuara. Eksperimentet e Sinkler-it bëheshin në kontroll të plotë. Në disa raste, përputhja e vizatimeve ishte plotësisht e saktë, ashtu që edhe gjeniu Albert Ajnshtajn, që ishte prezent në disa eksperimente, u magjeps aq shumë, sa që ai shkroi edhe parathënien e librit të Sinklerit, "Radioja Mentale", në të cilën janë paraqitur të gjitha rezultatet e eksperimenteve.

Uejtili Kerington, mik i afërt i Frojdit, përdori një metodë tjetër të eksperimentimit. Ai merrej vesh me disa pranues të valëve, të shpërndarë nëpër vende të ndryshme të Britanisë së Madhe, që në kohë të caktuar t'i pranojnë në mënyrë telepatike mesazhet e tij. Në kohën e caktuar e hapte fjalorin dhe e zgjidhte një fjalë, e cila mund të paraqitej edhe në mënyrë figurative. E vizatonte në një letër dhe pastaj me orvatje shpirtërore mundohej t'ua emetonte pranuesve. Rezultatet i vlerësonte duke i parë të gjitha përgjigjet dhe secilës i jepte vlerën e vet. Në çoftë se objekti i vizatuar ishte "molla", atëherë "dardha", si përgjigje, kishte vlerë më të madhe se sa "rrushi", ndërsa "rrushi" vlerën më të madhe se sa ndonjë objekt statik etj.

Mungesa e eksperimentit të tij ishte se personi ishte i njëjtë, d.m.th. vetë Keringtoni ishte eksperimentuesi dhe vlerësuesi i përgjigjeve, sepse subjektet shpesh nuk kontaktonin në kohën e njëjtë dhe ai nuk mund t'i kontrollonte.

Këtë mungesë, si dhe shumë të tjera, i plotësoi Rajni. Ai i mbante nën kontroll të gjithë variabilët e rëndësishëm. Rajni i pari i përdori me të madhe të ashtuquajturat "letrat e Zenerit". Ky është një komplet i përbërë nga 25 letra, të cilat ndahen në 5 pjesë dhe secila nga këto pjesë përmban nga një simbol grafik. Në qoftë se gjatë eksperimentimit, subjekti i qëllon letrat, në bazë të rastësisë eventuale pa pjesëmarrje të telepatisë, atëherë probabiliteti do të jetë 1:5 ose 20%. Secila e qëlluar tjetër, mbi këtë mesatare, është e rëndësishme.

Duke komentuar punën dhe rezultatet e prof. Rajnit dhe të bashkëpunëtorëve të tij, si dhe të Tajerit, të Kringtonit e shumë të tjerëve, Dr. Taules arriti në përfundim se këto eksperimente "kanë larguar çdo dyshim mbi ekzistencën e telepatisë dhe kanë mundësuar që ajo të paraqitet me metoda eksperimentale".

Rasti Mesing

Një ndër telepatët më në zë ishte Vulfu Gligorevic Mesing (1899-1971). Aftësitë e tij telepatike i zbuloi rastësisht, në moshën 11-vjeçare, kur pa dashje largohet nga prindërit dhe hip në trenin që udhëtonte në relacionin Varshavë-Berlin. Pasi nuk kishte biletë udhëtimi, futet nën karrige, por kontrollori e kap dhe i kërkon biletën. Mesingu i vogël e sheh në dysheme një copë letër të thjeshtë, e kap atë dhe ia jep kontrollorit, duke u koncentruar në atë letër me bindje të thellë se ajo është biletë. Kontrollori e merr letrën, e shikon dhe i thotë: "Pse rri nën karrige pasi e ke biletën?".

Në Berlin, Mesingu bie në kontakt me prof. Abelin, psikiatër i njohur, i cili i vëren aftësitë e tij dhe së bashku me kolegun e tij, prof. Shmitin, e marrin nën mbikëqyrje. Më vonë, Mesingu filon punë në një cirk të quajtur "BUSH" dhe kështu fillon turnetë e tij nëpër Evropë. Gjatë një manifestimi në Vjenë, për Mesingun u interesua edhe Ajshtajni, të cilin e dërgoi tek Frojdi. Të dy këta shkencëtarë punuan mjaft me të. Me Frojdin, Mesingu qëndroi disa vite në shoqëri, i cili ia mësoi metodat e koncentrimit dhe autohipnozën. Ja, një eksperiment interesant që bënë Frojdi dhe Ajnshtajni me Mesingun: Frojdi e urdhëroi në mënyrë telepatike: "Shko në banjë, merre pincetën dhe shkulja tri qime nga mustaqet Ajnshtajnit!". Mesingu u mendua pak, pastaj shkoi në banjë, mori pincetën dhe iu afrua Ajnshtajnit duke i thënë: "Më falni, por duhet ta zbatoj urdhrin", ndërsa të dy shkencëtarët ia plasën të qeshurit, duke admiruar aftësitë e tij. Pastaj pason urdhri tjetër i Frojdit me mendime: "Merre violinën dhe jepja Ajnshtajnit që t'i bjerë". Edhe këtë urdhër Mesingu e zbatoi me përpikëri. Kur po largohej nga Berlini, Ajnshtajni i thotë: "Në qoftë se gjendesh në situata të këqia, me lajmëro lirisht".

Më 1923, Mesingu takohet me M. Gandin. Edhe Gandi mbetet i kënaqur me detyrën që ia parashtroi: që ta merrte fyellin dhe t'ia jepte indianit që gjendej aty afër. Mesingu ia jep fyellin, pastaj indiani fillon t'i bjerë, ndërsa nga një gyp aty afër fillon të dalë një gjarpër, i cili lëvizte sipas melodisë.

Një nga eksperimentet mjaft interesante është ai i dhënies së automobilit me sy mbyllur, por, afër tij qëndronte një drejtues profesional, i cili e kishte për detyrë që t'ia tregonte rrugën me anë të mendimeve. E gjithë kjo u bë nën kontroll të caktuar. Mesingu kishte ngarë automobilin pa problem, edhe pse e njihte shumë pak.

Pas agresionit gjerman mbi Poloninë, Mesingu kaloi në Rusi. Atje qëndroi deri në fund të jetës. Një ditë, me rastin e një manifestimi, Mesingun e marrin dy vetë dhe e dërgojnë tek Stalini. Disa herë takohet me Stalinin. Ai eksperimentoi me aftësitë e tij, nën kontroll të policisë. Njëra ndër detyrat ishte edhe plaçkitja e bankës (100.000 rubla) përmes një letre të thjeshtë. Mesingu merr një copë letre nga një fletore e thjeshtë dhe i afrohet arkëtarit, duke u përqendruar. Me mendim i sugjeron se kjo letër është çek me vlerë prej 100.000 rublash dhe ai duhet t'ia jepte. Kur u krye gjithë ceremonia, në prani të dëshmitarëve, Mesingu kthehet tek arkëtari me të hollat dhe i shpjegon se çfarë kishte ndodhur. Arkëtari e shikon me dyshim, por kur i kontrollon çeqet, shef se në mes tyre gjendet me të vërtetë një copë letër e thjeshtë dhe kur sheh të hollat e futura në çantën e Mesingut, i bie të fikët.

Testi tjetër ishte edhe më i rëndë. Ai duhej që pa leje të hynte në vilën e një personaliteti të lartë sovjetik, e cila ishte e ruajtur nga rojet. Mesingu afrohet tek vila, koncentrohet duke iu sugjeruar rojeve: "Unë jam Berija, unë jam Berija, më lëshoni të hyj!"(Berija ishte udhëheqës në zë i NKVD-së). Dhe vërtet, rojtarët e lejojnë pa fjalë që të hynte brenda në vilë.

Këto eksperimente në Moskë Mesingut i sjellin famë të posaçme dhe qeveria i jep leje për manifestime të lira nëpër gjithë territorin e Bashkimit Sovjetik.

Ky ishte vetëm një ndër rastet e shumta të kësaj dukurie.

Disa shpjegime shtesë mbi telepatinë

Problemi teorik themelor është se si telepatia mund të funksionojë, ndonëse ka barriera hapësinore e materiale, të cilat pengojnë format e tjera të komunikimit. Shumica e kërkimeve sjellin si përfundim se për telepatinë nuk ka pengesa! Kontaktet telepatike mund të vendosen me subjekt edhe në nëndetëse, në thellësi deri në 3000 metra, si dhe në largësi nga dërguesi disa mijëra kilometra.

Numri më i madh i shkencëtarëve paraqesin teorinë se esenca e telepatisë është në bartjen e energjisë nga njëri sistem nervor në tjetrin, siç bëhet bartja në mes dy radiostacioneve. Duke pasur parasysh se kërkimet elektroencofalograf ike kanë treguar se masa e trurit emeton valë me frekuenca të ndryshme, supozohet se mendimet e caktuara kanë valë të caktuara me karakteristika ende të pazbuluara dhe që mesazhet barten me anë të këtyre valëve dhe një trupi pranues deshifrohen.

Një variant i kësaj teorie është hipoteza e Kozinskit, sipas së cilës themelore në telepati është elektroinduksioni, në të cilin valët elektromagnetike indukojnë gjendjen e dëshiruar në trurin pranues.

Këtë teori e demanton plotësisht me eksperimentet e tij Leonid Vasiljev, më 1963. Vasiljev i hipnotizonte subjektet dhe i fuste në kafazin e Faradeit, i cili eliminon plotësisht bartjen e valëve elektromagnetike. Kjo situatë nuk ndikonte fare në sugjestionet telepatike, kështu që sot teoria elektromagnetike mbi telepatinë konsiderohet si e pavlerë.

Roli, më 1966, në veprën e tij "Perceptimet jashtëshqisore dhe të mbajturit mend" jep teorinë e fushës psikike. Sipas asaj teorie, secili objekt dhe secila qenie e gjallë e ka fushën psikike, ngjashëm me gravitacionin (fusha e gravitetit ndikon pa marrë parasysh pengesat dhe izolimet). Ajo çfarë ndodh në një fushë psikike, dyfishohet në fushën tjetër. Dobësia e vetme e kësaj teorie qëndron në atë se njëra dukuri - telepatia, shpjegohet me dukurinë tjetër - gravitetin, i cili edhe sot e kësaj dite nuk është i sqaruar plotësisht.

Zbulimi i një numri të madh të grimcave elementare në fizikën atomike kishte rëndësi edhe për psikotronikën. Kështu, Artur Kestler në veprën "Rrënjët e koinçidencës" solli mendimin e disa fizikanëve se ekziston grimca elementare e posaçme e quajtur PSITRON, e cila është bartëse e informatave në territorin e perceptimeve jashtëshqisore. Me gjithë arritjet e fizikës moderne atomike, kjo hipotezë nuk na afron drejt sqarimit derisa të mos zbulohet ajo grimcë.

Gardner Marfi, në sqarimin e telepatisë, thekson rëndësinë e marrëdhënieve personale mes dërguesit dhe pranuesit të valëve telepatike. Gjendja e ndryshuar psikike zvogëlon vetëdijen dhe i afron qeniet njerëzore njërën pranë tjetrës më shumë sa është e mundur gjatë gjendjes sonë "normale". Marfi posaçërisht thekson se dërguesi dhe pranuesi, respektivisht vetë mundësia e manifestimit të telepatisë, paraqet një fazë më të thellë të organizmit të përgjithshëm të vetëdijeve tona, si dhe nivelin e ndikimit intim në shtresat më të thella, në të cilat fenomenet paranormale ndodhin. Duke u thelluar në shtresat e thella, të vetat, individi largohet nga e vetëdijshmja, me ç'rast shfaqen horizonte e përmasa të reja, të mjaftueshme për arritjen e kontaktit me dukuri reale, të cilat e tejkalojnë kohën dhe hapësirën.

Sipas Teorisë së Sinkronicitetit, të cilën e formuloi C. G. Jungu, përveç arsyes së lidhjeve kauzale në mes të paraqitjeve në natyrë, ekzistojnë edhe lidhje sinkronike akauzale, të cilat i lidhin dy dukuri me përmbajtje të njëjtë të kuptimit. Sipas Jungut, i cili në formulimin e kësaj teorie u frymëzua nga sistemi i vjetër kinez "JI-Xhing", gjithçka që ndodh në një moment të caktuar, përmban karakteristikat e pandara të atij momenti. Fenomene sinkronike paraqiten në gjendje të ulët të vetëdijes dhe janë të ngarkuara me emocione, siç janë: ëndrrat, gjendjet meditative, sëmundjet shpirtërore e të ngjashme. Në ato raste, përmbajtja e vetëdijes së emetuesit dha pranuesit në telepati janë të njëjta për nga kuptimi, sepse përmbajtja e njëjtë ose e ngjashme paraqitet në momentin e njëjtë tek të dy. Teoria e sinkronicitetit sqaron edhe shumë dukuri të tjera nga jeta, p.sh: lindja e ideve njëkohësisht tek dy persona ose dukuria e njohur kur dikush na merr "fjalën nga goja", etj. Edhe pse kjo teori në këtë periudhë është njëra nga më të pranuarat në kuadrin e teorive të tjera, prapëseprapë është larg sqarimit të plotë të fenomenit të quajtur telepati.

Si përfundim, mund të thuhet se shumica e eksperimenteve të psikotronikës, tregojnë se perceptimet jashtëshqisore janë procese të komunikimit të materieve të gjalla e jo vetëm të qenieve njerëzore. Kjo na bie deri te supozimi se telepatia është proces themelor i interaksionit tonë me rrethin, eventualisht më i vjetër se sa komunikimi verbal, përmes të cilit komunikojmë ne sot. Kjo dukuri gradualisht u zhduk me zhvillimin e funksioneve, të cilat e zëvendësuan dhe e lanë të shtyrë në prapavijë, sepse organet shqisore dhe funksioni i të folurit janë më të përshtatshëm për komunikim dhe veprim në rreth. Megjithëkëtë, perceptimet jashtëshqisore nuk u zhdukën, por vetëm u mënjanuan dhe, në gjendje kur humbet kontrolli i qendrave të larta të vetëdijes, siç janë rastet e rreziqeve për jetë, tronditjet e thella shpirtërore etj, këto funksione dhe mekanizma jashtëshqisore, të lënë anash, aktivizohen.

Marre nga RD