×
Hyrja
Profili

Udhëtimi në kohë: ëndërr, apo realitet i largët?

Udhëtimi në kohë: ëndërr, apo realitet i largët?

· 1 · 3551

  • Postime: 27104
  • Gjinia: Mashkull
Berni
ne: 14-07-2010, 15:10:08
Dy matematikanë rusë kanë sugjeruar së fundi se “atom shpërbërësi” i ndërtuar nga qendra për kërkime bërthamore CERN  në Zvicër, mund të krijojë kushtet për të kryer udhëtimet, deri tani fantastike përpara, ose pas në kohë. Në thelb, të dy matematikanët besojnë se makineria shumë e madhe e kushtueshme dhe e ndërlikuar që ndodhet në CERN që nisi për herë të parë punën në vitin 2008 mund të krijojë të ashtuquajturat “vrima krimbi” në hapësirë që mund të mundësojnë edhe udhëtimin në kohë, sigurisht një version të kufizuar të tij. Nëse kjo do të rezultonte e vërtetë do të ishte hera e parë në historinë njerëzore që është arritur krijimi i një makine kohe. Nëse kjo do të ishte e mundur, atëherë po të vazhdonim me teorinë do të ishte i mundur vetëm udhëtimi pas në periudhën e krijimit të makinerisë së parë dhe kjo do të mundësonte vizitat e udhëtarëve nga e ardhmja. Në një rast të tillë, viti i shpikjes së kësaj makine do të konsiderohej edhe si “viti 0” i udhëtimit në kohë. Por teorikisht dhe mbi të gjitha praktikisht ekzistojnë shumë probleme dhe paradokse për realizimin e një udhëtimi në kohë. Megjithatë, mbetet ende një mundësi teorike që ne të shohim vizitorë në një të ardhme jo shumë të largët. Në fakt, shkencëtarët që e mbështetin një gjë të tillë janë të paktë aq më tepër që një gjë e tillë do të harrohet nga makineria e CERN. Ajo në thelb është krijuar që të provojë ekzistencën e forcave misterioze që ndihen në nivelet sub-atomike dhe duke e kryer një funksion të tillë do të japë përgjigje për shumë pyetje si p.sh. ajo e natyrës së vërtetë të gravitetit. Por ajo nuk është krijuar për të qenë një makinë kohe. Gjithsesi, nëse aksidentalisht do të shndërrohet në një makinë kohe ajo do të kryejë veprime vetëm në nivelin subatomik, pra nuk do të kemi rastin e makinës së famshme të filmit “Udhëtim në të ardhmen”, e cila është në gjendje që të ngarkojë njerëz dhe t’i çojë në kohë të ndryshme. Por mundësia teorike është shumë e debatuar dhe ndërkaq të gjithë janë të mendimit se problemet janë aq të mëdha sa një fakt i tillë nuk ka shans që të ndodhë kurrë. Sipas disa shkencëtarëve, edhe nëse ligjet e fizikës nuk e ndalojnë kryerjen e një udhëtimi në kohë,  kjo nuk do të thotë që ato do të ndodhin. Udhëtimi në kohë është plotësisht i mundshëm. Në fakt, koha kalon në mënyra të ndryshme në vende të ndryshme për shembull në Tokë dhe në orbitën rreth saj dhe ky fakt duhet që të merret në konsideratë nëse do të nisë puna për të ndërtuar një sistem satelitor me këtë mision. Por udhëtimi në të shkuarën, edhe pse teorikisht pranohet në teorinë e Ajnshtajnit nuk pranohet nga opinioni i shumë shkencëtarëve dhe fizikanëve, sidomos atyre që janë të prirur që t’i konsiderojnë ligjet e fizikës të pandryshuara dhe të kufizuara. Këtu hyn teoria e përgjithshme e relativitetit e parashtruar nga Ajnshtajni në vitin 1905. Deri më tani kjo është teoria më e mirë që ekziston në lidhje me natyrën e kohës dhe të hapësirës dhe ishte pikërisht Ajnshtajni ai që bëri i pari formulimin e ekuacionit matematik që njehson kohën me hapësirën në formën e një njësie të quajtur kohë-hapësira. Këto ekuacione dhe vetë teoria nuk e paragjykojnë dhe as e mohojnë idenë e mundshmërisë së një udhëtimi në kohë edhe pse që nga formimi i teorisë kanë qenë të shumtë shkencëtarët që kanë tentuar të provojnë se udhëtimi në kohë është i pamundur. Ideja e udhëtimit në kohë ka qenë një material që është përdorur me sukses në letërsinë dhe kinematografinë fantastiko-shkencore duke filluar që me H.G.Wells libri i të cilit “makina e kohës” u publikua në vitin 1895, 10 vjet para daljes së teorisë së Ajnshtajnit. Shumë interesant është fakti i rilindjes së idesë së makinës së kohës që u rimor në masë nga letërsia fantastiko-shkencore gjatë dhjetëvjeçarëve të fundit. Kur Carl Sagan, astronomi amerikan po shkruante në vitin 1986 romanin e tij “Kontakti”, ai gjeti një mënyrë për të shkruar për udhëtimin në kohë, madje duke aluduar për udhëtime që e kalonin shpejtësinë e dritës që do të thyenin një nga rregullat bazë të fizikës. Personazhet e tij duhet që të fluturonin në hapësirë në distanca të mëdha, ndaj për këtë ai u konsultua me mikun e tij kozmolog, Kip Thorne, që të gjente një mënyrë tjetër të mundshme që e tejkalonte shpejtësinë e dritës për sa i përket udhëtimit. Thorn i sugjeroi se një mënyrë mund të ishte ajo e manipulimit të vrimave të zeza. Kjo do të çonte në krijimin e  “vrimave të krimbit” që është një lloj tuneli në kohë-hapësirë dhe teorikisht mundëson udhëtimin e dikujt nga një pjesë e universit në skajin e tij të kundërt dhe kjo në një fragment të vetëm sekonde. Më vonë ai e kuptoi se një gjë e tillë mund të përdorej edhe në teori për sa i përket realizimit të kryerjes së udhëtimit në kohë. Sigurisht që ishte thjesht një teori, sepse askush nuk do të merrte mundimin të mendonte mundësinë e krijimit të një “vrime krimbi”, por ideja ishte në vetvete interesante dhe jo krejtësisht e pabazuar. Si pasojë pati shumë diskutime mbi ekzistencën e “vrimave të krimbave” dhe udhëtimin në kohë dhe pikërisht kjo ide më vonë u zhvillua dhe ngjalli edhe kuriozitetin e dy matematikanëve rusë që e panë edhe në këndvështrimin e shifrave.

Problemi më i madh teorik në këtë rast njihet si paradoksi i udhëtimit në kohë. Nëse dikush fluturon në të shkuarën dhe bën diçka për të ndaluar ekzistencën e vet atëherë si mund të mundësohet një udhëtim i tillë? Shembulli klasik është ai i udhëtarit të kohës që vret gjyshin para se t’i ketë lindur i ati. Kozomologët që i kanë vënë vetes detyrë që të gjejnë zgjidhje për një paradoks të tillë kanë ardhur me disa syresh. Njëra është hipoteza që nuk ka vetëm një univers, por shumë, madje aq shumë sa çdolloj drejtimi që mund të marrë një ngjarje e caktuar ndodh diku në të gjitha variantet e mundshme. Në këtë multivers, pra tërësi universesh një grua që shkon pas në kohë për të vrarë gjyshen e saj mund ta realizojë një gjë të tillë duke qenë se në një univers tjetër ngjitur me tonin gjyshja jeton për të pasur një vajzë dhe më pas një mbesë që shndërrohet në vrasësen e saj. Shkrimtari-shkencëtar dhe fizikani Xhon Gribin, që është një nga personat që di të japë shpjegimet më të sakta dhe më të qarta në lidhje me hipotezën e multiversit nënvizon një thënie të fizikës: ato që nuk janë të ndaluara, janë të detyrueshme. “Ideja është se tuneli në kohë-hapësirën që mund të formohet në Gjenevë do të jetë i përmasave sa për një atom që do të thotë se edhe nëse krijohet një mundësi e tillë nuk do të ketë vizitorë nga e ardhmja ende në Gjenevë. Edhe pse duket si një ide fantastiko-shkencore, në fakt ka nga ata që në këtë rast shohin gjysmën plot të gotës. Në fund të fundit zbulimet e mëdha nuk janë bërë vetëm nga ata që kanë qenë më të zgjuar, por edhe nga ëndërrimtarët.

A do të jetë e mundur të udhëtohet në kohë:

Po:
Nuk ekziston asnjë ligj i fizikës që e ndalon një gjë të tillë dhe ngjarjet e Gjenevës mund të konsiderohen një hap i parë në këtë drejtim;
Në fizikë, të paktën kështu thuhet, nëse gjërat nuk janë të ndaluara, kanë shumë probabilitet që të ndodhin dikur
Gjithçka që duhet që të ndodhë është puna për të manipuluar vrimat e zeza dhe vrimat e krimbave dhe prej andej të kalojmë në një tjetër hapësirë-kohë

Jo.
Problemet praktike me udhëtimin në kohë janë shumë të mëdha për t’u zgjidhur dhe edhe nëse do të zgjidheshin kush do të dilte vullnetar për të bërë një udhëtim të tillë, ndoshta pa kthim?
Nëse udhëtimi në kohë do të ishte i mundur, përse po presim ende të vijnë vizitorët nga e ardhmja?

Shqip