×

Integrimi ndërshqiptar, punë e Sizifit!

Integrimi ndërshqiptar, punë e Sizifit!

· 4 · 590

  • Postime: 12348
  • Gjinia: Femer
Shej
ne: 08-02-2010, 13:44:21
Bashkimi i copëzave të ndara:

Shqiptarët, si populli më i lashtë në këtë pjesë të Evropës gjatë rrugëtimit të tyre mijëra vjeçarë për mbijetesë janë përballur me sfida të mëdha dhe të rrezikshme që seriozisht e kanë rrezikuar qenien e tyre andaj nuk kanë pasur shumë kohë të mendojnë për integrimin brendashqiptar apo bashkimin e tyre. Të shkelur me shekuj nga pushtues të ndryshëm, është mrekulli si nuk janë tjetërsuar por kanë arritur ta ruajnë identitetin e tyre. Pushtuesit nuk kanë lejuar asnjëherë që shqiptarët, duke forcuar identitetin e tyre të mendojnë për homogjenizimin etnik dhe të bëhen subjekt i rëndësishëm që pastaj do të shndërrohej në një forcë rajonale!

Te shqiptarët dëshira për bashkim kombëtar u konkretizua vetëm në çastet kur rrezikohej substanca dhe palca e tyre kombëtare! Posa kalonte rreziku edhe kjo dëshirë venitej dhe lihej në harresë! Si pasojë e kësaj pavendosmërie për ndërtimin dhe forcimin e një shtylle kurrizore kombëtare, në të gjitha luftërat e rajonit dhe ato të përmasave më të gjera, shqiptarët ndaheshin si humbës apo rreshtoheshin prapa forcave që ishin kundër bashkimit kombëtar. Shqiptarët u shndërruan në copëza të mozaikut të shteteve të ndryshme ballkanike andaj edhe fuqia e tyre skajshmërisht u relativizua! U krijua një situatë ku, në vend të forcimit të vetëdijes kombëtare u forcua ndjenja si të mbijetohet?!

Në periudhën e Rilindjes kombëtare, patriotët që angazhoheshin për bashkim kombëtar, thuaja të gjithë u vranë, shumica e tyre prej vet shqiptarëve që, për ta ruajtur pushtetin e kishin shitur shtetin! Asgjësimin e shqiptarëve që vepronin për bashkim kombëtar e nisi Ahmet Zogu ndërkaq e ngriti në shkallën e krimit të tmerrshëm diktatori Enver Hoxha. Kjo ishte gjendja në Shqipëri e cila, në rrethana normale do të duhej të ishte Pijemont i të gjithë shqiptarëve ndërkaq që roli i saj ishte krejtësisht i kundërt! Në Shqipërinë e Enver Hoxhës më shumë ishte i theksuar identiteti kombëtar i sllavëve të jugut, rusëve, kinezëve, vietnamezëve, kubanëve se ai shqiptar! Duket paradoks i llojit të vet por ashtu ishte, përmbajtja ishte krejtësisht ideologjike si lufta e klasave dhe internacionalizmi proletar ndërkaq kjo shëmti përpiqej të mbështillej me një ambalazhim kombëtar!

Në Kosovën e robëruar nga serbët ata që ishin përkrahës të bashkimit kombëtar u vranë, arrestuan apo u diferencuan- margjinalizuan! Po ky regjim e krijoi një inteligjencë shqiptare e cila, pjesa dërrmuese e saj në vend që të angazhohej për zgjimin dhe emancipimin kombëtar si parakusht i domosdoshëm për bashkim, angazhohej për zbatimin e shkombëtarizimit dhe i shërbeu regjimit jugosllav. Madje, u shkua aq larg sa e luajtën një rol shumë aktiv në shpërnguljen e shqiptarëve për Turqi dhe deklarimin e sa më shumë shqiptarëve si jugosllavë. Shqiptarët e Malit të Zi i kishin mbiemrat me prapashtesën sllave dhe gjuhën serbe e kishin adoptuar në vend të asaj shqipe.

Edhe në Maqedoni gjendja nuk ishte aspak më e mirë, lejohej feja dhe ndërtimi i xhamive mirëpo pengohej hapja e shkollave shqipe si dhe ndëshkohej çdo shfaqje e ndjenjave kombëtare. Këto ishin arsyet pse në të kaluarën shqiptarët e rrezikuar nga të tjerët por edhe nga vetja e tyre nuk ishin në gjendje t’i krijonin as parakushtet më elementare për realizimin e një të drejte elementare dhe të natyrshme, bashkimin kombëtar në kohën kur ky proces kishte përfunduar te popujt tjerë. Treni kishte ikur ndërkaq ne ngarendnim pas kuajve!

Aktualiteti si realitet:

Nuk mund të mohohet se janë bërë përpjekje që fryma e bashkimit kombëtar të mbahet gjallë dhe të ofrohet si mundësi që çështja shqiptare të zgjidhet një herë e mirë. Mirëpo ambienti politik duket se nuk është shumë i favorshëm për jetësimin e këtij qëllimi. Tashmë kjo ide nuk pengohet me mjete të dhunës si më parë por me mjete shumë më të sofistikuara siç janë: shantazhet politike, oferta për investime ekonomike dhe premtimet për anëtarësim në organizmat ndërkombëtarë.

Ofertë jashtëzakonisht joshëse është integrimi në BE dhe NATO. Ne që verbërisht besojmë, jemi në bisht të lahutës ndërsa ata që e investojnë edhe gënjeshtrën janë duke e përmbyllur procesin e integrimit! Për integrimin e një populli duhet , në radhë të parë vullneti shpirtëror dhe i cili do të përkrahej edhe nga vullneti politik, mekanizmat vendimmarrëse të shteteve ku jetojnë shqiptarët. Duket se këto dy parakushte nuk janë sot në asnjë shtet ku jetojnë shqiptarët, qoftë si shumicë apo si pakicë. Ose, nëse edhe ekzistojnë ato përfaqësohen nga një numër i vogël, thuaja simbolik i shqiptarëve.

Në Shqipëri (shtetin amë të gjithë shqiptarëve) kjo temë edhe sot është tabu. Politika zyrtare, në çaste kur nuhatë se i duhet për përfitime politike dhe spekulative e bënë një bashkim që kohëzgjatjen e ka për aq sa e marrin një telefonatë nga Brukseli. Me atë çast kur ngritet receptori i telefonit dhe dëgjohet zëri prej baritoni i Solanës, ideja e bashkimit kombëtar pëson infarkt apo goditje vdekjeprurëse!

Derisa në mediet e Shqipërisë plasohen shkrimet në stilin, u arrestuan dy shqiptarë dhe një kosovar, në mënyrë eksplicite përjashtohet mundësia e bashkimit kombëtar! Pastaj, shqiptarët në Shqipëri kanë një qëndrim thuaja racist dhe injorues ndaj shqiptarëve të Kosovës! Duket paksa banale por ky është realiteti i sotëm në Shqipëri. Baballarët e kombit kosovar janë në Shqipërinë e Enver Hoxhës dhe Sali Berishës andaj, për këtë arsye botërisht ua mohoj atësinë për kombin kosovar, Nexhemdin Spahiut, Migjen Kelmendit dhe Halil Ibn Matoshit.

Në Republikën e Kosovës nuk qëndrojmë aspak më mirë! Bartësit e idesë së bashkimit kombëtar arritën ta sigurojnë një peticion prej 50.000 nënshkrimeve me të cilin synonin t’i bashkojnë afërsisht 7 milionë shqiptarë. Në fakt, ky ishte një referendum kundër bashkimit! Fatkeqësisht ! Ato parti nuk e kanë kaluar as 1% e votave në zgjedhjet vendore! Dhe në fund, partizanët që me armë në dorë në luftën e fundit angazhoheshin për bashkimin e të gjitha trojeve shqiptare përfshirë këtu edhe trojet e Pakistanit, tash po angazhohen për bashkimin e sa më shumë parave në xhirollogaritë e tyre!

Është shumë i çuditshëm fakti se sa më shumë flitet për bashkimin e trojeve deri te Molla e Kuqe, Kosova po tkurret nga brenda duke humbur territore të reja! Po del se më mirë mos t’i bashkojmë fare trojet nëse duam ta ruajmë edhe këtë pak Kosovë që ka mbetur!

Shqiptarët e Luginës së Preshevës po mundohen ta ruajnë gjuhën shqipe duke mësuar nga abetarja e përkthyer nga gjuha serbe! E njëjta situatë është edhe në Mal të Zi! Janë krejt të përçarë dhe në Prishtinë vijnë të ndarë pikë e pesë! Këta nuk mund të bashkohen në oborrin e tyre e lere më të jenë pjesë e bashkimit kombëtar!

Në Maqedoni, Ali Ahmeti më lehtë bashkohet me Nikolla Gruevskin se me Menduh Thaçin dhe anasjelltas; Menduh Thaçi mund të flirtoi dhe bisedoi me Cërvenkovcat dhe boshkovsat por jo edhe të merret vesh shqiptarqe me Ali Ahmetin! Janë shndërruar në korba, duan t’i nxjerrin sytë njëri – tjetrit! Dhe këta pastaj të bëhen pjesë e bashkimit kombëtar! Asnjëherë!

E ardhmja e bashkimit kombëtar:

Bashkimi i shqiptarëve mund dhe do të ndodhë gjatë proceseve integruese në BE. Kjo është rruga paqësore e bashkimit kombëtar. Ky bashkim mund të ndodhë edhe përmes rrugës jopaqësore. Për këtë kontribut të madh janë duke dhënë Serbia dhe Maqedonia me politikën e tyre të çmendur dhe diskriminuese ndaj shqiptarëve.

Nëse e vazhdojnë këtë politikë bashkimi kombëtar do të jetë i pashmangshën dhe ky rikonfigurim etnik do ta ketë edhe përkrahjen e faktorëve që vendosin për fatin e popujve të vegjël dhe pa krahë.

Telegraf

  • Postime: 720
  • Gjinia: Mashkull
h75
#1 ne: 10-02-2010, 21:50:34
ka disa dite qe po e sjell neper mendje kete titull ,, integrimi ndershqiptar, pune e sifizit,   a thua te jete i i tille

ndersa ne permbajtje te ketij shkrimi , nuk besoj qe eshte thene dicka qe vlen te mbahet mend

  • Postime: 12348
  • Gjinia: Femer
Shej
#2 ne: 10-02-2010, 22:10:19
Dhe mua me terhoqi titulli pra subjekti mgjate dhe shkrimi me pelqeu.

Po shkepus vetem keto 2 fjali nga shkrimi i mesiperm per te thene sesa te verteta ka ne brendesi:

Te shqipetaret dëshira për bashkim kombëtar u konkretizua vetëm në çastet kur rrezikohej substanca dhe palca e tyre kombëtare! Posa kalonte rreziku edhe kjo dëshirë venitej dhe lihej në harresë!

dhe vazhdojme te veprojme njesoj e tani, nuk ju shkojme gjerave deri ne fund por i leme pergjysem.
ωιη∂σω ιη тнє ѕкιєѕ
#3 ne: 10-02-2010, 22:19:42
Shqiptare kudo qe jeni: Ndihmoni Sizifin!!!