Kur Mbreti Zog zhvillonte protesta për Kosovën dhe Çamërinë - Bashkimi Kombëtar

×
Albanian Forums, Zerion Zeri yt Zeri Info, Forumi Shqiptar Al Virtual, Diskutime, Biseda, Chat Njofje, Informatika, Teknologjia, Gazeta Tema, Gazetat Shqiptare, Bota Sot, www Channel Albania, Telegrafi Kosovo, Ballkani Web, Gazeta Lajme shqip, Lajmet e Fundit Shqiperia Kosova, Dita, Panorama, Kryeartikull, Faqja Kryesore, Video Shqip, Muzike Shqipe, Njoftime, Lajmerime, Temat Online, Gazetat, Kosovare, Shtypi Ditor, Sporti Shqiptar, Dashuria, Pyetje Pergjigje, Keshilla, Ndihme, Webmaster Shqiptar, Familja, Shqiptaria, Muzika, Receta Gatimi, Imazhe, Vipat-shqiptar, Aktualiteti
Media Sociale
Mesazhe Private
Shqiptaret duke lexuar tema interesante dhe te ndryshme
Tema re

Kur Mbreti Zog zhvillonte protesta për Kosovën dhe Çamërinë

Kur Mbreti Zog zhvillonte protesta për Kosovën dhe Çamërinë

· 1 · 2245

  • Postime: 27102
  • Karma: +11/-5
  • Gjinia: Mashkull

ne: 02-02-2008, 12:56:09
Historia e panjohur e njërit prej manifestimeve dhe mitingjeve më të mëdha të protestës që u zhvillua nëpër rrugët kryesore dhe sheshin "Skënderbej" të Tiranës në vitin 1936 nga regjimi i Monarkisë së Zogut, ku oratorë ngritën zërin në mbrojtje të të drejtave dhe lirive kryesore të shqiptarëve që jetonin në trojet e tyre në Kosovë dhe Çamëri. Një foto ekskluzive që botohet për herë të parë në gazetën "Shqip" hedh dritë dhe konfirmon më së miri politikën zyrtare që ndiqte asokohe regjimi monarkist i Mbreti Zog, ndaj Kosovës dhe Çamërisë



Dossier

Për afro gjysmë shekulli me radhë, nga viti 1945 e deri në fillimin e viteve ‘90-të, propaganda zyrtare dhe historiografia e regjimit komunist të Enver Hoxhës, në të gjitha tekstet dhe botimet e saj, ndërmjet shumë e shumë akuzave nga më absurdet të hedhura në adresë të Mbretit Zog dhe regjimit të tij, ishte edhe ajo ku ndërmjet të tjerash thuhej se: "Gjatë gjithë periudhës së qeverisjes së Zogut dhe asaj të Monarkisë, nga viti 1925 deri në vitin 1939, Mbreti Zog dhe të gjitha qeveritë e tij nuk e ngritën asnjëherë zërin në mbrojtje të popullsisë shqiptare autoktone të Kosovës dhe Çamërisë, për arsye se qeveritë e Beogradit dhe Athinës, e ndihmuan atë për riardhjen e tij në pushtet në dhjetorin e vitit 1924. Dhe si rezultat i kësaj, në shenjë mirënjohje, Zogu nuk u ndie dhe nuk protestoi kurrë për fatin e bashkatdhetarëve tanë që jetonin prej shekujsh në trojet e tyre etnike në Greqi dhe Jugosllavi. Madje jo vetëm kaq, por Mbreti Zog kishte bërë edhe marrëveshje të fshehta me këto dy vende fqinje, për të mos kërkuar të drejtat e shqiptarëve që jetonin në ato dy shtete". Po a qëndrojnë në të vërtetë këto akuza që i atribuoheshin Mbretit Zog dhe regjimit të tij?

A e ka kërkuar Zogu Kosovën dhe Çamërinë?

Përgjigja rreth kësaj është më se e qartë dhe ato akuza bien poshtëëë si tërësisht të pavërteta. Për të vërtetuar këtë gjë, pa hyrë fare në analet diplomatike që gjenden në arkivat e shtetit shqiptar, si dhe atyre të vendeve fqinje ku kanë jetuar dhe vazhdojnë të jetojnë bashkatdhetarët tanë, por vetëm po t‘i hedhim një sy shtypit periodik të periudhës së qeverisjes së Mbretit Zog, (nga janari i vitit 1924 e deri në prillin e 1939-ës), do të vëmë re se në gazetat e asaj kohe janë botuar me dhjetëra e dhjetëra shkrime, analiza, polemika, reportazhe dhe kronika, ku jo vetëm hidhet dritë mbi fatin tragjik të bashkatdhetarëve tanë të Kosovës dhe Çamërisë që jetonin nën një shtypje e dhunë të paparë. Ajo vinte jo vetëm nga qarqe shoviniste të këtyre vendeve, por edhe si rezultat i politikës zyrtare të qeverive të Athinës e Beogradit. Madje jo vetëm kaq, por në shtypin e asaj kohe janë botuar edhe komunikata zyrtare e nota proteste të qeverive të Monarkisë së Zogut, ku denoncohej dhuna dhe shtypja e egër që ushtrohej ndaj bashkatdhetarëve tanë në Greqi e Jugosllavi. Për të vërtetuar këtë gjë, ashtu siç thamë edhe pak më lart, pa pasur nevojë të konsultohemi me dokumentet arkivore të periudhës së Monarkisë së Zogut, faktin që Mbreti Zog dhe regjimi i tij e kanë ngritur zërin në mbrojtje të të drejtave dhe lirive të shqiptarëve të Kosovës dhe Çamërisë, na e dëshmon fare qartë edhe kjo foto historike që kemi botuar në faqet e këtij shkrimi, e cila bëhet publike për herë të parë dhe deri më sot ka qenë fare e panjohur.

Manifestimi i protestës për Kosovën dhe Çamërinë në vitin 1936

Kjo foto është ruajtur për vite me radhë në familjen e Beqir Zenelit (me origjinë nga fshati Tërnovë i Dibrës), njërit prej ish-ushtarakëve që patën shërbyer në Gardën Mbretërore të Zogut, i cili duket në plan të parë saj me uniformën ushtarake (grand-uniforma e ceremonialit), dhe gradat e togerit (xhaketë dhe kapele e bardhë, pantallona dhe çizme të zeza), duke i prirë bandës frymore të shtetit shqiptar të asaj kohe, të cilat po ashtu janë veshur me uniformën ushtarake. Ashtu siç duket edhe nga foto, banda frymore është duke parakaluar në një nga rrugët kryesore të kryeqytetit shqiptar, e cila sot mban emrin "Punëtorët e Rilindjes", apo më saktë, pikërisht përpara ndërtesës ku edhe sot gjendet selia të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë. Po kështu duket qartë se të gjithë pjesëtarët e bandës frymore, të cilët janë vendosur në kuadrat dhe duke parakaluar sipas rregullores së ceremonialit të shtetit, janë duke ekzekutuar pjesë të ndryshme me veglat dhe instrumentet e tyre. Në sfond të tyre, ndonëse jo shumë qartë, përveç flamurit tonë kombëtar, dallohen edhe dy pankarta apo banderola të mëdha të lyera me ngjyrë të bardhë, ku me germa kapitale është shkruar; Kosova dhe Çamëria. Ndonëse nga fotoja nuk duket qartë, në se personat që mbajnë banderolat ku është shkruar "Kosova dhe Çamëria", janë me veshje ushtarake po civilë, një gjë është më se e sigurtë; aty kemi të bëjmë me një manifestim zyrtar të organizuar nga regjimi monarkist i Zogut dhe kuadrati i bandës frymore të shtetit dhe ato që e ndjekin pas, janë duke shkuar për në qendër të kryeqytetit, drejt sheshit "Skënderbej". Sipas disa dëshmive, në atë kohë u organizua edhe mitingu dhe manifestimi i madh i protestës në mbrojtje të bashkatdhetarëve tanë të Kosovës dhe Çamërisë, në të cilën morën pjesë me mijëra e mijëra banorë të Tiranës dhe të rretheve të vendit të ardhur atë ditë enkas për atë gjë. Po sipas këtyre dëshmive të mbledhura nga të moshuar që e kanë jetuar atë kohë, në atë manifestim proteste e morën fjalën shumë oratorë. Në fjalën e tyre, ata u ndalën gjatë dhe folën për kushtet e mjerueshme ku ndodheshin vëllezërit tanë të një gjaku në anën tjetër të kufirit, në Kosovë e Çamëri, e cila vinte si shkak i politikës diskriminuese që ndiqnin qeveritë e Beogradit dhe Athinës ndaj tyre.

Polemikat me gazetën "Politika" të Beogradit

Vija e politikës zyrtare që ndiqte regjimi monarkist i Mbretit Zog në mbrojtje të bashkatdhetarëve tanë në Kosovë dhe Çamëri, si dhe polemikat e shumta të shtypit të Tiranës ndaj shpifjeve dhe akuzave të pabaza që hidhte herë pas here shtypi i Beogradit dhe ai i Athinës në adresë të shtetit shqiptar, shihen qartë edhe nga shtypi i kohës i periudhës së Monarkisë, ku mjaft gazeta e revista, përcillnin çdo gjë që ndodhte në anën tjetër të kufirit ku jetonin shqiptarë. Një prej tyre ishte dhe "BESA" e Fiqri Rusit që dilte në Tiranë, e cila në një nga numrat e saj të vitit 1936, midis të tjerash shkruante: "Fletorja ‘Politika‘ e Belgradit, më 30 të Marsit, duke gjetur si pretekst lidhjet e akordeve të fundit finacjare dhe tregtare italo-shqiptare dhe duke shtytur prej një fantazije thellësisht të sëmurë, i ka konsakruar shtylla të plota marrëdhënievet të Shtetit t‘onë me Italinë, dhe nuk ka lënë të mbetet asnjë fakt pa u shtrembëruar dhe pa u deformuar. Kjo fletore edhe ca ditë më parë kishte botuar një varg komentesh tendencioze mbi marrëveshtjet e reja t‘ona. Këto shënime mjerisht, i ribotoj edhe një pjesë e shtypit të huaj. Vetëm, duke theksuar me gjithë rëndësinë që meriton, se, për shkak të eksperiencave të hidhura në të kaluarën, kur çdo lajm i lançuar prej kësaj fletorje, si edhe prej simotrave të saja aq tendencioze dhe të pabesueshme, kët rradhë në riprodhimin e këtyre lajmeve, kan, më shumë prudencë, nënvizuar se këto lajme i merrshin nga fletorja "Politika" e Belgradit. Për këndonjësit tanë do të japim një shkurtim të botimeve të "Politikë"-s për të shfaqur se sa arsyeshëm është indinjimi i ynë dhe por ta bërë të kuptuarshme përgjigjien, që duam t‘i japim në shtyllat e fletores s‘onë. Thëniet e "Politikës" janë këto: Pasi titullon artikullin e saj se regjimi e paska "shitur" Shqipërinë, fletorja me lot krokodili trajton këtë "krim" dhe me një shpirt abnegacioni (1?) të habitshëm përmënd se motivi i blegërimit të saj qenka fakti se "në mes është një shembull tradhëtije kombëtare, që nuk është parë në historinë". Dhe sado që Pakti i Tiranës i 1926-ës, si pohon "Politika" e Belgradit vetë, nuk është përsëritur, ky akord qenka vënë në zbatim përsëri dhe bile dispozitat e tij qenkan zgjeruar. Me anë të marrëdhënieve të reja Shqipëria qenka skllavëruar dhe mbas gjykimit të mëndësisë patologjike të fletores beligradase ja ku janë argumentimet e saja jo vetëm absurde, por edhe me të vërtetë karakteristike të një mentaliteti krejtësisht denigrues.

"Politika" të shohë krimet që bëhen ndaj kosovarëve

Përshtypja e ngjarjeve në vjetët e kaluar hala nuk janë harruar prej popullit shqiptar - në të cilat permënden kujtime plot hidhërime të vuajtjeve nga shtete, që sot na dalin më të përkujdesur për interesat vitale kombëtare t‘onat, se sa na vetë. A nuk ësht, vallë, rasti që edhe këta shtet të veprojnë për t‘u gjegjur miqësisë së dëshiruar prej nesh? "Politika", në vënd që të derdh lotë mbi "kobin" që e gjen popullin e lirë shqiptar, me akordet e sotme, a nuk e kishte për detyrë të ngrente makari një herë zanin kundra mizorive dhe padrejtësive, që për ditë u punohen kosovarëve shqiptarë? Malazesë instalohen me forcë në pronat e pasura të bashkëkombasve t‘anë kosovarë. Në këtë mes shkelen të drejta, persekutohen dhe vriten ata, që i kundërshtojnë masat e padrejta dhe arbitrare. Një shembull shumë të hidhur kemi pasur tash vonë në katundet e Gjilanit. Delegata të shpeshta venë në Belgrad, ku ministrat premtojnë ruejtjen e jetës dhe të pasurisë së kosovarëve. Pas grabitjes së tokave të tyre, shqiptarët e shkretë me një mijë mënyrë detyrohen të emigrojnë në Turqi. Përse, pra, ‘Politika‘ e Belgradit dhe simotrat e saj as nuk i permëndin fare këto ngjarje tragjike?! E përse vallë, këtyre heshtjeve, u përgjigjen me lot e vajtime mbi veprimet e Qeverisë së lirë të shtetit të lirë shqiptar? Apo që Shqipëria të mos konsolidohet e të mbetet gjithmonë e dobët dhe e pa zhvilluar? Kujtojmë se pa tjetër edhe një detyrë dirigjuesëve të shtetit jugosllav që ta ndalojë këtë fushatë denigrimi të shtypit jugosllav, që është erë që nuk fryn mirë për asnjëri".

Beqir Zeneli, dibrani që kryesoi mitingun për Kosovën

Në vitin 1920, serbo-malazezët i kishin djegur shtëpinë në Tërnovë




Sipas dëshmive të Enver Zenelit, ish-togeri i Oborrit Mbretëror të Zogut, Beqir Zeneli, i cili në vitin 1936 udhëhoqi manifestimin e protestës që u zhvillua nëpër rrugët e kryeqytetit shqiptar, për sensibilizimin e opinionit botëror dhe kancelarive më të rëndësishme të fuqive të mëdha të asaj kohe në lidhje me çështjen e Kosovës dhe Çamërisë, lindi në fshatin Tërnovë të Dibrës në vitin 1912. Babai i tij, Hysni Zeneli dhe e ëma, Zonja, që ishte bijë nga fisi i Koçajve të Okshtunit të Vogël të Dibrës, përveç Beqirit që ishte i dyti për nga radha e fëmijëve, kishin edhe dy djem e një vajzë: Bajramin, Asllanin dhe Sermien. Aty nga viti 1920, forcat serbo-malazeze ia dogjën shtëpinë familjes Zeneli, për shkak se vëllai i babait të Beqirit, Hoxhë Osman Zeneli dhe vëllai Bajram Hysen Zeneli, kishin formuar çetën e tyre në fshatin Tërnovë që në vitin 1912 dhe luftonin kundra forcave serbe, të cilat herë pas here sulmonin dhe digjnin fshatra të tëra në atë krahinë, duke vrarë dhe masakruar edhe popullsinë e pambrojtur gjë gjenin aty. Si pasojë e djegies së shtëpisë, Beqir Hysni Zeneli dhe njerëzit e familjes së tij, u shpërngulën nga fshati i tyre dhe u vendosën në Tiranë, duke mbetur për shumë kohë rrugëve si muhaxhirë me plaçka në kurriz. Pas vendosjes në Tiranë, nën kujdesin e vëllait më të madh, Bajramit, dhe mikut të familjes, Ramiz Dacit (ish-deputet në periudhën e Monarkisë së Zogut), Beqiri u shkollua fillimisht në Medresenë e Tiranës dhe më pas në një kurs ushtarak për oficerë, të cilat i mbaroi me rezultate të larta. Pas kësaj, gjithnjë nën kujdesin e vëllait më të madh, Bajramit, si dhe me ndihmën e disa miqve të familjes, Beqiri shkoi për studime të mëtejshme në Itali, duke ndjekur Akademinë Ushtarake në Napoli. Gjatë periudhës së studimeve në Itali, ai së bashku me dy shokët më të ngushtë të tij shqiptarë, Mark Pjetër Doçin nga Shebja e Mirditës dhe Rustem Kuckën nga Dibra, dolën me flamurin shqiptar në një manifestim të madh proteste, gjë e cila solli dhe arrestimin e tyre nga autoritetet italiane. Por ata u liruan më pas dhe nuk patën pasoja, pasi ndërhyri dhe doli garant për ta, vetë komandanti i Akademisë, i cili kishte konsiderata të larta për të tre studentët shqiptarë. Pas mbarimit të Akademisë Ushtarake në Itali, të cilën Beqiri e përfundoi me rezultate të larta, ai u kthye në Shqipëri dhe me dekret të Mbretit Zog, u emërua si oficer në Oborrin Mbretëror. Në këtë detyrë ai u ndodh edhe në vitin 1936, kur udhëhoqi manifestimin e protestës që u organizua asokohe zyrtarisht nga regjimi mbretëror për të sensibilizuar opinionin botëror dhe kancelaritë më të rëndësishme të shteteve evropiane për Kosovën dhe Çamërinë, të cilat i ishin shkëputur padrejtësisht trungut mëmë, Shqipërisë, që në vitin 1913 nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër. Beqir Zeneli shërbeu si ushtarak i karrierës në Oborrin Mbretëror të Zogut deri në prillin e vitit 1939, kur Italia fashiste e Benito Musolinit pushtoi ushtarakisht Shqipërinë. Në atë kohë, ashtu si edhe mjaft ushtarakë të tjerë besnikë të Mbretit Zog, Beqir Zeneli e shoqëroi atë deri në Greqi, por më pas, me kërkesën e vetë Mbretit, ai dhe shumë ushtarakë të tjerë u kthyen në Shqipëri. Gjatë periudhës së pushtimit të vendit, 1939-1944, Beqir Zeneli mori pjesë aktive në Lëvizjen Antifashiste dhe në majin e vitit 1944, ishte si komandant i vendit në Tiranë. Për këtë shkak, në atë kohë ai u arrestua nga forcat gjermane së bashku me vëllanë e dr. Zymës, Musa Agollin etj. dhe u internuan në kampin e Prishtinës. Nga kampi, Beqiri u lirua në fundin e vitit 1944, (pak ditë pas pushkatimit të 104 robërve shqiptarë që mbaheshin aty), dhe u kthye në Tiranë pranë familjes. Lirimi i Beqirit dhe i disa të internuarve shqiptarë të tjerë, si: Llazar Siliqi, Kristo Budo. Luigj Filipi etj., u bë i mundur vetëm pas ndërhyrjes së Xhelal Mitrovicës pranë forcave gjermane. Pas vitit 1944, Beqiri nuk shërbeu më si ushtarak, por punoi si punëtor krahu në Ndërmarrjen e Ujësjellësit dhe Kanalizimeve të Tiranës, ku dhe doli në pension.

G.Shqip

Temat e fundit