Presidenti Bamir Topi deklaron se kombi ynë është një e i vetëm - Bashkimi Kombëtar

×
Albanian Forums, Zerion Zeri yt Zeri Info, Forumi Shqiptar Al Virtual, Diskutime, Biseda, Chat Njofje, Informatika, Teknologjia, Gazeta Tema, Gazetat Shqiptare, Bota Sot, www Channel Albania, Telegrafi Kosovo, Ballkani Web, Gazeta Lajme shqip, Lajmet e Fundit Shqiperia Kosova, Dita, Panorama, Kryeartikull, Faqja Kryesore, Video Shqip, Muzike Shqipe, Njoftime, Lajmerime, Temat Online, Gazetat, Kosovare, Shtypi Ditor, Sporti Shqiptar, Dashuria, Pyetje Pergjigje, Keshilla, Ndihme, Webmaster Shqiptar, Familja, Shqiptaria, Muzika, Receta Gatimi, Imazhe, Vipat-shqiptar, Aktualiteti
Media Sociale
Mesazhe Private
Shqiptaret duke lexuar tema interesante dhe te ndryshme
Tema re

Presidenti Bamir Topi deklaron se kombi ynë është një e i vetëm

Presidenti Bamir Topi deklaron se kombi ynë është një e i vetëm

· 7 · 1143

  • Postime: 28589
  • Karma: +48/-5
  • Gjinia: Mashkull

ne: 26-01-2008, 13:02:21
Ne fjalën qe mbajti presidenti Topi ne Universitetin e Prishtinës la te kuptohej qartë se shqiptarët e te dy aneve janë një komb i vetëm.

"Universiteti i Prishtinës, ky simbol i qëndresës sonë ndër vite, ky simbol i së drejtës sonë historike ka qenë dhe do të mbetet një kapitull i ndritur i historisë së popullit shqiptar dhe veçanërisht i Kosovës moderne."

Me përdorimin e peremrit "sonë" vete presidenti i shtetit pati guximin te deklaroje se shqiptarët e RSH dhe Kosoves janë një dhe se nuk ka vend për ata qe deshirojne t'i percajne ata duke u munduar te shpikin "shqiptare" dhe "kosovare", apo duke folur për Shqipërinë dhe Kosovën si thjeshtë dy shtete fqinje. Kosova është pjesë e pandashme e  Shqipërisë natyrale dhe etnike.

Me poshte është fjala e plotë e presidentit Bamir Topi.

*******

  Përshëndetja e Presidentit Topi në Universitetin e Prishtinës.

 

25 janar 2008

I nderuar President i Kosovës, z. Sejdiu,
I nderuar Kryetar i Kuvendit të Kosovës, z. Krasniqi,
Të nderuar zotërin zv/kryeministra përkatësisht të qeverisë Thaçi dhe të qeverisë Berisha,
Të nderuar ministra, deputetë,
Zonja dhe zotërinj,
Profesorë, akademikë të nderuar, studentë,
I nderuar z. Hasani,
I nderuar z. Hoxhaj,

E kam të vështirë t’i përmend të gjithë për shkak të kohës, por ju siguroj që në këtë moment solemn ju jam shumë mirënjohës për praninë tuaj në këtë ceremoni dhe mbi të gjitha për vlerësimin që më bëtë duke më dhënë titullin “Doktor Honoris Causa” që sigurisht nuk është një titull personal, por është një titull që vjen në vijim të atij bashkëpunimi të gjerë dhe intensiv që kemi pasur me të gjithë kolegët nëpër universitete, në politikë, në jetën e thjeshtë shoqërore, në atë bashkëpunim gjenetik do ta quaja midis qytetarëve të Kosovës dhe qytetarëve të Shqipërisë, vjen dhe kurorëzohet në një moment që do të vlerësohej nga të gjithë si një moment historik, në prag të shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Mu desh të thyej disi protokollin për të ardhur në këtë sallë të Senatit të Universitetit, kështu që kërkoj ndjesë për këtë, por duke iu kthyer në retrospektivë atyre reflekseve kur ishim të detyruar të shkonim në Universitet jo me makina, por në këmbë, ose në biçikletë, duke pasur mundësinë të takojmë kolegët, studentët, kështu që duke iu kthyer reflekseve erdha me shumë dëshirë në këmbë në Universitet, duke takuar njerëzit në rrugë tek të cilët nuk është e vështirë të shikosh pikërisht atë momentin, i cili është akumuluar vite pas vitesh, pikërisht atë moment që po e mirëpresim të gjithë, që është sikurse thashë momenti i shpalljes së pavarësisë.

Natyrisht jeta akademike është shumë e bukur, të jep mundësinë që të merresh me profesionin tënd, të jep mundësi që të njihesh me të rejat e fundit të shkencës, të jep mundësi që të formosh brezin e ri, gjeneratën e re që do t’i shërbejë të ardhmes së vendeve tona, por vjen një ditë kur njeriu ndoshta me dhimbje i kushtohet një procesi tjetër që është procesi i pjesëmarrjes në politikë. Vështirë t’i japësh një shpejgim përse njeriu një ditë shkëputet nga jeta akademike për t’iu përkushtuar politikës. Mesa duket është ai moment kur kërkon që të japësh diçka më shumë për disa çështje, që janë më të rëndësishme se sa vetë shkenca. Dhe janë disa momente që ne i kemi kaluar dhe besoj që po i kalojmë dhe besoj dhe që po i kurorëzojmë. Por asnjëherë njeriu nuk e shikon veten të shkëputur nga ai profesion tek i cili ka vënë shpirtin.

Unë dëshiroj me këtë rast t’i drejtohem këtij auditori të nderuar me një fjalë solemne, por që do të jetë shumë e vështirë për të vlerësuar kontributin e madh që ka pasur ky Universitet në kushtet mjaft specifike që ka pasur Kosova.

Të nderuar kolegë,
Të dashur vëllezër dhe motra,

Unë vërtet ndjehem shumë i lumtur që në këtë moment historik për Kosovën ndodhem sot mes jush në këtë tempull të dijës dhe simbol të kombit shqiptar, ku u projektua Kosova që kemi sot dhe ajo që do të kemi nesër, Kosova e lirë, e pavarur, demokratike dhe evropiane.

Gjatë vitit që kaloi, Kosova ka bërë një rrugëtim historik drejt finalizimit të statusit të ri të saj. Me punën dhe sakrificën që ju të gjithë keni bërë, keni ndihmuar partnerët dhe miqtë e Kosovës, njëkohësisht keni ndihmuar edhe diplomacinë shqitpare, e cila siç jeni në dijeni, ka pasur një axhendë të ngjeshur në mbështetje të realizimit të ëndrrës tuaj shekullore dhe në dobi të paqes dhe të stabilitetit në rajon. Më lejoni të shpreh mirënjohjen time të thellë për nderin e veçantë që më bëtë duke më akorduar titullin “Doktor Honoris Causa”. Kam dëshiruar vetë me ngulm, që të jem këtu pranë jush në këtë vizitë të parë timen në Kosovë me kapacitetin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë. Universiteti i Prishtinës, ky simbol i qëndresës sonë ndër vite, ky simbol i së drejtës sonë historike ka qenë dhe do të mbetet një kapitull i ndritur i historisë së popullit shqiptar dhe veçanërisht i Kosovës moderne.

Kush mund ta harrojë aktin historik të studentëve të 68-ës, apo të 81-it, të atyre djemve dhe vajzave si Bajram Kosumi, Ydajet Hyseni, Berat Luzha, Mehmet Arizi, Ali Lajçi, Gani Koçi, Kadri Kryeziu, Jonuz Jonuzi, Gani Krasniqi, Teuta Hadri, të cilët kanë bërë epokë. Me këtë rast, homazhi im u drejtohet edhe atyre që u kanë paraprirë të gjitha lëvizjeve politike dhe sociale në Kosovë, të cilët në kushte terrori arritën t’i bëjnë ballë dhunës verbale të Akademisë së Shkencave të Serbisë dhe pikërisht korifejve të artit dhe të shkencës në Kosovë, profesorit të shquar të këtij Universitet, rektorit të shquar të këtij universiteti, Ejup Statovci, akademikut Fehmi Agani, Idriz Ajeti, Gazmend Zajmi, Esat Merkuli, Ali Hadri, Anton Pashku, Myslym Yllniqi, Mark Krasniqi, Zegeria Cana, Ibrahim Rugova, Dervish Rozhaja dhe mjaft të tjerëve, të cilët kanë mbetur edhe simbole të mendimit shkencor, politik dhe atdhetar. Mendja e tyre e ndritur dhe puna e tyre e palodhur përgatit breza të tërë intelektualësh dhe midis tyre jeni edhe ju, të cilët keni marrë në duart tuaja fatin e Kosovës së re.
Më lejoni të nderuar miq t’ju falenderoj ju, tërë faktorin politik dhe qytetar të Kosovës për përfundimin me sukses të zgjedhjeve të 17 nëntorit, të cilat ishin një detyrë e vështirë, tre palë zgjedhjeve brenda një kohe të shkurtër, të vlerësuara dhe të çertifikuara nga faktori ndërkombëtar. Këto zgjedhje bashkë me formimin e institucioneve të reja demokratike dëshmojnë edhe një herë se ecuria e proceseve demokratike në Kosovë është e pakthyeshme, se arritjet e deritanishme janë të konsoliduara, se Kosova ka kapacitetet e duhura dhe është e gatshme të ndërmarrë hapin e nevojshëm dhe vendimtar, shpalljen e pavarësisë së saj në koordinim me komunitetin ndërkombëtar. Ndjehem dyfish i lumtur që në këtë moment historik, kur Kosova është fare pranë statusit të saj përfundimtar, pavarësisë, ndodhem pikërisht mes jush akademikëve, profesoriatit dhe studentëve të Universitetit të Prishtinës. Jam i bindur se Kosova e pavarur dhe demokratike do të jetë një garanci reale që qetëson dhe stabilizon Kosovën, garanci për paqen dhe stabilitetin në rajon.

Ky konkluzion u konfirmua edhe në mbledhjen e fundit të Këshillit të Sigurimit, ku miqtë tanë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vendet e evropiane anëtare të Këshillit të Sigurimit dhe Gjermania, për shkak të bllokimit të njëanshëm të Rusisë, u angazhuan me zgjidhjen e shpejtë të statusit të Kosovës jashtë Këshillit të Sigurimit. Në pamjen e përgjithshme duket se beteja për kurorëzimin me sukses të pavarësisë së Kosovës është vendosur në fushën e diplomacisë. Kjo është e vërtetë, por kjo është vetëm njëra pamje. Ajo që është më e rëndësishmja ka të bëjë me betejën e brendshme, me stabilitetin dhe qëndrueshmëritë që ofron Kosova në debatin që zhvillohet për të në kancelaritë përëndimore. Kosova sot, më shumë se kurrë duhet të dëshmojë qëndrueshmëri institucionale, paqe sociale, mirëkuptim politik, multietnicitet dhe standarde demokratike. Ato që janë bërë derimëtani janë një investim i çmuar për meritimin e pavarësisë. Unë jam i bindur se populli i Kosovës po mbyll një kapitull për të hapur një kapitull të ri. Besimi i faktorit ndërkombëtar për aftësitë e tij për ndërtimin e një Kosovë të pavarur, demokratike dhe shtet ligjor funksionues tashmë është fituar. Multietniciteti sot është pjesë e demokracisë, kjo tashmë nuk ka asnjë dilemë. Kosova nuk mund të jetë peng i askujt, përveç popullit të saj. Ajo duhet pra duhet të jetë për të gjithë dhe jo vetëm për shqiptarët, por edhe për komunitetet e tjera që jetojnë këtu. Një Kosovë e pavarur, sovrane, demokratike, që është njohja e vullnetit të lirë të popullit të Kosovës është e vetmja rrugë për të siguruar paqe, stabilitet, bashkëpunim dhe prosperitet rajonal.

Me këtë rast dëshiroj të shpreh respektin dhe mbështetjen time për atë që ka bërë derimëtani grupi negociator i Kosovës, apo siç konsiderohej me të drejtë grupi i unitetit. Ai ka treguar pjekuri duke u ballafaquar me diplomacinë serbe dhe ka arritur të fitojë besimin e ndërmjetësuesve ndërkombëtarë dhe të Grupit të Kontaktit. Puna e tij do të kurorëzohet shumë shpejt. Ne kemi mbështetjen dhe vlerësojmë punën e Grupit të Kontaktit dhe të miqve të tjerë të Kosovës që në këtë periudhë vendimtare historike nuk mungon, por kontributi i juaj i mëtejshëm mbështetës është tepër i nevojshëm. Çdo shenjë lodhjeje, apo aq më keq padurimi i takojnë të shkuarës. Tani është koha për më shumë unitet, maturi dhe vetpërmbajtje, si dëshmi e standardeve të plotësuara tashmë nga shoqëria dhe institucionet e Kosovës, si dëshmi që njerëzit këtu meritojnë shtetin e pavarur duke u ndjerë më të çliruar për t’u përqendruar në mënyrë më moderne tek Kosova e re euro-atlantike. Zbatimi i rekomandimeve të Paketës Ahtisari do të duhet të bëhen pa vonesë dhe pa ekuivoke. Dëshiroj të përsëris se këto përfundime dhe rekomandime nuk janë të varura kurrësesi nga rezultati i këtyre zgjedhjeve. E rëndësishme është që bashkësia ndërkombëtare të jetë unike me prononcimet e veta për zgjidhjen përfundimtare të kësaj çështjeje. Shqipëria si deri tani është e bindur se zgjidhja sa më shpejt e statusit përfundimtar të Kosovës është jo vetëm një domosdoshmëri që diktohet nga realiteti i këtushëm, por edhe për faktin se kjo i shërben forcimit të paqes dhe sigurisë në Kosovë, në rajon edhe më tej. Kështu edhe Serbia do të ndjehet më mirë e do të shkëputet nga lidhjet me të kaluarën, por edhe do të ndihmojë integrimin e vet në institucionet euroatlantike. Gjej rastin të përshëndes angazhimin e lidershipit politik në Kosovë dhe Serbi për të hequr dorë përfundimisht nga nxitjet e qëndrimeve që mund të shkaktojnë dhunë, e padëshirueshme për të gjithë.

Unë jam optimist se shqiptarët dhe serbët do të vijë një ditë të shkruajnë faqe të fqinjësisë së mirë dhe të bashkëpunimit me njëri-tjetrin për të ardhmen e tyre europiane. Sa më shpejt që të jetë kjo, aq më mirë për të gjithë. Edhe një herë shpreh bindjen se vetëm një Kosovë e pavarur dhe demokratike, brenda kufijve të tanishëm, e orientuar drejt integrimit euroatlantik është zgjidhja më e drejtë dhe më e qëndrueshme, faktor stabiliteti, paqeje dhe prosperiteti për rajonin e Ballkanit edhe më gjerë. Shqipëria mbështet qëndrimin për domosdoshmërinë e marrjes menjëherë të vendimit për satusin e Kosovës, si elementi përfundimtar që duhet të zgjidhet në vargun e konflikteve që kanë destabilizuar rajonin. Kosova është territori i një shteti që tashmë nuk ekziston më, i një shteti që u ndërtua artificialisht dhe u shpërbë në mënyrë të natyrshme dhe kjo është hallka e fundit për të krijuar shtetin më të ri sovran dhe të lirë në Evropë. Ajo përbën një rast unik, të gjitha mundësitë për negociata tashmë janë ezauruar tërësisht dhe rezultati më i mirë i negociatave është Paketa Ahtisari. “Status quo” është i pamundur, nuk prodhon stabilitet. Përkundrazi vazhdimi i tij i mëtejshëm rrezikon paqen dhe sigurinë jo vetëm në Kosovë. Është koha për të ecur përpara për një të ardhme më të mirë për Kosovën dhe Serbinë.

Duke qenë përpara jush, akademikë dhe profesorë të Universitetit të Prishtinës gjej rastin të theksoj nevojën e një vëmendjeje më të përqendruar tek investimet në fushën e arsimit dhe të shkencës të elitës intelektuale të Kosovës. Gjithashtu, zgjerimi i mëtejshëm i bashkëpunimit me universitetet e Shqipërisë, ku nuk do të mungojë edhe mbështetja ime personale, si edhe me vende të tjera të rajonit, pse jo edhe me ato të Serbisë, do t’i shërbejë edhe më mirë demokratizimit të mëtejshëm dhe integrimit rajonal dhe evropian të Kosovës.

Unë ju falenderoj shumë për mundësinë që më dhatë, ju falenderoj për titullin që më dhatë dhe ju siguroj që do të jem shumë i ndjeshëm dhe bashkëpunues për të rritur reputacionin Universitetit tuaj dhe për të qenë pjesë e atyre zhvillimeve akademike që do të ketë edhe Shqipëria edhe Kosova si dy vende sovrane, si dy vende që kanë një prosperitet të padiskutueshëm në familjen euroatlantike.

Edhe një herë, faleminderit!

  • Postime: 737
  • Karma: +0/-1

#1 ne: 26-01-2008, 15:26:59
Po per Camerine, cili eshte qendrimi i kukulles Topi?

  • Postime: 195
  • Karma: +1/-0
  • Gjinia: Mashkull

#2 ne: 29-01-2008, 17:33:21
 
Max,ku i gjen këto xhevahire ti qe bëjnë efekt te kundërt të atyre qe thua.Na "paska lënë te kuptuar" ky presidentuci ynë "qe jemi një komb,një popull".Serbet i thonë qartë ,ky i le të kuptohen.Me te kuptuar nuk vjen pavarsia.Iku 10 dhjetori-nuk dëgjova ndonjë kërkesë për ti falur populli për mashtrimin !Po iken janari,pastaj shkurti-te paturpshmit nuk kërkojnë falje te gjalleve e te reneve!LENE TE KUPTOHET!
E di si e bëjnë këta udheheqsat tanë karagjoz e te paaftë?
-NJelloj si ai burri qe i bene një rreth me shkums ne dysheme e i thanë të mos e kalonte ndërsa i shkerdhenin gruan.Ne fund kur iken gruaja u qa pse nuk e ndihmoi e ai i tha qe ja kishte hedhur se kishte kaluar disa here rrethin e ata nuk e pane.("la te kuptohej"-si ky yni lart)
-Tha KY LART-...nuk duhen me vite,nuk duhen me muaj,nuk është me çështje javësh,por është çështje oresh...-kush genjen duhet te pergenjeshtroj ne se është njeri normal-me shumë se 24 ore quhen disa ditë,apo jo?!
-Qe politikanet nuk janë për ti admiruar nuk është faji jonë por ti mburresh e mbrosh është e keqe jona!

  • Postime: 737
  • Karma: +0/-1

#3 ne: 30-01-2008, 00:56:06
Perse Topi nuk u betua per flamur shqiptar?

  • Postime: 88
  • Karma: +0/-1

#4 ne: 10-02-2008, 22:02:15
-NJelloj si ai burri qe i bene një rreth me shkums ne dysheme e i thanë të mos e kalonte ndërsa i shkerdhenin gruan.Ne fund kur iken gruaja u qa pse nuk e ndihmoi e ai i tha qe ja kishte hedhur se kishte kaluar disa here rrethin e ata nuk e pane.("la te kuptohej"-si ky yni lart)
Shume shembull i qelluar..  o miri14

  • Postime: 1631
  • Karma: +2/-6
  • Gjinia: Mashkull

#5 ne: 10-02-2008, 23:04:22
Me pelqej vizita e tij,  ishte shum madheshtore, e mu aty ku ishte ,ne Zemren e Kosovès Drenic Prekaz para Emrave te pavdekshum  heronjè qe jo jo skishin vdekur ata ishin gjall Ademi hamza osmani,voglushve,qe kishin pertrij emrat qe svdesin kurr tek populli shqiptar.
Por mè erdh shum keq pse viziten e par se kishte ba atje ku duhet por atje ku 's duhet!!!

  • Postime: 737
  • Karma: +0/-1

#6 ne: 12-02-2008, 01:19:02
Perse kosovaret nuk e pyeten Bamirin se perse ai nuk u betua per flamur shqiptar?

Temat e fundit