×

"Strategjia e shqiptarevet"

"Strategjia e shqiptarevet"

· 1 · 145

  • Postime: 26499
  • Gjinia: Mashkull
M A X
ne: 30-04-2020, 17:37:30
Dallimi midis kombit dhe atdheut qëndron, mes tjerash, edhe në shtrirjen e tyre.
Kombi ka shtrirje më të madhe se atdheu, sepse ai përhapet, derdhet, edhe jashtë atdheut. Kjo ka ekzistuar thuajse në të gjitha kohët, por në shekujt e fundit, sidomos në sh XX e XXI, kjo e vërtetë ka ardhur duke u pranishmuar përherë e më shumë në të gjithë kombet. E kanë këtë dukuri anglezët, francezët, kinezët, indusët, kombet sllavë, kombet zezakë, kombet arabë, grekët. Rasti më për t’u vënë në dukje i dallimit midis vendndodhjes së atdheut dhe vendshtrirjes së kombit, është ai i izraelitëvet. Atdheu i tyre i tejlashtë ndodhej aty ku e kanë sot shtetin, ndërsa si komb ata kanë qenë shtrirë prej shumë shekujsh anembanë Globit. Ne kemi ngjashmëri me izraelitët,
por kemi edhe dallime.
Me Komb Shqiptar kuptojmë atë popull, i cili në kohën tonë, flet dhe shkruan shqip pavarësisht se ku ndodhet, si dhe ata fragmente të këtij populli, të cilët aktualisht nuk e përdorin gjuhën shqipe, apo e përdorin vetëm në të folur, por e dinë se janë shqiptarë ose së paku e dinë të tjerët.
Një pjesë Kombit Shqiptar jeton në Atdheun e vet, në SHQIPËRI, e cila, mbështetur në ç’thamë në kapitullin para këtij, nga perendimi laget prej detravet Adriatik dhe Jon, nga lindja shkon deri në Moravë, në bërrylin më lindor të sajin, si dhe deri në Vardar, në juglindje të Velesit, nga veriu ka për kufinj skajorë Prijepolen, Rrasën, Bllacën e Prokuplen, në jug prek Pindin dhe del në Gjirin e Ambrakisë.
Shqiptarët që jetojnë në Prevezë, në Pargë, në Paramithi, në Janinë, në Filat, në Konicë, në Kostur, në Follorinë, gjeografikisht nuk ndodhen në Greqi, por në Shqipëri. Po kështu edhe grekët që jetojnë në po këta vende, nuk ndodhen në Greqi, por në Shqipëri. Pra, ata grekë jetojnë në shtetin e vet, por jashtë atdheut të vet. Shqiptarët që jetojnë në Manastir, në Prespë, në Resnjë, në Ohër, në Strugë, në Kërçovë, në Dibër, në Gostivar, në Tetovë, në Shkup, në Përlep, në Kumanovë etj, gjeografikisht ndodhen në Shqipëri. Sllavomaqedonët që jetojnë në po këta vende, janë popull i ardhur ose vendës të sllavizuar. Ata nuk kanë tjetër atdhe. Janë, pra, popull imigrant i cili e ka humbur atdheun e vet dhe jeton në Shqipëri. Shqiptarët që jetojnë në Preshevë, në Bujanovc, në Vranjë, në Medvegjë, në Leskovc etj, gjeografikisht nuk ndodhen në Sërbi, por në Shqipëri. Sërbët apo vllehtë që jetojnë në po këta vende, si dhe në Toplicë, Kosanicë, Kurshumli etj, ndodhen shtetërisht në Sërbi, por gjeografikisht ata janë në Shqipëri. Sërbët, në këtë rast, janë jashtë atdheut të vet, imigrantë, ndërsa vllehtë janë një etnitet i veçantë, i krijuar në mënyrë specifike në krejt gadishullin tonë dhe ata, kudo që të jetojnë, janë në atdheun e vet. Shqiptarët që jetojnë në Plavë, në Rozhajë, në Podgoricë, në Gusi, në Tuz, në Tivar, në Ulqin, gjeografikisht ndodhen në Shqipëri. Malazezët, që jetojnë në këta vende, gjeografikisht ndodhen në Shqipëri, ndërsa shtetërisht ata janë në shtetin e vet. Në po këta vende, sidomos në Tivar e Podgoricë, ka edhe një numër sërbësh. Ata, as gjeografikisht, as shtetërisht, nuk ndodhen në atdheun e tyre. Ata janë imigrantë të dhjetëvjetëshavet të fundit.
Asnjëri prej banorëvet joshqiptarë, me përjashtim të vllehëvet, sado heret të kenë ardhur këtu të parët e tij, qoftë edhe 13 apo 14 shekuj më parë, kur merret në krahasim me ne shqiptarët, nuk mund të konsiderohet se jeton në atdheun e vet. Pikërisht ky është edhe shkaku kryesor që udhëheqësit shpirtërorë, strategët, politikanët dhe komandantët e atyre popujve, si të vetmen rrugë për të siguruar një atdhe për vete dhe për pasardhësit e vet, kanë gjetur rrugën e shfarosjes, dëbimit ose tjetërsimit të etnitetit tonë.
SHQIPËRIA është vendrrënja e krejt Kombit Shqiptar.
Pra, është Atdheu i të gjithë shqiptarëvet, kudo që ndodhen nëpër Botë. Veç shqiptarëvet, SHQIPËRIA është vendrrënja edhe e arbëreshëvet të Italisë, e arvanitëvet të Greqisë, si dhe e arbëneshëvet të Zarës dhe e disa të tjerave koloni.
Nga mbarëvajtja e pjesës së Kombit tonë brenda Atdheut, (ose nga keqvajtja), varet shumë edhe mbarëvajtja ose mosmbarëvajtja e të gjitha pjesëvet të tjera të këtij Kombi, që aktualisht ndodhen jashtë Atdheut.
Ato pjesë të Kombit tonë që ndodhen jashtë Atdheut tonë, quhen diasporë shqiptare. Fjala diasporë (διασπορά) është fjalë greke dhe ka domethënien: shpërndarje. Me shprehjen diasporë shqiptare nënkuptojmë, pra, të gjithë shqiptarët, përfshirë këtu edhe arbëreshët, arvanitët etj, që ndodhen të shpërndarë nëpër vende të ndryshëm të Botës.
Diaspora më e madhe shqiptare ndodhet në shtetin turk.
Pas kësaj, për nga numri, renditet diaspora shqiptare në shtetin grek, por pa përfshirë aty shqiptarët që jetojnë në veri të vijës Pind–Gjiri i Ambrakisë. Shqiptarët që jetojnë në veri të vijës Pind–Gjiri i Ambrakisë nuk janë diasporë. Ata, siç e thamë, jetojnë në Atdheun e vet.
Diaspora të tjera shqiptare janë:
1. Shqiptarët që jetojnë në shtetet e Evropës Perendimore (Itali, Zvicër, Austri, Gjermani, Francë, Belgjikë, Hollandë, Luksemburg, Spanjë, Portugali, Angli, Irlandë, Islandë, Danimarkë, Norvegji, Suedi, Finlandë). Në këtë diasporë shqiptare, shumë të shpërndarë, përfshihen, si shqiptarët që janë lagruar së voni prej Atdheut të vet, dmth. prej shtetit që quhet Republika e Shqipërisë, prej shtetit që quhet Republika e Kosovës, prej shtetit që quhet Republika e Maqedonisë, prej shtetit që quhet Republika Greke, prej shtetit që quhet Mali i Zi dhe prej shtetit që quhet Sërbi, si dhe arbëreshët që kanë shkuar atje nga Italia Jugore, arvanitët që kanë shkuar atje nga Greqia dhe arbëneshët që kanë shkuar atje nga Zara e Dalmacisë. Aty përfshihen edhe shqiptarët që kanë shkuar atje nga Turqia.
2. Shqiptarët që jetojnë në shtete të tjerë të Evropës: Në Rumani, në Kroaci, në Slloveni, në Bullgari, në Ukrainë, në Poloni, në Rusi e ndonjë tjetër.
3. Shqiptarët që jetojnë në Amerikën Veriore, SHBA dhe Kanada. Edhe në këtë diasporë bëjnë pjesë, si shqiptarët të larguar në 2 shekujt e fundit prej Atdheut tonë, ashtu edhe arbëreshët e Italisë, arvanitët e Greqisë, arbëneshët e Dalmacisë dhe shqiptarët e Turqisë.
4. Shqiptarët që jetojnë në Australi dhe në Zelandë të Re, në Indonezi, në Kinë, në Indokinë, në Kore, në Japoni. Edhe për këta vlen i njëjti përcaktim: Aty përmblidhen si emigrantët nga Shqipëria, prej Pindit deri në Kopaonik e Jabllanicë, ashtu edhe arbëreshët, arvanitët, arbëneshët e Zarës dhe shqiptarët e Turqisë.
5. Shqiptarët që jetojnë në vendet e Lindjes së Afërt dhe në Afrikë: Egjipt, Siri, Liban, Emirate të Bashkuar, Libi, Tunizi, Algjeri, Marok etj, qofshin ata të hershëm apo të vonë.
6. Shqiptarët, arbëreshët, arvanitët, arbëneshët, që jetojnë në shtetet e Amerikës Jugore.
7. Shqiptarë, arbëreshë, arvanitas e arbëneshë, që mund të gjenden nëpër vendet që ne nuk i shënuam këtu.
Numerikisht, diaspora shqiptare është shumë më e madhe se numri i shqiptarëvet që jeton në vetë Atdheun e tyre. Rëndësia e kësaj diaspore, për vetë faktin se ajo është shumë e përhapur, e kudogjendur në krejt Globin, është shumë e madhe, deri në shkallën të thuash të pazëvendësueshmëris ë përsa i përket së ardhshmes dhe progresit të Kombit tonë. Ajo rëndësi konkretizohet kryesisht në 3 fusha:
1. në fushën politiko-diplomatike,
2. në fushën ekonomike ,
3. në fushën e afirmimit, të ruajtjes dhe të konsolidimit të identitetit tonë kulturor kombëtar.
Mjafton të sjellim këtu vetëm 1 shembull: Një shqiptar nga Tivari, shestanas me prejardhje, në vitet e rinisë së tij as që donte të dëgjonte për emrin shqiptar. Me gjithë sqarimet këmbëngulës që i ishin bërë prej një të afërmi të familjes, ai prapë nuk kish pranuar as të mësojë për të folur shqip, as ta quajë veten shqiptar.
Më vonë, puna ia pat sjellë që të shkonte për të jetuar në SHBA.
Pas disa vjetësh, autori i këtij libri e takon këtë bashkëkrahinas të vetin rastësisht në një familje. Po fliste me pëzemërsi, madje në pjesën më të madhe po fliste shqip. Herë të tjera s’kish ndodhur kështu. “A e dini si ka thânë ky?”, sqaroi njëri prej të pranishmëvet, “Ka thânë: M’ësht dashë me shkuo n’Amerikë për me marrë vesht se jam shqyptar.”
Ky është Kombi Shqiptar!
Por problemet që kanë, si pjesa e Kombit tonë Brenda Atdheut, i ndarë e i stërndarë në një varg shtetesh, si diaspora e këtij Kombi, e përhapur në krejt planetin tonë, janë aq të shumtë, sa ata as që mund të vihen në rrugën e zgjidhjes, pa hartuar një strategji sa më të saktë e sa më të arsyeshme dhe pa e zbatuar atë strategji me serozitetin dhe preokupimin më të madh.

Nga libri I GJOKË DABAJ-T “STRATEGJIA E SHQIPTARËVET”
 

“Këtë muaj mos harroni të kurseni"

Nisur nga M A XRubrika Aktualiteti

Postimi i fundit 15-07-2020, 11:22:19
nga M A X
Revista "who"

Nisur nga InfoZRubrika Mediat Shqiptare

Postimi i fundit 20-05-2020, 21:01:22
nga InfoZ
Dorian "The Hope" Dokaj (info, foto, video)

Nisur nga M A XRubrika Vipat Shqiptare

Postimi i fundit 22-04-2020, 23:31:10
nga M A X
Si thuhet gjermanisht "Te Dua"?

Nisur nga InfoZRubrika Pyetper

Postimi i fundit 05-04-2020, 11:17:26
nga M A X
"Alien" ne RTV Ora

Nisur nga InfoZRubrika Televizion

Postimi i fundit 03-03-2020, 20:17:44
nga InfoZ