A mund të udhëtojmë në kohë? Sipas teorisë së dy matematikanëve rusë dhe mundësive që ofron Qendra Evropiane për Kërkimet Bërthamore (CERN) në Gjenevë, ekzistojnë të gjitha kushtet.

Udhëtimi në kohë, më afër se kurrë
A mund të udhëtojmë në kohë? Sipas teorisë së dy matematikanëve rusë dhe mundësive që ofron Qendra Evropiane për Kërkimet Bërthamore (CERN) në Gjenevë, ekzistojnë të gjitha kushtet. Dy matematikanë rusë kanë sugjeruar se thërrmuesi gjigant i atomeve në CERN, Qendra Evropiane për Kërkimet Nukleare, pranë Gjenevës, është në gjendje të krijojë kushtet për të udhëtuar prapa dhe përpara në kohë.
Në thelb, Irina Aref'eva dhe Igor Voloviç besojnë se pajisja e ndërtuar në CERN, është në gjendje të krijojë "vrima krimbi" të vogla në hapësirë, të cilat mund të lejojnë disa forma të limituara udhëtimi në kohë. Në rast se rezulton e vërtetë, ngjarja do të shënojë rastin e parë në historinë njerëzore kur është mundur të krijohet makina e kohës.
Në rast se kthimi prapa në kohë është i mundur, teorikisht do të jetë i mundur vetëm kthimi në çastin kur është krijuar makina, që do të thotë se udhëtuesit kohorë të së ardhmes do të kenë mundësi të na vizitojnë. Siç sugjeron artikulli i revistës "New Scientist", ky vit mund të bëhet viti zero për udhëtarët e kohës.
Sa serioze është teza?
Artikulli i "New Scientist" nënvizon se udhëtimi në kohë përmbledh shumë probleme praktike dhe paradokse teorike. "Pavarësisht, ekziston një mundësi e vogël që ne të shohim vizitorë nga e ardhmja gjatë vitit që do të pasojë", shkruhet në artikull.
Duhet thënë se vetëm pak shkencëtarë e pranojnë idenë se pajisja në fjalë do të krijojë ato kushte, të cilat mendohet se janë të nevojshme për të udhëtuar në kohë. Pajisja është projektuar për të shqyrtuar forcat misterioze që ekzistojnë në nivel grimcash subatomike dhe me ta bërë këtë do të jetë në gjendje t'u japë përgjigje shumë pyetjeve, siç është natyra e vërtetë e gravitetit.
Pajisja nuk është dizenjuar si makinë për të udhëtuar në kohë. Megjithatë, nëse aksidentalisht kthehet në makinë kohe, do të funksionojë vetëm në nivel subatomik, kështu që nuk do të kemi shans të dëgjojmë histori si ato që tregohen nëpër filma, ku njerëzit barten përpara e prapa në kohë.
Përgatiti: KLARITA BAJRAKTARI