Me rastin e 63 vjetorit të masakrës së Tivarit - Bashkimi Kombëtar

×
Albanian Forums, Zerion Zeri yt Zeri Info, Forumi Shqiptar Al Virtual, Diskutime, Biseda, Chat Njofje, Informatika, Teknologjia, Gazeta Tema, Gazetat Shqiptare, Bota Sot, www Channel Albania, Telegrafi Kosovo, Ballkani Web, Gazeta Lajme shqip, Lajmet e Fundit Shqiperia Kosova, Dita, Panorama, Kryeartikull, Faqja Kryesore, Video Shqip, Muzike Shqipe, Njoftime, Lajmerime, Temat Online, Gazetat, Kosovare, Shtypi Ditor, Sporti Shqiptar, Dashuria, Pyetje Pergjigje, Keshilla, Ndihme, Webmaster Shqiptar, Familja, Shqiptaria, Muzika, Receta Gatimi, Imazhe, Vipat-shqiptar, Aktualiteti
Media Sociale
Mesazhe Private
Shqiptaret duke lexuar tema interesante dhe te ndryshme
Tema re

Me rastin e 63 vjetorit të masakrës së Tivarit

Me rastin e 63 vjetorit të masakrës së Tivarit

· 1 · 731

  • Postime: 1631
  • Karma: +2/-6
  • Gjinia: Mashkull

ne: 02-04-2008, 20:49:49


Me rastin e 63 vjetorit të masakrës së Tivarit

Mobilizimi i dhunshëm i shqiptarëve...dhe ripushtimi i Kosovës...
nga ushtria e UNÇJ-së, në janar – prill 1945…

· Sipas burimeve arkivore rezulton se në Tivar, më 1 prill 1945 u vranë e u masakruan mizorisht rreth 1700 shqiptarë, ndonëse nga kujtimet e dëshmitarëve që përjetuan këtë masakër, rezulton që ky numër të jetë më i madh... Më 20.IX.1996 TV norvegjeze ka kumtuar një lajm për zbulimin e një varreze masive afër Tivarit me 2 mijë viktima të shqiptarëve të vrarë më 1 prill 1945.

· Gjatë muajve mars-prill 1945, përmes rrugës Prizren – Kukës – Shkodër - Tivar (për në Frontin e Adriatikut) janë deportuar (mobilizuar) 16.423 shqiptarë nga Kosova, kurse rreth 4.600 të tjerë u dërguan nga viset etnike shqiptare të Maqedonisë. Ndërkaq, në janar 1945 për në Frontin verior (të Sremit) janë mobilizuar rreth 18.500 shqiptarë në përbërje të Brigadave kosovare dhe 5000 të tjerë nga Maqedonia. Nga këto shifra rezulton se gjatë muajve janar - prill 1945, janë mobilizuar dhunshëm rreth 44.523 shqiptarë nga Kosova dhe viset tjera etnike, për në frontet e ashtuquajtura të “Sremit” e të”Adriatikut”.

 
Shkruan: Sheradin BERISHA

Krijimi i formacioneve të armatosura në Kosovë 1943-1944

Pas kapitullimit të Italisë fashiste (shtator 1943) Shtabi Suprem i UNÇJ-së shtoi aktivitetin e saj ushtarak, në formimin e njësive të armatosura në Kosovë dhe në viset tjera etnike shqiptare. Për këtë qëllim më 9.IX.1943 SHK i UNÇJ-së për Kosovë e Metohi lëshoi një thirrje, ku kërkohej që popujt e kësaj krahine (e veçanërisht populli shqiptar) të radhiten në njësitë partizane, për të luftuar kundër ushtrisë naziste gjermane e bullgare. Prej shtatorit 1943 (por edhe më herët) e deri në nëntor 1944 në Kosovë, u formuan njësite të shumta të UNÇJ-së, duke filluar nga çetat, aradhat, batalionet e deri në brigada. Kështu brenda kësaj periudhe u formuan: Aradha Nacional-Çlirimtare Partizane (ANÇP) e Kosovës dhe Metohisë (22.X.1943); ANÇP e Shalës (gusht 1944); ANÇP e Rakoshit (në fillim të tetorit 1944); ANÇP e Drenicës (nga mesi i muajit tetor 1944); ANÇP” Curri-Rexhepi” (e formuar nga Aradha ”Perlat Rexhepi” e UNÇ të Shqipërisë dhe aradha ”Bajram Curri” e UNÇJ-së për Kosovë e Metohi (12.I.1944); ANÇP e Ibrit (4.XI.1944); ANÇP e Kosmetit (7.XI.1944); ndërkaq në nëntor 1943 u formuan Çeta Partizane e Krajës dhe e Tuzit; më 13.IV.1944 - Çeta e Kosovës; më 16.IX.1943) Çeta e Lumës, e Hasit dhe Batalioni i Parë kosovar ”Ramiz Sadiku”; në fund të tetorit 1943 – Batalioni ”Boris Vukmiroviq” dhe Batalioni i Parë i Dibrës ”Nazmi Rushiti”; më 21.XI.1943 Batalioni i Parë dhe më 29.XII.1943 Batalioni i Dytë kosovar; në gjysmën e majit 1944 Batalioni ”Kosova”; në fund të majit 1944 Batalioni Sulmues i Kosmetit; më 28.IX.1944 Batalioni Partizan ”Meto Bajraktari etj. 1

Po kështu, deri në dhjetor 1944 u formuan edhe tetë Brigada. Më 24 qershor 1944 në fshatin Zbazhdi (afër Strugës) u formua Brigada I-rë e UNÇ për “Kosovë e Metohi”, nga luftëtarët e Brigadës së I-rë Kosovare-Maqedone, me 3 batalione dhe 1 çetë përcjellëse. Më 9 shtator 1944 në fshatin Lilanc afër Bujanocit, u formua Brigada II e UNÇ-së për KM-në, me 4 batalione dhe 450 ushtarë. Më 16 shtator 1944 në rajonin e Vranjës, u formua Brigada III e UNÇ-së për KM-në - me 3 batalione. Më 13 tetor 1944 në Krumë të Hasit u formua Brigada IV e UNÇ-së për KM-në - me 2 batalione dhe 400 ushtarë. Më 24 shtator 1944, në fshatin Tullar u formua Brigada V e UNÇ-së për KM-në - me 4 batalione. Më 13 dhjetor 1944, u formua Brigada VI e UNÇ-së për KM-në. Më 11 nëntor 1944 në Gjakovë u formua Brigada VII e UNÇ-së për KM-në, e cila më vonë u shpall si brigadë sulmuese. Më 20 dhjetor 1944 në fshatin Ramno të Preshevës u formua Brigada e VIII e UNÇ-së për KM-në - me 3 batalione. Po në dhjetor të atij viti u formua edhe Brigada e Korpusit të Mbrojtjes Popullore të Jugosllavisë për KM-në.2

Këto formacione partizane edhe pse u formuan në gjeografinë etnike shqiptare, ngjarjet e mëvonshme do të dëshmojnë se ato, nuk u formuan për të mirën e shqiptarëve.

Synimi i Shtabit Suprem të UNÇJ-së - ripushtimi tokave shqiptare


Në gjysmën e dytë të vitit 1944, derisa forcat aleate (amerikane – angleze - ruse...) përparonin në të gjitha frontet e luftës kundër ushtrisë hitleriane, Shtabi Suprem i UNÇJ-së duke i shfrytëzuar rrethanat e krijuara, në fillim të shtatorit të atij viti Shtabin Kryesor të UNÇJ-së për “Kosovë e Metohi”e degradoi në Shtab Opertativ dhe me 14 shtator ia nënshtroi Shtabit Kryesor të UNÇJ-së për Sërbi. Dhe për çudi në emër të Shtabit Operativ të “Kosmetit” do të nisin përgaditjet luftarake gjoja për çlirimin e Kosovës dhe të viseve të tjera shqiptare, a në të vërtet SHS i UNÇJ-së kishte për synim ripushtimin e tokave shqiptare.

Në vjeshtën e atij viti, Shtabi Suprem i UNÇJ-së i drejtuar nga Josip Broz Tito, në emër të internacionalizmit, do të bëjë marrëveshje me ushtrinë e kuqe ruse, më pastaj me forcat bullgare dhe më 2 shtator 1944 edhe me SHP të UNÇ të Shqipërisë, për të zhvilluar operacione të përbashkëta ushtarake kundër forcave gjermane në Jugosllavi... Derisa ushtria gjermane tërhiqej nga shumë fronte të luftës, ideja e Shtabit Suprem të ushtrisë gjermane për forcimin e vijës së frontit në Ballkan, u bë e parealizueshme dhe në këto rrethana armata ”E” gjermane e cila ishte e dislokuar në Greqi, mori urdhërin të tërhiqet nga ky rajon. Tërheqjen do ta bëjë nëpër Maqedoni, Kosovë dhe Sanxhak, për të kaluar nëpër Mal të Zi, Bosnjë e Hercegovinë në drejtim të veriut. Armata ”E” për çudi nuk u pengua, (përkundër propagandës së bërë nga strategët e UNÇJ-së), por kaloi me shumë pak humbje në veri - perëndim të Jugosllavisë, ndërkohë që brigadat sllavokomuniste luftimet më të ashpra do t´i zhvillojnë në Kosovë, gjoja “kundër forcave të Mbrojtjes Kombëtare të Shqipërisë Etnike dhe bandave shqiptare që po mbretërojnë në Kosovë..!! 3

Për të argumentuar këtë qëndrim, po i referohemi letrës së Miladin Popoviqit, të cilën në emër të KK të PKJ-së ua dërgoi të gjithë komisarëve politikë në Kosovë. Në letër ndër të tjera M.Popoviq shkruan: ”Edhe pse Kosovë-Metohia janë pa pushtues, ne nuk sundojmë në gjithë terrenin. Pengesa janë bandat e armatosura që përhapin shovinizëm. Tash kemi detyrë të patjetërsueshme spastrimin e Kosovës dhe të Metohisë nga këto banda. Bandat duhet likuiduar energjikisht dhe pa mëshirë. Tokat e atyre që nuk dorëzohen deri në afatin e caktuar do të konsiderohen të shtetit e këtë (konfiskim – vërejtja ime Sh.B) do ta bëjnë shtabet (e UNÇJ-së-vërejtja ime Sh.B). Në fshatrat që është bërë rezistencë duhet gjetur organizatorët dhe duhet dorëzuar gjyqit ushtarak, që do t´i gjykojë menjëherë e fshatarët t´i çarmatosë...”. 4

Sipas marrëveshjes UNÇJ-UNÇSH, në fillim të tetorit 1944 në Kosovë do të futen Brigadat III dhe V të Korparmatës së I-rë të UNÇ të Shqipërisë. Më 17 tetor 1944 edhe Armata II bullgare u nis për Kosovë, ndërkohë që në Kosovë dhe në viset tjera etnike shqiptare në Maqedoni dhe Mal të Zi, i kishin përfunduar përgatitjet për ofensivë, njësitet e Korpusit të 13-të të UNÇJ-së (Divizioni i 22-të, i 24-të, i 25-të dhe i 46-të serb), Divizioni i 41-të maqedon, brigada e 9-të malazeze dhe të gjitha brigadat e UNÇJ-së për “Kosovë e Metohi”. Operacionet ushtarake të këtyre forcave, filluan ofensivën pushtuese në tri drejtime:

1. Kurshumli – Përpallac – Podujevë - Prishtinë;

2. Lebanë – Medvegjë - Prishtinë; dhe

3. Bujanoc - Gjilan-Prishtinë.5

Gjatë operacioneve të UNÇJ-së u vranë mizorisht 47. 300 shqiptarë

Gjatë këtyre operacineve të përgjakshme këto forca kryen krime më të shëmtuara që njeh historia e njerëzimit, ndaj popullatës shqiptare, si dhe konfiskuan, plaçkitën, dogjën e shkatërruan pamëshirshëm pronat e tyre.

Gjatë kësaj periudhe janë vrarë e masakruar në mënyrat më mizore 47.300 shqiptarë. Kështu në:

Gjilanë janë vararë…..7854 veta,
Prishtinë ……………..….3.675
Drenicë …………………4.820
Mitrovicë …………........1.970
Pejë ……………………..3.540,
Ferizaj …………………...1.260,
Podujevë ……………….1.670
Prizren ………………...…1.200,
Gjakove…………………..800,
Rahovec ………………...750,
Suharekë ……………..…420,
Dragash ……………….... 500,
Preshevë …………….…. 690,
Shkup …………….…... 1.450
Kumanovë …………..…780,
Tetovë ……………...… 4.100,
Gostivar ……………....…715,
Kërcovë ………………..490,
Sangjak (Jeni Pazar)..1.410
Tutin …………………….900,
Bihor …………………..3.820,
Plavë e Guci ………….710,
Ulqin…………………….515 dhe
Tivar e Dalmaci….…. 2.600 shqiptarë.
Në këtë situatë e tërë pasuria e shqiptarëve të vrarë ishte konfiskuar, asgjësuar ose ishte plaçkitur nga kolonistët serb, që ishin kthyer sipas direktivave të Byrosë politike të KQ të PKJ-së.6

Mobilizimi i shqiptarëve për në frontin e Sremit dhe kryengritja e Drenicës, janar - shkurt 1945

Derisa Brigadat e UNÇSH-së marshuan drejt Sanxhakut, (me urdhëresën e Shtabit Operativ të Kosmetit (2.12.1944) të miratuar edhe nga Shtabi Kryesor i UNÇ të Serbisë), të gjitha brigadat e UNÇJ-së në Kosovë morën detyra konkrete për çarmatosjen e popullatës shqiptare, në emër të gjoja ”spastrimit të terenit nga bandat kriminale shqiptare”. Kjo urdhëresë vinte si përgjigje në konfirmimet e Shtabit të Divizionit 46 të Serbisë, ku thuhet, se :”Shqiptarët e Drenicës e gjetiu, ...masovikisht po u bashkohen Brigadave të Shqipërisë dhe jo atyre të UNÇJ-së”. Ndërkohë, për t´i realizuar me lehtë synimet e saj, udhëheqja jugosllave, fillon urgjentisht organizimin mobilizues të brigadave të “Kosmetit” për në Frontin e Sremit, në veri të Serbisë. Ndonëse qendra e rezistencës shqiptare në gjysmën e dytë të dhjetorit 1944 u përqëndrua në Drenicën heroike, Shtabi Operativ i „kosmetit“ urdhëroi komandën e vendit në Skenderaj të iniconte formimin e një brigade të autorizuar për mobilizimin ushtarak me ”vullnet” të mashkujve të aftë për luftë (për në front të Sremit) dhe me pas t´i bashkohet Brigades VII të „kosmetit“, që komandohej nga Shaban Haxhia.

Në mbledhjen themeluese të kësaj brigade (më 6 dhjetor 1944) ku mori pjesë edhe kryetari i Rrethit Hilmi Zariqi me të gjithë parinë e vendit (shumica prej tyre ish-veprimtarë politikë e ushtarak të Lidhjes së II-të të Prizrenit) për komandat të brigadës u emrua Shaban Palluzha nga Llausha. Në përbërjen e shtabit, Shaban Palluzha përfshiu shumë personalitete të Drenicës, si: Imer Fazliun, Isa Zymerin nga Prekazi, Ramë Sejdiun nga Llausha, Bajram e Miftar Bajraktarin të Llaushës, Mulla Ibrahimin të Hasanprishtinës, Mulla Ilazin të Burojës, Rexhep Gjelin të Likoshanit, Azem Aruqin të Makërmalit, Beqë Çubrelin, Jetullah Muharremin të Rrezallës, Sadik Zenelin, Feriz Bojiqin, Zeqir e Sadik Lutanin të Turiçecit, Shaban e Rifat Kotorrin, Hazir Gjakjen nga Akrashtica e Artakollit, Istref Temën e shumë të tjerë.7

Në Brigadën e Drenicës që me të drejt quhej Brigada e ”Shaban Palluzhës” populli shihte shpresën për të parandaluar masakrat serbe mbi popullsinë e Drenicës dhe të rrethinës. Kjo brigadë kishte shtatë batalione dhe fillimisht numri i luftëtarëve arrinte nga 500 deri në 700 veta, të cilët përbënin elitën komanduese dhe të luftëtarëve të Brigadës.

Nga fillimi i janarit 1945 Shtabi Operativ i “Kosmetit”, urdhëroi Shtabin e Brigadës së Shaban Palluzhës, të lëshonte Drenicën dhe të nisej në drejtim të Podujevës, ku duhet të bashkohej me Brigadën e VII të “Kosmetit”, për të vazhduar rrugën për në Sërbi (Kurshumli - Banjë e Kurshumlisë – Prokuple - Srem). Udhëheqja më e lartë politike dhe ushtarake serbo (jugo) sllave, krahas qëllimit për largimin e Brigadës së Shaban Palluzhës nga Kosova, kishin planifikuar edhe nxitjen e incidenteve për të gjetur si pretekst intervenimin ushtarak kundër forcave të rezistencës së armatosur shqiptare.

KNOJ-i për Kosovë në emër të spastrimit të terenit nga “bandat shqiptare...” veçanërisht në rajonin e Drenicës, ndërmorri një operacion të gjerë ushtarak kundër popullatës së pafajshme shqiptare. Në këto operacione antishqiptare morën pjesë:

1. Brigadat I-VI të kosmetit, të cilat përbënin Divizionin 52 të UJ-së;

2. Forcat e Divizionit 24, 26, 44 dhe 46 të Serbisë;

3. Divizionet 41 dhe 50 të Maqedonisë;

4. Brigadat e Malit të Zi (brigada e I-rë e Bokës dhe brigada e VI) 8 dhe

5. Repartet speciale të OZN-ës të drejtuara nga famëkeqi Spasoje Gjakoviq.*

Shtabi i Brigadës së Drenicës, largimin nga Kosova në njërën anë do ta kushtëzojë me ndërprerjen e vrasjeve dhe të plaçkitjeve mbi popullsinë civile nga ushtaria jugosllave, ndërkohë që në anën tjetër vuri lidhje me personalitetet dhe me grupet e arratisura në Dukagjin, në Shalë të Bajgorës dhe në Kosovën Lindore, me qëllim të konsolidimit të radhëve për një ballafaqim të mundshëm ushtarak me pushtuesit jugosllavë. Nga mesi i janarit 1945 përfaqësuesit e Shtabit Operativ të Kosmetit: Fadil Hoxha dhe Kërsta Filipoviq ”Grofi”, i garantuan Shaban Palluzhës se do të plotësohen të gjitha kërkesat e shtruara dhe e urdhëruan atë ta lëshonte Drenicën dhe t´i bashkohet Brigadës VII të Kosovës 9, që ishte nisur për në Sremë të Serbisë. Largimi i Brigadës së Shaban Palluzhës nga Drenica deri në Podujevë zgjati katër ditë. Duke kaluar nëpër Artakoll, fshatra të Vushtrrisë, të Permalinës dhe të Llapit, njësive të Brigadës iu bashkuan rreth 3.500 veta, të cilët ndiheshin të rrezikuar nga ushtria jugosllave. Brigada e VII e “Kosmetit” (të cilës ishte planifikuar t´i bashkohet Brigada e Drenicës) sipas urdhërit 151/45 (pa datë) të lëshuar nga Shtabi Operativ i “Kosmetit”, ishte planifikuar që e ndarë në tri grupe (eshallone), të marshojnë 9.500 veta për në Frontin e Sremit (në dokumentat ushtarake evidentohen vetëm 7.500 të mobilizuar!!).

1. Eshaloni i parë me 3.300 veta, do të niset më 21.01.1945, në krye me Qamil Brovinën;

2. Eshaloni i dytë me 3.100 veta, do të niset më 22.01.1945, në krye me Shaban Haxhin;

3. Eshaloni i tretë me 3.100 veta, do të niset më 25.01.1945, në krye me Miqa Mijushkoviqin.

Këto eshallone do të udhëtojnë këmbë prej Podujevës deri në Kurshumli. Edhe brigadat VI dhe VIII të “kosmetit” me 9.000 shqiptarë, do të ndahen në dy eshalone sikurse më poshtë:

1. Eshaloni i parë me 4.300 veta do të niset më 20.01.1945 në krye me major Popoviqin dhe kapiten Vllado Simiqin.

2. Eshaloni i dytë me 4.700 veta do të niset më 21.01.1945 në krye me Glisho Sharanoviqin dhe Sllobodan Filipoviqin (në dokumentet ushtarake evidentohen vetëm 3.100 veta - vërejtja ime Sh.B ). Këto eshalone, pasi do të udhëtojnë këmbë në rrugën: Gjilan - Bujanovc, nga Ristovci do të vazhdojnë rrugën me tren për në Srem. Për këtë rrugëtim të brigadave kosovare, Shtabi i Divizionit 46 serb më 17.01.1945 do të lëshojë një dokument (urdhër) sekret, në të cilin do t´i njoftonte brigadat e veta 25, 26 dhe 27 të dislokuara në Kosovë, për udhëtimin e njësive shqiptare të Brigadës VII, në rrugën Podujevë - Kurshumli... dhe u theksonte se në ato njësi konsiderohet se ka shumë dezertorë dhe kriminelë të njemendët, ndaj u urdhëruan që t´u vihej roje përgjatë rrugës (në të dy anët e Grykës së Llapit) në mënyrë që të pengojnë dezertimin e tyre.10

Rezistenca e Brigadës së Drenicës - krijimi i zonës së lirë

Derisa makineria ushtarake jugosllave vriste popullsinë e pafajshme shqiptare gjithandej Kosovës 11, sipas kujtimeve të martires shkodrane Marije Shllaku, shtabi i Brigadës së Drenicës, më 21 janar 1945 në Gryk të Llapit, mbajti një mbledhje, në të cilën ishin ftuar rreth 100 personalitete shqiptare të arratisur (në mesin e tyre ishin edhe Prof.Ymer Berisha dhe Ukë Sadiku) për të vendosur, lidhur me shkuarjen apo mosshkuarjen e Brigadës nga Kosova dhe për kahet që duhet të mirrte Lëvizja e Rezistencës Shqiptare. Në shenimet e saj (për këtë mbledhje) Marije Shllaku saktësoi: ”Bëmë një bisedë paria, për gjendjen e ngushtë që na paraqitej, të vdesim dhe të mos biem nën Serbi: edhe në paqim mundësi të shpëtojmë pa luftë. Në qoftëse jo, të çohemi të gjithë dhe të mbrojmë, por të mos e lëshojmë Kosovën”.12

Në një takim të fundit, të mbajtur më 23.01.1945 në Gllamnik, në mes Shaban Palluzhës dhe përfaqësuesit të Shtabit Operativ të“Kosmetit”: Ismet Shaqirit, këtij të fundit iu kumtua kundërshtimi i shkuarjes së Brigadës për në Srem (Serbi), për shkak të vrasjeve dhe masakrimeve të popullsisë shqiptare që kryenin brigadat jugosllave anë e këndë Kosovës.

Pas dështimit të bisedimeve, Shtabi i Brigada së Drenicës më 23 janar 1945 i bëri përgatitjet e mundshme për daljen nga rrethimi i shumëfisht i ushtrisë jugosllave me humbje sa më të vogla. Më 24 janar 1945 brigada la Grykën e Llapit dhe marshoi drejtë djepit të qëndresës shqiptare-Drenicës. Fillimisht Brigada dislokohet përreth Gllamnikut, ndërsa Shtabi i saj vendoset në Gllamnik. Në orën 16 të asaj dite, gjatë marshimit të Brigadës nga Gllamniku në drejtim të Barilevës për të depërtuar në malet e Qiqavicës, komandanti i Shtabit Operativ të Kosmetit, Fadil Hoxha, urdhëroi njësitë e veta të shtinin 14 predha topi 13 në mesin e ushtarëve të Brigadës së Drenicës. Mirëpo, luftëtarët e brigadës u mbrojtën me sukses nga sulmet e tilla dhe pa kurrfarë humbjesh vazhduan rrugën. Ndeshja e parë ballore e Brigadës me Ushtrinë pushtuese jugosllave ndodhi më 25 janar 1945, në Artakoll. Ndonëse më 26 janar Shaban Palluzha me 500-700 luftëtarë besnikë, deperton në Drenicën qëndrore, pjesa tjetër e luftëtarëve që vinin nga Llapi, Permalina, Artakolli... u shkëputën (nga brigada) për të depërtuar në Shalë të Bajgorës e gjetiu, me qëllim të organizimit të rezistencës në ato rrethe.

Nga luftimet e përgjakshme deri me 31.01.19145 krijohet një “Zonë e Lirë” në të cilën do të përfshihen 20 fshatra të Drenicës, si: Tërsteniku, Bajica, Palluzha, Shtutica, Dashevci, Mikushnica, Luboveci, Oshlani, Obria e Epërme, Obria e Poshtme, Açareva, Obiliqi i Epërm, Obiliqi i Poshtëm, Krushevica dhe disa fshatra përreth. Gjatë këtyre betejave Brigada e Shaban Palluzhës ka shpartalluar disa njësi serbo-malazeze si dhe 1/3 e Brigadës 25 serbe. Brigadat jugosllave, në kuadër të të cilave ishin mobilizuar mbi 40 mijë ushtarë, ato ditë morën urdhër që të shkatërrohen me artileri të rëndë, të gjitha fshatrat e fortifikuara që bëjnë rezistencë të armatosur. Në zbatim të këtij urdhëri u dogjën e u rrënuan me tokë fshatrat: Tërstenik, Obria e Epërme, Obria e Poshtme, Plluzhina, Tica, Likoci, Rezalla, Palluzha, Krushevci dhe Dashevci, ndërsa pjesërisht u rrënuan: Polaci, Kozhica, Prelloci, Gradica dhe disa lagje nga fshatrat tjera.

Kush u denua me pushkatim për „dezertim“ nga Fadil Hoxha?!

Gjatë këtyre operacioneve këto urdhëra nuk do t´i zbatoi “Batalioni i Rinisë” i cili drejtohej nga Isuf Ibrahimi, e ku ishin të gjithë shqiptarë. Ky batalion me 1 shkurt 1945 (për të mos u vrarë vëlla me vëlla) do ta lëshoi frontin e hapur në Prekaz, Klinë të Mesme, Klinë të Epërme në drejtim të fshatit Polac. Për këtë „dezertim“, Gjyqi Ushtarak i Shtabit Operativ të Kosmetit, të kryesuar nga Fadil Hoxha, më 25 prill 1945 do t´i dënojë 5 veta me pushkatim dhe dy të tjerë me nga 2 vjet burgim të rëndë. Ata që u denuan me pushkatim ishin:

1. Komandanti Isuf Ibrahimi nga Gjilani;

2. Xhafer Lladova nga Lladova;

3.Abdyl Hyseni,

4. Shaban Cernica dhe

5. Raif Halimi,që të tre nga Cërnica.

Ekzekutimi i tyre u bë në burgun e Pejës, ndërsa nga pushkatimi shpëtoi vetëm Raif Halim - Cërnica, i cili do t´i mbaj 18 vjet burg të rëndë nëpër kazametet famëkeqe të regjimit komunist jugosllavë.

Rënia e Shaban Palluzhës dhe Mehmet Gradicës

Më 18 shkurt 1945, pas një rezistence heroike, kur bashkëluftëtarët e Shaban Palluzhës mbeten pa municione, veshmbathje e pa bukë, me urdhër të Mehmet Gradicës një pjesë e madhe e tyre u shpërnda për t´i shpëtuar vdekjes, ndërsa rreth tyre do të mbesin vetëm 70 - 100 luftëtarë. Natën e 20/21 shkurtit 1945 Shaban Palluzha dhe Mehmet Gradica me një efektiv luftëtarësh prej 17-29 veta u gjetën të rrethuar në Kullat e Fekë Zenunit në Berzhenik. Me këtë rast dolën nga rrethimi me luftë të pakompromis, duke lënë 6 ushtarë serb të vrarë dhe një të plagosur. Nga aty gjatë ditës arritën të fortifikohen në Kullat e Dvoranëve në Tërstenik me një efektiv të përgjithshëm prej 16-20 luftëtarësh. Natën e 21/22 shkurtit 1945 kullat u gjetën në rrethim të hekurt nga njësitë e Divizionit 52 të UJ-së, të udhëhequr nga Petar Brajoviq. Shaban Palluzha me bashkëluftëtarët e tij me sukses i përballoi sulmet e këmbësorisë duke vrarë disa ushtarë serb. Meqë pa ndihmën e artilerisë së rëndë, kulla nuk do të pushtohet lehtë, u gjet renegati shqiptar Kadri Mehmeti nga Klina, i cili duke gjuajtur me top e shkatërroi kullën dhe nga trarët e saj u plagosën për vdekje dy kreshnikët: Shaban Palluzha dhe Mehmet Gradica. Zëvendëskomandanti i brigadës Rexhep Xheli, i ndihmuar nga pesë-gjashtë bashkëluftëtarë, me sukses shpërthyen rrethimin dhe u tërhoqën duke i bartur Shaban Palluzhën dhe Mehmet Gradicën. Shabani dhe Mehmeti do të vdesin mbi krahët e bashkëluftëtarëve dhe kufomat e tyre do të fshihen, për ta mbajtur kështu nën ethe të frikës, ushtrinë pushtuese edhe për një kohë te gjatë.14

Kryengritja e Drenicës u shua me gjak, por në historinë tonë mbeti një nga epopetë më të lavdishme të saj, që për gjeneratat e reja u bë burim frymëzimi deri në epokën e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Kush e vendosi administrimin ushtarak në Kosovë ?

Në kohën kur forcat jugosllave zhvillonin operacionet më të përgjakshme në Drenicë, më 8 shkurt 1945, komandanti suprem i UNÇJ-së J.B.Tito me urdhër të veçantë nr.31 vendosi administrimin ushtarak në Kosovë. Për këtë vendim, Titoja më 7 shkurt në Beograd pati një takim me ushtarakët serb: Savo Dërleviqin, Gjuro Medenicën dhe Kërsto Filipoviqin, të cilëve ju foli për rolin që duhet ta luante Administrimi Ushtarak në Kosovë. Me këtë urdhër, i tërë pushteti në Kosovë do t´i kaloi një grupi të caktuar ushtarakësh serbo-malazez, të cilët do të ushtronin pushtetin politik, ekzekutiv dhe gjyqësor. Me këtë rast pasuan ndryshime në tërë strukturën e kuadrove komandues. Në krye të pushtetit ushtarak, përkatësisht të Shtabit të Ri Operativ u emrua ish-shefi i Armatës së I-rë kolonel Savo Dërleviq, duke e zavendësuar Fadil Hoxhën i cili mbeti zavendës i tij. Shef i Shtabit u emrua nënkolonel Dushan Vukotiq (deri në atë kohë ishte zëvendëskomandant i Divizionit 46 jugosllavë), shef i prapavijës u caktua Stevo Dobërkoviq (i dërguar nga shtabi qëndror i Sërbisë), ndërsa komisar politik u emrua nënkoloneli Gjuro Medenica. Më 10 shkurt 1945 kjo komandë bëri riorganizimin e tërësishëm të ushtrisë duke formuar Divizionin e artilerisë, të kalorësisë, të ndërlidhjes, grupin operativ të brigadave, Divizionin 46, 52 etj.15

Kjo makineri pushtuese ushtarake në Kosovë, në emër të "spastrimit" e terrenit nga "mbeturinat e fashizmit" dhe "kundërrevolucionarë t" vrau e masakroi mijëra shqiptarë anë e këndë Kosovës. Veçmas pas vendosjes së regjimit ushtarak në Kosovë, për shtypjen dhe shpartallimin e elementeve kryengritëse, Shtabi Operativ i „kosmetit“ i urdhëruar nga SHS i UNÇJ-së nisi mobilizimin e shqiptarëve për t'i dërguar në frontin e Trieshtës dhe Istrës (në veriperëndim të Jugosllavisë), ndonëse mobilizimi i shqiptarëve kishte filluar qysh në fund të dhjetorit 1944 (me dërgimin e tyre në frontin e Sremit, në veri të Sërbisë). Më 11.03.1945 në Gjakovë u organizua një demonstratë e grave, kundër mobilizimit me dhunë, të djemëve, vëllezërve dhe burrave të tyre.

Mobilizimi i dhunshëm i shqiptarëve në mars - prill 1945

Shtabi Operativ i “kosmetit” i urdhëruar nga SHS i UNÇJ-së me qëllim të shpërbërjes së bërthamës së qëndresës shqiptare në Kosovë, gjatë muajve mars-prill 1945 mobilizon me dhunë shqiptarët për t´i dërguar në frontin e dytë të ashtuquajtur të ”Adriatikut” në veriperëndim të Jugosllavisë.

Skenaristët e Masakrës së Tivarit, për dërgimin e mobilizuesve shqiptarë në pjesët veriperëndimore të Jugosllavisë, kishin zgjedhur rrugën Prizren – Kukës – Shkodër – Tivar – Dubrovnik - Rijekë. Për këtë front mobilizuan shqiptarët nga Vushtrria, Besiana (ish - Podujeva), Prishtina, Kaçaniku, Ferizaji, Gjilani, Lipjani, Shtimja, Theranda, Burimi, Peja, Gjakova, Rahoveci, Sharri, Prizreni... etj.16

Sipas kujtimeve të pleqëve, që përjetuan këtë mobilizim të dhunshëm..., të mobilizuarit shqiptarë, fillimisht janë tubuar nëpër qendrat e rretheve dhe ato komunale e pastaj, të organizuar në njësi ushtarake, të komanduara nga oficerë shqiptar, kanë udhëtuar në qendrën e përgjithshme mobilizuese (në kazermat ushtarake) në Prizren. Pas sistemimit, shqiptarët e mobilizuar do të çarmatosen, me arsyetimin se armët do t'i marrin në Kroaci e Slloveni!
Çarmatosja, atyre ju ka dhënë një sinjal të keq dhe me të drejt ka lindur dyshimi në përgatitjen e ndonjë skenari shfarosës në prapaskenë. Kjo psikoz u thellua edhe më tepër, atëherë kur u çarmatosën edhe oficerët shqiptar dhe për përcjelljen e tyre u ngarkua Brigada XXVII e divizionit 46-të serb e njohur për terrorizimin e popullit shqiptar gjatë muajve të kaluar.

Deportimi i shqiptarëve të mobilizuar, nga kazermat e Prizrenit u bë në tri grupime (eshalone):

1.Eshaloni i parë që përbëhej nga 3.700 veta, u nis më 24. 03. 1945 dhe pas 5 - 6 ditësh arriti në Tivar, ku iu dorëzua reparteve të Divizionit të IX - të jugosllavë. Gjatë rrugëtimit, derisa u dorëzuan në vendin e caktuar, të mobilizuarit u keqtrajtuan në mënyrë shtazarake nga kriminelët serbo-malazezë. Të mobilizuarit shqiptar nga Tivari do të nisen për në Istri, ku fillimisht disa ditë do të ndalojnë për të pushuar në ujdhesën Çiovë afër Trogirit. Dhe ato ditë gjatë kalimit me një anije të vjetër, nga ujdhesa për në Trogirë, u mbytën rreth 65 veta, prej të cilëve 29 qenë vetëm nga Kaçaniku.

Si ndodhi masakra e Tivarit - më 1 prill 1945?!

2.Eshaloni i dytë i përbërë nga 4.700 veta, u nis dy ditë më vonë (më 26 mars) nën përcjelljen e forcave të Brigadës XXVII dhe më 30 mars në Shkodër iu dorëzua Brigadës X malazeze 18. Gjatë marshimit katër ditor në rrugën Prizren – Zhur – Kukës – Puk - Shkodër, përkundër lodhjeve e rraskapitjeve të mëdha nga rruga e gjatë, të mobilizuarit u maltretuan e u rrahën dhe në shumë vende shumë prej tyre u vranë... si, gjatë kohës së pushimit, gjatë kalimit të lumejve apo gjatë tentimit të ndonjërit prej tyre për ta shuar etjen, në burimet e ujit.

Vrasjet e para u bënë në mesnatën e 26/27 marsit gjatë një pushimi nën qiellin e hapur në Kukës. Me këtë rast u vranë njerëzit më autoritativë nga radhët e të mobilizuarve, ishin eprorët e njësive ushtarake ata shqiptar që komanduan gjatë marshimit nga qendrat komunale për në kazermat ushtarake të Prizrenit. Në mbrëmjen e 27 marsit ky eshalon arrin në Fushë - Arrëz dhe sipas një skenari të parapërgatitur mirë, xhelatët serbo – malazezë, gjatë kohës së pushimit (në mesnatën 27/28 mars) nën qiellin e hapur duke fjetur (në gjumë) i vrasin mizorisht rreth 120 - 140 veta dhe kufomat e tyre u hodhën në një hendek... 19

Edhe pse të lodhur e të rraskapitur nga rruga e gjatë dhe uria, do të vazhdohet metutje me rrugëtimin dhe natën e 28 / 29 marsit të mobilizuarit do ta kalojnë në një luginë të rrethuar me pyje në periferi të Pukës. Të nesërmen shumë veta për shkak të torturave, helmimeve me ushqim, veshmbathjes së dobët... nuk kanë mundur ta vazhdojnë rrugën dhe mëngjesi i gjeti të vdekur. 20 Në mbrëmjen e 29 marsit, gjatë kalimit të një kanioni (lugine të thellë) te “Ura e Zogut” përmes një vagonete - teleferiku të improvizuar, u hodhën në greminë rreth 50 veta dhe shumica prej tyre gjetën vdekjen. 21

Në mëngjesin e 30 marsit, Eshaloni i dytë është nisur në drejtim të Shkodrës dhe në “Vaun e Spasës” meqë ishte ura e shkatërruar, lumi është kaluar me anije të improvizuar. Rreth orës 16:00 kolona është futur në Shkodër ku në të dy anët e rrugëve janë përshëndetur nga mijëra shkodranë. Gjatë kësaj kohe, shkodranët sollën ushqime dhe ujë për vëllezërit e tyre nga Kosova, por, xhelatët serbo-malazezë e ndaluan një gjë të tilë dhe me shpejtësi kolona e të mobilizuarve u vendos në një kazermë në kodrën e lartë në Shkodër. Aty kah mesi i natës 30/31 mars eshaloni është nisur në drejtim të Ulqinit dhe me të kaluar kufirin (afër Ulqinit) kolona është ndalur gjoja për të pushuar. Me këtë rast të gjthë të sëmurët dhe të plagosurit ndahen në një vend të caktuar, me arsyetim për të evituar ndonjë epidemi të mundshme, dhe me premtimin se ata do të shërohen në ndonjë spital të Malit të Zi janë ndaluar aty dhe kurrë më nuk është mësuar për fatin e tyre, ashtu sikurse nuk dihet as për fatin e qindra shqiptarëve të tjerë që u ekzekutuan gjatë këtij rrugëtimi.

Pas këtyre peripetive, eshaloni i dytë, nën përcjelljen e malazezëve - në mesditën e datës 1 prilli 1945 arriti në Tivar. Atë ditë të kobshme rrugëve të qytetit shihej një mobilizim i ushtarëve serbo - malazez, të cilët vështronin me përbuzje kolonën e gjatë të shqiptarëve. Kjo kolonë është ndaluar në qendër të qytetit (me urdhër) kinse për të pushuar dhe ndërkohë ndodhë një eksces në mes të rojes dhe katër shqiptarëve, të cilët u penguan që të pinë ujë në një krua aty afër. Nga ky konflikt ushtarët e urdhëruar derdhin një breshëri plumbash në trupat e shqiptarëve, me ç'rast vriten disa prej tyre. Situata e tensionuar me qëllim (për ta filluar komplotin e përgatitur) e shtyri masën e shqiptarëve që të shtrihen për toke, ndërkohë që ajo hapsirë ishte vënë në shënjestër të pushkëve dhe mitralozëve që ishin vendosur në çdo qoshe të rrugëve, dritare dhe terracë të shtëpive e në shkëmbijtë e kodrave përreth . 22

Si e kujton masakrën e Tivarit dëshmitari Azem Hajdini?

Azem Hajdini njëri nga dëshmitarët e mbetur gjallë nga Masakra e Tivarit, ngjarjen e krijuar pas ekscesit e kujton si më poshtë:

"Me të përfunduar të këtij akti mizor, meqë ne ishim në kolonë për 4, në gjatësi prej 5-6 km, e ku mundësia për një shfarosje masive ishte më e vogël, na kanë urdhëruar të ngritemi në këmbë dhe të qëndrojmë në vend me duar të lidhura mbi kokë. Pas pak na kanë urdhëruar të ecim drejt një ndërtese të madhe 3 katshe, i ashtuquajtur “Monopol i duhanit”, me një sipërfaqe prej afro 300 m2 dhe me oborr të rrethuar. Ndërtesa ishte e rrethuar nga të 3 anët me kodra shkëmbore, kurse oborri ishte i rrethuar me mure të larta e me rrethoja të hekurt, me maje të prehta, gjë që krijonte kushte shumë të volitshme për likuidimin e të gjithë neve pa marr parasysh a gjendeshim në oborr apo në ndërtesë. Në të hyrë të oborrit - kujton A.Hajdini - ishin 10 - 15 ushtarë të cilët me shufra hekuri godisnin në kokë, gjoks apo në shpinë çdo njërin prej nesh... dhe nga këto goditje mbetën të shtrirë për vdekje rreth 100 - 150 veta. " Pas futjes së shqiptarëve brenda në ndërtesë (rreth 1000 veta) dhe brenda oborrit të rrethuar me mure (2.200 - 2.500 veta) dhe një pjese tjetër të mbetur në rrugë para oborrit, rreth orës 14.00, ata do të sulmohen nga të katër anët. Shtihej me te gjitha llojet e armëve të zjarrit si: me pushkë automatike, mitralozë, mortaja dhe bomba dore, revole etj, kështu që brenda një ore, gjithë masa e grumbulluar në ato hapsira nuk mbeti në këmbë. Me këtë rast oborri dhe sheshi u shndërrua në lumë gjaku që i ngjante një kataklizme të vërtetë, ndërsa ndërtesa u shndërrua në gërmadhë, me qindra kufoma shqiptarësh brenda saj. Kësaj masakre makabre arritën t'i shpëtojnë kryesisht ata që u gjendën në ndërtesë dhe ndonjëri, që kishte rënë në tokë para se të filloj sulmi. 23

Xhelatët e pashpirt, për të identifikuar të plagosurit që kishin shpëtuar nga trupat e pajetë të shokëve të tyre, në emër të “shtabit” lëshuan një proklamatë në të cilën thuhej: “a) Informohen të gjithë ata që kanë mbetur gjallë ose të plagosur se komandanti suprem i UNÇ, shoku Tito ka urdhëruar ndërprerjen e zjarrit dhe të gjithë i ka falur - pavarësisht prej gabimeve që i kanë bërë !!!
b) të gjithë të plagosurve do t´u jepet ndihma mjekësore dhe sipas nevojës do të dërgohen në shërim, prandaj të gjithë ata të ngriten në këmbë dhe të skajohen. c) kërkojmë të brohoritni parullat: ”Rroftë shoku Tito”, ”Rroftë bashkim-vëllazërimi”, ”Rroftë ushtria nacional-çlirimtare”... !!!24

Duke menduar se thirrjet e proklamatës ishin të vërteta, shumica e të plagosurve do të ngriten nga vendi për të kërkuar ndihmë mjekësore. Por.., çka ndodhi...?! Ushtarët mizorë në vend të ndihmës mjekësore, u vërsulën si bisha mbi ta dhe i masakruan pamëshirshëm. Ky asgjësim barbarë zgjati deri në orët e mbrëmjes, të datës 1 prill, kur në vendin e krimit do të vijnë një grup oficerësh të prezentuar si dalmatinë.

Këtë ngjarje dhe ajo çka pason në vijim A.Hajdini e kujton kështu: “Pas kontaktit që vuri (Isuf Halili nga Radisheva që kishte dal i pari për të kontaktuar me njërzit që u prezentuan si dalmatin e që apelonin për të dalë nga ndërtesa), si dhe pas premtimeve që morëm se nuk do të ketë vrasje, edhe ne të tjerët vendosëm ta lëshojmë ndërtesën. Para se të fillojë dalja, në ndërkohë serbët dhe malazezët vunë roje në çdo kat të ndërtesës dhe askush s'mund ta lëshonte atë pa u kontrolluar detajisht. Prej nesh kanë konfiskuar çdo gjë të vlefshme, si unaza ari, orë dore ose xhepi, të holla etj. Kur dolëm jashtë, vërejtëm se oficerët që na kishin përcjellur dhe ata të paraqitur si dalmatin, edhe më tutje diskutonin me tone të larta dhe plotë nervozizëm. Mësuam se të parët përpiqeshin ta arsytojnë masakrën andaj prej ushtarëve dhe oficirëve të ardhur kërkonin që të largoheshin prej vendit të ngjarjes. Nuk vonoi edhe ata u tërhoqën, sigurisht në aradhat e veta e neve na lanë prap në mëshirën e gjakatarëve. Derisa dilnim nga ndërtesa, pas nesh mbeteshin një numër i madh i të plagosurve, duke qarë e kërkuar ndihmë.“ 25

Në vijim dëshmitari Hajdini përkujton: “Me të dalur në oborr, vërejtëm një rrethim të madh nga ushtarët serbë e malazezë, por edhe një skenë të llahtarshme para nesh, ku shtriheshin me mijra të vrarë e të plagosur. Pamje trishtuese ofronin sidomos gjësendet e mprehta si bajonetat, sëpatat, tërfurqit shkopinjtë, që kishin mbetur të ngulitura në gjoks, stomak apo gjymtyrë të tjera të trupit. Në atë grumbull njerëzish të kryqzuar si kubiku i druve një mbi një, nuk mund të dallohej se kush është kush, ku e ka kokën e ku këmbët apo trupin. Kishte shumë të plagosur që vuanin duke vajtuar, kërkonin ndihmë, klithnin e çka jo tjetër. Është vështirë të përshkruhet gjithë ajo skenë e tmerrshme, kur të plagosurit që u shkonte gjaku rrëke, kërkonin ndihmë e nuk ishin në gjendje t'u ndihmojmë. Ishte shumë vështirë për ne që mbetëm gjallë detyrimi të qëndrojmë në këmbë mbi kufoma. Edhe ne qanim së bashku me të plagosurit të cilët shpesh klithnin:

„ ndihmom vëlla, e mos shkel mbi varrën time“,

„vëlla, ma jep një pikë ujë“,

„ma hiq sopatën, tërfurkun, thikën nga gjoksi“,

„më nxirrë prej kufomave“ etj, etj „.

Nuk ishin të rralla edhe lutjet: „vëllazër, mos na leni në duar të këtyre xhelatëve“, „na mytni ju“…!!

Të shtërnguar nga të gjitha këto kërkesa, edhepse ishim të rrethuar nga qindra ushtarë të armatosur, ne megjithatë u përpoqëm që sado - pak t'u japim ndihmë duke i nxjerrur të plagosurit nga kufomat. Por, atë moment kur na kanë diktuar se po u ndihmojmë, ushtarakët dhanë urdhër të ri kërcnues se çdo kush që tenton t'ju ndihmojë ose që shmanget nga turma që qëndronim në këmbë, do ta zë plumbi. Poashtu dënohet me vdekje çdo i plagosur që tenton t'u bashkangjitet atyre që kanë mbetur gjallë në ndërtesë.“

Në këtë rrëfim rrënqethës plaku Hajdini thotë se i ka njohur disa të plagosur dhe të vrarë në këtë masakër barbare: „…të plagosurit duke kërkuar ndihmë njoha Asllan Mustafën nga Tërnavci, Bislim Pajazitin nga Krasimovci, Bejtë Bislimin nga Kryshefci e disa të tjerë, emrat e të cilëve tani nuk më kujtohen. Ndër kufomat në oborr njoha Sinan Avdiun nga Tërnavci, Hysen Zeqën nga Kuçica, një djal të ri nga Rakinica, tre të tjerë nga Kopiliqi, dy shokë nga Prekazi e të tjerë.“…26

Mobilizimi i kryesve të krimit për zhdukjen e krimit!

Për të humbur gjurmët e kësaj vepre mizore, u mobilizuan të gjitha njësitë ushtarake serbo - malazeze, qytetarë e punëtorë të këtij nacinaliteti dhe me kamionë, vagoneta, qerre etj, gjatë tërë natës së ½ prillit i bartën kufomat dhe të plagosurit (bashkë!!!) dhe i transportuan në drejtim të Tivarit të vjetër, tek një vend (humnerë) në mes shkëmbinjëve të bregdetit. Kufomat e shqiptarëve fillimish u dogjën e pastaj u hudhën në humnerë, ndërsa pjesa tjetër do të varrosen ...!!!

Sipas burimeve arkivore rezulton se në Tivar, më 1 prill 1945 u vranë e u masakruan mizorisht rreth 1700 shqiptarë, 27 ndonëse nga kujtimet e dëshmitarëve që përjetuan këtë masakër, rezulton që ky numër të jetë më i madh...28 Më 20.IX.1996 TV norvegjeze ka kumtuar një lajm për zbulimin e një varreze masive afër Tivarit me 2 mijë viktima të shqiptarëve të vrarë më 1 prill 1945.

Kjo ngjarje tragjike për popullin shqiptar, edhe pse ndodhi larg opinionit të atëhershëm, ishte e qartë se u përgatit nga kreu i udhëheqjes jugosllave edhe pse më vonë Aleksandër Rankoviçi me kompani, këtë ngjarje do të përpiqet ta cilësoj si incident të rëndë të shkaktuar me fajin e vet shqiptarëve !! 29

Edhe pas masakrës së Tivarit, vazhdoi dhunshëm mobilizimi i shqiptarëve

Edhe pas kësaj masakre që ndodhi me grupin e dytë, dërgimi i shqiptarëve për në Frontin e ashtuquajtur të Adriatikut vazhdoi edhe më tutje.

3. Grupi (Eshaloni) i tretë, me 2700 veta, nga Prizreni u nis më 27 mars 1945 dhe u shoqërua nga Brigada famkeqe XXVII. Shumë shqiptarë të mobilizuar në këtë grup, gjatë rrugëtimit të gjatë e të mundimshëm, për mungesa të ushqimit e të higjienës u sëmunë rëndë nga tifoja dhe për pasojë dhjetra prej tyre vdiçën rrugës. Më 1 prill (ditën kur në Tivar - u masakruan pamëshirë shqiptarët e grupit të dytë) këtij eshaloni gjatë kalimit të lumit Buna, iu përgatit një incident me ç'rast u vranë disa prej tyre. Ndërkaq në mbrëmjen e 2 prillit ky grup arriti në Tivar dhe iu dorëzua Divizionit të IX-të dalmatin. Nga Tivari me anije u transportuan në Dubrovnik, ku u vendosën në disa objekte me destinime të ndryshme, mirëpo një grup prej 800 vetash që ishin vendosur në një depo baroti, në një mëngjes u gjetën të ngulfatur nga një lloj helmi dhe vdiçën të gjithës sa ishin aty 30.

Duke u bazuar në shifrat e sipërthëna delë se gjatë muajit mars 1945, për në front të Adriatikut janë mobilizuar 11.100 shqiptarë, ndërkohë që organet zyrtare evidentojnë një numër më të vogël (7.420 veta). Gjatë muajit mars 1945 (për këtë front) u mobilizuan dhunshëm edhe dy grupe shqiptarësh, nga trevat etnike të Maqedonisë perëndimore.

Mobilizimi i dhunshëm i shqiptarëve për në
frontin e “Adriatikut” - në prill 1945

Mobilizimi i shqiptarëve të Kosovës dhe dërgimi i tyre për në Frontin e ashtuquajtur të "Adriatikut", ka vazhduar edhe gjatë muajit prill 1945.

Që në fillim të këtij muaji, Shtabi Operativ i Kosovës i përbërë kryesisht nga serbo-malazezët, lëshoi urdhëresën (Zonave ushtarake –Sh.B)) për ndjekjen dhe kapjen e të gjithë dezertorëve shqiptarë (nga Brigadat Kosovare – Sh.B) por edhe të tjerëve që ishin të aftë për luftë dhe prëgatitjen e tyre për t'u rreshtuar (moblizuar) në repartet e Armatës së IV-të jugosllave. Ky aksion i ndërmarrë në emër të "spastrimit të terenit nga forcat reaksionare" pasoi me vrasje e likuidime të shqiptarëve kudo që ishin, ndërkohë që radhët e grupeve nacionaliste në shumë anë të Kosovës u rikonsoliduan për ta mbrojtur popullatën nga ekspeditat e përgjakshme të divizioneve serbo-malazeze. Ato ditë prilli, Prizreni (me rrethinë) si një nga qytetet me peshë mbarëkombëtare në histori, meqë ishte epiqendër e mobilizimit, kalonte momente tepër dramatike që të kujtonin barbarinë serbe të viteve 1912-13, të kryera në fshatrat eVërrinit, Opojës dhe të Lumës.

Sipas dokumenteve arkivore, në Zonën Ushtarake të Prizrenit (ku përfshiheshin Suhareka, Rahoveci dhe Dragashi – Sh.B) operonin Brigadat II dhe IV kosovare dhe Brigadat serbe të Divizionit 46-të. Në rrethinat e Prizrenit, në Vërri, Has e në Kabash, operonin batalionet e Brigadës së IV-të kosovare dhe repartet e Brigadës XXV serbe, të cilat shtriheshin edhe në Rrafshin e Opojës (komuna e Dragashit). Këto Brigada famëkeqe, duke i zbatuar urdhërat e “Shtabit Operativ të Kosmetit” - për mobilizimin e shqiptarëve, pasi vunë në një shetrrethim të plotë Prizrenin dhe fshatrat e Vërrinit, të Hasit, Përdrinit, Kabashit dhe të Opojës, terrorizonin egërsisht popullatën e pafajshme dhe arrestonin të gjithë meshkujt prej moshës 18-60 vjeç.

Në këtë fushatë të egër, vetëm më 17 prill në Prizren u dogjën shumë shtëpi dhe u arrestuan mbi 400 veta, të cilët iu dorëzuan organeve të OZN-së. Listat e të arrestuarve përpunoheshin nën mbikqyrjen e Komitetit të PKJ të Prizrenit. Deri më 19 prill nga fshatrat e Prizrenit u arrestuan mbi 1300 veta 31, dhe sipas të dhënave të mbledhura në teren prej tyre 195 mashkuj ishin nga fshatrat e Vërrinit. Arrestimet më të mëdha të përcjella me dhunë, rrahje e vrasje, u bënë në Zhur, Billushë, Kobajë, Lybeçevë, Jeshkovë, Leskovec, Vlashnje dhe në Vërmic 32.

Në këtë periudhë të mobilizimit u arresutan edhe shumë kuadra shqiptar, që përbënin organet e pushtetit lokal dhe në vend të tyre emroheshin njerëzit e dëgjueshëm. Shumë shqiptar duke iu shmangur mobilizimit iu bashkuan radhëve të grupeve të rezistencës (Çetave nacionaliste). Ta zëmë në trevën e Vërrinit pjesa më e madhe e mashkujve (që iu shmangën kthetrave serbe) iu bashkuan Çetës nacionaliste të udhëhequr nga Destan Berisha nga fshati Billushë ( tani Kushtrim).

Në këto rrethana të jashtëzakonshme, në muajin prill 1945, në kazermën ushtarake të Prizrenit u grumbulluan (nën tytat e pushkëve) mijëra shqiptarë, të cilët të ndarë gjithashtu në tri grupe (eshalone) u nisën drejtë brigjeve të Adriatikut.

“ 1. Grupi (eshaloni) i parë - me 1.506 veta, nga Prizreni për në Tivar u nis më 19 prill, i shoqëruar nga repartet e batalionit të I-rë të Brigadës XXVI dhe Kompanisë së zbulimit të Divizionit të 46-të serbë. Gjatë rrugës, në Shkodër dy veta vdiqën nga tifoja, me ç´rast së bashku me shqiptarët e pësoi edhe një roje serbe nga repartet përcjellëse.

2. Grupi (eshaloni) i dytë - me 2.601 veta, u nis më 20 prill nën mbikqyrjen e Brigadës XXV dhe të kompanisë së zbulimit të Divizionit 46 serbë. Rrugëtimi i gjatë dhe i mundimshëm bëri që disa shqiptar të dezertojnë. Ndërsa gjatë kalimit të lumit Buna u mbytën 17 shqiptarë dhe 1 ushtar serb nga repartet përcjellëse.

3. Ndërkaq, më 24 prill u nis grupi (eshaloni) i tretë - me 1.216 veta, i përcjellur nga Brigada XXVI “ 33.

-Nga këto shifra rezulton se gjatë prillit, janë mobilizuar 5.323 shqiptarë, ndërsa pushteti serb, evidenton vetëm 4.300 veta.

Të gjitha këto grupe - eshalone (të marsit – prillit 1945) u dorëzuan në repartet e Armatës së IV-të jugosllave dhe me anije u deportuan në shumë vija të frontit në Slloveni e Kroaci, prej nga qindra – mijëra shqiptarë nuk u kthyen kurrë në shtëpitë e tyre

Sa shqiptarë u mobilizuan dhunshëm në janar-prill 1945...?!


Gjatë muajve mars-prill 1945, përmes rrugës Prizren – Kukës – Shkodër - Tivar (për në Frontin e Adriatikut) janë deportuar (mobilizuar) 16.423 shqiptarë nga Kosova, kurse rreth 4.600 të tjerë u dërguan nga viset etnike shqiptare të Maqedonisë. Ndërkaq, në janar 1945 për në Frontin verior (të Sremit) janë mobilizuar rreth 18.500 shqiptarë në përbërje të Brigadave kosovare dhe 5000 të tjerë nga Maqedonia. Nga këto shifra rezulton se gjatë muajve janar - prill 1945, janë mobilizuar dhunshëm rreth 44.523 shqiptarë nga Kosova dhe viset tjera etnike, për në frontet e ashtuquajtura të “Sremit” e të”Adriatikut”.

--------------------------


Foto - dokumente


 
Udhëheqja politike-ushtarake e Kosovës në vitet 1943-45

 
Fadil Hoxha Shefqet Peqi dhe Rifat Berisha - Nëntor 1944 në Prizren

 
Shaban Polluzha

 
Mehmet Gradica

 
Ku shtrihet TIVARI

 
Eshaloni i Prillit 1945 - duke rrugëtuar nëpër Shqipëri në drejtim të Tivarit

 
Dëshmitari Azem Hajdini që ka mbijetuar nga Masakra e Tivarit

 
Kompleksi i Monopolit të duhanit në Tivar, ku u krye masakra me 1 prill 1945

 
Kalaja e Shkodrës, ku ndaloheshin eshalionet shqiptare para se tëkalonin në Mal të Zi

Referencat

1Dr.I.Hoti - Formimi i njësiteve të armatosura të LNÇ-së dhe veprimtaria e tyre, (fejtoni) Zëri 15.X.2003,fq.25.

2 Historia e popullit shqiptar II, Prishtinë 1967, fq.808. / Dr.I.Hoti-artikulli i cituar, fq.25.

3 Dr.D.Bislimi - Formacionet politik-ushtarake në Kosovë 1941-1945, Prishtinë 1997, fq.209 /.Prof.ddr.Izber Hoti-Kosova dhe viset tjera etnike shqiptare nga kapitullimi i Italisë fashiste deri në fund të nëntorit 1944 (Fejtoni) Zëri 16.X.2003, fq.18 /Dr.Daut Bislimi:vepra e cituar, fq.196.

4 Dr.I.Hoti-Të dhëna të panjohura për Luftën e Dytë botërore në Kosovë (1941-1945), Prishtinë 1999, fq178. (k.nr.21/69,dok.nr.1281)

5 Dr.I.Hoti-artikulli i cituar, fq15.

6 Dr.H.Bajrami-Kosova (20 shekuj te identitetit te saj) Prishtine 2001, fq.86.

* Vetëm në Bllacë të Shkupit u masakruan mbi 130 burra gra fëmijë e pleq!!!,

7 Dr.M.Pirraku:Kumtesë - Revolta e“Brigadës së shaban Palluzhës“- kthesë historike në luftën e popullit shqiptar për liri, ALK-„Kosovapress“10 mars 2001, fq.5.

8 Dr.M.Pirraku-Kryengritja e Drenicës 21.01-21.02.1945 (Kumtesë 21 shkurt 2001,Prishtinë)

* OZN-a - Odelenje za Zastitu Naroda (Dega e Mbrojtjes së Popullit) - u formua me 14 maj 1944. Ajo veproi në kufirin e seksionit të Mbrojtjes Popullore të KANÇJ, e cila kishte të drejtat dhe detyrat e Qeverisë. OZN-a ishte e organizuar në parime ushtarake. Ky formacion shfarosës për shqiptarët, në Kosovë u formua më 1 shtator 1944 nga Aleksandër Rankoviqi, i cili për këtë qëllim kishte ftuar në Vis Miladin Popoviqin, Dushan Mugoshën dhe Spasoje Gjakoviqin. Në radhët e OZN-ës ishin edhe tre anëtarë të Komitetit Krahinor të Kosovës: Ali Shukriu, Çedo Mijoviq dhe Sahit Bakalli. Pas formimit të të ashtuquajturës Qeveri e Jugosllavisë Demokratike në mars 1945-OZN-a hyri në përbërjen e Ministrisë së Punëve të Brendshme, kurse më 1946 u shndërrua në UDB (Uprava Drzhavne Bezbednosti-Drejtoria e Sigurimit të Shtetit) që tani quhet DB (Drzhavna Bezbednost-Sigurimi i Shtetit). OZN-a qe dhe mbeti një mekanizëm monstruoz për luftimin e veprimtarive liridashëse të të gjithë popujve të ish-Jugosllavisë pa përjashtim, por në mënyrë të veçantë kundër atyre shqiptarë.

9 Sh.Braha-Rifat L.Berisha, figurë e shquar kombëtare, Tiranë 1998, fq.165.

10 A.Bytyqi-Terrori shtetëror dhe gjenocidi serbo-malazias në Kosovë 1878-1991, Prishtinë 2001, fq.83/85; /Dr.M.Pirraku-Kumtesë e cituar, fq.6.

11 Po aty, fq.102/102 dhe Dr.H.Bajrami-Vepra e cituar fq.86

12 Dr.M.Pirraku-Kumtesa e cituar, fq.7.

13 Po aty

14 Dr.M.Pirraku-Ripushtimi jugosllav i Kosovës 1945, Prishtinë 1992 fq.106. Dr.M.Pirraku-Kumtese /Revolta e”Brigades se Sh.Polluzhës…”, Kosovapress 10.03.2001.

15 Sh.Braha - Gjenocidi serbomadh... fq.458

16 A.Hajdini - Tragjedia e Tivarit, 1990 fq.3

18 M.Shatri-Kosova në LDB, fq.224

19 Revista Koha-Nr.144,12 mars 1997, f.39

20 Po aty

21 Po aty

22 A.Hajdini - Tragjedia e Tivarit, fq.13

23 Po aty, fq.15-17

24 Revista Koha, nr.146,26 mars 1997, fq.41

25 A.Hajdini- vepra e cituar

26 Po aty

27 Në raportin e prof.Ymer Berishës dërguar Misionarit anglez Hadson më 22.X.1946 në Tiranë, thuhet se në Tivarë janë vrarë 1670 veta.

28 Azem Hajdini, që kishte përjetuar Masakrën e Tivarit, deklaron se me 26 mars 1945 nga Prizreni për në frontin e Trieshtës (në eshalonin e dytë) janë nisur 4.700 shqiptarë dhe masakrës së kryer në Tivarë më 1 prill 1945, i kanë shpëtuar 810 veta. Nga kjo dëshmi del se gjatë marshutës nga Prizreni - deri në Tivarë janë vrarë e zhdukur pa gjurmë 3.890 shqiptarë...!!!

29 L.Nasi - Ripushtimi i Kosovës..., fq.177

30 AIHU, k.1341, dt. 8.VI.1945

31 Dr.M.Pirraku - Ripushtimi i Kosovës..., fq.144

32 Më 16 prill 1945 njësit e Brigadës së 25-të serbe, në bashkveprim me komandën e vendit në Prizren bënë konfiskimin e pasurisë së të katër të mobilizuarve zhurjanë. Me këtë rast u morën: "1 ka, 16 dele, 14 qengja, 3 dhi, 1 cap, 100 kg. misër dhe 20 kg grur". (Po aty fq.136 - nga AVII Nr.9-1/4-9-6/4, K-1341, 10.IV.1945)

33 Dr.M.Pirraku - Ripushtimi jugosllav i Kosovës, fq.145


Më 1 prill, 2008
 
 
 

Temat e fundit