×
Hyrja
Profili

Zhvillimet gjeopolitike dhe perspektiva e “problemit çam”

Zhvillimet gjeopolitike dhe perspektiva e “problemit çam”

· 1 · 658

  • Postime: 27104
  • Gjinia: Mashkull
Berni
ne: 19-07-2010, 15:45:42
Problemi çam, tashmë nuk është problem i komunitetit prej 300 000 banorësh të kësaj krahine të Shqipërisë së Poshtme, që sot jetojnë brenda territorit të shtetit amë, të cilën literatura historike e quan si “Shqipëria Londineze”. Ai tashmë duhet të quhet problemi kryesor i politikës së jashtme të shtetit shqiptar, i cili ka sot mundësinë ta shndërrojë atë në njërin prej prioriteteve kryesore të veprimtarisë së tij.

Por, çfarë ka bërë deri tanimë faktori politik për “problemin çam”?! Le të bëjmë një retrospektivë të shkurtër të saj në këta 18 vjet të periudhës paskomuniste.

Prezantimi i tij nisi me Kryeministrin Aleksandër Meksi, i cili e paraqiti për herë të parë atë gjatë vizitës së Kryeministrit grek në Tiranë, Kostandin Micotaqis, në fillim të viteve 1990.

Më pas, do të ishte Kryeministri Meta gjatë vizitës së tij zyrtare në Athinë, i cili do ‘ia pohonte këtë “precedent” Kryeministrit grek, Kostas Simitis. Deklarata të tjera për këtë problem janë bërë herë pas here, por të kujdesshme, nga Kryeministri Berisha, kreu i LSI-së, Ilir Meta, si dhe nga deputetë të veçantë në Parlamentin shqiptar. Madje, në këtë forum pak kohë më parë u zhvilluan debate të ashpra midis deputetëve te PDU-së, zotërinjve Shpëtim Idrizi dhe Dashamir Tahiri, me kryetarin e PBDNJ-së, deputetin Vangjel Dule, rreth këtij problemi, të cilin zoti Dule e ka cilësuar më parë si: “Një problem inekzistent, i paqenë, të cilin historia e ka mbyllur”.

Ndërkohë që politika i ka konsideruar të mjaftueshëm hapat dhe veprimet e saj, paralelisht me të ka operuar edhe “faktori politik” dhe “shoqëror” çam.

Që nga viti 1991, shoqata atdhetare dhe politike “Çamëria” nisi një aktivitet të gjerë politik, shoqëror dhe kulturor për sensibilizimin e “problemit çam” nëpërmjet botimeve të gazetave, librave, organizimit të aktiviteteve kulturore dhe promocioneve të ndryshme.

Në vitin 2005, të zhgënjyer nga indiferenca e faktorit politik shqiptar, komuniteti çam e ngriti punën e tij në një tjetër stad, duke krijuar forcën e tij politike, e cila nisi procesin e ndërkombëtarizimit dhe prezantimin e plotë të “problemit çam”.

Mbas zgjedhjeve e 28 qershorit 2009, me një aksion politik, brenda një harku kohor të shkurtër kohor, PDU, e përfaqësuar nga deputetët, zotërinjtë Shpëtim Idrizi dhe Dashamir Tahiri, së bashku me aktorë te tjerë, miq dhe dashamirës të komunitetit çam, arritën që ta legalizonin dhe institucionalizonin në “parametrat e duhur dhe optimal “problemin çam” si problem të të gjithë shqiptarëve.

Ndërkohë që, pas prezantimit të “odisesë” 20-vjeçare të çamëve në kulisat e politikës, po përpiqemi të “heqim” disa paralele historike, të cilat mund t’u shërbejnë zhvillimeve politike të këtij “fenomeni unik”. Paralelizmin e parë do ta bëjmë brenda realitetit shqiptar me Kosovën, ndërsa të dytin, me një problem që tashmë i përket të drejtës ndërkombëtare, siç është gjenocidi mbi armenët.

 Duke iu referuar historisë së Shqipërisë, dimë se Kosova dhe Çamëria ishin dy rajonet më të mëdha që iu shkëputën truallit shqiptar në vitin 1913, në Konferencën e Ambasadorëve në Londër. Po ky forum i Fuqive të Mëdha të Evropës njohu edhe pavarësinë e shtetit shqiptar, “Shqipërisë Londineze, që nga shumë historishkrues shqiptarë konsiderohet si “triumfi” i Rilindjes Kombëtare Shqiptare.

Por shtrojmë pyetjen: A ka marrë fund ky proces? Patjetër që jo. Ashtu siç e përcaktuan edhe ideologët e Rilindjes sonë Kombëtare, “Rilindja” ishte një lëvizje për krijimin e komb-shtetit. Po a e krijoi ajo komb-shtetin shqiptar?! Patjetër që jo! Atëherë, duket që ky proces ka vijuar dhe nuk është ndalur deri tanimë. Ai nuk po vazhdon me “pushkë dhe me penë”, por me veprime dhe aksione politike. Suksesi i tij i radhës ishte pavarësia e Kosovës. Shqiptarët e Kosovës e arritën atë pas 85 vitesh përpjekje “titanike”, vetëm duke e ndërkombëtarizuar fenomenin “Kosovë”, që përkthehet sensibilizim i faktorit politik ndërkombëtar. Të gjithë jemi dëshmitarë të rezultatit, punës, veprimtarisë, aktivitetit, vetëmohimit dhe sakrificave të grupit dhe individit, komunitetit dhe lidershipit kosovar.

I ndjeri President Rugova dhe bashkëpunëtorët e tij, me mjetet monetare të popullit shqiptar të Kosovës, i ranë botës “kryq e tërthor”, duke bërë të njohura problemet që i fshihnin botës serbo-sllavët. Falë kësaj pune, rezultatet nuk munguan të vinin dhe sot Kosova është ajo që ne e shohim, ndiejmë dhe prekim, si shteti më i ri në botë.

Këtë gjë duhet të bëjë edhe komuniteti çam, së bashku me të gjitha grupet e miqve të tij. Jo vetëm të lobojë me Strasburgun, Londrën dhe Brukselin, por dhe me Parisin, Romën, Berlinin dhe Uashingtonin.

Kjo është “vija e parë paralele” të cilën duhet ta “heqë” fort edhe Parlamenti dhe qeveria jonë.

Ndërkohë, po sjellim si “paralele” të dytë edhe një ngjarje që ka ndodhur disa qindra kilometra larg, përpara afërsisht 100 vjetësh. Vetëm disa muaj më parë, Senati amerikan miratoi një rezolutë rreth problemit të gjenocidit që Perandoria Osmane kishte kryer ndaj popullit armen, gjatë viteve të Luftës së Parë Botërore.

Ky veprim politik i forumit më të lartë politik të SHBA-ve solli jo pak luhatje të ekuilibrave gjeostrategjikë dhe shërbeu si pikë reference ndaj vërtetësisë së këtij problemi.

Me të drejtë shtrojmë pyetjen se a do të jetë e largët dita që një forum i tillë të japë vlerësimin e tij për “precedentin çam”!

Të shpresojmë se po!

Atëherë, në qoftë se do të ecim drejt realizimit të një kauze të tillë, si do të ndihen strukturat tona shtetërore përpara këtij realiteti? Po njerëzit që i përfaqësojnë ato dhe ndërgjegjja e tyre? Nuk e dimë, por mund të themi se “problemi çam” tashmë nuk u përket vetëm çamëve. Në këtë rast po ju kujtoj deklaratën e ambasadorit amerikan Withers para disa ditësh në Vlorë, kur nga selia e qeverisë së Ismail Qemalit, arkitektit të Shqipërisë së pavarur, deklaroi: “Për çamët duhet punuar që çështja të njihet jashtë”. Kështu deklaroi përfaqësuesi i SHBA-së, të tjerat mund t’i kuptoni vetë. Tashmë, Çamëria nuk është më një Palestinë e harruar!

Nga Nimet Musaj  Autori është veprimtar i PDU-së