×

Truri - "Ky top magjik"

Truri - "Ky top magjik"

· 11 · 2346

  • Postime: 22764
  • Gjinia: Mashkull
M A X
ne: 31-05-2009, 15:22:46
 I përbërë nga miliona neurone, truri është organi më i ndërlikuar i çdo gjallese. Shprehur figurativisht ai është më i ndërlikuar se cilido kompjuter i sotëm modern, pra një superkompjuter biologjik

TRURI - "KY TOP MAGJIK"

Për t'i kuptuar më mirë sjelljet e njerëzve, duhet të dimë më shumë mbi ndikimet biologjike tek ata. Pra, cili është ai gjenerator aq i fuqishëm që i fut në funksion gjithë këto procese psiko-fizike? Kush tjetër, përveç trurit.

Truri ka tërhequr gjithmonë vëmendjen, jo vetëm të psikologëve të sotëm, por edhe të dijetarëve që nga kohët më të lashta, sepse aktiviteti i tij psiko-fizik, ndikon dhe drejton pothuajse shumicën e sjelljeve. I përbërë nga miliona neurone, truri (sidomos ai i qenies njerëzore) është organi më i ndërlikuar i çdo gjallese. Shprehur figurativisht ai është më i ndërlikuar se cilido kompjuter i sotëm modern, pra një superkompjuter biologjik. Sa për ilustrim, sërish figurativ, mund të themi se i tërë rrjeti telefonik botëror, në krahasim vëllimor me trurin, paraqet vetëm një kokërr fasuleje.

Truri është edhe pjesa më e rëndësishme dhe më e ndërlikuar e sistemit nervor. Ai veçanërisht luan rol shumë të rëndësishëm për zhvillimin e jetës psikike të njeriut; rregullon funksionimin e organeve; harmonizon organizmin në përgjithësi; bën të mundur lidhjen e organizmit me realitetin objektiv (nëpërmjet transmetimit të impulseve nervore) dhe paraqet bazën fiziologjike për tërë jetën psikike: pra, është bartës i të gjitha proceseve psikike.

Pjesët kryesore të trurit janë tri: truri i madh, truri i mesëm dhe truri i vogël, kurse pjesa më e rëndësishme dhe më e zhvilluar e tij është korja e trurit ose siç quhet ndryshe, korteksi. Në zhvillimin e sistemit nervor, korja e trurit zhvillohet më vonë dhe ajo paraqet rezultatet më të larta të evolucionit. Sipërfaqja e saj është rreth 2m2 dhe përmban rreth 14 miliard elemente qelizore.

Truri i të porsalindurit është katër herë më i lehtë se ai i njeriut të rritur. Deri në vitin e gjashtë truri arrin përafërsisht 90% të peshës dhe të proporcioneve të tij përfundimtare. Kështu, ndërmjet moshës 9 dhe 10-vjeçare, truri i fëmijës arrin të ketë proporcion gati të njëjtë me atë të trurit të të rriturit. Gjithashtu, është vërtetuar shkencërisht se pesha dhe mosha e trurit nuk është e lidhur drejtpërsëdrejti me zhvillimin e inteligjencë. Truri peshon rreth 1.5 kg.

Forca e trurit

Siç u tha edhe më lartë, inteligjenca nuk varet, as nga pesha e as nga vjetërsia e trurit. Njeriu mund të arrij rezultate fenomenale në moshë shumë të re dhe shumë të vjetër. P.sh. Gogeni filloi të merret me art pas moshës 30-vjeçare. Mikelangelo, veprat më madhështore i krijoi në moshën 80-vjeçare. Edhe Pikaso veprat më të mëdha i krijoi në vitet e 90 të jetës.

Aleksandri i Madh i Maqedonisë i njihte me emër të gjithë ushtarët e tij. Mitroditi ka sunduar mbi 22 popuj dhe ka biseduar me të gjithë pa përkthyes. Kinej Cynes, delegat i mbretit Pirro, për një ditë i mësoi të gjithë emrat e anëtarëve të senatit dhe të shumë njerëzve të tjerë të Romës, me të cilët u takua. Filozofi dhe mjeku arab, Ibun Sina, shekulli X, që në moshën 10-vjeçare e recitonte Kur'anin përmendësh, ndërsa në moshën 14-vjeçare edhe të gjitha veprat e Aristotelit. Shkrimtari spanjoll, Alfonso Tostado, shekulli XV, kishte memorie fantastike: secilin libër që e lexonte dy herë, mund ta përsëriste fjalë për fjalë. Moxarti që në moshën 14-vjeçare, në kishën e Shën Pjetrit në Romë, mbante mend gjatë kohës së interpretimit gjithë muzikën e një muzikanti të madh, notat e së cilës ruheshin në fshehtësi. Indiania, Shakuntala Devi ishte për gjashtë sekonda më e shpejtë se kompjuteri në zgjidhjen e një problemi të ndërlikuar matematikor (është fjala për vitet 80) etj.

Gjithashtu, truri i madh ndahet edhe në dy pjesë: e majta dhe e djathta, kështu që secila anë e trurit kontrollon pjesën e kundërt të trupit: pra, në qoftë se dëmtohet ana e majtë e trurit, pëson paralizë pjesa e djathtë e trupit dhe anasjelltas.

Kërkimet më të reja nga profesoresha Roberta Ornshtajn, japin dritë më tepër në aktivitetin e këtyre dy pjesëve të trurit. Pjesa e majtë e trurit drejton aktivitetet shkencore: matematikën, logjikën, analizën etj., ndërsa pjesa e djathtë drejton aktivitetet artistike: ngjyrat, muzikën, ritmin, fantazinë etj.

Sipas Ornshtajn-it, njerëzit që janë mësuar ta shfrytëzojnë njërën anë të trurit, e kanë vështirë ta shfrytëzojnë edhe pjesën tjetër. Është interesante se kur njëra anë e trurit dëmtohet, atëherë e gjithë forca kalon në anën tjetër. Por në qoftë se shfrytëzohen të dy pjesët e trurit, shumëfishohet aftësia deri në gjenialitet.

Hulumtimet tek njerëzit, të cilët zakonisht konsiderohen artistë ose shkencëtarë të mëdhenj dhe supozohet se kanë shfrytëzuar te dy pjesët e trurit, japin këto rezultate: Ajnshtajni konsiderohet si shkencëtari më i madh i kohës së vet. Ai nuk ishte vetëm matematikan apo fizikan, por edhe ëndërrues i madh, i cili për ëndërrimet gati sa nuk u përjashtua nga kolegji. Sipas fjalëve të tij, Teorinë e relativitetit nuk e zbuloi, duke punuar në tavolinë, por i shtrirë, duke shikuar diellin me sy gjysmë të mbyllur. Rrezet e diellit, duke kaluar nëpër qepalla, oscilonin duke u shpërndarë në mijëra rrezatime të imëta. Ajnshtajni pyeti veten se si do të dukej udhëtimi në një nga ato rreze të diellit. Kështu, fantazia e çoi deri në atë vend, ku njohuria shkollore nuk e lejonte të shkonte, por imagjinata (ana e djathtë e trurit) dhe njohuritë shkencore (ana e majtë e trurit) e çuan atë deri te zbulimi më i rëndësishëm i të gjitha kohërave - Teoria e Relativitetit.

Pikaso, një ndër piktorët më të njohur të kohës së sonë, tregon se në mënyrë matematikore dhe gjeometrike e ka përshkruar atë që ka dashur ta punojë, duke paraqitur me detaje marrëdhëniet specifike, të cilat ka pretenduar t'i krijojë me ngjyrë, formë dhe vijë.

Ndoshta rasti më i mirë për ilustrimin e forcës së përbashkët të dy pjesëve të trurit do të ishte Leonardo da Vinçi, një ndër kokat më kreative të të gjitha kohërave, i cili ishte: matematikan, linguist, artist, anatomist, arkitekt etj. Supozohet se Leonardo me njërën dorë ka vizatuar, ndërsa me tjetrën ka shkruar shënimet e tij. Ekspertët që janë marrë me punimet e Leonardos, thonë se për t'i përmbledhur të gjitha punimet e tij, një njeriu i duhet 40 vite punë e pandërprerë, nga tetë orë në ditë dhe atë, me njërën dorë të shkruaj, ndërsa me tjetrën të vizatojë.

Siç pamë edhe më lart, kapaciteti i trurit është i pakufishëm. Sa është i pakufishëm aq është edhe i pazbuluar dhe misterioz ose me fjalë të tjera, truri është i vetmi organ që studion vetveten.

Konsiderohet se truri është një ndër krijesat më të ndërlikuara dhe më të çuditshme të natyrës në tokë dhe se është fare pak i shfrytëzuar. Sipas Prof. Toni Bizen, trurin e kemi në funksion vetëm 1%, ndërsa Karl Shishar jep mendimin se vetëm 10% e trurit shfrytëzohet, kurse pjesa tjetër (90%) është një gjigant i fjetur. Ndërsa sipas njohurive më të reja, supozohet se ne shfrytëzojmë vetëm 4% nga numri i përgjithshëm i qelizave nervore.

Nga gjithë kjo që u tha, del se truri posedon kapacitet të pamatur, të cilin asnjë tru elektronik, së paku deri më sot, nuk mund ta arrijë. Ai mund të pranoj (teorikisht) deri në 10 15% të mendimeve. Se sa është mundësia e pamatur e pranimit të informacioneve mund ta kuptojmë vetëm përmes rrugës së krahasimit figurativ. Për t'u numëruar kjo madhësi e informacioneve, një njeriu i duhen 30 milion vjet punë të pandërprerë, ditë e natë, me shpejtësi: një informacion për një sekondë; ose nëse e paramendojmë se secila pjesë e mendimeve ose çdo informacion është në madhësinë e një kokrre gruri, atëherë kjo masë e pamatur e grurit do të mund të vendosej në një depo, e cila do të kishte lartësinë 3 metra, gjerësinë 5 metra dhe gjatësinë 4500 km.

Në koren e trurit, mendohet se ekzistojnë rreth 15 miliard qeliza, të cilat po të vendosen në një varg të pandërprerë, do të formonin gjatësinë rreth 100.000 km.

Se si funksionojnë ato qeliza në tru, me biliona lidhjesh mes tyre ndoshta kurrë nuk do të zbulohet.

Historia e zhvillimi i trurit

Siç e pamë edhe më lart, truri ka tërhequr vëmendjen e njeriut që nga lashtësia. Sipas shënimeve historike, truri për herë të parë përmendet në një papirus, të cilin historianët e mjekësisë e konsiderojnë si librin më të vjetër mjekësor në botë.

Ky papirus edhe u emërtua si "Papirus Edvin Smith", sipas emrit të personit, i cili e gjeti në Ksar (Egjipt) më 1862. Supozohet se është shkruar rreth vitit 1700 p. e. s. (1200 vjet para Hipokratit, babait të mjekësisë, në formulën e të cilit edhe sot e kësaj dite betohen mjekët e rinj para se ta fillojnë këtë profesion).

Truri përmendet edhe tek grekët e vjetër, si tek Hipokrati, Aristoteli, Platoni etj., por edhe më vonë, në shkollën e Alkesandriesë, 335 - 285 p. e .s., Herofili dhe kolegu i tij Erazistrati, filluan të merren në mënyrë sistematike me trurin dhe që atëherë zbulimet për trurin përparojnë ngadalë nëpër shekuj deri në ditët tona.

Përsosja e pjesëve të posaçme të trurit, tek organizmat shtazorë gjatë evolucionit, vështirë mund të shpjegohet, edhe pse evolucioni i shqisave organike ka filluar mjaft herët, që në kohën kur janë formuar organizmat njëqelizorë.

Mund të thuhet se tek shqisat organike ekziston një substancë, e cila ka rolin e baterisë për shndërrimin e rrezeve të marra në energji elektrike me forcë të ulët. Të gjitha kërkimet për sistemin e komunikimit nëpërmjet sinjaleve biologjike (impulseve) te organizmat shtazorë, vërtetojnë se komunikimi kryhet posaçërisht nëpërmjet impulseve bioelektrike. Përshtypjet e jashtme mbarten nëpërmjet shqisave (në formë fotografish) në qendrat përkatëse, ku një pjesë e tyre mbeten përgjithmonë lidhje biokimike. Pra, shqisat, jo vetëm të njeriut, por edhe të shumë gjallesave tjera, nuk janë gjendje metafizike, por procese biokimike. P.sh. pa kujtesën organizmat shtazorë nuk do të bënin shumë dallime. Ato nuk do e dinin kë e kanë mik e kë armik; nuk do të mund të kryenin zgjedhjen e ushqimit; nuk do e njihnin partnerin e vet. Praktikisht, ato do të silleshin në mënyrë shumë instinktive.

Sipas shumë eksperimenteve me shtazë, të cilave u është hequr truri i madh, është vënë re se ato shtazë kanë treguar sjellje shumë të pakoordinuara. P.sh. gjarpri, pa trurin e madh, mund të lëvizë shumë mirë, por nuk i njeh armiqtë e vet. Pëllumbi, pa trurin e madh, qëndron pa lëvizur si nje mumje, pra nuk tregon asnjë interes për ndodhitë që zhvillohen rreth tij. Qeni pa trurin e madh, nuk e njeh pronarin e vet, nuk e dallon ushqimin e nuk e njeh as frikën. Majmuni pa trurin e madh, nuk posedon kujtesë ose inteligjencë dhe jeton deri në tri javë. Bretkosa dhe peshku, pa trurin e madh, kanë sjellje gati normale. Kurse, fëmija pa trurin e madh, në një rast ka jetuar tri vjet e nëntë muaj, edhe pse nuk e ka njohur nënën e vet dhe nuk ka mundur të mësojë asgjë.

Ndërsa tek njeriu, gjatë eksperimentimeve, kemi këto rezultate: Çrregullimi i funksionit të trurit të vogël ka si pasojë jostabilitetin e theksuar gjatë qëndrimit me sy hapur, luhatet tepër, është jostabil, kurse symbyllur rrëzohet. Te çrregullimet apo ngacmimet e trurit të mesëm, shkaktohet humbja e ndjenjës mekanike, termike, akustike, optike ose shkaktohet ndjeshmëria e tepruar (hiperstezia). Çrregullimi i trurit të madh, respektivisht i kores së trurit, mund të shkaktojë humbjen e plotë të kujtesës ose të shkaktojë rritjen maksimale të saj.

Neokirurgu nga SHBA, Dr. Wait, arriti i pari të izolojë trurin. Mbi 100 tru të majmunëve, Wait-i arriti t'i ndajë nga kafka dhe t'i largojë nga truri dhe për orë të tëra t'i mbajë në jetë. Ndërsa tre shkencëtarë japonezë (Sudo, Kito dhe Adaqi), arritën që disa tru macesh t'i ngrijnë deri në -20º C, t'i ruajnë në frigorifer me ngrirje të thellë dhe prapë t'i ringjallin. Kur arritën ta ndajnë trurin nga trupi, atëherë lindi edhe ideja për mundësinë e shartimit të trurit. Dr. Wait-i arriti i pari ta realizojë këtë eksperiment që në vitin 1965 nëpërmjet transplantimit të trurit të qenit. Prapë lindi pyetja: a mund të bëhet kjo edhe te njeriu? Wait-i mendon se po, por thotë se ai nuk do e bëjë i pari, pasi ende nuk e ka gjetur daljen nga dilema se a është kjo e drejtë apo jo.

Shkaqet e zhvillimit të trurit nuk mund të jenë vetëm dëshirat dhe aktivitetet e qenieve të gjalla. Kushti, pothuajse kryesor për zhvillimin e trurit, është ambienti natyror, në të cilin sillet njeriu. Njeriu dhe ambienti janë faktorë, nga të cilët varet edhe zhvillimi i shpejtë ose i ngadaltë i trurit. Duhet të theksojmë se, inteligjenca trashëgohet nga paraardhësit në masë shumë të vogël, prandaj ajo arrihet dhe zhvillohet nga aktiviteti gjatë gjithë jetës. Pra, me të drejtë fiziologu Sherington, i cili zbuloi shumë ligje të funksionimit të trurit, e quajti atë "top magjik" dhe konsideroi se truri do të mbetet fshehtësia e natyrës, e cila e fundit do t'i zbulohet njerëzimit.

Përgatiti:

KLARITA BAJRAKTARI
RD

  • Postime: 22764
  • Gjinia: Mashkull
M A X
#1 ne: 05-09-2011, 11:20:52
Zbulohen zonat e trurit ku lindin shijet

Zbulohen katër zonat e trurit ku gjenden neuronet që mundësojnë dallimin e shijeve të ëmbëlsirave, të kripurave, të hidhurave, të thartave dhe umami (e ashtuquajtura shija e pestë).

Zbulimi është bërë për herë të parë në trurin e miut nga disa kërkues amerikanë të koordinuar nga “Howard Hughes Medical Institute” i Nju Jorkut.

Ndërkohë në një artikull në “Science” është rindërtuar harta e parë e shijes për trurin e gjitarëve.

Zbulohen substancat që plakin trurin

Disa ditë më parë janë zbuluar në “gjakun plak” substancat që plakin trurin: një prej tyre, e izoluar në gjakun e minjve të moshuar, quhet “eotaxina” dhe rezulton në sasi të madhe edhe në gjakun dhe lëngun cerebrospinal të personave të moshuar.

Prezenca e saj në gjak shkakton një pakësim të memories, tipike në “moshën e tretë”.

I bërë publik tek “Nature”, zbulimi i përket kërkuesve të Stanford University në Kaliforni.

Prodhohen embrione transparente të miut

Embrione transparente të miut si ektoplasma janë krijuar në laboratorët japonezë të Institutit të Neuroshkencës “Riken di Wako”, në afërsi të Tokios.

Imazhet në 3D, të publikuara në Nature Neuroscience, të japin mundësi të shikosh nëpërmjet trurit të tyre deri në identifikimin e enëve të caktuara të gjakut dhe strukturave nervore.

Rezultati është arritur falë trajtimit me një reagent të ri nga laboratori që bën transparent lëndën biologjike.

Nëpërmjet këtij eksperimenti do të bëhet e mundur studimi i trurit deri në strukturat nervore më të imëta të tij, në mënyrë për të kuptuar sa më mirë funksionimin apo identifikuar shkaqet e sëmundjeve që prekin këtë organ. /top channel

  • Postime: 22764
  • Gjinia: Mashkull
M A X
#2 ne: 05-09-2011, 11:21:37
Zbulohen substancat që plakin trurin

Zbulohen në “gjakun plak” substancat që plakin trurin: një prej tyre, e izoluar në gjakun e minjve të moshuar, quhet “eotaxina” dhe rezulton në sasi të madhe edhe në gjakun dhe lëngun cerebrospinal të personave të moshuar.

Prezenca e saj në gjak shkakton një pakësim të memories, tipike në “moshën e tretë”.

I bërë publik tek “Nature”, zbulimi i përket kërkuesve të Stanford University në Kaliforni. /top channel

  • Postime: 22764
  • Gjinia: Mashkull
M A X
#4 ne: 24-10-2011, 16:33:33
Truri përmirësohet me kalimin e kohës

Sa më shumë plakemi, aq më shumë bëhemi të zgjuar.

Kjo gjë pak a shumë dihej, por lajmi është se truri ynë përmirësohet me kalimin e kohës. Është e vërtetë që pakësohet sasia e lëndës gri dhe ngadalësohet arsyetimi, por është e vërtetë edhe që mendohet më mirë.

Një kërkim shkencor nga Universiteti i Montrealit ka vënë përballë dy grupe personash: një grup të përbërë prej personash nga 55-75 vjeç dhe një grup tjetër të përbërë nga të rinj. Të gjithëve u është dhënë një test.

U vu re që të rinjtë aktivizonin më shpejt zonat e duhura të trurit, por ishin të moshuarit ata që u përgjigjën drejtë edhe pse pak më vonë.

“Truri i vjetër e di që nuk duhen marrë vendime të nxituara. Gjithashtu ka më shumë besim në vetvete dhe nuk ka frikë nga kritikat”, shprehet profesori Oury Monchi, i cili ka udhëhequr kërkimin. /top channel

  • Postime: 22764
  • Gjinia: Mashkull
M A X
#5 ne: 06-01-2012, 17:07:40
Sipas një studimi anglez, në moshën 45-vjecare nis rënia e kapacitetit për të arsyetuar dhe memories. Rënia shënohet në masën 3.9 për qind dhe nis tek burrat e gratë përkatësisht në moshën 45 e 49 vjec.

Nga studimi i Universitetit të Londrës u vërtetua se goditjet vijnë më shpejt se parashikimet. Truri jonë nis rënien më herët, jo në moshën 60-vjecare sic ishte parashikuar në një studim të mëparshëm që mbështetej mbi shumë kërkime shkencore.

Nisja 15 vjet përpara e plakjes së trurit fillon me humbjen e kapaciteteve për të memorizuar objektet, fjalët apo sjelljet e arsyetimet, ishin rezultatet që nxorri kërkimi i publikuar në Gazetën British Medical.

Sipas kërkimit shkencor aktiviteti i arsyetimit dhe memoria në rënie bie rreth 3,6% tek burrat e gratë përkatësisht në moshat 45 e 49 vjec.
Situata përkeqësohet me kalimin e viteve, ku rënia arrin 9.6 % tek burrat në moshën 65 e 70 vjec, por që ndalon tek femrat me të njëjtën moshë në masën 7.4.
Kërkimet e Universitetit të Londrës kanë provuar testin në 7 mijë persona, (5.198 burra dhe 2.192 gra që pranuan me vullnetin e tyre testimin) për 10 vjet me radhë. Gjatë kësaj kohe, shkencëtarët kanë hetuar këta persona me prova në memorie, si zotërim të fjalorit, kujtesës apo arsyetimit. Rezultati është se mosha në të cilën shënohet pragu i rënies së kujtesës ishte shumë më afër se nga mosha që dihej më parë.

Në dritën e rezultateve të kërkimit, sipas ekspertëve anglezë tani duhet të punohet në mundësinë për të parandaluar këtë duke luftuar faktorët që ndikojnë në këtë plakje të trurit.

(d.bonollari/BalkanWeb)

  • Postime: 22764
  • Gjinia: Mashkull
M A X
#6 ne: 17-01-2012, 23:05:09
Nëse thyhen një krah dhe e fut në allci, atëherë edhe truri yt, në njëfarë mënyre, do të hyjë në allci, duke ngrirë pjesët motorike që kontrollojnë krahun e thyer.

Kështu thotë një studim i publikuar në “Neurology”, sipas të cilit bllokimi fuqizon ato pjesë të tjera të trurit që kontrollojnë krahun e shëndetshëm.

Megjithatë, ende nuk është e qartë nëse “ngrirja” është e përkohshme dhe rikthehet kur allcia hiqet, apo nëse modifikimet cerebrale pas frakturës janë të përhershme. /top channel

  • Postime: 22764
  • Gjinia: Mashkull
M A X
#7 ne: 30-01-2012, 12:37:11
Një studim i ri tregon se njerëzit që gjatë jetës së tyre kanë kryer veprimtari stimuluese të trurit kanë nivele më të ulëta të proteinave të depozituara në tru, të cilat lidhen me sëmundjen e Alcajmerit.

Zbulimet e reja mbështesin kërkime të mëparshme që sugjeronin se leximi, shkrimi dhe lojrat mund të ulnin rrezikun prej sëmundjes mendore. Shkencëtarët punuan me një grup vullnetarësh mbi 65 vjeç, të cilët nuk shfaqnin simptoma të sëmundjes së Alcajmerit.

Ata u pyetën se sa shpesh gjatë jetës së tyre kryenin veprimtari stimuluese të trurit. Ata gjithashtu iu nënshtruan një skanimi të trurit, i cili mund të identifikojë beta-amiloidet e depozituara. Ato depozita gjenden në trurin e njerëzve që kanë Alcajmerin.

Shkencëtarja e Universitetit të Kalifornisë në Berkeley Susan Landau thotë se studimi tregoi një lidhje midis sasisë të këtyre depozitave dhe aktiviteteve stimuluese të trurit të kryera gjatë jetës.

Duhet patur parasysh se personat pjesëmarrës në këtë studim, shumica e të cilëve mbi 70 dhe 80 vjeç, nuk shfaqnin ndonjë shenjë të Alcajmerit.
Shkencëtarët janë ende duke u përpjekur të zbulojnë lidhjen midis depozitave të beta-amiloideve në tru dhe sëmundjes mendore.

Mosha e madhe dhe diagnostikimi i sëmundjes në pjesëtarë të tjerë të familjes konsiderohen si elementë që ndikojnë në rritjen e rrezikshmërisë, por këto faktorë janë jashtë kontrollit të individit. Dhe nëse truri i personit nuk ka qenë shumë aktiv deri në atë moment, znj. Landau thotë se nuk është tepër vonë për të rritur aktivitetin mendor.
(er.nu/VOA/BalkanWeb)

  • Postime: 22764
  • Gjinia: Mashkull
M A X
#8 ne: 05-03-2012, 19:59:41
Mënyra e të ushqyerit mund të ndihmojë në ruajtjen e rinisë së trurit? Nëse do të bazohemi në përfundimet e studimit më të fundit, mesa duket po. Sipas studimit të sapo publikuar në Neurology u vu re se personat e moshuar që kanë një nivel të lartë të disa vitaminave të grupit B (B1, B2, B6, B12), vitaminat C, D dhe E dhe nivele të larta të acideve yndyrore omega 3 (tipike tek peshku) arrinin rezultate më të larta në teste të zhvilluar mbi ta. Ndërkohë që personat që kishin nivele të larta të acideve yndyrore trans (të konsideruar si acidet më pak të shëndetshme) arritën rezultate më të këqija në teste.
Studimi
Studimi u realizua në SHBA nga kërkuesit e Universitetit të Shkencës dhe Shëndetit në Oregon, në mbi 104 persona me moshë mesatare 87 vjeç. Po përse u mendua se është pikërisht niveli i këtyre vitaminave dhe acideve yndyrore omega 3 që ndikojnë në ruajtjen e rinisë së trurit? Arsyeja është e thjeshtë: U mendua se këto substanca mund të ishin tregues të vlefshëm të konsumimit të ushqimeve (siç janë perimet me gjethe të gjelbra, frutat dhe peshku), që sipas studimeve të mëparshme ishte arritur në përfundimin se ishin të nevojshme për shëndetin e trurit. Në kundërshtim me këtë, acidet yndyrore trans janë konsideruar si tregues të një diete pak të shëndetshme, të pasura kryesisht me ushqime të yndyrshme, të pasura me margarinë dhe ushqime të skuqura. Po përse duhet të marrim për bazë rezultatet e këtij studimi? Sipas njërit prej mjekëve më të njohur italianë, efikasiteti njohës u studiua nëpërmjet testeve neuropsikolegjikë, të cilët janë të ndjeshëm ndaj rënies moshore dhe masin aspekte të memories, inteligjencës, si dhe elementë të depresionit. Ajo që del nga ky studim, por që sigurisht duhet të rikonfirmohet nga studime të tjera, është se karakteristikat e trurit mund të ndikohen në mënyrë të efektshme nga mënyra e të ushqyerit që ndiqet nga persona të ndryshëm.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

  • Postime: 22764
  • Gjinia: Mashkull
M A X
#9 ne: 05-03-2012, 19:59:54
Një studim i Universitetit të Washingtonit ka arritur në përfundimin se fëmijët të cilët kanë pasur gjithmonë prindërit apo një të afërm që i përkëdhelte kur shkojnë në shkollë janë më të përqendruar dhe të çlirët në procesin e mësim nxënies.

Studiuesit kanë gjetur një lidhje mes këtij përqendrimi që vjen nga një pjesë e caktuar e trurit dhe përkujdesjes së prindërve, në veçanti të nënës. Sipas këtij studimi, fëmijët që rriten me dashuri dhe përkujdesje janë më të prirur të përshtaten kollaj me mjedisin ku ndodhen dhe të arrijnë rezultate të mira, pasi truri i tyre është më i zhvilluar.

Kur trupi përballet me kushte të vështira apo stresante, truri aktivizon sistemin nervor autonom, një sistem i pavullnetshëm që kontrollon lirimin e hormoneve të stresit. Këto hormone na ndihmojë për të përballuar stresin duke rritur rrahjet e zemrës dhe stimulimin e trupit për të reaguar. Hipokampus është struktura kryesore e përfshirë në këtë përgjigje të pavullnetshme dhe gjithashtu luan një rol kyç në proceset e të mësuarit dhe kujtesës. Pikërisht kjo strukturë e trurit zhvillohet më shumë, kur një fëmijë rritet me dashuri.

Disa studime të mëparshme kishin sugjeruar se një prind i kujdesshëm mund të inkurajojnë zhvillimin e trurit, por deri tani nuk kishte prova solide empirike që vërtetonin ndryshimet neuro-anatomike të favorizuara nga një njeri i dashur.

Autori i këtij studimi argumenton se baballarët dhe nënat duhet të marrin një trajnim specifik për mënyrën se si të kujdesen për mbështetjen dhe fëmijët e tyre dhe duhet të dinë bazat më elementare të një kujdestari kompetent. Është e qartë se kjo ndodh rrallë dhe në fakt nuk ekzistojnë, së paku në vendin tonë. Megjithatë, nevoja për shërbime të tilla po bëhet gjithnjë e më e qartë.
(ma.ar/BalkanWeb)

  • Postime: 22764
  • Gjinia: Mashkull
M A X
#10 ne: 09-06-2019, 21:21:23
Suplementet më të mira për të forcuar trurin
 

Plakja është pjesë e pashmangshme e jetës, ndërkaq suplemente dhe metoda të caktuara mund t’ju ndihmojnë ta ngadalësoni dobësimin e aftësive kognitive dhe t’ju ndihmojnë të jetoni më gjatë.

Suplementet besohet ta ndihmojnë shëndetin kognitiv duke e rritur qarkullimin e gjakut në tru dhe duke i përmirësuar funksionet e trurit, memorien dhe mprehtësinë. Këto suplemente gjithashtu e forcojnë trurin dhe e zvogëlojnë rrezikun e demencës dhe sëmundjes së alzheimerit.

Vitaminat B
Në një studim shkencor, personat mbi moshën 70 vjeçare kishin konsumuar vitamina B.
Pacientët më parë kishin vuajtur nga dëme të lehta kognitive dhe shkencëtarët kishin zbuluar se ata pacientë të cilët kishin përdorur një kombinim të vitaminave B – acid folik dhe vitaminë B12 – kishin pasur dobësim më të ngadaltë të aftësive kognitive.

Është e këshillueshme që të mos mbështetni vetëm në ushqimin që e hani për t’i marrë këto vitamina, por edhe t’i merrni në formë të suplementetit.

Kurkumi
Ky përbërës gjendet në shafran, andaj edhe ka ngjyrë të artë. Kurkumiju furnizon me një sërë vetish antipezmatuese dhe me antioksidantë. Disa hulumtime kanë zbuluar se është shumë fitimprurës për mendimin dhe memorien.

Vaji i peshkut
Suplementet e vajit të peshkut i përmbajnë dy lloje të acideve yndyrore omega-3, të cilat ndërlidhen me shumë përfitime shëndetësore, në mesin e tyre edhe ndihmojnë në ngadalësimin e dobësimit të funksionit të trurit.

Kafeina
Ky simulant natyral jo vetëm se gjendet në kafe, por edhe në çaj dhe çokollatë të zezë. Kafeina funksionon duke e stimuluar trurin dhe sistemin nervor qendror, rrjedhimisht duke ju bërë më të vëmendshëm, më energjik dhe jua përmirëson funksionin e përgjithshëm të trurit