Bashkimi kombetar si aktualitet dhe histori ! - Bashkimi Kombëtar

×
Albanian Forums, Zerion Zeri yt Zeri Info, Forumi Shqiptar Al Virtual, Diskutime, Biseda, Chat Njofje, Informatika, Teknologjia, Gazeta Tema, Gazetat Shqiptare, Bota Sot, www Channel Albania, Telegrafi Kosovo, Ballkani Web, Gazeta Lajme shqip, Lajmet e Fundit Shqiperia Kosova, Dita, Panorama, Kryeartikull, Faqja Kryesore, Video Shqip, Muzike Shqipe, Njoftime, Lajmerime, Temat Online, Gazetat, Kosovare, Shtypi Ditor, Sporti Shqiptar, Dashuria, Pyetje Pergjigje, Keshilla, Ndihme, Webmaster Shqiptar, Familja, Shqiptaria, Muzika, Receta Gatimi, Imazhe, Vipat-shqiptar, Aktualiteti
Media Sociale
Mesazhe Private
Shqiptaret duke lexuar tema interesante dhe te ndryshme
Tema re

Bashkimi kombetar si aktualitet dhe histori !

Bashkimi kombetar si aktualitet dhe histori !

· 2 · 894

  • Postime: 196
  • Karma: +1/-1

ne: 30-10-2008, 15:50:28
Bashkimi kombetar si aktualitet dhe histori 

Nga:Enis SULSTAROVA

Jetojmë në një situatë paradoksale ku flitet gjithmonë e më shpesh për integrime evropiane, rajonale, madje globale e gjithmonë e më pak për bashkimin kombëtar. Zhvillohen projekte të shoqërisë civile për të na njohur me maltezët, portugezët e danezët e për të na bërë gati për ditën kur do të hyjmë në BE dhe shumë nga ne nuk e dinë që, qyteti që gjithmonë e më shpesh nga mediat thirret Bitola, është në fakt Manastiri ku u hodhën themelet e gjuhës zyrtare shqipe.

Bashkimi kombëtar reduktohet vetëm në bashkimin territorial-shtetëror dhe politikanët tanë bëjnë gara se cili do të bërtasë më shumë se të tjerët që nuk e duam "Shqipërinë e Madhe". Ndërkohë nuk shprehen kundër bashkimit të Gjermanive, njohin vetëm një Kinë dhe një Qipro dhe patjetër që nuk do ta kundërshtojnë bashkimin e Koreve, kur ky të ndodhë. Parulla mbizotëruese e politikës shqiptare është se çështja kombëtare shqiptare do të zgjidhet në kuadër të integrimit të rajonit në BE. Evropa që na ndau, ajo do të na bashkojë! Pra, ne vetëm duhet të presim se koha punon për ne.

E kundërta është e vërtetë: koha nuk punon për ne, nëse nuk punojmë ne për kohën. Bashkimin kombëtar nuk duhet ta kuptojmë vetëm si një bashkim territorial në një shtet kombëtar, por pikësëpari si një bashkim shpirtëror, si një vullnet i përbashkët i shqiptarëve. Kombi është një ide që duhet komunikuar, ndarë me të tjerët dhe që duhet aktualizuar gjithmonë në jetën e përditshme të shqiptarëve. Përndryshe ai kthehet në një diçka të largët, ceremoniale. Për kombin kujtohemi vetëm në raste festash përkujtimore (e shkuara), fatkeqësisht ("ra ky mort e u pamë"), apo ndeshjesh sportive të ekipit të futbollit apo boksierëve. Kombi dhe atdheu nuk janë realitete të jetuara sot e përditë dhe na mungon një kuadër kombëtar i adresimit të problemeve të shumta që kanë shqiptarët kudo ku ndodhen.

Duhet ta kuptojmë se pjesë e kombit janë edhe të varfrit që thyejnë dhe mbledhin gurë për të jetuar; janë bujqit që punojnë arat; janë edhe minatorët që shpojnë tunele në shkëmb, por nuk arrijnë të shpojnë dyllin e veshëve të deputetëve në Kuvend; janë fëmijët e paushqyer e të paarsimuar të fshatrave e të periferive të qyteteve; janë ata që marrin bukë me listë, janë ata që presin në radhët e gjata të ambasadave për një lejekalimi për të braktisur njëherë e mirë atdheun; janë edhe gratë e keqtrajtuara nga burra "patriotë". Pjesë të atdheut janë lumenjtë e ndotur dhe me shtratin e gërryer pa kriter, ujërat e ndotura, pyjet e prerë, toka në erozion, qytetet e betonuar dhe pa identitet të tyrin. Kombi, atdhedashuria, nacionalizmi, patriotizmi janë retorikë boshe nëse nuk i përgjigjen rrethanave jetësore të shqiptarëve, kudo ku këta janë. Kombi përfytyrohet si një vëllazëri, si një familje e madhe, pra le të jemi një familje shpirtërore e të mos presim adoptimin burokratik nga një shtet i vetëm.

Kombi është një ide dhe duhet të besojmë në fuqinë e ideve për të ndryshuar realitetin. Bashkimi nuk realizohet mekanikisht, as nga një treg i vetëm. Shumëkush i ka varur shpresat te rruga Durrës-Morinë, por 130 vjet më parë, Abdyl Frashëri, nuk priste për rrugë për të udhëtuar nëpër të gjitha trevat shqiptare e për të ndarë me parinë e popullin idenë e bashkimit kombëtar përballë armiqve të kombit. Çështja është se si të përdorim liritë që kemi, për të fituar më shumë liri. Në kushtet e sotme kërkohet një veprim hegjemonik ku përpjekjes kombëtare, pa e humbur specifikën e vet, t‘i brendashkruhen përpjekjet lokale të shqiptarëve në fusha të ndryshme. Fjala "komb" të kthehet në një shënues për një shumësi kërkesash kombëtare e shoqërore.

Pa aktualizim të kombit nuk kanë vlerë të drejtat historike kombëtare të shqiptarëve. Prandaj, ne jetojmë në një periudhë çmitizimesh të historisë e simboleve kombëtare. Përballë apatisë së shqiptarëve vijojnë përpjekjet për të na mohuar prejardhjen ilire dhe hidhet dyshimi se jemi ardhacakë më të vonë se sllavët; vihet në pikëpyetje vazhdimësia iliro-arbëreshe në mesjetë, lihet në harresë "epoka e artë", periudha e lavdishme e Balshajve, që për pak realizuan bashkimin politik të shqiptarëve; ka përpjekje për greqizimin dhe sllavizmin e Skënderbeut, të cilave shekuj më parë u dha përgjigje Frang Bardhi; mbivlerësohen jo më kot aspektet fetare, lokale dhe feudale të luftës së Skënderbeut dhe nuk citohen fjalët e tij në letrën dërguar princit të Tarantos "të parët tanë quheshin epirotë", gjë që flet për një vetëdije të lartë etnike, nëse jo kombëtare, të heroit tonë; Rilindja Kombëtare interpretohet si një lëvizje e veçuar e intelektualëve të mënjanuar në mërgim dhe nuk përmendet jehona popullore e saj në Shqipërinë e asaj kohe; festohet me bujë 28 Nëntori dhe "harrohet" pushtimi dhe spastrimi etnik që pësuan shqiptarët në vitet 1912-1913, pasojat e të cilit i vuajmë edhe sot; përkujtojmë Holokaustin dhe pak kujtohen për një gjenocid tjetër, atë çam (çështja çame nuk është çështje pronash, por çështje gjenocidi dhe pjesë e çështjes kombëtare shqiptare).

Sot, në epokën e globalizmit, integrimeve evropiane, demokracisë etj., na thonë që ta rishkruajmë historinë, na mësojnë se nuk kemi më armiq. Kjo bëhet për të fshehur spastrimin e Preshevës, separatizmin serb rreth e brenda Mitrovicës (një Berlin tjetër i ndarë!), boshnjakëzimin e Kosovës; përzënien dhe mënjanimin e shqiptarëve në Shkup e Manastir për të krijuar Lebensraum-in e kombit foshnjarak maqedonas; greqizimin e Himarës, ndërtimin e varreve dhe të kishave greke për të vijëzuar kufirin simbolik dhe territorial të aneksimit të jugut të Shqipërisë, rritjen artificiale të "pakicës" greke, ndërrimin e kombësisë dhe fesë së mërgimtarëve shqiptarë në Greqi, etj. Këto përpjekje kombëtare lokale nuk mund të kenë sukses po nuk u udhëhoqën nga qëllimi i bashkimit kombëtar dhe po nuk u lidhën me përpjekje të tjera shoqërore. Çasti i tanishëm përmbledh të shkuarën dhe të ardhmen. Jemi qytetarë të shteteve përkatës, kemi të drejta e detyrime qytetare, por jemi edhe shqiptarë dhe prej kësaj përkatësie buron përgjegjësia për të punuar për realizimin e të drejtave historike. Me rifutjen e "kombit" në qendër të ligjërimeve publike, vala e çmitizimeve do të tërhiqet. Edhe mitet kombëtare do të aktualizohen dhe do të fitojnë kuptime të reja, për t‘iu përgjigjur nevojave të një brezi të ri të shqiptarëve. Të punojmë për një rilindje tjetër kombëtare!

  • Postime: 196
  • Karma: +1/-1

#1 ne: 30-10-2008, 15:52:21
Rrjeti i Organizatave Shqiptare, tubim në auditorët universitarë për zgjimin e identitetit kombetar!

Kanë thyer të gjitha klishetë e asaj që rëndom quhet “politikisht korrekt”, duke kërkuar bashkimin e Shqipërisë me Kosovën, si rruga e vetme dhe zgjidhja më e mirë për të ardhmen e të gjithë shqiptarëve, “që i ndajnë vetëm kufijtë dhe dashakeqësia fqinje, por që i bashkon gjithçka tjetër”.

Rrjeti i Organizatave Shqiptare (RROSH) ka organizuar dje tubimin e dytë të një turneu diskutimi në auditorët universitarë, me qëllimin kryesor që bashkimi kombëtar të mos jetë vetëm retorikë politikanësh në raste festash apo fatkeqësish, por duhet të shndërrohet në një pjesë të përditshmërisë së të gjithë shqiptarëve kudo që ndodhen.

“Shqipëria duhet të bashkohet me Kosovën”.
Këtë fjali, të cilën askush nga politikanët shqiptarë në pushtet ose jo nuk guxon ta artikulojë, kanë zgjedhur ta theksojnë fort disa nga drejtuesit e organizatave shqiptare në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi e Maqedoni,si lëvizja “Vetëvendosja”, Klubi Kombëtar, lëvizja “Mjaft”etj.
Dje, në ambientet e Fakultetit të Shkencave Sociale të Universitetit të Tiranës, studentët e Shkencave Politike dhe ata Sociale u përfshinë në një diskutim të hapur mbi gjendjen e kombit shqiptar në ditët tona dhe mbi veprimin qytetar për bashkëpunimin, bashkimin dhe integritetin brenda shqiptar.

Profesor Isamedin Ferraj ka shpjeguar se kjo nuk është një aventurizëm politik dhe se bashkimi i Shqipërisë me Kosovën nuk është utopi. Sipas tij, kufiri mes të mundshmes dhe të pamundshmes vendoset nga besimi. Ai ka thënë se nëse besimi për këtë bashkim do të ishte i madh, atëherë realizimi është krejtësisht i mundshëm. Tejet i qartë dhe i hapur ka qenë në
shpjegimet e tij edhe Albin Kurti, drejtuesi i lëvizjes “Vetëvendosja” i njohur për aktivitetin e tij nacionalist dhe pasojat që ka përjetuar nga deklarimi hapur i dëshirës për vetëvendosje. “Një referendum i shqiptarëve në Shqipëri dhe në Kosovë do t’u tregonte të gjithëve se çfarë duan shqiptarët për kombin e tyre”, u shpreh Kurti, ndërsa shtoi se “shqiptarët e ndarë janë kafshata të vogla për fqinjët serbë dhe grekë. Por shqiptarët e bashkuar janë kafshatë që u ngec atyre në fyt”. Sipas tij, Shqipëria e ndarë me Kosovën ka rrezik që një ditë të bëhet multietnike me minoritete
të shpikura nga fqinjët.

Nga ana tjetër, të pranishmit nuk e kanë konsideruar zhdukjen e barrierave dhe kufijve mes Shqipërisë e Kosovës si një politikë kundër integrimit në Bashkimin Evropian dhe në NATO, por si një shenjë identiteti kombëtar dhe prezantimi dinjitoz për shqiptarët, përfshi këtu edhe një mirëqenie ekonomike më të madhe. Ndërkohë që është hedhur poshtë edhe ideja se
dëshira e veprimi për këtë bashkim kombëtar destabilizon rajonin.

Procesi i stabilitetit në Ballkan është një proces që vazhdon dhe nuk mund të konsiderohet i mbyllur, u shpreh një prej profesorëve të Shkencave Politike, i pranishëm në këtë tubim.
Sipas tij, bashkëjetesat multietnike konsiderohen si të suksesshme vetëm në tryezat e Brukselit, por nuk janë të tilla në jetën reale. Ai ka theksuar se Evropa është duke vlerësuar shtetet nacionale si një probabilitet të mundshëm, që garanton stabilitet afatgjatë. Në një kohë që edhe perspektiva e integrimit është komplementare në këtë proces. Të pranishmit nënvizuan se “Shqipëria e bashkuar në mënyrë organike është politika e re ndryshe”. Si një sfidë, ata kanë konsideruar zgjimin e vetëdijes kombëtare shqiptare dhe lënien pas të apatisë qytetare.

Albin Kurti pohon se qytetarët duhet të çohen si për politikat ekonomike dhe sociale, edhe për çështje të tjera që i shqetësojnë, e natyrisht të gjithë duhet të ngrihen për çështjen kombëtare.
Vetëm në këtë mënyrë, shton ai, do të krijohet trysnia e duhur mbi vendimmarrësit dhe klasën politike, që për shkak të interesave personale dhe atyre të biznesit nuk e dëshiron këtë bashkim.
RROSH-i është krijuar në mbledhjen e 28 gushtit 2008 në Tiranë nga organizatat shoqërore shqiptare prej Preshevës, Kosovës, Malit të Zi, Shqipërisë, IRJM-së dhe shoqatës “Çamëria”.
Tubimet e ardhshme do të mbahen nëpër universitetet e Kosovës e të Maqedonisë, për t’u rimarrë sërish nëpër auditorët e tjera të universiteteve të Shqipërisë.

Temat e fundit